Ka një model që në politikën shqiptare nuk është më rastësi. Është skemë.
Sot, kryeministri Edi Rama pranoi publikisht se i ka refuzuar tri herë dorëheqjen Belinda Ballukut. Një deklaratë që synon të japë mesazhin e forcës: “Jemi të fortë, askush nuk na prek.”
Por historia e këtyre viteve na ka mësuar se kur Rama thotë “nuk e lëshoj”, zakonisht është vetëm çështje kohe.
E mbrojti deri në fund Erion Veliajn.
E mbrojti Ilir Beqajn.
E mbrojti dhe Saimir Tahirin.
Të gjithë, në një moment, u paraqitën si të paprekshëm. Të gjithë, në një moment tjetër, mbetën vetëm.
Rama nuk mbron kurrë për arsye morale apo parimore. Ai mbron për kohë dhe kalkulim politik.
Koha është valuta e vetme që i intereson.
Në rastin e Ballukut, mbrojtja duket më komplekse. Nuk është vetëm çështje hetimesh apo dosjesh që qarkullojnë në SPAK. Nuk është vetëm frika nga mesazhe me ‘Palloshin e gjatë’, komunikime apo implikime zinxhir qe mbërrijnë tek vetë kryeministri, është aritmetikë parlamentare.
Balluku sot konsiderohet si një nga figurat me ndikimin më të madh brenda grupit parlamentar socialist. Me një bërthamë deputetësh që lidhen me qarqet e Dibrës, Fierit dhe më gjerë, ajo ka peshë reale. Dhe në politikë, peshën nuk ta fal kush edhe pse superfuqinë e Ballukut e ka pompuar vetë Edi Rama.
Nëse larg qoftë hamendesojmë një mocion mosbesimi
që në teori duket e pamundur, në praktikë, nëse krijohet një çarje serioze brenda mazhorancës, gjithçka është e negociueshme.
Dhe Rama këtë e di.
Frikë nga burgu apo frikë nga rrëzimi?
Pyetja njëmiliondollarëshe: a është kjo një lëvizje e Ramës për të mbrojtur veten?
Rama ka ndërtuar një sistem ku çdo ministër është njëkohësisht mburojë dhe rrezik. Sa kohë janë në detyrë, janë mur. Në momentin që bien, bëhen dosje .
Prandaj lëshimi nuk bëhet kurrë me nxitim.
Ai bëhet vetëm kur deputetët janë futur “në vathë”, balancat janë stabilizuar dhe rreziku i brendshëm është neutralizuar. Rama e beson veten mbi ligjin. Këtë mentalitet i kishte ushqyer dhe Ballukut. Kjo e fundit e besoi se ishte e paprekshme. Edhe po të sëmurej rëndë ishte e pazëvënësueshme. E kishte fituar me aq mund këtë fuqi sa nuk do ta linin as të fortët dhe bandat të kapitullonte.
Vetë kryeministri la të kuptohet se “kushtet duhet të piqen”. Kjo nuk është gjuhë politike. Është gjuhë menaxhimi krize.
Ky është një skenar i njohur
për kryeministrin. Ai në çdo rast të mëparshëm ka patur të njëjtën skemë : Mbrojtje publike e fortë. Diskurs për shtet të së drejtës dhe ‘viktimizim’ ndaj drejtësisë. Pastaj vjen distancim i i heshtur kur presioni rritet dhe në fund ndodh lëshim i kontrolluar.
A jemi në fazën e dytë? Apo të tretën?
Kush e mban kë?
Sot duket sikur Rama mban Ballukun.
Por po aq e vërtetë është se Balluku mban një pjesë të Ramës. Fundi nuk do të jetë moral.
Në këtë histori nuk ka idealizëm.
Nuk ka shtet të së drejtës si argument qendror.
Ka vetëm mbijetesë politike.
Rama nuk të lëshon sepse beson.
Ai lëshon kur detyrohet.
Askush në qeverisjen e Ramës nuk bie për shkak të parimeve.
Bie kur nuk i duhet më kryeministrit.
Pyetja sot nuk është nëse Balluku do të largohet
Pyetja është: kur?
Dhe mbi të gjitha kush do të jetë Belinda e radhës?
syri.net