Raketa gjigante e NASA është zhvendosur në platformën e lëshimit në Cape Canaveral, Florida, ndërsa po hyhet në fazën përfundimtare të përgatitjeve për misionin e parë të ekuipazhit drejt Hënës pas më shumë se 50 vitesh, raporton BBC.
Për gati 12 orë, Space Launch System, me një lartësi prej 98 metrash, u transportua vertikalisht nga ndërtesa e montimit të mjeteve hapësinore, duke përshkuar një distancë prej rreth 6.5 kilometrash deri në platformën e lëshimit.
Tashmë e vendosur në pozicion, raketa do t’i nënshtrohet testeve dhe kontrolleve përfundimtare, si dhe një prove të përgjithshme, përpara se të jepet drita jeshile për misionin 10-ditor Artemis II, gjatë të cilit katër astronautë do të udhëtojnë rreth Hënës.
Sipas NASA, data më e hershme e mundshme për nisjen është 6 shkurti, por janë parashikuar edhe dritare të tjera lëshimi më vonë gjatë muajit shkurt, si dhe në mars dhe prill. Raketa nisi lëvizjen në orën 07:04 sipas kohës lokale dhe mbërriti në platformën 39B të Qendrës Hapësinore Kennedy në orën 18:41.
Transportimi u krye nga një makineri gjigante e njohur si “crawler-transporter”, e cila lëviz me një shpejtësi maksimale prej vetëm 1.3 kilometra në orë. I gjithë procesi u transmetua drejtpërdrejt, duke tërhequr vëmendjen e publikut. Panorama