Fyerja që trajneri i Danimarkës iu bën shqiptarëve, duke i quajtur ‘shqiptaristë’, më shtyu të shikoj kuptimet e prapashtesës -ism dhe prapashtesës -ist. E dyta është e prejardhur prej së parës: racizëm – racist, komunizëm-komunist, marksizëm-marksist. E të tjera që do të kem rast t’i shpalos në radhët vijuese.
Oxford Dictionary shpjegon se -ism (shqip -izëm) është një prapashtesë që formon emra. 1 – duke shënuar një veprim ose rezultatet e tij: baptism; duke shënuar një gjendje ose cilësi: barbarism. 2 – duke shënuar një sistem, parim ose lëvizje ideologjike: Anglicanism; duke shënuar një bazë për paragjykim ose diskriminim: racism. 3 – duke shënuar një veçori në gjuhë: colloquialism (shqip – shprehje bisedore, stil bisedor). 4 – duke shënuar një gjendje patologjike: alcoholism.
Ndërsa ky fjalor shpjegon se -ist është prapashtesë që formon emra ose mbiemra të lidhur me ta. 1 – duke shënuar një pjesëtar të një sistemi besimesh të shprehur nga emra që mbarojnë me -ism: hedonist; duke shënuar një person që përfshihet në një paragjykim ose që e praktikon diskriminimin: sexist. 2 – duke shënuar pjesëtarin e një profesioni ose veprimtarie: dentist; duke shënuar një person që përdor diçka: flautist; duke shënuar një person që bën diçka të shprehur nga një folje që mbaron me -ize: plagiarist.
Ism (izëm) përdoret edhe si emër – gjithnjë duke pasur kuptim përkeqësues, denigrues – një sistem i pacaktuar i një filozofie ose lëvizjeje ideologjike.
Vetë opinioni danez, madje ai sportiv, ka reguar menjëherë ndaj këtij cilësimi të shqiptarëve jo me emrin e tyre, por të shoqëruar me një prapashtesë denigruese dhe diskriminuese. Olsen ndërkaq ka deklaruar se ‘Shqipërinë e sheh si kundërshtar vërtet të fortë, që nuk lë hapësira për të krijuar raste, dhe se në Kopenhagen vjen për të marrë pikë’.
Siç u njoftua nga mediat, në konferencën për shtyp, të mbajtur para ndeshjes kualifikuese për Euro 2016, që kombëtarja e Danimarkës luan përball Shqipërisë, Olsen, gabimisht apo qëllimisht, ua ndërroi emrin shqiptarëve, duke i quajtur “shqiptaristë”. “Ai iu tha shqiptarista në vend të emërtimit të duhur shqiptarë”, komentoi gazeta daneze “ekstrabladet.dk”. Gazeta e ka sulmuar trajnerin e Danimarkës, për gabimin e bërë.
Ne shqiptarët jemi po aq evropianë sa edhe danezët, jemi po aq të zhvilluar, të ditur, të qytetëruar, të talentuar sa ata. Historitë e ndryshme a do të ishte e drejtë që në Evropë të ketë shqiptaristë apo danistë. Marrëdhëniet historike, kulturore e tjera midis dy kombeve nuk na kanë përplasur ndonjëherë në kontekste të tjera përveç sportit. Ne nuk kemi qenë ndonjëherë as kemi për të qenë pjesë e synimeve ekspansioniste daneze. As danezët nuk kanë qenë as nuk kanë për të qenë ndonjëherë objekt i synimeve ekspansioniste shqiptare. Edhe prania në stadium e disa mijëra tifozëve shqiptarë, nga një vend evrolindor, nga një vend ballkanik, nuk ka pse të shikohet me aq ligësi.
Shfrime ekstreme si kjo e trajnerit danez rëndom përftohen në kontekste ekstreme, pra një emocion i tepëruar nxjerr një prodhim bruto, të shëmtuar. Një trajner, që e ka për detyrë t’iu ushqejë ndjenja sa më të pastra, sa më qytetëruese lojtarëve të tij, në mënyrë që ata të mos ushqejnë racizëm në fushën e lojës dhe këtë të mos ua frymëzojnë tifozëve të tyre, bie vetë në një pozitë të tillë.
Krahas racizmave ndërfqinjësore, të pranishme edhe në kontinentin tonë, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, nisur nga dallimet e krijuara mes perëndimit dhe lindjes së kontinentit, përkatësisht prapambetjes së trashëguar veçanërisht nga gjysmë shekulli komunizëm, u shfaq ai që mund të quhet përçmim ndërevropian, diskriminim ndërevropian, deri në racizëm.
In sport veritas (në sport e vërteta) zëvendëson kështu shprehjen latine in vino veritas (në verë e vërteta). Duke luftuar racizmin ndaj të tjerëve, ne a po harrojmë racizmin ndër ne, racizmin ndërevropoid, më gjerë, racizmin brenda ngjyrës?
Komentet