VOAL

VOAL

Qytetarë të varfër me kryeministra të pasur

June 15, 2018

Komentet

‘Protesta kombëtare’- Partia Demokratike mbledh të hënën Kryesinë

Partia Demokratike pritet që të mbledh Kryesinë të hënën në orën 18:00, ku do të diskutohet për aksionin opozitar, por edhe organizimin për zgjedhjet e 2025.

Temë e mbledhjes do jetë edhe data që pritet të propozohet për protestën kombëtare, ku deri tani bëhet me dije se do të jetë 13 korriku, por nuk përjashtohet mundësia që tubimi të jetë edhe më afër në kohë.

Gjithashtu Kryesia e PD, do të diskutojë dhe për drejtuesit e rinj të qarqeve, ku këtë herë pritet të ketë risi, pasi nuk do të ketë nga një drejtues, por dy për çdo qark, të cilët do të jenë përgjegjës për organizimin.  sn

Pentagoni: Ukrainës i lejohet t’i përdorë raketat me rreze të gjatë për goditjet brenda Rusisë

Ushtria e Ukrainës lejohet të përdorë raketa me rreze më të gjatë të dhëna nga SHBA për të goditur objektivat brenda Rusisë, më shumë se vetëm në linjat e frontit pranë Kharkiv, nëse Kievi po vepron në vetëmbrojtje, tha Pentagoni.

Presidenti Joe Biden fillimisht hoqi kufizimet se si Ukraina mund të përdorte municionet e ofruara nga SHBA për t’i dhënë asaj një mundësi tjetër për të mbrojtur më mirë qytetin lindor të Kharkiv nga një breshëri e pamëshirshme e raketave ruse, raportoi AP.

Që nga fillimi i pushtimit të Rusisë në vitin 2022, SHBA-ja kishte mbajtur një politikë për të mos lejuar Ukrainën të përdorte armët që ofronte për të goditur objektivat brenda Rusisë nga frika e përshkallëzimit të mëtejshëm të luftës.

Rusia ka qëlluar mbi objektivat ukrainas nga brenda kufirit të saj, duke e trajtuar zonën e saj si një “zonë të sigurt”, tha Pat Ryder, sekretari i shtypit i Pentagonit.

“Ndërsa ne i shohim ato forca që kryejnë ato lloje operacionesh nga përtej kufirit, ne kemi shpjeguar se Ukraina mund dhe ka të drejtë të qëllojë për t’u mbrojtur”, u tha Ryder gazetarëve të enjten.  sn

‘Black Out’, ndërpritet energjia elektrike në të gjithë Shqipërinë

Raportime për ndërprerje të energjisë elektrike kanë ardhur në BalkanWeb në disa pjesë të kryeqytetit, por duket se kjo ka ndodhur jo vetëm në Tiranë.

Raportime për një gjë të tillë kanë ndodhur në disa qytetësi Durrësi, Elbasani, Kukës dhe Korçë.

Energjia i është ndërprerë edhe Gjykatës Kushtetuese ku po shqyrtohet padia e Partisë Demokratike në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës, e cila mbante detyrën e Ministres së Jashtme.

Mirëpo ndërkohë që seanca vijonte, transmetimi i saj live është ndërprerë.

OSHEE nuk ka bërë asnjë njoftim për ndërprerjen e papritur të energjisë elektrike në të gjithë vendin.

Një luhatje e tillë tensioni rrit rrezikun për të dëmtuar elektroshtëpiaket. Shumë abonentë familjarë por edhe biznese janë ankuar vazhdimisht për luhatjet e tensionit këto ditë të nxehta.

OSHEE ka publikuar ditën e djeshme një postim, ku ka njoftuar se dritat do të iknin në disa zona në Tiranë.

  • foto galeri

NATO me udhëheqje të re: Lidhjet e Mark Ruttes me Kosovën ndër vite

Presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte, gjatë takimit të tyre në Holandë më 5 dhjetor 2013.

 

Valona Tela

Te kryeministri i Holandës, Mark Rutte, autoritetet në Kosovë shohin një partner me të cilin mund të bisedojnë për një gamë të gjerë çështjesh – nga avancimi i vendit në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian deri te siguria dhe stabiliteti afatgjatë.

Në krye të Qeverisë holandeze nga viti 2010, Rutte pritet të konfirmohet në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s brenda ditësh.

Vizitën e fundit në Kosovë e zhvilloi korrikun e kaluar, kur së bashku me homologun e atëhershëm nga Luksemburgu, Xavier Bettel, i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulnin tensionet dhe t’i ktheheshin dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Tensionet mes dy vendeve ishin në kulm, pasi në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pushtetin e morën kryetarët e zgjedhur shqiptarë.

“U bëjmë thirrje të dyja palëve që të marrin pjesë në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, ta shtensionojnë situatën dhe përfundimisht t’i normalizojnë marrëdhëniet”, shkroi Rutte atëkohë në platformën X.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi takimin me dy udhëheqësit evropianë si mundësi për të diskutuar “përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit, avancimin në rrugën drejt BE-së dhe përkushtimin e përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në kontinent”.

Holanda ishte në mesin e shteteve që e njohën pavarësinë e Kosovës brenda muajit të parë pas shpalljes, më 2008. Atëkohë kryeministër ishte Jan Peter Balkenende.

Rutte mori detyrën e kryeministrit mbi dy vjet më vonë – në tetor të 2010-ës.

Në dhjetor të 2013-ës, ai priti në zyrën e tij presidenten e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, së cilës i shprehu mbështetjen e Holandës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së.

Kjo marrëveshje – e para kontraktuale mes dy palëve – u nënshkrua në vitin 2015.

Qeveria e Ruttes, për një periudhë të caktuar, ishte kundërshtare e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, së bashku me atë të Francës.

Një qëndrim i tillë i nxiti dhjetëra deputetë të Parlamentit Evropian t’i shkruanin letër Ruttes dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në vitin 2020, për t’iu kërkuar dritën jeshile për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Nga ajo kohë, procesi kaloi në disa faza dhe vizat u hoqën nga 1 janari i këtij viti.

Presidentja e Kosovës, Osmani, takoi për herë të fundit Rutten këtë javë, në margjina të një samiti për paqen në Ukrainë, që u mbajt në Zvicër.

“Samiti ishte një mundësi e shkëlqyer për të biseduar me kryeministrin holandez, Mark Rutte, për rëndësinë e së ardhmes euroatlantike të Kosovës”, shkroi Osmani në X.

Këta dy udhëheqës u takuan edhe në samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt në tetor të vitit të kaluar në Granadë të Spanjës.

Osmani tha se në atë takim është folur për situatën e sigurisë në Kosovë, pas sulmit të armatosur të një grupi serbësh në pjesën veriore të vendit.

Në 2021-shin, ata patën një shkëmbim edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me ç’rast Osmani tha se është mirënjohëse për “mbështetjen dhe bashkëpunimin” e Ruttes.

Si e arriti Rutte majën e NATO-s?

Sekretarët e përgjithshëm të NATO-s zgjidhen me konsensus nga të 32 vendet anëtare.

Ruttes iu hap rruga pasi vende si Hungaria, Sllovakia dhe Rumania – përkundër hezitimeve fillestare – dhanë dritën jeshile.

Për pozitën u përfolën edhe emra të tjerë, si ai i presidentit rumun, Klaus Iohannis, apo i kryeministres estoneze, Kaja Kallas, por nuk shkuan përpara.

Rutte pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më 1 tetor, nga shefi i deritashëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Rutte, 57 vjeç, është aleat i Ukrainës dhe kritik i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin.

Ai ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të ndihmës ushtarake evropiane për Ukrainën, prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të saj në vitin 2022.

Mundja në fushëbetejë e Rusisë është jetike për të siguruar paqen në Evropë, thotë Rutte.

Nën udhëheqjen e tij, Holanda i ka rritur shpenzimet e mbrojtjes në më shumë se 2% të bruto prodhimit të brendshëm – prag ky që u kërkohet të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.

Rutte do të tërhiqet zyrtarisht nga pozita e kryeministrit kur Qeveria holandeze e krahut të djathtë ta zëvendësojë koalicionin e tij të qendrës së djathtë – me gjasë brenda disa javësh.

Rutte, fillimisht, ka lënë të kuptohet se mund t’i pëlqejë të ligjërojë pas politikës, por, më pas, ka përmendur luftën në Ukrainë si arsye përse ka kërkuar një post ndërkombëtar.

Stoltenberg tha këtë javë se Rutte është një kandidat “shumë i fortë” për ta zëvendësuar atë.

Nën Stoltenbergun, i cili mori detyrën e shefit të NATO-s në vitin 2014, aleanca ushtarake u zgjerua me katër anëtarë të rinj: Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Finlandën dhe Suedinë.

Nën udhëheqjen e tij, NATO-ja përforcoi edhe misionin e saj paqeruajtës në Kosovë vitin e kaluar, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, ndërsa Asambleja Parlamentare e aleancës miratoi avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar. Radio Evropa e Lirë

SHBA do ta furnizojë Ukrainën menjëherë me raketa të mbrojtjes ajrore

VOA

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se do t’i japë përparësi dërgimit në Ukrainë të raketave të fuqishme të mbrojtjes nga ajri, pasi një seri sulmesh ruse me raketa dhe dronë dëmtuan objekte energjetike në të gjithë Ukrainën.

Qindra raketa të sapo prodhuara të tipit Patriot dhe NASAMS – që përdoren për mbrojtjen tokë-ajër – do të dërgohen në Ukrainë përpara vendeve të tjera që i kanë porositur ato, tha John Kirby, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare.

Ai theksoi se dërgesat e planifikuara për Tajvanin dhe Izraelin nuk do të ndikohen nga kjo lëvizje dhe se vendet e tjera që prisnin dërgesat e ishin “gjerësisht mbështetëse” kur u informuan për vendimin e Uashingtonit.

“Natyrisht që nevojitet më shumë dhe nevojitet tani”, tha zoti Kirby për gazetarët gjatë një konference telefonike. “Pra, si rezultat, qeveria e Shteteve të Bashkuara ka marrë vendimin e vështirë, por të domosdoshëm për t’u dhënë përparësi dërgesave në Ukrainë të raketave Patriot dhe NASAMS”.

Një sulm rus masiv me raketa dhe dronë gjatë natës dëmtoi objekte energjetike në të gjithë Ukrainën, një ditë pasi vendi njoftoi ndërprerje të energjisë elektrike për shkaqe të lidhura me luftën.

Shpërndarësi kombëtar i energjisë, Ukrenergo, tha të enjten se një sulm rus gjatë natës në një termocentral shkaktoi dëme serioze dhe plagosi tre punonjës.

“Pajisjet e objekteve në rajonet Vinnytsia, Dnipropetrovsk, Donetsk, Kiev janë dëmtuar”, thuhet në deklaratën e kompanisë Ukrenergo.

Sulmet ruse me dronë dhe raketa kanë përgjysmuar aftësitë e Ukrainës për prodhimin e energjisë elektrike krahasuar me vitin e kaluar, tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy në fillim të këtij muaji.

Në fjalimin e tij të përditshëm, zoti Zelenskyy tha se zyrtarët po kërkonin mënyra për të përmirësuar situatën.

“Po përgatisim zgjidhje që do të sigurojnë një kalim më të qëndrueshëm të sezonit të nxehtë veror dhe do t’u ofrojmë njerëzve më shumë mundësi për ta kaluar këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë, sa i përket mungesës dhe ndërprerjeve të energjisë”, tha ai.

Forca ajrore ukrainase thanë se rrëzuan pesë nga nëntë raketat dhe të 27 dronët e lëshuar nga Rusia mbi 10 rajone të Ukrainës gjatë sulmit të së enjtes. Ushtria ukrainase tha se Rusia kishte vënë në shënjestër kryesisht Ukrainën lindore dhe në veçanti rajonin Dnipropetrovsk.

Për këtë lajm u përdorën të dhëna nga Reuters dhe Agence France-Presse

Intervista- James Rubin: Qëllimi afatgjatë i normalizimit Kosovë-Serbi nënkupton njohjen

VOA/Garentina Kraja

I dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhimin Global të Departamentit të Shtetit James Rubin i tha Zërit të Amerikës se është vështirë të imagjinohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje. Zyrtari i lartë amerikan, i cili luajti një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovës, thotë se aktualisht ka shqetësime për mënyrën se si qeveria e Kosovës po luan rolin e saj në aspektin diplomatik, duke mos përmbushur kërkesën për krijimin e asociacionit. Në një intervistë me kolegen Garentina Kraja, zoti Rubin flet edhe për shqetësimet lidhur me fushatën e dezinformacionit të përhapur nga Rusia dhe Kina në Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Zoti Rubin, Departamenti amerikan i Shtetit kohët e fundit njoftoi për një nismë të përbashkët me Bashkimin Evropian për të luftuar dezinformimin dhe propagandën ruse dhe kineze në Ballkanin Perëndimor. Me çfarë sfide po përballeni?

James Rubin: Dezinformimi dhe manipulimi i informacionit janë një prej kërcënimeve më të mëdha të epokës tonë dhe Perëndimit i është dashur kohë për ta kuptuar shkallën e luftës informative që Rusia dhe Kina kanë zhvilluar kundër nesh. Prandaj na duhet të punojmë më shumë për t’u mbrojtur nga ky kërcënim. Nisma për Ballkanin Perëndimor synon të ndihmojë shtetet e Ballkanit, ato që duan të anëtarësohen në BE, që po punojnë për të përmbushur standardet e BE-së, për të hartuar procedura, politika, plane, për të ngritur kapacitetet, pra po hartojmë atë që e quajmë korniza për të luftuar informacionin e huaj. Kemi nënshkruar memorandume bashkëpunimi me disa shtete të Ballkanit për t’i ndihmuar që të ballafaqohen me këtë sfidë.

Rusia e përdor dezinformimin në gjithë botë, por në veçanti në Ballkanin Perëndimor. Ata po operojnë përmes (agjencisë ruse të lajmeve) ‘Sputnik Serbia’, përmes ‘RT Serbia’ që fatkeqësisht ende vazhdon të transmetojë . Dhe për shkak se shumë shtete flasin të njejtën gjuhë në Ballkanin Perëndimor, këto lloj informatash përdoren, ripërdoren dhe manipulohen.

Po përpiqemi t’i ndihmojmë shtetet e rajonit të mbrohen ndaj tyre, duke patur parasysh që të gjitha ato duan të anëtarësohen në BE duhet të përmbushin standardet e BE-së dhe një prej tyre është parandalimi i manipulimit të informacionit në vendet e tyre. Po përpiqemi t’i ndihmojmë të bëhen gati për këtë dhe në proces e sipër shpresojmë që ato do të përmirësojnë bashkëpunimin me njëra-tjetrën.

Zëri i Amerikës: Ekspertët rajonalë thonë se Ballkani Perëndimor është projekt i papërfunduar dhe se Rusia po shfrytëzon tensionet që mbretërojnë për t’u forcuar. A është rajoni një fushëbetejë ku Rusia dhe Perëndimi po luftojnë për mendjet dhe zemrat e njerëzve?

James Rubin: Nuk mendoj që bëhet fjalë për betejë. Vlerat e Perëndimit, vlerat e Shteteve të Bashkuara besoj që dominojnë në Evropë dhe në shtetet që duan të jenë pjesë e Evropës. Fatkeqësisht Rusia vazhdon të përpiqet të përdorë problemet mes Kosovës dhe Serbisë duke kërcënuar t’i vërë veton anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara përmes pretendimeve të rreme se gjoja Kosova mund bëhet shtet terrorist. Rusia përdor lloj-lloj formash të tjera dezinformuese për t’i mohuar Kosovës anëtarësimin në Interpol, UNESCO dhe hapa të tjerë.

Rusia përpiqet të fusë përçarje, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, së bashku me miqtë dhe aleatët tanë, po përpiqemi t’i tejkalojmë ditë e tmerrshme të së kaluarës, ndërkohë që rusët bëjnë përpjekje t’i mbajnë ato gjallë.

Zëri i Amerikës: Kosova sapo shënoi 25 vjetorin e çlirimit dhe përfundimit të luftës. Ju luajtët rol thelbësor për t’i dhënë fund atij konflikti. A mund të ndani me ne mendimet tuaja? A ishte ndërhyrja e NATO-s vendimi i duhur?

James Rubin: Mendoj se nuk ka dyshim që NATO-ja mori një vendim të fuqishëm për të parandaluar gjenocidin e mundshëm ndaj popullit të Kosovës. Operacioni që ne ndërmorëm ishte i suksesshëm. Ëërmbushëm qëllimet tona. Forcat serbe u larguan nga Kosova, Kosova u bë shtet demokratik, i pavarur me vlera demokratike, një vend mik i Shteteve të Bashkuara, një partner i afërt i Shteteve të Bashkuara dhe e tëra u arrit duke rrezikuar në minimum jetët e amerikanëve. Presidenti Biden ishte përkrahës i qartë i luftës në Kosovë dhe arsyes përse e ndërmorëm atë. Jam shumë krenar për rolin që kam luajtur duke përkrahur zonjën Madeleine Albright dhe Presidentin Bill Clinton, për të ndihmuar në çlirimin e popullit të Kosovës, për ta shpëtuar nga vrasja në masë.

Por dua ta bëj të qartë se unë sot po flas me ju si zyrtar i administratës së Presidentit Biden dhe ajo çfarë kam bërë, apo nuk kam bërë para 25 vitesh, nuk e ndryshon atë që them si zyrtar i administratës së Presidentit Biden. Komentet e mia përfaqësojnë politikën e administratës së Presidentit Biden. Do të kërkoja atë mirëkuptim që ne i japim Presidentit të Serbisë, i cili ka luajtur rol të madh në qeverinë e Millosheviçit, por ne nuk ia ngrejmë atij këtë çështje. Nuk fakt nuk ia përmendim kur takohemi me të. Por fatkeqësisht ka njerëz në Serbi, që sa herë unë flas në emër të administratës së Presidentit Biden, e lidhin me 25 vite më parë. Kërkoj të njëjtin mirëkuptim siç ia japim edhe ne presidentit të Serbisë në këtë aspekt.

Zëri i Amerikës: Sot, marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës kanë kaluar nëpër momente tensionesh gjatë këtij viti dhe sipas vëzhguesve, ato janë në pikën më të ulët. Si e shihni situatën aktuale?

James Rubin: Qartazi ka shqetësime për mënyrën se si qeveria aktuale ka vepruar në aspektin diplomatik duke mos përmbushur (kërkesën) për krijimin e asociacionit. Por, thënë troç, jemi miq, jemi miq të mirë. Kjo është dëshmuar kur kam qënë në Kosovë, kur sekretarët e shtetit kanë vizituar Kosovën, kur Presidenti Clinton shkoi atje… populli i Kosovës dhe populli i Shteteve të Bashkuara nuk ka si të jenë më të afërt dhe nuk mendoj se ka dilemë rreth kësaj çështjeje. Por, po, në aspektin diplomatik, marrëdhëniet nuk janë aq të mira aktualisht, por kjo ndodh për shkak se çështja Kosovë-Serbi vazhdon të jetë barrë për banorët e rajonit.

Zëri i Amerikës: A ka ardhur koha për një strategji të re të Perëndimit, për një fillim të ri në dialogun Kosovë Serbi, tani që dërguarit e rinj posaçëm ende nuk janë emëruar?

James Rubin: Miku im i ngushtë Jim O’Brien është Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe i kam premtuar se nuk do të ndërhyj në punën e tij. I takon atij të vendosë, të përcaktojë politikën amerikane në Ballkan. Përgjigjen ndaj kësaj pyetje do t’ia lë atij, por dua të shtoj se tek fusha e informacionit, ku unë luaj rolin tim dhe ku Jim O’Brien dhe unë punojmë së bashku, dëshirojmë të shohim një fushë informacioni në Ballkanin Perëndimor të lirë nga dezinformimi rus, të lirë nga manipulimi kinez i informacionit dhe për këtë qeveria e Serbisë duhet të bëjë ndryshime.

Zëri i Amerikës: Cili është synimi përfundimtar i procesit të dialogut, i procesit të normalizimit? Në Kosovë Ambasadori Hovenier thotë se qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellë. Në Serbi, Ambasadori Hill thotë se njohja nuk është kusht i BE-së si pjesë e këtij procesi. Cili është synimi përfundimtar?

James Rubin: Nuk do të dëshiroja të futesha në mes të dy ambasadorëve, por mund të them se qëndrimi amerikan është që qëllimi afatgjatë i normalizimit nënkupton njohje. Është vështirë të imagjinosh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje dhe fakti që disa shtete të tjera që janë pjesë e BE-së, nuk e njohin Kosovën, nuk ka lidhje me qëndrimin amerikan. Kosova dhe Serbia kanë probleme. Probleme duhet të zgjidhen. Ato duhet të normalizojnë marrëdhëniet. Ky është kuptimi i standardeve të BE-së. Si amerikanë ne nuk i themi Bashkimit Evropian se çfarë duhet të bëjë. Prandaj pikëpamjet e ambasadorëve amerikanë për atë mendon BE-ja nuk janë të rëndësishme. Me rëndësi është cili është qëndrimi ynë dhe qëndrimi ynë është të propozojmë që normalizimi të përfshijë njohjen e ndërsjellë të dy vendeve.

Zëri i Amerikës: Në kohën që bota është përfshira nga trazira të shumta, kur po sfidohet rendi botëror i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe kur demokracitë po sprovohen në baza ditore, cila është e ardhmja e shteteve si Kosova?

James Rubin: Në Kosovë nuk ka mëdyshje. Unë kam qënë atje. Nuk i shoh Rusinë dhe Kinën të shtrijnë ndikimin në Kosovë. Populli i Kosovës kanë bërë përparim shumë të madh. Isha atje gjatë ditëve dhe kapitujve më të errët për të. E kam parë zhvillimin e saj nga një zonë lufte me qytete të shkatërruara në një vend që tani duket si çdo qytet tjetër modern evropian. Nuk shqetësohem aspak se për cilat vlera do të përcaktohet populli i Kosovës, për vlerat demokratike të Amerikës, apo të shteteve autoritare që dëshirojnë të ndryshojnë sistemin ndërkombëtar. Nuk ka garë. Populli i Kosovës është pro-amerikan.

Zëri i Amerikës: Dhe në fund, a keni ndonjë gjë tjetër për të shtuar?

James Rubin: Jo, por do të shtoja, se shpesh është vështirë që kur diplomacia bllokohet, të arrish të vlerësosh përparimin e madh që është shënuar. I bëj thirrje popullit të Kosovës ta kuptojë sa shumë ka përparuar në këto 25 vite nga një periudhë kur jeta e njerëzve ishte në rrezik tek një periudhë e lirive bazike, me demokraci që funksionon, ekonomi që po shënon përmirësim dhe mundësinë reale për t’u bashkuar me BE-në që varet nga ata vetë, nga qeveria e tyre, që tani mund ta zgjedhin vetë fatin e tyre. Si zyrtar amerikan, ne do të sigurohemi që ata të jenë në gjendje të vendosin për veten e tyre. Por ata duhet ta bëjnë zgjedhjen dhe ne shpresojmë se do ta bëjnë.

Kryeministri holandez Rutte pritet të emërohet sekretar i përgjithshëm i NATO-s

VOA

Presidenti rumun Klaus Iohannis njoftoi të enjten se po e tërheq kandidaturën e tij për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, duke i hapur rrugën Kryeministrit të Holandës Mark Rutte që të marrë drejtimin e aleancës ushtarake.

Rumania do të përkrahë zotin Rutte dhe do të japë Ukrainës njërin nga dy sistemet e saj të mbrojtës raketore “Patriot” me kusht që aleatët ta zëvendësojnë atë me një sistem të ngjashëm, njoftoi Këshilli i Lartë i Mbrojtjes i Rumanisë, CSAT, që drejtohet nga Presidenti Iohannis.

Vendimi për t’i dhënë Ukrainës sistemin ‘Patriot’ u mor “duke patur parasysh përshkallëzimin e dukshëm të situatës së sigurisë në Ukrainë pas sulmeve të vazhdueshme nga Rusia ndaj civilëve dhe infrastrukturës si dhe… për shkak të pasojave ndaj rajonit, përfshirë ndaj sigurisë së Rumanisë,” thuhet në deklaratën e Këshillit.

Presidenti Iohannis, sipas kësaj deklarate, ka njoftuar NATO-n për tërheqjen e kandidaturës javën e kaluar.

NATO-ja i merr vendimet në bazë të konsensusit dhe çdo kandidati i duhet përkrahja e 32 shteteve aleate. Vetëm Rumania zyrtarisht ende e kundërshtonte kandidaturën e zotit Rutte.

Që nga dita e martë kur Hungaria dhe Sllovakia hoqën dorë nga kundërshtimi i tyre, u bë e qartë që Kryeministri Rutte, një mbështetës i fortë i Kievit dhe kritik i Presidentit rus Vladimir Putin, do të jetë shefi i ri i NATO-s.

Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s do të përballet me sfidën e ruajtjes së përkrahjes së aleatëve për luftën e Ukrainës ndaj sulmit rus ndërkohë që përkujdeset për t’iu shmangur përshkallëzimeve që mund ta përfshijnë aleancën ushtarake në një luftë të drejtpërdrejtë me Moskën.

Zoti Iohannis, i cili e përfundon mandatin e tij të dytë si President i Rumanisë gjatë këtij viti, vazhdimisht ka thënë se shtetet e Evropës Lindore kanë nevojë për një përfaqësim më të mirë në rolet udhëheqëse të aleancës euroatlantike.

Sipas Bashkimin Evropian dhe NATO-s, Rumania ka rritur shpenzimet buxhetore për mbrojtje në 2.5 për qind të prodhimit të saj bruto pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Në vitin 2017, Rumania nënshkroi një marrëveshje prej 4 miliardë dollarësh për të blerë sistemin ‘Patriot’, që përbën kontratën më të madhe në historinë e shtetit. Pjesa e parë e këtij sistemi mbrojtës u dërgua në Rumani në vitin 2020.

Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e at Belushit: Humbje e madhe për të gjithë arbëreshët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të at Antonio Belushit.

Ajo shprehet se Belushi mbrojti të drejtën e shqiptarëve për liri bashkë me presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugovën, përcjell Klankosova.tv.

Tutje, presidentja shton se vdekja e Antonio Belushit është humbje e madhe për familjen e miqtë, kishën arbëreshe, institucionet e popullin arbëresh të Kalabrisë e gjithë Italisë së Jugut.

POSTIMI

Me dhimbje të thellë mora lajmin për kalimin në amshim të at Antonio Belushit, veprimtarit të paepur të çështjes shqiptare, i cili përveç se kultivoi me pasion gjuhën arbëreshe, nga vitet ‘90, bashkë me Presidentin Rugova e veprimtarë të tjerë, e mbrojti të drejtën e shqiptarëve për liri.

Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen e miqtë, kishën arbëreshe, institucionet e popullin arbëresh të Kalabrisë e gjithë Italisë së Jugut.

Si Presidente e Kosovës kam pasur nderin ta takoja në bibliotekën e pasur të tij, të cilën e krijoi dhe e mbajti me aq përkushtim deri në vdekje. Kur ia akordova shtetësinë e Kosovës, ishte i stërlumtur, sepse iu plotësua dëshira e tij jetësore.

I përhershëm qoftë kujtimi për at Antonio Belushin!

Ndahet nga jeta At Antonio Belushi, “ati shpirtëror i arbëreshëve”

 

Ndërroi jetë Antonio Belushi, prifti arbëresh i cili me jetën e veprën e tij është identifikuar më së shumti me qenien e arbëreshëve të Italisë në gjysmë shekullin e kaluar.

Belushi, prift, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog, lindi në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës në Itali.

 

I quajtur edhe “Ati shpirtëror i arbëreshëve të Italisë”, Belushi ka dhënë dëshmi të panumërta për mbrojtjen e kauzës shqiptare, sidomos asaj të Kosovës, si klerik, veprimtar e humanist.

Antonio Belushi ishte adresa e pashmangshme e mikpritjes e pothuaj të gjithë shqiptarëve që i vizitonin arbëreshët në Itali. Biblioteka  e tij personale atje është model për ruajtjen e librave dhe revistave nga e gjithë bota shqiptare.

Ai u diplomua për filozofi e teologji. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “G. Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”.

Antonio Belushi ka botuar studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”.

Qysh nga viti 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi.

Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, :Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”.

Mafia shqiptare, nga droga te armët, në Evropë vetëm Ndrangheta ia kalon

Mafia shqiptare është kthyer në një shqetësim të vërtetë për Italinë.

Ky fakt është konfirmuar edhe pas raportit të fundit  të Drejtorisë së Hetimit të Antimafias, të prezantuar pak ditë më parë.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, nga vitet 1990 e deri sot, grupet shqiptare kanë dalë në pah, duke pushtuar edhe portet e Evropës Veriore. Rreziku i tyre është i barabartë me atë të mafiozëve të tjerë

Mafia shqiptare, është ndër mafiet e huaja më të pranishme në Itali, dhe padyshim më në zhvillim. Droga, armë, dhuna, pastrimi i parave, trafiku i emigrantëve dhe lloj-lloj biznesi është aktiviteti i mafias shqiptare.

Lista e veprimtarive kriminale të kësaj organizate është e gjerë dhe është në çdo mënyrë e përfshirë në regjistrin e mafiozëve më të rrezikshëm në vend dhe në kontinentin evropian. Në raportin e fundit gjashtëmujor (janar-qershor 2023) të Drejtorisë së Hetimit Antimafia, lufta mes bosëve të Tiranës që kur të arrijë majën sa më shpejt, është më se i qartë, aq edhe alarmant.

‘Këto janë partneritete të strukturuara mirë të mbështetura nga një komponent i fortë solidariteti, pasi ato forcohen nga brenda nga lidhjet farefisnore. Ata janë teknikisht të pajisur dhe të aftë për të organizuar veprimtari kriminale në nëngrupe, me lëvizshmëri të madhe në të gjithë territorin kombëtar, të cilëve u besohen detyra specifike që u raportojnë përfaqësuesve në Itali dhe jashtë saj.

Për të gjitha këto arsye janë shumë të rrezikshëm dhe agresivë’, raportojnë analistët e Dia. Në mesin e aktiviteteve të ndryshme të paligjshme, mafia shqiptare ka bërë emër në Evropë dhe në mbarë botën përmes trafikut të drogës.

‘Organizatat shqiptare, na kanë treguar se janë veçanërisht të organizuara edhe në nivel ndërkombëtar, si dhe të afta për të komunikuar drejtpërdrejt me kartelet e Amerikës së Jugut për importimin, nga vendet tradicionale prodhuese, të sasive të mëdha të kokainës, të destinuara për furnizimi i celulave shqiptare që operojnë në tregjet kryesore italiane’. Magjistratët konstatuan gjithashtu disa episode të bashkëpunimeve operacionale të shqiptarëve me bosët e organizatave historike mafioze italiane, të Kamorrës dhe mbi të gjitha të Ndranghetës.

DIA ka dokumentuar në mënyrë të veçantë përkushtimin e grupeve kriminale shqiptare në trafikun e drogës nëpër qytetet bregdetare në Evropën Veriore, duke zhvilluar të njëjtat aftësi si ‘Ndrangheta’ që në këto porte të arrijnë të menaxhojnë shitjen e kokainës që vjen, nëpërmjet oqeanit, nga jugu i Amerikës.

Ky është një alarm që prej vitesh është ngritur edhe nga prokurori i Republikës së Napolit, Nicola Gratteri, një nga ekspertët kryesorë në luftën kundër ‘Ndranghetës dhe trafikut të drogës. ‘Sot shohim mafien shqiptare të pranishme në Amazonë apo në Kolumbi dhe është në gjendje të blejë edhe 200 kg kokainë me shumicë dhe pa ndërmarrjen e përbashkët Ndrangheta’. ‘Mos flasim për mafian që sulmon vilat, ata janë të uriturit’. Është ‘një mafi në zgjerim, shumë e fortë dhe shumë e pasur’, komentoi Gratteri, duke shtuar se në Holandë, ku ndodhet një nga portet kryesore të tranzitit të lëndëve narkotike (Roterdam), mafia shqiptare është e dyta pas Ndranghetës. Një vlerësim që magjistrati e shtriu së fundmi në të gjithë kontinentin europian.

‘Grupet kriminale shqiptare-raporton Dia-i kanë qenë dedikuar tradicionalisht trafikut të marijuanës përmes të ashtuquajturve. ‘Rruga ballkanike’, por ata tashmë po i riinvestojnë përgjithmonë të ardhurat e tyre, në trafikun e kokainës të cilën e importojnë në territorin italian përmes rrugëve tokësore, nëpërmjet rrugëve kryesore të shpërndarjes europiane, duke qenë në gjendje të llogarisin te subjektet e vendosura në Europën Veriore pranë porteve kryesore tregtare ( Antwerp, Roterdam dhe Hamburg) ku, me kalimin e kohës, ata arritën të depërtojnë efektivisht’.

Përshkrimi është i qartë. Këto grupe ‘përbëjnë një realitet të vërtetë kriminal, si furnizues të lëndëve të para, ashtu edhe si korrierë e tregtarë, pasi kanë zënë rrënjë në vende të ndryshme evropiane dhe kanë krijuar marrëdhënie të qëndrueshme me trafikantët e drogës në çdo pjesë të planetit’./Antimafiaduemilla.com

Raporti i UNESCO-s: Faktorët që ndikojnë Butrintin janë ndërtimet, veprimtaritë e paligjshme e plani i menaxhimit

UNESCO ka publikuar raportin e fundit mbi Parkun Kombëtar Arkeologjik të Butrintit duke analizuar rreziqet dhe duke kërkuar sërish përcaktimin e kufijve të sitit.

Që në krye, UNESCO (organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë) vëren se katër janë faktorët që mund të ndikojnë mbi Butrintin  në vitin 2024: ndërtimet, aktivitetet e jashtëligjshme, ndikimi i turizmit dhe plani i menaxhimit ose sistemet e menaxhimit.

“Më 4 tetor 2023, Qendra e Trashëgimisë Botërore ftoi Shtetin Palë, Shqipërinë të dorëzonte një raport mbi gjendjen e ruajtjes (së Butrintit) pas informacionit të marrë nga palët e treta për ndërtimet e reja dhe objekte turistike në pronën e Trashëgimisë Botërore, me prova mbështetëse vizuale, si dhe gjetjet e Qendrës së Përbashkët të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s/lCOMOS.

Misioni Këshillimor në pronën e Trashëgimisë Botërore nga 26-28 tetor 2022, mbi cenueshmërinë e vlerës së jashtëzakonshme universale të pronës (së Butrintit) dhe konfirmimin e heqjes së 600 ha nga Parku Kombëtar, e cila nuk ishte njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore dhe përbënte ndryshim në regjimin e mbrojtjes së një pjese të ndjeshme të zonës buferike të pronës”, thuhet që në fillim të raportit.

Në vijim, raporti i Unesco-s vëren se “Plani i menaxhimit përfshin themelimin e një fondacioni dhe menaxhimin e ardhshëm të zonës A3(zona arkeologjike) pas një periudhe kalimtare.

Është fatkeqësi që ky proces mund të rezultojnë në një fragmentarizim të mjedisit të menaxhuar, pasi zona A3 nuk përfshin gjithë pronën(e Butrintit). Kjo, duhet të shmanget me çdo kusht”, thuhet në raport.

Sipas dokumentit, UNESCO mirëpret rolin mbikëqyrës të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë pronën Pasuri Botërore, por duke nënvizuar kërkesat urgjente.

“Sqarimi i kufijve të pronës dhe i zonës së mbrojtur është urgjent veçanërisht në këtë kontekst. Sqarimi urgjent kërkohet mbi si do të menaxhohen e konservohen seksionet e pronës që nuk mbulohen nga harta e A3(zona arkeologjike) që do të administrohet nga Fondacioni I Butrintit”, thuhet në raport.

Raporti I UNESCO-s shpreh keqardhje që  ky sqarim i kufijve të pronës dhe zonës së mbrojtur, që pritet që nga 15 shkurti i vitit 2023, është ende në pritje.

“Kjo është veçanërisht urgjente në  kontekstin e fundit, duke pasurt parasysh që misioni i vitit 2022 konfirmoi që afërsisht 600 ha janë hequr nga Parku Kombëtar afër Ksamilit ku një komleks rezidencial po ndërtohej në atë kohë dhe kjo tokë, shtrihet në Buffer zonë- zonë e mbrojtur, e aprovuar në vitin 2007. Rregullorja e zonave të mbrojtura dhe përdorimi i gjithë zonave të Parkut Kombëtar duhet të sqarohen në lidhje me mbrojtjen e pronës dhe funksionin e zonës së mbrojtur”, thuhet në raport.

Në anën tjetër, raporti ndalet edhe projektet zhvillimore që janë planifikuar, siç është edhe Qendra e Vizitorëve, duke e parë atë edhe në kontekstin e peizazhit. “Kjo kërkon gërmime arkeologjike”, thuhet mes të tjerash.bw

Deputetët e ‘Junts’, nismë në Kongresin spanjoll për njohjen e shtetit të Kosovës

Grupi parlamentar i partisë katalanase “Junts” planifikon të hedhë në votim javën e ardhshme në seancën plenare të Kongresit spanjoll një propozim jo legjislativ me të cilin dëshiron që qeverisë spanjolle t’i kërkohet të njohë Kosovën si një shtet sovran.

Nisma, e cila do të debatohet të martën e ardhshme, mbron se Kosova është “një shtet ligjor dhe demokratik me përafërsisht 1.7 milionë banorë”, e cila njihet si shtet i pavarur nga 104 vende, përfshirë 22 anëtarë të BE-së , shkruan ‘Europa Press’.

Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, megjithëse Serbia vazhdon ta konsiderojë atë një krahinë autonome. Spanja, si Rumania, Sllovakia, Qiproja dhe Greqia, ende nuk e njohin atë si shtet, duke pretenduar se ishte një “akt i njëanshëm” që nuk kishte miratimin e Serbisë.

Përballë kësaj, ‘Junts’ ka kujtuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) vendosi në korrik 2010 se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe se nuk ka asnjë rregull që e pengon atë të vazhdojë me të, shkruan ky medium.

“Refuzimi spanjoll për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor destabilizimi i zonës në një kontekst të karakterizuar nga luftën në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po përjeton me ankth të veçantë”, thekson ‘Junts’ në deklaratën shpjeguese.

Sipas mendimit të kësaj partie, “nuk është e pranueshme që shteti spanjoll ndan të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, veçanërisht kur, siç tregohet në iniciativën, në të cilën ‘Europa Press’ kishte akses, “Spanja tashmë ka marrëdhëniet indirekt me Kosovën” dhe që nga janari i kaluar “Qeveria është detyruar të njohë pasaportat e Kosovës pasi Kosova” iu bashkua regjimit të përjashtimit të vizave për qëndrim të shkurtër në zonën Shengen.

Për të gjitha këto arsye, ‘Junts’ konsideron se “në mbështetje të përpjekjeve që po bëjnë institucionet dhe populli i Kosovës në mbrojtje të së drejtës së tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe duhet të vazhdojë me njohjen e menjëhershme të Republikën e Kosovës”.

Në këtë kuptim, teksti i paraqitur thjesht propozon që Kongresi të nxisë “Qeverinë të njohë Republikën e Kosovës si shtet sovran”. sn


Send this to a friend