Erë ka fry gjithmonë, por jo si tani.
Edhe shi ka rënë, por jo kaq shumë.
Tërmetet kaherë kanë shkundur, por jo kaq rëndë.
S’po merr vesh qeni të zonë.
O Zot ç’e ka gjet.
Flokët po i bien.
Barku po i fryhet.
Pasqyra e kërcënon.
Malin s’e ngjit dot.
Vilë s’mund të blejë.
Pushime nëpër ishuj, harroje.
Dje ja çpuan biçikletën.
Sot ja vodhën kuletën.
Nesër do e rrahin.
Pasnesër do e vrasin.
Punën e do, por,
Ndërtimet po i bëjnë indianët.
Fasonat, turqit.
Peshkun po e zënë egjiptianët
Kuzhiniera janë filipinët.
Puntorë krahu bangladeshët.
Shtëpitë i pastrojnë vjetnamezet.
Bebet i mbajnë filipinet.
Thashethemet i thur Sigurimi.
Pseudonimet i sajojnë spiunat.
Dosjet i hapin burokratët.
Komunizmin ja mbrojnë demokratët.
Xhepat ja zbraz bixhozi.
Filmat s’i ka qef.
Librat e lodhin.
Diabeti frikson.
Mushkëria s’i mbushet.
Gjaku s’i rrjedh.
Komshiu poshtë i bën zhurmë.
Ai anash, aheng.
Tjetri lart, i çan dru në dysheme.
Kasapi i jep vetëm kocka.
Katunarja qumshit i hedh ujë.
Frutat, si kashtë.
Kosi, si llastik.
Dhalli i bardhë.
Zarzavatet, të mira për t’i vjellë.
Mishin e pështyn pasi e ka përtyp.
Pijet kanë brenda një sekret kozmik.
Kolla s’i ndahet.
Teshtima, s’dihet kur i vjen.
Shiu e lag.
I ftohti do e vdesi.
I nxehti do e vrasi.
Do të hajë byrek, por mielli është sërb.
Do të pijë birrë, por birra është greke.
Do të hajë fruta, por janë të modifikuara.
Do të pijë qumësht, por lopa ka ngrënë bar të helmatisur.
Do të hajë mjaltë, por bletët janë arratisur.
Do me vrapu, por s’ka fuqi.
Do me shfry qurrat, por s’ka shami.
Do me ik, por s’di se ku.
Do me hy, por derën ja kan myll me shul.
Do me fluturu, por krahë s’ka.
Do me ardh, por s’di se si.
Do me fol, por s’di me kë.
Do me knu, por zë s’ka.
Do me menu, por s’ka tru.
Çorapet e vrasin.
Këpucët e mërzitin.
Opingat s’përdoren më.
Tritoli pëllcet.
Dinamiti kërrcet.
Koburja vret.
Kalashnikovi sharron.
Bukuria sëmur.
Kush i ka borxh, s’ja kthen.
Kujt i ka borxh, ja vonon.
Koka i gumëzhit.
Veshët i fërshëllejnë.
Sytë i qajnë.
Veshët i zhurmojnë.
Hundët i rrjedhin.
Gjunjët i priten.
Këmbët i janë mpirë.
Muskujt i janë tkurrur.
Bota s’është mirë me shëndet.
Kina po harron me ngjiz kalamaj.
Rusinë e ka zënë Vodka.
Amerika po pret të fermentohet Whiskey.
Silicon Valley s’po shpik më.
Dollari është ftohur në tajare.
Euro po mërdhif.
Shkenca ka ngec.
Teorema e 3 trupave s’po zgjidhet.
Gravitacioni s’po i tregon sekretet.
Çfarë ndodhet matanë universit, asnjeri s’e di.
Lufta në Ukrainë dhe Gaza s’po mbaron.
Për nja 70 luftra anembanë botës që vazhdojnë prej dhjetra vjetësh, zëri s’vjen, telefoni është prish.
Inteligjenca humane s’i mjafton.
Inteligjenca artificiale e tmerron.