DUKE ECUR…
Duke ecur humbësirave të kohës
Vetmia ime ngacmonte heshtjen
Buzëqeshjet ,të kalbta janë si lecka
Telave të rrymës së shkuar rinore
Emetim fëminor i dëshirave të plakura
Në bebëza të lodhura, të rrudhura
Herë herë dilte tymi i verdhë
E pabesuar,sa lehtë ndizej zjarri
Majave të largëta
Si fije kashte në vera të thara
Rrugëve duke ndjerë
Hare rinore
Nudo të ngrohta, zjarrmi kohe
Një puhizë më dridhte shkopin
Në dorën time dejenxirë
Sytë zhbironin kohën e ikur
Miklim durimi si përmallim
Xixë në sosje frymëmarrje..
SYTË
Dikur shikimi shponte në thellësi
E tash në pasqyrë nuk i ngjan vetvetes
Kur takoheshin në stinën e luleve
Thithnin nektarin e parë
E bartnin në hojet e stinëve
Ilaç shpirti në kohëra tërmetesh
Kur venitjet vijnë më parë se ato
Sa të vështira përjetimet
Kur edhe sytë harrojnë bukurinë
Përballë në pasqyrë irritohen
Përafërm kalon dashuri e vjetër
Vetëm aromën ndjej në dridhje
Si një flakë malli ,shkon fluturimthi
Në një botë tjetër….
QIRIU
Mbi pllakën e varrit
Qiriu digjet në heshtje,ngadalë
Furtuna nuk e fik zjarrin nisur moteve
Lotët rrjedhin anash pllakës shkrishëm
Kallur dheu shkulmeve të nxehta
Deri te ashti shkrumb i djegur malli
Akull prekja e tij, në gjendje amorfe
E rindërtoj në shtratin e ëndrrave
Kalldrëm i shtruar, nënkresë e gurtë
Dritën e qiriut nuk e fik furtuna
Fanar i rrugëtimeve të gjata,
Ndrit dhimbja currilave të strehës
Netve vonë…
ZANA
Ka kohë , vrapoj pas zërit tënd
Fjalët në largësi të afërt i hapëroj.
Për çudi nuk e ndjej fshehjen tënde
E diçka kallet brenda meje
Më vjen e ëmbël fytyra jote
Luan symbyllas hijeve si dikur
Si hënë ndriçon thellësinë e natës
Sa djegin ditët e mungesës
Vetëm n ‘ëndërr piskatin puthjet
Pastaj mjegull mbështillet vetes
E zë i largët, shkyen ditën
Klithma jote e paharruar
N’ harresë të sosur….
Rugovë, gusht 2025