Isak Njuton fërkoi sytë. Ishte i lodhur por i emocionuar pas një tjetër dite të gjatë duke pastruar lente në Zyrën Astrokalendarike Kineze, ku punonte si asistent laboratori. Zyra ziente për një teknikë të re matematikore që drejtori i ri i saj, Mei Uending sapo kishte sjellë nga Pekini.
Duke përdorur këtë metodë të re, Mei pretendonte se mund të përllogariste ligjet e lëvizjes së trupave qiellorë dhe që Perandori në Pekin shpresonte që do të habiste kaq shumë sundimtarët e prapambetur të Europës me superioritetin e dijeve konfuciane, saqë këta do të mirëprisnin ekspansionin e tregtisë globale të Kinës.
Mei dhe Perandori do të zhgënjeheshin. Oborrtarët e Mbretit Karli II në Londër e kishin më shumë mendjen tek grindjet supersticioze, sesa tek gjetja e të vërtetës dhe kështu që i dëbuan shkencëtarët kinezë. Njutoni, i frymëzuar nga bukuria e matematikës së Meit, ia kushtoi jetën përpjekjeve për të treguar që në të vërtetë ai kish ofruar çelësin e universit – por më kot. Në vitin 1704, Mei u kthye në Pekin, për të nxitur revolucionet industriale dhe shkencorë që do t’i jepnin Kinës kontroll global. Njutoni qëndroi në Kembrixhin e ftohtë, i zemëruar dhe i harruar…
Sigurisht, gjërat nuk shkuan në këtë mënyrë. Njutoni dhe Mei janë realë, por Kina nuk solli teknika të përparuara në Europën e shekullit 17. Ishin astronomët europianë që çuan teknikat e tyre në Kinë. Karli II nuk i dëboi shkencëtarët kinezë, por Perandori kinez Kangxi dëboi europianët dhe më e rëndësishmja, shkenca kineze nuk solli dominim global nga ana e Lindjes: shkenca europiane ia siguroi këtë Perëndimit.
Atëherë, si përfunduam në një botë ku Njutoni dhe jo Mei themeluan fizikën klasike? Ku Britania dhe jo Kina përjetoi revolucionin e parë industrial? Dhe ku bombat atomike amerikane sheshuan Hiroshimën dhe Nagasakin dhe nuk ndodhi e kundërta?
Shkurt, përse shkenca ka qenë Perëndimore?
Ekzistojnë teori të panumërta. A janë perëndimorët thjeshtë më të mençur se pjesa tjetër? A mos është ndikimi i logjikës së grekëve të lashtë? Pavarësisht dukjes, a mos vallë feja Perëndimore i lë më shumë hapësirë shkencës? A mund të jetë thjesht fat? Në fund të fundit, Kina, Korea e Veriut, Pakistani dhe India kanë të gjithë sot armë bërthamore, astronautët kinezë kanë ecur në hapësirë, dhe shkenca e robotëve është po aq e përparuar në Korenë e Jugut dhe Japoni sa edhe kudo tjetër mbi tokë. Dominimi Perëndimor në shkencë mund të ketë qenë një fazë që mund të përfundojë shumë shpejt.
Testimi i këtyre teorive kundrejt historisë mund të kërkojë një kthim pas në fillimet e njerëzimit dhe një xhiro përreth planetit. Nuk është habi që historianët pengojnë në këtë masë. Për t’iu përgjigjur kësaj, ata duhet të marrin këshillën që biologu evolucionar Jared Diamond dhe politologu James Robinson ofruan në një nga numrat e revistës New Scientist të këtij viti dhe të sillen më shumë si shkencëtarë të shkencave natyrore. Ne mund të shkojmë dhe më tej dhe të argumentojmë që historia është shndërruar në një nënfushë të biologjisë, fokusuar në sjelljen e një kafshe të vetme, Homo sapiens-it.
Për të treguar këtë na duhet të sprapsemi nga detajet. Tri gjëra të mëdha të bëhen menjëherë të qarta: së pari, kudo ku i gjejmë, njerëzit ngjajnë shumë; së dyti, falë biologjisë së përbashkët, historia është shpalosur pak a shumë përgjatë të njëjtave linja në të gjithë botën; së treti, historia nuk është shpalosur me të njëjtin ritëm në të gjithë globin.
Observacioni i tretë na thotë përse shkenca ka qenë Perëndimore dhe përse mund të mos mbetet e tillë edhe për një kohë të gjatë. Arsyet nuk kanë fare të bëjnë me racën, kulturën, fenë apo burrat e mëdhenj që kanë jetuar mbi tokë. As edhe nuk kanë të bëjnë shumë me fatin. Por, kanë të bëjnë me një forcë e cila është gjithashtu shumë themelorë në biologji me gjeografinë.
Nëse hedhim sytë pas 12 mijë vjet, më parë kur bota nisi të ngrohej pas spazmës së fundit të Epokës së Akullnajave, ne shohim se gjeografia është e padrejtë, pasi vende të ndryshme zhvillohen me shpejtësi të ndryshme. Në të ashtuquajturat “lartësi fatlume”, një rrip që shtrihet nga Kina në Mesdhe, në Botën e Vjetër dhe nga Peruja në Meksikë, në Botën e Re, klima, topografia dhe ekologjia “bashkëpunuan” 12 mijë vjet më parë për të lejuar evolucionin e një numri shumë të lartë bimësh dhe kafshësh që mund të zbuteshin.
Kjo gjë rriti së tepërmi furnizimin me ushqime për qeniet njerëzore dhe për arsye se njerëzit janë pak a shumë të njëjtë kudo ku i gjejmë, ishte pikërisht në këto lartësi ku qeniet njerëzore zbutën fillimisht bimë dhe kafshë. Të furnizuar me këta burime, këto do të ishin edhe vendet ku gjatë 10 mijë viteve të ardhshëm njerëzit do të krijonin qytetet e para të botës, shtetet dhe perandoritë.
Popujt në Australi, Siberi apo në Afrikën nën Sahariane u morën me gjueti dhe grumbullime jo sepse ishin më dembelë, më budallenj apo më shumë të përshtatur me natyrën se të tjerët, por sepse gjeografia u kishte dhënë vendeve ku jetonin më pak burime, kështu që zbutja kërkonte më shumë kohë.
Gjeografia nuk ka qenë e barabartë as edhe brenda të njëjtave lartësi. Zona që arkeologët e quajnë “anët kodrinore” përreth luginave të Eufratit, Tigrit dhe Jordanit në Azinë jugperëndimore kishin një përqëndrim veçanërisht të lartë bimësh dhe kafshësh të përshtatshëm për t’u zbutur. Këtu, diku rreth vitit 9500 para Krishtit u krijuan fermerët e parë të botës; këta u bënë urbanë diku rreth vitit 3500 para Krishtit dhe imperialistë rreth vitit 750 para Krishtit.
Deri në vitin 500 para Krishtit, ata kishin zhvilluar format e para të asaj që mund ta quajmë shkencë. Teksa popullsia rritej në numër, qendrat bujqësore në Eurazinë perëndimore zgjeroheshin, duke sjellë bujqësinë, qytetet, shtetet, perandoritë dhe protoshkencën në të gjithë Europën, duke u shndërruar më në fund në qytetërimin që ne e quajmë “perëndim”.
Prapambetje
Kina, Lugina Indu e Pakistanit, Meksika dhe Peruja dolën të gjitha nga Epoka e Akullnajave me një përqëndrim më të ulët bimësh dhe kafshësh të zbutshme. Në secilin rast, bujqësia u zhvillua disa mijëvjeçarë më vonë, me qytetet, shtetet dhe perandoritë që u krijuan edhe ato më vonë. 2000 vjet më parë, një grup i vazhdueshëm perandorish agrare, përgjatë lartësive fatlume nga Roma deri në dinastinë Han në Kinë; në Amerikë Teotihuakan, Majat, Moshetë ndiqnin të njëjtën rrugë.
Roma, trashëgimtarja e qendrës më të lashtë në skajin perëndimor të Eurazisë mbeti rajoni më i madh dhe më i pasur, si dhe shtëpia e kulturës më të fortë shkencore. Atëherë, a është kjo arsyeja përse shkenca konsiderohet një produkt Perëndimor? A nderojmë ne Njutonin dhe jo Mein thjesht sepse Perëndimi përfitoi nga një avantazh 2000 vjeçar të cilin gjeografia ia dhuroi në përfundim të Epokës së Akullnajave?
Realiteti është disi më i komplikuar. Mendoni pak: nga viti 500 deri në 1500, shkenca kineze udhëhiqte botën me shkencën myslimane që ishte shumë më pas dhe atë europiane që qëndronte edhe më prapa. Roli i gjeografisë këtu është kompleks, ajo udhëheq historinë, por jo në mënyrë direkte. Ndërkohë që gjeografia dikton shpejtësinë me të cilën zhvillohen pjesë të ndryshme të botës, shpejtësia e zhvillimit në të njëjtën kohë dikton kuptimin e gjeografisë.
Për të ilustruar këtë, shihni Europën Perëndimore, e shtrirë deri në ujërat e ftohtë të Atlantikut të Veriut. Pesë mijë vjet më parë, gjeografia u jepte një disavantazh të madh kësaj cope të madhe toke. Ishte shumë larg nga qendrat e veprimit në Egjipt dhe Mesopotami, aty ku njerëzit po ndërtonin qytetet e parë të botës, shkruanin epikat e para, dhe zhvillonin luftërat e para të organizuara. Gjeografia po e linte të prapambetur Europën Perëndimore.
Por, kalojmë me shpejtësi dhe shkojmë 500 vjet më parë, dhe shohim që po e njëjta gjeografi po e bënte Europën Perëndimore të pasur dhe të fuqishme. Ndërkohë që pushtuesit gjermanikë, arabikë dhe turkë po luftonin mbi rrënojat e Romës, një perandori e re kishte ribashkuar Kinën, duke i dhënë shkëndijën ndezëse shekujve të tërë përparimesh shkencorë. Mes tyre ishin dhe dy shpikje të shekullit 13: anije që mund të përshkonin oqeane dhe armë që mund të qëllonin njerëzit, që marinarët ndeshnin në anën tjetër. Të gjithë i panë si të dobishme mjetet e reja dhe këto u përhapën me shpejtësi në të gjithë Eurazinë. Por teksa përhapeshin, ato ndryshuan kuptimin e gjeografisë.
Krejt papritur, disavantazhet e vendndodhjes në buzë të Atlantikut u kthyen në një avantazh. Marinarët europianoperëndimorë duhej të përshkonin gjysmën e distancës së atyre kinezë për të shkuar në Amerikë. Përpara shpikjes së anijeve që përshkonin oqeane, kjo nuk kishte rëndësi, por tashmë që anijet ekzistonin, u bë shumë e rëndësishme. Duke qenë se të gjithë njerëzit janë pak a shumë njësoj, gjeografia tashmë diktonte që do të ishin europianoperëndimorët dhe jo detarët më të mëdhenj të botës së hershme, pra kinezët, që do të zbulonin, kolonizonin dhe plaçkisnin Amerikat. Marinarët kinezë ishin po kaq të guximshëm, kolonët e tyre po kaq depërtues, por tashmë gjeografia ishte në anën e Perëndimit.
Kështu që, ishin europianët dhe jo kinezët që krijuan një lloj ekonomie të re tregu detare, duke shfrytëzuar avantazhet krahasues mes kontinenteve dhe ishin europianët dhe jo kinezët që shihnin përfitim në shpjegimin si funksiononin erërat dhe dallgët. Kështu erdhën një seri arritjesh intelektuale, që prodhuan mënyra më të mira të matjes dhe llogaritjes, si dhe kyçet së kodeve të fizikës, kimisë dhe biologjisë. Kjo gjë nxiti një revolucion shkencor në Europë dhe jo në Kinë. Deri në vitin 1800, shkenca dhe ekonomia e tregut po krijonin stimuj dhe shanse për sipërmarrësit perëndimorë që të mekanizonin prodhimin dhe të nisnin të shfrytëzonin fuqinë e madhe të lëndëve djegëse. Edhe një herë, ishte Perëndimi (Britania) dhe jo Kina apo Japonia që patën një revolucion industrial dhe që mësuan si ta projektonin në nivel global fuqinë e tyre.
Kjo marrëdhënie mes gjeografisë dhe zhvillimit shoqëror zbulon përse shkenca ka qenë një veprimtari Perëndimore dhe mund të na japë gjithashtu ide për atë çfarë mund të ndodhë, teksa motorri i gjeografisë, biologjisë dhe zhvillimit shoqëror vazhdon të punojë. Deri në vitin 1900, një ekonomi globale e dominuar nga britanikët kish tërhequr burimet e mëdha të Amerikës së Veriut, duke e konvertuar SHBA-në nga një vend i prapambetur në një qendër globale. Deri në shekullin 20, një ekonomi globale e dominuar nga SHBA-ja kish afruar burimet e Azisë, duke e shndërruar Japoninë “tigrat e Azisë” dhe Kinën e Indinë në qendra globale.
Në librin tim “Përse Perëndimi udhëheq për momentin” jam përpjekur të kuantifikoj historinë e zhvillimit shoqëror, që sugjeron që nëse ndryshimi vazhdonte dhe në shekullin 21 me të njëjtën shpejtësi si në shekullin 20, atëherë Lindja do ta arrijë Perëndimin në vitin 2104 për të qenë të saktë. Por nëse ritmi i ndryshimit vazhdon të përshpejtohet siç ka bërë që nga shekulli 15, atëherë mund të ndodhë që dominimi global dhe qendra shkencore e gravitetit të botës të zhvendoset në Azinë lindore jo më vonë se viti 2050.
E qartë deri këtu, përveç një detaji jo të rëndësishëm. E kaluara tregon që ndërkohë që gjeografia i jep formë zhvillimit të shoqërive, zhvillimi gjithashtu i jep formë kuptimit të gjeografisë dhe në shekullin 21 kuptimet e gjeografisë duket se ndryshojnë më me shpejtësi se asnjëherë. Nëse prirjet aktuale teknologjike vazhdojnë, rritja eksponenciale në shkencat kompjuterike dhe ndërlidhje mund ta zhveshin gjeografinë nga kuptimi i saj, duke e sheshuar botën dhe duke ia hequr krejt kuptimin Lindjes dhe Perëndimit. Por tendencat aktuale në problemet globale si përhapja bërthamore, ndryshimi i klimës, migrimi në masë, epidemitë dhe furnizimi me ujë dhe ushqime mund të bëjë që këta të dalin më me shpejtësi nga kontrolli.
Shekulli 21 do të jetë një garë mes transformimit mbarëbotëror dhe katastrofës mbarëbotërore secila në një shkallë të paimagjinueshme. Cilido që të fitojë, me shumë gjasa 100 vitet e ardhshëm do të sjellin më shumë ndryshime se sa 100 000 vitet e fundit.
Ndoshta mësimi i vërtetë i historisë është që deri në kohën kur Lindja të ketë lënë pas Perëndimin, nuk do të ketë më rëndësi nëse ka qenë Njutoni, dhe jo Mei, babai i fizikës klasike.
Në botën e nëndheshme të internetit
Kriminelët e internetit, futen në sistemet e të tjerëve, manipulojnë kompjutera privatë, vjedhin sekretet e firmave, numrat e llogarive, fjalët-kyçe, informacionet e kartave të kredive. Ata shihen si mercenarë të botës moderne të kompjuterit. Ata sulmojnë me synim të qartë përdoruesit privatë të internetit, bankat dhe firmat e çdo lloji dhe të çdo madhësie. Qëllimi është vjedhja e sekreteve të firmave, manipulimi i kontove ose paralizimi i faqeve të internetit. Të gjitha këto bëhen me porosi të klientëve që paguajnë mirë.
San Petërsburgu është kryeqyteti i freaks-ave rus të internetit. Çdo vit ata takohen këtu në konkursin më të madh të hacker-ave që zhvillohet në vend, atë që quhet “Chaos Constructions”.
Një sallë e madhe e errët. Dhjetëra të rinj janë ngulur mbi laptop-et e tyre. Ajri është i rëndë. Pjesëmarrësit duhet të futen në sisteme që janë realizuar ekstra për këtë aktivitet. Profesionistët e teknologjisë së informacionit, kërkojnë gabimet në sistemin e sigurisë. Dy ditë rresht, pa gjumë. Ata vetë nuk flasin me dëshirë për punën e tyre. Informacionet i jep organizatori Anton. “Nëse flisni me një nga këta djem në rrugë, me siguri nuk do të dini për çfarë të flisni. Këta janë njerëz shumë të mbyllur, që interesohen vetëm për botën e kompjuterave”.
Një prej këtyre djemve të këqinj e takojmë në Moskë. Ai quhet Alex, është në mes të njëzetave, me mantel të ti dhe syze dielli. Ai më merr me vete në një nga sulmet që bën si hacker.
Kjo ndodh në makinë. Alex-i dhe miqtë e tij hacker-a gjejnë dhe futen në rrjete interneti pa kabëll që ndodhen në rrethinat e qytetit dhe prej atje përpiqen të vjedhin kontot – online të një banke ruse. Aksioni zgjat gati një orë dhe përfundon pa sukses, sepse banka lëshon alarmin dhe bllokon disa transferta të manipuluara parash. Hacker-i Alex nuk e prish gjakun: “Rreziku që të kapesh është aktualisht shumë i vogël. Ne kërkojmë nëpërmjet një rrjeti të huaj pa kabëll. Do kohë deri sa policët të vijnë deri këtu. Prej këtu ne mund të largohemi shpejt. Janë të tjerë ata që i sjellin paratë tek ne në dorë”.
Numri i kriminelëve në internet si Alex-i ka arritur në Rusi rreth 20 mijë. Puna është e vështirë, thotë Alex-i, të rrish dhjetë orë në rrjet, të provosh prodhime të reja elektronike dhe programe kundër viruseve, të ndjekësh lajmet e fundit në sektorin e teknologjisë së informacionit. Herë pas here të bësh sulme pa përfitime, por për sport, për të mbetur në formë.
Alex-i nuk punon i vetëm. Ai është pjesë e një bote të organizuar ilegale. Takimi bëhet në forume interneti. Atje kriminelët ofrojnë shërbimet, atje marrin dhe porositë. Gjysma e sulmeve drejtohen ndaj objektivave që ndodhen në BE, Kanada dhe SHBA. Vrasje ndërgjegjeje nuk kanë, thotë Nikita Kislizin. Ai është kryeredaktor i revistës ruse “Hacker”. “Ata mendojnë: Unë nuk kërcënoj askënd me thikë. Unë vetëm tërheq para në monedhë të huaj, nga kontot e njerëzve të panjohur. Për raste të tilla paguajnë sigurimet”.
Zilja e alarmit në një firmë sigurie në internet, e grupit IB në Moskë. Një klient është duke u sulmuar. Firmat në Rusi nuk i besojnë policisë, thotë 24-vjeçari Ilja Sachkov, shef i firmës. “Menjëherë me thirrjen e klientit ne nisemi. Policia nuk i merr seriozisht gjëra të tilla dhe vjen pas 30 ditësh”.
Ekipi ruan klientët nga sulmet dhe kërkon dorasit me ndihmën e teknikave speciale. Të gjitha informacionet i jepen klientit. Pastaj ai njofton policinë, ose nuk e bën as këtë.
Për shkak të mangësive të teknikës dhe të personelit, policia ruse e internetit mund të ndjekë vetëm një pjesë të vogël të krimeve në internet. Edhe kur hacker-at kapen, dënimi është i ulët. Korrupsioni në gjykata dhe në polici janë një nga arsyet pse krimi në internet lulëzon në Rusi. Përgatiti: ARMIN TIRANA
Komentet