Shtypja e protestave antiqeveritare në Iran ka shkaktuar një numër shumë të lartë viktimash, sipas mjekëve dhe një raporti të cituar nga Sunday Times. Ata vlerësojnë se nga dhuna kanë humbur jetën midis 16,500 dhe 18,000 persona, ndërsa mbi 330,000 janë plagosur, shumica të rinj nën moshën 30 vjeç.
Mjekët raportojnë se forcat e sigurisë po përdorin armë ushtarake, duke shkaktuar plagë të rënda nga plumbat dhe fishekë me ajër, veçanërisht në kokë dhe gjoks. Të paktën 1,000 persona kanë humbur një sy dhe mijëra të tjerë kanë pësuar lëndime serioze në sy.
“Ky është një nivel krejt i ri brutaliteti”, tha Profesor Amir Parasta, një kirurg iraniano-gjerman i syve, i cili foli për gazetën në emër të dhjetëra mjekëve në Teheran.
Protestat nisën më 28 dhjetor për arsye ekonomike dhe u përhapën në të gjithë vendin, duke u kthyer në kërcënimin më të madh për regjimin. Përgjigjja e autoriteteve ka qenë e dhunshme, me përfshirjen e Gardës Revolucionare dhe milicisë Basij.
Më 8 janar, autoritetet ndërprenë pothuajse plotësisht internetin për më shumë se tetë ditë, veprim që u pa si përpjekje për të fshehur dhunën dhe numrin real të viktimave. Panorama