Vala e protestave anti-qeveritare që ka përfshirë Tiranën po gjen një mbështetje gjithnjë e më të gjerë edhe në radhët e diasporës shqiptare në Europë. Pasi shqiptarët u ngritën në disa kryeqytete evropiane, komuniteti shqiptar në Zvicër ka organizuar tubimin e tij të parë, ndërsa ka paralajmëruar se protesta e radhës do të zhvillohet më datë 11 qershor.
Rei, një studente shqiptare që jeton në Zvicër dhe është pjesë e organizimit, ka rrëfyer prapaskenat e kësaj lëvizjeje dhe arsyet që i shtynë të rinjtë jashtë vendit t’i bashkohen kauzës së bashkëmoshatarëve të tyre në Shqipëri.
Studentja u shpreh se dëshira e tyre kryesore ishte të bëheshin pjesë e lëvizjes së të rinjve në vendlindje, pasi ndajnë të njëjtat ide me ta. Ajo theksoi se arsyet pse ata kanë emigruar për një të ardhme më të mirë janë pikërisht ato problematika që po ngrihen sot nga rinia që ka dalë në sheshet e Tiranës dhe se adrenalina dhe qëndresa e tyre u ka dhënë një pozitivitet dhe motivim të madh për të luftuar së bashku për të njëjtin qëllim.
Sipas saj, ashtu si të rinjtë në Shqipëri kanë rolin e tyre në ndërtimin e së ardhmes, edhe ata që ndodhen jashtë vendit kanë një mision të rëndësishëm, pasi mund të informojnë organizatat ndërkombëtare për situatën. Ajo shtoi se përmes këtyre protestave, emigrantët mund të tregojnë historitë dhe mesazhet e tyre, duke shprehur hapur mallin për Shqipërinë dhe vështirësitë që i detyruan të largoheshin.
Përveç solidarizimit të plotë me Tiranën, komuniteti në Zvicër ka edhe disa kërkesa profesionale që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
“Duam të tregojmë mesazhet për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, natyrës. Nuk jemi kundër zhvillimit, por kërkojmë transparencë për çdo investim të huaj dhe shqiptar që ndodh në Shqipëri. Duam respektin e qytetarëve, dialogje të hapura dhe të bashkohemi sa më shumë e të mos përçahemi,” deklaroi studentja.
Rei zbuloi gjithashtu se i gjithë ky organizim i madh nisi në mënyrë krejtësisht spontane nga një grup i thjeshtë në rrjetin social WhatsApp. Aty u shtuan gradualisht të gjithë shqiptarët që njihnin, duke arritur shpejt në 160 veta. Ajo tregoi se pavarësisht se janë studentë dhe ndodhen në mes të sezonit të provimeve, po përpiqen të investojnë sa më shumë kohë në këtë kauzë.
Shumica e tyre janë njohur me njëri-tjetrin pikërisht gjatë protestës në diasporë. Tashmë ata po koordinohen për të dërguar letra informuese në çdo shoqatë të mundshme jashtë vendit. Studentja e mbylli mesazhin e saj me një thirrje të fortë për të ruajtur frymën paqësore të kësaj lëvizjeje:
“Dua të them se me në fund ne si rini kemi gjetur njëri-tjetrin, shpresë e dashamirësi dhe kjo sikur na ka shëruar. Kjo është lëvizje qytetare, ju lutem mos e përçani, të ruajmë paqen, pozitivitetin dhe iniciativa që është marrë nga çdo qytetar për të arritur këtu dhe për të ardhmen.”bw