Protestat masive që kanë përfshirë Shqipërinë, ku bëhet thirrje për dorëheqjen e qeverisë, vijojnë të tërheqin vëmendjen e mediave kryesore botërore. Në Bloomberg, The Guardian apo CBS News evidentohet vala e zgjatur e protestave në Tiranë, të njohura ndryshe si “Flamingo Revolution”, duke raportuar se mijëra qytetarë kanë mbushur bulevardet me thirrje kundër qeverisë.
Në Al Jazeera dhe Le Monde theksohet se lëvizja ka shpërthyer jashtë kauzave tradicionale partiake, duke u kthyer në një revoltë popullore kundër arrogancës dhe keqqeverisjes. BBC News thekson qëndrimin e qeverisë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar projektet e resortit si mundësi zhvillimi, por media e huaj raporton edhe ndjeshmërinë e lartë të qytetarëve për të mos cenuar natyrën dhe zonat e mbrojtura, si Laguna e Nartës apo ishulli i Sazanit. NPR dhe agjenci si Reuters dhe Associated Press kanë transmetuar mesazhet e protestuesve dhe sloganet si “Shqipëria nuk shitet”.
Drejtori i organizatës bamirëse mjedisore BirdLife për Evropën, Ariel Brunner, tha për CNN se ai dhe ambientalistë të tjerë vizituan vendin natyror në fillim të majit, ku panë ekskavatorë që gërmonin në plazh dhe kamionë që hidhnin zhavorr.
E përditshmja The Times bën një përshkrim të arsyeve që çuan shqiptarët të ngriheshin në protesta masive./BalkanWeb