Protesta qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama shënon sot, 16 gusht, ditën e 78-të të saj, ndërsa në shesh pritet sërish një pjesëmarrje e konsiderueshme edhe nga shqiptarët e diasporës.
Kjo është dita e tretë radhazi që emigrantë shqiptarë nga vende të ndryshme i janë bashkuar protestës në Tiranë, duke zgjedhur të rikthehen në Shqipëri jo vetëm për pushimet e verës, por edhe për t’iu bashkuar thirrjeve kundër qeverisë dhe kërkesës për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Qytetarët dhe pjesëtarët e diasporës pritet të mblidhen sërish në shesh, ndërsa protesta do të shoqërohet ashtu si cdo ditë me fjalime, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë.
Gjatë ditëve të fundit, emigrantët që i janë bashkuar protestës kanë deklaruar se largimi i shqiptarëve drejt vendeve europiane nuk duhet të jetë e vetmja alternativë dhe se Shqipëria duhet të krijojë kushtet që qytetarët të mund të jetojnë dhe të punojnë në vendin e tyre.
Edhe në ditën e 78-të, protestuesit pritet të përsërisin kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, llogaridhënie dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes.
Protesta vijon prej 78 ditësh, ndërsa qytetarët deklarojnë se rezistenca do të vazhdojë deri në plotësimin e krkesës së tyre themeore dhe të panegociueshme, dorëheqjen e kryeministrit.