VOAL

VOAL

Projekt i ri për ruajtjen e Vilës Adrian

May 1, 2016

Komentet

Anija hapësinore private hyn në orbitën e Hënës

Anija Odysseus pas nisjes nga Toka (16 shkurt 2024)

Marrë nga Associated Press

Një anije hapësinore private amerikane hyri në orbitë përreth Hënës të mërkurën, një ditë përpara se të tentojë një sipërmarrje edhe më të vështirë – uljen në sipërfaqen e Hënës.

Një ulje e suksesshme do të rikthente praninë amerikane në Hënë për herë të parë që kur astronautët e NASA-s i dhanë fund programit Apollo në vitin 1972. Nëse del me sukses, kjo kompani do të bëhej entiteti i parë privat që do të realizonte një ulje të suksesshme në Hënë.

Mjeti i kompanisë Intuitive Machines duke u shkëputur nga trupi i raketës SpaceX (15 shkurt 2024)

Mjeti i kompanisë Intuitive Machines duke u shkëputur nga trupi i raketës SpaceX (15 shkurt 2024)

I nisur javën e kaluar, mjeti hapësinor i kompanisë “Intuitive Machines” kaloi në anën e errët të Hënës, ku nuk pati asnjë kontakt me Tokën. Kontrollorëve në selinë e kompanisë në Hjuston iu desh të prisnin derisa të shfaqej mjeti për të mësuar nëse ishte futur me sukses në orbitë.

Kompania “Intuitive Machines” konfirmoi se mjeti hapësinor, i quajtur Odysseus (Odisea) po lëvizte përreth Hënës ndërsa zhvilloheshin eksperimentet e porositura nga NASA dhe klientë të tjerë. Mjeti është pjesë e një programi të NASA-s për të filluar aktivitetet e para ekonomike në Hënë. NASA ka paguar 118 milionë dollarë për këto eksperimente hënore.

Mjeti që do të ulet në Hënë, i fotografuar në laboratorët e kompanisë në Hjuston në tetor 2023

Mjeti që do të ulet në Hënë, i fotografuar në laboratorët e kompanisë në Hjuston në tetor 2023

Të enjten, kontrollorët do ta ulin lartësinë e orbitës ku lëviz mjeti nga 92 kilometra në 10 kilometra, përpara se të tentojnë një ulje pranë polit jugor të Hënës. Është një zonë e rrezikshme për ulje për shkak të kraterëve dhe kodrave të shumta, por që konsiderohet me vlerë pasi në kraterët gjithnjë në hije mendohet se mund të ketë ujë të ngrirë.

Sipërfaqja e Hënës ka plot pjesë të mbetura nga uljet e dështuara në të kaluarën. Madje disa misione nuk arritën as deri në atë fazë. Një tjetër kompani private amerikane, “Astrobotic Technology”, u përpoq të dërgojë një anije hapësinore drejt Hënës muajin e kaluar, por nuk arriti t’i afrohet për shkak të një rrjedhje të karburantit. Anija e dëmtuar u rikthye drejt atmosferës së Tokës, duke u djegur mbi Paqësor.

Thënie për gjuhën shqipe dhe gjuhën në përgjithësi!- Përgatiti Skënder Karaçica

• “Gjuha është tepër e rëndësishme për t’ua lënë vetëm gjuhëtarëve”
Heidegger
• “Gjuha Shqipe është i vetmi mjet i ndriçimit dhe i përparimit moral.Ajo është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”
Holger Pedersen
• “Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”
Filip Shiroka
• “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij”
Eqrem Çabej
• “Shenjat e civilizimit të një populli janë:si kujdeset ai për drunjtë e tij, si kujdeset ai për fëmijët dhe pleqtë si sillet ai me gjuhën e tij. Por gjuha është më e rëndësishme,është detyrë e tij që ta ruaj dhe ta kultivoj atë si vlerë kulturore dhe si tipar identiteti”
Erwin Chargaff
• “Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe”
Mit’hat Frashëri
• “Fjala e huaj në gjuhë është si dhia ndër dhen”
Naim Frashëri
• “Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe”
I. Kadare
• “Gjuha shqipe ka aq pasuri fjalësh e është e ardhshme e plot gjallëri e jetë, sa mund të përkthehen në të klasikët e çdo kombi, e çdo kohe”
Gjergj Fishta
• “Gjuha letrare s’është vetëm thesari i kulturës sonë, por edhe mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare”I. Ajeti “Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar”
E. Çabej
• “Ka një mjet me anën e të cilit kërkimtari është në gjendje ta ndriçojë, deri-diku, muzgun e fillimeve të popullit shqiptar dhe të hyjë në kohën që shtrihet përtej dëshmive historike. Këtë mjet e jep gjuhësia”
N. Jokl
• “Larg gjuhës shqipe, larg të qenit shqiptar”
Q. Murati
• “Mbrojtja e gjuhës është detyrë dhe peng nderi për çdo shqiptar”
Gjovalin Shkurtaj
• “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës”
Sami Frashëri
• “Gjuha ruhet atje ku shkruhet”
Populli
• “E mjera shqipe, ç’i punojnë e s’ka gjuhë të ankohet!”
T. Zavalani
• “Zot! Jepu shqiptarëve vullnet dhe logjikë që të flasin shqip të paktën kur janë në Shqipëri. Se, siç kanë zënë disa, shpejt a vonë do ta bëjnë atdheun babiloni gjuhësh, ku s’do ta marrë vesh qeni të zonë”
Nonda Bulka
• “Duke lexuar autorët që shkruajnë mirë, mësohesh të flasësh mirë”
Volter
• “Ai që e zotëron gjuhën e vet vlen më tepër se ai që pushton një qytet”
Një mendimtar i lashtë

Teleskopi “James Webb” dërgon imazhe të jashtëzakonshme dy vjet pas arritjes në hapësirë

VOA

Më 24 janar u mbushën dy vjet nga arritja e teleskopit hapësinor “James Webb” në destinacionin e parashikuar, 1.6 milionë milje larg tokës. Që nga ajo kohë, teleskopi më i madh dhe më i fuqishëm në botë i ka dërguar tokës disa imazhe mahnitëse të hapësirës, të cilat po analizohen nga shkencëtarë dhe studiues të hapësirës.

Teleskopi Hapësinor i NASA-s, “James Webb”, observatori astronomik më i madh dhe më i fuqishëm i lëshuar ndonjëherë në hapësirë, ka bërë fotografi të bukurisë hapësinore gjatë dy viteve të fundit.

Teleskopi u lëshua në hapësirë nga Guiana Franceze në bregun verilindor të Amerikës së Jugut mëngjesin e Krishtlindjeve më 25 dhjetor 2021.

Observatori, prodhimi i të cilit kushtoi 10 miliardë dollarësh u dërgua në një destinacion prej 1.6 milionë kilometrash, ose mbi katër herë më larg se distanca mes tokës dhe hënës.

Më 8 janar të vitit 2022, teleskopi “James Webb” hapi pasqyrën e tij të madhe.

Pjesa e fundit e pasqyrës me diametër 6.5 metra u hap me komandën e kontrollorëve të fluturimit në tokë, duke përfunduar shpalosjen e teleskopit hapësinor “James Webb”.

“Unë jam i emocionuar për këtë. Ky është një moment historik i mahnitshëm. Ne e shohim këtë model të bukur atje në qiell tani”, tha Thomas Zurbuchen, shef i misioneve shkencore të NASA-s.

“James Webb” është më i fuqishëm se teleskopi hapësinor “Hubble” dhe do të skanojë hapësirën në kërkim të lëvizjes së dritës nga yjet dhe galaktikat e para të formuara 13.7 miliardë vjet më parë.

Për ta arritur këtë, NASA e pajisi teleskopin “James Webb” me pasqyrën më të madhe dhe më të sofistikuar të lëshuar ndonjëherë në hapësirë, që shkencëtarët e quajnë “syri i artë”.

“James Webb” është aq i madh sa duhej të palosej në stilin japonez origami për t’u futur në raketën, që u lëshua nga Amerika e Jugut.

Operacioni më i rrezikshëm ndodhi në javën e parë në hapësirë, kur mburoja e diellit në madhësinë e një fushe tenisi u shpalos, duke siguruar hije për pasqyrën dhe detektorët e dritës infra të kuqe.

Kjo pasqyrë është bërë nga beriliumi, një metal i lehtë por i fortë dhe rezistent ndaj të ftohtit.

Secili nga 18 segmentet e pasqyrës është i veshur me një shtresë ultra të hollë ari, shumë reflektuese e dritës infra të kuqe.

Teleskopi hapësinor më i madh dhe më i fuqishëm në botë mbërriti në pikën e tij të vëzhgimit 1.6 milionë kilometra nga Toka më 24 janar 2022.

Që nga ajo kohë, teleskopi “James Webb” ka dërguar në tokë disa imazhe mahnitëse të hapësirës, të cilat po analizohen nga shkencëtarë dhe studiues të hapësirës.

Pendimi i Ajnshtajnit – Letra e tij, dhe Bombat Atomike të Shek. XX- Nga Senad Guraziu

Shkurt 2024 (Vështrim, në disa vazhdime – Pjesa 1)

Letra më e rëndësishme e shek. XX padyshim ishte letra “Szilard-Einstein”, një letër e vetme, një copë letre, por e cila do nxiste veprime, dhe brenda pak viteve do ta sillte “krijimin” e bombës atomike. Letra s’ishte plotësisht meritë e Ajnshtajnit, në fakt përmbajtja e letrës e kishte autorësinë e dyfishtë, nuk ishte meritë vetëm e Ajnshtajnit. Ndërsa ideja nuk pati qenë fare e tij!

Ai pati qenë dakord me idenë e letrës, e patën shkruar bashkë, dhe ai e pati nënshkruar, sepse ashtu qenë marrë vesh. Letra duhej ta kishte vetëm nënshkrimin e tij, gjoja ai ishte autori, dërguesi. Emri dhe nënshkrimi i tij në fund të letrës, e bënte “letër të tij” – qe përdorur emri i tij për ta bindur sadopak më lehtë Presidentin Roosevelt.

Sidoqoftë, meqë askush s’e dinte (përveç shkruesve, përveç dy miqve autorë), ndoshta letra dhe ishte njëfarëlloj “falsiteti”. Marrësit të letrës (dmth. Presidentit Roosevelt) i “shtirej” si letër e shkruar nga Ajnshtajni, duke e përdorur emrin e tij (gjoja si dërguesi i saj). Letra i drejtohej Presidentit shkurt “Sir”, dhe fliste tutje sikur gjoja Ajnshtajni po shkruante. Pra jo “fals” në kuptimin si diç e paqenë, dhe as si mashtrim, ishte letër reale – aq reale dhe e vërtetë sa do ta ndryshonte realitetin historik, ndoshta më shumë se asnjë letër tjetër e historisë.

Për realitetin e vitit 1939, dhe ishte një lloj “falsiteti”, sikur dhe që s’ishte – të dyja njëkohësisht. I bie sikur duhej pak “falsitet”, megjithatë, sepse ideatori i saj, përkundër meritave të veta në fushën e Fizikës, ende s’ishte aq i njohur, dhe as nuk e kishte prestigjin e Ajnshtajnit. Tekefundit ashtu pandehte ai vetë, si ideator letrash. Në rregull, prandaj dhe janë miqtë, Ajnshtajni do ta kuptonte brengën e mikut, e po ashtu dhe ai vetë do ia fillonte me të njëjtat brenga.

Letra pati qenë ide e fizikanit hungarez-amerikan, Leo Szilard, i cili e njihte Ajnshtajnin, ishin miq, kishin dhe afërsi kolegiale madje, ata veç kishin bashkëpunuar më parë. Ndërmjet viteve 1926-1930 Szilard pati punuar me Ajnshtajnin në zhvillimin e të njohurit “frigorifer të Ajnshtajnit”.
Dhe kështu, pas konsultimit me disa shkencëtarë (miq të vet, të Szilard), si dhe me aprovimin, me firmën e Ajnshtajnit, letra e tyre do i drejtohej Presidentit Roosevelt.

Pikërisht ajo letër do bëhej “nisma” e zhvillimit të bombës atomike. Historia e deshi dhe Ajnshtajni me mikun Leo Szilard e luajtën një rol vendimtar në inkurajimin e Presidentit Roosevelt për ta nisur programin masiv “Manhattan”, dhe për ta krijuar bombën e parë atomike. Më vonë Ajnshtajni qe penduar për nënshkrimin e tij, dhe për letrën në përgjithësi.

Sipas Linus Pauling (kimist amerikan, fitues i Çmimit Nobel për Kiminë, në v. 1954), Ajnshtajni qe penduar për letrën sepse ajo çoi në zhvillimin dhe rrjedhimisht në përdorimin e bombës atomike. Pauling do shtonte se Ajnshtajni vendimin e vet e kishte justifikuar si “rrezik më i madh nëse Gjermania naziste ta zhvillonte bombën e para”. Mikut të vet Ajnshtajni ia pati shprehur “mendimet” përmes korrespondencës, dmth. i kishte shkruar. Në letrën drejtuar atij, edhe pse Ajnshtajni e kishte përmendur “frikën që nazistët ta zhvillonin bombën” (si justifikim të pjesshëm), sipas Pauling, ai megjithatë letrën drejtuar Presidentit Roosevelt e kishte përshkruar si “gabim i madh i jetës sime”.

Në v. 1947 për revistën Newsweek Ajnshtajni qe shprehur “po ta dija se gjermanët nuk do t’kishin sukses rreth zhvillimit të bombes atomike, nuk do t’kisha bërë asgjë” (dmth. nuk do niste letër as gjë). Sipas Colin McEvoy, pak para vdekjes në v. 1955, Ajnshtajni do reflektonte mbi jetën e tij dhe e pati identifikuar keqardhjen e vetme më të madhe të jetës: rolin e tij në zhvillimin e bombës atomike. Si një pacifist që e kundërshtonte luftën, Ajnshtajni qe penduar thellë rreth “rolit” të vet lidhur me bombën.

Atëbotë, frika e të gjithëve rreth mundësisë së “parahapit” të nazistëve (me shkencat e atomikës), do ketë qenë e arsyeshme, e justifikueshme. Nga përspektiva e së tashmes mbase dhe fare lehtë e kuptueshme. Realisht, gjermanët s’ishin as afër me programin atomik, edhe përkundër frikës për spiunazhin, për vjedhjen e “tekniciteteve” nga ndokush, dhe apo për rënien e sekreteve në duart e nazistëve. Kuptohet, se dhe frika e spiunazhit ishte totalisht e arsyeshme. S’ishte çështje e “euforisë” por rrethanat flisnin për mundësi reale të spiunazhit.

Në vetvete, mjaft ironik është fakti që Klaus Fuchs pati spiunuar për sovjetikët. Fuchs ishte shkencëtar veteran i “Projektit Manhattan”, dmth. një gjerman, fizikan teorik gjerman i cili punonte në projektin. Ishte Fuchs ai që ia kaloi Bashkimit Sovjetik sekretet atomike të projektit amerikan. Vetëm 2-3 vite më vonë pas 1945-es, dhe dmth. (padyshim) falë spiunllëkut të Fuchs, edhe Stalini pastaj e “dredhonte mustakun” e bombës atomike.

Pra Fuchs mund t’u kishte ndihmuar dhe nazistëve, why not… Apo thjesht s’pati qenë e “thënë”, dmth. jo se do ishte e pamundur. Mbase fati, i bie se atëbotë për Fuchs më “simpatikë” do kenë qenë sovjetikët sesa nazistët, paçka se këta të fundit gjermanë, njësoj si dhe ai vetë.

Ndërsa Ajnshtajni vetë nuk pati punuar në “Projektin Manhattan”, ai njihej fort mirë me fizikanin J. Robert Oppenheimer (me udhëheqësin e “Projektit Manhattan”), por nuk do ishte i punësuar në atë projekt. Madje, në filmin “Oppenheimer” (shkruar dhe me regjinë nga vetë shkruesi, Christopher Nolan) paraqitej se Oppenheimer e viziton Ajnshtajnin për t’i diskutuar ca “formula të frikës” shkencore (të tjetërkujt), se shpërthimi atomik mund ta niste reaksionin zinxhiror të “copëtimit të çdo nukleusi” të mundshëm fizik, të çdo bërthame të ekzistencës sonë. Për fat të mirë, pra frika e tillë ishte diç si ekzagjerim ardhur në jetë nga pasaktësia, formulave u mungonte diç, s’e kishin atë saktësinë absolute shkencore.

Ajnshtajnit madje s’i qe dhënë as “besimi” i duhur nga autoritetet e kohës. I përcjellur dhe i shoshitur detajisht nga shërbimet sekrete, konsiderohej si “kandidat potencial” i jobesueshmërisë – me fjalë shkurt, kishin frikë mund t’ishte spiun ose, nëse ende s’ishte, mund t’bëhej. E kuptueshme dhe kjo, s’ka hyrë kush në kokën e Ajnshtajnit kurrë, dhe as në kokat e atyre të shërbimeve sekrete. Por mbase kështu pakashumë funksionojnë “mendjet” e kontra-spiunazhit, apo jo : )

S’ke si i beson 100% një “gjermani” ardhur jo dhe aq moti nga Gjermania, madje dhe shkencëtar i madh, super-shkencëtar, mund t’jetë më rrezikshmi spiun i Amerikës. Kështu që më mirë kujdes, kurrë s’duhet thënë kurrë. Ashtu-kështu koka e tij “gjigante”, ec e dije ç’bluhet brenda, ai vetë me një letër ia bëri mendjen dhallë Presidentit tonë, e bindi, me një letër u bë shkaktari i gjithë këtij “Projekti Kolosal”. Tani pothuaj sikur e gjithë Amerika është trazuar, secili frymor do jetë i angazhuar, projekt marramendës që s’ka njohur historia. Mirëpo atij vetë si “kokë misterioze”… na vjen keq, s’i besojmë bash 100%, sa më larg mega-projektit bërthamor.

Në v. 2017, në National Geographic thuhej se Ajnshtajni mund t’ketë kontribuar në mënyrë “klandestine” – gjoja ashtu nga xhepi i privatësisë mund ta ketë ndihmuar “Projektin Manhattan” me ekuacione e me formulash. Por ai nuk kishte njohuri për zhvillimin e bombës atomike, dhe nuk kishte asnjë ndikim rreth vendimit për përdorimin e tyre.

Se kontributi i tij me ekuacione shkencore, nëse t’ketë kontribuar, s’domend se për projektin do ishte ndihmë madhore, ndihmë e përtej ndihme. Tekefundit dhe vetë formula e tij “bazike”, ajo e famshmja e=mc2 i pati “zbardhur” çështjet themelore energjitike. Pa formulën e tij ndoshta s’do ishte nisur kurrë gjë e atomikave, derisa mençurinë e tij ta shpikte ndokush tjetër.

Ana tjetër, se nuk kishte “njohuri” rreth zhvillimit të bombës apo të “armëve bërthamore”, teknikisht e vërtetë, po aq sa dhe e “pavërtetë”. E vërtetë sepse, meqë nuk ishte i punësuar në “Manhattan”, zyrtarisht askush s’e pati njoftuar se vrapi teknologjik për bombën jo vetëm pati filluar por dhe ishte bërë diç si “vrap” i marramendshëm. Është e saktë që ai nuk dinte detaje, programi “Manhattan” ishte impenjim gjigant, aneskaj ShBA punonin fabrikat dhe sektore të panumërt, pa e patur as idenë se për çfarë punonin.

S’ishte nevoja ta njoftonte kush – Ajnshtajni mund ta ketë marrë vetë “me mend”. Nuk ishte fjala vetëm për energji bërthamore, vetëm për reaktorët. Letra e nënshkruar nga ai “sugjeronte” armatimin bërthamor, për ta parandaluar eventualisht kërcënimin nga nazistët. Do ishte absurd të mohohet vetë thelbi i letrës së nënshkruar nga ai vetë. Vetë thelbi i letrës ishte rreth “dijes së tij”, letra flet për “bombat atomike”, për potencialitetin e rrezikshëm të tyre, dhe për ngutshmërinë, për domosdoshmërinë e nisjes nga ShBA të një programi bërthamor. Dmth. jo për t’i shpenzuar milionat e miliarda kot, por për ta patur realisht dhe mundësinë e posedimit të një bombe të tillë.

Letra madje e cekë detajin “logjistik”, sipas letrës një bombë e tillë atomike do mund të transportohej vetëm me anije, jo dhe përmes rrugës ajrore, pasi tepër e rëndë. Përndryshe nëse nazistët t’na dilnin të parët me avancimet bërthamore dhe me “bombat”, ky opsion… mos pyet, dhe vetëm nga kërcënimi ideatik i përparësisë naziste bota s’do i kishte punët aq mirë. Për këto gjëra fliste letra, e nënshkruar nga ai vetë.

Ana e “tretë” se Ajnshtajni nuk dinte detaje rreth përdorimit pastaj të bombave në dy qytetet japoneze, kjo dhe e qartë. Për bombat pati vendosur Presidenti Truman, anise deri fare afër vendimit… as ai vetë s’e pati ditur 100% se do ishte e mundur. Ai madje ndodhej në Gjermani, në kthim e sipër e pati nisur mesazhin, ngjashëm me stilin “just do it… drop it” (gjuaje… dmth. atomiken e tmerrshme). Thuase na ishte një armë ordinere, diç si “tomahavk klasik” i Presidentit Bush për ta shpuar bjeshkën, për t’i mbushur tunelet e nëntokës me flakë e tym, për t’i çoroditur strofullat ku fshiheshin disa dhjetra o disa qindra terroristë të bin Laden.

Miku i Ajnshtajnit, ideatori i letrës, Leo Szilard që në v. 1933 e pati kuptuar se, nëse dikush mund ta ndërtonte një pajisje ku “copëzohen” atomet, ku 1 atom i copëzuar i lëshon 2 neutrone që vazhdojnë me goditjen dhe me copëzimin e 2 atomeve tjera, duke rezultuar tashmë në 4 neutrone që i copëzojnë 4 atome të tjera, më pastaj 8, 16, 32, 64 – mrekullia vetë, njëfarëlloj eksponcialiteti energjitik marramendës.

Copëzimi bërthamor (fisioni) ndodh kur një bërthamë atomike ndahet në dy sosh, më të lehta. Ndonjëherë kjo ndodh spontanisht, por nëse një neutron i “kontrolluar” e godet llojin e duhur të bërthamës, i bie se shkaktohet copëzim i qëllimshëm. Kur një bërthamë atomike copëzohet, lirohet sasi e madhe energjie, por po ashtu dhe diç tjetër, 1, 2, 3, 4 e më shumë neutrone. Dhe vetë matematikat më të thjeshta, fizikanit Szilard i flisnin se nëse mund të fillohet dhe të ruhet kontinuiteti, nëse ruhet vazhdimësia e “kontrolluar” e reaksionit zinxhiror bërthamor, sasia e energjisë së çliruar do t’ishte shumë e madhe. Pra njeriu do e kishte, si të thuash, një burim energjie të pashtershme.

Kjo fort bukur, sidoqoftë, Szilard e pati kuptuar dhe tjetrën – përdorimi i “copëzimit bërthamor” si mjet lufte, si krijim i ndonjë monstruoziteti prej bombe, do ishte gjëja më e tmerrshme që bota, fatlumnisht ende s’e ka parë as përjetuar. Ndoshta e vetmja gjë akoma më e tmerrshme sesa më e tmerrshmja si mendim që “zinxhirorja bërthamore” të përdorej në luftë, ishte mendimi se eventualisht nazistët mund ta kishin në duart e tyre këtë epërsi monstruoze.

Szilard i kuptonte gjërat sepse dhe i dinte, ishte sprovuar me lloj-lloj provash. Ai pati bashkëpunuar me shkencëtarin Enrico Fermi për ta ndërtuar një reaktor bërthamor nga uraniumi natyror. I patën kryer një seri eksperimentesh dhe patën ardhur në përfundimin se një reaksion zinxhiror me uranium natyror mund t’ishte i realizueshëm. Mirëpo u duheshin sasi të mëdha uraniumi, e po ashtu nëse ta gjenin një moderator të përshtatshëm (për ngadalësimin e neutroneve). Szilard më pas pati sugjeruar përdorimin e karbonit si një moderator (ngadalësues) për neutronet. Nëse t’i kishin materialet e nevojshme në sasinë e duhur, ai ishte i bindur se do t’kishin sukses.

Dihet se Fermi dhe ia pati dalur, më vonë do e krijonte reaktorin e parë në historinë e “bërthamave”, Fermi do kthehej në diç si legjendë e Fizikës Bërthamore. Gjithsesi, suksesit të tij lidhur me reaktorin mbase i kthehemi pak më vonë. Fermi ashtu-kështu “legjendë interesante”, ai madje e pati fituar dhe Nobelin “gabimisht”, qe shpërblyer me Nobel për diç që nuk e pati zbuluar. As mbuluar as “zbuluar”. Dhe madje s’pati marrë “mundin” as ta kthente (tjetër se ai i pati merituar ndoshta dhe 3 Nobela. Por, në kuptimin e korrektësisë… who cares, atë që s’e meritonte duhej ta kthente. Tekefundit ashtu ia bëjnë burrat e shkencës, bie fjala Galileo Galilei do e kishte kthyer Nobelin e fituar “gabimthi”, garant : )

Sidoqoftë, Szilard qe shqetësuar thellësisht me idenë që nazistët ta kishin eventualisht bombën atomike. Mendja s’e linte rehat, në fakt shkencëtarët gjermanë eksperimentalisht do ta coptonin atomin e Uraniumit në v. 1938. Dhe Szilard sakaq do ia fillonte me zilet e alarmit mes lidhjeve të tij personale, mes miqve shkencëtarë dhe të tjerëve që i njihte.

Pra, Szilard ishte i shqetësuar se edhe shkencëtarët gjermanë mund ta provonin të njëjtin eksperiment, siç ai dhe Enrico Fermi ishin duke provuar. Po ashtu, fizikani bërthamor gjerman Siegfried Flügge i pati botuar dy artikuj rreth shfrytëzimit të energjisë bërthamore. Njëri prej artikujve titullohej “Kann der Energieinhalt der Atomkerne technisch nutzbar gemacht werden?” (A është e mundur teknikisht që energjia nukleare të bëhet e përdorshme?) – publikuar në “Die Naturwissenschaften”, 1939.

Siç e cekëm më lart, fizikani Szilard e pati konceptuar reaksionin zinxhiror bërthamor që në v. 1933, do ta patentonte idenë në v. 1936. I shtyrë nga frikërat lidhur avancimin eventual të gjermanëve, në v. 1939 e mori vendimin për t’i shkruar letër Presidentit Roosevelt, ta paralajmëronte se rreziku mund t’vinte nga nazistët, se Amerika duhej të ndërtonte çfarëdo që mund të ndërtohej, dhe ta bënte gati si armë, përpara gjermanëve.

Mirëpo sipas tij, kush na ishte ai që t’i shkruante letër të tillë Presidentit, ndoshta as që do ta lexonte, pa le të ndërmerrte gjë konkretisht. Andaj i patën shqyrtuar gjërat me mikun e vet të famshëm, Ajnshtajnin. Më 2 Gusht 1939 letra iu dërgua Presidentit Franklin D. Roosevelt. Letra paralajmëronte se Nazi-Gjermania mund ta zhvillonte bombën atomike dhe sugjeronte që ShBA-të ta fillonin programin e tyre bërthamor, sa më parë t’ishte e mundur.

Letra si materie përmbajtësore, infot serioze dhe prestigji shkencor i Ajnshtajnit do e nxisnin Presidentin Roosevelt të vepronte. Do kishte disa “organizma” prararendës, dhe përfundimisht do rezultonte në nismën e “Projektit Manhattan”. Nga 2 Gushti 1939 (nga data e letrës) u deshën vetëm 5 vite, 11 muaj, 14 ditë dhe pajisja testuese e quajtur “Trinity” e ndriçoi qiellin, thuase e “tmerroi” dhe vetë shkretëtirën Alamagordo. Pas testit, sëshpejti do pasonte dhe përdorimi i bombës realisht.

Pra, pas letrës “Szilard-Einstein”, brenda një kornize të vogël kohore, impenjimi kërkimor shkencor dhe avancimet teknologjike do i sillnin bombat atomike si dhe, pa kaluar shumë kohë, edhe përdorimin e tyre në qytetet Hiroshima dhe Nagasaki të Japonisë.

– – – përmbajtja thelbësore e letrës – shkëputje, pjesërisht – – –
Disa punime të fundit nga E. Fermi dhe L. Szilard, që më janë komunikuar si dorëshkrim, më bëjnë të besoj në pritshmërinë që elementi Uranium mund të kthehet në një burim të ri dhe të rëndësishëm energjie, në të ardhmen e afërt. Disa aspekte të situatës (politike) që është krijuar, duket se kërkojnë vigjilencë dhe, nëse e nevojshme, veprime të shpejta nga ana e administratës suaj. Andaj besoj se është detyra ime t’i sjell në vëmendjen tuaj faktet dhe rekomandimet e mëposhtme:
Gjatë katër muajve të fundit ka dalur në pah – nëpërmjet punës së Joliot në Francë, si dhe të Fermi dhe Szilard në Amerikë – që krijimi i reaksioneve zinxhirore bërthamore në një sasi të madhe uraniumi është i mundur, nga të cilat reaksione do të gjeneroheshin sasi të mëdha energjie dhe sasi e madhe elementesh të rinj, të ngjashëm me Radiumin. Tani duket, pothuaj e sigurt, se kjo mund të arrihet në të ardhmen e afërt.
Ky fenomen i ri do çonte gjithashtu në ndërtimin e bombave, dhe është e imagjinueshme – anise kjo më pak e sigurt – që dmth. mund të ndërtohen bomba të një lloji të ri, jashtëzakonisht të fuqishme. Një bombë e vetme e këtij lloji, e transportuar me anije dhe e shpërthyer në një port, mund ta shkatërrojë fare lehtë gjithë portin, së bashku me një pjesë të territorit përreth. Sidoqoftë, bomba të tilla mund të rezultojnë shumë të rënda për transportin ajror. |…| Unë e kuptoj që Gjermania në fakt e ka ndalur shitjen e Uraniumit nga minierat çekosllovake, të cilat i ka marrë përsipër. Fakti që Gjermania ka ndërmarrë një veprim kaq të hershëm mund të kuptohet me arsyetimin se djali i Nënsekretarit Gjerman të Shtetit, von Weizsacker, është i atashuar pranë Institutit Kaiser-Wilhelm në Berlin, ku disa nga eksperimentet amerikane me Uraniumin janë duke u ritestuar (përsëritur).
– – – Sinqerisht i Juaji (Albert Einstein) – – –

Më 19 Tetor 1939, Presidenti Roosevelt i ktheu një përgjigje duke e falënderuar, dhe duke e informuar: “më janë dukur këto të dhëna aq të rëndësishme, sa e kam mbledhur një bord për t’i hetuar mundësitë e sugjerimit tuaj plotësisht, në lidhje me elementin e Uraniumit”.

Ca muaj më vonë, më 7 Mars dhe 25 Prill 1940, Ajnshtajni i dërgoi dhe 2 letra Presidentit Roosevelt, duke i bërë thirrje për veprim sa i përket kërkimit bërthamor. Szilard madje e pati hartuar dhe një letër të 4-t për Ajnshtajnin, letër ku i kërkohej Presidentit (si zakonisht, gjoja nga Ajnshtajni) që të takohej me Szilard, për t’i diskutuar politikat rreth energjisë bërthamore. Dihet se Roosevelt pati vdekur më 12 Prill 1945, vetë s’kam mundur të vijë tek infot nëse letra e datës 25 Mars 1945 pati arritur me kohë, dhe as nëse qe lexuar nga Presidenti.

Sidoqoftë, i alarmuar që nga “letra e parë”, Presidenti Roosevelt do ta autorizonte krijimin e “Komitetit Këshillimor për Uraniumin”. Ky komitet ishte fillimi i përpjekjeve të qeverisë, i administratës së Roosevelt për zhvillimin e një bombë atomike (anise nuk qe ndjekur patjetër “politika e zhvillimit të ndonjë arme”). Ky komitet do zëvendësohej nga “Komiteti Kërkimor i Mbrojtjes Kombëtare”, dhe më pas në v. 1941 nga “Zyra e Kërkimit Shkencor dhe e Zhvillimit”. Në Qershor 1942 do fillonte programi gjithëpërfshirës për zhvillimin e atomikave i njohur si “Projekti Manhattan” – program masiv i ShBA, nën udhëheqjen e fizikanit Oppenheimer, program që i ndërtoi bombat e para atomike.

| – – – vijon me Pjesën 2 – – –

XHUBLETA ILIRO – ARBËRORE – SHQIPTARE (PJESA II)- Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

 

Nga viti 2016, xhubleta ka statusin: Kryevepra e trashëgimisë kulturore kombëtare. Xhubleta, veshje tipike dhe unikale e grave dhe e vajzave të malësisë të Shqipërisë së Veriut, është studiuar nga etnologë, albanologë, historianë, arkeologë, antropologë, sociologë vendas dhe të huaj, të cilët kanë shkruar për historinë e lashtë 4000 vjeçare, për teknikën e prodhimit të shajakut e të stofrave, për qepjen e fundit dhe anekseve të xhubletës, për zbukurimet me figura, simbole, kode dhe për mesazhet që shprehin, si dhe për stolitë e shumta shoqëruese. Ndër studiuesit shqiptarë janë shquar Zef Jubani, Bernardin Palaj, Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, Mark Tirta, Abaz Dojaka, Afërdita Onuzi, Yllka Selimi, S. Shkurti, Agim Bido, Luljeta Dano, Linda Spahiu, Aleksender Stipçeviç, Fahri Xharra, Ikbale Kalaja, Uk Xhemaj, Sokol P. Lulgjuraj, Flamur Doli, Ndue Bacaj, etj, ashtu si dhe studiues të huaj ndër të cilët Daniel Kornidez, George von Hahn, Franz Nopcsa, Rosel de Fontanes, Edith Durham, J. Dechelette, Hoernes, Wide, Evans, Vasits, Edwin E Jacques etj. Xhubleta është pasqyruar në akuarelet e vitit 1848 të piktorit anglez Edward Lear dhe në pikturat e Kol Idromenos.

Historiani, albanologu dhe ilirologu Aleksander Stipçeviç, me origjinë nga komuniteti Arbanasi i Zarës, në zbulimet dhe studimet e tij shkencore për xhubletën si veshje e lashtë të grave iliro-arbërore thekson: “Gratë ilire vishnin një tip fustani, që ishte i prerë në brez në mënyrë të tillë, që pjesa e sipërme i përshtatej trupit, ndërsa pjesa e poshtme ishte e rrudhur me formën e kumbonës. Këtë formë rrobash e mbanin hyjneshat ilire lokale, si prezantohen në monumentet e epokës të pushtimit romak si dhe gratë valltare, të paraqitura në urnat japode të Ribiqit (shekulli V – IV para Krishtit). Me rroba të tilla ishte veshur hyjnesha Diana, si është paraqitur në monedhat e mbretit ilir Ballaeus (shekulli.II para Krishtit). Kjo formë rrobe e grave ilire është ruajtur deri më sot te malësoret e Shqipërisë së veriut dhe në Kosovë (pjestarë fisesh nga Kelmendi). [Aleksandër Stipceviç. Illyrians, 1966; “The Illyrian Art, 1963; The Illyrian Cult Symbols, 1981].

Monedhe bronzi me portretin e mbretit Ballaeus,
në faqen e pasme emëri i tij Βαλλαῖος dhe hyjnesha Diana.

Franz von Nopcsa (ish konsulli i pergjithshëm i Austrohungarisë në Shkodër) i studiues i apasionuar i etno-grafisë në trevat veriore të  Shqiperisë, në vitin 1925 shkruan:“Disa forma të veshjes popullore shqiptare vijnë drejtpërdrejt nga veshja, që ka qenë në përdorim në këtë hapësirë nga koha parahistorike. Këtu në rend të parë është fjala për tipin e fustanellës e mbledhur në formën e kambanës, e quajtura xhubleta, e cila është pasqyruar në shumë monumente ilire të kohës antike, e ruajtur e pandryshuar deri në ditët tona në krahinat e Shqipërisë Veriore, mandej në zonat e fisit të Kelmendasve në Kosovë dhe shqiptaret në Mal të Zi. Xhubleta në pikpamje kostumografike, është shumë interesante, për aresye se përkon kryekëput me veshjet në formë fundi në disa terrakota të zbuluara në Kliçevec të Bosnjes dhe me objekte të tjera të ngjashme të gjetura në Mikenë dhe në Kretë (Greqi). Kjo terrakotë tregon se në të gjitha këto raste, si e theksojnë Hoernes, Wide , Evans dhe Vasits, kemi të bëjmë me një veshje në formë këmbane, e njohur në mijëvjeçari i dytë para K.” [Franz Nopzsa: Albanien. Bauten, Trachten und Gerate Nordalabneins. Berlin. De Gruyter & Co. 1925].
Akademiku Mark Tirta, thekson “Xhubleta është një veshje me zanafillë të lashtë, që vishej në Malësinë e Madhe. Kështu ka ardhur dhe dalmatika, një këmishë e gjatë, që në të njëjtën formë dhe prerje është ruajtur dhe ndër shqiptaret. [Mark Tirta, Etnologjia e Shqiptarëve,Tiranë, GEER, 2003, faqe 102].
Lashtësinë e origjinës të xhubletës e konfirmojnë me studime dinjitoze dhe Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, Afërdita Onuzi, Abaz Dojaka, Luljeta Dano, Linda Spahiu etj, etj, të cilët pa rezerva theksojnë se xhubleta është veshje tipike me origjinë nga qytetërimi minoiko – miçen, veshje e ruajtuar nga ilirët dhe arbërit.
Xhubleta, është veshje komplekse grashë dhe vajzash, me fundin e shajakut dhe veshjet e tjera plotësuese, si xhoka, jeleku, këmisha, shamija, përparsja, çorapet etj, etj, të zbukuruara me motive magjepse me karakter natyror, hyjnore dhe me simbole mitike, të shprehura me figura floreale, gjeometrike dhe atropozoomorfe. Këto elemente janë të qëndisura me penjë shumëngjyrëshe, si ka theksuar studiuesi hungarez Daniel Kornidez:
“As palloi as ylberi nuk kanë aq ngjyra, sa ka xhubleta e grave të Kelmendit”.
Karahas karakteristikave kostumografike unike, që e njësojnë si kostum me funksionet dhe me bukurinë e saj, xhubletat kanë veçori dalluese njera nga tjetra, të shprehura me variacione sipas moshës, funksionit dhe në kompozimin e zbukurimeve me penjë shumëngjyrsha, në qendisjen e figurave, të simboleve të ndryshme, në mesazhet që transmeton. Pavarësisht nga struktura standarte, xhubletat kanë veçori individuale, dallohen njëra nga tjetra, janë prodhime të personalizuara.
Etnografët, kostumografët theksojnë se xhubleta është veshje e veçantë, komplekse dhe ndër më të vështirat në punim, ndryshe nga tipat e tjera të veshjeve për vajzat dhe gratë në Shqipëri, në Ballkan dhe me gjërë. Xhubleta nuk është thjeshtë vetëm një veshje, është vepër arti.
Shajaku i përdorur për fundin e xhubletës punohet me leshin e dhenëve, i larë dhe i shkriftuar me krëhër. Shtëllunga e leshit vihet në furkë dhe tirret fija e penit me drugë (në bosht). Fijet e leshit dridhen së bashku të trasha 16 fishe. Peri që përdoret për prodhimin e shajakut ngjyroset në të zezë me gjethe arre. Gratë e thurin stofin në tezgjah me penjë në katër liqe. Shajaku i prodhuar shkelet në valanicë, pritet në shirita dhe qepen për të formuar fundin me formë këmbane kompakte dhe të valëzuar, më të shprehura në pjesën e pasme.
Fundi i xhubletës formohet nga 25 – 30 shirita shajaku (ivat), që në pjesën e fundit kanë tirk, spik, rruaza, cohë dhe tertil. Fundi është i gjatë deri poshtë nëngju. Në buzën e sipërme të fundit, mbi belin e gruas, fiksohen dy rrypat e shajakut, që shërbejnë për ta veshur në supet e gruas. Buza e poshtëme e fundit të gjitha xhubletave
të grave, punohet nga leshi me ngjyrë të bardhë, prej katër liqesh dhe quhet e poshtmja e xhubletës. Të gjitha këto proçese gruaja malësore i kryen me mjeshtri admiruese dhe me talent krijues, sidomos në realizimin e zbukurimeve, që janë galeri elementesh shumëngjyrëshe me motive floreale, gjeometrike dhe atropozomorfe, të shoqëruara me figura, simbole, kode, mesazhe të ndryshme dhe me një kompleks zbukurimesh me stoli.
Zbukurimet e xhubletës dhe të pjesëve përbërëse.
Në fundin e xhubletës, në xhokë, në jelek, në këmishën, në përparset, në brez dhe në çorapet, gratë malësore qendisin një seri figurash, simbolesh dhe kode me origjinë pagane të epokave të herëshme protoilire dhe ilire, të ruajtura besnikërisht deri në kohët tona, ndër të cilët më kryesoret janë:
Dielli – kulti i diellit, dielli Zot, dielli – jetë – begati dhe fertilitet. Dielli prezantohet në dy varjante, si disk
rruzullak ngjyrë të verdhë me rreze, si dhe në varjantin më të lashtë pagan protoilir dhe ilir me svastikën.
Svastika është simbol i periudhës neolitike (mbi 5000 vjeçare), i përdorur nga shumë popuj euroaziatik, ndër ata dhe nga ilirët, si rezulton në disa objekte arkeologjike të zbuluara në trojet tona. Në gjuhë sanskrite swastika do të thotë fat, lumturi, mirëqenie. Sipas J. Dechelette karakterizon diellin në lëvizje, ndërsa Heinrich Schliemann, i cili e zbuloi në rrënojat e Trojës, e konsideron simbol i identitetit arian. Sipas studiuesve René Guénon, Gennady Zdanovich, Reza Assasi, Giorgio de Santillana, Hertha von Dechend, Joscelyn Godwin, Peter Levenda etj, etj, svastika është simbol i lashtë, që shpreh lëvizjen në qiell të yjeve rreth polit verior, pikërisht të yjeve të Arushës së Vogël, të Arushës së Madhe dhe të konstelacionit Drago, që rrotullohen rreth polit verior qiellor (Axis Mundi). Svastika përcakton dhe pikat kardinale të katër sezoneve.
I përmenda këto opinione studiuesish për theksuar se svastika është simbol i lashtë protoilir dhe ilir, i ruajtur
në kulturën arbërore, i transmetuar i pandryshuar deri në ditët tona, i pasqyruar besnikërisht dhe mjeshtërisht nga gratë malësore shqiptare, në kompleksin e veshjeve të xhubletës.

Kompleksi i simboleve pagane ilire, i prezantuar me motivet floreale (kalli gruri), me diellin, me figura gjeometrike, me shqiponjën e stilizuar, me dragoin, me svastikën
dhe në pjesën e poshtëme kodi misterioz i pemës të fisit dhe të familjes.

Svastika e qendisur me fije argjendi, e zbukuruar me pafte të vogla në përparësen e xhubletës.

Hyjnesha Selene (1), Hyjnesha Diana me simbolin Selen (2), grua nga Gruda (3) me simbolin Selen.

Hëna – kulti selen. Është simbol vetëm femëror. Sipas mitologjisë greke, Selena hyjnesha që personifikon hënën ishte motra e Helios (Diellit) dhe e Eos (Aurora), e identifikuar me hyjneshën Artemisa, ndërsa romakët dhe ilirët u identifikonin me hyjneshën Diana – Zana, që mban mbi kokë drapërin hënor në pozicion horizontal.
Drapëri hënor i pasqyruar si element zbukurues në qendisjet e xhubletës, ashtu i përdorur si stoli, shpreh kultin selen të mbrojtjes të gruas, fertilitetin e grave, mbrojtjen dhe vazhdimësinë e jetës në brezni, shpreh begati dhe zjarrin ndriçues të jetës. Simboli selen është përdorur nga gratë shqiptare si element zbukurues në komponentet e xhubletës, por dhe si stoli e vendosur në kapuçin mbi kokë, si e ka dokumentuar mjeshtri i fotografisë Kel Marubi, në një grua të re nga Gruda, madje e ka përjetësuar në një kartolinë të herëshme, ndofta fundi i shekullit XIX. Përdorimi i hënës në zbukurimet e xhubletës dhe si stoli, shpreh kultin selen, pra nuk është simbol i kulturës turke, që si dihet e ka drapërin hënor (hënën e re) në pozicion vertikal.
Ylli – yjet. Qendisen me pesë, me gjashtë, me tetë, me shumë cepa dhe simbolizojnë dritën, energjinë, lirinë, shpresën dhe përjetësinë. Ylli apo yjet prezantohen të qendisur në zbukurimet e xhubletës dhe si komponent i
stolive, si rezulton në një paftë të brezit të xhubletës, ashtu e përdorur si stoli e varur në qafë.
Gjarpëri. Është simbol i lashtë, që shpreh mitin ilir të Kadmos dhe të Harmonisë (Kandavias). Për ilirët gjarpëri ishte simbol mitologjik totem, personifikim i mençurisë, i shëndetit, i pjellorisë, i shpirtitërve të vdekurve dhe mbrojtës i vatrës familjare. Në zbulimet e shumta arkeologjike të vendbanimeve ilire, janë gjetur objekte të shumtë me figurat e gjarpërit. Në xhubletë gjarpëri prezantohet dhe në formën e dragoit.
Shqiponja. Është simbol hyjnor iliro – arbëror, që shpreh fuqi, fitore, fisnikëri dhe madhështi. Në xhubletë dhe anekset e saj, shqiponja qëndiset e stilizuar me penjë ngjyrë të verdhë, ndërsa si stoli në filigranë argjendi, ose ari, prodhohet nga artizanë të kualifikuar dhe mbahet në gjoks. Artizanët prodhonin dhe vathë me shqiponjë dykrenëshe.

(1) Pafta e brezit të xhubletës, në qendër shqiponja dy krenëshe, me yllin me pesë cepa dhe katër pëllumba. (2) Shqiponja, prodhim në filigranë me fije argjendi, zbukuruar me gurë ngjyrë të kuqe dhe të gjelbër.
(3) pafta e vendosur mbi kokë, nën shami, e prodhuar në filigranë me motive floreale, me në qendër simbolin
selen dhe diellin, e zbukuruar me gurë ngjyrë të kuqe dhe të gjelbër.

Dragoi. Është figurë mitike – legjendare, i pranishëm në xhubletat e grave në dy varjante, në formën Viverna – dragoi i maleve dhe në varjantin e hidrës – dragoi me shumë koka. Në të dy varjantet dragoi është element me fuqi magjike, i mbron gratë duke i larguar të këqiat, sëmundjet, fatkeqësitë. Dragoi qendiset në fundin e xhubletës dhe në përparëse, së bashku me motive të tjera floreale dhe me simbole gjeometrike. Në shumicën e xhubletave dragoi qëndiset si komponent i kodit të familjes, pra si elementi mbrojtës i familjes dhe i fisit.
Kodi i fisit dhe i familjes. Në zbukurimet e xhubletës integrohet dhe pema e fisit dhe e familjes, një kod misterioz i trashëguar nga lashtësia, i pasqyruar me simbole të ndryshme floreale, gjeografike dhe antropo-zoomorfe, ndër të cilët mbizotëron shqiponja, e shoqëruar me dragoin dhe svastikën. Kodi i fisit dhe i familjes është enigmatik, i prezantuar me simbole të ndryshëm, kuptimin e të cilave e di vetëm malësorja që i ka punuar në xhubletë, andaj është tepër i vështirë të interpretohet. Shpesh këto simbole ngjasojnë me grafema dhe me numëra, ndofta shprehin numërin e pjestarëve të fisit, ose të familjes, ndofta moshën e të parit të fisit, ose të kryefamiljarit. Në qendër të këtij kodi vendoset shqiponja e stilizuar dhe në të dy anët qendisen simbolet e kodit, të kufizuara nga svastika dhe dragoi mbrojtës. Ky kod prezantohet në dy pjesë, si imazhe të përmbysura në pasqyrë.
Figurat floreale, gjeometrike dhe antropozoomorfe. Gratë malësore, fundin e xhubletës, e zbukurojnë duke shtuar figura floreale, si zambak, lule dhensh, gjethe dushku, meandra (lule me kërcell gjarpëruese), kalli gruri etj. Elementet zbukurues janë dhe figurat gjeometrike (rrathët, trekëndëshat, kuadratet, rombet, motivet lineare dhe zig-zage etj); figurat antropomorfe (stilizim i njeriut) dhe figura zoomorfe (shqiponja, pëllumbi, gjarpëri, dragoi, flutura, bleta etj). I gjithë ky kompleks figurash, motivesh dhe simbolesh, qëndisen me penjë me spektër shumëngjyrësh si me penjë ngjyrë të kuqe (shpreh energji, vitalitet, kurajo, entusiazëm), shumica e luleve qëndisen me penjë ngjyrë të verdhë (simbolizon hyjnoren, shpresën, optimizmin), të tjerat me ngjyrë rozë (simbol i shpresës, i vajzërisë), të gjelbër (harmoni, ekuilibër), blu (qetësi, paqe); ngjyrë lejla aristokratike, e cila shpreh edhe mistere e magji; ngjyrë të bardhë (shpreh pastërtinë, lealitetin dhe virgjërinë e vajzave, andaj në xhubletat e vajzave mbizotëron ngjyra e bardhë). Në xhubletë mbizoteron ngjyra e zezë e fundit, e xhokës, e përparëses, e gunës, e brezit, e çorapeve etj. Ngjyra e zezë, krahas mistereve të territ dhe të panjohurës, shpreh elegancë, autoritet, seriozitet, prestigj, pavarësi, energji të brendëshme, siguri dhe impulse krijuese.
Në zbukurimin e xhubletës, sidomos në formimin e figurave gjeometrike, përdoren edhe rruazat shumë ngjyrëshe, paftet metalike me përmasa të ndryshme, shpesh dhe prodhime bronxi, tunxhi, argjendi e më rrallë prodhime ari. Sfondi i zi i xhubletës dhe i anekseve kompletohet me këtë kompleks elementesh shumëngjyrash, kësisoj realizohet veshja unikale iliro – arbërore – shqiptare me bukuri të rrallë magjepse, një vepër arti, që bashkëshoqëron bukurinë natyrale të vajzave dhe grave malësore.
Këmisha. Është veshje e brendëshme, përgjithësisht pëlhurë e bardhë, ose mëndafsh me ngjyra, e qepur nga gratë malësore. Për këmishën nevojiten 2 m pëlhurë. Këmisha përbëhet nga trupi, mangët, jaka e lartë, shpina, parmzat (pjesa e përparme). Jaka dhe parmëza e këmishës zbukurohen me motive lineare, ose zig-zage, të qendisur me penjë me ngjyra të kuqe, blu, të gjelbër, në disa raste zbukurohen me rruaza. Këmisha është e gjatë deri nën bel dhe fundi i saj nuk zbukurohet, pasi mbulohet nga fundi i xhubletës.
Kraholi. Punohet nga coha me ngjyra të ndryshme si e kaltër, e kuqe, e gjelbër. Kraholi ka mangët e gjata dhe grykë pak sa të hapur. Në grykë ka qafetën e kraholit, e punuar me rruaza të vogla dhe me rruaza të gjata. Përbëhet prej makave, grykës, qafetave, pasgrushtave, parmzës dhe shpinëzës. Ka një gjatësi gjer në bel.
Mallota. Është sako kadifeje dhe përbëhet nga shpina, dy parmzat, makat, pasgrushtat, xhepat, qafeta dhe brezi i gjatë me gjerësi mbi 5 cm, që lidhet në vend të rripit dhe është i së njëjtës ngjyrë me mallotën.
Grykcia. Është prej kadife me ngjyra të ndryshme. Në pjesën e përparme në mes, grykcia ka një pjesë të zbukuruar që quhet ”pafti i grykcës”, i punuar me fije argjendi. Pafti është pjesë dekorative, sfondi i të cilit mbushet me motive floreale të punuar me grep, ndërsa sinoret mbyllen me motive gjeometrike. Përmasat e kësaj pjese përafërsisht janë 40 x 40 cm, me grykë të hapur vezake, që zbret gjer në gjysmën e grykcës.

Zbukurimet e brezit me qendisje figurash floreale, gjeometrike dhe antropomorfe të stilizuara.

Brezi. Në varësi të përmasave trupore të gruas, prodhohet dhe brezi i xhubletës, i cili ka gjërësi të ndryshme, më i ngushti 5 cm dhe me i gjëri deri 20 cm, i zbukuruar me motive floreale të qendisura me penjë ngjyrë të
verdhë. Në brez varen viercat e peshtjellakut, bashkë me disa zbukurime të tjera si vargjet metalike.
Xhubleta e vajzave nuk ka brez, sepse sipas traditës brezi ishte atribut vetëm i grave të martuara.
Xhoka. Është veshje e pjesës së sipërme, e përshtatur formës të bustit të grave dhe vajzave, që rri lirshëm, por e ngrirë dhe pa shumë palosje. Xhoka qepet me copa stofi të zi për gratë dhe stof i bardhë për vajzat. Në pjesën e poshtme mblidhet me pala të dendura dhe me estetikë, për t’ia përshtatur perimetrit të belit të gruas apo të vajzës, një proçedurë teknike e vështirë, por e realizuar me mjeshtëri të admirueshme nga gratë malësore duararta. Dy buzët e pjesës së përparëshme të xhokës zbukurohen me qendisje motivesh gjeometrike dhe floreale, përgjithësisht me ngjyrë të verdha dhe shpesh vendosen pafta metalike. Në supet e xhokës vendosen thekë të shumtë e të gjatë, shpesh me ngjyrë të kuqe, por edhe të verdhë e në raste të rralla ngjyrë e zezë, që varen me hijeshi anash krahëve.
Përparësja (Pështjellaku i parë, boçja). Prodhohet me gjërësi 30 – 40 cm dhe gjatësi 80 – 100 cm, e ndarë në pesë pjesë nga materiali i cohës, kurse pjesa e shtrojës është punuar me tirk. Tirku punohet nga penjë leshi në tymen, i përzier, i tjerrë në bosht dhe i thurur në tezgjah, pastaj i rrahur dhe i forcuar në valanicë. Pafti i pështjellakut plotësohet me fije argjendi. Sfondi i paftit ndahet në tre pjesë të barabarta, që përfundojnë si lart dhe poshtë me motivin me formë të dhëmbëzuar, me vija zig-zage, e cila në pjesën e ngjitur me sfondin e përmbyll formën e trekëndëshave. Në pjesën e poshtme, aty ku përfundon sfondi, qendiset një motiv dekorativ në formë të një meandri (lule me kërcell gjarpërues), që zë pozitë horizontale dhe quhet leqe. Secila pjesë e paftit është e zbukuruar me rruaza me motive lulesh shumëngjyrëshe. Qëndisjet dhe thurjet e motiveve floreale dhe gjeometrike janë realizuar me 12 – 20 lloje ngjyrash, me mbizotërim i të verdhës dhe të kuqes. Në fundin e përparëses varen thekët me gjatësi dhe me ngjyra të ndryshme. Përparsja vishet në pjesën e përparme mbi fundin e xhubletës. Përparëset janë me shumë variacione dhe mund të jenë të thjeshta ngjyrë të zezë ashtu si prodhohen në tezgjah (4), mund të plotësohen me zbukurime të floreale dhe me figura zoomorfe, me në qendër shqiponjën (2), ose me figura gjeometrike lineare horizontale dhe vertikale (1), ashtu si plotësohet me qendisje komplekse floreale, gjeometrike dhe antropozzomorfe me shumë ngjyra.

Përparsja me motive të qendisura me penjë me 15 ngjyra të ndryshme dhe me rruaza.

Xhubleta e veshur nga gratë në Grudë (1), Kelmendi (2), Shala (3), Shkreli (4).

At Bernardin Palaj në një studim të tij me titull “Veshja dhe zejtaria ndër male, botim i vitit 1943, në Bota shqiptare dhe në vitin 1944 në “Hylli i Dritës”, ndër të tjera shkruan: “Në shkosh në festë ndër malet e veriut të Shqipnisë, ke me u çuditë për ndryshimin e madh, që ka trajta e petkut që veshin granitë e Malësisë së Madhe, të Mirditës, Zadrimës, Pukës, Dukagjinit. Në katundet e Malësisë së Madhe bjen në sy Xhubleta në trajtë kumone, ndërsa në Dukagjin trajta e saj është më e përmbledhët. Zadrimorja e ka ruejtë koretin e vjetër; mirditorja djahengun (dallamë e leshtë e bardhë e punueme me spik e gajtana që veshin mirditoret) dhe stravecat (petk i vogël punue me tufa për me shtërngue dallmen në ije), ndersa kosovarja paranikët, bohçe që vihet perpara e mund të jetë leshi, ose pëlhure, e punueme për bukuri. Puna e dorës per gratë e maleve ma me rëndësi është xhubleta”.
Shamia. Në kokë gratë dhe vajzat mbajnë shaminë – rizen – rubën me thekë. Sipër saj vihet ”ruba rretit”, e cila punohet me penjë rroxet me grepa, zakonisht me motive floreale – lule të ndryshme që rriten në truallin e malësisë. Shamia mbulon pjesën e pasme të kokës, duke i lënë të dukëshme flokët në pjesën e përparme që thuren kaçurrela, ndërsa prapa lëshohen lirshëm. Ruba lidhej mbi gjysmën e prapme të kokës.
Kur vajza fejohej, qepte në xhubletë nje ”tentene” të punuar me grep nga peri i zi me motive gjeometrike, si shenjë që simbolizon dhe bën publike fejesën e saj.
Çorapet. Zakonisht punoheshin nga coha dhe tirku, por kanë dhe spik. Meqë kanë trashësi të dukshme dhe paraqesin vështirësi në të mbathur, iu bëhet një prerje për së gjati, që mbërthimi i tyre deri te shputa të bëhet me kamca. Çorapet zbukurohen me rruaza dhe tertil (fije teli). Këputa është punuar me penjë leshi me shtiza dhe përbëhet prej dy pjesëve, thembrës dhe këputës. Vajzat mbathnin çorapet të zeza deri mbi kyçin e këmbëve, ndërsa pjesa e sipërm është e bardha. Ky kombinim i të zezës me ta bardhën në thurjen me shtiza të çorapeve të vajzave, është komponent që shoqëron xhubletën e vajzave me spik të zi dhe rena të bardha.
Opingat. Punohen nga burrat me lëkurë të regjur gjedhi, të thuruna me ”përcageza” (shirita të hollë të prodhuara me lëkure dhije, të përdredhura në formë kordoni të hollë, me të cilët mblidhet qarku i opingës). Kishte edhe opinga nga ”saftjani”, por pjesën e fundme e kishin me lëkurë lope.

Kompleksi i stolive që shoqërojnë kostumin hirosh të xhubletës
dhe që plotësojnë bukurinë natyrale të grave shqiptare.

Stolitë. Në kompleksin e veshjeve me xhubletë janë edhe stolitë e shumta, të cilat shprehin nivelin ekonomuk të familjes. Ne disa veshje këto zbukurime mungojnë, ndërsa në shumicën e rastev janë varëse ari, ose argjendi, ose bakri, bronxi, tunxhi etj, vihen gjerdanë me rruaza, pafta të vogla filigrane, shirita me fije ari dhe fije argjendi, byzylykë të tipave të ndryshëm, shogëza në vend të rrypit të mezit, që në bashkësinë e tyre në kostumin hirosh të xhubletës, plotësojnë bukurinë natyrale të vajzave dhe grave shqiptare.
Kësisoj e kombinuar, xhubleta përfaqëson një institucion të lashtë të kulturës matriarkale, trashëgim i jetës dhe i kulturës materiale protoilire – ilire – arbërore, që ka mbijetuar denjësisht dhe ka arrijt deri në ditët tona me bukurinë dhe vlerat e saj historike, kulturore, estetike dhe etnografike shqiptare.
Xhubleta si komponent i kostumografisë tonë kombëtare, të mahnit me vlerën e materialeve të përdorura si ari, argjendi, mëndafshi, shajaku dhe kadifja, e cila njihej në të gjithë europën si veshje vetëm e aristokratëve, por që gjendet në të gjitha objektet tona etnografike.
Më të çuditshme se aspektet materiale, janë teknikat e punimit të xhubletëve, që dëshmojnë lashtësinë 4000 vjeçare, pra si veshje me komponente arkaike, por me sofistikim të frikshëm në kuptimin estetik, kulturor dhe etnografik, duke e sjellë antikitetin si postmodernizëm të pasuruar me figura simbolike dhe kode enigmatike.
Xhubleta është kryevepra e kostumografisë iliro – arbërore – shqiptare, ështe vepër arti, është histori, është
kulturë shekullore, është traditë, është mit, është sofistikim estetik me zbukurime dhe qendisje floreale dhe gjeometrike me plot mistere të lashta pagane, me simbole antropozoomorfe dhe mistike, është vlerë materiale dhe shoqërore, është punim origjinal shqiptar unikal.
Që prej vitit 2022, xhubleta është përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO, në pritje të miratohet dhe të shpallet publikisht.

VLORA DHE HOLOKAUSTI Holokausti nazist, historia shqiptare e Holokaustit dhe Ditari i Ana Frankut- Nga Albert HABAZAJ

 

Paraqitje e përshpirtjes dhe veprimtarisë historiko – kulturore “Vlora dhe Holokausti”
Më datën 27 janar 2024, Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora” së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve e Artistëve “Petro Marko”, në ambientet e muzeut “Kosova” në Vlorë organizuan takimin përkujtimor në lidhje me ditën ndërkombëtare të viktimave të Holokaustit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, dr. Bujar Leskaj, theksoi rëndësinë e përkujtimit të kësaj dite dhe renditi disa nga arsyet përse Vlora duhet ta kujtojë Holokaustin (shkrimi i plotë është publikuar në faqen e tij të Facebook dhe në web: www.bujarleskaj.com).
Studiuesi dhe poeti Albert Habazaj, Kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, organizator i këtij takimi, foli mbi historinë shqiptare të Holokoaustit dhe Ditarin e Anna Frankut, si dhe për temën e Holokaustit në letërsinë tonë. Sipas tij “Temën e Holokaustit e kanë trajtuar shumë nga autorët vlonjatë”.
Në këtë takim u lexua fjala përshëndetëse e Dr. Anna Kohen, “Qytetare Nderi e Vlorës” nga poetja dhe përkthyesja vlonjate Laureta Petoshati, e cila moderoi takimin dhe ishte bashkorganizatore e tij.
Profesor Spiro Caushi, “Qytetar Nderi i Vlorës”, foli për jetesën e tij mes komunitetit hebre të Vlorës dhe lexoi përshëndetjen e poetit dhe shkrimtarit hebre të komunitetit të Vlorës, Jakov Solomon.
Poetja Anila Toto foli mbi përjetimet e pasojave të Holokaustit dhe krimeve naziste në disa familje vlonjate.
Kompozitori Aulon Naçi, foli mbi muzikën makabër gjatë ekzekutive në kampet e përqëndrimit.
Poetja Alma Ferruni përshëndeti me një poezi të saj kushtuar Anna Frankut dhe mesazhit që përcolli ajo në botën mbarë, ndërsa poetja Lulëzime Malaj foli mbi përjetimet mbi leximet nga shkrime të të mbijetuarve të Holokaustit.
27 Janari – Dita Ndërkombëtare e Holokaustit
Në kujtim të 27 Janarit, që në Europë dhe në Botë është Dita Përkujtimore e Holokaustit dhe nga OKB nderohet si dita ndërkombëtare Holokaustit nga OKB Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora” drejtuar nga dr. Bujar Leskaj, si dhe së bashku me intelektualë të qytetit tonë, më datën 27.01.2024, ditën e shtunë, ora 18:00, në zonën e Vlorës historike, në rrugën “Justin Godard”  në mjediset e Muzeut “Kosova” organizuan veprimtarinë historiko – kulturore “Vlora dhe Holokausti” nën kujdesin e bujarit të kulturës dhe historisë, deputetit Bujar Leskaj.
Nga shoqëria jonë letraro – kulturore, në këtë veprimtari u paraqitën kumtesa, vepra letrare, poezi dhe histori njerëzore mbi Holokaustin dhe Kampet e Përqendrimit Nazist. Gjenocidi kundër popullit hebre dhe të tjerëve është regjistruar në arkivat e historisë botërore ndër më tragjikët në Europë e prandaj edhe ne këtu në Muzeun “Kosova” në Vlorë, çdo 27 janar e përkujtojmë me dhembje e trishtim Holokaustin e asaj katastrofe shfarosëse.
Personalisht, kam shkruar dhe botuar disa herë tek gazeta “Telegraf” për dëshmorët shqiptarë të Mat’hauzenit, si dhe për gjenocidin nazist me famëkeqin Holokaust jo vetëm ndaj hebrenjve, por edhe shumë qytetarë të tjerë të botës, njerëz të pafajshëm. Ata pak që shpëtuan nuk na lanë shënime, as ditar, si vogëlushja legjendare Ana Otto Franku, e cila e filloi ditarin epokal të premten e 12 qershorit 1942 dhe e la në mes të martën e 1 gushtit 1944… Pse e përmenda këtë fakt? Sepse ne shqiptarët, ne vlonjatët kemi një trashëgimi fatkeqe shkrimore; ata që ishin atje në Mat’hauzen, Aushvic a kampeve të tjera të tmerrshme të përqëndrimit u bënë sapun a nuk dihet ç’u bë me ta, ata pak që u kthyen nuk na lanë ditar si Ana Franku, por kujtoj vetëm ca vargje të xha Xhebros, që këndonte me vaj e ligjërime atë realitet famëkeq te Zoti: ndër të tjera vjershëtori popullor dhe patriot thekson: “Këtë vjershë kush e ka shkruar?/ Xhebro Gjika nga Tërbaçi/ që ka qenë i internuar në kampet e Beligradit/ Çuditem, si kam shpëtuar/ m’u si nga thonjtë e lugatit…”
Ditari i Ana Frankut (Anne Frank)
Përse po e kujtoj sot telegrafisht ditarin e Ana Frankut? Kjo dëshmore emblematike e Holokaustit, kjo vajzë izraelito-holandeze me ideale të larta humane (12 qershor 1929-… mars 1945), edhe pse pati fat tragjik e nde paçelur na la një dokument historik me vlera njohëse të jashtëzakonshme në formën e një ditari. Por vlera e “Ditarit të Ana Frankut” nuk është vetëm njohëse, nuk qëndron vetëm në pasqyrimin e tragjizmit të fatit të viktimave të nazizmit – dëshmorë të jetës. Në këtë libër të vogël, (sipas botimit të dytë në Tiranë, 1976, përkthyer nga i panjohuri i madh Pertef Kruja, 259 faqe), fshihen vlera të mëdha ideore, meditative dhe artistike. Në libër vërejmë edhe një fillim shumë të kujdesshëm drejt shkrimtarisë të një vajze të re në periudhën e formimit të personalitetit të saj. Asaj, në gonxhe të jetës, i mungoi ushqimi, ajri, drita, liria. Në disa pjesë të ditarit, ajo përpiqet për të shkruar me një ton më letrar, nis komunikimin shkrimor me një person imagjinar, (shoqja e saj Kiti) të cilës i tregon rreth një subjekti intim e krijon një lloj mjedisi letrar për të shkruar. Dimë që prindërit e Anës Otto dhe Edit Frank, ishin hebrenj që emigruan në Holandë në vitin 1942. Libri i Anës është një ditar personal, i cili në faqet e tij shpreh te gjithë ndjenjat dhe ndodhitë e një vajze trembëdhjetvjeçare dhe familjes së saj me prejardhje hebre. Në ditar vërshojnë ndjenjat e zjarrta dhe mendimet e shqetësuara: dashuria për jetën, për të bukurën, etja për të punuar e për të krijuar, dhembja për një jetë që s’është jetë, urrejtja për ata që u kanë mohuar jetën miliona njerëzve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ashtu si dhe shumë familjeve të tjera me prejardhje hebreje edhe familja Frank u prek nga Ligjet Anti-Hebraike. Ata vuajtën në kampe përqëndrimi ligjin barbar që u mohonte çdo të drejtë jetese dhe ushtronte mbi ta vetëm dhunë dhe tortura nga më të ndryshmet. Ky ditarë ka vlera të paçmueshme politike dhe sociale. Dënon ideologjitë politike kriminale dhe regjimin nazist të Adolf Hitlerit. Tema e librit është trajtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Hebrenjtë nën trysninë e ligjeve Anti-Hebraike. Nuk ka shumë personazhe kryesorë, tetë janë të gjithë: Petronela (Augusta), Hans (Hermani), Alfred Van Dan (Peteri), Albert Dusel (Fritz Pfeffer) Zonja Van Dan, Oto Frank, Margoja, Anne Frank. Përmbajtja e librit, shkurtimisht është kjo: Më 1940 Gjermania naziste pushtoi Holandën dhe filloi menjëherë zbatimin e ligjeve anti-hebraike. Babai i Ana Frankut, Otto, i frikësuar për familjen e tij me prejardhje hebraike , ra në ujdi me bashkëpunëtorët e biznesit të tij për ta vazhduar punën në një vend të fshehtë, derisa të përfundonte lufta. Ata shpresonin se lufta do të përfundonte shpejt, por nuk ndodhi ashtu. Iu desh të qëndronin për më shumë se dy vjet radhazi në strehimin sekret. Disa muaj përpara se familja Frank të fillonte të fshihej, Anës i dhuruan për ditëlindje një ditar. Në strehimore, ku qenë fshehur, Anne Frank filloi të shkruante në ditarin e saj që në moshën trembëdhjetëvjeçare, nga 12 qershori i vitit 1942 deri më 1 gusht 1944. Në të vërtetë, ajo nuk kishte ndonjë mik të afërt me të cilin mund të fliste, ndaj në ditarin e saj i shkruan për të gjitha përjetimet e veta një shoqeje imagjinare, me emrin Kiti. Këto shënime, ku ajo nxirrte dufin e atyre ditëve të zymta dhe të rënda, ishin shkruar vetëm për Anën, deri ne momentin kur u botua. Në këtë ditarë ajo shprehu të gjithë mendimet dhe kritikat e saj për kohën në të cilën jetoi. Shkruante në të gjithçka që i ndodhte asaj dhe familjes. Askush nuk e di saktësisht se si ndodhi që pas dy vjet e gjysmë strehimi, dikush u tregoi nazistëve për vendndodhjen e familjes Frank. Nazistët shkuan në vendin ku gjendeshin Frankët, i morën dhe i dërguan në një kamp përqendrimi. Vetëm babai i Anës fshehurazi shpëtoi kurse Ana dhe familja saj vdiqën. Këto shënime, ku ajo nxirrte dufin e atyre ditëve të zymta dhe të rënda, ishin shkruar vetëm për Anën, deri në pranverën e vitit e 1944-ësh, kur Bolkenshtajni, atëherë ministër i Arsimit në mërgim, tha në Radio Orinxh se të gjitha dëshmitë e vuajtjeve të popullit holandez gjatë pushtimit gjerman, do të mblidheshin dhe do të botoheshin pas mbarimit të luftës. Mes të tjerash, ai përmendi dhe ditaret. E frymëzuar nga kjo ligjëratë, Ana Franku vendosi që pas luftës të botonte një libër të bazuar në ditarin e saj. Kështu nisi të rikopjojë dhe korrigjojë tekstin, e përmirësoi, hoqi pjesët që iu dukën më pak interesante dhe shtoi të tjera në bazë të asaj që i kujtohej. Ndërkaq, e ruajti kopjen e parë, që në botimin kritik të plotë, i cili doli në qarkullim në vitin 1986, u quajt varianti A për ta dalluar nga varianti B, që është teksti i korrigjuar. Shënimi i fundit është bërënë datë 1 gusht 1944. Më 8 gusht, tetë klandestinët, u kapën nga Policia e Gjelbër. Meip Geis (mikeshë e familjes Franku) dhe Bep Voskili i vunë në vend të sigurt ditaret që ditën kur ndodhi arrestimi. Mipi i rujati në zyrën e saj për t’ia dorëzuar, pa i shfletuar më parë, babait të Anës, Otto H. Frankt, kur u mor vesh që Ana nuk jetonte më. Pas përjetimesh të gjata, Otto Franku vendosi të respektojë dëshirën e së bijës dhe ta botojë ditarin në formën e një libri në vitin 1947. Libri k anjë jehonë të madhe, saqë edhe pse kohët rrjedhin shpejt, kujtesa e hidhur e Holokaustit nuk plaket, ajo është e gjallë dhe kërkon syçeltësi. Ditari i Ana Frankut dhe historia shqiptare e Holokaustit pas 80 e ca vjetësh flet shumë. Ndoshta për gjendjen që mbart dhe mesazhet që përcjell është përkthyer në rreth 75 gjuhë deri sot. Ne nuk kemi histori të shkruar për këtë tragjedi apokaliptike. Ky realitet nuk është thjesht trishtim, por humbje e disa fletëve të rëndësihme të historisë sonë.
Vlora dhe hebrenjtë e “saj”
Meqenëse kemi patur mundësinë e njohjes së disa familjeve vlonjate, që ndihmuan hebrejtë gjatë asaj lufte të pashembullt gjakatare, po sjellim në këtë veprimtari historiko-kulturore fragmente grimcëzash humane nga historia e këtyre njerëzve. Ndoshta shprehemi sadopak mbi kontributin e Shqipërisë europiane në funksion të lirisë, me krahët e përmasave humane universale.
Në Shqipëri e dinë që Vlora është një nga ato qytete, ku Hebrenjtë gjetën përkrahje e strehë gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB). Në Vlorë, prej shekujsh ka jetuar një komunitet i konsoliduar hebrejsh, ndërsa gjatë LDB, asnjë prej tyre nuk u dorëzua tek nazistët e Hitlerit, pasi qytetarët vlonjatë u kujdesën për ta,e siç thotë një fjalë e urtë shqiptare, “i fshehu nën gjuhë”, që të mos i kapte armiku. Për t’u futur sadopak në situatë të lëndës që po trajtojmë mund të shprehemi, se gjatë pushtimit të Granadës, Ferdinandi i Napolit përzuri nga territoret e reja, nga Kastilja, hebrejtë sefaradi, të cilët emigruan drejt Ballkanit. Në këtë periudhë, ose më saktësisht në vitin 1526, Vlora u shndërrua në një destinacion kryesor për hebrenjtë sefaradi. Nga 5000 banorë që kishte qyteti në atë kohë, 3600 ishin hebrej dhe për këtë arsye, Vlora është përfshirë në Enciklopedinë Hebreje, mes 13 qyteteve të tjera botërore. Ka një cilësim biblik dhe kuranor për popullin izraelit, që ne e shikojmë në kufijtë e legjendës. Në rrafshin e përafërsive gjeografike e antropologjike, çifutët i përkasin të asaj popullate e rrace të emërtuar arabike. Për ata ende qarkullon legjenda e “popullit të mallkuar”, që, gjithsesi, antropologjikisht nuk qëndron, sepse nuk mund të themi “popull i keq” apo “popull i mirë”, por, “njeri i keq” ose “njeri i mirë”. Ana tjetër që na shtyn të thellohemi në këtë punim, është se përse Hitleri realizoi atë platformë famëkeqe ndaj një popullate nga më emigrantet në botë, pothuaj përherë në lëvizje, ndaj të cilëve qarkullon opinion si të ditur, të pasur e të djallëzuar.
Interesantë janë faktet që vijnë mbi praninë  e vazhdueshme të hebrenjve në qytetin e Vlorës, një nyjë nevralgjike e këtyre shtegtimeve sa me të drejtë besohet “se në një shesh të vogël në rrugën Ceno Sharra kishte pas qenë një sinagogë” e pajisur me Libra të Shenjtë të shkruar në hebraisht, madje në një burim shënohet, se “Bashkësia hebraike e Janinës, që tani zyrtarisht i përket Greqisë, pjesë e Shqipërisë, ka një Sefer Tora shumë të vjetër që i përket sinagogës së Vlorës, rreth 500 vjet më parë…”, gjë të cilën e konfirmon dhe Enciklopedia e Përgjithshme Hebraike, duke njoftuar praninë e hebrenjve në Vlorë rreth 500 vjet më parë, ku natyrisht ka pasur një mjedis komunikues madje miqësor me popullsinë vendase, duke shkëmbyer miqësi dhe bashkëpunim të ndërsjellë.
Studime të shumta njoftojnë një lëvizje të vazhdueshme të grupe të caktuara hebrenjsh, të cilët siç njihen në traditën e tyre të shtegtimit dhe të krijimit të jetesës në vende dhe me popuj që mund të bashkëpunojnë, e reflektojnë në këto këndvështrime historike dhe burime të rëndësishme Vlorën dhe bregdetin shqiptar një vend të lakmueshëm, ndërsa popullsisë e tyre një popullsi të hershme me fizionomi sociale të formuar dhe të qëndrueshme. Kronika e Vlorës, si e tillë është shumë e pasur me historinë e shtegtimit të hebrenjve në qytetin  lashtë të Vlorës, por edhe të rrethinave përreth, jo vetëm në kohët e hershme, kur hebrenjtë nuk përndiqeshin, por edhe më vonë, kur ata Lufta e Dytë Botërore i vuri në shënjestër për t’i zhdukur nga faqja e dheut.
Gjatë kësaj kohe, jo vetëm nga burimet shkrimore, por edhe të qytetarëve të Vlorës të shumta janë familjet vlonjate që u erdhën në ndihmë familjeve hebreje që në momentet e para ku heretizmi nazist u shfaq në të gjithë Evropën kundër tyre. Në kujtesën qytetase përmenden ende Muhedin Haxhiu (djali i Osman Haxhiut), një familje me tradita të njohura patriotike dhe atdhetare, kryetar i Bashkisë së Vlorës, i cili bashkë me Qemal Xhuherin  i pajisën çifutët me pasaporta, ku shënohej emri i tyre si myslimanë apo i krishterë, siç ishin Matheo Josefi, Mateo Matathia, Pepe Levin, Nesim Levin; rastin kur Shqipërinë e pushtuan nazistët gjermanë, në ditët e Betejës së Drashovicës, në shtatorin e vitit 1943, Fronti Antifashist Nacional – Çlirimtar i këshilloi hebrenjtë të largoheshin nga Vora dhe të strehoheshin në fshatrat Trevllazën, Babicë, Llakatund, Lubonjë Nartë, madje dhe në Bashaj e Vermik.
Në këtë situatë tragjike për hebrenjtë kudo ku ata ishin, populli i Vlorës iu kthye në mbrojtje jetës së tyre. Familja e Jakov Solomonit u strehua te Kasëm Koçerri në Vermik, duke i siguruar jetën. Vajza e tij, Zhaneta, u vesh me çitjane, djali, Miosi, u vesh me rroba fshati dhe me qylaf. Ndërsa mësuesi Nuro Hoxha nga Tërbaçi strehoi familjen e Ilia Solomonit si dhe ata të Moise dhe Elizar Negrinit. Vite më parë mësuesi im Zaim Nuro Hoxha, (i cili ishte dhe kushëri i babait tim Rexhep Abazi, mësuesit tim kujdestar e dritë bëfshin të dy), më ka treguar shumë ngjarje dhe episode të babait të tij dhe qytetarëve të tjerë autoktonë dhe fisnikë të Vlorës, që kanë mbajtur qëndrime të virtytshme ndaj atyre hebrenjve të rrezikuar në atë kohë të zezë pushtimi. Nuro Ahmeti ka qenë ndërkohë edhe një nga 10 mësuesit e parë të Tërbaçit në kohën e ndritshme të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës me Plakun e Bardhë të Flamurit Ismail Qemali dhe ministër Arsimi Viganin liberator Luigj Gurakuqi. Ilia Solomoni u arrestua nga nazistët, por ai u shpëtua nga vlonjatët, ashtu siç Qamil Xhyheri shpëtoi nga nazistët Vitori dhe Eftimi Jakool, Jose Jakool, kurse familja Kohen u strehua në Trevllazër,  te familja Lazaj, një histori e cila zë një vend të rëndësishëm edhe në një libër të rrallë me kujtime nga një vajzë hebreje, lindur dhe rritur në qytetin e Vlorës. Edhe në kohën e luftës, edhe më vonë Vlonjatët janë rritur me hebrenjtë si vëllezër, sepse ata ishin një komunitet i nderuar dhe i kulturuar, të shoqërueshëm, zanatçinj, nikoqirë, po aq dhe me profesione që kërkonin dituri dhe përvojë. Populli vlonjat ka treguar cilësitë më të mira njerëzore si besën dhe humanizmin në kohë aq të vështira, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të familjve të tyre për të shpëtuar jetën e të tjerëve (në rastin konkret të komunitetit izraelit të Vlorës). Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë të reflektojmë dhe të mos zhvishemi nga këto virtyte të vlonjatëve, një këtyre njerëzve të shkëlqyer të Vlorës së bukur; sepse sot më shumë se kurrë shoqëria shqiptare ka nevojë për dashuri dhe altruizëm.
U bë nderimi shtetëror i dëshmorëve vlonjatë të Mat’hauzenit, por i paplotë
Bazuar në ligjin nr. 109/2018 “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi: Kreu I, neni 4 “Familje e Dëshmorit të atdheut është familja që i ka dhënë Shqipërisë një apo më shumë persona të shpallur “Dëshmor i atdheut”. Kreu II, neni 5 thotë: “Dëshmorë të atdheut shpallen ose u njihet stausi, si i tillë…[pika] dh) Shtetasit shqiptarë, të cilët janë ekzekutuar apo kanë vdekur në burgjet dhe kampet nazifashiste të përqëndrimit apo kanë vdekur si pasojë e plagëve apo sëmundjeve të ndryshme të marra në këto vende deri më 9 maj 1945”. Me rastin e 75 vjetorit të Çlirimit të ish-kampit të përqëndrimit Mat’hauzen, në Vlorë, u ngrit Memoriali i Kujtesës së Dëshmorëve të Mat’hauzenit përkarshi bashkisë së qytetit të Vlorës, atje ku në vitet e LANÇ ishte burgu, nga i nisën drejt kampit të përqendrimit Mat’hauzen djemtë e Vlorës pas fushatës së arrestimeve nga nazistët dhe kolaboracionistët e tyre spiunë e lakej. Ky monument nderimi, edhe pse i vendosur jo atje duhet, ndoshta nuk do të ishte realizuar pa fjalën e urtë e të peshuar të shkrimtarit Andrea Petromilo, pa punën në bllok të pasardhësve të atyre dëshmorëve, Gerion Gunbardhi, Kujtim Memaj, Denada Babe, Gudar Toto, Kristi Shametaj, Edlira Hoxha, administrata e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Fjorda Llukmani, përfaqësuese nga BE-ja për Shqipërinë e sidomos pa këmbënguljen shembullore e të pakthyeshme të qytetarit Polizoi Kosta, i biri i Jani Kostës, me numër personal 10050, vdekur në ish-kampin e përqëndrimt Mat’hauzen më 15.12.1944. Sheshi historik para bashkisë Vlorë do të mbetet në breza si sheshi i dëshmorëve të Mat’hauzenit, që sfiduan torturat më të padëgjuara dhe bënë sakrificën më sublime për Atdheun e të parëve, Atdheun e tyre, tonin e të brezave që vijnë.
Dita e 9 Majit nga shumica e vendeve të tjera në Evropë, përfshi dhe Shqipërinë tonë kujtohet me nderim e respektohet si simbol i Lirisë, si Dita e Fitores në Evropë.
Si një baladë e mjeruar, e lodhur, e rraskapitur, besimhumbur endet Polizoi Kosta tek kërkon një të drejtë njerëzore nderimi, atje ku e meriton babai i tij dhe gjithë ata martirë të Vlorës….
Autorët vlonjatë për Holokaustin. Temën e Holokaustit e kanë trajtuar shumë nga autorët vlonjatë. I pari që ka përjetuar kampin e përqëndrimit në Vienë, ka qenë intelektuali, poeti dhe përkthyesi Kudret Kokoshi, i cili ka përshkruar më nota thellësisht realiste vujaten e tij në këtë kamp nëpërmjet poezisë “Vjena”. Poetë të tjerë që drejtpërsedrejti nuk e kanë përjetuar Holokaustin, por kanë shkruar për dhimbjen e të afërmëve të tyre në Janinë, që nuk u kthyen nga kampet e përqëndrimit si Rashel Solomon te poezia “Në engjëll shndërruar”, apo Jakov Solomon në shumë poezi të tij. Këtë temë e ka trajtuar shkrimtari Eqerem Canaj, po ashtu Çlirim Hoxha te romani “Sofia”, shkrimtarja dhe përkthyesja Laureta Petoshati te romani “Rikthim në Ventotene”, te poezia “Në Yad Vashem” dhe në shumë poezi e prozë përkthyer prej saj nga Primo Levi, Illi Vizer, etj.  Po ashtu, shkrimtari Andrea Petromilo me librin “Kujtesë e hidhur – Mat’hauzen”, Albert Habazaj në poezinë “Përshpirtje për ëndrrën” dhe shkrime për famëkeqin Holokaust etj.
Ndërsa intelektualja vlonjato-izraelite dr. Anna Kohen te libri i saj autobiografik “Lulja e Vlorës” flet për të afërt të saj, por dhe të bashkëshortit të saj me një realizëm sublim.
Mesazhi që merr rinia, popujt për liri e dritë, bota mbarë nga ky libër i famshëm i 16- vjeçares së përjetshme Anna Frank është “Atje ku ka shpresë, ka edhe jetë. Ajo na mbush me guxim të freskët dhe na bën përsëri të fortë”.

PËRSE VLORA DUHET TA KUJTOJË HOLOKAUSTIN?!

Bujar LESKAJ

Fjala Holokaust përdoret për të emërtuar gjenocidin e Gjermanisë naziste ndaj hebrejve në Europë nëpërmjet një aparati shtetëror, mbi të gjitha ushtarak, që nuk ka precedentë në histori për nga përmasat dhe vecoritë organizative. Hebrejtë përdorin termin Shoah, që do të thotë katastrofë. Zhdukja e dy të tretave të hebrejve të Europës në kampet famëkeqe naziste të shfarrojes në Dakau, Mathausen dhe Aushvic, është një tragjedi, e cila duhet ndricuar dhe përkujtuar për të mos harruar dhe për të mos u përsëritur më e kaluara. Ne vlonjatët duhet që mbi të gjithë të tjerët ta kujtojmë këtë pjesë të errët të historisë së Europës sepse Holokausti ndaj hebrenjve nga nazistët hitlerianë ka ndodhur paralelisht masakrat dhe krimet e paprecedenta, që ata kanë kryer edhe ndaj kombeve jo hebrenj, duke përfshirë këtu ne shqiptarët, aq më tepër ne vlonjatët, që lamë pothuajse 400 djem e burra në ato kampe të tmerrëshme të shfarrosjes në masë. Dhe për ta bërë më konkret këtë fakt, po kujtoj baballarët e dy piktorëve tane të shquar si Nestor Jonuzi dhe Hilmi Bani që nuk u kthyen të gjallë nga kampet e përqëndrimit dhe mbetën dhimbje dhe për shpirtin dhe telajot e bijve të tyre. Jo vetëm kaq. Por Vlora jonë, është qyteti , i cili që prej vitit 1492 e deri në vitin 1992, ka pasur brenda vetes këtë komunitet, me të cilin ka bashkëjetuar dhe bashkëndarë hallet dhe gëzimet e tij. Këtu në zemër të Vlorës ndodhet Rruga e Hebrenjve, si një kujtesë për një bashkëjetesë dhe nderim reciprok, gjë të cilën shpreh më së miri dhe D. Anna Kohen te libri saj “Lulja e Vlorës”, ku shpreh jo vetëm mirënjohjen për vlonjatët dhe shqiptarët si mbrojtësit më të mëdhenj të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore me anë të kodit të besës, por dhe për dashurinë e saj për Vlorën dhe vlonjatët.
Para tre ditësh, në këtë mjedis të Muzeut Kosova, ne përkujtuam 180 vjetorin e lindjes dhe 105 vjetorin e ikjes në amshim të Ismail Bej Vlorës, i cili jo vetëm ne shqiptarëve, por dhe gjithë Europës u ka lënë si testament ngritjen e zërit kundër padrejtësive sepse e ka parandjerë me largpamësinë dhe humanizmin e tij, atë se cfarë do të ndodhte më vonë. Ja se çfarë shkruan Ismail Qemal Vlora te “Memorie”, faqe 72 :“Në Rumani hebrenjtë ishin dënuar për të njëjtat gjëra si ata në Rusi… Duke filluar që nga viti 1866, këto persekutime u bënë kaq të shpeshta dhe kaq mizore, sa më në fund u trondit ndërgjegjja e botës së qytetëruar. Ne, që ishin dëshmitarët më të afërt të këtyre tmerreve, nuk mund të qëndronim indiferentë ndaj vuajtjeve të këtyre krijesave fatkeqe dhe ndjemë detyrën njerëzore për t’i ndihmuar. Është poshtërsi dhe krim që të nëpërkëmbësh dhe përndjekësh një popullatë të tërë vetëm për shkak të prejardhjes dhe racës së saj.” Për këtë nderim, jo më kot personaliteti hebre Joseph Louis Baron (1894-1960), do të përfshinte në antologjinë prestigjoze “Stars and Sand” krahas njerëzve vullnetmirë, sidomos shkrimtarë si Honore De Balazak, Viktor Hygo, por dhe shtetarë si De Gol, Bismark, Gandi, Ataturk, Ëilson, Tomas Xheferson, Xheorxh Uashinton, etj, edhe emrin e ndritur të Ismail Qemalit, sepse këta personalitete pavarësisht nga raca besimi dhe prejardhja, kanë ngritur zërin e tyre kundër padrejtësive që u janë bërë hebrenjve.
Ne, e kujtojmë Holokaustin dhe për të mos harruar spastrimit etnik të bërë në trojet tona, Kosovë e Camëri, por dhe kampet dhe burgjet e komunizmit. Dhuna, vrasja , krimi, pavarësisht se kanë emra të ndryshëm, kanë një substancë: vrasjen për shkak të urrejtjes.
Në nuk duhet të harrojmë !
Kjo është arsyeja që për dy vjet rresht Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike “Ismail Qema-Vlora” , po e kujtojmë Holokaustin, për të mos harruar të shkuarën dhe për të treguar se nuk është urrejtja, por dashuria dhe nderimi që na bën njerëz dhe ndricues të së ardhmes.

VUAJTJET NË AUSHVIC TË PRIMO LEVIT

Lela QEJVANI

Sot në ditën e Holokaustit që mori shumë jetë të pafajshme nga e gjithë Evropa, ku shkeli këmba naziste gjithashtu edhe nga vendi ynë por edhe 40 djemtë vlonjatë.
Unë do flas për Primo Levin Italo – Ebre i mbijetuari i kampit shfarosës që çdo ditë në 10 veta 8 eliminoheshin në furra. Në librin e tij A është Vallë Njeri ai ka hedhur vuajtjet dhe torturat që u bëheshin në kamp. Primo Levi u kap nga milicia fashiste italiane në 13 dhjetor të 1943 që bashkëpunonte me nazistët në moshën 24 vjeçe, Primo Levi kishte mbaruar shkollën e lartë për kimist në Itali. Qysh në fillim deklaroi prejardhjen e tij tek nazistët.
Pasi i grumbullojnë në një kamp të rrethuar me tela me gjemba më pas i pajisin me numër në krahun e majtë në formë tatuazhi në lëkurë. Duke mbledhur edhe shumë burra, gra edhe familje të tëra u grumbulluan rreth 650 veta midis tyre edhe nëna me fëmijë në gji.
Pasi na numëruan na hypën në tren dhe na nisën për në Mat’hauzen, gjatë udhëtimit askush nuk e kuptonte ku po na çonin. Qysh në tren u duk që po na çonin drejtë vdekjes thotë autori, sepse në vagonat e mbyllur pa asnjë dritare ishim aq të ngjeshur me njeri tjetrin si mall për mbeturina. Treni u nis për në Aushvic por askush nuk u interesua për ne që të gjithë ishim vuanim për ushqim ujë dhe nevoja të tjera.
Disa nëna me fëmijë në gji qanin pa rreshtur duke kërkuar ujë dhe ushqim. Por askush nuk i dëgjonte. Treni përshkoi shtete me radhë dhe më në fund në Gjermani. Aty na ndanë dhe nga 650
mbërritëm në kamp vetëm 96 burra dhe 28 gra kurse fati i të tjerëve nuk u mor vesh kurrë se ku përfunduan.
“Në kamp puna ishte jashtë mase e vështirë në rrethana jo njerëzore, na torturonin dhe na linin pa mjekuar” – thotë autori. U përhaën sëmundje nga më të ndryshmet por sado të sëmurë dhe të uritur kronikë ishim të detyruar të shtynim vagona të regjur në shi, dridhem nga lagështia dhe era e ftohtë. Trupi im nuk ishte më imi, me barkun e fryrë dhe kockë e lëkurë, jo vetëm unë por të gjithë të tjerët që lëviznin si hije nën kostumet e holla me vija. Pastërtia në kamp ishte një ndjenjë e harruar dhe pothuajse e zhdukur fare. Nuk na bënte më përshtypje kur edhe morrat kishin mbuluar qenien tonë. Ne nuk kishim të ardhme dhe as e shkonim në mendje, mendonim vetëm vdekjen që mund të na vinte nga çasti në çast, sepse ne çdo ditë pakësoheshim në numër. Në këtë kamp shfarosës nuk ka vetëm ebrej por nga të gjitha kombet evropiane ku kishte shkelur këmba naziste, gjithashtu edhe shumë shqiptarë që nuk u kthyen më pranë familjeve të tyre.
Në një qoshe të kampit ishin disa dhoma të ndara me tela që shërbenin për vizitat e të sëmurëve. Disa merrnin ndonjë fasho disa ndonjë qetësues por disave u shkruhej vdekja në fytyrë dhe nuk i kthenin më në baraka por i çonin në dhoma gazi dhe më pas në furra. Kështu vinte çfarosja e shumicës, por edhe ne të tjerët jemi kthyer si krimba pa shpirt” – citon autori. Primo Levi në këtë libër nga jeta në Mat’hauzen ka nxjerrë përfundimin se midis njerëzve jetojnë dy kategori: të mbijetuarit dhe të mbyturit. Në jetën reale, sado të vuajë njeriu, do të dalë dikush që të të shtrijë dorën. Këtu në Lager lufta për të jetuar nuk ka zbutje sepse çdokush është tmerrësisht i vetëm, askujt nuk i intereson më jo jeta e tjetrit por as e tij. Këtu në Aushvic pothuajse të gjithë në këtë kamp shfarosës kujtojnë dhe bisedojnë në heshtje kujtime nga e shkuara por në asnjë moment nuk mendonin për të ardhmen sepse e kishin kuptuar që po shkonin drejt vdekjes. Të gjitha vuajtjet në Aushvic Primo Levi i thotë në vargjet që ka marrë edhe titullin libri A Është Vallë Njeri…? Gjendja në kamp ishte tragjike, sëmundjet dhe vdekjet ishin të përditshme. Në afërsi të kampit filloi lufta me rusët po bombardojnë kudo. Në këtë çast gjermanët filluan të largohen pothuajse të gjithë nga kampi. “Ne mbetëm në mëshirë të fatit dhe shpresat për të jetuar ishin të pakta por fal rusëve unë sot jam gjallë” – thotë Levi. Këtë tragjedi ne nuk duhet ta harrojmë sepse historia na njeh si popull human, sidomos me ebrejtë që i kemi mbrojtur dhe respektuar. Ne si komb nuk kemi bërë luftë me asnjë komb tjetër veçse kemi mbrojtur trojet tona!

NË ENGJËLL SHNDËRRUAR

Poezi nga Rashel SOLOMON

Nisa të shkruaj për ne një libër
të ta shpreh mallin më mirë nuk dija
emrat tanë shkruhen në Bibël,
mbesat e Judës jemi që të dyja.

Më largon dita, më afron nata,
te ty e shtrenjta jonë Fortunata.

Stemën e Davidit …
në trup e mbi rroba ta qepën
mbi shpirtin tënd me këmbë të shkelën,
por harruan se numrat asgjë nuk dinë
për vellon e bardhë që le në Janinë.
Qepur e qëndisur nga e jotja dorë
viteve kur rriteshe, ku linde, në Vlorë.

U nise në agim mbërrite aty nga nata,
të priti krejt Janina, Fortunata.

Ti ike në Janinë në tëndin fat,
halla jonë e dashur Fortunat’
derisa derën bishat ta shqyen
me burrin e fëmijët mizorisht të rrëmbyen.

Në kampin e vdekjes kur jeni ndarë
me fëmijët dhe qielli ka qarë,
po ty Fortunata pranë kush të qëndroi,
kur qarjen e fëmijëve dheu e qetësoi.

Nëna jote kulloi dhe u shkri
bashkë me qirinjtë për çdo Shabat,
e rrinte te dera se mos vije ti
halla jonë e shtrenjtë Fortunat’.

Ngadalë ikte dita, në vend rrinte nata,
ylli që nuk shfaqej Fortunata.

Ndoshta shumë ke shpresuar në geto
me Shabat në zemër moj e mira teto,
të shkriu, të përpiu, të gëlltiti nata
me familjen engjëll, Fortunata.

Në engjëj për ne jeni shndërruar
na vini në ëndrra përherë të bashkuar,
ti me sy na ndjek në çdo Shabat
e dorën na jep të ngrihemi lart.

Ti dritë na bëhesh kur afrohet nata
halla jonë prej drite Fortunata.

MESAZHI I INTELEKTUALES SHQIPTARO-IZRAELITE ANNA KOHEN DHE NJË POEZI E SAJ

Anna KOHEN

Të nderuar Bashkatdhetarë!
Të dashur vlonjatë të mij!
Ju dua shumë edhe Ju falënderoj nga zemra që keni filluar të kujtoni këtë aktivitet me shumë vlera, jo vetëm për hebrenjtë, por edhe për vlonjatët, për motrat edhe vëllezërit tanë që i morën nazistët dhe nuk u kthyen më.
Kërkon kurajo dhe humanizëm të thellë një nismë e tillë, sepse është fuqia e madhe shpirtërore, ajo që të nxit të rikujtosh dhimbjen. Kam jetuar për 48 vite me radhë me burrin tim, Markusin, që ishte i mbijetuari i Holokaustit. Për vite të tëra nuk fliste për të. Por një ditë filloi të flasë duke treguar vuajtjet gjatë luftës kur ishte ende një fëmijë. Ai në moshën shtatë vjeçare pa vëllanë e tij 5 vjeç të pushkatohet nga gjermanët. Filloi ti godiste me gurë. Por e humbi vëllanë. Ai tërë jetën e tij jetoi bashkë me dhimbjen. Këtë histori e kam përshkruar me detaje te libri im “Lulja e Vlorës”, që është përkthyer në shqip nga Mjeshtri i Madh, Edëin Shvarc. Historia e Holokaustit do të futet për tu mësuar në shkolla në Shqipëri dhe shpresoj që brezat e rinj, të mësojnë më shumë mbi Holokaustin dhe për diktaturat e të gjitha ngjyrave, si dhe për kampet e burgjet gjatë komunizmit në Shqipëri.
Faleminderit organizuesve dhe pjesëmarrësve një për një. E di që aty të gjithë jeni njerëz të penës dhe dashamirës të librit dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Ata që e treguan duke e përjetësuar dhimbjen për ta njohur brezat janë shkrimtarët dhe artistët, sidomos Primo Levi e Illi Uizer, që ishin të mbijetuar të Holokaustit. Ndaj dhe unë me rastin e ditës së Holokaustit po ju përshëndes nga Florida, me një poezi të shkruar në Geto nga poeti Pavel Friedmann.
Poema titullohet “Flutura” dhe ruhet në kopje të shtypur në letër të hollë në koleksionin e Pavel Friedmann-it, i cili iu dhurua Muzeut Kombëtar Hebre gjatë fushatës së dokumentimit të tij. Mban datën 4 qershor 1942, shkruar në cepin e majtë. Pavel Friedmann lindi më 7 janar 1921 në Pragë dhe u deportua në Terezin më 26 prill 1942. Vdiq në Aushvic më 29 shtator 1944. Këtë poezi për përkthim dhe këtë përshëndetje po ia lë në mirëbesim poetes dhe përkthyeses Laureta PETOSHATI.
Me Shumë dashuri
Anna Kohen

Flutura

E fundit, e fundit fare,
E verdhë kaq e ndezur, e ndritshme, verbuese.
Ndoshta po kështu do të gjëmonin lotët e diellit
mbi një gur të bardhë. . .

E tillë, një e verdhë e tillë
Është bartur butësisht shumë lart.
jam i sigurt që u largua se donte
t’i jepte botës puthjen e lamtumirës.

Prej shtatë javësh kam jetuar këtu,
I burgosur brenda kësaj getoje.
Por unë këtu kam gjetur njerëzit e mi.
Më thërrasin luleradhiqet
Dhe degët shandan të gështenjës në oborr.

Veçse unë nuk pashë më kurrë një flutur tjetër.
Ajo flutur ishte e fundit.
Fluturat nuk jetojnë këtu,
në geto.

[recitoi Laureta Petoshati]

HOLOKAUSTI DHE SHQIPTARËT

Anila TOTO

Holokausti ishte gjenocidi i hebrenjve evropianë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Midis viteve 1941 dhe 1945, Gjermania Naziste dhe bashkëpunëtorët e saj vranë sistematikisht rreth gjashtë milion hebrenj në të gjithë Evropën e pushtuar nga Gjermania, rreth dy të tretat e popullsisë hebraike të Evropës.
Hitleri gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte krijuar shumë burgje dhe kampe përqendrimi. Kampet kishin filluar të hapen që nga viti 1940. Ndër kampet më të njohura ishin; Kampi i Aushvicit, Dahaut, Mauthausenit dhe Belsenit. Në këto vende ishin vendosur njerëz nga të gjitha vendet e pushtuara nga blloku nazi-fashist.Para nisjes së luftës, qëndrimi i Mbretit Zog ndaj hebrenjve ka qenë dashamirës, madje ai bëri thirrje edhe për pranimit në Shqipëri të hebrenjve të cilët do t’i pajiste edhe me toka, me qëllim që të fitonte përkrahjen e komunitetit të fuqishëm ndërkombëtar hebre.
Deri në fund të luftës, Shqipëria ishte shtëpia e rreth 3.000 hebrenjve për shkak të guximit të shqiptarëve që treguan solidaritet duke rrezikuar jetën e tyre për të siguruar një strehë për hebrenjtë që arratiseshin nga vendet fqinje.
Ndërkohë që shumica e vendeve të pushtuara, nisën të dorëzojnë popullsitë hebreje te autoritetet gjermane, në Shqipëri ndodhi e kundërta.. Shqiptarët i mbrojtën hebrejtë dhe i mbajtën edhe në familjet e tyre. Në Shqipëri nuk pati ndjenja naziste apo struktura të mirëfillta të partisë Naziste. Kishte individë progjermanë, por jo nazistë.
Lamtumirë Shqipëri! Më keni dhënë kaq shumë mikpritje, mbrojtje, miq dhe aventura. Lamtumirë Shqipëri! Një ditë do t’i them botës se sa të guximshëm, se sa të patrembur, se sa të fortë dhe se sa të besës janë djemtë e tu, sesi as vdekja dhe as djalli nuk mund t’i trembin.
Në qoftë e nevojshme, do të them se si mbrojtën ata një refugjate dhe nuk lejuan që ajo të dëmtohej edhe në qoftë se ajo mbrojtje do të kërkonte jetën e tyre. Portat e vendit tuaj të vogël mbetën të hapura, Shqipëri. – Irene Grunbaum, e mbijetuar. Marrë në librin e saj autobiografik “Shpëtimi përmes Ballkanit Në vitin 1940, Mauthausen-Gusen ishte bërë një nga komplekset më të përqëndirmit në territoret e kontrolluara nga Gjermania Naziste në Evropë. Këtë kamp Hitleri e shfrytëzonte për t’i dërguar armiqtë e tij më të mëdhenj politik drejt vdekjes, ndaj nga nazistët quhej “mulliri i kockave”.
Në vitet 1943-45 nazistët arrestuan në Shqipëri rreth 530 vetë. .Sipas të dhënave të kampit, figuron se aty kanë hyrë 427 shqiptarë, nga të cilët mbijetuan vetëm 24 persona.
Midis tyre, ishin të dy stërgjyshërit e mi.
Ata ishin patriotë e kjo ishte arsyeja më e madhe e shfarosjes së tyre.
Minua e dashur tregonte me dhimbje….
Ata erdhën tek porta e shtëpisë dhe thanë: ” Duam Hysni Toton.” I ati, Rexhep Toto doli përpara edhe tha: Unë jam Hysni Toto. Hysniu ishte biri i tij i vetëm e i shtrenjtë e nuk mund ta linte t’ia vriste gjermani!
të gjithë shtangën, por Rexhepi hodhi një vështrim të ashpër, përdrodhi mustaqet që i shkonin deri tek veshi e askush nuk bëri zë. Qysh atë ditë nuk e pamë më,- përfundonte Minua, gjyshja ime. Por emri i tij është në Mauthausen.
Xhaxhai im i dashur ka shkuar në Mauthausen. Aty ai ka parë foton e Rexhepit, Mehmet Sulo Agalliu, Beqir Sulo Agalliu e patriotë të tjerë.
Mehmeti është stërgjyshi nga nëna.
Ndoshta fati e donte që stërgjyshërit e mi t’i digjte gjermani, por ata mbetën heronj të vendit dhe figura të shquara, jo vetëm sepse u dogjën e vranë, por sepse ishin patriotë dhe e donin Vlorën, Shqipërinë. Tashmë janë në zemrat tona.
Një nacionalist i madh i kombit, por edhe dhëndri i Mehmet Sulo Agalliut pasi ishte martuar me të bijën Liri Agalliu, ishte z. Kudret Kokoshi, nacionalisti dhe juristi shqiptar, i cili shkollimin e kreu në Itali botoi poezi patriotike e midis të tjerave poezinë Vjena. Në vitin 1944 nazistët e arrestuan dhe dërguan në kampin e përqëndirmit të Mauthausen.
Kur mbaroi Lufta II Botërore komunistët jugosllavë e dorëzuan tek komunistët shqiptarë e kështu në burgun e Burrelit.
Vuajti në burgun e Burrelit deri më 25 dhjetor 1964. Vdiq në Vlorë më 26 prill 1991.
Më datën 18 prill 2017, Presidenti Bujar Nishani e dekoron me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Poezia ‘Vjena’

VJENA

Kudret KOKOSHI

OH, kjo ësht’ Vjena, që ëndërrova prore,
Vjena plot jetë e gaz, ku tingëlloi
e Straussit harmonia?
Jo, kjo s’ësht’ Vjena e netëve gazmore,
Vjena e Schubert-it, që gjithnjë lëmoi
ëmbël ndjesit’ è mia!
T’urrej dhe të mallkoj, fatal qytet
ku dergjen në mjerim turmat njerëzore,
ku s’ka më këngë e jetë
ti nuk je Vjena, por Xhehnemi vet
ku, skllevër, ne jetojm’ një jet’ mizore,
një jetë që s’ësht’ jetë.
(Vjenë 1944 – në kampin e përqëndrimit)

Recitoi: Anila Toto

Bashkë me vlonjatë të tjerë, në Mat’hauzen iku babai i Nestor Jonuzit (Piktor i Popullit) dhe babai Ilmi Banit (piktor i njohur, kritik arti). Dikur unë kam bërë një vjershëz:

27 JANARI – DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT

Nderim Dëshmorëve tanë!
kushtuar Rexhep Banit, babait të piktorit të paharruar Ilmi Bani

PËRSHPIRTJE PËR ËNDRRËN

Albert HABAZAJ

Shumë nuk u kthyen tok me ty.
Ata që u kthyen qenë me kokrra…

Dhe kur i thashë Nënës Vlorë: – Mbahu!
Se bubullin rrufefa e vërtetë
Një lot dinjitoz sa një div më shkau
Për Rexhep Banin që shpëtoi jetë.

Njëzeteshtatë vjeç iku ai
Dhe si kujtim na la buzëqeshjen
Dhe u lartësua flamur për liri
Dhe për liri e shpërfilli dhe vdekjen.

Më dridhet vargu i dhembshur i këngës
T’i shkruaj apologjinë Rexhep Banit,
Se u tret si hi në rrënjë të ëndrrës
Kur luftoi si Davidi me Goliatin.

Un’ s’e pashë, se fluturoi në Prishtinë
Atë pranverë të dyzetekatrës;
Këndonte duke rënkuar për lirinë
Dhe kur në ferr të Mathauzenit e flakën.

Un’ s’e pashë, po dritat e syve ia ndjeva:
Iu zbehën, nuk iu fikën ato;
Mbi hirin e tij buisi pranvera,
Çelën manushaqet e ullinjtë ngado…

Holokausti është një kujtesë e hidhur, që nuk duhet lëshuar në krahët e dobët të harrimit, por të jetë në krahët e fortë të kujtesë dhe dritës së Paharrimit të përjetshëm për dëshmorët e Holokaustit.

Përgatiti: Albert Habazaj
Kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë

Vlorë, e diel, 28 Janar 2024

LIROJ/ÇLIROJ, DY FJALË TË KUNDËRTA- Nga SAIMIR LOLJA

 

Fjalët me “Ç” janë dy llojesh: (1) Në fjalë që germën “Ç” e kanë në rrënjë, për shembull, fjala “Çaj”. (2) Në fjalë që vendosja e germës “Ç” i jep kuptim të kundërt fjalës rrënjë, për shembull, fjala “Çrrënjos” është e kundërta e fjalës “Rrënjos”. Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe me 41’000 fjalë, botim i Akademisë së Shkencave, nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, 1980, faqet 237 – 281 përmbajnë tan fjalët që fillojnë më germën “Ç”.
Në Fjalor është shkruar: “Gërma Ç përdoret për të krijuar folje nga folje të tjera me kuptim përforcues, p.sh. çliroj”. (?!). Si të tilla jepen vetëm pesë fjalët e mëposhtme që sjellin habi dhe të qeshura, sepse janë krijuar me dashje ose me porosi nga autorët e Fjalorit:
I Çlirët = Jo i shtrënguar fort (?!)
Çliroj = I sjell lirinë një vendi a populli duke dëbuar pushtuesin e huaj ose duke përmbysur klasat shtypëse; e kundërta: pushtoj (?!)
Çmekem = Mekem shumë (?!)
Çnduk = E nduk shumë (?!)
Ndërkohë, fjalët e grupit të dytë që përputhen me rregullin gjuhësor në Fjalor janë: Çakordim, Çalltis, Çarmatos, Çatdhesim, Çndokush, Çedukim, Çekuilibër, Çemërim, Çend, Çënjtem, Çintegrim, Çinteresohem, Çkalit, Çlidh,…Çlodhem, Çlyrësoj, Çmagnetizim, Çmagjeps, Çmallem, Çmartohem, Çmaterializohet, Çmbështillem, Çmbledh, Çmbreh, Çmbush, Çmend, Çmërzit, Çmësohem, Çmësysh, Çmilitarizim, Çminim, Çmobilizoj, Çmontim, Çmorrit, Çmprehje, Çngjyrosje, Çnjeh, Çnjerëzim, Çnatyrim, Çnderoj, Çndryshk, Çngjit, Çngjyroj, Çoksidim, Çrradhitje, Çregjistrim, Çrras, Çrregullim, Çrrethoj, Çrrënjoset, Çrrotulloj, Çrrudh, Çorganizim, Çorientim.
Pra, Fjalori Gjuhësor vërteton pa dashje se fjala “Çlirim” është e kundërta e fjalës “Lirim”. Fjala “Çlirim” qe një fjalë e përkthyer nga fjala “Liberation” në anglisht qëllimisht në mënyrë të pa saktë. Pastaj ajo u mboll me duart e xhihadistëve sllavo-barabar (Slavic Communist, ang.) në fjalorin shqiptar në Prill 1927 kur organizata bolshevike më seli në Vjenë e quajtur Komiteti Nacional Revolucionar, e kryesuar nga Theofan Stilian Noli, me urdhër nga Kominterni mori emrin Komiteti i Çlirimit Kombëtar.
Në gjuhën Shqipe, në rastet përkatëse, gërma “Ç” vendoset para një fjale për t’i dhënë asaj kuptim të kundërt. Domethënë, e kundërta e fjalës “Lirim” është “Çlirim”, që domethënë “Pushtim”. Qeveritë shqiptare të kohës së Luftës II Botërore që ndiqnin rregullat gjuhësore kishin një ministri të emërtuar “Ministria e Tokave të Lirueme”. Ajo ministri kujdesej për tokat shqiptare ku forcat pushtuese jugosllave ishin dëbuar. Fjala “Çlirim” u fut në përdorim në vend të fjalëve “Lirim” ose “Liridhënie” për të sjellë fillimisht hutim dhe pastaj pranim të pa vetëdijshëm të pa saktësisë si saktësi. (Si një virus që prish kompjuterin.) Frutet e mbjelljes dashakeqe të disa fjalëve në Albanisht dhe përdorimit të tyre në vend të atyre në Shqip do të shijoheshin nga armiqtë që para Luftës II Botërore. Dhe Ligji Nr. 134, datë 5 Nëndor 1945, caktoi 28 Nëndorin si “Ditën e Çlirimit të Shqipërisë”.
Për sqarim, fjalët në përdorim kanë qenë e janë tre llojesh, për shembull:

Loja e zgjuarsisë me fjalët dallohet edhe në këtë tabelë. “Fronti Nacional-Çlirimtar” (alb.) domethënë “Balli Pushtues Kombtar” (Balli Jo-Kombtar) në Shqip. Organizata e “Frontit Nacional-Çlirimtar” (alb.) e krijuar prej Kominternit sllavo-barbar u quajt e mirë dhe vazhdon të quhet e mira prej propagandës sllavo-barbare (sllavo-komuniste, alb.). Armiku i kësaj organizate sllave “të mirë” u piketua organizata kombëtare e Ballit Kombtar, i cili qëllimisht nuk përcillej në Albanisht si “Fronti Nacional”. Sepse në Shqip do dukej Balli Pushtues Kombtar kundër Ballit Kombtar. Domethënë, Çlirim dhe Pushtim janë e njëjta gjë ngase janë dy fjalë të ndryshme për të njëjtin kuptim. Sepse “Çlirim” është fjala e kundërt e fjalës “Lirim” që është fjala e kundërt të fjalës “Pushtim”. Pra Çlirim = Pushtim.
(Zgjerim nga libri RECETA PA KOMB.)

Saimir Lolja

XHUBLETA ILIRO – ARBËRORE – SHQIPTARE. (pjesa I)- Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Veshjet tradicionale janë një ndër komponentet më të fuqishëm të traditës popullore shqiptare, shumica e tyre janë trashëgime të veshjeve të lashta ilire dhe të arbërve të mesjetës, të cilat gjatë zhvillimit historik kanë pësuar modifikime të diktuara nga progreset e shoqërisë shqiptare, por shprehje dhe e marrëdhënieve kulturore mes popujve. Në kompleksitetin e tyre, veshjet popullore shqiptare kanë fituar tipare origjinale, me vlera si tregues etnik, që i dallon nga ato të popujve fqinjë. Vendi ynë shquhet për shumëllojshmëri veshjesh popullore, kësisoj rezulton se janë mbi 500 lloje veshjesh për burra e gra. Në mënyrë të veçantë dallohen veshjet e grave si për shumëllojshmërinë e formave, për ngjyrat e shumta dhe kompozimin me shumë estetikë. Ndër veshjet e grave dhe të vajzave shquhen xhubleta; kostumi me këmishë të gjatë dhe xhokë shajaku, kostumi me fund me pala, me jelek (mitan) dhe me gunë, e cila në disa treva eshtë e bardhë me zbukurime me gajtana, në të tjerat ngjyrë kafe, të kuqe të errët, ose e zezë. Të gjitha tipat e veshjeve të grave shoqërohen me shaminë që vihet mbi kokë e lidhur në gushë me një formë elegante, pa e mbuluar bukurinë e fytyrës, ashtu si shoqërohen me stoli të shumta metalike, të cilat krahas finksioneve estetike përdoreshin dhe me funksione magjike.

XHUBLETA


Xhubleta është veshje tipike e grave dhe e vajzave të malësisë së Shqipërisë Veriore. Prejardhja e emrit është nga latinishtja Iuba (xhiuba) – veshje me xhufka, me jele, e shqipëruar në Xhubleta, emëri i lashtë i kësaj veshje të fisme iliro – arbërore – shqiptare. Xhubleta është veshje me prejardhje të lashtë, çka dëshmohet me ngjashmërinë me veshjen në disa figurina terrakote të gjetura në Bosnje, dikur të banuar nga fiset ilire, si dhe në Kretë dhe vise të tjera të mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit të dytë para K. Studiuesit shqiptarë dhe të huaj, njëzëri theksojnë se xhubleta është veshje me origjinë të lashtë katërmijë vjeçare, e ruajtur nga malësoret e Shqipërisë veriore, të malësisë të Kosovës perëndimore dhe të pjesës verilindore të Malit të zi të banuar nga shqiptarët. Xhubleta vishet nga gratë dhe vajzat e Malësisë së Madhe, Kelmendit, Dukagjinit, Shalës, Shoshit, Nikaj – Mërturit, Pukës, Mirditës, Rugovës dhe nga shqiptaret e Malit e Zi (Plavë, Guci, Hot, Grudë, Tuz etj). Me migrimin e familjeve malësore në trevat fushore shqiptare, gratë dhe vajzat e ruajtën xhubletën kur u vendosën me banim në Bregun e Bunës, në Zadrimë, në Thumanë, ashtu u ruajt edhe nga malësoret që zbritën në qytetin e Shkodrës.

Xhubleta është kryevepra e kostumografisë iliro – arbërore – shqiptare, ështe vepër arti, është histori, është kulturë shekullore, është mit, është sofistikim estetik me zbukurime dhe qendisje floreale dhe gjeometrike me plot mistere të lashta pagane, me simbole antropozoomorfe dhe mistike, është vlerë materiale dhe shoqërore, është punim origjinal shqiptar unikal. Si çdo trashëgimi kulturore dhe etnografike edhe xhubleta ka historinë e saj me zanafillë 2000 vite para K, në lashtësinë proto-ilire dhe ilire, me vazhdimësi në mesjetën arbërore, e ruajtur dhe në 2000 vite pas K, e cila ka arrijt deri në ditët tona me bukurinë dhe vlerat e saj të shumta historike, kulturore, etnografike, antropologjike dhe estetike.

Xhubleta është një veshje komplekse e grave e përbërë nga pjesa kryesore fundi i shajakut ngjyrë të zezë, i qepur në formë këmbane, me buzën e poshtëme të valëzuar, sidomos në pjesën e pasme. Fundi i xhubletës varet në supe me dy rrypa të gjërë shajaku. Të gjitha llojet e xhubletës, në buzën e poshtëme të palave të fundit kanë një shirit të ngushtë shajaku ngjyrë të bardhë. Fundi me ngjyrë të zezë, me me praninë e simboleve të ndryshme. prezanton misteret e kësaj veshje unikale, madje shkëlqen nga të gjitha pikpamjet, si nga pamja monumentale, nga teknika e endjes në tezgjah e stofës së shajakut, nga zbukurimet e shumta që kompletojnë estetikën e saj dhe bashkëshoqërimi me stolitë.

Një lloj tjetër xhublete, është ajo e vajzave – çikave, e thurur me mbizotërim të shiritave shajaku të bardhë dhe me shirita shajaku ngjyrë të zezë.

Fundi prej shajaku kompletohet me anekset e tjera, që janë xhoka me xhufka thekësh me ngjyra, këmisha e bardhë, rizja (shamia e bardhe me thekë e grave, me ngjyra e vajzave), kraholina, përparsja, kallmat, çorapet e gjata të thurur me penjë shumëngjyrëshe, shputat, brezi i gjërë i zbukuruar me rruaza dhe gajtanë, i quajtur kërdhokla, guna treçerekshe me kapuç, që vishet ditët me shi dhe në periudhën e dimrit, si dhe opingat elegante me lëkurë lope, të thurura me lidhëse lëkure etj.

Fundi i xhubletës dhe veshjet e tjera plotësuese zbukurohen me motive magjepse me karakter natyror, hyjnor dhe fisnor, të shprehura me figura floreale dhe gjeometrike, me simbole atropozoomorfe dhe magjie, të gjitha të qëndisura me penjë shumëngjyrëshe; madje në zbukurimet integrohet dhe pema e fisit dhe e familjes, një kod misterioz i trashëguar nga lashtësia, i pasqyruar me simbole të ndryshme, ndër të cilët mbizotëron shqiponja. Në misterin e xhubletës pasqyrohen një seri simbolesh pagane, që kanë ekzistuar para besimeve monoteiste dhe ndër më të përdorurit janë simbolet e diellit, të hënës, të yjeve, të gjarpërit, të shqiponjës, të dragoit dhe simboli i lashtë magjiko – fetar i svastikës (në gjuhë sanskrite do të thotë fat, lumturi, mirëqenie), ndërsa sipas J. Dechelette svastika karakterizon diellin në lëvizje, andaj quhet dhe dielli svastik.
Në kompleksin e veshjeve me xhubletë janë dhe varëse ari, ose argjendi, ose bakri, bronxi etj, gjerdanët me rruaza, pafta të vogla filigrane, shirita me fije ari, shogëza në vend të rrypit të mezit, që në bashkësinë e tyre plotësojnë kostumin hirosh të xhubletës, si pjesë plotësuese e bukurisë natyrale të vajzave dhe grave shqiptare. Kësisoj e kombinuar, xhubleta përfaqëson një institucion të lashtë kulture matriarkale, që ka arrijt deri në ditët tona me bukurinë dhe vlerat e saj historike dhe kulturore.

Karahas karakteristikave kostumografike unike, që e njësojnë si kostum me funksionet dhe me bukurinë e saj, xhubletat kanë veçori dalluese njera nga tjetra, të shprehura me variacione sipas moshës, funksionit dhe në kompozimin e zbukurimeve me penjë me ngjyra të ndryshme, në qendisjen e figurave floreale, gjeometrike dhe atropozoomorfe, me praninë e simboleve të ndryshme, në mesazhet dhe në prezantimin e kodit misterioz të pemës së fisit dhe të familjes. Në këto aspekte, pavarësisht nga struktura standarte, xhubletat kanë veçori individuale, pra kanë dallime njëra nga tjetra, janë prodhime të personalizuara.

Etnografët, kostumografët theksojnë se xhubleta është veshje e veçantë, komplekse dhe ndër më të vështirat në punim, madje nuk gjen paralele me asnjë nga tipat e tjera të veshjeve për vajzat dhe gratë në Shqipëri, në Ballkan dhe me gjërë.

Xhubleta realizohet nga gratë malësore, mjeshtre të shquara për aftësi në krehjen e leshit të dhenëve, në tjerrjen perit të leshit dhe ngjyrosjen me ngjyrë të zezë me gjethe arre, në thurjen në tezgjah të shajakut, në larjen dhe kompaktësimin e stofit në valanicë, në prerjen dhe qepjen e pjesëve të fundit, sidomos të palave të fundit, për t’i dhënë formën e këmbonës, në qepjen e xhokës estetike, në thurjen e çorapeve, të përparseve dhe në realzimin e zbukurimeve në raporte harmonike mes tyre.

Gratë mjeshtre në prodhimin e xhubletës i përmbahen traditës të prodhimit të kësaj veshje komplekse, i pasqyrojnë me saktësi dhe besnikëri elementet përbërës, punojnë me fantazi në kombinim estetik të zbukuri-meve, por shquhen dhe për novatorizëm në kombinimin e të vjetrës së tashëguar me të rejat që i dikton koha.

Kësisoj gratë malësore mjeshtërisht realizojnë xhubletën, këtë veshje unikale me vlera estetike dhe vepër arti.

Fundi i xhubletës formohet me qepjen e rripave të shajakut, konkretisht duhen 25 deri në 30 copa shirita shajaku të prera me gjërësi të ndryshme. Këto shirita për gratë janë me ngjyrë të zezë, ndërsa për vajzat të kombinuara shiritat me ngjyrë të bardhë dhe ngjyrë të zezë. Gjithashtu përdoren dhjetra metra spik të përgatitur në shtëpi me teknologji artizanale, duhen penjë të fortë leshi për qepjen e shiritave të shajakut, ashtu si dhe shumë lloje penjësh me ngjyra të ndryshme për qendisjen e zbukurimeve dhe të simboleve.

Konfeksionimi i xhubletës është padyshim një provë e vërtetë aftësie profesionale, sepse duhen njohuri, shkathtësi dhe teknika të veçanta për tjerrjen e fijes, thurjen në tezgjah të shajakut, për t’i montuar së bashku të gjitha ato copa, aq më tepër ka vështirësi të bashkohen njëra me tjetrën kordonat e shajakut, bashkim që nuk bëhet midis gjatësishë të barabarta, sepse disa janë më të shkurtëra, sidomos ato të pjesës së belit dhe më të gjata ato të pjesës së poshtëme të fundit të xhubletës. Kështu një rrogzinë e gjatë 180 cm, duhet të bashkohet me një tjetër të gjatë 200 cm dhe kjo të formoi valëzimet e pjesës së poshtëme të fundit. Po kështu rasti i xhokës, për të cilën copa e stofit të zi për gratë dhe e stofit të bardhë për vajzat, që formon pjesën e poshtme, duhet të mblidhet me pala të dendura dhe me estetikë, për t’ia përshtatur perimetrit të belit të gruas apo të vajzës, një proçedurë teknike e vështirë, por e realizuar me mjeshtëri të admirueshme nga gratë malësore duararta. Në xhubletë, të gjithë komponentët janë kombinuar në perfeksion teknik dhe estetik.

Xhubletat e grave e Malësisë së Madhe

Fundi i xhubletës, xhoka, përparësja e xhubletës; çorapet plotësohen me një sistem të veçantë zbukurimesh, me figura floreale, gjeometrike dhe antropozoomorfe, me simbole, shumica të lashta pagane, madje vendoset dhe kodi i pemës së familjes dhe i fisit. Këto zbukurime mbizotërojnë në xhubletat e grave, ndërsa në xhubletat e vajzave janë më të pakta, madje dhe mund të mungojnë, pasi bukuria e xhubletave të çikave, shprehet me kombinim estetik të shiritave të shajakut të bardhë me shiritat e zi dhe me bukurinë natyrale të vajzave.

Gratë malësore pasi e qepin fundin me shajak të zi të xhubletës, e zbukurojnë duke shtuar figura floreale, gjeometrike, antropozoomorfe dhe simbole të ndryshëm, të prezantuara me spektër shumëngjyrash si ngjyrë të kuqe (shpreh energji, vitalitet, kurajo, entusiazëm), shumica realizohen me ngjyrë të verdhë (simbolizon hyjnoren, shpresën, optimizmin), të tjerat me ngjyrë rozë (simbol i shpresës), të gjelbër (harmoni, ekuilibër), blu (qetësi, paqe); ngjyrë lejla aristokratike, e cila shpreh mistere e magji; ngjyrë të bardhë (shpreh pastërtinë, lealitetin dhe virgjërinë e vajzave, andaj në xhubletat e vajzave mbizotëron ngjyra e bardhë) si dhe me ngjyrën e zezë të shajakut të xhubletës, të xhokës, të përparëses, të gunës, të brezit etj. Ngjyra e zezë, krahas mistereve të territ e të panjohurës, shpreh elegancë, seriozitet, prestigj, pavarësi, energji të brendëshme, autoritet, siguri dhe impulse krijuese. Sfondi i zi i xhubletës dhe i anekseve kompletohet me elemente shumëngjyrash, kësisoj realizohet veshja unikale iliro-arbërore – shqiptare me bukuri të rrallë magjepse, që bashkëshoqëron bukurin natyrale të vajzave dhe grave malësore.

Në aspektin kostumografik xhubleta është model veshje e standartizuar dhe e personalizuar sipas moshave, funksioneve, andaj prodhohen disa lloje me veçori në përmasa, në ngjyra dhe me variacione në zbukurimet e fundit dhe të anekseve.

Në vartësi të permasave të trupit të grave xhubleta peshon 15 – 20 kg, kësisoj për nga përmasat dhe pesha, nuk vishet si rrobat e tjera, andaj gratë e veshin me një proçedutë praktike, e varin dhe e ngrejnë lart xhubletën dhe futen nga poshtë, deri sa dy rrypat e gjera të shajakut mbështeten mbi supet e grave.

Xhubletat e vajzave.

Xhubletat mund të prezantohen në katër grupe:

1. Xhubleta e vajzave – e çikave. Vishet kur vajza mbush moshën 10 vjeç. Fundi i xhubletës qepet me mbizotërim të shiritave të shajakut të bardhë, dhe më pak shirita të zi më të ngushtë. Buza e fundit të shajakut është gjithomnë me ngjyrë të bardhë, më e gjërë në pjesën e poshtëme të ngrirë me formë këmbane, pra është xhubletë më e thjeshtuar, por hyjnore e me bukuri tërheqëse.

Edith Durham, në veprën “The struggle for Scutari. London Edward Arnold, 1904, f, 35 shkruan: “Vajzat vishen me një rrobë të trashë, të ngrirë prej leshi të bardhë me shirita horizontal me ngjyra të bardha e të zeza. Fundi vjen e bashkohet me pjesën e sipërme të rrobës, e cila është e kapur anash. Çorapet e gjata janë të thurura me figura me fantazi, me kompozime gjeometrike me kombinim ngjyrash të bardha, të zeza, të kuqe etj … “

Xhubletën e çikave, ose xhubletën e bardhë, poetja dhe koleksionistja Luljeta Dano e cilëson një veshje e jashtëzakonshme dhe mrekullisht e bukur për cilësitë e punimit dhe të qëndisjes dhe që dallohet në shprehjen e simboleve të fertilitetit. Vajza e vishte këtë tip xhublete, deri në ditën e dasmës të martesës.

2. Xhubleta e grave të martuara. Vishej ditën e dasmës dhe më pas kjo xhubletë ruhej në arkë druri. Në varësi të gjendjes ekonomike dhe marrëveshjeve mes dy familjeve për martesën, gruaja malësore merrte në pajë 5 – 7 xhubleta, të prodhuara me shajak ngjyrë të zezë dhe me zbukurime të shumta. Edith Durham rrëfen: “Gratë e martuara mbajnë veshur një fund në formë këmbane prej leshi të rëndë dhe të ngrirë, me shirita ngjyrë kërmizi të shuar (të lyera vetë), ose me ngjyrë të purpurt”.

Këtë xhubletë gratë e ruanin në arkë dhe mes palave vendosnin gjethe duhani që të mos dëmtohej nga tenja dhe borzilok mali, për t’i dhënë aromë të pëlqyeshme. Xhubletën e nusërisë që e vishnin ditën e dasmës, gratë e ruanin me vite me fanatizëm dhe besnikëri të jetës bashkëshortore, madje kjo xhubletë nuk dhurohej, nuk shitej, nuk prishej, por do të përdorej vetëm në varrimin kur gratë vdisnin. Etnografia Afërdita Onuzi, tipat e xhubletave të grave të moshuara i klasifikon në dy kategori: a. xhubleta e parakeqe,

b. xhubleta e keqe. Ky cilësim në fakt nuk i referohet xhubletës, por moshës të grave në fazën e pleqërisë dhe në prag dhe në fund të jetës, sepse kur vdisnin, gratë varroseshin me xhubletën e martesës, me atë që kishin veshur ditët e dasmës.

Në ditët e zakonëshme, gratë përdornin xhubletata “rezervë”, që zevendësonin atë që konsumohej tepër.

3. Xhubleta cubele. Vishej nga gratë gjatë punëve të ndryshme shtëpiake, pra ishte xhubletë pune, natyrisht me më pak zbukurime, më e shkurtër dhe më e lehtë se sa xhubletat tipike.

4. Xhubleta për festat. Me xhubleten më të bukur, me më shumë zbukurime, gratë e vishnin në ditë festash, në gëzime familjare dhe fisi, në dasma dhe në vizita në familjet e miqëve. Në Malësinë e Madhe, xhubletën më të bukur, gratë dhe vajzat e vishnin më 26 korrik në ditën e Shen Prendës, kur organizohej dhe festa e Logut të Bjeshkëve një festë tradicionale që zhvillohej në Lëpushë të Kelmendit. Pas argëtimeve me këngë, me valle, me lojra popullore dhe garave me kuaj, pjesëmarrësit mblidheshin në pjesën qendrore të livadheve dhe ndiqnin paradën e grave e të vajzave të veshura me xhubletat më të bukura. Një mrekulli dhe paradoks i rrallë i malësisë shqiptare, kur mendojmë sa i egër dhe i mbyllur ishte Kanuni ndaj të drejtave dhe lirisë të gruas malësore, nga ana tjetër, ky Kanun dhe ajo pleqësi konservatore, na shfaqen liberalë, sa pranonin një manifestim të tillë të femrave. Në festën e Logut të Bjeshkëve, të gjithë pjesëmarrësit përqëndrohen në zhvillimin e paradës të grave dhe çikave të veshura me xhubletën e bukur të malësisë dhe në përfundim, zgjidhnin çikën me xhubletën ma të bukur, e thënë thjeshtë, zgjidhnin “Miss malësia”, ose si e quajnë malësorët, atë ditë zgjidhej “Miss bukuria”.

Festa e Logut të Bjeshkëve eshte manifestim imponent dhe madhështor i malësoreve, e cila organizohej në vite të shkuara, shumë kohë më herët, aq sa nuk mbahet mend, por është ruajtur ndër shekuj dhe pasi u ndalu padrejtësisht nga regjimi komunist, nga viti 1992 u ripërtëri me të gjithë vlerat dhe forcën e shpirtit të malësoreve, duke u bërë protagoniste e shprehjes të vlerave kulturore, artistike, shpirtërore dhe qytetare të grave dhe të vajzave të Malësisë së Madhe.

Malësori nuk është përpjekur ta fshehë bukurinë e femrës, përkundrazi ka dashur që nëpërmjet saj të shprehë vlerat fizike dhe shpirtërore të grave dhe vajzave, sigurisht brenda normave dhe kufizimeve të kohës.

Xhubleta është studiuar nga etnologë, albanologë, historianë, arkeologë, antropologë, sociologë vendas e të huaj, të cilët kanë shkruar për historinë, teknikën e punimit, për bukurinë, për figurat, simbolet, kodet dhe mesazhet që shpreh xhubleta. Ndër studiuesit shqiptarë janë shquar Bernardin Palaj, Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, Mark Tirta, Abaz Dojaka, Afërdita Onuzi, Yllka Selimi, S. Shkurti, Agim Bido, Luljeta Dano, Aleksender Stipçeviç, Fahri Xharra, Ikbale Kalaja, Sokol P. Lulgjuraj, Flamur Doli etj, etj, ashtu si dhe studiues të huaj ndër të cilët po rendis Daniel Kornidez, George von Hahn, Franz Nopcha, Rosel de Fontanes, Edith Durham, J. Dechelette, Hoernes, Wide, Evans, Vasits, Edwin E Jacques etj.

Vijon

Arno Allan Penzias dhe historia e pabesueshme që e çoi tek Teoria e Big Bangut

Fizikani, fitues i çmimit Nobel, Arno Allan Penzias, kërkimi i të cilit çoi në konsolidimin e themeleve shkencore të të kuptuarit tonë për universin, ka vdekur në moshën 90-vjeçare. Ishte ai që konfirmoi teorinë e Big Bang-ut

Bota e fizikës po mban zi për vdekjen e fizikanit dhe astrofizikanit amerikan Arno Allan Penzias, i cili vdiq të hënën më 22 janar në një shtëpi të moshuarish në San Francisco, në moshën nëntëdhjetë vjeçare. Djali i tij David e dha lajmin për New York Times, duke specifikuar se shkaku i vdekjes ishin ndërlikimet që lidhen me sëmundjen e Alzheimerit.

Studimi i tij astronomik ndihmoi në sigurimin e dëshmive të padiskutueshme të thelbit dinamik, në zhvillim, të pikës së origjinës së universit, duke konfirmuar teorinë e Big Bang-ut si një shpjegim i pranuar gjerësisht i origjinës dhe evolucionit të kozmosit. Por jo vetëm kaq, falë kontributit të tij u konsolidua baza shkencore e të kuptuarit tonë të universit dhe puna e tij mbetet një shtyllë themelore në kozmologjinë moderne.

Historia e pabesueshme e jetës së tij

Bota mundi të njihte gjeniun e tij të madh falë një historie të pabesueshme që përfshiu familjen e tij në prag të Luftës së Dytë Botërore, kur së bashku me prindërit dhe vëllain më të vogël jetonin në Gjermaninë naziste, e cila shpejti do të shkaktonte atë pjesë të dhimbshme të historisë që të gjithë e njohim.

Në prag të Luftës së Dytë Botërore, një pronar dyqani bojërash në Belleville, New Jersey dëgjoi një trokitje të drojtur në derë. Ishte një emigrant gjerman 28-vjeçar i quajtur Leo Gelbart, i cili shkonte shtëpi më shtëpi duke kërkuar ndihmë nga anëtarët e komunitetit hebre të qytetit, në mënyrë që të sillte familjen Penzias, të përbërë nga Karl dhe Justine dhe djemtë e tyre Arno dhe Guenther, nga Gjermania, për t’i shpëtuar regjimit nazist.

Për ta e vetmja alternativë ndaj kampit të përqendrimit ishte arratisja. Por për ta bërë këtë, atyre u nevojiteshin një sërë deklarimesh: dokumente zyrtare që vërtetonin ekzistencën e një të afërmi dhe një rrjet sigurie financiare në Shtetet e Bashkuara. Gelbart dyshohet se dha dokumentin e parë, duke pretenduar se miku Karl Penzias ishte kushëriri i tij. Por si kamarier nuk kishte para të mjaftueshme për të qenë garant financiar i familjes. Kështu ai po kërkonte dikë që të firmoste deklaratën e dytë dhe të merrte përgjegjësinë për familjen, nëse do të ishte e nevojshme.

Ndihma që ndryshoi historinë

Tregtari i bojërave pranoi t’i ndihmonte: “Do të jem i lumtur t’u jap një dorë derisa të jenë në gjendje të mbajnë veten,” shkroi ai në deklaratë. Kështu, familja Penzias u shpërngul në Amerikë nga Gjermania, jo me pak vështirësi, dhe Arno, djali i madh, u bë një nga fizikantët dhe astrofizikanët më të mëdhenj në botë. Në vitin 1978, së bashku me Robert Woodrow Wilson, ai fitoi Çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin, në vitin 1964, të rrezatimit kozmik të sfondit mikrovalor, mbetjet e një shpërthimi që i dha jetë universit rreth 14 miliardë vjet më parë. Ai shpërthim, i njohur si Big Bang, është sot shpjegimi i pranuar gjerësisht për origjinën dhe evolucionin e universit.

Jeta e Arno Allan Penzias

Ai lindi në Mynih në vitin 1933, kur filloi ngritja e Hitlerit në pushtet. Në vitin 1938 familja u mblodh me hebrenj të tjerë që mbanin pasaporta polake dhe u detyrua të hipnin në një tren për t’u larguar në Poloni. Por treni u vonua dhe zyrtarët polakë ua shpallën të pavlefshme pasaportat para se të arrinin në kufi. Në vitin 1939, ndërsa po nxitonin të organizonin nisjen për në Amerikë, prindërit e Arnos dërguan dy djemtë e tyre të vegjël në Angli falë Kindertransport, një nismë humanitare britanike falë së cilës u shpëtuan 10,000 fëmijë, kryesisht hebrenj, nga territoret naziste.

Të dy kaluan nëpër familje të ndryshme kujdestare derisa Karl dhe Justine Penzias, falë ndihmës së marrë nga pronari amerikan i bojës, arritën të kishin të gjitha dokumentet e nevojshme për t’u larguar për në Shtetet e Bashkuara. Thuhet se në udhëtimin me anije për të kaluar Oqeanin Atlantik, siç raporton National Geographic, ata u mbijetuan uraganeve të forta dhe sulmeve të nëndetëseve gjermane.

Mundësia për të qenë në gjendje të studionte

Me të mbërritur në Nju Jork, familja u vendos në Bronx dhe Arno ishte në gjendje të studionte në Shkollën e Lartë Teknike të Brooklynit, e të diplomohej në City College, duke përfunduar, pas shërbimit ushtarak, një doktoraturë në fizikë në Universitetin e Kolumbias. Më pas ai iu bashkua Bell Laboratories ku nga viti 1972 mbajti postin e drejtorit të departamentit të kërkimit të radiofizikës, duke punuar në projekte pioniere, përfshirë komunikimet satelitore dhe fibrat optike.

Ai gjithashtu dha mësim në universitete të shumta amerikane, duke përfshirë Princeton dhe Kembrixh. Ai u bë anëtar i Shoqatës Amerikane të Astronomisë dhe Shoqatës Amerikane të Fizikës, si dhe i Unionit Ndërkombëtar Astronomik. Në vitin 1965, ndërsa me Robert W. Wilson po përpiqej të reduktonte zhurmën e sfondit të pranishëm në komunikimet me satelitët artificialë, ai zbuloi rrezatim të vazhdueshëm në 4.35 cm i cili, së bashku me rrezatimin e zbuluar pak më vonë në 20.7 cm, disponohej në një kthesë rrezatimi termik rreth 3°K. Për këtë zbulim, i cili përbën një nga të dhënat kryesore në mbështetje të teorisë kozmogonike të Big Bang-ut, të dy u nderuan me Çmimin Nobel për Fizikë në vitin 1978, së bashku me urimet e presidentit të atëhershëm Jimmy Carter. Pikërisht në përgjigje të atij telegrami ai i shkroi presidentit mirënjohjen, që pati mundësinë të jetonte në Shtetet e Bashkuara.

Fjalët prekëse

“Kam mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tridhjetë e nëntë vjet më parë pa para, si refugjat nga Gjermania naziste. Për mua dhe familjen time, Amerika përfaqësonte një strehë të sigurt, një vend të lirë plot mundësi. Në një kohë kur premtimet dhe rëndësia e institucioneve amerikane shpesh vihen në dyshim, ndihem i detyruar të dëshmoj se si është realizuar premtimi amerikan në përvojën time personale të jetës. Jam thellësisht krenar që jam amerikan dhe shumë mirënjohës për Amerikën dhe popullin amerikan. Përfitoj pra nga rasti, t’ju shpreh juve, si përfaqësues i popullit amerikan, një pjesë të vogël të falënderimit tim për të gjithë amerikanët”. (bota.al)

PASAPORTA E EMËRVENDEVE TË ROGANËS- Nga Atdhe Geci, Prof. dr. Refik Kryeziu

Rogana ka histori të pasur me toponime dhe emërvende të shumta. Fshati Roganë është i lashtë sa fjala shqipe, bukë, kripë, dhe ujë. Për Roganën ka dëshmi të pamohueshme për lashtësinë e saj. Rogana në vitin 1999 u kryqëzua me emrin Roganë. Rogana sot ka rreth 3 mijë banorë. Fshati Roganë aktualisht ka 8 doktor shkencash, 21 magjistra, dhe disa profesorë që presin doktorantën. Në Roganë ka figura të shquara kombëtare. Nga Rogana është prof. Dr. Shaban Geci, Mr Tefik Geci, Albanalogu i shquar, Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu, Poeti dhe veprimtari i çështjes çame, Atdhe Geci, Ekonomisti dhe studiuesi, Prof. Dr. Refik Kryeziu, Kompozitori i shquar i Himnit të Çamërisë, Izet Kallaba, Gjenerali i njohur, Ramadan Qehaja, Shkrimtari, Sadik Geci, Përrkthyesi i shquar nga Gjuha Gjermane në Shqip, Prof. Dr. Naim Kryeziu, Profesori i Sportit të Kosovës, Dr. Artan Kryeziu, Regjisor me 25 çmime ndërkombëtare, Prof. Dr. Durim Kryeziou, Shkrimtarët, Hasije Kryeziu, Xhavit Kryeziu, Bajram Kryeziu, Xhevdet Kallaba, Selim Kryeziu. Klubi “Alpinistët” është krenari jo vetëm e Roganës por e gjithë kombit. Në Roganë ka piktorë e skulptorë të jashtëzakonshëm. Rogana në Luftën Çlirimin e Kosovës maturoi me 3 Dëshmorë të Kombit. Për Roganën kam shumë për të thënë e shkruar por kësaj here unë dhe Prof Refiku po japim një listë të papërfunduar të emërvendeve. Lexim të këndshëm;

Roganë

Mbiemrat: Kryeziu, Rrudhani, Kallaba, Geci, Suliqi, Mehmeti, Kastrati, Abdullahu, Surdulli, dhe mbiemrat e familjeve nga Breznica dhe Kronidelli etj.

Lagjet – Kryeziu, Geci, Rrudhani, Kallaba, Veseli, Hima, Suliqi, Sinani, Katushnica, Banimi i Ri. Kastrati, Shtëpitë e Breznicëve, Surdullëve etj.

Rrugët – Rrugët kryesore: Rr. Emin Kryeziu, Rr. Selver Kryeziu, Rr. Nevzad Kryeziu, Rr. Sejdi Kryeziu, Rr. Hafez Kallaba, Rr. Kamer Thaçi.

Rrugët dytësore: Rr. Sabit Rrudhani, Rr. Ramadan Kallaba, Rr. Dijes, Rr. Selman Trena, Rr. Banimi ri, Rr. Mërgimtari, Rr. 16 Qershori, Rr. Agim Ramadani.

Rrugicat e lagjeve – Rr. Murat Kryeziu, Rr. 17 Shkurti, Rr. Xhafer Kryeziu, Rr. Ramadan Halimi, Rr. Haxhi Xhemaili, Rr. Hafiz Kryeziu, Rr. Rrudhani, Rr. Mulla Shefkiu, Rr. Haxhi Salihu, Rr. Shaban Surdulli.

Rrugët periferike – Udha Fungishtës, Udha Livadheve, Udha Grykave, Udha Therrave, Udha Kanikut, Udha Harrnicës, Udha Halimit, Udha Kodrës, Udha Shtëpisë së Vjetër, Udha e Fshatit të Ri, Udha e Sterllocit, Udha e Malit, Udha e Guramelit, Udha e Fushtërllakut, Udha Përronit të Madh, Udha e Arës së Re, Udha e Linit.

Shtigjet – Shtegu Atletëve, Shtegu Alpinistëve.

Monumentet – Lapidari i Dëshmorëve Selver e Emin Kryeziu, Busti i Dëshmorit Nevzad Kryeziu, Busti i Dëshmorit Metush Krasniqi.

Objektet arsimoree shëndetësore – SHFMU “Metush Krasniqi”, Shkolla e Mesme “Sejdi Kryeziu”, Qendra e mjekësisë familjare “Dr. Shaban Geci”.

Objektet fetare – Xhamia, Mejtepi, Tyrbja e Shehut, Vorrezat.

Objektet e rezistencës – Shtëpitë e Luftës.

Arat – Ara Fongishtës, Ara Linit, Ara Kodrës, Ara Prronit të Madh, Ara e Dardhës, Ara e Sërrnishtave, Ara, Kryet e Njeriut, Arat te Grykat, Ara Pjetrit, Ara Re, Ara Tushës, Ara Sterllocit, Ara te Gurinat, Ara Rrafshit, Ara e Zezë, Ara e Bijave, Ara e Zenelit, Ara e Nikut, Ara e Tepsijave, Ara e Kanikut, Ara andej Kanikut, Ara Balës, Ara e Katushnicës, Arat te Reka e Madhe, Ara Luga Haxhisë, Ara te Xharrinat, Arat Lugu i Hordhinës, Ara e Frashërit, Ara Jonuzit, Arat te Vada, Ara te Lluka, Ara Gojfilit, Ara e Zahirit, Ara e Metushit, Arat e Gjata, Arat e Romëve, Konoplishta.

Fushat – Te Livadhet, Fusha Cukelit, Fongishta, Livadhi Kukit, Rrëzë Brija, Livadhi Ymerit, Livadhi Mehmetit, Gurameli Ulët, Gurameli Epërm, Fusha e Fierit, Fusha e Frakamenit, Bari Kuajve, Livadhi Ahmetit, Livadhi Sinanit, Kullosa Zabelit të Madh, Kullosa; Ara Zenelit, Livadhi i Sherifit, Lugu I Hordhinës, Lugaja e Madhe.

Malet – Shpati, Zabeli Madh, Sterlloci, Kodra Brijës, Zabeli i Gecit, Shpati Rojeve, Zabeli i Veselit, Bugazi, Minarja Halitit, Skarramoni, Shpati Hordhinës, Hijet e Bungut, Pishat e Bardha, Fushtërllaku i Ulët, Fushtërllaku i Epërm, Vendi i Arushave, Shpati i Shkozës, Bagremi, Therrat e Kuqe, Therrat e Zeza, Zabeli i Osmanit, Lloçi i Thiut, Rrënxa e Fytit, Shpati i Bletës.

Lumejt, Përrojt, Puset ose ( Buranët ), Lumi i Madh, Përroni i Madh, Përroni i Grykave, Përroni i Pojatës, Vija e Mullinit, Kalanicat e Ujit, Përroni i Linit, Përroni Kanikut, Përroni Lisit, Përroni Daullës, Përroni Shelgut, Përroni Tojës, Përroni i Qershisë, Përroni Maleve, Përroni Lugajës, Përroni Buallicave.

Burimet e ujit – Çeshma e Poshtme, Çeshma Epërme, Çeshma Ultë, Çeshma Kanikut, Çeshma Sadrisë, Çeshma te Zabeli Madh, Çeshma Ahmetit, Çeshma Hallës Jetë, Kroni Gurëve, Kroni Lisit, Kroni Bojkut, Kroni te Livadhet, Kroi Kanikut.

Pemët, Drujt – Lisi i Cukelit, Thanat e Shpatit, Bostoni i Kamerit, Molla Nuses, Dardhat e Kodrës, Te Hija Rrushit, Lisi i Gjatë.

Mullitë: Mullini Fetahut, Mullini Gecëve, Mullini Limonit, Mullini Ymerit, Mullini Mehmetit, Mullini Ahmetit, Mullini Ramadanit, Mullini Suliqëve, Mullini Tahit, Mullini Shaqirit, Mullini Veselit, Mullini Sinanit, Mullini Kallabëve.

Minierat – Antimoni, Miniera Bungut, Argjila Kuqe, Mella Bardhë, Argjila Malushit, Dheu Çerpiqëve.

Urat – Ura Epërme, Ura Poshtme, Ura te Rrudhanët, Ura Balës, Ura Katushnicës, Ura te Tyrbja e Dervishëve, Ura te Livadhet, Ura te Selimi, Ura e Nagipit.

Gurët e veçantë – Guri Gatë, Guri Madh, Gurët e Këqij, Guri Akullit, Guri Mprehtë, Gurët e Gjarpërijve.

Fshati i Ri

Mbiemrat: Rrudhani, Lenjani, Kallaba, Bajrami, Azizi.

Lagjet – Sinani, Balajt, Musajt, Rrapi, Emini, Jahjat, Sahitajt.

Rrugët – Blinaja, 11 Maji, Egnatia, Te Lumi.

Objektetfetare – Xhamia, Vorrezat.

Arat – Ara Lecit, Ara Ledinave, Ara te Kodra, Ara e Katunit, Ara e Shpatinave. Arat nër Vadë, Qermenica, Shortët, Llugat, Bregi, Ara Tafës, Ara Hajdarit, Ara Muratit, Ara Canit, Katushnica, Ara Monit, Ara Dumës, Te Lluga, Ara Marjanit, Ara te Rrushi, Gërlica.

Fushat – Rrafshi i Çeshmes, Xharrinat, Lluga Breznicës, Kryet e Fushës Madhe, Shpati i Katunit, Shpatina e Leut.

Malet – Shpati i Katunit, Shtëpija e Selimit, Shpati, Bregu i Fshatit, Zabeli i Musahit, zabeli Katunit, Te Duma, Te Xhurreli.

Lumejt&Përrojt – Përroni Katushnicës, Përroni i Katunit, Përroni Arës së Lecit, Përroni Lendinës, Përroni i Majës, Përroni i Fushës.

Burimet e ujit – Puset ( Bunarët ), Pusi Katunit, Livadhi Bozës, Livadhi Gatë, Xhumeli.

Urat – Ura Katunit, Ura Musajve.

Muhaxherët

Mbiemrat: Kryeziu, Thaçi.

Lagjet – Huruglica, Vraja.

Rrugët – Rr. Molla e Kuqe, Rr. Ahmet Huruglica.

Monumentet – Vendbanimi Vjetër ( Shtëpitë e Vjetra ).

Objektetfetare – Vorrezat.

Arat – Ara Lumit, Arat e Gata, Ara e Sylës, Ara Hysenit, Ara Selimit, Ara Malit, Ara e Kadrisë, Ara Sadrisë, Ara Kallabëve, Ara Sylejmanit, Ara Fehmisë, Ara Salihut, Arat te Bregu, Arat te Udhëkryqi, Ara Raifit, Ara Xhemailit, Ara Halimit.

Malet – Zabeli Madh, Zabeli Selimit, Zabeli Linit.

Ledinat – Trojet e Vjetra, Ledina e Hajrës, Ledina e Ahmetit

Lumej&Përroj – Përroi i Madh.

Burimet e ujit – Puset ( Bunarët ), Çeshma Zahirit, Çeshma Ahmetit, Çeshma Hajrës.

Pemët – Pemishtja e Hajrës.

Urat – Ura Zahës.

Lagja Kronidel

Mbiemrat: Lakna, Qehaja, Thaçi, Shabani, Salihu.

Rrugët – Rr. Rexhep Qehaja, Rr.Kaçarrit

Arat – Arat e Kodrës, Ara Bahtjarit, Ara Demirit.

Fushat – Parku Lagjës

Malet – Mali Dardhës, Shpati Demës, Rrafshi Ulët, Rrafshi Epërm, Avarenat, Pas Kodre, Guri Madh, Guri Akullit, Rogat e Sonës, Guri Kronidelit, Livadhi Selimit, Gurinat, Dushku i Keç.

Lumejt, Përrojt – Prroni Madh, Prroni Bukrrimës, Prroni Qershisë.

Burimet e ujit – Puset ( Bunarët ) .

Mullijt – Mullini i Tahit

Minierat – Miniera e Madhe, Miniera e Vogël.

Kufizimi i Roganës – Rogana kufizohet me këto fshatra: Analumi, Odaniku, Shtëpia Vjetër, Bllata, Shipashnica Poshtme, Shipashnica Epërme, Kronideli, Breznica, Karaqeva Ultë dhe Karaqeva Epërme.

Kontribuan: Ilaz Rrudhani, Agim Lakna dhe Ramush Kryeziu.

Prof. Dr. Refik Kryeziu dhe Atdhe Geci

Akademik Valter Memisha një personalitet i shquar i gjuhësisë shqiptare- Nga FETI ZENELI

Të shkruash për Akademik Valter Memishën nuk është e lehtë. Jo se nuk ke material apo të dhëna për të. Ato janë tejet të bollshme, ku vetëm “CV”-ja e përmbledhur e tij shkon në rreth 20 faqe format “A4”. Vështirësia qëndron te koncentrimi i gjithë kësaj veprimtarie për t’i bërë, si me thënë, portretin e duhur këtij shkencëtari të fjalës shqipe e të gjuhës. Je pak a shumë në atë situatë për të cilën Markez thotë: “të shkruash një tregim është shumë më e vështirë se të shkruash një roman”. Në një situatë të tillë më vendos dhe mua ky shkrim modest për një personalitet të shkencës gjuhësore. Kam qysh nga 6 shkurti i këtij viti, kur kryesia e Akademisë së Shkencave e votoi Prof. Dr. Valter Memishën si Akademik për shkencën e gjuhësisë, që jetoj me idenë e një shkrimi dinjitoz për të. Qëllimi është që ta bëjë po aq të njohur për publikun e gjerë shqiptar, sa ç’është edhe në rrethet akademike e katedrat universitare; pra në të gjithë botën shkencore brenda e jashtë vendit. Pastaj, familjarizimi i shqiptarëve dhe njerëzve të thjeshtë në përgjithësi, me termin “shkencëtar gjuhe”, është pak më i vështirë se sa me shkencëtarët e fushave të tjera.

Tani për tani, autoriteti më i spikatur në këtë fushë të shkencës shqiptare është akademik Eqrem Çabej. Pra, ai është i pari i fisit të albanologëve tanë më në zë, të cilët mund t’i quajmë me një emër të përgjigjshëm – të “i Çabeje”. Në atë kuptim që, përgjithësisht, zona e Labërisë e përdor në të folurën e përditshme për të treguar për përkatësinë familjare të dikujt, që emërtohet nga mbiemri i tij. (Fjala vjen, po qe se mbiemrin e ke “Shehu”, të thonë “i Shehe”).

Valteri e njeh shumë mirë këtë gjuhë. Atë, sa mbaroi fakultetin me rezultate të shkëlqyera, e emërojnë mësues në një nga fshatrat labe të Tepelenës. Ai në pak kohë arriti të njoh nga afër jo vetëm gjuhën e njerëzve, por dhe atë “të kafshëve dhe shpendëve” të asaj zone, sepse punoi për të mbledhur pasurinë dialektologjike, por sidomos atë leksikore të zonës ku punoi dhe më gjerë. Madje ka botuar një fjalor me emërtime për kafshë e shpendë në Labëri me 6500 fjalë dhe 1500 njësi frazeologjike, për të cilin ka punuar plot 10 vjet, duke i mbledhur ato si lule manushaqe, drejtpërdrejtë nga terreni. Më vonë do të jetë Akademia e Shkencave të Austrisë, që, në një projekt kërkimi për terminologjinë e jetës baritore në Ballkan, e merr përsipër për ta botuar këtë vepër interesante.
Valteri, me modestinë e tepëruar që e karakterizon, vazhdon ta konsiderojë veten ende “nxënës” të fisit të madh të shkencëtarëve të gjuhës shqipe, ndonëse qysh nga shkurti i këtij viti mban titullin “Akademik”, njëlloj si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Jani Thomai, Ethem Lika, Gjovalin Shkurtaj, etj. Madje të njëjtin vlerësim i bën vetes edhe në raport, për shembull, me prof. dr. Miço Samara, me prof. Hajri Shehu, etj. Nuk kam ndërmend, dhe as zotësinë e mjaftueshme, të bëjë hierarkinë e këtij korpusi shkencëtarësh të fjalës e të gjuhës shqipe, por me këto pak radhë do përpiqem të evidentoj sa të mundem për publikun e gjerë, dimensionet intelektuale dhe ato shkencore të Akademik Valter Memisha, i cili mban një profil të tërhequr mediatik, siç ndodh në përgjithësi, me njerëzit zelltarë e të përkushtuar.

Gjuha është një fushë e gjerë studimesh, që ashtu si çdo aspekt tjetër i jetës dhe veprimtarisë njerëzore, ka hapësira të pafundme për të kërkuar dhe eksploruar. Ndaj profilizimi në sektor të ngushtë kërkimesh është një kusht për të qenë eficient dhe i suksesshëm. Profilizimi arrihet me studime dhe specializime pasuniversitare. Dhe këtë rrugëtim Valteri e nisi qysh në vitin 1984, jo më shumë se 5 vite pasi kish mbaruar universitetin dhe punonte si mësues në shkollat e mesme të rrethit Tepelenë. Tre vite pas këtij specializimi në gjuhësinë shkencore kalon pedagog në Departamentin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër. Punësimi në këtë institucion të lartë arsimor, përbënte për të, një mundësi më shumë dhe një hap më afër punës shkencore. Ndërkohë kryen dhe dy specializime të shkurtra jashtë shtetit, fillimisht në Universitetin “Aristotelis” të Greqisë dhe më pas në Universitetin e Barit në Itali. Në qershor të vitit 2001, pasi përfundoi këtë specializimin e fundit, vetëm pas 5 muajsh, saktësisht në 16 dhjetor, emërohet punonjës shkencor në Departamentin e Leksikologjisë dhe Terminologjisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Akademinë e Shkencave. Pas 7 vitesh punë të suksesshme në këtë institucion të lartë shkencor, në mars të 2008-ës, kalon tek Qendra e Studimeve Albanologjike. Ka rreth 15 vjet, që punon e kërkon në këtë fushë. Aktualisht mban edhe detyrën e Rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Puna dhe kërkimi shkencor në një anë, mësimdhënia akademike në krahun tjetër, janë dy fusha ku identifikohet profili i këtij gjuhëtari. Janë me fat ata studentë apo specializantë që marrin leksione dhe testojnë përfitimin e njohurive te profesor Valteri. Dhe këtë fat për 15 vjet, duke filluar nga 2001-shi, e kanë pasur pothuajse një numë jo i vogël i studentëve shqiptarë të degës së gjuhësisë, duke filluar nga ata të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë apo të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, të Universitetit të Gjirokastrës, ku Valteri e nisi këtë karrierë. Gjithashtu për shumë vjet jep mësim në Universitetin e Vlorës, të Elbasanit apo në Shkup. Ndërsa nga 2010-a e në vazhdim është pedagog e drejtues i Shkollës së Doktoraturës në Gjuhësi. Ai deri tani ka udhëhequr rreth 20 teza doktoraturash në fushën e Leksikologjisë, të Semantikës dhe të Leksikografisë dhe mbi 50 mastera shkencorë. Këto fusha, si dhe pjesëmarrja në grupet hartuese të fjalorëve shpjegues kombëtarë të shqipes dhe atyre specialë, përbëjnë njëkohësisht dhe profesionalizimin apo specializimin e ngushtë, ku është përqendruar dhe veprimtaria e tij shkencore.

Gjurmën e parë të veprimtarisë së mirëfilltë shkencore, Valteri e ka hedhur 40 e ca vite më parë, në mars të vitit 1982, teksa në sesionin shkencor me rastin e ngritjes së bërthamës gjuhësore në Tepelenë, referon temën: “Rreth shtresës së fjalëve që lidhen me emërtimet e njerëzve sipas tipareve fizike e morale”. Do referojë dhe 4-5 tema të tilla në Tepelenë e Gjirokastër, për të mbërritur tek ajo “më emocionuesja”, siç na tha këto ditë Akademik Valter Memisha. Ishte dhjetor i vitit 1994. Në Gjirokastër zhvillohej sesioni shkencor, kushtuar figurave të shquara të këtij qyteti. Në këtë sesion, Valteri mban kumtesën “Eqrem Çabej – personalitet i jashtëzakonshëm i albanologjisë”. Të njëjtën gjë bën në sesionet shkencore të radhës, mbajtur në qytetin e gurtë, për Ismail Kadarenë, Hasan Sazanin, Jorgo Bulon, Andon Zako Çajupin, etj. Por nëse i marrim me radhë këto kumtesa kombëtare të veprimtarisë shkencore, vëmë re se janë me dhjetëra të tilla, të shpërndara në të gjithë universitet e vendit tonë. Janë gjithashtu edhe me dhjetëra kumtesa ndërkombëtare brenda vendit, apo ato ndërkombëtare jashtë vendit, që u përkasin veprimtarive shkencore të kësaj natyre. E gjithë kjo veprimtari përfshin mbi gjithsej mbi 165 kumtime shkencore.

Por aktivitete të tilla, sado të shumta në numër qofshin, përsëri nuk tregojnë shumë për punën e vërtetë shkencore të bërë nga “x” apo “y” studiues, aq më pak për Akademik Valterin. Ndryshe qëndron çështja me artikujt shkencorë, brenda dhe jashtë vendit. Nëpërmjet tyre ballafaqohesh me botën akademike, jo më me të folurit, por me të shkruarit. Jo se përgjegjësia e profesionistëve nuk është njëlloj para publikut dhe kolegëve në të dy rastet. Problemi lidhet me faktin, se s’kemi të bëjmë, thjeshtë, me një ndryshim në aspektin e formës apo formulimit, por në atë të përmbajtjes dhe thellimit. Edhe në këtë aspekt, Valteri, fjala vjen vetëm nga periudha kur u bë profesor doktor e deria sa u bë akademik ka botuar mbi 110 artikuj shkencorë brenda e jashtë vendit, trajtuar të gjithë me profesionalizëm e kompetencë shkencore.

Sidoqoftë, gjithçka përmendëm në këtë drejtim, si dhe organizmi e bashkorganizimi prej tij i 12 konferencave ndërkombëtare kombëtare, janë dëshmi aftësie dhe kompetence në këtë fushë të shkencës, por nuk tregojnë përfundimisht gjithë personalitetin shkencor të Akademik Valterit, apo të çdokujt tjetër që ka bërë vend në këto nivele të larta të shkencës gjuhësore.

Ndryshe qëndron puna me veprat shkencore të punuara e të publikuara. Ato janë shkencë safi, janë jo vetëm sasi faqesh e veprash, por dhe cilësi e tregues e formimit të tij shkencor. Vepra të tilla, po aq sa autorit i përkasin vendit dhe gjithë popullit, sepse, në një farë kuptimi, janë e klasifikohen si pasuri e madhe kombëtare. Janë frytet e një pune disavjeçare në terrenin e kombit shqiptar këtu e në Kosovë, ku Valteri ka marrë pjesë në dhjetëra ekspedita gjuhësore për të mbledhur pasuri leksikore, frazeologjike e semantike, etnolinguistike, dialektologjike, etj. Paralelisht në kohë, dhe me të njëjtin përkushtim, është marrë e vazhdon të merret edhe me vjeljen leksikore nga letërsia artistike, nga publicistika, veprat politiko-shoqërore dhe ato tekniko-shkencore, etj. Janë punë me themel të një njeriu që nuk humbet asnjë sekondë kohë të jetës së tij, duke u endur jashtë fushës së veprimtarisë shkencore. Por janë gjithashtu edhe punë, të cilat nuk përballohen vetëm, qofsh dhe gjeni, sidomos në disa vepra që janë shtylla të gjuhës, për rrjedhojë dhe të kombit. Fjalorët e gjuhës shqipe janë vepra të kësaj natyre. Po edhe këtu, Valteri mban peshë e poste të rëndësishme. Marrim një nga këto vepra, që është “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” me 120 mijë fjalë e njësi frazeologjike (me 8 mijë deri në 9 mijë faqe), hartimi i të cilit përfundon në vitin 2024. Në këtë projekt gjigant mbarëkombëtar, ai është bashkëdrejtues, zëvendëskryeredaktor, redaktor, hartues dhe sekretar shkencor. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për Fjalorin e gjuhës shqipe të 2006-ës, me 48 mijë fjalë e 5 mijë njësi frazeologjike, ku përveçse hartues për 12 shkronja të alfabetit, ka qenë redaktor letrar i gjithë veprës, korrektor dhe formatues i saj. Po kështu dhe me “Fjalorin e vogël të gjuhës shqipe” 2020, (me 35 mijë fjalë e 3 njësi frazeologjike), ku së bashku me Akademik Jani Thomai (një nga akademikët më të shquar të ditëve të sotme) dhe pesë punonjës të tjerë shkencorë të nivelit “Profesor Doktor”, Valteri, përveçse hartues fjalësh e njësish frazeologjike për 9 shkronja të alfabetit, është përsëri dhe redaktor letrar, korrektor dhe formatues i veprës. Ndalemi tek një vepër tjetër, po me kaq rëndësi shkencore, siç është Fjalori i madh frazeologjik i shqipes me 35 mijë njësi, ku Akademik Valter Memisha është bashkautor me Akademik Jani Thomain dhe Prof. Dr. Ali Jasharin. Ashtu si Fjalori i madh i Gjuhës shqipe edhe kjo vepër janë drejt përfundimit dhe gjatë vitit 2024 do të jenë gati të përdoren.

Një grup tjetër veprash studimore të fushës së gjuhësisë janë dhe ato, që Valteri i cilëson si “Veprimtari botuese vetjake”. Këto fillojnë me monografinë prej gati 300 faqe të vitit 1999, të titulluar: “Dukuri semantike gjatë formimit të mbiemrave prejpjesorë në gjuhën shqipe”. Në korpusin e veprave të botuar prej tij, që deri tani janë 13 të tilla (përveç punës së hartues në fjalorët kombëtarë të përmendur më lart) përfshihen dhe “Studime për fjalën shqipe” me 8 vëllime, “Leximi leksikografik i veprës ‘Shkolla e partisë’ e Daut Gumenit”, teksti universitar “Ushtrime për leksologji e semantikë leksikore”, vepra “Emërtimet e shkurtuara në gjuhën shqipe” me bashkautor, etj.

Ai gjithashtu, po punon personalisht në një sërë veprash të tilla, si fjala vjen, “Fjalor i veprës së Martin Camajt (i parashikuar me 4 vëllime), “Fjalor i leksikut dituror në veprën e Branko Merxhanit” (diku tek 650 faqe), “Fjalor i frazeologjisë së Gjergj Fishtës” (me gati 700 faqe), etj. Paralelisht me to po përgatit edhe “Fjalor i veprës së Ismail Kadaresë”, që është një vepër sa e rëndësishme, po aq dhe voluminoze.

Mund të vazhdonim të tregonim ende për punë e vepra të tjera shkencore të Akademik Valter Memishës, ndërkohë që ai është në kulmin e veprimtarisë dhe krijimtarisë së tij; plotë energji dhe me informacion të grumbulluar në mijëra skeda. Dhe siç na pohoi vetë, për ta kthyer në vepra shkencore, informacionin e deritanishëm, do t’i dukeshin, të paktën 10 vite kohë, i paangazhuar me punë e veprimtari të tjera. Duke përjashtuar kohën e punës zyrtare, çdo ditë kësaj veprimtarie i kushton edhe 8 orë të tjera. Sidoqoftë, kurrë nuk jeton me frikën se s’mund t’ja dalë. Sepse gjithçka e planifikon mbi tregues e fuqi reale, dhe punon me merakun për të lënë sa më pak hapësira për vepra të papërfunduara. Hedh themele të forta për çdo vepër gjuhësore që ngre. Mjetet e punës që përdor janë argumente kokëfortë, arsyetimi logjik dhe ekspertiza shteruese. Ka një këmbëngulje dhe durim sizifian në çdo punë të nisur. Dhe mbi të gjithë ka një moshë akademike të re. Ndaj, me siguri, që e ardhmja e Akademik Valter Memishës do të na rezervojë prurje të reja shkencore, të rëndësishme e të vlerësuara në këtë fushë.

Marrë nga Nacional

Stuhitë gjeomagnetike pritet të godasin Tokën pas shpërthimit diellor

Stuhitë gjeomagnetike të shkaktuara nga shpërthimet diellore pritet të godasin Tokën këtë fundjavë, duke ndikuar ndoshta në komunikimet me radio në zona të caktuara, njoftoi sot Qendra Amerikane e Parashikimit të Motit Hapësinor.

Stuhitë e pritshme janë të efekteve të kategorisë G1 (të vogla) dhe G2 (të moderuara).

“Një komponent i drejtuar nga toka pritet sot rreth mesditës”, tha Qendra e Koordinuar Universale (UTC). Efektet pritet të vazhdojnë deri të dielën.

 

“Stuhitë G2 mund të çojnë në korrigjimin e orientimit të anijes kozmike”, tha qendra.

 

Për më tepër, disa komunikime me valë në gjerësi më të larta mund të ndikohen.

Transformatorët e fuqisë gjithashtu mund të dëmtohen, dhe aurorat (dritat veriore) gjithashtu mund të vëzhgohen mirë në jug të rajonit polar.

 

Stuhitë janë shkaktuar nga të ashtuquajturat “shpërthime masive koronale” që ndodhën të enjten dhe të premten.

 

Këto CME nxjerrin retë plazmatike të elektroneve, protoneve dhe bërthamave të caktuara.

 

“Blapsat diellore janë shpërthime të fuqishme energjie. Shpërthimet diellore mund të ndikojnë në komunikimet me radio, rrjetet e energjisë elektrike, sinjalet e lundrimit dhe të paraqesin rreziqe për anijen kozmike dhe astronautët”, tha NASA.

 

Sipas qendrës, të enjten u regjistruan shpërthimet më të forta polare deri më tani. Shpërthimet ndërprenë disa komunikime me valë të enjten.

Aktiviteti diellor është rritur që nga dhjetori 2019. Dielli kalon nëpër cikle diellore prej afërsisht 11 vitesh, me aktivitet gjithnjë e më të vogël. Cikli aktual po i afrohet maksimumit.bw


Send this to a friend