Profesor Kristo Kristidhi (1902-1979) okulisti i parë i Kryeqytetit shqiptar, mjeku që ua ktheu dritën e syrit qindra të sëmurëve, është një gurët e themelit të mjekësisë sonë kombëtare.
Ai lindi në Manastir më 5 Mars 1902, në një familje intelektuale dhe përparimtare, i biri i Anastas Kristidhit, mjek patolog, nga më të njohurit në kohën e tij.
Shkollën fillore dhe qytetëse i kreu në vendlindje, kurse shkollën e mesme në Follorinë (Greqi). Kristo ndoqi studimet e larta dhe u specializua për sëmundjet e syrit në Grac të Austrisë, në klinikën e famshme të prof. Françesketit, që ishte një nga figurat më të shquara botërore të kohës në specialitetin e oftalmologjisë. Pasi u pajis me kulturë të gjerë profesionale dhe përvojë të mjaftueshme, vjen në Shqipëri në vitin 1929, kohë që shënon fillimin e përpjekjeve të tij shumëvjeçare në hedhjen e themeleve të shërbimit të okulistikës në vendin tonë.
Gjatë viteve 1929-1931 dr. Kristo Kristidhi shërbeu si mjek privat në Tiranë. Shumë të vështira mbetën në kujtesën e tij vitet e para të punës. Dashuria për profesionin dhe dëshira për të punuar në shërbim të fatkeqëve sfiduan vështirësitë e kohës dhe mundësuan që okulisti i ri, edhe duke qenë fare i vetëm, të hidhte bazat e shërbimit okulistik, i cili me punë dhe përpjekje u rrit dhe u profesionalizua ndër vite, duke u shndërruar në një nga shërbimet më të avancuara në spitalin civil të Tiranës, ku dr. Kristo Kristidhi u emërua përgjegjës i shërbimit të okulistikës gjatë periudhës 1931-1939. Sa të lodhshme, aq edhe motivuese ishin përpjekjet e tij për ta kthyer në art përdorimin e bisturisë e për të mos lejuar që verbimi të triumfonte mbi dritën e syrit. Dr Kristo Kristidhi, tashmë në kushte spitalore, me një pavijon ku shtroheshin të sëmurët dhe me sallën e operacionit në dipozicion, implementoi shumë metoda të reja dhe të përparuara në fushën e trajtimit të sëmundjeve të syrit me metoda kirurgjikale. Veçse më pas, në vitin 1939, pushtuesit italianë e larguan nga spitali duke e zëvendësuar me një mjek italian, për t’u rikthyer edhe një herë si mjek okulist ambulator në qytetin e Tiranës.
Kristidhi ka ardhur në Shqipëri, pasi u martua me shoqen e tij të shkollës Marie Gjinali dhe pas pak kohësh emërohet mjek okulist pranë spitalit të përgjithshëm civil, e më pas në Spitalin Ushtarak. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, prof.dr. Kristo Kristidhi ndihmoi mjaft partizanë të plagosur si dhe hebrej të përndjekur nga nazistët, nevojtarë etj.
Gjatë aktivitetit të tij profesional, ai shkruajti dhe libra e dispensa. Në vitet e fundit të jetës së tij, profesor Kristidhi përgatiti për botim librin “Higjiena okulare, shkollore dhe profesionale”, që humbi përpara botimit. Vdekja e parakohshme e bashkëshortes së tij shumë të dashur, sëmundja që i zgjati dhe i mori jetën në 1979, nuk i dhanë mundësinë t’i rishkruante ato.