I paska dëgjuar apelet Presidentja dhe paska ndërmarrë sot iniciativën për të nisur këshillimet me “liderët e partive politike dhe të institucioneve përkatëse të vendit, në përpjekje për të gjetur një rrugë të daljes nga kriza, që ka bllokuar institucionet vendit”, siç thuhet në media.
Së pari, Presidentja është nënshkruesja e parë e kësaj krize, pak ditë pas 8 qershorit 2014, kur iu drejtua Gjykatës Kushetutuese për të marrë mendimin e saj nëse ishte kushtetues blloku opozitar i krijuar menjëherë pas këtyre zgjedhjeve në Kosovë nga LDK-AAK-Nisma dhe me mbështetjen e VV.
Së dyti, kriza nuk është e sotme, kriza është gati njëvjeçare dhe daton zyrtarisht nga 8 qershori 2014.
Këtë që po e bën sot, Presidentja do të kishte qenë në kohë po ta kishte bërë para se të vendoste për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, prej së cilës nuk doli një mendim që do ta zgjidhte krizën, por një mendim që nyjen do ta bënte guzhmë dhe do ta asfiskonte institucionalizmin në Kosovë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e futur në lojë nga Presidentja, e bllokoi për muaj të tërë jetën institucionale të Kosovës, e nxori nga loja zyrtarisht Kuvendin e Kosovës, i cili, de fakto, ishte shndërruar në një shtojcë të Qeverisë, e nxori nga loja Legjislativin, i cili ishte shndërruar në një rudiment të Ekzekutivit, i personifikuar ky i fundit në individin Hashim Thaçi.
Nga një takim i saj me liderët e partive politike, Presidentja do të kishte dalë me një mendim shumë më të pjekur se ai që ndërmori, duke shënuar kështu një fazë të re kritike të krizës politike në Kosovë.
Kosova është në krizë, sepse nuk ka Kuvend, nuk ka legjislativ ende edhe pas 7 viteve të pavarësisë.
Kosova është në krizë, sepse Qeveria nuk është përkthim i votës së 8 qershorit 2014, është deformim i saj, është puç ndaj votës së 8 qershorit. Vota e 8 qershorit kërkonte të mos përjetësohej Hashim Thaçi në pushtet herë si Kryeministër, herë si President. Marrëveshja e 19 nëntorit ishte marrëveshje kundër 8 qershorit, për ta përjetësuar Hashim Thaçin në pushtet.
Qeveria që doli nga 19 nëntori nuk ishte qeveri e dalë nga 8 qershori. Prandaj, ndonëse u trumbetua se, si qeveri e koalicionit të të mëdhenjve, do të sillte stabilitet, fuqi të madhe vendimmarrëse, garanci për reformat, klimë të duhur besimi dhe mirëkuptimi, ajo nuk rezultoi kurrkund kështu.
Kosova ëshë në krizë, sepse, në vend që të investohej për ta legjitimuar Qeverinë, është investuar për ta delegjitimuar Opozitën. Një vend pa Opozitë të legjitimuar është një vend pa Sistem te legjitimuar, është një vend pa të ardhme në horizont, një vend që i ka rënë me gomë fshirëse edhe së shkuarës, prandaj nuk ka se ku të mbështetet, prandaj për të çdo humbje sado e vogël ekuilibri është fatale.
Kosova është sot në krizë politike, është në krizë ekonomike, është në krizë besimi, është në krizë të gjithanshme.
Presidentja e ka humbur autoritetin ndaj Kuvendit, ndaj Qeverisë. Kjo është arsyeja pse asaj nuk i paraqiten në takime as titullari i Qeverisë (njëkohësisht kryetar i LDK-së) as titullari i Kuvendit (kryetar në pritje i PDK-së).
Në situata kaq të mprehura si kjo, do të kishte qenë shpresë e zgjidhjes Presidentja, do të kishte qenë shpresë e zgjidhjes edhe Gjykata Kushtetuese, por të dyja këto institucioni i ka rrëzuar 8 qershori, kështu që, si njëra dhe tjetra, janë pjesë e problemit dhe nuk janë pjesë e zgjidhjes.
Presidentja nuk është e duhura, sepse Presidentja është e paduhura.
Komentet