Donald Trumpi ka rikthyer bustin e Sër Uinston Çërçillit në Zyrën Ovale, pasi e kishte rikthyer skulpturën në dhomë edhe në vitin 2017.
Pavarësisht një orari të ngjeshur pas betimit si president, zoti Trump gjeti kohë të riorganizonte mobiliet në Shtëpinë e Bardhë dhe urdhëroi menjëherë rikthimin e skulpturës të martën. Busti, i krijuar nga Sër Jacob Epstein, iu dhurua fillimisht George W. Bush-it nga qeveria britanike në vitin 2001.
Demokrati Barack Obama më pas shkaktoi një përçarje të vogël diplomatike duke zhvendosur bustin në një tavolinë jashtë Dhomës së Traktateve të Shtëpisë së Bardhë kur mori detyrën në vitin 2008, duke e zëvendësuar atë me bustin e dr. Martin Luther King Jr.
Veprimi i tij nxiti kritika nga kryebashkiaku i atëhershëm i Londrës, Boris Johnson, i cili më vonë u bë kryeministër dhe biograf i Çërçillit. Johnson sugjeroi se Obama mund të ishte motivuar nga një “mospëlqim trashëgimor ndaj Perandorisë Britanike.”
Trump e riktheu bustin kur pasoi presidentin Obama, duke bërë një pozë përpara tij me kryeministren e atëhershme britanike Theresa May gjatë vizitës së saj në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2017, një javë pas inaugurimit të tij të parë.
Kur Trump u largua nga detyra katër vite më parë, Joe Biden e largoi përsëri për t’i bërë vend busteve të aktivistëve për të drejtat civile Rosa Parks dhe Cesar Chavez.
Tani, Çërçilli është kthyer përsëri, i vendosur mbi një tavolinë anësore në të djathtë të oxhakut të Zyrës Ovale.
Presidenti shpesh është krahasuar me admirim me Çërçillin nga simpatizantët e tij, përfshirë revistën American Spectator dhe prezantuesin televiziv, Piers Morgan, i cili një herë i dhuroi Trump-it një replikë të kapeles së famshme Homburg të Çërçillit si një gjest gjatë një interviste.
Ish-prezantuesi i Fox News, Bill O’Reilly, gjithashtu e këshilloi Trump-in vitin e kaluar që të studionte Çërçillin për të fituar mbështetjen e publikut amerikan.
Trump nuk është ndrojtur për të bërë vetë krahasimin, duke thënë në një tubim fushate në Miçigan në shtator 2020 gjatë pandemisë së Covid-19: “Ashtu si qeveria britanike këshilloi popullin britanik përballë Luftës së Dytë Botërore, ‘Qëndroni të qetë e vazhdoni para.’ Kjo është ajo që bëra unë.
“Kur Hitleri po bombardonte… nuk e di nëse e dini këtë, kur Hitleri po bombardonte Londrën, Çërçilli, një udhëheqës i madh, shpesh dilte në një çati në Londër dhe fliste.
“Dhe ai gjithmonë fliste me qetësi. Ai thoshte se duhet të tregojmë qetësi. Jo, ne e bëmë në mënyrën e duhur dhe kemi bërë një punë si askush tjetër.”
Veprimi i tij për të rikthyer bustin u parashikua më herët këtë javë nga aleati i Trump-it dhe lideri i Reformës në Mbretërinë e Bashkuar, Nigel Farage, i cili i tha The Daily Express: “A do ta rikthejë Donald Trump bustin e Uinston Çërçillit në Zyrën Ovale?
“Zot i Madh, po. Ditën e parë? Sigurisht që po. Mos u bëni qesharakë. Dhe kjo thotë gjithçka. Kemi presidentin më pro-britanik që nga Dwight Eisenhower. Kemi dikë që është djali i nënës së tij. E ëma e tij mund të jetë larguar nga Ishujt Perëndimorë kur ishte e re, por ajo e ruajti atë lidhje. Trump si adoleshent vinte shumë shpesh në Skoci dhe kalonte shumë kohë atje.”
Trump është padyshim krenar për lidhjet e tij me Britaninë përmes rrënjëve skoceze të nënës së tij, Mary Anne MacLeod, dhe zotëron fushën me 18 gropa Trump International Golf Links në Aberdeenshire, si dhe Trump MacLeod House and Lodge. / The Independent – Syri.net