VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Presidenti Trump largohet nga Shtëpia e Bardhë

By | January 20, 2021

Komentet

Trump le të hapur mundësinë e rikandidimit në 2024

VOA

Ish-Presidenti i SHBA Donald Trump u shfaq të dielën si republikani dominues i vendit, me përpjekjen që partia të fitojë përsëri kontrollin e Kongresit vitin e ardhshëm dhe ndoshta të kandidojë vetë përsëri për presidencën në vitin 2024.

Ai mbajti të dielën pasdite një fjalim në Konferencën vjetore të Veprimit Politik Konservator në Orlando të Floridës, ku ishin mbledhur qindra republikanë, ndër më të flaktët e kësaj partie. Ky ishte fjalimi i tij i parë i rëndësishëm pas humbjes së presidencës ndaj demokratit Joe Biden.

“Qëndroj sot para jush për të deklaruar se rrugëtimi i jashtëzakonshëm që nisëm së bashku katër vjet më parë është shumë larg nga të qënit i përfunduar”, tha zoti Trump.

“Jemi mbledhur këtë pasdite për të folur për të ardhmen – të ardhmen e lëvizjes sonë, të ardhmen e partisë tonë dhe të ardhmen e vendit tonë të dashur,” tha ai.

Por zoti Trump gjithashtu afirmoi synimin e tij si figura mbizotëruese e partisë, duke e lënë të hapur alternativën për të kandiduar përsëri pas tre vjetësh për një mandat tjetër katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

“Ku i dihet. Unë mund të vendos t’i mposht demokratët për herë të tretë,” tha ish-presidenti nën brohoritjet e të pranishmëve, duke përsëritur pretendimin e pa mbështetur në fakte se i kishte fituar zgjedhjet e nëntorit 2020.

Ai argumentoi se partia është “e bashkuar”, pavarësisht disa ligjvënësve republikanë që thonë se ata duhet ta anashkalojnë ish-presidentin, mandati i vetëm i të cilit përfundoi me protesta të pafrytshme zgjedhore dhe me trazirat e 6 janarit në Kapitol.

Ish-presidenti tha se ai nuk ka në plan të krijojë një parti të re për të garuar me Partinë Republikane dhe shtoi se njoftime të tilla janë “lajme të rreme”.

BETEJA BRENDA REPUBLIKANËVE

Një betejë po zhvillohet brenda Partisë Republikane, ku disa nga figurat e njohura si udhëheqësi i pakicës së Senatit Mitch McConnell duan që ta anashkalojnë zotin Trump, ndërsa të tjerë, si aleati i ish-presidentit, Senatori Lindsey Graham, besojnë se e ardhmja e partisë varet nga energjia e bazës konservatore pro-Trump.

Rezultatet e një sondazhi të kryer me pjesëmarrësit në konferencë, i dhanë zotit Trump një mbështetje të fortë me 55 përqind, duke thënë se do të votonin për të në garën e emërimit presidencial republikan në vitin 2024. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis doli në vendin e dytë me 21 përqind.

Pa zotin Trump, DeSantis udhëhiqte me 43 përqind mes kandidatëve të tjerë, të cilët mëron shumë më pak vota.

Por jo të gjithë e mbështetën zotin Trump. Njëra pyetje e anketës ishte nëse Trump duhet të kandidojë përsëri në vitin 2024 dhe rezultati ishte i përzier: 68 përqind thanë se ai duhej të kandidonte ndërsa 32 përqind ishin kundër ose pa ndonjë opinion.

Deklaratat e zotit Trump në konferencë të paktën shërbejnë për të frenuar ndonjë kandidat tjetër të mundshëm republikan për 2024-ën, si senatorët Marco Rubio, Ted Cruz dhe Tom Cotton, ish-ambasadoren në Kombet e Bashkuara Nikki Haley ose të tjerë që aspirojnë presidencën.

E ardhmja e zotit Trump si figura mbizotëruese republikane e vendit mbetet një pyetje e hapur. Ai është i vetmi president në historinë e SHBA ndaj të cilit u ngritën dy herë akuza për shkarkim nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe që u shpall i pafajshëm të dyja herët. Është gjithashtu presidenti i parë në 90 vjet që humbi kontrollin politik të Shtëpisë së Bardhë dhe të dy dhomave të Kongresit në një mandat të vetëm në detyrë.

Konservatorët në konferencën tre-ditore e kanë brohoritur përmendjen e emrit të tij. Shumë prej tyre madje kanë pozuar për foto me një statujë të madhe të artë të fytyrës së tij që ishte skalitur në Meksikë dhe që shëtiti nëpër sallën e konferencës.

Në fillim të shkurtit, Senati votoi 57-43, me shtatë republikanë që iu bashkuan të 50 demokratëve, për ta shpallur fajtor zotin Trump për nxitjen e një turme prej qindra mbështetësve që sulmuan Kapitolin, kur ligjvënësit po çertifikonin humbjen e tij në zgjedhje. Megjithatë, Senati nuk arriti shumicën e dy të tretave të nevojshme për shpalljen e tij fajtor.

Trazira la pesë të vdekur, duke përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit. Më shumë se 200 protestues janë arrestuar ndërsa hetimi vazhdon.

Konferenca republikane ishte një nga tubimet vjetore më të spikatura për konservatorët dhe erdhi në një kohë debatesh në rritje brenda Partisë Republikane nëse duhet apo jo që të distancohet nga ish-presidenti apo të vazhdojnë ta lidhë të ardhmen e saj me të.

Zoti Trump ka sinjalizuar se do të përpiqet të dëmtojë imazhin politik të 10 republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve që votuan për ta hequr atë në janar, një javë para se ai të linte detyrën dhe shtatë të tjerëve në Senat që u shprehën pro shpalljes së tij fajtor.

Senatori Mitch McConnell, udhëheqësi i pakicës republikane të Senatit, votoi për ta shfajësuar zotin Trump në gjyq, por më pas e kritikoi ashpër ish-presidentin për rolin e tij në nxitjen e sulmit në Kapitol, ku protestuesit thyen dritaret, shkatërruan zyrat e Kongresit dhe u përleshën me policinë.

Senatori McConnell tha se zoti Trump ishte “praktikisht dhe moralisht përgjegjës për provokimin e ngjarjeve” që çuan në trazirat në Kapitol.

Trump u kundërpërgjigj, duke e portretizuar senatorin si një politikan të zellshëm që nuk i qesh buza kurrë dhe tha nëse senatorët republikanë do të qëndrojnë me zotin McConnell, “ata nuk do të fitojnë dot përsëri”.

Sidoqoftë, senatori McConnell tha javën e kaluar se do të mbështeste zotin Trump për presidencën nëse votuesit republikanë e emërojnë atë përsëri në vitin 2024.

I pyetur nëse Trump ende kontrollon Partinë Republikane, senatori Rick Scott nga Florida tha në emisionin “Fox News Sunday”, se kjo është “parti e votuesve”. Por ai shtoi se beson që zoti Trump do “të jetë i dobishëm” në të ardhmen e afërt.

“Ne jemi në anën e duhur të çështjeve, ndërsa demokratët janë në anën e gabuar” tha senatori Scott.

Një ligjvënës republikan që votoi për ta shpallur fajtor zotin Trump, senatori Bill Cassidy i Luizianës, tha për CNN se nëse republikanët rimarrin Shtëpinë e Bardhë pas katër vjetësh, “kjo do të ndodhë sepse ne flasim për çështjet, jo duke vendosur një person (Trump ) në piedestal.”

“Konferenca e tanishme nuk përfaqëson të gjithë Partinë Republikane,” tha ai. “Nëse ne kthejmë në idhull një njeri të vetëm atëherë do të humbasim.” “Unë nuk mendoj se ai do të jetë i emëruari ynë,” tha senatori. “Ne kemi nevojë për një njeri që punon për të gjithë.”

SULME KUNDËR PRESIDENCËS BIDEN

Fjalimi i zotit Trump përfshinte sulme kundër Presidentit Biden, në përpjekje për t’u pozicionuar si kritiku kryesor i presidentit të ri, në çështje të tilla si imigracioni dhe siguria përgjatë kufirit të SHBA me Meksikën apo rihapja e ngadaltë e shkollave të mbyllura për shkak të pandemisë.

“Të gjithë e dinim që administrata Biden do të ishte e keqe – por askush nga ne nuk e imagjinonte se sa e keqe do të ishte dhe sa larg do të shkonte”, tha ish-Presidenti Trump. “Joe Biden ka pasur muajin e parë më katastrofik se sa çdo president në historinë moderne,” tha ai.

Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se nuk do t’i kushtojë vemendje fjalimit.

“Fokusi ynë sigurisht nuk është në atë që thotë Presidenti Trump” në konferencë, u tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki javën e kaluar gazetarëve.

Sondazhet e hershme kombëtare tregojnë se votuesit i japin miratim të gjerë muajit të parë të zotit Biden si president, duke përfshirë edhe disa republikanë. Por ish-Presidenti Trump, edhe nëse refuzohet gjerësisht nga demokratët dhe një shumicë e të pavarurve, mbetet mjaft popullor mes shumë votuesve republikanë.

Aleatët e ish-Presidentit Trump tregojnë besnikërinë me një statujë të artë

Marrë nga Reuters

UASHINGTON – Konservatorët amerikanë vlerësuan Donald Trumpin në një mbledhje vjetore të premten, duke zbuluar madje një statujë të artë të ish-presidentit, për të treguar se ai mbetet një forcë politike republikane pavarësisht skenave të dhunshme në Uashington muajin e kaluar.

Konservatorë të njohur në Kongres, përfshirë Senatorët Tom Cotton dhe Josh Hawley dhe Ligjvënësit Steve Scalise dhe Matt Gaetz – ishin mes besnikëve të Presidentit Trump që flisnin në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Orlando, Florida, të cilës ish-Presidenti Trump do t’i drejtohet të dielën.

“Më lejoni t’ju them diçka: Donald Trump nuk do të shkojë askund”, tha senatori Ted Cruz.

Gjatë javëve të fundit të trazuara të ish-Presidentit Trump në detyrë, mbështetësit e tij kryen një sulm vdekjeprurës ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara në 6 janar, në përpjekje për të bllokuar çertifikimin në Kongres të fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale, një fitore që zoti Trump pretendoi në mënyrë të gabuar se ishte përshkuar nga manipulimi i gjerë.

Në rastin se do të kishte ndonjë dyshim se CPAC i këtij viti i ishte kushtuar zotit Trump, statuja e ish-presidentit, e veshur me një xhaketë blu, kravatë të kuqe dhe pantallona boksi ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe blu, ishte shfaqur në vendin e konferencës.

Statuja tërhoqi menjëherë kritika në internet.

“Adhurimi i idhujve nuk është konservator. #RestoreOurGop”, tha në Twitter Përfaqësuesi Adam Kinzinger, një nga 10 ligjvënësit republikanë që votuan për fillimin e gjyqit ndaj ish-Presidentit Trump me akuzën e nxitjes së sulmit të 6 janarit.

Ligjvënësi Gaetz e deklaroi veten pjesë të krahut “pro-Trump, Amerika e Para” në lëvizjen konservatore. “Ne nuk jemi vërtet një krah, ne jemi i gjithë trupi”, tha ai.

Ai gjithashtu u duk se parashikoi një rol të ardhshëm për zotin Trump, i cili po mendon për një tjetër kandidim për president në vitin 2024, duke thënë: “Trump-i mund të mos e ketë tharë moçalin deri në fund – akoma”.

Ish-Presidenti Trump pritet të flasë të dielën për të ardhmen e partisë dhe të paraqesë ndryshime në politikat brenda një grupi të përçarë nga mosmarrëveshjet pas katër viteve të tij në detyrë.

“Ndasia tani është midis ‘elitave në kryeqytet’ dhe bazave konservatore përreth vendit”, tha një këshilltar i ish-Presidentit Trump që ndihmoi në përgatitjen e fjalimit.

Ish-Presidenti Trump gjithashtu do të ofrojë retorikë kritike ndaj Presidentit Biden.

Mbështetësit e ish-Presidentit Trump në konferencën e së premtes përsëritën disa nga pretendimet e tij të rreme, duke argumentuar se këto justifikonin kufizime të reja në votim.

Përveç 10 republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve që votuan për ta fajësuar Presidentin Trump, shtatë republikanë të Senatit votuan për ta dënuar atë për nxitje të rebelimit, megjithëse votimi 57-43 nuk arriti shumicën e dy të tretave të nevojshme për ta dënuar atë.

Disa këshilltarë thonë se ata duan që ish-Presidenti Trump të mos përdorë fjalimin e tij për t’u marrë sërish me zgjedhjet, por në vend të kësaj të ofrojë një perspektivë të qartë për republikanët që të rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet e kongresit në vitin 2022.

Kandidaturë në vitin 2024?

Perspektiva e ish-Presidentit Trump, 74 vjeç, për të kandiduar për president përsëri në vitin 2024, e ndërlikon jetën për republikanët e tjerë që aspirojnë për president, përfshirë ish-Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe ish-Nënpresidentin Mike Pence.

Ish-Nënpresidenti Pence, i cili ishte në Kapitol me familjen e tij kur protestuesit sulmuan duke thirrur “Vareni Mike Pence-in!”, nuk pritej të merrte pjesë në CPAC e këtij viti.

CPAC është një ngjarje e organizuar nga Unioni Konservator Amerikan, kryetari i së cilës, Matt Schlapp, është pranë ish-Presidentit Trump. Është një forum kryesor për folësit që duan të masin interesin nëse duhet të kandidojnë për president bazuar në entuziazmin që krijojnë.

Shumë republikanë mendojnë se ish-Presidenti Trump do të flirtojë me një tjetër shfaqje të shpejtë në fushën e kandidatëve për vitin 2024, por besojnë se ai në fund të fundit do të zgjedhë të mos kandidojë. Vetë ish-Presidenti Trump u ka rrëfyer privatisht këshilltarëve se ai do të donte të kandidonte. VOA

Raporti amerikan i zbulimit: Princi saudit i kurorës miratoi vrasjen e Khashoggit

VOA

Raporti i agjencive amerikane të zbulimit liston 21 persona për të cilët SHBA ka besim të madh se ishin përgjegjës për vdekjen e gazetarit në emër të princit të kurorës. Zyrtarët amerikanë besojnë se princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman miratoi operacionin për “kapjen ose vrasjen” e gazetarit, thuhet në dokumentin e sapo lëshuar.

Ky lajm është në përditësim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, telefonoi mbretin Salman të Arabisë Saudite, ndërsa administrata e tij pritet të publikojë një version të deklasifikuar të mandatuar nga kongresi të një raporti të zbulimit, që pritet të vërë në pah se i biri i mbretit, princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, ka miratuar vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në vitin 2018.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, gjatë bisedës telefonike, presidenti Biden dhe mbreti Salman “diskutuan mbi sigurinë rajonale, duke përfshirë përpjekjet e ripërtërira diplomatike të drejtuara nga Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Jemen dhe angazhimin amerikan për të ndihmuar Arabinë Saudite që të mbrojë territorin e saj, teksa përballet me sulme nga grupe të lidhura me Iranin”.

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë mbi telefonatën, vuri në dukje lirimin e fundit të disa aktivistëve amerikanë sauditë dhe veprimtares saudite për të drejtat e grave, Loujain al-Hathloul nga paraburgimi dhe pohoi rëndësinë që Shtetet e Bashkuara u kushtojnë të drejtave universale të njeriut dhe sundimit të ligjit. Njoftimi nuk përmendi raportin mbi vrasjen e Jamal Khashoggit, i planifikuar për t’u publikuar pas telefonatës.

Shtëpia e Bardhë nuk dha një shpjegim se pse njoftimi nuk përmendi Khashoggin, i cili ishte një banor i ligjshëm i Shteteve të Bashkuara dhe me fëmijë me shtetësi amerikane.

Jamal Khashoggi, kolumnist në Washington Post, u josh në konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018 dhe u vra nga një ekip operativësh të lidhur me princin e kurorës. Ata më pas e copëtuan trupin e tij. Eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë.

Riadi përfundimisht pranoi se gazetari Khashoggi u vra gabimisht në një operacion që shkoi keq, por mohoi çdo përfshirje të princit të kurorës

Roli i princit të kurorës, i njohur nga nistoret e tij MBS, në vrasjen e Jamal Khashoggit, është subjekt i raporteve të medias që nga fundi i vitit 2018. Administrata e ish presidentit Donald Trump hodhi poshtë kërkesat e ligjvënësve për të publikuar një version të deklasifikuar të raportit, pasi që Shtëpia e Bardhë i dha përparësi shitjes së armëve në mbretëri dhe aleancës me Riadin, mes tensioneve në rritje të Shteteve të Bashkuara me rivalin e saj rajonal, Iranin.

Rivlerësimi i marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, dhe synimi për të vënë theksin tek të drejtat e njeriut, është një zotim fushate i presidentit Biden. Që nga marrja e detyrës, ai i ka dhënë fund shitjes së armëve që Riadi mund të përdorë në Jemen dhe emëroi diplomatin veteran Timothy Lenderking si të dërguarin e posaçëm për të udhëhequr përpjekjet e diplomacisë amerikane “për t’i dhënë fund luftës në Jemen, një luftë e cila ka krijuar katastrofë humanitare”.

“Presidenti Biden dëshiron të jetë i qartë se rruga e vjetër nuk është rrugë e e re,” tha Gerald Feierstein, nënkryetar i Institutit për Lindjen e Mesme.

Administrata po kërkon gjithashtu të distancohet nga MBS, sundimtari 35 vjeçar de facto vendit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, shpesh ka theksuar se presidenti Biden do të komunikojë vetëm me mbretin saudit.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po rishikojnë marrëdhëniet me sauditët, Shtëpia e Bardhë po përpiqet të nxisë rivalin rajonal të Riadit, Iranin, që të veprojë në përputhje me marrëveshjen bërthamore që u prish pasi ish presidenti Trump u tërhoq prej saj në vitin 2018.

Marrëveshja e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit u arrit nga Irani dhe P5 + 1 (Kina, Franca, Gjermania, Rusia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara) nën administrimin e ish presidentit Barack Obama, në vitin 2015.

Dhënia fund e shitjeve të armëve sulmuese në Riad është pjesë e kalkulimeve më të mëdha gjeopolitike që përfshin drejtpeshimin e këtyre dy fuqive rajonale, tha zoti Feierstein, i cili ishte gjithashtu ambasador në Jemen në kohën e ish presidentit Obama.

“Ideja është që nëse ka një zgjidhje politike të konfliktit në Jemen, kjo mundet, në fakt, të zvogëlojë tensionin në rajon…”. tha ai.

Krahasuar me Libanin dhe Irakun, Jemeni është një përparësi më e vogël e sigurisë kombëtare për Iranin. Zbutja e tensioneve mund të jetë një masë e ndërtimit të besimit për të nxitur Teheranin përsëri në bisedimet bërthamore dhe përfundimisht të trajtojë shqetësimet tjera, duke përfshirë programin e tij të raketave balistike dhe mbështetjen për milicitë në Irak dhe Liban. Në fakt, tha zoti Feierstein, rirreshtimi i presidentit Biden me sauditët në Jemen, mund të ndihmojë më tej interesat e Shteteve të Bashkuara në rajon.

Por, analistë të tjerë thonë se rivlerësimi i marrëdhënieve me Riadin dhe riangazhimi me Teheranin mund të ketë kundërefekt. Kjo mund të bëjë që sauditët të ndjehen të braktisur nga Shtetet e Bashkuara dhe t’i shtyjë ata drejt veprimeve kundër interesave amerikane, tha Bradley Bowman, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, një institucion pro-izraelit i njohur për qëndrimet kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin.

Por, Kelsey Davenport, nga Shoqata për Kontrollin e Armëve, kërkimet e së cilës përqendrohen në programet bërthamore dhe raketore në Iran, tha se mënyra më e mirë për të parandaluar një garë rajonale bërthamore është rivendosja e marrëveshjes bërthamore.

“Përballja me programin bërthamor të Iranit do të parandalojë që Arabia Saudite të ndjejë nevojën që të barazohet me mundësitë e Iranit,” tha ajo.

Zonja Davenport theksoi se gjatë disa viteve të fundit, sauditët kanë hedhur bazat për të zhvilluar një armë bërthamore, nëse do të zgjidhnin të bënin një gjë të tillë.

“Nga pikëpamja e sigurisë së Shteteve të Bashkuara dhe qëndrueshmërisë rajonale, rivendosja e një marrëveshjeje bërthamore është një hap i parë i rëndësishëm për të siguruar që nuk do të ketë krizë me Iranin që kalon në një krizë bërthamore rajonale”, tha ajo.

Ushtria e SHBA po ndërton armën më të fuqishme me lazer në botë

Ushtria e SHBA-së po ndërton armën më të fuqishme me lazer në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përgjigjja Operacionale Taktike e Fuqisë së Lartë (THOR) u ndërtua në Bazën e Forcave Ajrore Kirtland në shtetin New Mexico. Ajo do të jetë e aftë të sigurojë mbrojtje kundër shënjestrave të shumta njëkohësisht.

Lazeri pretendohet të jetë një milion herë më i fuqishëm se çdo lazer tjetër në botë. Mund të avullojë dronë, të ndalojë raketa ose të prishë sistemet elektronike.

Ndërsa prototipi i parë dhe testimi në terren është planifikuar për në vitin 2024 dhe sipas raporteve pritet të vendoset për të mbrojtur bazat ushtarake.

“Aftësitë e energjisë së drejtuar të ushtrisë do të duhet të sigurojnë një mbrojtje të shtresuar me shumë mënyra për të mposhtur kërcënimet që vijnë”, tha në një deklaratë gjenerali i ushtrisë L. Neil Thurgood.

“Lazerët me energji të lartë vrasin një objektiv në çast, kurse mikrovalët me fuqi të lartë mund të vrasin grupe ose tufa. Kjo është arsyeja pse po ndjekim një kombinim të të dy teknologjive”, shtoi ai.

Shefja e Policisë: Përkrahësit e ish-presidentit Trump duan të sulmojnë përsëri

Marrë nga Reuters

Përkrahësit e ish-presidentit Donald Trump që ndërmorën sulmin vdekjeprurës në Kapitol më 6 janar kanë lënë të kuptohet se duan të “hedhin në erë” selinë e Kongresit dhe të vrasin anëtarë të tij, tha të enjten shefja e policisë së Kapitolit.

Kërcënimet sugjerojnë që ekstremistët mund ta vënë në shënjestër ndërtesën gjatë një fjalimi të Presidentit Joe Biden, u tha ligjvënësve shefja në detyrë e policisë Yogananda Pittman e cila shprehu nevojën e mbajtjes në fuqi të masave të sigurisë së lartë përreth ndërtesës.

“Anëtarët e grupeve të milicive që ishin të pranishëm më 6 janar janë shprehur se duan të hedhin në erë Kapitolin dhe të vrasin sa më shumë anëtarë të Kongresit jetë e mundur duke bërë një lidhje të drejtpërdrejtë me Fjalimin për Gjendjen e Vendit”, u tha shefja e policisë Pittman anëtarëve të një Komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Ne mendojmë se do të ishte e kujdesshme që Policia e Kapitolit të mbajë në fuqi masat e forta të sigurisë derisa të zgjidhim ato dobësi,” tha ajo.

Data për mbajtjen e fjalimit për gjendjen e vendit nga ana e Presidentit Biden para Kongresit nuk është njoftuar ende, që zakonisht është në fillim të vitit.

Pas sulmit vdekjeprurës të 6 janarit ndaj Kapitolit në Uashington, u vendosën masa të pashembullta sigurie, përfshirë gardhe me tela me gjemba dhe postblloqe me forca të Gardës Kombëtare.

Rreth 5,000 trupa pritet të vazhdojnë të qëndrojnë deri në mes të marsit.

Përkrahësit e zotit Trump sulmuan Kapitolin në një përpjekje për të mos lejuar Kongresin të çertifikonte fitoren e demokratit Biden ndaj presidentit republikan, i cili këmbëngulte në mënyrë të pasaktë se kishte pasur mashtrime të përhapura në zgjedhjet e nëntorit.

Sulmi vonoi për disa orë çertifikimin e fitores së zotit Biden, pasi ligjvënësit u detyruan të fshiheshin nga turma. Pesë persona vdiqën nga dhunë, përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit.

Më shumë se 200 vetë janë akuzuar deri tani për rolet e tyre në sulm, përfshirë disa që kishin lidhje me grupe të ekstremit të djathtë si “Oath Keepers” dhe “Proud Boys”. VOA

Biden viziton senatorin Bob Dole pas diagnostikimit me kancer

Presidenti amerikan Joe Biden, ka vizituar të shtunën senatorin Bob Dole, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, pasi përfaqësuesi nga Kansas, i pensionuar tashmë, ka njoftuar se është diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë është thënë se të dy politikanët, kanë shërbyer bashkë në Senat dhe Dole “është mik i afërt” i presidentit Biden.

Dole, i nominuar për president nga republikanët më 1996, ka qenë një prej republikanëve që kanë thënë zëshëm pas zgjedhjeve të 3 nëntorit të vitit 2020, se Biden ka fituar.

“Zgjedhjet kanë mbaruar dhe (Joe) Biden do të jetë president më 20 janar. Unë e di që presidenti nuk e ka pranuar humbjen dhe mund të mos e pranojë kurrë, mirëpo ai nuk do të jetë në Shtëpinë e Bardhë më 21 janar”, ka thënë Dole në dhjetor të vitit të kaluar, duke iu referuar ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Dole, 97-vjeçar ka bërë të ditur lajmin për kancer më 18 shkurt.

“Së fundmi, janë diagnostikuar me kancer në mushkëri, në fazën e katërt. Trajnimi im i parë do të nisë të hënën”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

“Teksa kam disa pengesa përpara, unë e di se iu bashkohem miliona amerikanëve që po përballen me sfidat e tyre shëndetësore”.

Dole ka shërbyer për 27 vjet si senator amerikan nga Kansas.

Në janar të vitit 2018, ai është shpërblyer me Medalje të Artë nga Kongresi, njëherësh çmimi më i lartë civil që ndan ky institucion.

Dole ka udhëhequr një delegacion të Shteteve të Bashkuara në Kosovë në vitin 1990.

Në muajin gusht të vitit të kaluar, busti i tij është vendosur në Prishtinë.

Përmes një video-mesazhi, senatori Dole ka shprehur mirënjohje për inaugurimin e bustit.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën e para 30 vjetëve. Tridhjetë vjet kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, ka thënë Dole. rel

Biden: Çdo amerikan do të vaksinohet deri në korrik

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se të gjithë amerikanët do të kenë qasje në vaksinat kundër koronavirusit deri në fund të korrikut.

Biden parashikoi më herët se vaksinat mund të jenë në dispozicion për të gjithë deri në pranverë, por Shtëpia e Bardhë e shtyu datën për shkak të vështirësive në disponueshmërinë e vaksinave dhe në mundësitë për t’i dhënë ato.

“Deri në fund të korrikut do të kemi 600 milionë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar çdo amerikan”, tha Biden në takimin e parë me votues, prejse ka marrë detyrën në muajin janar.

Ai tha se do që shkollat të rihapen më shpejt dhe se mbështet vaksinimin e mësimdhënësve me prioritet.

Biden tha se SHBA-ja ka ende rrugë të gjatë përpara për të arritur imunitetin e tufës dhe për të lejuar rikthimin e jetës në normalitet.

Numri i rasteve të reja me koronavirus në SHBA është në rënie, por vazhdon të mbetet në dhjetëra mijëra në ditë.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i viktimave të martën ka qenë pak më pak se 1,000.

Koronavirusi ka vrarë mbi 487,000 njerëz në të gjithë SHBA-në.

Shumë pyetje, me të cilat u përball Biden nga audienca në shtetin e Uiskonsinit, kishin të bënin me pandeminë dhe ekonominë, ndërsa në politikën e jashtme ai u pyet për Kinën dhe trajtimin që u bën ky vend pakicave në rajonin Ksinjiang.

“Do të ketë pasoja për Kinën dhe ai e di këtë”, tha Biden, duke iu referuar presidentit të Kinës, Xi Jinping.

Xi është përballur me kritika globale për mbajtjen e ujgurëve – kryesisht myslimanë – dhe të grupeve të tjera të pakicave në kampe internimi.

Pekini këmbëngul se objektet janë “qendra të arsimit profesional”, që synojnë t’i ndihmojnë njerëzit të largohen nga terrorizmi dhe të riintegrohen në shoqëri.

“Kina po përpiqet shumë për t’u bërë udhëheqëse botërore… Për aq kohë sa ajo është e angazhuar në një veprimtari që është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, do të jetë e vështirë për ta arritur këtë”, tha Biden në ngjarjen që organizoi rrjeti televiziv CNN.

Në një telefonatë dyorëshe me Xinë, më 11 shkurt, Biden vuri në dukje prioritetin e tij për të ruajtur një rajon të lirë dhe të hapur të Indo-Paqësorit, si dhe shprehu shqetësimin në lidhje me praktikat “shtrënguese dhe të padrejta” tregtare të Pekinit dhe me çështjet e të drejtave të njeriut.

Media shtetërore kineze tha se Xi kërkoi kujdes nga SHBA-ja, rreth ndërhyrjes në çështjet e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës, përfshirë Hong Kongun dhe Ksinjiangun.

Anëtarët e audiencës në Uiskonsin ishin të përzier: demokratë, republikanë dhe të pavarur.

Biden gjithashtu shfrytëzoi ngjarjen për të reklamuar një paketë ndihme prej 1.9 trilion dollarësh, për trajtimin e pasojave të pandemisë.

Presidenti është duke kërkuar nga ligjvënësit republikanë në Kongres, që e kundërshtojnë paketën, ta pranojnë atë si mënyrën më të mirë për të kthyer fuqinë e ekonomisë amerikane.

Biden tha se paketa masive e ndihmës tashmë ka mbështetje të gjerë publike dhe shtoi se “tani është koha për ta shpenzuar”.

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA pritet ta votojë atë javën e ardhshme.

Përgatiti: Valona Tela

Senati arrin marrëveshje për të mos thirrur dëshmitarë në gjyqin ndaj ish-Presidentit Trump

Marrë nga Reuters

Të shtunën Senati arriti një marrëveshje për të mos thirrur dëshmitarë në gjyqin ndaj ish-Presidentit Trump duke i hapur rrugë paraqitjes së argumenteve përmbyllëse të palëve.

Por fillimisht Senati u përfshi nga paqartësitë mbi këtë çështje. Senatorët votuan për të vlerësuar mundësinë e thirrjes së dëshmitarëve në gjyqin ndaj ish-presidentit Donald Trump.

Përplasjet e minutës së fundit për dëshmitarët ishin pasojë e komenteve të bëra të premten në mbrëmje nga një ligjvënëse republikane e Dhomës së Përfaqësuesve në lidhje me një telefonatë të nxehtë gjatë ditës së trazirave mes zotit Trump dhe udhëheqësit të pakicës së kësaj dhome Kevin McCarthy, që demokratët thonë se është dëshmia e indiferencën së zotit Trump ndaj dhunës në Kapitol.

Fillimisht në Senat po diskutohej nëse duhej të thirrej për të dëshmuar ligjvënësja Jaime Herrera Beutler, një nga 10 republikanët që votuan për ngritjen zyrtarisht të akuzës ndaj zotit Trump në Dhomën e Përfaqësuesve. Në një deklaratë të premten vonë ajo tha se zoti Trump kishte kundërshtuar një lutje të zotit McCarthy për t’i ndalur protestuesit. Demokratët e konsiderojnë atë një provë kyçe që konfirmon se presidenti ” braktisi qëllimisht detyrën si komandant i përgjithshëm”.

Procesi gjyqësor u ndal papritmas të shtunën në mëngjes dhe madje senatorët dukeshin të hutuar për hapat e ardhshëm.

Ndërkohë, udhëheqësi republikan Mitch McConnell e ka bërë tashmë të qartë se ai do të votojë për ta liruar zotin Trump nga akuza, sipas një personi në dijeni të qëndrimit të tij. Parë nga ky këndvështrim, pikëpamja e udhëheqësit të republikanëve mund të ndikojë tek të tjerë anëtarë të partisë së tij.

Ndërsa demokratët pritet të votojnë për fajësimin e ish-presidentin, gjasat janë të mëdha që ai të shpallet i pafajshëm në dhomën prej 100 anëtarët të ndarë 50 me 50 mes palëve. Që zoti Trump të shpallej fajtor mbi akuzën e ngritur do të nevojiteshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Senatit.

Gjyqi në Senat ka nxjerrë në pah rrezikun e jashtëzakonshëm me të cilin u përballën ligjvënësit më 6 janar, ndërsa zoti Trump u bëri thirrje ndjekësve të tij të marshonin drejt Kapitolit, në një përpjekje për të parandaluar ligjvënësit që të çertifikonin ditoren e tij ndaj demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.Si pasojë pesë persona humbën jetën.

Pamje filmike të marra nga kamerat e sigurisë të cilat u paraqitën gjatë procesit të gjykimit tregonin se protestuesit ishin afruar shumë pranë e duke vendosur në rrezik ligjvënësit ndërsa ata po evakuoeshin nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.

Në shënjestër të protestuesve ishte edhe Nënpresidenti Mike Pence, i cili më herët gjatë asaj dite kishte refuzuar kërkesën e zotit Trump për të ndërhyrë në procedurat për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Në një postim në Twitter zoti Trump kritikoi zoti Pence për mungesë “guximi” menjëherë pasi senatori republikan Tommy Tuberville kishte njoftuar zotin Trump se nënpresidenti po evakuohej për arsye sigurie.

Avokatët e zotit Trump dhanë përgjigje kontradiktore të premten kur u pyetën nëse zoti Trump e dinte se zoti Pence ishte në rrezik kur publikoi postimin e tij. Disa senatorë republikanë thanë se ata kishin ende pyetje në lidhje me rolin e zotit Trump në sulmin e dhunshëm në Kapitol.

“Çështja është se cili ishte qëllimi i presidentit? Për këtë gjë vetëm presidenti mund të përgjigjej. Dhe presidenti zgjodhi të mos e bëjë”, u tha gazetarëve senatori republikan Bill Cassidy. Ai shtoi se nuk e kishte ndarë ende mendjen se si të votonte. Ish-Presidenti Trump e hodhi poshtë kërkesën e prokurorëve të çështjes për të dëshmuar në gjyqin e tij. VOA

Rezoluta dypartiake e Kongresit Amerikan që mbështet kryengritjen iraniane, bën thirrje për mbylljen e ambasadës iraniane në Shqipëri

Një rezolutë e nënshkruar nga 113 ligjvënës të Kongresit Amerikan nga të dy partitë, dhe mbështetës të një Irani demokratik, dhe dënimin e komploteve terroriste të regjimit në të gjithë botën dhe në Shqipëri, u prezantua të enjten, 11 Shkurt 2021.



Rezoluta shpreh mbështetjen e saj për planin me 10 pika të udhëheqëses së opozitës znj. Maryam Rajavi për të ardhmen e Iranit, e cila kërkon të drejtën universale për të votuar, zgjedhje të lira, ekonomi tregu dhe mbron barazinë gjinore, fetare dhe etnike, një politikë e jashtme e bazuar në bashkëjetesë paqësore dhe një Iran jo-bërthamor.

Lajmet e TV Fox TV raportuan se në një letër drejtuar Presidentit Biden duke e njoftuar atë për rezolutën, Kongresmeni McClintock (Republikan) dhe Kongresmeni Sherman (Demokrat) thanë se Shtetet e Bashkuara “duhet të qëndrojnë të vendosura në mbajtjen e përgjegjësisë së qeverisë iraniane për destabilizimin e saj bërthamor dhe të tjera. aktivitetet në rajon; të tilla si, mbështetja e tij për terrorizmin, zhvillimi i raketave balistike dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. “

 

“Me paraqitjen e kësaj rezolute, një koalicion dypartiak i anëtarëve të Kongresit inkurajon të gjitha përpjekjet për të njohur të drejtat e popullit iranian dhe luftën e tyre për të krijuar një shtet republikan e demokratik, sekular dhe jo-bërthamor të Iranit duke e quajtur regjimin në pushtet përgjegjës për sjellje shkatërruese “, shkruajnë ata.

 

Nënshkruesit e rezolutës kujtuan se: ”Në Dhjetor 2018, Qeveria e Shqipërisë dëboi Ambasadorin e Iranit, Gholamhossein Mohammadnia dhe shefin e stacionit të MOIS në Shqipëri, Mostafa Roudaki, për planifikimin e aktiviteteve terroriste kundër disidentëve iranianë dhe anëtarëve të Organizatës Popullore Muxhahedine të Iranit (PMOI / MEK) në15 Mar 2010.

 

Në një pjesë të rezolutës thuhet se:

“Ndërsa, më 15 nëntor 2019, protestat popullore kundër regjimit iranian filluan dhe u përhapën me shpejtësi në të paktën 100 qytete në të gjithë vendin, raportet tregojnë se forcat iraniane të sigurisë përdorën forcë vdekjeprurëse dhe rreth 1,500 njerëz u vranë në më pak se dy javë, dhe mijëra të tjerë u arrestuan gjatë këtyre protestave. “

Rezoluta i kërkon administratës amerikane të punojë për të mbledhur seanca urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të punojë me partnerë dhe aleatë të Shteteve të Bashkuara për të dënuar shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut të kryera nga regjimi iranian dhe të krijojë një mekanizëm me të cilin Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mund të monitorojë shkelje të tilla.

Përfaqësuesit e Kongresit Amerikan që nënshkruan rezolutën i bënë thirrje qeverisë amerikane që:

(1) Të dënojë sulmet terroriste të sponsorizuara të së kaluarës dhe të tanishme të Iranit kundër qytetarëve dhe zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, si dhe disidentëve iranianë, përfshirë komplotin terrorist të regjimit iranian kundër tubimit ‘‘ Irani i Lirë 2018 – Alternativa ’’ në Paris.

(2) U bën thirrje agjencive përkatëse të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët evropianë, duke përfshirë ato në Ballkan ku Irani ka zgjeruar praninë e tij, për ta quajturIranin përgjegjës për shkeljen e privilegjeve diplomatike dhe për t’i bërë thirrje kombeve për të parandaluar aktivitetet malinje të Iranit sic janë misionet diplomatike të regjimit duke mbyllur qendrat e tyre, përfshirë Ambasadën iraniane në Shqipëri.

(3) qëndron me popullin e Iranit i cili po vazhdon të mbajë protesta legjitime dhe paqësore kundër një regjimi shtypës dhe të korruptuar; dhe

(4) njeh të drejtat e popullit iranian dhe luftën e tij për të krijuar një Republikë demokratike, laike dhe jo-bërthamore të Iranit.

Pezullohet punonjësi i Shtëpisë së Bardhë, pasi u njoftua se kërcënoi gazetaren

Marrë nga Reuters

UASHINGTON – Shtëpia e Bardhë tha të premten se pezulloi përkohësisht një ndihmës për shtypin pasi ai thuhet se kërcënoi një gazetare e cila po punonte për një artikull në lidhje me marrëdhënien e tij romantike me një tjetër gazetare.

Revista “Vanity Fair” njoftoi të premten se zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë TJ Ducklo kishte kërcënuar – duke përdorur edhe fjalët “Unë do të shkatërroj ty” – një korrespondente të grupit mediatiak Politico, e cila po hartonte një artikull në lidhje me marrëdhëniet e zotit Ducklo, të zbuluara së fundmi, me një reportere të revistës Axios, Alexi McCammond.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, shkruajti në Twitter se zoti Ducklo ishte pezulluar për një javë pa pagesë dhe se ai nuk do të punojë më me reporterët e Politico-s.

Zonja Psaki tha se zoti Ducklo i kishte kërkuar falje gazetares Tara Palmeri, “me të cilën ai pati një bisedë të nxehtë për jetën e tij personale… Ai është i pari që pranon se ky nuk është standardi i sjelljes i përcaktuar nga Presidenti”.

Ducklo, McCammond dhe Palmeri nuk iu përgjigjën email-ve që kërkonin komente. Një zëdhënëse e Axios tha se zonja McCammond informoi për marrëdhënien redaktorët e saj në muajin nëntor dhe u transferua nga detyra ku mbulonte Shtëpinë e Bardhë.

Pezullimi vjen pasi Presidenti demokrat Joe Biden, i cili mori detyrën muajin e kaluar, u zotua të mbante një qëndrim të ashpër për çdo sjelle të padenjë në radhët e anëtarëve të administratës së tij.

“Nëse jeni duke punuar ndonjëherë me mua dhe unë dëgjoj se trajtoni pa respekt një koleg tjetër, i flisni dikujt me fodullëk, ju premtoj se do t’ju pushoj nga puna në vend … pa nëse dhe pa por”, u tha Presidenti Biden të emëruarve politikë gjatë një ceremonie betimi virtuale. “Të gjithë kanë të drejtën të trajtohen me mirësjellje dhe dinjitet”.

Zonja Psaki u tha gazetarëve gjatë një konference të premten se Presidenti Biden nuk ishte i përfshirë në vendimin për pezullimin e zotit Ducklo dhe theksoi se Shtëpia e Bardhë e mori çështjen seriozisht.

Sjellja e Ducklo-s ishte “plotësisht e papranueshme. Ai e di këtë”, tha Psaki. “Ne kemi bërë biseda me të … Kjo nuk do të ndodhë më kurrë.”

“Dënojeni Trumpin, ose dhuna mund të përsëritet”

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke folur para mbështetësve të tij më 6 janar. “Nëse nuk luftoni si ferr, nuk do të keni më shtet”, ka thënë Trump. Pak kohë më vonë, mbështetësit e tij kanë sulmuar Kongresin.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara i përfunduan argumentet kundër ish-presidentit Donald Trump, duke u bërë thirrje senatorëve ta dënojnë atë për nxitjen e sulmit të turmës në Kongres.

Senati amerikan ka nisur këtë javë gjykimin e ish-presidentit, nën akuzat për “nxitje të kryengritjes”.

Sipas menaxherëve të procedurave të fajësimit, që veprojnë si prokurorë, retorika e rreme dhe e zjarrtë e tij për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, ka bërë që mbështetësit e tij ta sulmojnë Kongresin, më 6 janar.

Sulmi ka ndodhur derisa ligjvënësit kanë qenë duke certifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale.

“Nëse nuk luftoni si ferr, nuk do të keni më shtet”, u ka thënë Trump mbështetësve të tij atë ditë.

Video:

Pesë vetë, në mesin e tyre një zyrtar i policisë, kanë mbetur të vrarë në dhunë.

“Me përulje ju kërkojmë ta fajësoni presidentin Trump për krimin e kryer”, tha përfaqësuesi demokrat, Joe Neguse.

“Nëse nuk e fajësoni, nëse pretendojmë se kjo nuk ka ndodhur – ose, edhe më keq, nëse e lëmë pa përgjigje – kush thotë se nuk do të ndodhë përsëri”, pyeti ai.

“Askush nga ne nuk e ka imagjinuar se do të përballeshim me rrezik vdekjeprurës nga një turmë e nxitur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”, tha përfaqësuesi tjetër demokrat, David Cicillin.

Ai po ashtu tha se disa protestues të dhunshëm kanë pranuar se kanë planifikuar të vrasin ish-nënpresidentin Mike Pence dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ndërsa të tjerët, sipas tij, kanë folur për vendosjen e ligjvënësve në bodrum dhe për “lëshimin e gazit”.

Avokatët e Trumpit do të kenë 16 orë kohë për të paraqitur mbrojtjen e tyre, nisur nga sot, megjithëse disa ndihmës kanë thënë se ata mund t’i përfundojnë argumentet e tyre brenda një dite.

Votimi në Senat, për fajësimin ose jo të Trumpit, mund të zhvillohet më 13 shkurt.

Sipas një sondazhi të kryer nga ABC News dhe Qendra e Kërkimeve Ipsos, shumica e amerikanëve – 56 për qind – duan që Senati amerikan ta dënojë Trumpin dhe, në këtë mënyrë, ta ndalojë atë të udhëheqë ndonjë zyrë publike në të ardhmen.

Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, ka votuar për shkarkimin e Trumpit pak ditë para se ai të përfundonte mandatin presidencial, më 20 janar.

Për ta shpallur fajtor atë duhen dy të tretat e votave të Senatit 100-anëtarësh.

Fajësimi duket se nuk ka gjasa, pasi shumica e senatorëve republikanë i kanë qëndruar besnikë ish-presidentit.

Duke iu bërë jehonë qëndrimeve të tyre, senatori Marco Rubio tha për Fox News se sulmi në Kongres ishte “i tmerrshëm”, porse fajësimi i Trumpit nuk është i përshtatshëm, duke qenë se ai nuk është më në detyrë.

Në vitin 2019, Trump është përballur edhe me një proces tjetër të gjykimit, nën akuzat se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili pritej të ishte rival i tij në zgjedhjet e vitit 2020. Senati nuk e ka fajësuar Trumpin në atë proces.

Përgatiti: Valona Tela

Gjyqi ndaj ish-presidentit: Pas argumenteve të demokratëve, reagojnë senatorët

Marrë nga Associated Press

Senatorët mbeten të ndarë në pikëpamjet e tyre rreth gjykimit të ish-Presidentit Donald Trump lidhur me sulmin e dhunshëm të 6 janarit në Kapitol.

Prokurorët demokratë përshkruan me fraza të forta, me përshkrime personale ngjarjet e 6 janarit, duke i shoqëruar me klipe nga komentet e presidentit drejtuar protestuesve.

Në mbyllje të seancës së të enjtes, pasi dolën nga salla, disa senatorë iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve të agjencisë së lajmeve Associated Press:

Senatori republikan Josh Hawley tha se nuk kishte asgjë të veçantë në argumentet e ofruara nga demokratët, të enjten në gjyqin ndaj ish-presidentit Trump në Senat.

“Mendoj se argumentet ishin përsëritëse dhe nuk pati një analizë ligjore,” tha senatori republikan.

Ndërsa, senatori demokrat Richard Blumenthal pati një vlerësim të kundërt për këtë.

“Pati argumente shumë të fuqishme. Nëse kolegët e mi dëgjojnë ndërgjegjen e tyre dhe ngrihen në këtë moment, ata do ta shpallin atë (ish-presidentin Trump) fajtor. Unë vërtetë besoj se nëse votimi do të ishte i fshehtë, ai do të rezultonte në një vendim për ta shpallur fajtor dhe unë mendoj se faktet dhe ligji u demonstruan në mënyrë të fortë”, tha senatori demokrat Richard Blumenthal.

“Ata treguan sot se kishte një mungesë totale pendese ose keqardhjeje (nga ana e ish-presidentit), në fakt, duke u kënaqur me dhunën që ishte aq flagrante dhe e qartë dhe se mungesa e pendimit tregoi vetëdashje dhe qëllim që unë mendoj se është kriminale dhe ngrihet në nivelin e fajësisë”, shtoi ai.

“Mendoj se ligjvënësit që vepruan si prokurorë bënë një punë të mrekullueshme. Ata jo vetëm prezantuan argumente bindëse para senatorëve republikanë, por edhe para popullit amerikan. Na bënë pjesë të historisë për të regjistruar atë që bëri Donald Trumpi për të përmbysur Kushtetutën,” tha senatorja demokrate Elizabeth Warren lidhur me përshtypjet e saj për seancën.

Senatorja demokrate nga Minesota Tina Smith u pyet nga një gazetar nëse po mendon për veprime të tjera që mund të ndërmarrin senatorët për të ndëshkuar ish-presidentin në qoftë se ai lirohet nga akuzat në Senat.

“Ta marrim gradualisht. Ligjvënësit kanë paraqitur fakte dhe shpjegime shumë, shumë të forta për të mbështetur argumentin që ish-Presidenti Trump duhet të shpallet fajtor. Aty jam përqëndruar për momentin”.

Zonja Smith më pas u pyet për videot e transmetuara në sallë nga ngjarjet e dhunshme të 6 janarit.

“M’u mbushën sytë me lot. Më kujtohet si e përjetova vetë. Por pashë edhe si e kishin përjetuar të tjerët, kuptova përvojën e policëve të Kapitolit. Ato që kaluan ishin tronditëse. Kur mendon që dhuna vazhdoi për orë të tëra, ndërkohë që ne ishim strehuar në një vend të sigurtë… të gjitha këto ishin pamje shumë të rëndaa, e kisha të vështirë kur i pashë,” tha senatorja.

Gazetarët e pyetën zonjën Smith nëse senatorët republikanë që ende ishin të lëkundur tani do të jenë bindur të votojnë për ta shpallur ish-presidentin fajtor.

“Nuk di ç’të them. Tani ata duhet të gjykojnë se çfarë kanë në zemër dhe të vendosin se cili është veprimi i drejtë. Shpresoj se do të ndërmarrin veprimin e duhur”.

Pasi ligjvënësit demokratë përmbyllën argumentet në mbështetje të akuzës për nxitje dhune, tani ekipi mbrojtjes i ish-Presidentit Trump përgatitet të paraqesë argumentet e tij.

Megjithëse senatorë republikanë janë shprehur të impresionuar nga puna e ligjvënësve demokratë në paraqitjen e argumenteve të tyre, nuk duket se ekziston numri i nevojshëm i votave për ta shpallur zotin Trump fajtor. VOA


Send this to a friend