Deklaratat e Antonio Costas vijnë pas publikimit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, e cila sulmon institucionet evropiane “që minojnë lirinë dhe sovranitetin politik”, politikën e imigracionit. Pala amerikane pretendon se në Evropë ka “shkelje të lirisë së shprehjes dhe shtypje të mospajtimit politik”, “rënie të shkallës së lindjeve” dhe “humbje të vetëdijes dhe vetëbesimit kombëtar”.
BRUKSEL– BE-ja ka nisur një kundërsulm, duke reaguar nëpërmjet Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ndaj strategjisë së re të sigurisë së SHBA-së, të publikuar nga administrata Donald Trump dhe e cila është veçanërisht kritike ndaj Evropës.
Duke denoncuar kërcënimin e ndërhyrjes, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, komentoi gjatë një fjalimi në Institutin Jacques Delors: Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i zëvendësojnë qytetarët evropianë në zgjedhjen se kush janë të mirët dhe kush janë të këqijtë.
Costa e përshkroi si normale që ka dallime në opinione për shumë çështje midis Brukselit dhe Uashingtonit.
“Ajo që nuk mund ta pranojmë është një kërcënim për ndërhyrje në jetën politike të Evropës”, theksoi ai.
Koncepti i lirisë së fjalës, për shembull, është i ndryshëm në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara, tha ai.
“Nuk mund të ketë liri shprehjeje pa liri informacioni. Nuk mund të ketë liri fjale nëse liria e informacionit të qytetarëve sakrifikohet në shërbim të tekno-oligarkëve në Shtetet e Bashkuara!”
Deklaratat e Antonio Costas vijnë pas publikimit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, e cila sulmon institucionet evropiane “që minojnë lirinë dhe sovranitetin politik”, politikën e imigracionit. Pala amerikane pretendon se në Evropë ka “shkelje të lirisë së shprehjes dhe shtypje të mospajtimit politik”, “rënie të shkallës së lindjeve” dhe “humbje të vetëdijes dhe vetëbesimit kombëtar”.
“Nëse jemi aleatë, duhet të veprojmë si aleatë”
«Kemi dallime në perceptimin e botës, por kjo shkon përtej kësaj», tha Antonio Costa, duke shtuar: «Kjo strategji vazhdon t’i referohet Evropës si një aleate. Le të jetë kështu, por nëse jemi aleatë, duhet të veprojmë si aleatë. Ne respektojmë sovranitetin e njëri-tjetrit».
“Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara mbeten një partner i rëndësishëm ekonomik, por Evropa jonë duhet të jetë sovrane”, përfundoi ai.
Përballja joformale midis qeverisë amerikane dhe palës evropiane filloi shkurtin e kaluar, kur zëvendëspresidenti J.D. Vance tha, gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Mynihut, se liria e shprehjes po “tkurrej” në Evropë. dosja