VOAL

VOAL

PRESIDENTI I ITALISË E VIZITON BEOGRADIN

May 25, 2015

Komentet

Davkova ia kthen në shqip presidentes Osmani: Uroj ta vazhdojmë bashkëpunimin për të arritur integrimin në BE si synim strategjik

Gordana Siljanovska-Davkova do të jetë presidentja e re e Maqedonisë së Veriut pasi edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ka fituar përballë Stevo Pendarovskit. Për këtë fitore në zgjedhje Davkovën e ka uruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Davkova i është përgjigjur urimit të presidentes së Kosovës, duke thënë se është e lumtur për urimin e sinqertë dhe ka shtuar se ësht ëe lumtur që gratë në rajon po bëjnë histori politike duke udhëhequr pozita kyçe.

Gjithashtu kandidatja që ka fituar zgjedhejt presidenciale, ka thënë se uron që të vazhdohet bashkëpunimi në mes të dy shteteve drejt objektivit për integrim në Bashkimin Evropian dhe për forcimin e raporteve përmes asaj që Davkova e ka quajtur “sinergji “femërore””

“E nderuar Vjosa, më gëzoi urimi Juaj i sinqertë. Jam e lumtur për faktin që gratë në rajonin tonë po bëjnë histori politike, duke qëndruar guximshëm në pozita kyçe. Uroj të vazhdojmë bashkëpunimin tonë edhe në të ardhmen, për të arritur përfundimisht objektivin kryesor strategjik, integrimin evropian të të gjithë rajonit, si dhe për të forcuar marrëdhëniet tona përmes një sinergjie “femërore””, ka shkruar Davkova./Express/

“Çamët u përzunë me gjak e therje”, Hyqmet Zane: Nuk kemi qenë bashkëpunues të fashizmit. S’e harrojmë amanetin

Hyqmet Zane, që ka shkruar disa libra për Çamërinë deklaroi se çamët janë përzënë nga Greqia me gjak, therje dhe përdhunime.

Zane thekson se çamët nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të fashizmit. Ai deklaroi se çamët nuk e harrojnë amanetin e të parëve dhe do lobojnë për çështjen e Çamërisë.

 

Hyqmet Zane: Çamët nuk ishin bashkëpunëtorë të nazi-fashizmi. Kombi i Skënderbeut u nda në 6 pjesë. Çamët u përzunë me gjak e me therje e me përdhunime masive. Nuk ka sesi të thuash që nuk ekziston çështja çame, sepse janë çamët, ata ekzistojnë. Neve nuk na pranojnë në fshatrat ku kemi origjinën. Ne nuk po fitojmë çështjen, sepse grekët janë të organizuar, ne jo. Çamët vetë në radhë të parë kanë probleme të brendshme. Partia ka sfumuar shoqatën Çamëria. Çamët ekzistojnë sepse janë 10 përqind të popullsisë, duhet të organizohemi dhe të lobojmë. Kosovarët u bënë bashkë dhe e mundën Serbinë, ndërsa ne nuk po mblidhemi.bw

Qeveria e Kosovës: Lajmi për përfundimin e mandatit të të dërguarit amerikan Escobar, nuk doli prej nesh

Pamje nga një takim i mëhershëm Kurti – Escobar

VOA

Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Zërin e Amerikës mohoi çfarëdo sugjerimi “se lajmi rreth përfundimit të mandatit të (të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel) Escobar të ketë dalë nga qeveria e Republikës së Kosovës”.

Të mërkurën zoti Escobar tha se shkrimet e fundjavës për “shkarkimin e tij” janë “dezinformata” të prodhuara nga “një i ashtuquajtur gazetar” dhe raportimet dolën pasi, kontaktoi me qeveritë në rajon për të diskutuar lidhur me kalimin e tij në një detyrë tjetër në Departamentin amerikan të Shtetit pas përfundimit të mandatit të tij.

Ky raportim doli pak kohë pasi unë komunikova me qeverinë e Kosovës”, tha zoti Escobar.

Por, qeveria e Kosovës mohoi “çdo sugjerim” që lajmi të ketë rrjedhur prej saj.

Gjatë fundjavës, themeluesi i platformës pak të njohur digjitale ‘Frontliner’, Vedat Xhymshiti, shkroi se diplomati Escobar është larguar nga detyra për shkak të lidhjeve financiare të familjes së tij me institucione shtetërore serbe, respektivisht të bashkëshortes së zotit Escobar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë si dhe një kontrate ligjore ndërmjet Republikës Serbe dhe zyrës ligjore amerikane McGinnis Lochridge më 2019, ku sipas Xhymshitit partner është një familjar i zotit Escobar.

Dua të them drejtpërdrejt se çdo gjë në atë raportim është gënjeshtër dhe vërtetueshëm gënjeshtër”, tha zoti Escobar.

Nuk kemi ndonjë kontakt me gazetarin në fjalë, me të cilin nuk ndajmë qëndrim sa i përket pretendimeve të tij në lidhje me emisarin Escobar”, thuhet në një përgjigje të qeverisë së Kosovës për Zërin e Amerikës.

Më herët gjatë javës Departamentit amerikan i Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Zv/ndihmës Sekretari Escobar nuk është shkarkuar, por do të lëvizë gjatë javëve në vijim në një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, në kuadër të një rotacioni të planifikuar prej kohësh.

Duke hedhur poshtë raportimet, DASH-i bëri thirrje që “gazetarët të vërtetojnë faktet para se të përhapin thashetheme ofenduese dhe të pabaza”, që sipas Departamentit të Shtetit paraqesin kërcënim të jashtëzakonshëm për shoqëritë demokratike.

SPAK: Amnistia penale shkurtoi dënimin e dhjetëra zyrtarëve të korruptuar Nga Vladimir Karaj

 

Reporter.al – Në një përgjigje zyrtare për BIRN të martën, Prokuroria e Posaçme bëri me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga ligji “Për amnistinë”, i miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës më 4 prill në Kuvend.

Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi.

Sipas të dhënave që SPAK vuri në dispozicion, ulje dënimi përfituan 16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit. Dy prej përfituesve ishin të dënuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Për ekspertët e politikës dhe legjislacionit, ligji “Për amnistinë” dhe pasojat e tij janë një mesazh i gabuar dhe një përpjekje e koordinuar e palëve politike në vend për të sabotuar institucionet e posaçme dhe luftën kundër korrupsionit.

“Amnistia e kohëve të fundit është hapi i tretë në morinë e përpjekjeve për ta minuar Reformën në Drejtësi,” tha Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike shkon më tej, ndërsa ngre dyshime mbi mënyrën se si u soll në jetë ky ligj dhe kërkon që SPAK të hetojë nëse pas formulimit ka apo jo konflikt interes.

Duke iu referuar mungesës së konsultimit publik dhe mënyrës se si u negociua ligji, Krasniqi thekson se krijohen “dyshime të arsyeshme që kemi të bëjmë me një proces me ndikime personale dhe shpesh edhe korruptive”.

I pyetur nga BIRN mbi lirimin e zyrtarëve dhe magjistratëve të korruptuar, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa  kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk komentoi.

Zotimet e Manjës dhe Bardhit

Projektligji i qeverisë u mbajt peng për mungesë votash për disa muaj dhe u ndryshua në komisionin e Ligjeve nga deputetët e shumicës, duke futur në kategoritë e përfituesve edhe subjektet e dënuar nga Gjykata e Posaçme.

Pas një dakordësie mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës, Kuvendi arriti të miratojë me 4 prill ligjin “Për amnistinë penale”  me 116 vota pro në parim dhe 110 vota në votimin final.

Të vënë nën presion publik se përmes ligjit “Për Amnistinë” po falnin të dënuarit për korrupsion duke cenuar punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, premtuan disa herë se kjo nuk do të ndodhte.

“…Hapini sytë dhe lexojeni ligjin, se jeni jurist! Asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, as nuk përfiton nga kjo amnisti dhe as nuk i zbritet dënimi,” tha në seancën parlamentare të 4 prillit ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Edhe Gazment Bardhi mbajti një qëndrim të ngjashëm, një ngjarje e rrallë për demokracinë e brishtë parlamentare shqiptare.

“Me amendamentin tonë dhe analizën e plotë të kryer nga ekspertët, asnjë person, zyrtar i lartë, i dënuar për korrupsion, i dënuar për abuzim me tenderë, i dënuar për shpërdorime me koncesionet apo partneritetet publike-private, i përfshirë në akte korrupsioni aktiv apo pasiv, nuk përfiton nga amnistia,” premtoi Bardhi.

Të dënuarit nga GJKKO përfitojnë nga amnistia

Premtimet e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe përfaqësuesve të opozitës se ligji “Për amnistinë” nuk prekte funksionarët e korruptuar, u përgënjeshtruan sapo ligji hyri në fuqi.

Prokuroria e Posaçme tha në një përgjigje zyrtare për BIRN se pas miratimit të ligjit, ajo bëri një analizë të detajuar të dhënash në bashkëpunim edhe me institucione të tjera të përfshira. SPAK bëri me dije se sipas analizës, 100 persona ishin përfitues sipas ligjit.

“Nga ky përditësim i analizës, arrihet në përfundimin se janë rreth 40 persona të cilët mund të përfitojnë nga përjashtimi i dënimit dhe rreth 60 persona të cilët mund të jenë subjekt i përfitimit të uljes së dënimit sipas këtij ligji,” shkruhet në përgjigjen e SPAK.

SPAK sqaron se 40 janë përfitues të amnistisë që u falet tërësisht dënimi. Këta janë të dënuar nga Gjykata e Posaçme në vitet 2023 dhe 2024 për akuzën “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Në këtë kategori përfshihen kryesisht ryshfet-dhënësit.

Përveç tyre, 60 të dënuar për vepra të lidhura kryesisht me korrupsionin në vitet 2023 dhe 2024 përfitojnë ulje të dënimit. SPAK bën me dije se nga këta, 16 janë të dënuar me burg dhe pjesa tjetër kanë dënime të formave alternative.

“Numri i personave të cilët janë liruar nga burgu si rezultat i uljes se dënimit është 15 persona,” tha SPAK. “Ndërkohë është 1 person i cili ka përfituar ulje dënimi 1 vit e 6 muaj burgim, por vazhdon dënimin për pjesën tjetër të pavuajtur të dënimit”, shtoi SPAK.

Mes personave që përfitojnë nga amnistia janë dhe 7 anëtarë të sistemit të drejtësisë të dënuar për akuzën e “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Sipas të dhënave nga SPAK, në listën me 60 përfitues vetëm 8 janë për vepra penale që nuk përfshijnë korrupsionin apo funksionet publike. Këtu janë 5 të dënuar për kultivim e prodhim droge, 1 i dënuar për dhënie ndihme në kalimin e kufirit dhe 2 të dënuar të tjerë për thirrje dhe propagandë që nxit terrorizmin.

Mesazh kundër SPAK

Në vitin 2016, Shqipëria ndërmori një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, me qëllim krijimin e një sistemi të pavarur që mund të luftonte korrupsionin, një prej shqetësimeve kryesore të qytetarëve.

Në paketën e Reformës u përfshi krijimi i Gjykatë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i Prokurorisë së Posaçme dhe një strukture speciale policie të njohur si Byroja Kombëtare e Hetimit.  Detyra e tyre kryesore ishte hetimi dhe dënimin i të korruptuarve administratën publike dhe në nivele të larta të shtetit.  Pas zvarritjeve për disa vite, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve politike, institucionet e posaçme për luftën ndaj korrupsionit filluan të funksiononin me krijimin e SPAK në dhjetor 2019.

Katër vjet më vonë, kur strukturat e posaçme filluan të japin rezultatet e para në këtë proces, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë dhe me mbështetje thuajse unanime të deputetëve të Kuvendit – përfshi opozitën, u miratua ligji për amnistinë. Ky i fundit në mënyrë të debatueshme, pavarësisht kundërshtimeve publike, përfshiu veprat penale që hetohen dhe gjykohen nga strukturat anti-korrupsion.

Për ekspertë të politikës dhe ligjvënies, kjo është një përpjekje për t’i dekurajuar këto institucione dhe minim i Reformës në Drejtësi.

“Në momentin që pritet kaq shumë prej tij [SPAK], të amnistosh individë që janë subjekt hetimi apo janë gjykuar, mendoj që është mesazh krejt i gabuar dhe e dëmton imazhin dhe vetë atë që quhet integriteti i Reformës në Drejtësi,” thotë Afrim Krasniqi.

Krasniqi arsyeton se qëndrimet e palëve në këto proces janë të dyshimta dhe se SPAK duhet të hetojë për këtë vendimmarrje, për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një procedurë normale apo “me allishverish”.

“SPAK-u të kishte nisur hetime për të parë nëse vendimmarrja e parlamentit është vendimmarrje procedurale parlamentare apo janë fshehur konflikte interesi dhe nevoja personale të deputetëve të caktuar lobues,” tha ai.

Nga ana e tij, Zef Preçi nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë se amnistia është një hipokrizi e tërë klasës politike. Ai thotë me ironi se sa herë bëhet fjalë për të ngritur pengesa për SPAK-un,  ka një mirëkuptim mes shumicës dhe pakicës parlamentare.

“Ka një mirëkuptim të çuditshëm mes mazhorancës dhe opozitës kur vjen puna te kontrollimi i këtyre institucioneve të pavarura, një mirëkuptim që nuk shihet sa i përket institucioneve inaktive si ILDKPKI e të ngjashme,” tha ai.

Preçi thotë se kjo është e disata përpjekje e politikës, kryesisht prej shumicës, për të sabotuar SPAK. Sipas tij, hapi i parë ishte mbushja e SPAK me dosje nga i ashtuquajturi Operacioni Forca e Ligjit, i cili “shpenzoi burimet njerëzore dhe financiare, por nuk solli asnjë të mirë publike”. Së dyti, ai vë në dukje parashikimet ligjore për shpërdorim detyre dhe uljen e dënimit, që u mundëson zyrtarëve të mbyllin procedurialisht çështjet në këtë kategori.

Ngjashëm edhe Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare i sheh palët politike të bashkuara në një marrëveshje të dyshimtë kundër SPAK.

“Amnistinë e shoh si shpallje lufte ndaj drejtësisë së re nga klasa e vjetër politike. I vetmi bashkim që pati politika, në kulmin e ndasive ishte beteja ndaj SPAK-ut,” thotë ai.

Xhemollari e cilëson si një akt të rëndë amnistinë apo uljen e dënimit për të korruptuarit.

“Nuk ka rëndësi se çfarë statusi kanë funksionarët publikë, apo cila gjykatë i ka gjykuar. Në një vend ku korrupsioni dhe pandëshkueshmëria ka qenë problemi kryesor i vendit, zhbërja e vendimeve të institucioneve që filluan të ndëshkojnë korrupsionin dhe fituan besimin e publikut konsiderohet si tradhti ndaj bashkëqytetarëve,” përfundoi ai.

Sot mbushen 9 vjet nga konflikti në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë

Sot mbushen nëntë vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë ku jetën e humbën tetë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa rreth dyzetë mbetën të plagosur.

Në konfliktin e armatosur, përveç tetë pjesëtarëve të forcave policore, u vranë edhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Për ngjarjet në “Lagjen e Trimave” nga muaji shkurt 2016 në Gjykatën penale është zhvilluar seancë gjyqësore kundër 29 personave të cilët akuzohen për vepra penale “Organizatë terroriste” dhe “Terrorizëm”. Të gjithë 29 të akuzuarit për rastin e Kumanovës para Gjykatës u deklaruan se nuk ndihen fajtorë.

Rasti më vonë u bashkua me lëndën “Rrufeja” në të cilin u zhvillua proces kundër tetë personave ndihmës të grupit të armatosur nga “Lagjja e Trimave”, me çka numri i të akuzuarve u rrit në gjithsej 37.

Prokuroria Republikane Publike ka ngritur procedurë për të arrestuarit në aksionin në Kumanovë, pasi MPB-ja parashtroi kallëzim penal deri te Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër numrit të caktuar të personave për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.

Nga 37 të akuzuar për “Terrorizëm” dhe “Organizatë terroriste”, 33 persona janë dënuar për veprat, ndërsa për katër persona është sjell aktvendim lirimi.

Gjykata Penale në nëntor 2017 me burg të përjetshëm dënoi Andi Krasniqi-Malisheva, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Bekiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Me 40 vjet burg u dënuan komandant Sokoli, Esat Kafexholli, Ardian Bujari, Shefqet Hallaçi, Betim Kabashi, Genci Sefaj, Enver Hoxha Klein, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari, Fatmir Reçica.

Me 20 vjet burg janë dënuar Kenan Isni, Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdia, Landrit Rrustemaj, Mirsad Qerimi. Musadik Pajaziti dhe Ebip Aliji janë dënuar me nga 12 vjet burg. Arsim Bajrami dhe Elham Arifi me nga 13 vjet. 14 vjet iu shqiptuan Seadudin Abdullait, ndërsa 18 vjet Ragmi Latifit. Prej të dënuarve, 19 janë shtetas kosovarë ndërsa të tjerët nga Maqedonia. Vetëm katër persona të akuzuar për logjistikë nga Maqedonia janë liruar tërësisht nga akuzat. Vlerësimi i aktakuzës u bë në fund të vitit 2015 kur për herë të parë, grupi prej 37 të akuzuarve u mblodh në sallën e vogël të Gjykatës Penale. Shqyrtimi kryesor filloi më 10 shkurt 2016. Seancat e para gjyqësore ishin thuajse të heshtura, por në fjalët hyrëse që kishin mundësi t’i japin të arrestuarit, u denoncua likuidimi i Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt, por edhe disa pjesëtarëve të grupit, pas arrestimit.

Prokuroria kërkoi burg të përjetshëm për të gjithë 37 të akuzuarit për “Terrorizëm” dhe “Organizatë terroriste”.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në nëntor 2017 pranoi të hapet hetimi ndërkombëtar për rastin “Lagjja e Trimave.” Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se është informuar bashkësia ndërkombëtare dhe se kërkohen mënyrat për zbatimin e hetimit ndërkombëtar për rrethanat e paqarta lidhur me ngjarjet në Kumanovë. sn

Shtyhet përtej afatit të 20 majit hapja e kampeve të emigrantëve në Shqipëri

Inxhinierët ushtarakë në punë, por strukturat pritëse nuk kanë përfunduar.

Është shtyrë hapja e qendrave të emigrantëve në Shqipëri, e cila ishte planifikuar për në 20 maj, shkruan agjencia italiane e lajmeve ANSA duke iu referuar burimeve të saj.

Trupa ushtarake italiane që po punon në kantieret e Shëngjinit dhe Gjadrit, bazuar në marrëveshjen mes Romës dhe Tiranës, nuk e ka përfunduar ende ndërtimin e strukturave.

Ka qenë njoftimi i marsit të kaluar nga prefektura e Romës për caktimin e shërbimeve të pritjes që e ka vendosur vënien e tyre në funksionim “jo më vonë se data 20 maj 2024”.

Nisja e punës duhet të konfirmohej nga Ministria e Brendshme brenda 15 ditësh.

Ndërkohë kontratën për menaxhimin e objekteve për 24 muaj e ka fituar kooperacioni Medihospes me një ofertë prej 133.8 milionë euro. sn

Princ Leka i vë kushte Elia Zaharias: E humbet pasurinë nëse krijon lidhje

Pas dhunës që mori gjatë procesit të divorcit, duket se Princ Lekës nuk i del e keqja. Nga 25 prilli 2024, çifti janë zyrtarisht të divorcuar me vendim gjykate.

Princi u tregua bujar me pasurinë që i la ish-bashkëshortes, por kjo nuk erdhi pa “pasoja”.

Elia Zaharia është pronare e një apartamenti 257 m2 në qendër të Tiranës, pas ish-hotel Dajtit, një dyqani 134 m2 në katin – 1 të këtij pallati si dhe dy parkime 47 m2. Vetëm këto të fundit kapin vlerën e 100 mijë eurove. Apartamentet 3-6 mijë euro/m2, ndërsa dyqani 7-10 mijë euro/m2.

Por kjo pasuri i ikën nga duart ish-bashkëshortes të Princit, nëse bie në dashuri.

“Kur Geraldina të bëhet madhore, nëna i humbet të drejtat në rast të krijimit të një marrëdhënieje të re martesore ose bashkëjetese”.

Pra, Elia Zaharia duhet të mos ketë shokë, të bashkëjetojë apo martohet me njeri, pasi Geraldina të mbushë 18 vjeç. Ky është kushti i Leka Zogut.

Ndërkohë ky i fundit po jeton romancën me parteren e re, forografen Blerta Celibashi.Edhe pse plot 16 vite diferencë, duket se shifrat nuk përbëjnë aspak problem në këtë romancë. sn

VMRO-DPMNE feston fitoren e zgjedhjeve parlamentare dhe për president

VOA/Isak Ramadani

Partia VMRO-DPMNE po feston fitoren e thellë në zgjedhjet parlamentare dhe balotazhin për presidentin e vendit, votime që u mbajtën të mërkurën më 8 maj. Nga rreth 95 për qind e votave të numëruara, kjo parti rezulton të ketë fituar 59 vende në parlamentin prej 120 vendesh. Për formimin qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve.

Ndërkohë, kandidatja e VMRO-së për president, Gordana Siljanovska Davkova mori 520 mijë vota kundrejt 234 mijë votave që mori kandidati social-demokrat Stevo Pendarovski. Ky i fundit ia uroi fitoren zonjës Siljanovska – Davkova, ndërsa kritikoi, siç tha ai, “ata të cilët penguan mijëra qytetarë të marrin fletëvotimet për të votuar në balotazhin presidencial”, me gjasë duke aluduar për Bashkimin Demokratik për Integrim.

BDI-ja me Frontin Evropian duket të ketë siguruar 19 vende në parlament, apo 133 mijë vota, ndërsa koalicioni tjetër shqiptar VLEN, ka marrë 103 mijë vota apo 13 vende në parlament.

Nëse shifrat në fjalë konfirmohen deri në fund të procesit, BDI-ja do të jetë partia e dytë më e madhe në vend, hera e parë në historinë moderne të Maqedonisë së Veriut për një parti shqiptare.

Humbësi më i madh në këto zgjedhje konsiderohet Lidhja Social Demokrate, e cila sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve rezulton të ketë marrë 18 deputetë apo 144 mjë vota në të gjashtë njësitë zgjedhore të Maqedonisë së Veriut.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se ka biseduar me drejtuesit e koalicionit VLEN, Arben Taravarin, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin dhe të enjten do të nisë takimet për formimin e qeverisë së re. Zoti Mickovski akuzoi BDI-në për përpjekje për bojkotimin e balotazhit presidencial, por siç u shpreh ai: “qeveria ra dhe populli e shpëtoi shtetin”.

“Kriminaliteti, korrupsioni, paaftësia, vlerat e rreme, shteti i kapur, tenderat, nepotizmi, gjëra që bënë shtetin të vuajë dhe popullin të dëshpërohet, sonte u mundën”, tha zoti Mickovski, duke kërcënuar se, “100 persona të BDI-së dhe LSDM-së do të përgjigjen për bëmat e tyre”.

Ai premtoi nga ana tjetër se në 100 ditëshin e parë të qeverisë së tij do të ketë rritje ekonomike dhe investime të huaja.

Ndërkaq, zoti Ali Ahmeti i koalicionit Fronti Evropian nuk pranon të shkojë në opozitë. “Vendit i duhet qëndrueshmëria dhe siguria”, tha ai në një konferencë shtypi me drejtusit tjerë të këtij koalicioni, Ziadin Selën, Menduh Thaçin, etj.

Koalicioni VLEN festoi atë që e quan fitore, në sheshin Skënderbeu në Shkup, por në fakt festa ka të bëjë me hyrjen e tij në kabinetin e pritshëm qeveritar.

Sidoqoftë, fitorja e VMRO-së është e thellë dhe nuk pritet që ajo t’i ofrojë partisë shqiptare një numër të përafërt të ministrive siç kishte BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët në qeverinë me LSDM-në.

Partia “Znam” e kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski ka siguruar 5 vende në parlament dhe ka gjasa të mëdha të hyjë në koalicioni e ri qeveritar. Nëse ndodh kjo, atëherë shumica e pritshme parlamentare do të ketë 77 ligjvënës, shumë afër numrit të dy të tretave. Partia nacionaliste “E Majta” fitoi 6 vende në parlament, që po ashtu vlerësohet një sukses për të, duke patur parasyshë se në mandatin aktual ka vetëm dy ligjvënës.

Vjosa Osmani takim me George W. Bush, Presidentja: Mbetet mik dhe mbështetës i popullit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me ish presidentin amerikan George W. Bush, duke e cilësuar këtë të fundit si ” lajmëtar dhe avokues për pavarësinë e Kosovës”.

Osmani, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar për takimin me ish-presidentin Bush, duke përkujtuar thënien e tij gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007.

“’Mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur’, është fraza paralajmëruese për pavarësinë e Kosovës, e Presidentit George W. Bush në Tiranë më 2007, e cila do të mbetet e gdhendur në analet e historisë si një afirmim i vendosur i të drejtës së Kosovës për të qenë e pavarur dhe sovrane”, shkroi Osmani.

“Kënaqësi që takova lajmëtarin e pavarësisë së Kosovës, Presidentin Bush, i cili ishte një avokues i vendosur për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të mbetet një mik dhe mbështetës i popullit të Kosovës”, ka shkruar presidentja Osmani. sn

Konfirmohen hetimet për Olsin, Edi Rama i tregon SPAK-ut ç’duhet të bëjë

Edi Rama ka komentuar vendimin e Prokurorisë së Posaçme për të nisur hetimet ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama për dosjen Xibraka. Me anë të një postimi në X, Rama thekson se me veprimin që bëri Bardhi, prokuroria duhet që të ndajë të vërtetën nga shpifja.

Ndërkohë që vetë disa hërë ka thënë se nuk ndërhyn dhe komenton në çështjet e drejtësisë dhe aq më pak të SPAK-ut, Rama i ka treguar sot se çfarë duhet që të bëjë prokuroria.

Sipas Ramës kjo ka vetëm 2 rrugë, ose Bardhi ka zbuluar një trafikant në rrethin e tij familjar dhe se i vëllai duhet të futet në burg, ose ndryshe Bardhit duhet që t’i vendosen në gojë proteza e ligjit.

Reagimi i plotë i Edi Ramës:

Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull!

Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar ‘Informacion’ në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale.

Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet menjëherë liria, o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit! Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme.

Prokuroria e Vlorës kërkon 15 vite burg për komisarin e policisë që vrau me gomone 7-vjeçaren në Himarë

VOA/Raimond Kola

Prokuroria e Vlorës kërkoi të mërkurën shpalljen fajtor dhe dënimin me 15 vite burg për ish komisarin e policisë Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me një mjet lundrimi me dy motorrë 7-vjeçaren Jonada Avdia, në gusht të vitit 2022, në bregdetin e Himarës.

E mitura, e ardhur nga Anglia, po lahej në det me babain e saj në plazhin e Potamit në Himarë kur u godit për vdekje nga gomonia që drejtonte komisari Arjan Tase, i cili në atë kohë mbante detyrën e shefit të rendit në Policinë e Elbasanit.

Prokuroria e Vlorës thotë përmes një njoftimi për shtyp se “nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, analiza e vendit të ngjarjes dhe e pamjeve filmike, i pandehuri Arjan Tase provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të ‘Vrasje me dashje’ në formën e dashjes indirekte”.

Prokuroria e Vlorës thotë në përfundimet e saj se “provohet se ditën e ngjarjes, i pandehuri Arjan Tase, ka qenë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorrë”.

Sipas Prokurorisë “pasi Arjan Tase ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij Jonada Avdia, mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin”.

“E mitura Jonada Avdia ndërroi jetë në moment”, thotë Prokuroria.

Avokatët mbrojtës të Arjan Tases, kanë kërkuar kualifikimin e veprës penale si “Vrasje nga pakujdesia”.

Në dhjetor të vitit të shkuar Gjykata e Vlorës ndau gjykimin ndaj komisarit të policisë nga gjykimi i 8 punonjësve të tjerë të policisë së Himarës, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre lidhur me këtë ngjarje.

Vrasja e 7-vjeçares shkaktoi dy vite më parë reagime të forta për sigurinë në plazhet shqiptare dhe një protestë qytetare, të cilat i detyruan autoritetet të rishikonin kuadrin ligjor dhe masat për rregullat e lundrimit në det dhe sigurinë e pushuesve në Shqipëri.

Kina dhe Serbia, vend kandidat për në BE, nënshkruajnë 29 marrëveshje

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Presidenti kinez Xi Jinping është pritur ngrohtë nga udhëheqja dhe populli serb gjatë vizitës në Beograd. Pas takimeve me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç u njoftua për arritjen e 29 marrëveshjeve për të ndërtuar “të ardhme të përbashkët”, megjithëse nuk u dhanë detaje për këtë. Presidenti kinez gjithashtu tha se kur është fjala për Kosovën, Pekini përkrah qëndrimin serb për të ruajtur “sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”.

“Një miqësi e çeliktë” ishte fjalia që u përsërit disa herë për të përshkruar marrëdhëniet në mes të Kinës dhe Serbisë gjatë takimeve të Presidentit kinez, Xi Jinping dhe homologut serb, Aleksandar Vuçiç.

“E kam parë nga afër se populli serb është një mik i çeliktë. Ju jeni miqtë më të mirë të Kinës dhe popullit kinez”, tha Presidenti Xi para se të fillonte takimin me udhëheqjen serbe.

Pas takimit, udhëheqësi kinez dhe ai serb dolën në ballkonin e Pallatit Serbia për të përshëndetur mijëra njerëz që ishin sjellë me autobusë të veçantë për të përshëndetur udhëheqësin kinez.

“Rroftë miqësia e çeliktë në mes të Serbisë dhe Kinës. Ju lus për duartrokitjen më të madhe për Presidentin Xi”, tha Presidenti Vuçiç.

Përtej deklaratave për miqësi të hekurt, të dy udhëheqësit njoftuan se do të “thellojnë partneritetin gjithëpërfshirës strategjik midis dy vendeve” dhe “do të ndërtojnë një epokë të re me një të ardhme të përbashkët midis Kinës dhe Serbisë”.

“Ne po kalojmë në një komunitet që flet për të ardhmen e përbashkët të dy vendeve tona. Ky është niveli më i lartë i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe jam krenar që sot, si President i Serbisë, nënshkruaj një deklaratë të tillë me presidentin Xi”, tha zoti Vuçiç pas takimit.

Kjo e bën vendin ballkanik të parin në Evropë që ka rënë dakord për një dokument të tillë me Pekinin, megjithëse përmbajtja e marrëveshjes nuk u sqarua në detaje, kjo ka pak gjasa t’i pëlqejë Bashkimit Evropian që i ka dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në bllokun evropian.

Vitin e kaluar Kina dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për tregëti të lirë, e cila siç tha Presidenti Xi sot, do të fillojë të zbatohet në korrik.

“Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Kinë-Serbi do të hyjë zyrtarisht në fuqi më 1 korrik të këtij viti”.

Marrëveshja për tregti të lirë, nuk është në përputhje me kushtet e BE-së për anëtarësim. Serbia zyrtarisht dëshiron të bashkohet me bllokun 27-vendesh, megjithatë ajo është larguar vazhdimisht nga kjo rrugë. Kina ka derdhur miliarda dollarë në Serbi në formë investimesh dhe kredish, veçanërisht në miniera dhe infrastrukturë.

Të dy vendet nënshkruan sot 29 marrëveshje, që nga zgjerimi i artikujve bujqësorë serbë që do të importohen në Kinë, tek nisja e fluturimeve të drejtpërdrejta nga Beogradi për në Shangai dhe më pas edhe në Guangzhou.

Kritikët thonë se Serbia mund të shërbejë si një kalë troje kinez dhe si portë hyrëse e Pekinit në Evropë.

Presidenti Xi mbërriti në Serbi në një datë simbolike, 25 vjetorin e bombardimit të Ambasadës Kineze në Beograd nga NATO-ja gjatë luftës së Kosovës, kur u vranë tre shtetas kinezë.

Incidenti ka ndihmuar në krijimin e lidhjeve të ngushta politike midis Kinës dhe Serbisë duke mbajtur qëndrim të ngjajshëm edhe për Kosovën. Kjo u bë e qartë sërish në Beograd.

“Kina mbështet përpjekjet e Serbisë për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial, për çështjen e Kosovës”, tha Presidenti kinez.

Sot, gjatë një konference shtypi, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se vizita e Presidentit Xi synon të rrisë tensionet mes Serbisë dhe Perëndimit.

“Unë mendoj se kjo vizitë po bëhet për të rritur tensionet në mes të Serbisë dhe Perëndimit dhe kjo vizitë nuk ndihmon. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se bombardimi i ambasadës kineze në vitin 1999 ishte një aksident. Ne kemi kërkuar falje dhe besoj se edhe kemi paguar dëmshpërblim për familjet e viktimave. Vizita fatkeqësisht bëhet qëllimisht të përkojë me këtë ditë”, tha zoti Escobar.

Presidenti i Kinës e filloi vizitën në Evropë me takimet në Paris me Presidentin Emmanuel Macron dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Urusula von der Leyen, ku temat kryesore ishin tregtia dhe lufta e Rusisë në Ukrainë. Nga Beogradi, Presidenti Xi udhëton për në Hungari të mërkurën në mbrëmje. Ashtu si Serbia, Budapesti shihet si një nga partnerët më miqësorë të Kinës në Evropë.


Send this to a friend