VOAL  – Nga viti 1891 zviceranët – dhe nga 1971 edhe zviceranet – mund të marrin pjesë direkt në procesin kushtetues të vendit nëpërmjet iniciativave popullor. Ideja e kësaj të drejte popullore ka përshkuar dy shekuj dhe ka udhëtuar nëpër botë.

Bruno Kaufmann, ekspert i demokracisë direkte dhe kryeredaktor i people2power na e sjell jehonën e asaj kohe. “Jam i kënaqur që kjo ide fantastike, e cila ia mundëson popullit të ushtrojë pushtetin ligjvënës, përqafohet tani edhe nga pjesa tjetër e botës.” Kështu i përgjigjej kryeredaktori i një gazete socialdemokrate letrës së një emigranti.

Ishte viti 1894. Në Amerikë një broshurë e gazetarit njujorkas John W. Sullivan, lidhur me të drejtën e iniciativës dhe të referendumit në kantonet zvicerane e në nivel federal, bën bujë. Modeli – përkufizuar nga Sullivan “sistemi zviceran” – i frymëzon fshatarët, sindikalistët dhe zejtarët për të kërkuar të drejta të ngjashme në Shtetet e Bashkuara.

Emigranti zviceran dërgon letër në atdheun e tij të dikurshëm për të ditur rreth demokracisë direkte. Jeton në Oregon, ku iniciativa popullore do të praktikohej disa vjet më vonë, më 1902, për plebishit. Prej atëherë qytetarët dhe qytetaret e atij Shteti duke u bazuar në demokracinë direkte kanë bërë 300 votime. Le të bëjmë një krahasim: në Zvicër janë zhvilluar 206 votime. Prej atëherë nga ana tjetër e Atlantikut “sistemi zviceran” është quajtur “sistemi Oregon”. 125 vitet e fundit 23 shtete të tjera të SHBA kanë futur të drejtën e iniciativës popullore.

“Sistemi zviceran” i iniciativave popullore, i filluar 125 vjet më parë, ku bëjnë pjesë dhe referendumet kushtetuese të detyrueshme, në fuqi që nga themelimi i Shtetit modern federal më 1948, dhe referendumi ligjvënës – janë vetëm një shembull i marshit triumfues të idesë së iniciativës popullore në Zvicër dhe në botë.

Parimi bazë i kësaj të drejte popullore demokratike është kaq i thjeshtë sa dhe bindës: ia mundëson një pakice të drejtojë një pyetje politike konkrete dhe e detyron shumicën të japë një përgjigje përkatëse. Zbatuar në një formë sa më të afërt me qytetarët e thjeshtë, shoqëruar me debate, iniciativa popullore mund të kontribuojë më së miri idesë së madhe të demokracisë.

Iniciativa popullore lindi në Zvicër 125 vjet më parë, por ajo u ideua 100 e sa vjet më parë nga iluministi revolucionar francez Marchese di Condorcet. Pas rrëzimit të mbretit, Condurcet më 1792 u zgjodh relator i Kuvendit Kombëtar, i cili ishte një asamble kushtetuese. Në këtë cilësi ai luftoi jo vetëm për referendumin kushtetues të detyrueshëm, i cili duhej të kishte funksionin e kontrollit, por edhe për të drejtën “progresiste” të iniciativës popullore.

Condorcet nuk e realizoi idenë e tij, sepse u trondit nga fraksionet revolucionare dhe vdiq në burg më 1794. Edhe sot franca, drejtuar nga një qeveri centraliste, njeh vetëm plebishitin federal, një instrument në duart e të fuqishmëve. Por kjo që dështoi në Francë, gjeti terren pjellor në fqinjen lindore, strukturuar në mënyrë të decentralizuar. Para se të përfshiheshin në kushtetutën federale, nga viti 1830 të drejtat popullore ishin përfshirë në kushtetutat e të gjitha kantoneve. Sot kjo ide praktikohet në të paktën 22 shtete të botës, në Evropë, Azi, Oqeani e tjerë. (swissinfo)