Udhëtimi i delegacionit shqiptar drejt Bashkimit Sovjetik. Kulisat para mbledhjes së 81 partive. Tentativat për të bindur shqiptarët. Enveri përballë Hrushovit. Takimet e nervozuara në vilën e Leninit.
Dënimi i Liri Belishovës dhe Koço Tashkos
Më 5 shtator u mbajt plenumi i KQ, ku u dënuan Koço Tashko dhe Liri Belishova. Ndodhesha lart në bibliotekë kur mbahej plenumi, dëgjova që dikush e kritikonte ashpër Lirinë dhe ajo i përgjigjet: “Ti flet kështu se ke lexuar procesverbalin e Frederikut, por unë në Pekin e në Moskë s’kisha informacion për ngjarjet e Bukureshtit”. Unë isha lodhur një natë të tërë për ta zbardhur atë procesverbal të mallkuar që do të më sillte kokëçarje të tjera. Do të më kërkonin shënime e procesverbale të tjera për ngjarjet që do të vinin.
Siç dihet, kinezët i kishin folur delegacionit shqiptar në Pekin, ku bënte pjesë dhe Liria, për kontradiktat me Hrushovin. Pak kohë më parë ata i kishin folur për to edhe Gogo Nushit, kur ky kryesonte delegacionin shqiptar në Konferencën botërore të sindikatave në Pekin. Mirëpo Liria menjëherë pas kësaj kishte takuar sekretarin e ambasadës sovjetike dhe e kishte informuar. Edhe gjatë kthimit në Moskë, ku e pritën udhëheqës sovjetikë dhe biseduan për Bukureshtin, ajo u kishte thënë “gabim ka bërë Hysni Kapo”. Kjo e kishte tërbuar Enver Hoxhën.
Drejt Moskës
Pas mbledhjes së Bukureshtit unë fillova të merresha më shumë me përkthime. Nga partitë e vendeve socialiste vinin kopje të letrave që ato i dërgonin Partisë Komuniste Kineze. Së fundi, erdhi një letër nga PKBS drejtuar Enver Hoxhës, ku kërkohej një takim për të shmangur që “shkëndija” e ndezur në Bukuresht në marrëdhëniet midis dy partive tona të mos kthehej në një “zjarr të madh”.
Udhëheqja shqiptare refuzoi dy herë gjatë muajit gusht ofertat sovjetike për bisedime. Më 27 gusht u niset një letër sovjetikëve dhe kinezëve, ku Enver Hoxha shprehte dëshirën për zgjidhjen e
mosmarrëveshjeve mes tyre nëpërmjet bashkëbisedimeve në nivel të lartë, para mbledhjes së Nëntorit. Këtë letër prej disa faqesh Ramizi ma dha për ta përkthyer në rusisht, dhe kur e mbarova më tha se duhej të shkoja në Durrës t’ia tregoja Mehmet Shehut që ishte atje me pushime. Kur arrita në plazhin e Durrësit, në bllokun e vilave të udhëheqësve, Mehmet Shehu më priste ulur pranë një tavoline nën një tendë disi të fshehur, jo larg detit. E lexova përkthimin ngadalë, ai më ndiqte me tekstin shqip përpara dhe më la ta mbaroja pa më bërë ndonjë vërejtje.
***
Udhëtimi i delegacionit për në mbledhjen e 81 partive në Moskë u bë në fillim të nëntorit jo me Tu-104, por nga aeroporti i vogël në krah të rrugës së Durrësit, në hyrje të Tiranës. Kishin ardhur për të na
përcjellë familjarë të anëtarëve të delegacionit, anëtarë të Komitetit Qendror, shumë sigurimsa. Ishin mbajtur parasysh fjalët e Ten Hsiao Pinit se sovjetikët mund të sajonin ndonjë avari me avionin Tu-104,
prandaj Enver Hoxha do të nisej me Il-in e vogël qeveritar me pilot Babaçe Faikun. Ishte marrë me qera edhe një avion çek, i njëllojtë me tonin, i cili punonte zakonisht linjën Pragë-Tiranë. Ishin zgjedhur
çekët, sepse deri atëherë Novotni njihej nga Enveri si njeri “pozitiv”. Në avionin shqiptar hipën Enver Hoxha, Hysni Kapo, Llambi Peçini, si oficer i Sigurimit dhe profesor Gjata, mjeku neurolog i Enverit. Kurse në avionin çek hipën Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Manush Myftiu, që shkonte deri në Budapest për në Karlovi Vari dhe unë. Udhëtimi eci mirë, me disa lëkundje të avionit kur kaluam alpet e Shqipërisë dhe pastaj disa male të Jugosllavisë. Kur nuk ishim larg Beogradit, del nga kabina koloneli çek, një burrë trupmadh, që dinte rusisht, dhe ma bën me shenjë që të afrohem.
“Njoftohem se në Budapest është mot i keq dhe duhet të zbres në Beograd”, më thotë ai. Në Beograd jo, i përgjigjem menjëherë. Koloneli çek buzëqeshi dhe më vuri dorën në sup: E di, u thashë se do të zbres në Bratislavë. Ja thashë këtë dialog Mehmetit. Kur përmenda fjalën Beograd, ai reagoi menjëherë, por pastaj sikur u qetësua. Nuk kaloi dhe pak kohë, kur komandanti i avionit çek doli dhe më thirri përsëri. Ai piloti juaj qenka i marrë, më tha, po zbret në Budapest nën përgjegjësinë e tij. U mendua pak i mërzitur. Nuk kam ç’të bëj, më tha, më vjen turp, do të zbres edhe unë në Budapest.
Në aeroportin e Budapestit dëbora kishte mbuluar çdo gjë. Kishin dalë të na prisnin disa kuadro kryesore hungarezë, që na përcollën deri në hotel. Erdhi edhe vetë Janosh Kadari në drekën që u organizua. Nuk u hap fare problemi i mosmarrëveshjeve. Pasi pushuam, u nisëm me tren për në Moskë.
Në “stacionin e Kievit” të Moskës, na priti Kozllovi, që atëherë quhej figurë e dytë pas Hrushovit. Kishin dalë për të pritur delegacionin edhe shumë studentë shqiptarë në Moskë që mezi i kishin lënë të futeshin në stacion. U dëgjuan himnet dhe roja e nderit parakaloi me hap të rëndë sa lëkundej platforma. Pastaj u nisëm për në rezidencën e caktuar, një vilë nga ana e kodrave “Lenin”.
Në kujtimet e veta te “Hrushovianët” Enver Hoxha shkruan: “Këtë vilë, më kishin thënë njëherë, e kemi rezervuar për Çu En Lain dhe për ty, tjetër njeri nuk vëmë. Edhe në vilë na kishin bashkuar me kinezët…” Nuk e di kur i paskan thënë kështu Enverit, por i kam përkthyer unë fjalët e Kozllovit që tha se “në këtë vilë ka ardhur shpesh Ho Shi Mini”. Gjithashtu nuk kisha parë që të vërtetohej me “aparat verifikimi dhe zbulimi” se “vilën e kishin mbushur me aparate përgjimi”, siç shkruan Enveri. Pas disa ditësh dëgjova se si në ambasadën tonë në Moskë gjoja ishin gjetur aparate përgjimi dhe Mehmet Shehu doli në mes të hollit të madh të ambasadës e i drejtohej tavanit, dmth sovjetikëve që përgjonin, duke thurur ligjërata të gjata kundër revizionistëve. Enveri ishte në zyrën e ambasadorit dhe dëgjonte. Ndoshta dëgjonin dhe 3-4 vetë të tjerë të ambasadës, duke zgjatur kokën, si puna ime. Ishte një skenë mjaft tragjikomike.
***
Më 7 nëntor shkuam në Sheshin e Kuq, për të parë paradën e festës. Mbaj mend se makinat tona u futën në Kremlin, aty zbritëm dhe iu afruam murit në anën e prapme të Mauzoleut. Arritëm herët
dhe po prisnim të na tregonin vendet e caktuara, nga ku do të shihnim paradën. Në këtë çast zbriti nga makina Ekaterina Furceva, me trup të gjatë dhe e veshur me shije, u afrua dhe përshëndeti Enverin e të tjerët. Unë përktheva. Pastaj asaj ndoshta iu kujtua se ishte informuar për diçka jo të këndshme lidhur me Shqipërinë. Furceva u largua pak nga Enveri dhe m’u afrua. “Sa djalë simpatik”, më tha me dashamirësi. Unë bëra sikur i buzëqesha.
Kur u kthyem në rezidencë nga Sheshi i Kuq dhe po hanim drekën, Ramizi më pyeti “ç’të tha Furceva” dhe unë i tregova. Atëherë më tha me shaka, pse nuk bëre ca flirte me Katerinën?! Kam lexuar për fatin e Furcevës; burri i saj, Firjubini, zv/ministër i jashtëm, nuk e donte, sillej keq, ajo gjente gëzimin në takimet pas shfaqjeve me artistë të teatrove të Moskës, që e donin dhe e respektonin. E akuzoi më vonë Hrushovi se kishte përvetësuar disa mobilje për martesën e vajzës, siç bëheshin intriga në atë kohë, dhe pati një fund të trishtueshëm.
Në mbrëmjen e 7 nëntorit u shtrua një darkë në sallat e Kremlinit. Për krerët e delegacioneve të 81 partive, të ftuar në darkë, banketi u shtrua në sallën Andrejevskij, më e vogël se salla e madhe
Georgievskaia. Tavolinat ishin vendosur në formë T-je, në krye ishin kryetarët e delegacioneve të partive të vendeve socialiste dhe të disa partive komuniste më të mëdha të vendeve kapitaliste. Në këtë sallë nga delegacioni ynë u ftua vetëm Enver Hoxha, unë i rrija gjithmonë pranë, si më kishin porositur, nga që kishte nevojë për përkthyes, por mbase edhe që të mos mbetej vetëm, se s‘dihej ç’mund të bënin sovjetikët. Mbaj mend se Enveri vajti u ul në mes të delegatëve të partive komuniste të vendeve kapitaliste, në një karrige nga mesi i bishtit vertikal të T-së. Nga sovjetikët që merreshin me organizimin dhe protokollin erdhën me vrap, iu lutën Enverit të shkonte në vendin e caktuar, bashkë me kryetarët e delegacioneve të vendeve socialiste, erdhën madje nga udhëheqja sovjetike, donin ta merrnin patjetër, por ai nuk lëvizi. Unë u ula në krah të djathtë të tij. Në të majtë ishte një afrikan i dobët që dinte frëngjisht dhe me të Enveri shkëmbeu disa fjalë. Unë doja të mbushja gotën me ndonjë pije, por ai piu vetëm ujë të gazuar. E mbushi gotën me “Borzhomi”. I thashë me shaka se këtë ujë e preferonte Hrushovi kur mbante fjalime ose pas ndonjë dreke të rëndë. Ai nuk reagoi, rrinte si i zemëruar.
Pas darkës u ngritëm dhe lëvizëm nëpër salla e korridore, takuam anëtarët e delegacionit tonë, që kishin ngrënë në një sallë tjetër. Enveri dhe Mehmeti u veçuan, më morën dhe mua me vete. Unë kisha vetëm kostumin veshur, në ngjyrë gri të çelët, atë mbajta gjatë gjithë muajit, në punë dhe në pritje. Enveri kishte veshur atë natë një kostum të zi, xhaketën e kishte të lirshme e të gjatë, pantallonat shumë të gjera. Kishte paraqitje të mirë, por kur e shihje nga prapa, të binin në sy veshët e tij të dalë që përpiqej t’i mbulonte me flokët e gjatë. Nëpër salla e korridore të Kremlinit vërshuan pas ngrënies plot njerëz të ftuar, deputetë, artistë, gjeneralë, anëtarët e delegacioneve të huaja. Ecnin ngadalë në grupe, ose veç e veç, takonin të njohurit, përshëndeteshin, bisedonin. Edhe ne po lëviznim ngadalë. U ndeshëm me Kosiginin dhe filloi një bisedë. Kosigini fliste i qetë, e pyeste Enverin për njerëzit e familjes që i njihte me emër, të njëjtën gjë bëri dhe Enveri, siç duket dikur kishin kaluar pushimet bashkë. Kur Enveri iu ankua për qëndrimet e Hrushovit, Kosigini u vrenjt në fytyrë dhe u përpoq ta zbuste bisedën, tha se “Hrushovin e kemi si baba”.
Zemërimi i Enverit
Më datën 8 nëntor sovjetikët i shpërndanë të gjithë delegacioneve, duke përfshirë edhe delegacionin e PPSH, një letër të gjatë që KQ i PKBS i drejtonte KQ të PK të Kinës, ku renditeshin të gjitha kritikat dhe akuzat që Hrushovi kishte kundër kinezëve. Në këtë letër nuk sulmohej drejtpërdrejtë PPSH, por në njërën nga faqet e saj radhiteshin të gjitha vendet socialiste dhe nuk përmendej fare Shqipëria. Enveri e Mehmeti u kapën pas kësaj dhe po reagonin akoma më keq. Kinezët i shtynë më tej, i vunë në dijeni se Hrushovi në bisedë e sipër me Liu Shao Çinë kishte thënë “Ne e humbëm Shqipërinë, nuk humbëm ndonjë gjë të madhe, por edhe ju nuk fituat ndonjë gjë kushedi çfarë”.
Erdhi Andropovi te vila dhe e njoftoi Enver Hoxhën për takimin që Hrushovi do të bënte në Kremlin me delegacionin shqiptar, për të diskutuar problemet e marrëdhënieve midis dy partive. Enveri e refuzoi ftesën. Kisha vendosur që takimi të bëhej, i thotë ai Andropovit, por u vura në dijeni të Letrës, që i shpërndatë partive, ku Shqipëria nuk figuronte si vend socialist, prandaj në asnjë mënyrë nuk mund ta pranoj ftesën, ky është një shantazh se mund të na përjashtojnë nga kampi socialist. Andropovi i thotë, që letra nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë, por Enveri ngulte këmbë në të tijën.
Mbaj mend se Enver Hoxha vajti takoi Moris Torezin, mbasi ishin zhvilluar takime në vilën ku rrinim me disa nga udhëheqësit kryesorë sovjetikë, por në librin “Hrushovianët” ai, si dhe herë të tjera, e lëviz radhën e ngjarjeve dhe thotë: “Ndërsa mbledhja vazhdonte, sovjetikët dhe Hrushovi i trembeshin shumë fjalës sonë dhe donin me çdo kusht të na bindnin që ne të hiqnim dorë nga mendimet tona, të paktën të zbutnim qëndrimin. Ata vunë Torezin për ndërmjetësim, kur e panë qe ne refuzuam takimin me Hrushovin. Torezi na ftoi për darkë, na mbajti një leksion për unitetin dhe na këshilloi të ishim të
“përmbajtur e gjakftohtë”. Moris Torezi sigurisht i dinte çështjet, pse kishim biseduar së bashku, por dukej qartë që tani vepronte si emisar i Hrushovit. Por u lodh kot. Ne ia refuzuam çdo propozim…”. E
shënova këtë paragraf nga libri “Hrushovianët”, sepse unë nuk isha dëshmitar i këtij takimi, Enveri e dinte vetë frëngjishten dhe Torezi kishte qenë edhe mysafir në Shqipëri. Por vlen të kujtoj këtu se vetëm 4 vite më parë, në fjalën e tij përshëndetëse në Kongresin 20, Torezi renditi si klasikë emrat e Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit.
Më 10 nëntor erdhën në vilë njeri pas tjetrit me ZIM-a të zinj Kozllovi, Susllovi, Mikojani, Andropovi e të tjerë. Biseda u zhvillua në një dhomë të vogël të vilës, që u mbush me tym duhani. U bënë debate të ashpra, sovjetikët herë e ngrinin zërin, herë zbuteshin. Përkthente Myfiti, që ishte thirrur nga hotel “Moska”, ku rrinte bashkë me grupin e punës, kurse unë mbaja shënime për çka thuhej, sepse do të informohej KQ në Tiranë e do të përsëritej historia me procesverbalin e Bukureshtit.
Qëllimi i udhëheqësve sovjetikë duhet të ishte joshja e delegacionit tonë që Enver Hoxha të mos kritikonte Hrushovin në fjalën e tij në mbledhjen e Moskës e të radhitej në anën e shumicës. Gjatë një
pushimi dolën të gjithë në korridor, i fundit qëndroi në dhomë Susllovi, i gjatë e thatanik, me sy të ftohtë, me duar e gishta të gjatë, me të cilat u përpoq të hapte dritaren. Unë po mblidhja letrat e mia,
u ngrita dhe hapa dritarezën e vogël, por Suslovi donte ta hapte të gjithë dritaren dhe ndenji për të marrë ajër të pastër, pa patur frikë se ftohej. Mua më hynë dridhmat dhe dola nga dhoma. Edhe pas
pushimit nuk u arrit ndonjë mirëkuptim, po ashtu dhe të nesërmen.
Takimi me Hrushovin
Me këmbënguljen e palës sovjetike, më 12 nëntor u organizua takimi me Hrushovin. Ky na priti në zyrë, përkrah kishte Kozllovin, Mikojanin, Andropovin e të tjerë, na prezantoi dhe “shqiptarin rus”, siç e quajti ai P. Llaptievin, një burrë i ri i përgjumur që merrej me Shqipërinë në aparatin e KQ. Këtë e njihja se kishte ardhur dy vite më parë në Shqipëri me një delegacion të shoqatës së miqësisë Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, njeri si i fjetur, që në një miting në Korçë mori papritmas guximin të fliste në shqip nga ballkoni, por e ndërpreu, sepse i shqiptonte shumë keq ato pak fjalë nga shqipja që kishte mësuar në shkollë.
Sapo u ulëm të gjithë, Enver Hoxha ndezi cigaren, dukej se kishte emocione. Hrushovi e priti paksa të thithte cigaren dhe i tha: Shoku Enver, kjo ka qenë zyra e Leninit, ai e kishte ndaluar këtu duhanin
dhe që nga ajo kohë në këtë zyrë nuk pihet duhan.
Unë kam respekt për Leninin, i përgjigjet Enveri, po të jetë kështu, po e shuaj.
Hrushovi priti sa Enveri të shuante cigaren dhe e ftoi të fliste. Jo, u përgjigj ai, ju na kërkuat takim, çfarë kishit për të na thënë?
Hrushovi i thotë: Ju jeni miq dhe na keni ardhur mysafirë, keni të drejtën të flisni i pari.
Në Shqipëri, tha Enveri, e kemi zakon që, kur vjen miku, i zoti i shtëpisë e fillon bukën i pari dhe ha 40 kafshita pas mikut!
Atëhere Hrushovi filloi të flasë: Nuk po e kuptoj, çka ndodhur midis nesh. Marrëdhëniet tona kanë qenë shumë të mira. Apo mos vallë ju ka mbetur qejfi për atë shakanë që bëra kur isha në Shqipëri, kur thashë mos mbillni plepa anës rrugëve, por mbillni mollë?
Ne nuk merremi me shaka si ajo e plepave, ju përgjigj Enver Hoxha, kemi ardhur për bisedime serioze.
Filloi debati për problemet e marrëdhënieve midis palëve. Myfit Mushi përkthente dhe unë mbaja shënime.
Hrushovi tha se gjithë ato vite kishte kritikuar qëndrimet e Stalinit, kishte liruar nga kampet e përqendrimi të gjithë të dënuarit, kishte rehabilituar shumë komunistë e kuadro, se i kishte ardhur keq
që u dënua Liri Belishova, e cila i kishte rënë në sy se interesohej për t’i krijuar kushte të mira Hrushovit kur ai ishte për vizitë në Shqipëri një vit më parë. Dhe këtë pakënaqësi ja shprehu Enver Hoxhës. Ky i tha se ju keni përjashtuar e dënuar udhëheqës të dëgjuar dhe ne nuk kemi ndërhyrë, i kemi quajtur ato punë të brendshme tuajat. Por Hrushovi ngulte këmbë, se ju silleni egër (dikur ai ishte shprehur kundër dënimit të Liri Gegës që kishte qenë me barrë). Ne, thoshte ai, nuk sillemi kështu me ata që i largojmë nga udhëheqja, ja për shembull, ç’më shkruan këto ditë Bulganini që është liruar nga detyra, lexoje ti shqiptari ynë. Dhe Llaptievi nxori nga dosja një letër.
Ç’na duhet kjo letër, ndërhyri brutalisht Mehmet Shehu. Por Llaptievi filloi ta lexojë: “I dashur Nikita Sergejeviç, në prag të përvjetorit të Revolucionit të Tetorit ju shpreh mirënjohjen për gjithçka po bëni në të mirë të popullit sovjetik…” Të gjithë anëtarët e delegacionit shqiptar thanë, se nuk donin ta dëgjonin këtë letër të Bulganinit. Ndoshta ky kërkonte ndonjë lëmoshë nga Nikita, i cili e lëvdoi qëndrimin e tij dhe filloi të shfrynte kundër Zhukovit: S’ka turp, shkon të gjuajë peshk, pa le!
Erdhi një moment kur Hrushovi u gjet ngushtë dhe për të dalë nga situata akuzoi përkthyesin.
Ai pyeti: “A e di mirë rusishten përkthyesi?” Ishte një metodë e vjetër e sprovuar e fajësimit të përkthyesit kur njëra nga palët në bisedime donte të kapërcente situatën e vështirë ku kishte rënë. Mua po më vinte keq për Myfitin që ishte zverdhur nga ajo akuzë e papritur, por Enveri i doli në mbrojtje.
Udhëheqësit shqiptarë po përgjigjeshin gjithnjë e më me arrogancë. Në një moment Hrushovi i nxehur i tha Enver Hoxhës se kështu me mua u përpoq të fliste Makmilani. Menjëherë kërceu nga karrigia Mehmet Shehu: “Shoku Enver, ky po na krahason me Makmilanin!” U ngritën dhe Enveri e të tjerët dhe dolën nga dhoma, pa ja dhënë dorën sovjetikëve.
Takimi me Hrushovin u ndërpre. I fundit dola unë nga dhoma. Pasi mblodha letrat e mia, i arrita të tjerët te ashensori, isha tronditur shumë nga sjelljet arrogante të të dy palëve në atë takim. Aty kuptova se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, të rrahur me vaj e me uthull në kësi grindjesh brenda partisë së tyre, e kishin ndarë mendjen për t’u prishur me Hrushovin. Por nuk ma merrte mendja, se Hrushovi do të hakmerrej tej asaj që ata parashikonin.
Komentet