Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, ka një histori të dyshimtë si lobiste.
Kështu shkruan portali i njohur ndërkombëtar ‘Politico’, që pati raportuar fillimisht për këtë çështje kur emri i Marta Kos u shfaq në momentet e fundit si kandidate për Komisionere.
Gazetarja Elisa Braun shkruan se puna e saj si lobiste ngre dyshime për konflikte të mundshme interesi.
Më poshtë pjesë nga shkrimi i saj:
DHIMBJET E KOKËS PO AFROHEN. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’u siguruar që një komisioner i ardhshëm europian e kupton dialogun publik-privat sesa duke emëruar një politikane që është kthyer në konsulente për sektorin privat, apo jo? Problemi i vetëm është se kjo e bën tepër të vështirë shmangien e konflikteve të interesit (ose perceptimin e tyre). Këto konflikte të mundshme do të kërkohen me lupë kur Parlamenti Europian të marrë në pyetje kandidatët për rolet e komisionerëve.
Njihuni me Marta Kos, ish-diplomate, politikane e kthyer në konsulente dhe kandidatja e propozuar në minutën e fundit nga Sllovenia për një post komisionereje. Që nga viti 2022, Kos ka figuruar në faqen e kompanisë lobuese Kreab si këshilltare e lartë që “mbështet klientët dhe aktivitetet e Kreab-it me njohuritë e saj të thella mbi lidershipin, komunikimin, çështjet gjinore, çështjet politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht në vendet gjermanofolëse dhe Evropën Juglindore.”
E kontaktuar, Kreab tha se aktualisht Kos nuk këshillon asnjë nga lista e gjerë e klientëve të firmës dhe se kishte punuar për kompaninë që nga viti 2023, jo 2022. Të pyetur për listën e klientëve që ajo ka këshilluar në të kaluarën, Kreab nuk u përgjigj, por shtoi se “këshillimet dhe inkurajimi i Martës për konsulentët tanë janë vlerësuar shumë nga ekipi”.
Megjithëse ka punuar për një kompani lobuese, Kos na tha se ajo nuk e sheh veten si lobiste — nuk është e regjistruar si e tillë në regjistrin e transparencës. “Kam këshilluar njerëzit e Kreab-it dhe klientët e tyre për politikat e kujdesit shëndetësor për gratë dhe në fushën e çështjeve të tregtisë ndërkombëtare. Aktualisht nuk ka projekte ku jam e përfshirë,” shtoi ajo.
Trajnuese për menaxherët. Kos punon gjithashtu si konsulente përmes kompanisë së saj të konsulencës me bazë në Zvicër — ka një lidhje personale me vendin, pasi bashkëshorti i saj është “Zoti Europë” i Zvicrës, Henri Getaz, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Tregtisë së Lirë Evropiane (EFTA). Kos ka qenë edhe CEO e Gustav Käser Training International, të cilën ajo e përshkroi si një “kompani trajnimi për aftësi të buta”.
Si do t’i menaxhojë të gjitha këto role? “Do të dorëzoj dorëheqjen nga KREAB sapo presidentja e Komisionit Europian të shpallë listën e kandidatëve për komisionerë dhe të jem në të,” tha Kos./sn