Kushdo që tenton të formojë qeveri me organizatën armiqësore Lista Serbe do të dështojë me turp.
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit ishin të organizuara mirë dhe populli i Kosovës tregoi një kulturë të lartë demokratike. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për shumicën e gazetarëve dhe analistëve, të cilët janë shndërruar në njerëz të njëanshëm dhe shumë të mërzitshëm. Opinionet e tyre, së bashku me sondazhet dhe “exit poll”-et që filluan të publikoheshin para se të përfundonin zgjedhjet, krijuan një konfuzion të paparë. Megjithatë, me ardhjen graduale të rezultateve, situata u vu nën kontroll dhe të gjithë filluan të përballen me realitetin.
Me përfundimin e numërimit të votave – përfshirë ato me kusht dhe nga diaspora – besoj se vlerësimi i KDI-së konfirmohet, se Vetëvendosje (LVV) ka bërë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021.
E sulmuar nga agresori serb, i cili futi miliona dollarë brenda dhe jashtë Kosovës për ta shkatërruar atë, e goditur padrejtësisht nga disa aktorë ndërkombëtarë të shtyrë nga interesa të kota gjeopolitike, nga proserbët si Grenellët e Ramët, te një opozitë e sëmurë nga etja për pushtet, te një shtyp i shitur dhe shumë të tjerë – Vetëvendosje dhe koalicioni i saj duhet të jenë të kënaqur me rezultatet e arritura. Kjo tregon se populli e ka kuptuar se, pavarësisht gabimeve të mundshme, ata janë viktima të të këqinjve sepse po punojnë në interes të shtetit dhe kombit.
Megjithatë, rezultatet në zgjedhjet lokale varen kryesisht nga cilësia e kandidatëve dhe jo gjithmonë lidhen me përkatësinë partiake. Shumë votues i njohin personalisht kandidatët dhe votojnë bazuar në vlerësime individuale. Disa kandidatë të LVV-së, dhe më pak nga partitë e tjera, fituan sepse ishin të njohur dhe kishin dëshmuar rezultate.
Një rast veçanërisht mbresëlënës dhe shumë pozitiv për të ardhmen ishte fitorja bindëse e Ramiz Lladrovcit kundër kandidatit të përkrahur nga partia në Drenas. PDK mobilizoi të gjitha forcat kundër Ramizit, por sinqeriteti i tij, përkushtimi ndaj popullit dhe rezultatet e punës e mundën klikën e korruptuar partiake.
Rezultati në Pejë, ku Gazmend Muhaxheri mori më së shumti vota – megjithëse shkon në balotazh – është i pakuptueshëm. Si mund të votojnë qytetarët e Pejës për një kandidat që e ka krahasuar qeverinë demokratike të Kosovës me regjimin fashist të Millosheviqit?! Deklaratat e tij publike janë jo vetëm të rreme, por edhe armiqësore ndaj shtetit të Kosovës.
Rezultati në Mitrovicë (i ndarë në Veri e Jug nga PDK) është po ashtu zhgënjyes dhe i pakuptueshëm. Si mund të votojnë qytetarët e Mitrovicës për një kandidat të PDK-së – të së njëjtës parti që e la Veriun të bjerë nën çizmen e regjimit shovinist dhe kriminal të Vuçiqit? Qeveria Kurti, pra Vetëvendosje me Guxo dhe Alternativa, i dëboi bandat dhe solli nën kontroll të Kosovës pjesën veriore.
Ka filluar kthimi në shtëpitë, pronat dhe tokat stërgjyshore. Ka nisur ndërtimi i urave dhe i një jete normale për shqiptarët – por edhe për pakicën serbe. Jo shumë kohë më parë, shqiptarët as që guxonin t’i afroheshin urës së Ibrit nga frika se do të vriteshin nga bandat serbe. Një zhgënjim i plotë me votuesit e Mitrovicës, sidomos duke ditur që Faton Peci është kandidat serioz, i aftë dhe i dëshmuar.
Fitorja e Listës Serbe në komunat e krijuara artificialisht me shumicë serbe nuk është surprizë. Për këtë nuk mund të fajësohet Vetëvendosje – por drejtpërdrejt dhe pa asnjë dyshim PDK, LDK dhe AAK/Nisma. Këto parti, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre në KQZ dhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës – të trembur nga aktorët ndërkombëtarë dhe me shpresën për t’u rikthyer në pushtet me ndihmën e tyre – lejuan regjistrimin dhe pjesëmarrjen në jetën demokratike të një organizate hapur armiqësore, që as nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Ky është një fenomen absurd dhe rekord botëror që meriton të hyjë në Librin Guinness-it. Organizata armiqësore “Lista Srpska”, e cila punon hapur kundër Kosovës dhe drejtohet nga Beogradi, shfrytëzon “të drejtën” për ta shkatërruar “në mënyrë demokratike” shtetin e vet në interes të një shteti të huaj, Serbisë hegjemoniste.
Kjo e bën ekzistencialisht të domosdoshme formimin sa më të shpejtë të një Qeverie të Kosovës të udhëhequr nga fituesi i zgjedhjeve – Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa me Kryeministrin Albin Kurti – në koalicion me partitë e pakicave (përjashto Listën Serbe) dhe me LDK-në ose deputetë individualë të pakënaqur me udhëheqjet e partive të tyre. Përndryshe, nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme.
Kushdo që tenton të formojë qeveri me organizatën armiqësore Lista Serbe do të dështojë me turp.
Shpresa e vetme për ruajtjen dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës – dhe për mbajtjen nën kontroll të Listës Serbe, duke e detyruar ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës – është që shteti të vazhdojë të udhëhiqet nga liderë të dëshmuar, me përvojë dhe aftësi të padiskutueshme: Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Jam i bindur se nëse mbahen zgjedhje të reja nacionale, më së shumti do të humbasë LDK-ja dhe NISMA, nëse refuzojnë për të hyrë në koalicion me Vetëvendosjen, ndërsa Vetëvendosje me Guxo dhe Alternativa do të fitojnë më shumë se 50% të votave. Disa përfaqësues të partive opozitare kanë deklaruar sa here se, nëse e marrin pushtetin, do ta kthejnë veriun nën kontroll të Serbisë.
Manipulimet për të ashtuquajturat “përçarje me miqtë ndërkombëtarë dhe Amerikën” nuk e mashtrojnë më popullin e Kosovës. Edhe Amerika, pavarësisht interesave të përkohshme gjeopolitike, në fund preferon liderë të fortë, të përkushtuar ndaj vendit të tyre – jo matrapazë të korruptuar.