Popujt që heshtin, lindin qeverisje diktatoriale Ismail Qemali – “Popujt që flenë, vdesin”
Personalitetet e huaja dhe ata shqiptarë ndër kohëra kanë thënë fjalë të mençura që etiketojnë realitetet që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në çdo vend të botës. Por ato çka po ndodhin në këto 13 vjetët e fundit në Shqipëri, janë thënë aq shumë fjalë dhe opinionistët vendës dhe të huaj, europianë dhe amerikanë, janë shprehur kaq shumë mendime sa nuk di çka duhet thënë më shumë. Dendësia e ngjarjeve që ndodhin në këtë vendin tonë, shpesh të fusin në mendime dhe bën pyetjen: Çfarë bëhet kështu me këtë popull dhe ku po shkon Shqipëria jonë? Në biseda që bëhen sot dhe për shumë vite në tavolina kryesisht mes intelektualë debatohet se çka po ndodh në këtë vendin tonë të shtrenjtë, por edhe të pafat. Ne kemi lindur si shqiptarë dhe do vdesim të tillë, por ajo që shohim dhe përjetojmë që ndodh mes nesh ku qeverisjet e njëpasnjëshme dhe sidomos sot, na shqetëson, na bën të futemi në mendime sepse jemi pjesë e një bote të trazuar dhe që në këtë Shqipërinë tonë të vogël po ndodh një metamorfozë e madhe në kohë dhe hapësirë.
Charles Bukowski, një personalitet, shprehet se “Trishtimi shkaktohet nga inteligjenca”, çka do të thotë se një inteligjencë e një vendi pa sens dhe në pasivitet, i lë shteg një diktature apo nënshtrimi para injorancave që drejtojnë vendin. Dhe thuhet fjala se injoranca është çerdhja e të gjitha marrëzive. Kështu e nisi Enver stalinisti duke eliminuar inteligjencën sa mendohet nga statistikat se rreth 400 intelektualë u eliminuan pa nisur mirë qeverisjen, sepse orientimi bëhej nga 4 emisarët serbë në Shqipëri deri më 1949. Kështu po e vazhdon Edi kryeministër tanimë me këshilltarë izrealitë, me orientim të izrealitit Soros dhe po bën sjellje si izrealitët ndaj palestinezëve. Rinia veçanërisht po ikën, po në Shqipëri kush mbetet? Ata që mbeten janë përballë paligjshmërisë që e ligjëron pushteti që gjithçka e bën sipas mendjes individuale të një kryeministri që shkel çdo ligj sipas parimit “ligji dhe Maliqi jam unë”. Ai firmos vendime “fap, fap, fap” dhe përgjegjësia nuk është individuale tek ai, por delegohet te vartësit. A nuk po ndodh kështu? Që nga shkatërrimet të jetës së një vendi të largët malor turistik si Thethi e deri në Jug, duket se projektohet për “peshqeshet” e radhës të njërit dhe tjetrit oligark vendas apo të huaj siç edhe po ndodh.
Kështu e nisi më 2013 me ndërtimet e piketuara si të demokratëve, që më pas në Tiranë të ligjëronte projekte nga studio mafioze. Thonë një fjalë shkodranët “i miri rron sa don i ligu”. Pikërisht për fatin e keq kjo po ndodh në realitet në Shqipëri.
Ku po shkon Shqipëria jonë me një gamë të madhe vrasjesh brenda familjes, sidomos dhe në shoqërinë e përditshme ku vajza apo djali vret babain, përse? Ku për një falë goje kërcet kallashi kudo ikin jetë njerëzish të moshave të ndryshme. Shohim nëna që u digjet shpirti, shohim gra që mbeten me duar në gji, shohim fëmijë që u dridhet buza nga fatkeqësitë. A është normale? A nuk po shkojmë drejt një situata anarkiste ku i forti dikton sjelljen e njerëzve dhe u nënshtrohet atyre?
Stipe Mesiç, Presidenti i Kroacisë, ka pohuar se, “Nuk mund të ketë sundim të ligjit atje ku mafia bën politikën…”. Përpikmërisht kjo po ndodh në Shqipëri dhe pararoja, apo siç thuhet ndryshe, paramilitarët janë patronazhistët. Ata raportojnë dhe mafia vepron, spiunët e diktaturës rrëfenin tek partia dhe Sigurimi arrestonte dhe dënonte e vriste. Kërcënimet janë bërë pjesë e jetës dhe vepron “ligji” mbi lokalin apo biznesin e kujtdo të pabindur. Janë miliona e miliona investime që ikin për lesh thotë një fjalë e popullit. Kush mund t’i rezistojë kësaj situate? Ndaj dhe pjesa e dytë e proverbit shkodrane thotë “Mjerë kush nuk qindron”. Por tanimë qëndresa ka nisur, protesta po kthehet në revoltë, vendi kërkon qeverisje dhe jo qeveri mafie. Kur Ismail Qemali ynë i Pavarësisë thoshte se “Një popull që fle, vdes”, duket se e ka parashikuar se kështu do të ndodhë në Shqipërinë e bekuar nga Zoti, por të shkatërruar nga vetë shqiptarët. A është kjo ligjshmëria e një drejtësie apo padrejtësia e një shteti që në krye komandon mafia, siç e kanë cilësuar mediat ndërkombëtare europiane dhe amerikane? Në këto kushte a nuk të thotë mendja – ik, ik të shpëtosh? Po Shqipëria jonë ku mbetet, ku shkon?
Iu gëzuam reformës në drejtësi, edhe pse u pa me rezervë që në nisje kjo reformë, se u imponua në një formë diktati që nuk bëhej thjesht nga ambasadori Donald Lu, por ishte porosi e një njeriu më të fuqishëm, që përcaktonte fatin e Edit dhe të Lusë e më pas edhe të Yri Kim, që u bë më e zellshme në këtë drejtim për të zbatuar një reformë bastarde dhe për të nënshtruar një opozitë deri në postulatin “do hani bar”. Dihet tashmë se gjithçka nisi si diktat nga kryeministri, që i dikton kreut të SPAK se kë duhet të arrestojë dhe të dënojë dhe kë jo, se kë duhet të investigojë dhe kë jo. Dhe në një moment kërcënoi që të mos të guxojë kush të kërkojë apo marrin celularin tim (të kryeministrit që e tha me zë e me figurë). Ka kaq shumë të vërteta që do duhej të vepronte drejtësia si në rastin e inceneratorëve imagjinarë dhe nuk vepron, por lejon që paratë e incerenatorëve inekzistentë të lëvrijnë në adresat e atyre që janë në kërkim nga prokuroria! Si ta kuptojnë këtë shqiptarët si ligjshmëri, apo padrejtësi ditën për diell dhe pa asnjë investigim apo ndalim? Ku pop shkon Shqipëria jonë, po paratë e shqiptarëve ku përfundojnë?
Dhe shqiptarët bëjnë pyetjen: Po çfarë bëhet kështu në këtë vendin tonë? Ku po shkojmë me këtë qeverisje? Para zgjedhjeve të 11 majit u mendua nga populli se tani Rama do duhet të dorëzohet se ka 3 mandate që bën gjithçka të keqe me qeverisjen e tij, e thënë kjo edhe nga brenda rrethit të tij qeverisës si ishzv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe shumë ndërkombëtarë. Edhe ndryshimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë me ardhjen e Trump u kuptua si një diktim për ndryshim.
Nëse u mendua se Edi Rama do të merrte jo më shumë se 71 vende në parlament, ndoshta edhe më pak, por ai arriti tek 83 vende. Si dhe qysh u votuan kandidatë pa asnjë tagër vlere qytetare, të panjohur dhe me rekorde kriminale. Diaspora u manipulua tërësisht dhe dështoi procesi dhe, edhe pse është thënë në raportin përfundimtar nga OSBE se pati padrejtësi dhe pabarazi e të tjera si këto, përsëri kryeministri ndjehet fitues edhe pse pa entuziazëm. Shumë njerëz pyesin veten: Çfarë bëhet kështu? Ku po shkojmë? Ky po ia kalon edhe Enver Hoxhës e të tjera e të tjera.
Bandat që ishin planifikuar për t’u arrestuar muaj më para votimeve nuk u arrestuan, edhe pse shërbimet e huaja kishin dhënë fakte dhe kishin nxjerrë urdhra arresti, ata nuk u kapën veç pas votimeve u veprua nga SPAK si një diktim nga mafia qeverisëse se ishin ata, që diktonin shumë grupe qytetarësh që të votonin qeverisjen. Më pas atyre u doli e vërteta dhe ata u arratisën, pasi detyrën e kishin kryer.
Bizneset u bënë miqtë e patronazhistëve që diktuan dhe u orientuan se ku do e çojnë votën me gjithë makinacionet me kartat, me trenin bullgar e të tjera e të tjera, që u provuan, ata sot u hëngrën në besë se Rama ka kërkuar që në çdo qytet të prishen konstrukisonet e lokaleve që janë në trotuare, t’u kërkohet faturë fshatarëve për origjinën e mallit dhe sot turizmi ka marrë një goditje dhe qetësia ka pësuar dëmtime. Kudo këdo takojmë na pyesin: Ku po shkon ky vend, në diktaturë? Na pyesin: Opo çfarë bën kjo Amerika e Trump, po këta europianët që bënë konstatime të shumta me abuzimet e pushtetit në Shqipëri kur do të veprojnë se vendi ynë po rrëshqet në një diktaturë të re?
“Nuk ka se çfarë të bëjë shkrimtari kur faktet flasin vetë”, – u tha Balzaku aristokratëve të tij kur e pyetën se përse po e ul aristokracinë dhe ngre borgjezinë në shekullin e 19-të. Shumë njerëz përgjigjen se nuk ka faj populli, ia imponuan, porse me këtë nuk është dakord George Orwell kur shprehet se, “Një popull që zgjedh në krye të vendit të vet njerëz të korruptuar, hajdutë, maskarenj dhe tradhtarë … nuk është ‘viktimë. Është ‘bashkëpunëtor’ i tyre”. Me keqardhje e them, por është e vërtetë. Ku po shkon Shqipëria ime, e jotja, e jona? Ndaj dhe E. D. Murrow këshillon dhe pohon se, “Nga populli i deleve do të lind një qeveri e ujqve”.
Sa keq për ty, Shqipëria ime, që me pasuritë e tua përrallore ushqen një popull, që bëhet dhe ul kokën si dele dhe nuk shikon se për bari ka një ujk që do i hajë një nga një. T’i vodhën, të shtypën dhe të shesin copa-copa tokat që i ke mbrojtur me gjak ndër shekuj se duan të pasurohen ca oligarkë banditë e mafiozë vendas dhe të huaj të veshur me petkun e pabesisë. Fatale, edhe ne krenohemi përsëri me ty se je Shqipëria jonë. Por jo më kështu!
Dhe përsëri ti i do ata që të bëjnë këto të liga. Por ç’ të kanë bërë që je katandisur kështu kokulur, dinjitetvrarë dhe fytyrëçjerrë? Dhe për çudi populli ynë, trim e guximtar, shitet për pak lekë që të votojë përsëri këta shkaktarët e kësaj gjendjeje. Kryeministri e di se “Turmat nuk kanë pasur kurrë etje për drejtësi. Kush i ngop ata me iluzione, behet kryetar i tyre. Ai që ua shkatërron iluzionet, bëhet viktima e tyre”. Ndoshta Gustav Le Bon kishte të drejtë, se ka edhe raste të tilla si në Shqipëri. Ndaj dhe i referohemi atij të madhit Faik Konica kur pohonte: “Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira… por një bandë maskarenjsh, ryshfetçinjsh, hafijesh dhe dallaverxhinjsh kanë zënë të gjithë pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh”. Ndaj kërkohet të shkundet vetë populli nga gjumi, të tundet vendi për të ardhmen!
/Gazeta Panorama