VOAL

VOAL

Operacione të reja anti-drogë në Qarkun e Shkodrës

Policia  nisi në Qarkun e Shkodrës operacionet e para kundër kultivimit të bimëve narkotike. Kështu, gjatë një operacioni të zhvilluar në fshatin Vilë, në afërsi të Komanit, pranë banesës së një shtetasi, u zbuluan 1050 kubikë, të dyshuar si bimë të cannabis sativës. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një armë e modelit 63 dhe një krehër me dy fishekë.

Gjatë këtij operacioni policia arrestoi si të dyshuar Pal Peraj, 37 vjeç me banim në fshatin Grudë e Re në Shkodër dhe Lazër Lumin, 52 vjeç me banim në fshatin Vilë, Bashkia Vau Dejës. Të dy këta shtetas akuzohen për  veprat penale: “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” në bashkëpunim. Këto janë edhe arrestimet e para për këtë vit të kultivuesve të bimëve narkotike në Qarkun e Shkodrës.

Gjatë vitit të kaluar, Qarku i Shkodrës qendroi në krye të zonave për sasitë e  mëdha të kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike. Në takimin sensibilizues kundër kultivimit të bimëve narkotike, zhvilluar në mesin e muajit të kaluar në Shkodër, zv. drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato, deklaroi se Shkodra vazhdon të jetë një zonë mjaft problematike për kultivimin e bimëve narkotike. Sipas tij, Qarku i Shkodrës zë rreth 35% të totalit të bimëve narkotike të kultivuara në Shqipëri. Vetëm vitin e kaluar në këtë qark u identifikuan 1730 parcela dhe  u asgjësuan 285468 bimë narkotike. Problem në këtë qark, sipas zotit Qato është niveli i ulët i zbulimit të bimëve narkotike nga ana e policisë. za

Renato Cepa: Nuk kam asnjë lidhje me Arben Frrokun

Renato Cepa, identiteti i të cilit ishte vjedhur nga i dënuari me burgim të përjetshëm Arben Frroku është shprehur për Shqiptarja.com se nuk ka asnjë lidhje me të.

Ai thotë se është nënshtetas grek dhe se dokumentet i ka në shtëpi.

“Qe ne momentin e pare kur doli kjo histori jam ndjere vertet shume keq. Nuk kam te bej fare me kete histori dhe po me shkaterrohet familja nga e gjithe kjo situate. Nuk jam larguar nga shtepia asnjehere madje kam shkuar edhe ne Polici dhe Prokurori me deshire per te mesuar me shume por me kane thene qe nuk ka asnje urdher ndalimi per mua. Nuk e di nga kane dale te tilla fjale. Une te gjitha dokumentat e mia i kam ne shtepi. Jam nenshtetas grek,” shprehet Cepa.

Renato Cepa thotë se hera e fundit kur ka lëvizur drejt greqisë ka qenë këtë të mërkurë për të bërë kursin e patentës greke, ndërsa në Maqedoni ka qenë djali i tij per te blere karburant per makinen.

“Nuk kam asnje lidhje dhe nuk e di si eshte gjetur ai person me identitetin tim apo nga e ka gjetur pasi une te gjitha dokumetat i kam ne shtepi. Po kaloj nje moment mjaft te veshtire per shkak te zerave qe po qarkullojne rreth meje.” tha ai.

Policia në kërkim të Renato Tsepes, 49 vjeçarit që Frroku i vodhi identitetin

Ky është Renato Tsepa (Cepa). Me identitetin dhe pasaportën e 49-vjeçarit të lindur në Korçë, lëvizte i lirë në Hollandë Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamaj.

Në bazë të të dhënave Tsepa i përket minoritetit grek. Ai është i lindur në 15 Nëntor të vitit 1967 dhe është moshatar me Frrokun. Jeton në lagjen numër 3 në Korçë dhe është baba i dy fëmijëve.

Policia është vënë në kërkim të 49-vjeçarit për ta marrë në pyetje nëse ai njihej me Arben Frrokun apo nëse të dhënat e tij janë përdorur nga ndonjë grup falsifikatorësh.

Gjeneralitetet e tij janë identike me ato të shënuara në parasportën dhe patentën greke të falsifikuara që iu gjetën Frrokut në Amsterdam.

Renato Tsepa rezulton se ka jetuar prej vitesh mes Shqipërisë dhe Greqisë. Të dhënat e siguruara nga Televizioni Klan tregojnë se herën e fundit ai ka hyrë në Shqipëri me 11 Prill të këtij viti, nga pika kufitare e Gorices. Nuk dihet nëse ai ka dalë nga Shqipëria, por burime të policisë thonë se ai nuk është gjetur në banesën e tij dhe se dyshohet të jetë jashtë vendit.

Tsepa rezulton të ketë lëvizje të shpeshta drejt Greqisë e Maqedonisë, vende drejt të cilave ka udhëtuar me dokumenta të ndryshëm identiteti, por gjithnjë të lëshuara nga autoritetet shqiptare.

Në asnjë nga hyrje daljet ai nuk është regjistruar me pasaporte greke.

Për policinë shqiptare nuk është e qartë nëse ai është i pajisur me një dokument të tillë. Policia e Amsterdamit e kontrolloi pasaportën që iu gjet Arben Frrokut, por përveç faktit që i ishte ndërruar fotografia, ky dokument nuk rezultonte në regjistrin e pasaportave të lëshuara nga autoritetet greke.

Bunk’art rikthehet përsëri si një destinacion turistik në Tiranë

Ndërkohë që gjatë muajt prill, Bunk’Art ka filluar të vizitohet nga turistët e huaj, por nuk mungojnë edhe kureshtarët brenda vendit, nxënësit e shkollave, apo edhe nostalgjikët e sistemit komunist

TIRANË –  Bunk’art është rikthyer përsëri në qendër të vëmendjes në Shqipëri, pasi ky objekt që i përket të shkuarës komuniste përsëri është hapur për turistët, si dhe vizitorët vendas. Tirana edhe këtë sezon turistik ka një tjetër destinacion shtesë, Bunk’Art, ish-vendstrehimi antibërthamor që shërbente si vendkomandë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare ndërtuar nga qeveria komuniste katër dekada më parë.

Anadolu Agency (AA) ka vizituar këtë objekt, që gjendet në periferi të Tiranës, në zonën e njohur si Shish-Tufinë, të kthyer tashmë në muzeal, ku iu është dhënë për administrim një organizate joqeveritare. Në një prononcim për AA, Eva Haxhi, përfaqësuesja e qendrës që menaxhon këtë objekt shprehet se për Bunk’art shfaqin interes si qytetarët vendas, ashtu edhe të huajt që vijnë nga vende të ndryshme.

“Ky bunker është ndërtuar gjatë kohës së komunizmit, ndërsa janë dashur disa vite për ta përfunduar së ndërtuari derisa u inaugurua në vitin 1978. Për herë të parë për publikun është hapur në vitin 2014 duke qëndruar i hapur për dy muaj, nëntor-dhjetor. Për rreth dy muaj ka patur më shumë se 60 mijë vizitorë, ku imperesionet e tyre kanë qenë nga më të ndryshmet. Këtë vit Bunk’art është hapur përsëri për publikun dhe kemi 3 javë që presim vizitorët, ku ka shumë interes si nga shqiptarët ashtu edhe nga të huajt. Ne kemi punuar edhe me disa agjenci që kanë sjellë grupe turistësh të huaj. Shkollat tashmë e propozojnë Bunk’art-in si një pikë për të realizuar ekskursionet e tyre”, shprehet Haxhi.

Ndërkohë që gjatë muajt prill, Bunk’Art ka filluar të vizitohet nga turistët e huaj, por nuk mungojnë edhe kureshtarët brenda vendit, nxënësit e shkollave, apo edhe nostalgjikët e sistemit komunist.

Xhorxhi ka ardhur nga Austria si turist në Shqipëri dhe për AA ai tregon se kishte dëgjuar për këtë bunker dhe dëshironte ta vizitonte. Ai shprehet se ka vizituar edhe vende të tjera në Europë, ndërsa e ka patur kureshtje të shikojë edhe këtë objekt të kthyer në atraksion turistik, ku e konsideron si shumë tërheqës për të huajt.

Edhe Signa Krista është një turiste e huaj e cila e viziton për herë të parë këtë objekt. “Unë jam nga Austria. Është shume impresionuese ta shikosh këtë objekt të kompletuar”, shprehet ajo për AA.

Pas hapjes fillestare me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të vendit në vitin 2014, Bunk’Art vjen më i plotë me informacione, materiale dhe dëshmi të asaj periudhe historike, ku synohet që të kthehet në një pikë turistike unikale në rajon.

Ky objekt përfundoi së ndërtuari nga sistemi komunist në vitin 1978 , ndërsa në të gjendet dhoma që ishte e planifikuar të përdorej nga sh-diktatori Enver Hoxha dhe dhoma për ish-kryeministrin e kohës, Mehmet Shehu. Bunk’Art sot është i ndarë në disa hapësira muzeale, si muzeu i ndërlidhjes ushtarake, muzeu i telekomunikacionit, batalionit mbështetës, dhoma e shefit të shtabit, dhoma e oficerit,etj.

Gjatë regjimit komunist ky bunker është emërtuar si “Objekti 0774”. Në shumë nga ambientet e bunkerit janë ekspozuar armatime, uniforma, dokumente, harta të ndryshme dhe sende të tjera që shërbenin në atë kohë. Objekti është në pesë nivele (kate) dhe ka mbi 106 dhoma, mes tyre ajo e ish-diktatorit Enver Hoxha dhe e ish- kryeministrit të asaj kohe Mehmet Shehu, një sallë të madhe mbledhjesh që ishte parashikuar edhe si sallë për Kuvendin e Popullor të asaj periudhe, etj.

Në Shqipëri gjatë regjimit komunist u ndërtua një rrjet i gjerë i bunkerëve në të gjithë Shqipërinë. Në një intervistë për AA, ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, pati deklaruar se në Shqipëri janë ndërtuar gjithsej rreth 168.000 qendra zjarri (bunkerë), deri në vitin 1982, pasi pas këtij viti bie ritmi i ndërtimit të tyre. Kjo shifër sipas ish-presidentit përfshin çfarë kanë qenë ndërtime fortifikuese në Shqipëri, duke i përfshirë që nga Lufta e Parë Botërore, periudha e mbretit Zog, periudha e pushtimi nazi-fashist, e sidomos gjatë regjimit komunist, por bunkerët ndryshojnë nga periudha në periudhë.

Fatos Klosi: Si iku Berisha me bisht ndër shalë më ’98

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, deklaron se, kërcënimet e Sali Berishës për përsëritjen grushtit të shtetit të 14 Shtatorit ’98, janë broçkulla dhe shenjë e pafuqisë së tij. Megjithatë, Fatos Klosi shton se, mazhoranca qeverisëse dhe organet e drejtësisë duhet t’ia mbyllin gojën Sali Berishës, që të mos thotë më marrëzi të tilla.

Klosi thotë se Berisha kërcënon pasi nuk është ndëshkuar nga drejtësia për hapjen e depove më ’97 dhe grushtin e shtetit më ‘98.

Gjatë një interviste për Shqiptarja.com, Klosi kujton se Sali Berisha e bëri grushtin e shtetit më 14 Shtator ’98, por u tërhoq me bisht ndër shalë në orën 17:00 të pasdites.

Por ai mendon se pas 18 vitesh nuk ka asnjë shans të përsëritet një skenar i tillë, për shkak se Shqipëria është vend anëtar i NATO dhe vëmendja e BE është maksimale. Klosi ka hedhur poshtë edhe tezën e Berishës, sipas të cilës, armët me të cilat u vranë shqiptarët më ’97 erdhën nga deti.

Sipas tij, kallashnikovët që morë mijëra jetë nuk mund të vinin nga deti, por dolën nga depot. Klosi shprehu bindjen se depot u hapën jo me leje, por me urdhër të Berishës, i cili ishte President dhe Komandat i Përgjithshëm.

Z. Klosi, pas thirrjes për rrëmbimin e armëve, Sali Berisha paralajmëroi të premten Edi Ramën se, grushti i shtetit më 14 Shtator ’98 do t’i dukej lule, krahasuar me grushtin e ri që mund ta presë në horizont. Pyetja është: Çfarë fshihet pas këtij kërcënimi? A duhet të merret seriozisht? A ka shenja që paralajmërojnë një tjetër grusht shteti?

Kërcënimi është në vazhdën e muhabeteve të zakonshme të Berishës. Nuk është kaq trim sa hiqet. Mazhoranca dhe shqiptarët absolutisht nuk duhet ta kenë frikë.

Por Sali Berishën duhet ta marrin seriozisht në kuptim që mazhoranca duhet ta ndalojë që të flasë broçkulla të tilla. Frikë? Absolutisht, jo. Berisha prej kohësh i ka përdorur kërcënimet. Kush i ha, i ha. Në rastin e fundit, atij i bëhet qejfi dhe ai ia arrin qëllimit. Por unë mendoj se këto kërcënimet duhet të merren si broçkulla.

Komenti im është ky: Sali Berisha e bëri grushtin e shtetit më 14 Shtator të ’98. Ai i mori me dhunë të gjitha institucionet. Pushteti i atëhershëm nuk e kundërshtoi. Ia la të gjitha.

Kryeministri iku në Maqedoni. Çfarë bëri Sali Berisha pastaj? Iku me bisht ndër shalë. Në orën pesë pas dite iku me bisht ndër shalë. Atëherë çfarë do të bëjë sërish? –

Shqipëri: Reforma e Kodit Penal liron të burgosurit e përjetshëm

Të dënuarit me burgim të përjetshëm shumë shpejt mund të lënë qelitë. Kështu parashikon paketa me ndryshimet e reja në Kodin Penal. Ndryshimet janë propozuar nga misioni EURALIUS në Tiranë, strukturë kjo e Bashkimit Evropian, e cila asiston autoritetet shqiptare për reformën në drejtësi. Teksa Ministria e Drejtësisë ka në plan hartimin e një Kodi të ri Penal, sigurisht në bashkëpunim me misionet ndërkombëtare, EURALIUS ka propozuar një draft me ndryshime emergjente.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme, çka mund të hapë edhe një debat të madh publik, parashikon lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Konkretisht drafti rrëzon paragrafin e parë në nenin 65 të Kodit Penal në fuqi, në të cilin thuhet se nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm.

Neni 65 i ndryshuar, parashikon lirimin e të dënuarve me burgim të përjetshëm, nëse ata plotësojnë tre kushte. “Një i dënuar që vuan dënimin me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga gjykata, nëse ai ka vuajtur të paktën njëzet e pesë vjet burgim dhe nëse gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit ka qenë i shkëlqyer dhe që qëllimi i riedukimit të tij është arritur”, thuhet në nenin 14 të draftit të ri, i cili ndryshon nenin 65 të Kodit Penal.

Kodi Penal në fuqi

Kodi Penal në fuqi shuan shpresat për të dënuarit me burgim të përjetshëm, për të lënë një ditë qelinë. Paragrafi i parë i këtij neni ndalon lirimin e të dënuarve më burgim të përjetshëm. Ndërkaq, në paragrafin e dytë, thuhet se vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur:

Ka vuajtur jo më pak se njëzet e pesë vjet burgim dhe, gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij. Pra, ndryshimet e reja rrëzojnë fjalën “e jashtëzakonshme”, duke mundësuar lirimin të dënuarve me burgim të përjetshëm.

Për të miturit

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me të miturit. Drafti i ri, parashikon që burgimi i të miturve nuk mund të jetë më i shkurtër se gjashtë muaj apo më i gjatë se sa dhjetë vjet, dhe gjatësia e tij përcaktohet plotësisht në vjet dhe muaj.

Por, në rastin e një krimi ose në rastin e dënimeve të përkohshme me burgim, burgimi i të miturit mund të zgjasë deri në 17 vjet. Kodi Penal në fuqi, në nenin 51, parashikon që për të miturit, që në kohën e kryerjes së veprës penale nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, dënimi me burgim nuk mund të jetë më shumë se gjysma e dënimit që parashikon ligji për veprën penale të kryer.

Ndryshimet

Sipas EURALIUS, qëllimi i ndryshimeve të propozuara është për të kontribuar dhe të për dhënë garanci ligjore, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të autorëve të veprave penale. Ndryshimet synojnë gjithashtu t’u japin prioritet rehabilitimit të autorëve të veprave penale më pak të rrezikshme në vend të burgimit, me qëllim që të kontribuojnë në uljen e popullimit të burgjeve. Ndryshimet nuk rregullojnë Shërbimin e Provës dhe as nuk rishikojnë funksionet e prokurorëve./Shqiptarja.com/

Bojaxhiu reagon: Jam shtetas amerikan – po hidhni baltë mbi mua

Gjergji Bojaxhi, i përmendur në një raport policor si i dyshuar për pastrim parash ka reaguar duke i konsideruar akuzat si politike.

“Për çerekshekulli, të dy krahët e politikës së vjetër kanë hedhur baltë kundër çdo zëri kritik. Kësaj radhe po e hedhin këtë baltë ndaj meje. Nëqoftë se do të isha përzierë me ato që më akuzojnë, si shtetas amerikan do të kishte qenë shteti amerikan i pari që do të më kishte hetuar”, – thotë Bojaxhi.

Sipas Bojaxhi, kjo kastë politike po i jep një mesazh të qartë të gjithë atyre që guxojnë të sfidojnë këtë sistem politik të kapur.

“Sot sulmohem unë, nesër dikush tjetër”, – mbyll reagimin e tij Gjergji Bojaxhi.

Armiku i gabuar – Nga ARTAN LAME

Një shkrim i vitit 2010 dhe ca reflektime të vitit 2016
Në fillim të vitit 2010, Fevziu organizoi një debat tek OPINION-i i tij, ku u përballën ca përfaqësonjës të fjalës së lirë me ca përfaqësonjës të biznesit të lirë.
Ai emision polli ca ditë më pas shkrimin tim të mëposhtëm:
Në vjetin e largët 1514, piktori flamand Quentin Massys, realizoi kryeveprën e vet “Fajdexhiu dhe gruaja e tij”. Piktura paraqet një fajdexhi që, duke mbajtur ndër duar një peshore, mbetet i përqëndruar tek peshon dhe numëron monedhat e tij të arta, ndërsa në krah i qëndron e shoqja që, duke mbajtur në duar një bibël të hapur, i sheh gati me përçmim monedhat. Është pasqyrimi më i fortë i luftës mes idealizmës së mesjetës që po perëndon dhe materializmës së kapitalit që po lind; është shprehje e përpjekjes së shoqërisë së mbështetur tek morali, për të disiplinuar shoqërinë e mbështetur tek paraja. Këtë luftë që ka vazhduar për qindra vjet, përfundimisht e fitoi kapitali dhe, në botën e sotme, ai është bërë sistemi i vlerës me të cilën matet gati çdo gjë.

Nga ana e vet, shoqëria perëndimore, e tmerruar nga ky mjet i ri që varrosi çdo sistem vlerash morale, por që njëkohësisht ishte edhe i pazëvendësueshëm, u përpoq t’i përgjigjësh (dhe do thënë se ja doli) duke i vënë përballë shtetin me rregulla të forta impersonale. Pasanikut të shekullit XV, i kërkohej me të lypur që të jepte ca nga pasuria e tij për bamirësi, atij Kisha i premtonte parajsën nëse jepte për më të dobëtit, atij Bibla i ofronte rregulla morale në këmbim të ndihmës për fukarenjtë, e kështu me rradhë. Pastaj kohët ndërruan dhe, pasanikut të shekullit XIX, nuk i kërkohej më asgjë me të atilla mjete të vjetëruara. Tani ai do të kish përballë një nëpunës administrate me rregjistër në dorë, i cili i kërkon taksat sipas ca llogarive të ftohta, ndaj të cilave nuk mund të bësh asgjë. Vetëm pasi të ketë mbaruar punë me nëpunësin e taksave të qeverisë, mund të afrohet edhe prifti të kërkojë diçka në emër të Zotit, apo shoqëria civile në emër të moralit. Ky sistem sot sa vjen e përsoset dhe, me ç’duket, është e vetmja mënyrë që shoqëria moderne të mos gllabërohet nga kapitali.

Marksi bëri përpjekjen e fundit të madhe për t’i vënë fre kapitalit, por jo në emër të fesë, por të një morali të ri të barazisë. Eksperimentimi i teorisë së tij vazhdoi për gati njëqind vjet dhe dështoi, duke na lënë pas dy luftra botërore, dyqind revolucione dhe nja 100 milionë të vdekur. Më në fund, deshën s’deshën, të gjithë ju kthyen sisemit të shtetit modern që, përmes rregullave disiplinon kapitalin dhe thith prej mbivlerës së tij atë ç’ka atij, shtetit, i duhet për të mbajtur më këmbë shoqërinë moderne. Tani, që të vijmë tek rasti jonë, kam frikë se beteja e vogël por e ashpër që pamë në studion e Fevziut, ishte sërisht një përpjekje prej atyre të qëmotit, për ta disiplinuar kapitalin jo përmes shtetit por përmes moralit. Nuk ka gjë më fisnike sesa kjo luftë, në të cilën edhe vetë herë pas here zbraz nga një dyfek, por me keqardhje them se ajo është e humbur tash 200 vjet. Të gjitha penat dhe penelët e ndritur, që kanë bërë e përshkruar beteja të kësaj lufte, të gjithë Hygotë, Balzakët e Masysët, e kanë kanë bërë këtë për nostalgji dhe në emër të një morali fisnik, por ndërkaq lufta ishte e humbur. Të gjitha këto vepra shërbejnë për të mbajtur gjallë shkëndijën e moralit, por ndërkaq, në botën reale, zgjedha e vetme që mund t’i vihet kapitalit, mbetet shteti i fortë dhe i mirëorganizuar.

Ne shqiptarëve, pikërisht ky na mungon. Na mungon shteti me rregulla të sakta, ligje të prera, nëpunës të përgatitur, institucione që funksionojnë jashtë politikës së ditës, ndaj nga halli, kthehemi dhe i bëjmë thirrje kapitalit të jetë i moralshëm dhe i mëshirshëm. Bash për këto arësye, jam i prirur të mos e kërkoj të keqen tek sipërmarrësi privat, por tek administratori publik. Eshtë e drejtë e çdo sipërmarrësi privat që të shfrytëzojë çdo hapësirë të mundshme dhe çdo të çarë të sistemit, se në fund të fundit, ai as ka bërë betim për ndershmëri dhe as po rrezikon paratë tona por të tijat, ashtu siç përkundër, është detyrë e çdo administratori publik që të mbrojë dhe përsosë sistemin, pasi pikërisht për këtë arësye e paguajmë ne publiku nga paratë tona, për të mbrojtur pronën tonë të përbashkët dhe, për këtë punë edhe është betuar ta kryejë, duke vënë dorën mbi Kushtetutë.

Mulliri gjigand i korrupsionit në Shqipëri, ushqehet nga një pafundësi përrenjsh të mëdhenj e të vegjël, të cilët është pikërisht paaftësia dhe mosdashja jonë për të ndërtuar sistemin e rregullave, që i lejon të vazhdojnë të derdhin ujë drejt rrotës së mullirit. Për ta ndalur këtë mulli të së keqes, ka dy mënyra. E para, është të vazhdojmë t’i biem mureve të tij me kokë dhe të përpiqemi t’ja prishim muret, ingranazhet, apo rrotën e zhytur në ujë. Mënyra e dytë, është të përpiqemi t’i presim ujët, apo sa të mundemi t’ja pakësojmë atë. Që t’i le mënjanë sofizmat, ç’dua të them me këtë. Nëse do të jemi në gjendje të ngremë një sistem ligjesh, standartesh dhe rregullash, të cilat lenë shumë pak hapësira për voluntarizmin e funksionarit shtetëror, do të kemi bërë realisht hapa drejt vënies ndën zgjedhë të kapitalit të harbuar. Betejën me kapitalin e pashpirt mund ta fitojë vetëm diçka që është po aq i pashpirt sa ai dhe kjo krijesë është vetëm shteti modern.

Prej mbi një dekadë, ka ca emra të biznesit të madh që janë kthyer edhe në simbol i biznesit të lidhur me pushtetin. Reagimi i parë instiktiv, është kërkesa për moral ndaj tyre. Por e gjithë kjo mënyrë të menduari kështu, e kthen gjënë në çështje morali politik, publik apo shoqëror, por pa u përqëndruar aspak tek pjesa e funksioneve të shtetit, i cili nuk ka moral por rregulla. Ne mund t’i kërkojmë moral Nënë Terezës, por jo një biznesmeni. Biznesit i vihen rregulla dhe jo moral, se shteti nuk mbahet me moral. Hiqini voluntarizmin funksionarit publik dhe do të keni zhdukur një pjesë të madhe të deformimit të sistemit. Prejini kanalet që çojnë ujë drejt mullirit të korrupionit dhe do të shihni se rrota e tij do ndalet pa qënë nevoja t’i thyejmë qeramidhet mullirit. Përndryshe, do vazhdojmë t’i lypim mëshirë e moral kapitalit e biznesit, deri sa të bëhemi të mërzitshëm dhe atëhere as që do na i vërë më veshin njeri.

ARTAN LAME, 4 shkurt 2010
REFLEKSION I SOTME
Që prej këtij shkrimit të mësipërm kanë kaluar gjashtë vjet e ca, ka rrjedhur shumë ujë, kanë ngjarë shumë gjëra e kam kuptuar shumë të tjera. Por nuk dua të merrem me të gjitha në këto radhë refleksione, por veç me njërën syresh, atë që e kam mësuar edhe të fundit. Dy muaj të shkuar Zoti më vuri përpara një sprove personale, që edhe kjo më bëri të kuptoj se bota që sheh nga atje, është e ndryshme nga ajo që shohim në furinë e përditshme. Ja dola të shoh e kuptoj se sa e shkurtër është brazda e jetës për secilin prej nesh dhe për rrjedhojë se sa e pakuptimtë është të mbledhim male me para që nuk hahen, të cilat të gjitha bashkë nuk ja dalin dot ta zgjasin qoftë edhe një gisht brazdën e secilit prej nesh.
Atëhere ndoshta paska vend e nevojë që, edhe në shoqërinë e shekullit XXI, t’ia bëjmë të ditur kapitalit e të përpiqemi ta bëjmë të kuptojë se s’vlen asfare si qëllim në vetvete.

Përkundër asaj që mejtoja 6 vjet të shkuara, se një shtet i ndërtuar e i puthisur mirë nuk ka nevojë për gjë tjatër, për moral, mecenatë e filantropë, sot them se përveç përpjekjeve për ta bërë këtë dreq shteti, megjithatë duhet të vazhdojmë të përpiqemi edhe për moralin. Ndaj ndosha ja vlen ende t’i bëjmë thirrje atij sipërmarësit guximshumtë që pretendon të shpenzojë 50 milion euro për të nxjerrë fitim 50 milion të tjera, se nuk ja vlen. Steve Jobs në fund të jetës tha se këshilla më e vlerë ishte që linte pas ishte bëni pará sa për të jetuar mirë dhe pastaj harxhojeni jetën për të bërë mirë. Ndoshta ka ende kohë që t’i shpjegojmë atij biznesmenit të ethshëm se, një pallat që ngrihet mbi varre është kundër ligjeve të Zotit e të robit.

Ndoshta ka ende vend e kuptim t’i shpjegohet politikanit a pushtetarit, se nuk ka gjë më jetëshkurtër se lavdia e pushtetit e, për sa e fortë është shija e tij në të ngjitur, edhe ca më e fortë është hidhësira e humbjes në të zbritur. Dhe ne fund, pasi të ketë dalë fare nga skena, njerëzia nuk do ta kujtojnë për urdhrat që ka dhënë a tekat që ka përmbushur, por vec punët që ka bërë për të tjerët.
Ndoshta i do shpjeguar me durim atij ndërtonjësit të palodhur që nuk bën as pushime sa për të gëzuar paratë që ka fituar, se nuk ja vlen të prishë një gji deti për të bërë një fshat me 100 vila turistike ku do fitojë 100 të tjera. Një shtëpi mjafton për të jetuar mirë dhe ndoshta të afron më shumë me Zotin falenderimi i atyre pelikanëve që nuk do ju prishet foleja, sesa 1000 qirinj të ndezur në kishë dhe të blerë me paratë e fituara nga shitja e vilave.

Maksim Gorki çuditet në reportazhin e tij nga takimi me Rockefeller-in, teksa pa me habi se edhe miliarderi kishte vetem nje bark. Atëhere përse i duhen miliardat kur nuk mund të hajë dot më shumë se punëtori i tij i fundit – pyet me revoltë Gorki. Për të gjitha këto ndoshta ka ende vlerë piktura e Massys-it dhe s’do parë si luftë e humbur një herë e mirë. Do ta kemi gjithnjë e më të vështirë t’ia shpjegojmë një pasunari atë ç’ka shpjegon flamandi me penelin e tij, por duhet që përkrah shtetit të vazhdojmë të përpiqemi t’i mbushim mëndjen edhe atij, vdektarit të florinjtë, se asnjëherë nuk do mbledhë dot aq shumë pará sa për të blerë qoftë edhe një ditë më shumë jetë.

Don Marjan Paloka: shpallja e lumnimit për 38 martirët shqiptarë – thesar për të gjithë

Më 26 prill, në festën e Zojës së Shkodrës, Papa Françesku u takua me Prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Amato, të cilin e autorizoi të botojë dekretet, që kanë të bëjnë me njohjen e një sërë mrekullish, virtytesh heroike e martirizimi. Ndër ta, njihet

– martirizimi i Shërbëtorëve të Zotit, Vinçenc Prennushi, i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, kryeipeshkëv i Durrësit, dhe i 37 shokëve të tij, vrarë ndërmjet 1945-ës dhe 1974-ës”.

Ky ishte teksti me të cilin, më 27 prill, lajmëronim se së shpejti, 38 të persekutuar e të masakruar për shkak të fesë nga regjimi komunist do të shpallen të Lum nga Kisha. Për ta flet sërish me ne, meshtari shqiptar don Marjan Paloka, në intervistën e dom David Gjugjës. rv

 

Itali – Si i pastrojnë shqiptarët milionat e trafikut të kokainës

Gjatë kësaj jave policia italiane goditi një organizatë italo-shqiptarë që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës. Në pranga përfunduan 29 persona (dy në arrest shtëpie sipas ligjeve italiane), ndërsa operacioni i koduar “Dexter” u shtrij edhe në Shqipëri.

Grupi fuste kokainë nga Holanda në për në tregun italian.  Ndërkohë hetimet kanë treguar se shqiptarët po dominojnë këtë linjë (Holandë-Itali) pasi paguhen më pak për transportin e lëndës narkotike, që bëhet me kamionë.

Gjithashtu pas operacionit “Dexter”, prokurorët italianë kanë thënë se pastrimi i parave të trafikantëve të kokainës ka përfunduar në Asti, me blerjen e pronave. Duke investuar në këto “lavatriçe”,  gjithçka më pas del e “pastër”.

Tjetër rrugë e pastrimit të parave të kokainës, është dhe dërgimi i tyre në Shqipëri, duke ua dhënë shoferëve të autobusëve që bëjnë rrugën e Ballkanit. Pas mbërritjes në Shqipëri, sërish investohen në prona të patundshme në zonat bregdetare

Berisha publikon SMS: Si e vrau Emiljano Shullazi pronarin e kazinosë

Ish-kryeministri Berisha ka publikuar dje një mesazh të ‘qytetarit dixhital’ ku shkruan se Emiljano Shullazi ka vrarë në vitin 2013 pronarin shqiptar të kazinove në Itali, Elidon Lafeta,  i njohur si Elio Bendo.

Sipas tij, pas kësaj vrasje, Shullazi i ka marrë dy kate shtesë të një pallati në zonën e Parkut.

Statusi i Berishës

Fshehjen nga çunat e krimit te vrasjes te Elidon Lafetes dhe marrjen forcerisht nga ana e tij te dy kateve shtese te pallatit ne zonen e Parkut dhe kercenimin dhe gjobitjen nga nga Mili, vrasesi i partise, te Fatbardh Plakut! Me poshte keni te plote mesazhin e tij. sb

“Pershendetje z Berisha kohët e fundit, të gjith policët din jashtëzakonisht shumë për Shullazin por kerrkush sguxhon me fol, të gjithë e dinë që ai vrau Elidon Lafeten ose siç njihej ndryshe Elio Bendon dhe nga vrasja e tij mori forcërisht dy katet shtesë te pallatit në zonën e parkut, shullazi kercenoj dhe gjobiti edhe Bardh Plakun këtë me dy kusherit e tij që banojnë në farke, zotëri ai nuk është thjesht një kriminel por ka një ushtri të vërtet, emrat e të cilëve une per shkak te detyres i disponoje dhe do ti dërgoj në një listë shum shpejt”

Papunësia në Shqipëri: Emigracion dhe paga të ulëta

Qarqet e biznesit, zyrtarë të qeverisë e të bashkisë organizuan edhe një tjetër panair pune, ku 130 firma paraqitën rreth 8 mijë vende të lira, nën parrullën “Shqipëria ka punë, por nevojiten profesionistë”.

Pavionet e firmave të ndryshme në panairin e punës po vizitohen nga mijëra të rinj dhe të papunë me shpresën për t’u punësuar në këtë kohë krize ekonomike.

Studiues të pavarur të ekonomisë pohojnë se papunësia është së paku 17 për qind dhe panaire të tilla janë përpjekje për të afruar kërkesat me ofertën.

“Krahas papunësisë së lartë, rreth 17.2 për qind, shumë më shqetësuese është papunësia tek të rinjtë që është në nivelet mbi 30-32 për qind. Kjo tregon që futja në tregun e punës për herë të parë, qoftë edhe për të rinj të diplomuar, është e vështirë. Ofertën më të madhe të vendeve të punës e kanë sektorët me të ardhura më të pakëta, me vlerë të shtuar më të vogël dhe me paga të ulëta, që janë industritë tekstile dhe me fason” – tha prof. Adrian Civici, drejtues i Universitetit Europian të Tiranës.

Gazetarë të ekonomisë pohojnë, pasi vizituan panairin, se njerëzve u ofrohen në të punë, që nuk i bëjnë dot, por papunësia e vërtetë është shumë më e madhe se sa ajo e shifrave zyrtare.

“17 për qind janë ata që kërkojnë punë në mënyrë aktive, 50 për qind janë ata që e kanë një punë dhe pjesa tjetër janë të papunë të dëshpëruar, shtëpiakë. Te ky 50 përqindshi i punësuar, gjysma janë të vetëpunësuar në bujqësi, të cilët rastësisht jetojnë në fshat dhe mund të merrnin edhe një punë në qytet, nëse do ta genin” – tha Gjergj Erebara, gazetar i rrjetit ballkanik të lajmeve BIRN.

Ofertat e panairit duken të paarritshme për vëzhguesit e ekonomisë, të cilët vërejnë se firmat prodhuese po funksionojnë nën kapacitet, sepse qeveria nuk ofron lehtësira dhe klimë të përshtatshme, që ato të zgjerojnë veprimtarinë dhe vendet e punës.

“Bizneset janë goditur nga barra e lartë e taksave, nga mjedisi i papërshtatshëm i biznesit, nga konkurrenca e pandershme. Statistikat tregojnë që bizneset i shfrytëzojnë kapacitetet 60-70 për qind. Kur ato nuk shfrytëzojnë kapacitetet që kanë, nuk mund të pretendojmë që ata të investojnë më shumë, që të shtojë vendet e punës” – thotë Ornela Liperi, drejtuese e revistës ekonomike Monitor.

Specialistët vënë re se ndryshimet në strukturën e ekonomisë nuk ndiqen sa duhet nga universitetet, në mënyrë që nga auditorët të dalin ata profesionistë që kërkon tregu i punës. Profesori i ekonomisë, Adrian Civici, një nga drejtuesit kryesorë të Universitetit Europian të Tiranës, thotë se cilësitë e punëkërkuesve nuk përputhen me kërkesat e tregut të punës.

“Mendojmë se po përballemi me dy dukuri: nga një anë kemi shumë njerëz të pakualifikuar, që kërkojnë dhe ka pak vende pune për ta, ndërsa nga ana tjetër kemi një tablo të përmbysur, pra, ka vende pune që kërkojnë shumë kualifikim, por ka pak kërkesa të njerëzve të kualifikuar për to në mënyrë specifike. Ky panair këtë evidentoi më shumë: një mospërputhje strukturore midis kërkesës dhe ofertës për punë” – tha zoti Civici.

Nga ana tjetër, zoti Erebara thotë se tingëllojnë fyese dhe paradoksale shprehjet për dembelizëm dhe mungesë profesionistësh, sepse në fakt, profesionistët janë dhe po ikin masivisht nga Shqipëria, por nevojitet një qeverisje me profesionistë.

“Tipari kryesor i tregut të punës sot është emigirimi, i cili po rrëmben pjesën më aktive dhe më të arsimuar dhe më të aftë të popullsisë. Vitin e kaluar 2.5 për qind e popullsisë u largua nga vendi. Rreth 70 mijë veta ikën në Gjermani. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe pse kishte 4 vjet luftë, nuk ikën kaq shumë njerëz nga Shqipëria. Vetëm në vitin 2015 janë larguar më shumë njerëz nga Shqipëria se sa janë larguar gjatë Luftës së Dytë Botërore” – tha zoti Erebara.

Nga ndërmarrjet shtetërore punëdhënësi më i madh është OSHEE, ndërsa nga privatët punëdhënësit më të mëdhenj janë zyrat call center dhe firmat e prodhimeve tekstile e këpucë me fason, ku pagat nuk shkojnë më shumë se 150 dollarë në muaj dhe ku fitimi kryesor del nga shfrytëzimi i krahut të lirë të punës.

“Sipas INSTAT, rreth 60 për qind e brezit të aftë për të shkuar në shkollë ka një universitet. Kjo përqindje është më e lartë se në Gjermani dhe në Zvicër, sepse ata janë më të orientuar drejt arsimit profesional. Për mua, të thuash se punë ka, por duhen profesionistë, përveç fyerjes ndaj të rinjve, që janë të zgjuar, flasin shumë gjuhë, shkojnë në shkolla dhe mësojnë, është një përpjekje për të fshehur paaftësinë e qeverisë në vitet e fundit për të krijuar një mjedis të përshtatshëm ekonomik, që bizneset të investojnë dhe të hapin vende pune” – tha analistja Liperi.

Gjatë dy tremujorëve të fundit, papunësia është rritur më shumë te femrat dhe më pak te meshkujt, ndërsa në gjysmën e popullatës që jeton në fshat ajo nuk matet, sepse konsiderohet a priori e vetëpunësuar në bujqësi.za

E papritur – LSI bashkon në Shkodër votat me PD-në

Këshilli Bashkiak i Shkodrës e miratoi buxhetin pa votat e socialistëve.

Në mënyrë të papritur Lëvizja Socialiste për Integrim i bashkoi votat me Partinë Demokratike.

Artan Fuga: Kulla e Stadiumit çmenduri – Arenën Kombëtare çojeni në Farkë ose Dajt

Tekë të çmendur e ka quajtur akademiku Artan Fuga kullën e projektuar bashkë me shtëpinë e re të kombëtares, por më shume se këtë, ai sheh me shqetësim të madh vendin e zgjedhur për ndërtimin e arenës

Sipas tij, ajo duhet në periferi, Dajt, a Farkë dhe jo në mes të qytetit, afër institucioneve.

Postimi i plote i Fuges 

Stadiumi kombëtar i futbollit???

Për mua nuk është thjesht problemi nëse do të ketë ose jo një kullë aty prapa portjerit. Ky është një teke krejt e çmendur që le të ngrihet si provë për brezat e ardhshëm sesa ekscentrikë kemi qenë ne …

Monumenti i cmendurisë sonë kolektive. Lavdi çmendurisë – shkruante Erazmi i Roterdamit. Lavdi!!!

Puna është se një stadium në një lagje rezidenciale, ngjitur me bulevardin kryesor të qytetit, afër institucioneve të shtetit, në zonën më të pasur, pranë një parku ku duhet të mbretërojë qetësia, atje ku turmat e tifozavee do të bllokojnë bashkë me policinë gjithë trafikun e qytetit, nga Skenderbeu deri te Sheratoni, kjo nuk është çmenduri, kjo është një budallik urban.

Amani mo amani!

Po ikni mo bëjeni andej nga Farka, Kombinati, Rrëzë Dajti, popullojini aty zona, urbanizojini, pasurojini, gjallërojini mo se e mblodhët gjithë pasurinë këtu afër kopshtit zoologjik.

Pupupu!!!

Ore ka urbanistë ky vend se Federatë Futbolli u pa se nuk ka..

PD: Arben Frroku i arrestuar që më 6 Mars – Tahiri nuk dërgoi të dhënat

Partia Demokratike akuzon qeverinë se me urdhër të Ramës dhe Tahirit vonuan të dhënat për Arben Frrokun, i cili është prangosur që më 6 mars

Në një deklaratë për mediat, kreu i departamentit të rendit dhe sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka theksuar se janë të njëjtët persona si në rastin e Mark Frrokut që i shërbyen krimit dhe shkelën ligjin me urdhrin e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe lejen e Edi Ramës.

Sipas tij, ishte denoncimi i Berishës ai që detyroi qeverinë të njoftonte për arrestimin.

Deklarata e Alibeajt

Lajmi i ndalimit të Arben Frrokut, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj, nxjerr zbuluar bashkëpunimin e dyfishtë të pikave kyçe të policisë, me bekimin e Tahirit dhe Edi Ramës, në arratisjen e të dënuarit dhe me tej në favorizimin e tij për të shmangur drejtësinë.

Ndalimi i Frrokut në Holandë është bërë që me 6 mars. Por autoritetet shqiptare, kanë vonuar dërgimin e të dhënave në shtetin e BE.

Të njëjtët persona, i njëjti mekanizëm, që la në sirtar për muaj me radhë kërkesën e Interpol Bruksel për deputetin e Edi Ramës, vëllain e të dënuarit me burgim përjetë, Mark Frroku.

Të njëjtët persona që shërbyen krimin dhe shkelën ligjin duke fshehur kërkesën e Policisë së Brukselit, sigurisht me urdhërin e Tahirit e me lejen e Edi Ramës, edhe këtë radhë, shërbyen krimin duke vonuar dërgimin e të dhënave.

Ishte denoncimi publik i bërë nga z. Berisha që i detyroi Tahirin e Ramën të dërgojnë të dhënat, ku u konfirmua se ishte pikërisht Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm, shtetasi i ndaluar në Holandë me identitet tjetër të falsifikuar.

Edi Rama fillimisht e mbështeti aleatin e tij politik, duke i mundësuar arratisjen. Pak para se të dënohej me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit, Frroku iku nga Shqipëria pa lënë asnjë gjurmë në sistemin Tims. Pra me urdhër, policia ka hapur kufijtë për të, dhe i dënuari për vrasjen e komisarit të policisë, avulloi pa lënë asnjë shenjë.

Ky bashkëpunim me krimin, me të dënuarin me burgim të përjetshëm për vrasjen e një oficeri të lartë, është në të vërtetë fytyra e Tahirit, e Ramës dhe e kësaj oligarkie që sundon me krimin e për krimin.

PS e padit Berishën në prokurori

Tetë ditë pasi ish kryeministri Sali Berisha bëri deklaratën e tij në Kuvend për armatosje kundër qeverisë, grupi i PS-së ka depozituar kallëzim ndaj tij në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ka qënë vetë nënkryetari i grupit, Taulant Balla që ka depozituar kallëzimin në Prokurori. Kallëzimi është bërë në bazë të neneve 222, 223 dhe 267 që kanë të bëjnë me akuzën e thirrjes për armatosje kundër rendit kushtetues, thirrje publike për veprime të dhunshme dhe përhapje e informatave të rreme që ngjallin panik.

Një javë më parë në Kuvend, Sali Berisha i bëri thirrje qytetarëve që të armatosen. “Iu bëj thirrje qytetarëve që të armatosen për të mbrojtur veten dhe sigurinë e tyre. Nëse ju kërcënoni me banda opozitën, qytetarët janë të gatshëm t’ju kundërshtojnë me armë e të mos gjeni vrimë ku të futeni. Armatosen amerikanët, armatosen të gjithë qytetarët. Me këtë organizatë kriminale në pushtet nuk ka siguri, rend dhe qetësi”, ka thënë Berisha.

Për këtë deklaratë Byroja e përjashtoi Berishën nga Kuvendi për 10 ditë.

Berisha e dinte – Arben Frroku është arrestuar në Amsterdam

Autoritetet holandeze konfirmojë ndalimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm Arben Frroku.  Sipas burimeve të Televizionit Klan, ai është ndaluar para pak ditësh me dokumenta greke, me identitetin e shtetasit Renato Xhepa. Por autoritetet vendase dyshojnë se ky është pikërisht i kërkuari i drejtësisë shqiptare, për vrasjen e ish – Kryekomisarit Dritan Lamaj, në Shkurt të vitit 2012.

Të njëjtat burime thanë se, ai është ndaluar në provincën Shiphol të Amsterdamit dhe është akuzuar për vënie në përdorim të dokumentave dhe identiteteve të falsifikuara.

Pas deklaratës së ish – Kryeministrit Sali Berisha në parlament, se Frroku ishte arrestuar në Holandë, Policia Shqiptare ka kërkuar informacion nga Zyra Qëndrore Interpolit dhe Europolit për këtë çështje.

Fillimisht Zyra e Interpolit ka sjellë një përgjigje negative, ndërsa këtë të enjte, zyrtarisht është dhënë informacion për ndaliminin e shtetasit Renato Xhepa, i dyshuar se është Arben Frroku.

Të njëjtat burime thanë se, pas këtij konfirmimi do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Përgjithshme, për sqarimin e dyshimeve të autoriteteve belge dhe në rast konfirmimi, ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Arben Frroku u dënua me burgim të përjetshëm të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, por pas këtij vendimi u konstatua largimi i tij nga Shqipëria.

Arben Frroku u arratis nga Shqipëria 10 ditë para dënimit me burgim të përjetshëm – nuk u regjistrua në kufi

I akuzuari për vrasjen e komisar Dritan Lamajt është i dënuar me burgim të përjetshëm në datën 29 qershor 2015, por Arben Frroku u arratis nga Shqipëria në datë 19 qershor 2015. Por këtë ditë ai u ndalua në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë, pasi rezultonte në kërkim në bazë të urdhër-arrestit të parë të lëshuar nga gjykata. Arben Frroku nuk ishte regjistruar as në dalje e as në hyrje të kufirit shqiptar.

Në datën 29 qershor 2015, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e dënoi Arben Frrokun me burgim të përjetshëm, por ai ishte larguar nga Shqipëria 10 ditë para se të dënohej. Në fakt, një gjë e tillë nuk do ishte marrë vesh nëse autoritetet malazeze nuk do ndalonin Frrokun në kufi me Kroacinë, pasi ndaj tij kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar për akuzën e vrasjes. Ky urdhër edhe pse u rrëzua nga gjykata e shkallës së parë me dhënien e pafajësisë ndaj Frrokut, figuronte ende në sistem për shkak të mosrifreskimit të vendimit të gjykatës. Më datë 19 qershor autoritetet shqiptare njoftohen nga homologët e tyre malazezë se në kufi me Kroacinë ishte ndaluar shtetasi shqiptar Arben Frroku.

Sipas të dhënave të Interpolit rezultonte se ky shtetas ishte shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes ndaj punonjësit të policisë me një masë sigurimi të caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Pas marrjes së këtij informacioni, Interpol Tirana ka nisur verifikimet dhe pasi është njohur me urdhër-arrestin ndërkombëtar ka konstatuar se ai i përkiste muajit shkurt të vitit 2013, kohë në të cilën Arben Frroku u shpall në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së oficerit të policisë, Dritan Lamaj.

Pas verifikimit të informacionit, Interpol Tirana ka komunikuar me kolegët malazezë, të cilët pas verifikimeve kanë lënë të lirë Frrokun, që ishte në proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Nisur nga ky informacion, autoritetet shqiptare kanë kryer verifikime mbi kohën e daljes së të pandehurit nga territori i Republikës së Shqipërisë. Por nga verifikimet në sistemin TIMS nuk rezulton që Arben Frroku të ketë dalë nga Shqipëria.

Partia Demokratike akuzoi se Arben Frroku ka udhëhequr fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të 2015 në rrethin e Pukës. Pavarësisht këtyre qëndrimeve, vendimi i Apelit është i formës së prerë dhe tani duhet të ekzekutohet nga policia, e cila tani e ka gjetur Arben Frrokun.

Provat që dënojnë përjetësisht Frrokun

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dënoi me burgim të përjetshëm biznesmenin Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e komisar Dritan Lamajt në shkurt të vitit 2013. Vendimi i Apelit vjen pas pafajësisë që Frroku mori në shkallën e parë me një vendim shumë të debatuar, i cili në thelb rrëzoi dy nga provat kryesore: dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur dhe eksperimentin hetimor.

Por në argumentet e saj, Prokuroria e Apelit interpreton kuptimin e të gjitha provave në harmoni me njëra-tjetrën, që kanë bindur trupin gjykues të dënojë me burgim të përjetshëm Arben Frrokun. Për prokurorinë, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda duhet të ndryshohet përsa i përket deklarimit të pafajshëm të të pandehurit Arben Frroku, pasi ky vendim nuk është i arsyetuar drejt dhe vjen si rezultat i një analize dhe interpretimi të njëanshëm dhe me mungesë objektiviteti të provave, të cilat i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor.

“Gjykata në mungesë të një transparence, jashtë seancës gjyqësore ka arritur në konkluzione, të cilat do të duhej të diskutoheshin gjatë debatit gjyqësor, mbi kërkesën e palëve apo dhe kryesisht, lidhur me këqyrjen e CD-ve që lidhen me pamjet e vendit të ngjarjes dhe rrugëve rreth saj. Gjithashtu, në këtë gjykim nga ana e gjykatës është refuzuar që të merren prova mbi kërkesën tonë, prova të cilat lidheshin me dëshmitarin e mbrojtur Arben Ndoka dhe që kishin të bënim mbi kërcënimet që i bëheshin familjes së tij, para dhënies së dëshmisë në gjykatë apo dhe me dekonspirimin e identiteteve të tij të bëra prezent nga i pandehuri në një intervistë televizive”, thotë prokuroria.

Sipas akuzës janë të paktën pesë arsye përse i pandehuri duhet të kthehet në qeli. “Së pari, identifikuam motivin i cili ka shërbyer për të pandehurin në kryerjen e vrasjes me armë të viktimës. Së dyti, provuam mekanizimin e kryerjes së kësaj vrasjeje, si numrin e personave, mjetet e përdorura, itinerarin e ndjekur prej tyre. Së treti, provuam praninë e të pandehurit në vendin e ngjarjes, e konkretisht në rolin e ekzekutorit.

Së katërti, rrëzuam alibinë e tij lidhur me qëllimin e vajtjes së tij të menjëhershme në Greqi natën e ngjarjes. Së pesti, provuam mundësinë e largimit nga vendi i ngjarjes pas krimit deri në momentin e kalimit të tij në pikën e kalimit kufitarë Kapshticë-Korçë”, argumenton prokuroria. Sipas akuzës, gjykata në pjesën arsyetuese të vendimit është ndalur kryesisht, duke zhvlerësuar provat e paraqitura nga prokuroria e duke marrë në konsideratë të çmuar, si dhe duke iu dhënë vlerë të paracaktuar provave të paraqitura nga ana mbrojtjes, të cilave nuk iu ka bërë të njëjtën analizë të hollësishme në kuptimin e vërtetësisë së tyre, pra duke përdorur një standard ndryshe.

Po ashtu sipas prokurorisë, gjykata ka refuzuar marrjen e një sërë provash të prokurorisë duke nisur nga kallëzimi i bërë nga familjarët e dëshmitarit të mbrojtur Arben Ndoka, të cilët janë kërcënuar me jetën e tyre para dhënies së dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur para Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. Sipas akuzës, gjykata ka refuzuar të marrë si provë edhe një CD-i me regjistrimin e një bisede telefonike që i pandehuri Arben Frroku ka zhvilluar nga dhomat e paraburgimit me një gazetar mbi identifikimin e dëshmitarit të mbrojtur, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me njohjen midis tyre.

Arben Frroku fshihej në Holandë me dokumente greke, me identitet të rremë

Arben Frroku është arrestuar në Amsterdam, Holandë. Fillimisht ishte ish-kryeministri Sali Berisha ai i cili 3 ditë më parë tha se Frroku ishte arrestuar në Holandë, ndërsa sot Policia e Shtetit ka konfirmuar arrestimin e tij.

Ai ishte ndaluar para pak ditësh me dokumente greke, me identitetin e rremë Renato Xhepa. Autoritetet vendase dyshojnë se ky është pikërisht i kërkuari i drejtësisë shqiptare, për vrasjen e ish-Kryekomisarit Dritan Lamaj, në Shkurt të vitit 2012.

Ai është ndaluar në provincën Shiphol të Amsterdamit dhe është akuzuar për vënie në përdorim të dokumenteve dhe identiteteve të falsifikuara.

Pas deklaratës së Berishës, se Frroku ishte arrestuar në Holandë, Policia Shqiptare ka kërkuar informacion nga Zyra Qendrore Interpolit dhe Europolit për këtë çështje.

Fillimisht Zyra e Interpolit ka sjellë një përgjigje negative, ndërsa këtë të enjte, zyrtarisht është dhënë informacion për ndalimin e Renato Xhepa, i dyshuar se është Arben Frroku.

Nishani takim me Stoltenbergun

Presidenti shqiptar Bujar Nishani u takua sot në selinë e Natos në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Jens Stoltenberg, në kuadër të përgatitjeve të Takimit të Nivelit të Lartë të Varshavës korrikun e ardhshëm.

Sekretari Stoltenberg, vlerësoi “angazhimin e fortë në Nato” dhe kontributin e Shqipërisë në misionet dhe operacionet e saj, vecanërisht vazhdimin e përfshirjes së saj në misionet në Afganistan dhe në Kosovë. Zoti Stoltenberg çmoi “rolin e rëndësishëm – siç tha ai – në luftë kundër ISIS-it, dhe kontributin me pajime ushtarake dhe trajnime për forcat special në Irak”, si dhe faktin se Shqipëria ka rritur për këtë vit shpenzimet e saj për mbrojtjen.

Nga ana e tij presidenti Bujar Nishani deklaroi se “Shqipëria do të mbështesë çdo iniciativë dhe përpjekje të Aleancës për t’u modernizuar dhe përshtatur me ndryshimet e ambientit të sigurisë”. Kreu i Shtetit shqiptar ritheksoi “mbështetjen pa rezerva për vijimin e politikës së Dyerve të Hapura të NATO-s” duke konfirmuar “mbështetjen e Shqipërisë për pranimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë në Aleancë, në interesin më të mirë të forcimit të paqes dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh zoti Nishani, i cili gjatë takimit me zotin Stoltenberg ka “inkurajuar dhe rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe Kosovës, si një garanci e shtuar në dobi të paqes në rajon.

Mali i Zi ka marrë ftesën për t’u anëtarësuar në Nato, dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenebrg deklaroi se  “muajin e ardhshëm do të ndërmerret një hap i rëndësishëm me firmën e Protokollit të Anëtarësimit të Malit të Zi. Pasi të gjitha vendet anëtare ta kenë ratifikuar këtë protokoll, Mali i Zi, do të bëhet anëtari i 29 i Aleancës”, shpjegoi zoti Stoltenberg.

Koni e Kule: Nuk e njohim dhe nuk e dimë Shullazin

Për më shumë se dy orë, Rektori i sapo zgjedhur i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe ish – Rektori Dhori Kule janë pyetur në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Ata kanë deponuan në lidhje me kërcënimin që morën gjatë procesit zgjedhor për postin e rektorit.

Të dy akademikët janë paraqitur rreth orës 10:00 dhe janë marrë në pyetje nga dy oficerë të Policisë Gjyqësore.

Mësohet se, Kule ka thënë se është kërcënuar nga disa persona pranë Rektoratit. Por ka sqaruar se nuk i njihte këta individë dhe për këtë arsye nuk ka bërë kallëzim. Ai është shprehur se këta persona i kanë thënë se nuk duhet të mbështeste kandidaturën e Mynyr Konit, për postin e rektorit të ri.

Edhe profesor Koni mësohet të ketë mbajtur të njëjtin qëndrim, duke pranuar se është kërcënuar nga disa persona në rrugën “Fortuzi” pranë banesës së tij, por nuk ka mundur të njohë asnjë nga ata.

Burime nga grupi hetimor thonë se, të dy akadamikët nuk kanë identifikuar si kërcënues Emiljano Shullazin apo dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmado Danin dhe Blerim Shullazin.

Për këtë çështje, Prokuroria po shqyrton edhe kamerat e sigurisë së disa bizneseve pranë vendeve ku kanë ndodhur kërcënimet.Tv Klan

Rrëzimi i helikopterit në Shkodër, mbyllet hetimi, dalin përfundimet

Mbyllet hetimi administrativ i urdhëruar nga Ministri i Mbrojtjes për rrëzimin e helikopterit të Forcës Ajrore me numër anësor 637 të tipit EC 145, të ndodhur në datën 6 prill 2016. Ministri i Mbrojtjes në përputhje me kompetencat që i njeh legjislacioni në fuqi, në datën 7 prill 2016 urdhëroi ngritjen e grupit të punës për hetimin administrativ me objekt: “Rrëzimi i Helikopterit EC-145” më datën 6 prill 2016 me afat përfundimtar të mbylljes së hetimit administrativ, datën 22 prill 2016.

Grupi i punës, gjatë procesit hetimor administrativ, mblodhi të gjitha provat shkresore dhe jo shkresore, dëgjoi dëshmitarët, palët e interesuara dhe në dijeni të ngjarjes, verifikoi në vend provat, në praninë e Prokurorisë të rrethit Shkodër këqyri vendin e ngjarjes, thirri, dëgjoi ekspertë të brendshëm dhe të huaj, si dhe krahasoi dhe analizoi provat e marra.

Në përfundim të këtij hetimi administrativ, grupi i punës doli në përfundimin se:  planizimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit stërvitor të Helikopterit FA-637 në datën 6 prill 2016, është bërë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura.

Forca Ajrore, Baza Ajrore e Farkës dhe strukturat e tyre, kanë planizuar dhe drejtuar fluturime stërvitore në përputhje me rregullat e sigurimit të fluturimit ajror. Ekuipazhi i helikopterit ishte duke kryer një stërvitje fluturimi vizual në përputhje me planin stërvitor të Forcës Ajrore.

Ministria e Mbrojtjes falënderon Prokurorinë për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë në këtë hetim administrativ si dhe institucione të tjera me të cilat kemi bashkëpunuar. Gjithashtu falënderon ekspertët amerikanë dhe Ambasadën e SHBA-ve në vendin tonë, për asistencën e ofruar prej tyre.

The Telegraph: Për në Siri Xhihadisti John kaloi nga Tirana dhe Korça

Terroristi më i tmerrshëm i Shtetit Islamik, Xhihadisti John, ka qëndruar në Shqipëri për dy javë. Gazeta britanike “The Telegraph”, duke cituar një tjetër terrorist që pretendon se ka bërë rrugën bashkë me Xhihadisti John për në Siri, shkruan se ata kanë qëndruar në Tiranë dhe kanë kaluar më pas nga Korça për të shkuar në Greqi.

Në rrëfimin e tij, terroristi tjetër tregon se kanë kaluar në aeroportin e Rinasit pa asnjë problem.

“Qëndrimi i “Xhihadistit John” në Shqipëri ka qenë transit pasi synimi ishte vijimi i rrugës drejt Sirisë, duke kaluar nëpërmjet Kosturit në Greqi dhe më pas ka marrë një autobus për në qytetin port të Selanikut. Nga aty është nisur me varkë për në Turqi, ku edhe ka takuar ndërmjetës të ISIS për të shkuar më pas në Siri. Xhihadisti ka arritur të udhëtojë nëpër Evropë me pasaportë britanike, duke vënë në lojë në një far mënyre shërbimet e sigurisë”, shkruan “The Telegraph”.

rruga

Pasi kishin qëndruar 2 javë në Tiranë, ata kishin udhëtuar në mënyrë ilegale deri në Kastoria, Greqi e më pas në Selanik dhe që andej, përmes një varke kishin mbërritur në Turqi.

Xhelati i Shtetit Islamik, emri i vërtetë i të cilit ishte Mohamed Emwazi, është vrarë në një sulm amerikan kundër xhihadistëve në Raka, në Siri, 13 nëntorin e shkuar sipas burimeve nga Britania dhe Pentagoni.

Ai ishte një nga njerëzit më të kërkuar në botë, që kur u shfaq për herë të parë në video në gusht 2014 për të njoftuar ekzekutimin me prerje të kokës të gazetarit amerikan James Foley.

Më pas vijuan video me vrasjen makabre të një tjetër gazetari amerikan, Steven Sotloff, e punonjësit amerikan Abdul-Rahman Kassig, e britanikëve David Haines e Alan Henning dhe të gazetarit japonez Kenji Goto./tvklan.al

TV Klan: Mashtrimi me vizat, arrestohet Luli Makashi dhe vajza e saj

Dy ditë pasi është shpallur në kërkim është arrestuar Luli Makashi, 51-vjeçarja që ka mashtruar qindra persona për viza pune dhe studimi në Kanada, Australi dhe Angli.

Në pranga ka përfunduar gjithashtu edhe vajza e saj, Adelia Makashi. Arrestimi i tyre është bërë në kohë rekord, falë bashkëpunimit mes dy policive asaj shqiptare dhe kanadeze.  51-vjeçarja dhe vajza e saj janë riatdhesuar në Shqipëri.

Luli Makashi bashkë me vajzën kanë mbërritur në Shqipëri mbrëmë rreth orës 23: 50 minuta ku janë zhvendosur rreth orës 00:40 minuta në Drejtorinë e Policisë Tiranë.

Ndalimi i tyre nga policia kanadeze është bërë vetëm me anë të një kërkesë (raporti) policor të Sektorit të Krimit Ekonomik dhe Interpol Tiranës.

Sipas një njoftimi zyrtar nga organi i akuzës, thuhet se grupi i hetimit u vu në lëvizje nga të paktën 26 kallëzime në Policinë e Tiranës, që akuzonin nënë e bijë për mashtrim, pasi nuk kishin përfituar vizën, megjithëse kishin kryer pagesa në shumë të mëdha, që varionin në mijëra dollarë. Ata thanë se kanë kryer edhe takime në hotele të ndryshme me persona të huaj, që u kishin premtuar vizat.

Prokuroria thotë se denoncuesit kanë rrëfyer se, në datën 26 Prill, ata janë paraqitur pranë zyrave të kompanisë “Ande LM” në rrugën “Ismail Qemali”, por drejtueset e saj ishin larguar jashtë shtetit.

Në krye të kompanisë ishte vënë Klevis Rreshka, i cili kishte blerë pikërisht një ditë më parë rreth orës 18.00 kompaninë “Ande LM”, për vetëm 1 euro. Ai ka pranuar përpara prokurorëve se Lutfije Makashi dhe vajza e saj kishin treguar për problemet me klientët e tyre. Prokuroria tha se ka sekuestruar dokumente të shumtë në zyrat e kompanisë dhe se vijon hetimet për akuzën penale të mashtrimit. /tvklan.al

Papa Françesku autorizoi botimin e dekretit që shpall 38 martirët, viktima të komunizmit në Shqipëri

Voal –   Papa Françesku autorizoi botimin e dekretit përmes të cilit shpallen të Lum  Shërbëtori i Hyjit, Vinçenc Prennushi, i Urdhërit të Fretërve të Vegjël dhe 37 shokë martirë, të vrarë ndërmjet viteve 1945-1974, gjatë regjimit komunist.

Ditë e shënuar, kjo e 27 prillit 2016, për Kishën dhe për mbarë popullin. 38 martirët e parë shqiptarë, vrarë gjatë komunizmit, ndërmjet viteve 1945-1974, për të cilët prej vitesh ishte hapur çështja e kanonizimit kishtar, tani njihen nga Papa dhe Selia e Shenjtë të Lum, martirë për shkak të fesë në Krishtin. Kjo do të thotë se pas procesit kanonik në nivelin dioqezan për vërtetimin e martirizimit të tyre, përfundoi edhe procesi  pranë Kongregatës së  Selisë  së  Shenjtë për Çështjet e Shenjtorëve, në Vatikan.

Vërtet, dje, më 26 prill, pikërisht në festën e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores Qiellore të mbarë popullit shqiptar, e njohur edhe si Zoja e Shkodrës, Papa Françesku u takua me Prefektin e Kongregatës së Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Amato, të cilin e autorizoi të botojë dekretet, që kanë të bëjnë me njohjen e një sërë mrekullish, virtytesh heroike dhe martirizimi. Ndër ta, njihet

– martirizimi i Shërbëtorëve të Zotit, Vinçenc Prennushi, i Urdhrit të Fretërve të Vegjël, kryeipeshkëv i Durrësit, dhe i 37 shokëve të tij, vrarë ndërmjet 1945-ës dhe 1974-ës.

Festa e Zojës do të marrë edhe domethënie të tjera për Shqipërinë, popullin e Kishën shqiptare. E pikërisht në solemnitetin e Nënës së Zotit, Nënës së Këshillit të Mirë, janë shqyrtuar dokumentet e dëshmitë, që i dhuruan popullit e Kishës shqiptare martirët e parë, të periudhës së regjimit komunist 1945-1974-ë, të cilët i nderonte si të tillë që më parë.

Së bashku me ta, Ati i Shenjtë Bergoglio autorizoi publikimin e dekreteve edhe për dy mrekulli, katër martirizime të tjera dhe 8 virtyte heroike, që u njihen njerëzve të denjë për t’u konsideruar ndjekës të vërtetë të Krishtit e dëshmitarë të Tij në këtë botë. Së bashku me martirët shqiptarë hyjnë në plejadën e shenjtorëve e të Lumëve, pranë Hyjit të Gjithëpushtetshëm./RV

Milena Harito, ministrja me llogari bankare dhe prona në Francë

Ministrja e Inovacionit Milena Harito ka prona të paluajtshme në Francë. Sipas deklaratës së saj të pasurisë depozituar në ILDKPKI, Harito ka familjen në Francë dhe jeton aty prej 20 vitesh.

Paga e ministres Harito është 1.6 milionë Lekë të reja në vit, ndërsa bashkëshorti i saj që jeton dhe punon në Francë fiton 116.530 Euro si nëpunës i ‘Agricole Paris’.

Harito dhe bashkëshorti i saj deklarojnë llogari bankare 23 mijë Euro, por edhe të ardhurat që marrin nga qira nga një shtëpi dhe studio në Francë, prej 12 mijë Eurosh.

Në deklarimin e saj, ministrja e Inovacionit Milena Harito disponon shtëpi në Francë 210 metër katrorë, e cila ka kushtuar 905 mijë Euro, ndërsa kanë ende për të paguar dy kredi në Francë, vlera e të cilave shkon në 333 mijë Euro.

Shumë shpejt edhe Shqipëria shihet në “Street View”

Prej 29 Prillit, Google do të nisë udhëtimin nëpër Shqipëri për fotografimin e rrugëve, me qëllim përmirësimin e shërbimit “Street View”, (Pamje e rrugëve), një hartë e kompanisë që mundëson eksplorimin e çdo vendi nga kompjuteri.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë drejtuesit e Google me anë të një deklarate për shtyp.

“Duke nisur nga 29 Prilli, Google do të nisë udhëtimin për fotografimin 360° të qyteteve më të mëdha të Shqipërisë, si Tirana, Durrësi, Saranda dhe disa prej zonave turistike dhe historike në vend”.

“Street View” u prezantua në 2007 -ën dhe ofrohet në 76 shtete të ndryshme të botës.

Puna për fotografimin e rrugëve të Shqipërisë do të nisë nga Tirana dhe do të vijojë nëpër qytete të tjera. Shërbimi do të jetë i përdorshëm disa muaj pas këtij procesi. /tvklan.al

Mashtruan qytetarët për në Kanada kundrejt 20 mijë euro, 1 në pranga, 2 në kërkim

VOAL – Një 25-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Në pranga ka përfunduar Klevis Rreshka, ndërsa janë shpallur në kërkim Lule Makashi 52 vjeç dhe Adeila Makashi 28 vjeç.

Nga hetimet ka rezultuar se këta tre persona mashtronin qytetarët me dokumente false duke u premtuar punësim dhe studim në Kanada.

Në grackën e mashtrimit kanë rënë rreth 30 persona, ndërsa “letrat” kushtonin nga 18-20 mijë euro. Lule Makashi është gruaja e ish drejtorit të policisë së Durrësit, Edmond Makashi. që i dha fund jetës përmes vetëvrasjes. /tvklan.al

Kjo është pasuria që deklarojnë Edi dhe Lindita Rama

Zbardhet deklarimi i pasurisë së Kryeministrit Edi Rama dhe familjes së tij për vitin 2015.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Open Data Albania”, mësohet se vila e Kryeministrit Rama në fshatin e Surrelit, në komunën Dajt është deklaruar me një vlerë prej 39,607,741 lekësh ose rreth 395 mijë dollarë.

“Bashkëpronar me 50%, e ku 50% të tjera pjesë e regjimit martesor me bashkëshorten Lindita Rama, shtëpi banimi me sipërfaqe të padeklaruar, përcaktuar një kat, me vlerë ndërtimi 39,607,741 lekë, vendndodhja e shtëpisë në fshatin Surrel, komuna Dajt, pasuri që justifikohet me dokument leje ndërtimi, momenti i deklarimit pa titull pronësie”, thuhet në deklaratën e pasurisë së Kryeministrit Rama, raporton “Panorama”.

Ndërkohë që në kategorinë e detyrimeve të papaguara thuhet se kreu i qeverisë ka si “detyrim të papaguar ndaj subjektit ndërtues të ‘shtëpisë së banimit në Surrel’, me vlerë – 12 056 241 lekë, detyrim si pjesë e regjimit martesor 50 me 50 me bashkëshorten”.

Apartamente

Gjithashtu, në deklaratën e vitit 2015 Kryeministri është regjistruar si pronar i dy apartamenteve të Tiranë, një banesë e privatizuar dhe e rivlerësuar në vitin 2012 me vlerë 5,422,100 lekë, me sipërfaqe 59 m². Po ashtu, pronar i një studioje artisti me sipërfaqe 65 m², në Tiranë, e trashëguar nga babai, me vlerë 2,500,000 lekë të rinj.

Në kategorinë e pasurive të paluajtshme, bashkëshortja e Kryeministrit, Lindita Rama, ka deklaruar blerjen e një apartamenti në të cilin figuron pronare 100% në Tiranë, banesë me sipërfaqe 146.15 m2 + verandë 68 m2 + garazh 17 m2, blerë me pjesë në 2009-n dhe 2015-n. Në listën e pasurive të paluajtshme Lindita Rama rezulton pronare e truallit të blerë në Surrel, me sipërfaqe 4 483 m2.

Pikturat

Për herë të parë, Kryeministri Rama ka deklaruar edhe fitimin që ka marrë nga shitja e pikturave, edhe pse në deklaratën zyrtare nuk i ka ndarë veçmas të ardhurat e fituara nga libri “Kurban” me një vlerë prej 26 mijë dollarësh.

“Të ardhura nga krijimtaria artistike: shitje e librit ‘Kurban’, shitje punë artistike vlera neto me detyrime tatimore të zbritura 2,694,009 (dy milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e nëntë) lekë”, thuhet në deklaratën e kreut të qeverisë.

Në deklaratën e pasurisë së Kryeministrit është shtuar dhe djali, Gregori, se ka fituar nga shitja e veprave të artit. Në deklaratën e vitit 2015 thuhet se Gregor Rama ka ftuar 3400 euro nga shitja e pikturave. Ndërkohë që Gregori ka pakësuar llogarinë bankare me minus 197,626 lekë.

Lindita Rama

Bashkëshortja e Kryeministrit, Lindita Rama, ka shtuar në llogaritë e saj personale gjatë vitit 2015 një shumë prej 3,004,470 lekësh të rinj. Ajo ka deklaruar nga paga e saj si eksperte shumën prej 1,929,676 lekësh.

Ndërsa 1,936,237 lekë janë shtuar si të ardhura nga qiraja e apartamentit në pronësi të saj. Në deklaratën e vitit 2015, thuhet se Lindita Rama ka dhënë hua një shumë prej 70 mijë eurosh pa interes, e përcaktuar me datën e huadhënies. Në kategorinë e likuiditeteve dhe kategorive kesh, thuhet se:

“Bashkëshortja Lindita Rama zotëron gjendje llogari bankare më 10.09.2013 në vlerën 6 206 644.3 lekë, deklarohet 100% pjesëtare”.

Në deklaratën e pasurisë thuhet se çifti kryeministror nuk zotërojnë automjete, ndërkohë që thuhet se: “kanë paguar bashkërisht me zonjën Rama, gjatë 2015¬s, detyrimin në vlerën 7 099 (shtatë mijë e nëntëdhjetë e nëntë) euro për kredinë e marrë në një bankë të nivelit të dytë, aktivizuar kredia më 22.10.2013 me vlerë 80 000 euro, afat shlyerjeje 10 vjet. Shuma e mbetur pa paguar pas datës 31 dhjetor 2015 është 64 923 EU”.

Vrau më 2000, ekstradohet nga Greqia

Një i  shpallur në kërkim për vrasje është ekstraduar nga Greqia drejt vendit tonë.

Viktor Ymeraj 33 – vjeç banues në fshatin Fratar, Mallakastër akuzohet pasi në Mars të vitit 2000, në fshatin Fratar, Mallakastër, ka vrarë me armë zjarri shtetasin K.K si dhe ka plagosur shtetasin me iniciale M.S.

Gjykata e Fierit e kishte dënuar me 25 vjet burg për veprat penale “vrasje me dashje”, “vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit.”

33 – vjeçari  është kapur nga Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Athina pas marrjes së informacioneve që dispononte Sektori për Krimet e Rënda në Policinë e Fierit, të cilët bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e këtij shtetasi nga shteti grek./tvklan.al

I dënuar me 10 vjet burg, ekstradohet nga Bullgaria

Një 23-vjeçar është ekstraduar nga Bullgaria drejt Tiranës. Interpol Tirana ka bërë të mundur ekstradimin e Islam Xhetanit nga Burreli.

I riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat në vitin 2013 e ka dënuar me 10 vjet burg.

Xhetani është gjetur fajtor për tentativë vrasjeje e kryer në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje. /tvklan.al

The Times: Rama – ministrit Britanik: Absurde të tërheqësh Shqipërinë në betejën për “Brexit”

Fushata kundër daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian prej ditësh ka nisur duke marrë si shembull Shqipërinë, për të cilët britanikët pretendojnë se do bëhen si vendi ynë, nëse dalin nga Unioni. Pak ditë më parë, Sekretari britanik i Drejtësisë, Michael Gove me ironi krahasonte Britaninë jashtë BE-së, si Shqipërinë. Por kësaj deklarate i ka kthyer përgjigje kryeministri Edi Rama në një shkrim në revistën “The Times”, ku mes të tjerash thekson se “vendi i tij nuk duhet të shërbejë si model për jetën jashtë BE”.

Shkrimi i plotë i Edi Ramës:

Ndoshta duhet të kënaqemi me faktin që Shqipëria e vogël është vënë në qendër të debatit europian të Britanisë. Por, kur lexova titullin e artikullit të Michael Gove që sugjeronte se Britania mund të braktiste partneritetin e saj me Gjermaninë, Francën dhe vendet e tjera të Europës e ta zëvendësonte atë me një partneritet jashtë BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, reagimi im i menjëhershëm ishte: “duket pak e çuditshme”.

 Unë jam një shqiptar dhe një ballkanas krenar, por nuk mund të pretendoj se kemi fuqinë politike dhe ekonomike për të qenë rivalë të BE-së, që ka ndihmuar me vendosjen e paqes dhe sjelljen e begatisë në shumë vende, prej shumë kohësh tanimë. Nuk mund ta rivalizojmë këtë bllok me këtë treg të vetëm, që është një nga organizimet më mbresëlënëse tregtare në botë, jo vetëm tani, por përgjatë gjithë periudhave të historisë së njerëzimit.

Kështu që, dëshiroj të falënderoj zotin Gove për dozën e mirë të publicitetit, që përkon me hapjen e fushatës turistike para verës për të tërhequr pushuesit britanikë në qytetet tona historike dhe plazhet e bukura. E ndërkohë që ne ftojmë investitorë të vijnë dhe të eksplorojnë mundësitë e mëdha që vendi ynë ofron për investime, britanikët që do të vijnë në Shqipëri, do të kenë mundësi të ndjekin bashkë me shqiptarët fatin e ekipit tonë kombëtar që merr pjesë për herë të parë në një kampionat madhor, finalet e Kampionatit Europian në Francë. Është vërtetë kohë e bukur për të qenë shqiptar.

Por, nuk jam i sigurt nëse krijimi i kësaj BBC-je (British-Balkan Confederation), Konfederate Britaniko-Ballkanike të re do t’i vinte për shtat nevojave tona dhe të Britanisë së shekullit XXI, apo nëse do të ishte e drejtë që Britania të hidhte sytë nga Shqipëria si model i marrëdhënieve me BE-në. Në fakt, jam i bindur që do të ishte e gabuar nëse Britania do të vepronte kështu.

Ka diçka tejet të çuditshme në komentet e zotit Gove, të cilat vijnë ndërkohë që në Shqipëri qeveria dhe opozita punojnë bashkërisht për reformën historike në drejtësi, që na përafron me sistemin e BE-së që e admirojmë kaq shumë. Ndërkohë që ai dhe britanikë të tjerë i hedhin sytë jashtë kufijve të BE-së, ne të tjerët jashtë saj duam të anëtarësohemi një orë e më parë, sepse i dimë përfitimet e mëdha të të qenurit pjesë.

Në këto kushte, edhe më e çuditshme është se zoti Gove e sheh Shqipërinë si model për sistemin ekonomik britanik pas largimit të saj nga Bashkimi. Dhe akoma më e çuditshme është që ai dëshiron të largohet vullnetarisht nga një bashkim që i ka dhënë aq shumë Britanisë.

Më lejoni të shpjegoj përse mendoj kështu. Edhe pa Shqipërinë si anëtare të BE-së, Bashkimi ka ndikim pozitiv në vendin tim dhe në të gjitha vendet që zoti Gove ka veçuar si aleatë të mundshëm jashtë BE-së për Britaninë pas daljes nga Bashkimi.

Jo vetëm që BE-ja ka ideale dhe vlera që edhe ne aspirojmë t’i kemi, por aspirata për anëtarësim në BE e të gjithë rajonit e ka bërë të pamundurën të mundur. Për shkak të këtyre aspiratave ne kemi ndryshuar historinë tonë të gjatë të luftërave dhe konflikteve të përgjakura e kemi hyrë në një epokë të re paqeje dhe bashkëpunimi. Është për shkak të këtyre aspiratave për t’u bërë anëtarë të BE-së, që unë shkova në Beograd në vitin 2014, në vizitën e parë të një kryeministri shqiptar në këtë vend në gjashtëdhjetë e tetë vjet. Dhe ishte po e njëjta aspiratë që e solli Kryeministrin Aleksandar Vuçiç në Tiranë, në atë që ishte vizita e parë e një kryeministri serb në Shqipëri.

Ne duam të ecim përpara dhe po punojmë për anëtarësim pa patur asnjë nga të mirat që kanë vendet anëtare të BE. Të mira që Britania do t’i humbiste, nëse del nga ky Bashkim. Dhe bëhet fjalë për përfitime shumë të rëndësishme, si për shembull shërbimet e ofruara nga tregu europian në të cilat ne kemi akses të kufizuar, ndërsa nuk kemi mundësinë e shërbimeve financiare. Një ndër to, bankat tona nuk operojnë dot në BE ashtu si bankat britanike dhe bankat me qendër në Britani.

Lehtësi tjetër shumë e madhe është bashkimi doganor. Për ne që nuk jemi pjesë e tij kjo përkthehet në burokraci e kosto të shtuara për bizneset eksportuese të mallrave të origjinës. Nga ana tjetër, duke krijuar një lehtësi të ngjashme me anëtarët e saj, BE na heq tarifat dhe detyrime doganore të mallrave industriale, por na kufizon në një pikë shumë të fortë, në prodhimin vendas. Një seri prodhimesh bujqësore e blegtorale, veçanërisht mishi, janë ndër më të mirët në botë, por tarifat e vendit të favorizuar për shumë prodhime bujqësore dhe kuotat për shumë produkte të peshkimit na kufizojnë eksportin drejt BE-së.

Natyrshëm, kjo nuk ndodh me vendet anëtare. Vende të cilat kanë përfitime të rëndësishme dhe nga marrëveshjet e tregtisë së jashtme. Me Korenë e Jugut, për shembull, BE ka marrëveshje shumë të mira për të dyja palët. Shqipëria, vend joanëtar, nuk përfiton nga ky sistem marrëveshjesh. Britania, në marrëdhënie tregtare me vendet e Ballkanit, por jashtë Europës, nuk do të kishte asnjë prej këtyre përfitimeve. Kurse brenda Bashkimit Europian, Britania dhe Ballkani mund të kenë edhe bashkëpunimin e ngushtë, edhe këto avantazhe.

Si një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, na duhet të implementojmë të gjithë rregullat e BE, por në ndërkohë pa patur asnjë zë në kapitull kur këto rregulla krijohen dhe votohen. Si një vend ende jo anëtar i BE-së, na duhet të përafrojmë legjislacionin në një sërë fushash si konkurrenca, pronësia intelektuale, industriale e tregtare, prokurimi publik, standardet dhe certifikimi, transporti detar, shoqëritë tregtare, mbrojtja e konsumatorit, mbrojtja e të dhënave, shëndeti dhe siguria në punë. Lista është edhe më e gjatë se kjo.

Dhe Shqipëria është e gatshme t’i pranojë të gjitha këto vështirësi dhe pengesa, pasi ne besojmë se në partneritet me Bashkimin Europian, dhe vendeve kryesore të BE si Britania, ne mund të zhvillojmë vendin tonë dhe të përmirësojmë të ardhmen e qytetarëve tanë. Falë reformave të mbështetura nga Bashkimi Europian, vendet e Ballkanit nuk janë duke përjetuar thjesht dhe vetëm marrëdhënie diplomatike më të mira mes tyre, por çka më e rëndësishmja, janë duke përmirësuar standardet e jetesës për qytetarët dhe brezin e ri. Dhe ne shpresojmë se ky trend pozitiv do të vazhdojë.

Së fundi, duhet të dini se janë dashur plot gjashtë vjet negociata që Shqipëria të arrinte stadin aktual të marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Europian. Natyrshëm Britania do ta niste procesin nga një tjetër pikë krahasuar me Shqipërinë, nëse do të dilte nga BE. Por, duke folur nga pozicioni i dikujt që ka negociuar me Bashkimin Europian nga jashtë, mund t’ju them se ky proces negociatash mes Britanisë dhe BE-së mund të zvarritet lehtësisht për shumë kohë. Edhe pse zoti Gove pretendon se kjo çështje do të zgjidhet lehtësisht brenda dy vitesh, unë besoj se ky parashikim nuk është aspak realist.

Jam i bindur se vendi im ka përpara një të ardhme frymëzuese për shkak të nismave që po ndërmarrim me mbështetjen dhe nxitjen e Bashkimit Europian. Në këtë rrugëtim tonin, mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar, ka qenë e mirëpritur dhe ndihmesë thelbësore në zbatimin e reformave, më e rëndësishmja ajo në drejtësi ku ne kemi përfituar nga bashkëpunimi me shumë ekspertë britanikë. Por nga ana tjetër, nuk mund të jem veçse i habitur që Britania të shohë si model bashkëpunimi me Bashkimin Europian marrëdhënien e sotme mes Shqipërisë dhe BE. Nëse ne që e kemi provuar duam ta ndryshojmë këtë model dhe të anëtarësohemi në BE, përse ju doni të dilni jashtë Bashkimit?

Sigurisht që në fund të fundit gjykimi mbetet i juaji. Do të jenë britanikët ata që do të zgjedhin për të qëndruar pjesë e Bashkimit Europian, apo për të dalë nga ky Bashkim. Por ky vendim sigurisht që do të ketë një impakt më të gjerë se vetëm Britania e Bashkuar. Si një mik dhe dashamirës i Britanisë, unë shpresoj sinqerisht se ju do të votoni për të qëndruar pjesë e Bashkimit Europian.

Nuk ka dhe as nuk mund të ketë një konfederatë Britaniko – Ballkanike jashtë Bashkimit Europian. Për aq kohë sa ne duam t’i tejkalojmë marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian e të bëhemi vend anëtar i BE, modeli ynë i tanishëm nuk mund të jetë modeli që synon Britania.

Jam plotësisht i bindur se qëndrimi i Britanisë në Bashkimin Europian është gjëja më e mirë për Europën, por edhe për Shqipërinë. E ndërkohë jam po aq i bindur se ky vendim do të ishte më i miri edhe për Britaninë dhe miliona njerëzit e tjerë në Europë e më gjerë, që sot i bëjnë thirrje popullit britanik: ju lutem mos u largoni

Reagon aktorja: Une jam Ema Andrea!! Une jam djersa ime!

VOAL – Në një postim të sotëm aktorja Ema Andrea, e cila ndodhet këto ditë në qendër të sulmeve politike nga media të ndryshme, reagon me një shënim të cilin e shoqëron edhe me një foto të saj, ku dikush po përpiqet të mos e lejojë të flasë.

Ja postimi:

 

Une jam Ema Andrea!!

Une jam djersa ime!

Une jam mendje,trup dhe shpirt unik si cdo femer,nènè,grua apo bije!

Kaq kisha per momentin!!

Shkëlzen Berisha ia përmend marijuanën Andreas dhe e quan kurtizane

Edhe pse nuk ja ka përmendur emrin, duke u treguar i kujdeshëm për të shmangur ndonjë telash gjyqësor, kuptohet qartë që Shkëlzen Berisha e ka patur për aktoren Ema Andrea postimin e tij më të fundit në Facebook.

Gjithçka nisi, pasi Andrea sulmoi ashpër Sali Berishën për thirrjen e ëktij të fundit ndaj popullit, që të armatoset kundër qeverisë.

Ajo iu drejtua ish-kryeministrit duke i thënë se duhej të kishte turp.

Mirëpo deklaratat e saj nuk i ka kapërdirë Shkëlzen Berisha, i cili prej dy ditësh debaton inderekt me aktoren nëpër rrjetetet sociale.

“Paralelisht me nr e viktimave rritet dhe nr i fanseve te Shullazit. Vajzat anonime qe kerkonin lirimin e heroit te Rilindjes tashme kane nje cheerleader. Drejtimin e klubit e ka marre ne dore nje ikone nderkombetare e antifashizmit dhe artit,” shkroi Shkëlzen Berisha në FB dje.

Andreai iu përgjigj sot, ku ndër të tjera i thoshte: “Per ata qe duan te behen te famshem duke perdorur emrin tim!! Zotni, mos fyej fjalen e lire dhe mos u perpiq te perdoresh emrin tim as per pislleqet politike e as per per delire!! Une kam thene dhe do ta them ate qe mendoj e jam perpjekur te mos fyej babain e askujt!! Nuk i perkas asnje lloj tifozerie e as partie (edhe pse eshte e njejta gje per juve)! Kam jetuar dhune ne kete vend aq sa te jem kunder cdo thirrjeje per dhune e arme, pavaresisht se kush i ben!!”.

Por debati ka kulmuar me vargjet e sotme me të cilat replikoi Shkëlzen Berisha ndaj Ema Andreas.

“E mbushi oborrin

Që të dëfrejë mbretin

Me lolo e gaztorë

Që gajasin miletin”, shkruante ai.

Berisha vijonte më tej duke shtuar: “Homazh per artistë me famë, kurtizanë të rilindjes”.

“P.S paqja qofte me ty dhe te fala dyfleteshit”, e mbyllte ai komentin, duke aluduar për përdorimin e mundshëm të marijuanës nga ana e aktores.

Shkelzen

Dokument: Ja si e ndiqte Sigurimi ambasadorin amerikan në Tiranë – Nga Kastriot Dervishi

Ambasadori i parë amerikan në Shqipëri i periudhës së demokracisë, Uilliam Rajërson, në intervistën e para dy ditëve pohoi ndjekjen që i bënte ditët e para Sigurimi i Shtetit. Ai është parë prej Sigurimit si përfaqësues i “imperializmit amerikan”, si “armik”, por edhe si “kuadër zbulues”. Kjo ndjekje, nga e cila është dokumentuar ajo e periudhës prill-qershor 1991 përfshinte lëvizjet e tij si dhe përgjimet telefonike. Këtë informacion ai e ka bazuar në një publikim që kam bërë para disa vitesh. Kur e kam lexuar për herë të parë jam habitur.

Disa dokumente mbanin shënime të llojit “të asgjësohet”, gjë që na jep të kuptojmë një shpëtim të rastësishëm dhe se fare pak prej këtyre dokumenteve kanë mbërritur në ditët tona. Përgjimi i z.Rajërson më është dukur një veprim i pabesë, tipik komunist i frymëzuar nga tradita komuniste dhe nga lidhjet lindore ruso-serbe. Dokumentet përkojnë me fazën e fundit të aktivitetit të Sigurimit të Shtetit, një institucion i degraduar, thellësisht politik dhe pa parime kombëtare, i cili i shihte amerikanët me syrin e Partisë së Punës që shquhej për retorikën e saj antiamerikane. Z.Rajërson ishte i drejtpërdrejtë në atë kohë me qëndrimin që duhej mbajtur ndaj komunizmit, kësaj të keqe të madhe që i shkaktoi pasoja të rënda Shqipërisë. Kështu që nuk kishin asnjë vlerë gjurmimet e Sigurimit.

Çdo shtet ka platforma në lidhje me veprimet agjenturore-operative që ndërmerr, me objektet e punës, etj. Por në radhë të parë nga këto veprime përjashtohen shtetet aleate, këtë rast sigurisht shteti nr.1 ishte SHBA. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku dhe aleati më i madh i kombit dhe shtetit shqiptar. Dokumentet në fjalë tregojnë se komunistët nuk e cilësonin vend aleat Amerikën në vitin 1991, pavarësisht se ishte një kohë kur ishte pranuar pluralizmi politik.

Në analizën e fakteve historike për mua si studiues i fushës së historisë tre janë ngjarjet më të mëdha të kësaj kohe: nisja e procesit të destalinizimit të Shqipërisë, dalja nga ndikimi ruso-serb si dhe futja e saj nën ndikimin amerikan e Atlantik.

Bashkëlidhur dokumente në të cilat përshkruhen aktivitete të zakonshme ditore të z.Rajërson në atë kohë.

PD-ja vetëdënohet me 10 ditë jashtë Kuvendit

Demokratët do të bojkotojnë për 10 – ditë punimet e kuvendit  në shenjë proteste ndaj vendimit që mori byroja për të përjashtuar nga parlamenti ish – Kryeministrin Berisha për të njëjtën periudhë kohore, pas thirrjes së këtij të fundit për armatosje të popullatës përmes një ligji të ngjashëm si ai në Shtetet e Bashkuara. Pas mbledhjes jashtë rradhe të grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi hakmarrje të kryeministrit pas denoncimeve që ish kreu i qeverisë Berisha i bëri lidhjeve të Ramës me Shullazin.

 Basha akuzoi kryeministrin se po bën avokatin e Shullazit dhe se ky qëndrim i tij po frikëson disa nga dëshmitarët.

Basha paralajmëroi se Partia Demokratike do bëjë gjithçka, në rrugë institucionale, që kjo pikë kthese e shënuar nga prokurorët të shndërrohet në aktin e parë të Reformës në Drejtësi dhe se do të dëshmojë arsyet dy vjeçare të bllokimit të këtij procesi nga ana e Kryeministrit Rama.

Gjykata e Lartë mbyll ’21 Janarin’, hedh poshtë rekursin e Prokurorisë

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Prokurorisë për dosjen e “21 Janarit”. Togat e zeza e kanë zgjidhur çështjen me mospranim kërkesën, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Apelit të Tiranës.

Kjo gjykatë në shtator të 2013 dënoi me e vendim të formës së prerë me 1 vit burg, ish-kreun e Gardës Ndrea Prendi dhe 3 vite burg Agim Llupon ,ish-gardist.

Rekursi i Prokurorisë kishte rreth 3 vite që ishte bërë dhe Kolegji Penal i përbërë gjyqtarët Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj dhe Shkëlzen Selim la në fuqi vendimin e Apelit.

Me këtë vendim mbyllet një ndër proceset më të debatuar në Shqipëri.

Prokuroria e Tiranës pas protestës së opozitës së atëhershme ngriti akuzën e vrasjes me dashje për dy të pandehurit. U kërkua dënimi me 23 vite për Prendin dhe 25 për Llupon . Gjykata e Tiranës i shpalli fajtor ata, por duke ndryshuar akuzën në vrasje nga pakujdesia. Në përfundim shkalla e parë dënoi me një vit burg ish-drejtuesin e gardës dhe 3 vite Agim Llupon.

Por ata u lanë të lirë pasi periudha e dënimin ishin shlyer nga qëndrimi në ambientet e paraburgimit. Këta dy persona akuzoheshin për vrasjen e Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt. Ndërsa për të vrarin e katërt të “21 Janarit” ende nuk ka një autor dhe vazhdojnë hetimet.

Tv Klan

Zyrtare: Iu shitet kinezëve Aeroporti i Rinasit

Kompania kineze “China Everbright Limited” (CEL) ka njoftuar zyrtarisht blerjen e Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza. Sipas njoftimit zyrtar, janë dy kompani pjesë të “China Everbright”, “Keen Dynamics Limited” (KDL) së bashku me “Friedmann Pacific Assets Management Limited”, që fokusohet në investimet globale në aeroporte, ka nënshkruar marrëveshjen me koncesionarin dhe operatorin e Aeroportit të Rinasit.

KDL pritet që ta marrë koncesionin e TIA deri në vitin 2025, me dy vite zgjatje të afatit, në varësi të aprovimit të qeverisë shqiptare.

Kompania kineze, me bazë në Hong Kong, vlerëson se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është një ndër aeroportet në rritje në Europë.

print

Sipas saj, numri i pasagjerëve është rritur nga 600 mijë që ishte në 2005 – ën, në 2 milionë në 2015 – ën. Kjo për drejtuesit e “China Everbright Limited” është një tregues i rritjes së shpejtë ekonomike të Shqipërisë.

Chen Shuang, drejtuesi ekzekutiv i kompanisë kineze tha: “CEL është në proces investimi në infrastrukturës jashtë vendit dhe blerja e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës është hapi i parë. Me përmbylljen e marrëveshjes, KDL do të marrë totalisht në dorë TIA – an”. /tvklan.al

Pit Bullët lëvizin lirshëm në kryeqytet, asnjë i pajisur me maskë

Kafshimi që i bëri një qen i rracës Pit Bull një gruaje, bëri që një i afërm i saj të marrë automatikun dhe të qëllojë me breshëri mbi të, në rrugën “Sitki Çiço”, në Tiranë. Nga plumbat u plagos 19 – vjeçari Vehbi Rrijolli. Autori është Denis Lala. Dëshmitarë thonë se qeni lëvizte lirshëm nëpër lagje dhe banorët i frikësoheshin.

Të tillë qen të rrezikshëm, lëvizin po ashtu lirisht nëpër parqe, sheshe e rrugë të Tiranës. Disa janë ndër racat më të rrezikshme, që nëpër vende të ndryshme të botës, nuk lejohet të lëvizin pa maska. Në Shqipëri i gjen kudo nëpër ambiente publike, pa asnjë masë mbrojtëse. Edhe në zona ku ka tabela detyruese që qentë të mbajnë maska, ky rregull nuk respektohet. Madje shkelet edhe në prani të policisë.  

Kafshimet nga qentë janë bërë të zakonshme edhe për mjekët. Vetëm në Shërbimin Infektiv në QSUT paraqiten mesatarisht 7 persona, të cilët janë sulmuar nga qen endacakë apo shtëpiakë. Në Ministrinë e Bujqësisë është një zyrë e posaçme që kontrrollon mënyrën se si duhen mbajtur qentë në publik.

Drejtuesit e saj, të kontaktuar nga Televizioni Klan thonë se veprojnë vetëm në rastet kur Bashkia i sinjalizon për shqetësimet që kanë banorët. Në raste të tilla, ata ndërhyjnë duke ia marrë qenin pronarit. Por deri tani nuk raportohet të ketë ndodhur ndonjë rast i tillë, edhe pse qentë e rrezikshëm lëvizin çdo ditë pa maska në rrugë, duke sulmuar shpeshherë qytetarët.

Tv Klan


Send this to a friend