Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur etnik grek i burgosur i bashkisë jugore shqiptare të Himarës, është zgjedhur si eurodeputet me partinë qeverisëse të Greqisë, Demokracia e Re, në zgjedhjet evropiane të së dielës.
Me pak mbi 96% të votave të numëruara, Beleri kishte siguruar 236,271 vota, duke u renditur i katërti në mesin e shtatë eurodeputetëve të zgjedhur nga konservatorët dhe i katërti midis 21 eurodeputetëve grekë në përgjithësi.
Fushata drejtohej nga djali i tij, Petro Beleri.
Kryesuesi i votave është gazetari dhe prezantuesi i shquar televiziv Giorgos Aftias, i cili kryesonte me 307,495 vota.
Aftias kishte dhënë dorëheqjen nga posti i tij një muaj e gjysmë përpara zgjedhjeve të së dielës. sn
Në Greqi, zgjedhjet për Parlamentin Europian, kryesohen nga partia në pushtet e qendrës së djathtë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, Nea Demokracia.
Fitorja e Demokracisë së Re është me një diferencë të thellë nga SYRIZA e vendit të dytë.
Sipas mediave të huaja, konkretisht, Demokracia e Re përllogaritet të ketë marrë mbi 28.6 % dhe pritet të zgjedhë 7 eurodeputetë.
Përtej fitores së Neo Demokracia, nga numërimi i rreth 50 % të votave deri më tani rezulton se nga kandidatët për eurodeputet të Demokracisë së Re, i treti renditet kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri.
Lista e Nea demokracia kryesohet nga gazetari Giorgos Attias me 3775, i ndjekur nga Vangelis Meimarakis (2868) dhe Fredi Beleri (2473).
Më pas vijnë me radhë Manolis Kefalogiannis (2003), Eliza Vozeberg (1941), Eleonora Meleti (1541) Vassilis Kontozamanis dhe Pirro Dhima.
Sipas projeksioneve të Ministrisë së Brendshme shtatë parti do të kenë eurodeputetë në Parlamentin e ri Europian. Në zhvillim e sipër është një triller për partinë që do të marrë mandatin e 21-të, teksa lëviz mes Zërit të Arsyes, Zgjidhjes Helenike dhe KKE-së.
– Ndërkohë SYRIZA arrin nga 13.8% në 17.2% dhe zgjedh 4 eurodeputetë.
– PASOK nga 11.5% në 14.5% dhe zgjedh 3 eurodeputetë.
– KKE nga 8.4% në 10.8% dhe 2-3 eurodeputetë.
– Zgjidhja greke nga 8.4% në 10.8% dhe 2-3 eurodeputetë.
– Fitorja nga 3.3% në 5.3% dhe një eurodeputet.
– Liria e Lundrimit nga 2.6% në 4.6% dhe një Eurodeputet.
– MePA25 nga 1.5% në 2.9%.
– Zëri i arsyes nga 2.2% në 3.6% (MO 2.9%) dhe mbetet e hapur nëse do të zgjedhë një eurodeputet.
– e majta e re nga 1.5% në 2.9%.
– Patriotët nga 0,9% në 2,3%.
– Demokratët nga 0.9% në 1.9%.
– Bota nga 0.5% në 1.5%.
– Të tjera nga 3.6% në 5.6%.
Zyrtarë të lartë të Serbisë, Republikës Sërpska dhe Kishës Ortodokse Serbe, të shtunën në Beograd.
Serbia dhe entiteti serb i Bosnje – Hercegovinës, Republika Sërpska, kanë miratuar të shtunën Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për një të ardhme të përbashkët të popullit serb.
Deklarata është miratuar në Beograd në një takim mes dy qeverive, në kuadër të të ashtuquajturit Kuvend gjithëserb.
Kuvendi synon vërtetimin e unitetit serb.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Deklarata i referohet Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje – Hercegovinë, dhe nuk përmendet përçarja në atë shtet.
Deklarata duhet të miratohet nga Parlamenti i Serbisë dhe ai i Republikës Sërpska brenda 90 ditëve.
Presidenti serb ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.
“E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.
Përgjatë takimit është insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija” – si referencë për shtetin e Kosovës.
Çfarë thuhet për Kosovën?
Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Rezoluta 1244
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.
Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.
Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.
Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
Si u zhvilluan punimet?
Vuciq ka thënë në takimin e përbashkët mes dy qeverive se, ruajtja e paqes përbën interesin më të madh të serbëve.
Ai ka thënë se këto fjalë janë zgjedhur me kujdes në deklaratë.
“Ju merrni vendimet tuaja, unë vetëm ju kërkoj që të mendoni një milion herë se sa shumë na duhet paqja”, ka thënë ai, duke iu drejtuar zyrtarëve të Republikës Sërpska, të cilëve u ka thënë se “Serbia nuk do ta lë kurrë në baltë Republikën Sërpska”.
“Mirëpo, kërkesa ime është që të tentoni t’i zgjidhni problemet në paqe dhe me negociata, dhe në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit”, ka thënë ai.
Sipas tij, deklarata e miratuar të shtunën bën fjalë për perspektivën evropiane, por edhe për ruajtjen e miqësive tradicionale.
Dodik ka thënë se 15 shkurti, që shënon Ditën e Shtetësisë së Serbisë, do të shënohet si ditë e veçantë edhe në Republikën Sërpska.
Ai ka shtuar se “ne do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar ndaj faktit që Republika Sërpska është krijuar më 9 janar, dhe ne ashtu do ta festojnë krijimin e saj”.
“Republika Sërpka është e kënaqur me autonominë që ka pranuar përmes Marrëveshjes së Dejtonit, mirëpo kjo është vënë në pikëpyetje. Bosnja dhe Hercegovina nuk mund të vazhdojë të shkelë Dejtonin, është më mirë të jetojmë si fqinj të mirë, sesa përherë të jemi duke u grindur”, ka thënë Dodik.
Ai ka thënë se populli serb dëshiron paqe.
Dodik e ka përshkruar deklaratën e së shtunës si dokument historik për interesat kombëtare të serbëve.
“Kjo deklaratë jep përgjigje për shumë sfida, rreth asaj se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen”, ka thënë ai.
Kuvendi po mbahet në kohën e forcimit të retorikës së autoriteteve në pushtet për “rrezikimin e popullit serb”, për shkak të miratimit në Kombet e Bashkuara të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, e cila u kundërshtua nga Beogradi dhe Banjalluka.
Serbia loboi kundër miratimit të rezolutës, sepse Beogradi zyrtar, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, nuk e njeh gjenocidin në Srebrenicë dhe përdor cilësimin “krim i tmerrshëm”.
Rezoluta, e cila shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, u miratua më 23 maj.
Fillimisht, kuvendi ishte paraparë të mbahej më 5 dhe 6 maj, në dy festat fetare, Pashkë dhe Shën Gjergji.
Por, Dodik kërkoi të shtyhej mbajtja, pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën. Në Srebrenicë, pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë mbi 8.000 burra e djem boshnjakë, në korrik të vitit 1995.
Në Beograd po qëndrojnë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve të Kosovës.
Nisja e Kuvendit
Kuvendi ka nisur me lutje të Kishën e Shën Savës, më të madhen kishë ortodokse në Serbi, nën drejtimin e patriarkut Porfirije.
“Jemi mbledhur për t’iu lutur Zotit për unitet dhe unitet të njerëzve tanë, si dhe për paqe mes të gjithë njerëzve dhe të gjitha kombeve”, ka thënë Porfirije.
“Nuk jemi kundër askujt, mirëpo jemi këtu për të mirën tonë, dhe për të mirën e të gjithë atyre që jetojnë me ne dhe rreth nesh”.
Ai ka bërë thirrje për unitet dhe harmoni, por edhe për ndërtim të paqes me të gjithë.
Prej aty, pjesëmarrësit kanë shkuar në Pallatin e Serbisë, ku mbahen takimet mes Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Sërpska.
Vuciq ka thënë përmes një postimi në Instagram se vëmendje e posaçme do t’i dedikohet edhe përparimit ekonomik, projekteve të interesit të përbashkët dhe thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit.
“Ne do të vazhdojmë të avokojmë për ruajtje të paqes, stabilitetit dhe identitet kombëtar, kulturor dhe fetar”, ka thënë ai.
Shënimi qendror i manifestimit do të jetë në Sheshin qendror të Republikës, me 48 ansamble folklorike dhe 2.500 valltarë.
Ngjarja përfundon në mbrëmje, me fishekzjarrë nga Parku i Republikës Sërpska.
Pse nevojitej Kuvendi?
Kuvendet, si mënyrë për të marrë vendime, praktikoheshin në kohët e hershme.
Ky model i vjetër popullor-kishtar i vendimmarrjes, i cili e ka origjinën nga mesjeta, tashmë është rikthyer në skenë nga Vuçiqi dhe Dodiku.
Marko Millosavleviq nga Iniciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë se në këtë mënyrë po rrumbullakohet koncepti i “botës serbe”.
“Qytetarëve të kombësisë serbe, si në Serbi ashtu edhe në Bosnje e Hercegovinë, u është paraqitur përkatësia etnike e tyre si identiteti më i rëndësishëm, e jo të drejtat dhe liritë e tyre civile, të cilat këtu lihen anash”, vlerësoi ai.
Ideja e një “bote serbe” u proklamua nga nënkryetari pro-rus i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, kur ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa presidenti i Serbisë, Vuçiq, mohoi se një gjë e tillë është politikë zyrtare.
Duke komentuar mbajtjen e kuvendit, Millosavleviq thotë se përmes aktiviteteve të kësaj ngjarjeje shihet roli i madh i Kishës Ortodokse serbe, por jo në mënyrën që e lejon Kushtetuta e Serbisë.
“Përkundrazi, ne po shohim një shkelje flagrante të parimit të laicitetit”, tha Millosavleviq.
Duke vënë në dukje se bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik është legjitim, ai thotë se shpallja e deklaratës shkakton “dyshim, madje edhe një lloj frike”, veçanërisht ndaj popujve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Para kuvendit, Dodik u takua me Putinin
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, më 7 qershor, pritën zyrtarët e Republikës Sërpska në vendkalimin Raça e Sremit (Sremska Raça).
Millorad Dodik, president i Republikës Sërpska arriti në kuvend pas një takimi tjetër me liderin rus Vladimir Putin, me të cilin foli në Shën Petersburg.
Dodik, udhëheqës pro-rus i serbëve në Bosnje e Hercegovinë, i cili është nën sanksionet amerikane dhe britanike, falënderoi Putinin që Rusia nuk votoi Rezolutën për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Putin theksoi se Rusia nuk po e ndryshon qëndrimin e saj në lidhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe tha se “Dejtoni është baza për ruajtjen e situatës në Bosnje e Hercegovinë, por edhe për zhvillimin”.
Dodik u takua me Putinin në momentin e krizës më të re politike në Bosnje e Hercegovinë, e shkaktuar nga lëvizjet e autoriteteve të entitetit të Bosnje e Hercegovinës – Republikës Sërpska – pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën.
Më 30 maj, Qeveria e Republikës Sërpska caktoi një grup pune me qëllim të hartimit të një propozimi për një marrëveshje mbi “ndarjen paqësore” në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në prag të kuvendit, Dodik njoftoi se do të kërkonte mbështetjen e Serbisë në lidhje me “ndarjen” e Republikës Sërpska dhe Federatës së Bosnje e Hercegovinës.
Lidhur me këtë, Vuçiq është përgjigjur se “nuk mund” të komentojë nismën e ndarjes dhe se qëndrimi i Serbisë është respektimi i Marrëveshjes së Dejtonit.
Një përpjekje për t’u shkëputur do të ishte shkelje e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, me të cilat është përcaktuar statusi i dy entiteteve.
Zyrtarët e Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, kanë arritur të premten në Serbi, pak para organizimit të Këshillit Gjithëkombëtar Serb, që do të mbahet më 7 dhe 8 qershor në Beograd.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten para mediave se ky është “demostrim i madh”, përmes së cilit Serbia dëshiron të tregojë “jo vetëm unitet në pikëpamje, por edhe unitet në vendosmërinë për të mos fshehur përkatësinë e të njëjtit popull”.
“Sa i përket Republikës Sërpska, ne duam të tregojmë respekt për Marrëveshjen e Dejtonit, për Serbinë dhe Republikën Sërpska, neutralitetin ushtarak dhe shumë parime tjera”.
Është paralajmëruar edhe mbajtja e një takimi qeveritar në të cilin pritet të miratohet Deklarata për mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe politike, si dhe për mbrojtje të së adhmes së popullit serb.
Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale në Qeverinë e Serbisë, Nemanja Staroviq, ka thënë më 7 qershor, në një paraqitje televizive se, deklarata do të respektojë Marrëveshjen e Dejtonit, Kushtetutën e Bosnje-Hercegovinës, “sovranitetin e shtetit fqinj, mirëpo edhe sovranitetin dhe integritetin e Republikës Sërpska brenda Bosnje-Hercegovinës”.
Një ditë më parë, Këshilli Gjithëkombëtar Serb dhe Qeveria e Serbisë kanë miratuar protokolle dhe memorandum bashkëpunimi me Qeverinë e Republikës Sërpska.
Fillimisht organizimi ishte planifikuar të zhvillohej më 5 dhe 6 maj, mirëpo presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i ka kërkuar presidentit Vuçiq që takimi të mbahet pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Rezoluta është miratuar më 23 maj dhe shpall 11 Korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës.
Serbia ka lobuar kundër miratimit të rezolutës, sepse Beogradi zyrtar nuk e njeh gjenocidin në Srebrenicë, por e konsiderohen vetëm si “krim të tmerrshëm”.
Më 30 maj, pas takimit me Dodikun, Vuçiq ka thënë se uniteti i popullit serb “do të konfirmohet fuqishëm” në Parlament.
Dodik ka thënë në një konferencë për media më 23 maj se do të kërkojë mbështetjen e udhëheqjes së Serbisë lidhur me “shkëputjen e Republikës Sërpska nga Federata e Bosnje e Hercegovinës”.
Një ditë më vonë, Vuçiq ka thënë se “nuk mund” të komentoj për këtë iniciativë, dhe që paqja duhet të ruhet “me çdo çmim”.
Më 30 maj, Qeveria e Republikës Sërpska e ka emëruar një grup punues, me qëllim të hartimit të një propozimi për një marrëveshje për “shkëputje paqësore” në Bosnje-Hercegovinë.
Tentime për ndarje të tilla në Bosnje-Hercegovinë përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit dhe Kushtetutës së shtetit. REL
Me 34% të votave, një sondazh i kompanisë Intervieë për gazetën Politike në Greqi ka nxjerrë “Demokracinë e Re” të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis fituese, 48 orë përpara zgjedhjeve evropiane të së dielës.
Akoma më e thellë është përqindja kur pyetja bëhet për personazhin që është më i përshtatshëm për kryeministër, pasi Kyriakos Mitsotakis del i pari me 40%, i ndjekur nga kreu i SYRIZA, Stefanos Kasselakis me 17% dhe Nikos Androulakis me 7%.
E frikshme është diferenca e Demokracisë së Re me SYRIZA, me partinë më të madhe opozitare në Greqi që e ndjek me 18%. Në vendin e tretë sipas sondazhit do të renditet PASOK me 13%.
I njëjti sondazh ka përllogaritur edhe votën për secilin prej kandidatëve për eurodeputetë të Demokracisë së Re dhe SYRIZA-s dhe befasi përbën emri i Fredi Belerit.
I përzgjedhur nga Mitsotakis si kandidat pasi u dënua në Shqipëri për shitblerje votash, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës renditet i dyti me 30.7% dhe shanset që ai të jetë eurodeputet grek në Parlamentin e ri europian janë relativisht të larta.
Një tjetër emër i minoritetit grek në Shqipëri del fitues sipas sondazhit. Ish-peshëngritësi, njëherësh kampioni olimpik për helenët, Pirro Dhima është i 9 me 15.7% dhe i fundit që kalon pragun për eurodeputet. /A2
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar sot kompaninë turke që bën prodhimin e dronëve luftarak Bayraktar TB-2.
“Sot, në ambientet e kompanisë, u mirëprita nga vëllezërit, Bayraktar, Haluk dhe Selçuk. Haluk mban medaljen “Shërbim të Shquar”, që njëherësh është edhe mirënjohja më e lartë ushtarake në vendin tonë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Kurti në Facebook.
Ai thotë se aty ka parë nga afër dhe prototipin e fluturakes luftarake pa pilot të kësaj kompanie, Kizilelma.
Bayraktar është kompani pionere turke në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit
Ajo është kompania e parë turke që ka prodhuar fluturake ushtarake pa pilot apo dronë, siç njihen.
Deri tani është e njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e dronëve Bayraktar TB-2, të cilët i ka në arsenalin e saj edhe ushtria e jonë. sn
Michael Roth, Kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme i Bundestagut dhe ish-Ministër për Evropë i Gjermanisë në një intervistë për gazetën e Malit të Zi “Pobjeda” ka thënë se është i shqetësuar për lidhjet e ngushta të disa politikanëve malazez me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Sipas Roth, Vuçiq e ka dëshmuar që është një partner jo i besueshëm për rajonin. Aleanca të tilla, sipas tij, i minojnë aspiratat evropiane të Malit të Zi.
“Është shqetësuese kur politikanë malazezë janë në lidhje ngushta me një lider që ka dëshmuar të jetë një partner jo i besueshëm për BE-në dhe rajonin. Aleanca të tilla mund të minojnë aspiratat evropiane të Malit të Zi. Udhëheqësit e vendit duhet të kenë prioritet angazhimin e tyre ndaj vlerave dhe parimeve demokratike të BE-së për të qëndruar në rrugën e duhur. Vendi tani ka një shans real për të kapërcyer ndarjet, qofshin ato etnike, fetare apo politike, në një përpjekje të përbashkët për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian – ky shans është unik dhe i ndjeshëm ndaj kohës dhe nuk duhet të minohet” ka theksuar deputeti.
Duke folur për rolin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe konstatimet se ajo është nën ndikimin e drejtëpërdrejtë të Vuçiq dhe si një ekzekutuese i influences ruse Roth thotë se është i shqetësuar për këtë.
“Unë e kuptoj dhe e respektoj plotësisht që shumë qytetarë të Malit të Zi e gjejnë shtëpinë e tyre shpirtërore në Kishën Ortodokse Serbe; kjo është një çështje e lirisë fetare, një e drejtë themelore e njeriut. Megjithatë, jam thellësisht i shqetësuar për ndikimin politik të Kishës Ortodokse Serbe, veçanërisht përfshirjen e saj në sistemin arsimor të Malit të Zi dhe ndikimin e saj tek të rinjtë. Në këtë kuptim, roli i Kishës në Mal të Zi është shqetësues. Jam dakord me vlerësimin e Parlamentit Evropian se Kisha Ortodokse Serbe vepron si një kanal i ndikimit rus dhe se paraqet një kërcënim për integrimin evropian të Malit të Zi”. bw
Në Ulqin u përuruan dy veprat e njohura të studiuesit Ismail Doda “Balada Popullore të shqiptarëve në Malin e Zi”, të cilat vlerësohen si krijimet popullore më interesante në folklorin shqiptar.
Studiuesi Agron Xhagolli, vuri në dukje, rëndësinë e regjistrimit të baladave ndër shqiptarët në Malin e Zi që, sipas tij, paraqesin një punë studimore në nivel përgjithësues.
“Dr.Doda si njohës i mirë i të folurës së shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi ka ditur që me kujdes dhe vëmendje të regjistrojë si një mbledhës serioz lëndën folklorike duke respektuar parimin fonetik. Vlerat e këtij botimi nuk kanë të bëjnë vetëm me cilësinë dhe vlerat e baladave të përfshira. Lënda e renditur është e përfshirë në dy ndarje të mëdha: balada legjendare dhe balada realiste dhe me grupime të shumët brenda tyre “, tha zoti Xhagolli.
Analisti dhe kritiku i artit, Qazim Muja këto balada i quan vepra të artit, jo vetëm për shqiptarët në rajon, por për tërë njerëzimin me një funksion të veçantë letrarë dhe artistik, të cilat, siç tha ai, duhet të ruhen dhe të mbrohen në mënyrë të veçantë.
“Poezia popullore, qoftë ajo epike apo lirike meriton vëmendje të veçantë për shkak të karakterit të veçantë. Ajo historikisht është më e rrezikuar karshi ndryshimeve dhe zhdukjeve. Në fakt ajo nuk shfaqet gjithmonë dhe gjithkund, nuk gjendet tek të gjitha kombet, por vetëm tek disa popuj siç është rasti i tej theksuar në letërsinë popullit tonë dhe për ruajtjen e mirëmbajtjen e saj kërkohen kushte të veçanta socio historike”, tha zot Muja.
Në këtë kuadër zoti Xhagolli, vuri në dukje, rëndësinë e këtyre veprave, të cilat do të jenë një ndihmesë dokumentuese për folkloristikën shqiptare.
“Vëllimi i baladave është një ndihmesë dokumentuese për folkloristikën shqiptare në përgjithësi. Bibliotekat tona me botimin e këtij vëllimi do të pasurohen me një vlerë të cilësuar me shumë interes,” tha studiuesi Xhagolli.
Studiuesi dhe mbledhësi i folklorit Ismail Doda përkujtoj punën e gjatë dhe të mundimshme si në shkollimin ashtu edhe në mbledhjen e lëndës folklorike (INC)
“I takoj asaj gjenerate të dënuar që nuk guxonim të mësonim në gjuhën shqipe dhe kur janë pjekur kushtet unë u ktheva në vendin tim si bleta dhe duke studiuar në Prishtinë”, tha autori Doada
Studiuesit vlerësojnë se këto botime janë vepra unike që hyjnë në fondin e veçantë të folklorit të popullit shqiptar, shprehur në të folmen e gegërishtes dhe si të tilla fitojnë përjetësinë në antropologjinë kulturore shqiptare.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë ka thënë të premten se propozimi i Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’u ndarë nga Bosnja e Hercegovina është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe se një gjë e tillë “nuk do të nënkuptonte pavarësi, por fund për Republikën Sërpska”.
Të enjten, Qeveria e RS-së tha se në 30 ditët e ardhshme ajo do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.Ambasada amerikane tha se ky propozim nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe se “e vë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës”.
“Këto janë interesa thelbësore të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara do t’i mbrojnë dhe ruajnë ato, mes tjerash, duke i mbajtur përgjegjës ata të cilët i rrezikojnë ato”, thuhet në komunikatë, shkruan REL.
Ajo e akuzoi Millorad Dodikun, presidentin nacionalist të Republikës Sërpska dhe Qeverinë e RS-së, se u përpoqën ta arsyetojnë këtë vendim bazuar në “gënjeshtra dhe dezinformata, me qëllim për ta frikësuar popullin në Republikën Sërpska, që t’i mbështesin ata në këtë rrugë të rrezikshme”.
“Faktet janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Nuk ka konspiracion ndërkombëtar për ta ndarë RS-në dhe Dodik, nuk mund ta gjejë asnjë deklaratë ku një zyrtar amerikan bën thirrje për shuarjen e RS-së”, thuhet tutje në komunikatë.
Ajo e bëri të qartë se, sipas Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe Kushtetutës së Bosnjës, Bosnja e Hercegovina (BeH) është trashëgimtare e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.
“Kushtetuta e BeH nuk u jep të drejtë entiteteve apo njësive nënshtetërore për ndarje apo shkëputje”. RS-ja mund të ekzistojnë vetëm brenda BeH.”
Veprimet e Dodikut, sipas Ambasadës, e rrezikojnë të ardhmen brenda institucioneve euroatlantike që populli i Bosnjës, përfshirë RS-së, e duan.
Presidenti kinez Xi Jinping është pritur ngrohtë nga udhëheqja dhe populli serb gjatë vizitës në Beograd. Pas takimeve me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç u njoftua për arritjen e 29 marrëveshjeve për të ndërtuar “të ardhme të përbashkët”, megjithëse nuk u dhanë detaje për këtë. Presidenti kinez gjithashtu tha se kur është fjala për Kosovën, Pekini përkrah qëndrimin serb për të ruajtur “sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”.
“Një miqësi e çeliktë” ishte fjalia që u përsërit disa herë për të përshkruar marrëdhëniet në mes të Kinës dhe Serbisë gjatë takimeve të Presidentit kinez, Xi Jinping dhe homologut serb, Aleksandar Vuçiç.
“E kam parë nga afër se populli serb është një mik i çeliktë. Ju jeni miqtë më të mirë të Kinës dhe popullit kinez”, tha Presidenti Xi para se të fillonte takimin me udhëheqjen serbe.
Pas takimit, udhëheqësi kinez dhe ai serb dolën në ballkonin e Pallatit Serbia për të përshëndetur mijëra njerëz që ishin sjellë me autobusë të veçantë për të përshëndetur udhëheqësin kinez.
“Rroftë miqësia e çeliktë në mes të Serbisë dhe Kinës. Ju lus për duartrokitjen më të madhe për Presidentin Xi”, tha Presidenti Vuçiç.
Përtej deklaratave për miqësi të hekurt, të dy udhëheqësit njoftuan se do të “thellojnë partneritetin gjithëpërfshirës strategjik midis dy vendeve” dhe “do të ndërtojnë një epokë të re me një të ardhme të përbashkët midis Kinës dhe Serbisë”.
“Ne po kalojmë në një komunitet që flet për të ardhmen e përbashkët të dy vendeve tona. Ky është niveli më i lartë i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe jam krenar që sot, si President i Serbisë, nënshkruaj një deklaratë të tillë me presidentin Xi”, tha zoti Vuçiç pas takimit.
Kjo e bën vendin ballkanik të parin në Evropë që ka rënë dakord për një dokument të tillë me Pekinin, megjithëse përmbajtja e marrëveshjes nuk u sqarua në detaje, kjo ka pak gjasa t’i pëlqejë Bashkimit Evropian që i ka dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në bllokun evropian.
Vitin e kaluar Kina dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për tregëti të lirë, e cila siç tha Presidenti Xi sot, do të fillojë të zbatohet në korrik.
“Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Kinë-Serbi do të hyjë zyrtarisht në fuqi më 1 korrik të këtij viti”.
Marrëveshja për tregti të lirë, nuk është në përputhje me kushtet e BE-së për anëtarësim. Serbia zyrtarisht dëshiron të bashkohet me bllokun 27-vendesh, megjithatë ajo është larguar vazhdimisht nga kjo rrugë. Kina ka derdhur miliarda dollarë në Serbi në formë investimesh dhe kredish, veçanërisht në miniera dhe infrastrukturë.
Të dy vendet nënshkruan sot 29 marrëveshje, që nga zgjerimi i artikujve bujqësorë serbë që do të importohen në Kinë, tek nisja e fluturimeve të drejtpërdrejta nga Beogradi për në Shangai dhe më pas edhe në Guangzhou.
Kritikët thonë se Serbia mund të shërbejë si një kalë troje kinez dhe si portë hyrëse e Pekinit në Evropë.
Presidenti Xi mbërriti në Serbi në një datë simbolike, 25 vjetorin e bombardimit të Ambasadës Kineze në Beograd nga NATO-ja gjatë luftës së Kosovës, kur u vranë tre shtetas kinezë.
Incidenti ka ndihmuar në krijimin e lidhjeve të ngushta politike midis Kinës dhe Serbisë duke mbajtur qëndrim të ngjajshëm edhe për Kosovën. Kjo u bë e qartë sërish në Beograd.
“Kina mbështet përpjekjet e Serbisë për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial, për çështjen e Kosovës”, tha Presidenti kinez.
Sot, gjatë një konference shtypi, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se vizita e Presidentit Xi synon të rrisë tensionet mes Serbisë dhe Perëndimit.
“Unë mendoj se kjo vizitë po bëhet për të rritur tensionet në mes të Serbisë dhe Perëndimit dhe kjo vizitë nuk ndihmon. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se bombardimi i ambasadës kineze në vitin 1999 ishte një aksident. Ne kemi kërkuar falje dhe besoj se edhe kemi paguar dëmshpërblim për familjet e viktimave. Vizita fatkeqësisht bëhet qëllimisht të përkojë me këtë ditë”, tha zoti Escobar.
Presidenti i Kinës e filloi vizitën në Evropë me takimet në Paris me Presidentin Emmanuel Macron dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Urusula von der Leyen, ku temat kryesore ishin tregtia dhe lufta e Rusisë në Ukrainë. Nga Beogradi, Presidenti Xi udhëton për në Hungari të mërkurën në mbrëmje. Ashtu si Serbia, Budapesti shihet si një nga partnerët më miqësorë të Kinës në Evropë.
Vizita e Presidentit Xi Jinping të martën, në Serbi, një vend aleat i Kinës në Evropë, bëhet në një ditë simbolike, 25 vjetorin e bombardimit të ambasadës së Kinës në Beograd në kohën e fushatës ajrore të NATO-s gjatë luftës në Kosovë.
Avionët amerikanë hodhën 5 bomba në ambasadën e Kinës në kryeqytetin serb në 7 maj të 1999. Ndërtesa u përfshi nga flakët, tre shtetas kinezë humbën jetën, 20 persona të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e ngjarjes, e cila, që atëherë, ka rënduar në marrëdhëniet mes dy fuqive.
Presidenti Xi iu referua bombardimeve në një artikull të botuar në gazetën serbe “Politika” të martën, duke shkruar se “nuk duhet të harrojmë se 25 vjet më parë, NATO-ja haptazi bombardoi ambasadën e Kinës në Jugosllavi”, sipas përkthimit të publikuar në median shtetërore kineze.
“Populli kinez e vlerëson paqen, por nuk do të lejojë më kurrë që të ndodhin përsëri tragjedi të tilla”, shtoi ai.
Aleaca ushtarake perëndimore kishte nisur ndërhyrjen ajrore në mars të atij viti për të detyruar Slobodan Milosheviçin që t’i jepte fund spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës.
Aso kohe, Shtetet e Bashkuara kërkuan ndjesë dhe thanë se bombardimi ndaj ambasadës ishte një gabim që ndodhi për shkak të të dhënave të pasakta të shërbimeve inteligjente. Uashingtoni tha se bombardimet kishin si objektiv godinën kryesore të eksportuesit shtetëror serb të armëve, që gjendej në të njëjtën rrugë, në një distancë të afërt me ambasadën.
“Imagjinoni nëse dikush, edhe gabimisht, godet ambasadën amerikane, një nga selitë e saj kudo nëpër botë. Reagimi do të ishte i menjëhershëm”, thotë Sven Biscop, profesor mbi politikat e jashtme dhe të sigurisë evropiane në Universitetin “Ghent” dhe Institutin “Egmont”. “Ndaj, për një vend si Kina, është e qartë se kjo është diçka e madhe. Dhe sigurisht që nuk është harruar”.
Ngjarja shkaktoi zemërim tek qytetarët kinezë dhe nxiti ndjenjat anti-amerikane dhe spekulimet se sulmi ishte i qëllimshëm dhe jo një gabim. Mosbesimi lidhur me incidentin vazhdon edhe sot e kësaj dite. “Ka të ngjarë të mos e dimë kurrë përfundimisht se cila është e vërteta”, tha zoti Biscop. “Por një gjë është e sigurtë. Në luftë, incidente të tilla ndodhin dhe unë zakonisht kam prirjen të anoj nga shpjegimi më i thjeshtë se sa të shpik teori të ndërlikuara”.
Bombardimi shkaktoi tendosje të marrëdhënieve të Pekinit me Shtetet e Bashkuara dhe afroi marrëdhëniet mes Kinës dhe Serbisë. Kina është investitori më i madh i huaj në Serbi dhe partneri i dytë tregtar më i madh pas Bashkimit Europian. Pekini e kundërshtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s dhe që atëherë ka mbështetur synimet e Beogradit për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, të mbështetur nga Perëndimi. Në këmbim, Serbia ka qenë një një aleat besnik i Pekinit dhe u ka hapur dyert, pa kufizime, investimeve kineze prej miliarda dollarësh, edhe pse formalisht kërkon anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Miqësia mes popullit kinez dhe serb do të na frymëzojë të vazhdojmë përpara. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me miqtë tanë serbë për synimet tona, për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit drejt përparimit, për të shkruar një kapitull të ri në zhvillimin dhe rijetësimin kombëtar dhe drejt ndërtimit të një komunitet kinezo-serb me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, në këtë epokë të re”, shkruante Presidenti Xi.
Sinjalet e mbështetjes së Kinës ishin qartësisht të dukshme para vizitës së Presidentit Xi, të martën dhe të mërkurën. Në Beograd, flamuj të mëdhenj kinezë ishin vënë në muret e godinave të larta si edhe në aksin rrugor që lidh aeroportin me kryeqytetin. Pas vizitës në Serbi, Presidenti Xi do të udhëtojë drejt Hungarisë. Ai pritet të vizitojë vendin e ish-ambasadës kineze dhe të nderojë viktimat e bombardimeve. Aty ku ndodhej ambasada tani gjendet një qendër kulturore kineze. Kompleksi i gjerë thuhet se përfshin një Institutin “Konfuci”, ekspozita, zyra, hapësira banimi dhe një hotel. Ai shihet si simbol i ndikimit në rritje të Kinës në Serbi dhe në mbarë Evropën.
Politikani serb Boban Bogdanoviç, i larguar nga vendi i tij, siç thotë ai, për çështje sigurie bëri një koment në rrjetin X, se Serbia është duke organizuar një tjetër sulm në veri të Kosovës. Ai pretendon se informacionin e ka nga “burime 100% të sakta”. Sipas tij, qëllimi është “shkëputja” e atyre zonave nga Republika e Kosovës duke ia bashkuar Serbisë.
Ai pretendon se sulmi do të kryhet diku “gjatë vjeshtës”. I kontaktuar nga Gazeta Nacionale ai tha se burimet e tij “janë po ata të njëjtët” që sipas tij e kishin paralajmëruar për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar; për të cilin thotë se e kishte paralajmëruar “që përpara sulmit” në një seri komentesh në rrjetet sociale bashkë me thirrjet që Republika e Kosovës të shpallte Listën Serbe si organizatë të jashtëligjshme dhe terroriste.
Bogdanoviq thotë se qeveria e re serbe e sapovotuar “është qeveri dhe kabinet i luftës”; dhe se është po ajo kastë politike e përgatitur për këtë mësymje të veriut të Kosovës. Politikani kontrovers serb pretendon se disa qindra terroristë paramilitarë serbe janë futur ndërkohë në veri dhe po qëndrojnë në gjendje pasive, por mund të aktivizohen “diku nga vjeshta” dhe të nisin sulme edhe ndaj vetë KFOR-it.
Më pas thotë se mund të ndërhyjnë “1 mijë njësi speciale paramilitare” nga territori i Serbisë. Vlen të thuhet se ai nuk jep ndonjë provë për të mbështetur pretendimet e tij.
“Po, ky është plani. Banjska ishte vetëm të tregonin se çfarë mund të bëjnë” – ka thënë ai. Në një konferencë për media më 23 dhjetor të vitit të kaluar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti foli për një rigrupim të forcave paramilitare të Millan Radojçiqit në Kopaonik, nga ku kishte informacione se “po përgatisin sulme të reja ndaj Kosovës”./ lapsi.al/
Kuvendi i Serbisë zgjodhi Qeverinë e re serbe. Bashkë me kryeministrin e ri Millosh Vuçeviq, janë betuar 31 anëtarë të Qeverisë. Kryeministri Millosh Vuçeviq tha se qeveria e tij do të vazhdojë rrugën e neutralitetit.
Por Jakub Bielamowicz, analist i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re, tha se kabineti i ri përfshin dy palë të vijës së ashpër të sanksionuar nga SHBA, Vulin dhe Popoviq, dhe një numër figurash thellësisht të komprometuara, shkruan RTK.
“Serbia ka një qeveri të re të udhëhequr nga Millosh Vuçeviq. Kryeministri i ri zotohet të “mbajë Kosovën brenda Serbisë” dhe të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kabineti i ri përfshin dy palë të vijës së ashpër të sanksionuar nga SHBA, Vulin & Popovic, dhe një numër figurash thellësisht të komprometuara”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.sn
Pas fushatës së çarmatimit në Serbi, numri i armëve legale u zvogëlua me 190.000 copë. Por në qarkullim kanë mbetur edhe shumë armë të tjera ilegale.
“Ne të gjithë e dimë se të gjithë kemi armë, por askush nuk do t’jua pranojë këtë”, thotë për DW Ivan M.* (38) nga Novi Sadi. Familja e tij nuk dëshiron të flasë se çfarë lloj arme posedon.
Ivona R.* (40), një grua nga Novi Sadi, gjithashtu pranon se ka një armë që e ka trashëguar nga babai i saj i ndjerë. Edhe Goran P.* (59), nga një qytet i vogël në Vojvodina, ka pasur një armë, siç thotë ai, pothuajse gjithë jetën. Ata të gjithë bëjnë jetë të qetë. Siguria e tyre nuk është në rrezik. Por posedimi i armëve në Serbi nuk është rezultat i një kërcënimi real të sigurisë, është një çështje e traditës.
“Vlerësohet se civilët tanë janë shumë më mirë të armatosur se policia,” tha për DW ekspertja e sigurisë Branislava Kostiq, që shihet në dasmat tona, festimet dhe të ngjashme.
Këtë e vërtetojnë vlerësimet e projektit hulumtues zviceran “Small Arms Survey” nga viti 2018, sipas të cilit, Serbiaështë e treta në botë për sa i përket armatimit civil – pak pas Jemenit dhe SHBA-së me mbi 39 armë të lehta për çdo njëqind banorë, që është tre herë e gjysmë më shumë se të dhënat zyrtare të shtetit.
Me bombë në treg
Mirëpo, kur në majin e kaluar ndodhën dy vrasje masive, ku mbetën të vrarë 17 persona dhe u plagosën 21 të tjerë, u duk se për një moment ndryshoi disponimi ndaj armëve. Shteti miratoi një sërë masash që shpallnin çarmatimin në shkallë të gjerë të Serbisë.
Një aksion dy mujor gjatë të cilit qytetarët u ftuan të dorëzojnë armët pa pasoja dhe pa përgjegjësi penale, ka rezultuar në dorëzimin e 82.398 armëve të zjarrit, 4.243.139 copë municion dhe 26.485 mjete shpërthyese. Ministria deklaroi se ishte aksioni më i suksesshëm i kryer ndonjëherë.
“Ajo që nuk ishte mirë, ishte mënyra se si janë sjellë ato armë, sepse kemi informacione se njerëzit kanë bartur bomba në transportin publik. Duhej organizuar në një mënyrë më të sigurt, që ekspertët të merrnin armët”, shpjegon për DW, Marina Kostiq Shulejiq nga Shoqata Profesionale e Sektorit të Sigurisë.
Gjatë fushatës, qytetarët paraqitën një sërë situatash absurde në rrjetet sociale, duke treguar se si mbanin pistoleta në çantat e tyre, më pas rrugës për në punë apo pasi bënin pazar në treg, ndaloheshin në polici për të lënë armët. Ata dëshmuan gjithashtu se kanë pritur në radhë para sportelit të policisë për një orë e gjysmë së bashku me shtetas të tjerë të “armatosur”.
“Problemi i dytë është se ato armë nuk ruhen në mënyrë të sigurtë pasi janë pranuar në stacionet e policisë”, shton Branislava Kostiq për armët që nuk janë përditësuar, të renditura, të regjistruara.
Polici vodhi 272 pistoleta
Një nga shembujt e neglizhencës është rasti i një polici nga Nishi, i cili vodhi 272 pistoleta të cilat ishin dorëzuar në stacion gjatë operacionit. Siç shkruan mediat vendase, informacionet fillestare ishin se mungonin 63 pistoleta, ndaj për shkak të të dhënave të dobëta, ka pasur një proces të gjatë tenderimi se sa pistoleta janë vjedhur në të vërtetë.
Abuzimet janë të mundshme, sepse aksioni është kryer papritur dhe pa procedura të hollësishme se çfarë të bëhet me armët e grumbulluara, beson Marina Kostiq Shulejiq. Prandaj shoqata e saj i bën thirrje MPB-së: “Nuk kemi informacione nëse ato armatime janë shkatërruar apo janë ruajtur diku apo ndoshta janë shitur dhe shpërndarë diku tjetër. Ne thjesht nuk e dimë se çfarë ndodhi me kaq shumë armë të mbledhura”.
Nuk ia vlen
Bashkëbiseduesit tanë nuk ia dorëzuan armët policisë, por për këtë arsye policia iu foli në procesin e rishikimit të lejeve për mbajtjen e armëve. Goran P.* thotë se përvojat e tij me policinë kanë qenë shumë të këndshme.
“Ata erdhën, shpjeguan gjithçka bukur dhe më doli që do të duhej të paguaja rreth 200 euro për ta mbajtur armën”, thotë Gorani. “Prandaj ua kam dorëzuar armën dhe do ta blej lehtësisht një tjetër ilegalisht”. Çfarë rëndësie ka”.
Ekspertet femra me të cilat biseduam nuk habiten nga një qëndrim i tillë. Branislava Kostiq thotë se përllogaritjet janë se numri i rasteve të tilla mund të shkojë deri në 80.000, sepse njerëzit nuk duan të paguajnë taksa, por duan të kenë armë.
Rezultatet e masave të qeverisë, të cilat tregojnë se nga 766.665 armë të regjistruara menjëherë pas vrasjes, ky numër ka rënë në 575.695 sot, pra mund të jenë vetëm maja e ajsbergut, sepse të gjitha argumentet e tjera mbështesin tezën se numri i armëve pa leje po rritet në të njëjtën kohë.
“Ne shohim edhe rritjen e numrit të armëve në rrugë, që do të thotë se ka më shumë të tilla në tregun ilegal”, thotë Kostiq Shuleji. Shumë armë po shkojnë në Ukrainë, kështu që mund të ndodhë që disa nga këto armë të kthehen prapë ilegalisht.”
Nuk ka ulje të dhunës në një shoqëri
Megjithatë, disa nga masat e shpallura nga qeveria pas vrasjeve masive nuk janë zbatuar. Hulumtimi i Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP) tregon se shteti ka hequr dorë nga shtrëngimi i kushteve për marrjen e armëve, si dhe nga futja e një kontrolli të detyrueshëm gjashtëmujor shëndetësor për personat e armatosur, pasi këto dy masa do të kërkojnë një ndryshim në Ligjin për Armë dhe Municion. Nga ana tjetër, ashpërsimi i paralajmëruar i dënimeve për armëmbajtje pa leje dhe futja e një vepre penale që do të dënonte këdo që lejon fëmijët të posedojnë armë, do të kërkonte ndryshime në Kodin Penal.
Pra, a ka lëvizur ndonjë gjë nga pozicioni fillestar? “Për pyetjen kulturore, evropiane nëse luftërat, por edhe këto vuajtje e tmerre që ndodhën, na kanë mësuar se sa probleme lidhen me armëmbajtjen, përgjigja është: Jo, sigurisht që jo. Grumbullimi i armëve tregoi se armët më së shpeshti i kthenin të moshuarit, jo të rinjtë, sepse kishin frikë për fëmijët dhe nipërit e tyre. Megjithatë, të rinjtë nuk kishin nevojë të kthenin armët”, thotë Branislava Kostiq.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur për pyetjen, nëse të dhënat statistikore tregojnë ulje të dhunës në shoqëri. Edhe një rishikim sipërfaqësor i faqeve të para të mediave tregon se dhuna e bashkëmoshatarëve nuk ndalet, se shkalla e lartë e femicideve vazhdon të regjistrohet, se kronika e zezë është përplot.
“Nuk mund të zgjidhet një formë e dhunës, derisa nuk zgjidhet problemi i një shoqërie që mbijeton me dhunë”, vlerëson Branislava Kostiq, “Njerëzit tashmë janë mësuar me faktin se kushdo që ka pushtet ka mundësi të shkelë të gjitha të drejtat tuaja. një nga karakteristikat e një shoqërie të dhunës. Padyshim që ne po bëhemi shoqëri e dhunës me shumë karakteristika, e një nga ato është se me kalimin e kohës njerëzit e pranojnë dhunën si normale”, përfundon Kostiq. dw
Mandatari për formimin e Qeverisë së Serbisë, Millosh Vuçeviq, propozoi të hënën emrat e ministrave të rinj në kabinet.
Siç paralajmëroi, Qeveria e tij do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.
Në pozitën e zëvendëskryeministrit do të rikthehet Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë.
Shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiq, deri më tash ministër i Policisë.
Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet Qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme.
Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviq, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol.
“Zavetnici” në Qeveri
Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, kryetare e partisë së djathtë, Zavetnici, do ta drejtojë Ministrinë për Përkujdesje Familjare.
Kjo parti, deri tani, ka vepruar në opozitë, por, pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, ka nisur bashkëpunim me Partinë Përparimtare Serbe, që ka pushtetin.
Si partnere e saj në koalicion, do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale në Serbi, që do të mbahen më 2 qershor.
Ministrat e rinj të Qeverisë serbe përfshijnë edhe ish-sekretarin shtetëror të Ministrisë së Mbrojtjes, Nemanja Staroviq, si ministër i Punës, Darko Gllishiqin si ministër për Investime Publike dhe Dejan Ristiqin si ministër për Informim.
Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë do të rikthehet Zllatibor Llonçar, i cili nuk e ka mbajtur këtë post në përbërjen e kaluar, ndërsa Ministrinë e Kulturës do ta marrë Nikolla Selakoviq.
Ministri i deritashëm i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviq, do ta drejtojë Ministrinë e Bujqësisë.
Ministre e re e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale do të jetë Jellena Zhariq Kovaçeviq, ndërsa Adrijana Mesaroviq do të jetë ministre e Ekonomisë.
Kush i mbajti ministritë?
Sinisha Malli mbetet në krye të Ministrisë së Financave, ashtu si edhe Irena Vujoviq në postin e ministres së Ekologjisë dhe Dubravka Gjedoviq Handanoviq si ministre e Minierave dhe Energjetikës.
Ministre e Drejtësisë mbetet Maja Popoviq dhe ministër i Ndërtimit mbetet Goran Vesiq. Tomisllav Momiroviq, po ashtu, ruan portofolin e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme.
Ministre për Integrime Evropiane mbetet Tanja Mishqeviq, ndërsa Sllavica Gjukiq Dejanoviq do të jetë sërish ministre e Arsimit.
Jellena Begoviq do të jetë ministre e Shkencës edhe në këtë përbërje, ndërsa Millan Kërkobabiq do të vazhdojë ta udhëheqë Ministrinë për Përkujdesje ndaj Fshatrave.
Udhëheqës i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve edhe në këtë mandat do të jetë Tomisllav Zhigmanov, ndërsa ministër i Sportit sërish Zoran Gajiq.
Husein Memiq, ndërkaq, mbetet në krye të Ministrisë së Turizmit dhe Rinisë.
Përveç Nenad Popoviqit, Qeveria e re serbe do t’i ketë edhe katër ministra të tjerë pa portofol. Ata janë: Novica Tonçev, Gjorgje Milliqeviq, Usame Zukorlliq dhe Tatjana Macura.
Tonçev dhe Milliqeviq, zyrtarë të Partisë Socialiste të Serbisë, ishin ministra pa portofol edhe në përbërjen e fundit të Qeverisë.
Ish-ministrja e Kulturës, Maja Gojkoviq, u propozua për kryetare të Qeverisë Krahinore të Vojvodinës.
Pjesëtarë të grupit Çakallët. Fotografia nga arkivi është shkëputur nga një video-incizim.
Ish-anëtari i Ushtrisë Jugosllave, Toplica Milladinoviq, u dënua me 20 vjet burgim për krime kundër shqiptarëve të Kosovës në fshatrat përreth Pejës më 1999.
Sipas njoftimit të publikuar në ueb-faqen e Gjykatës së Lartë në Beograd më 24 prill, edhe gjashtë ish-pjesëtar të Ushtrisë Jugisllave u dënuan me krime lufte. Predrag Vukoviq u dënua me 13 vjet burgim, Abullah Sokiq me 12, Sinisha Mishiq me pesë, ndërkaq Lazar Pavlloviq, Sllavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq u dënuan me nga dy vjet burgim secili.
Ndërkaq, Vellko Koriqanin dhe Millan Ivanoviq u liruan nga akuzat.
Sipas aktakuzës, ish-anëtarët e Detashmentit të 177-të të ushtrisë territoriale të Ushtrisë Jugosllave, (të njohur si “Çakallët”), morën pjesë në masakrat kundër shqiptarëve të Kosovës në fshatrat Zahaq, Lubeniq, Qyshk dhe Pavlan gjatë prillit dhe majit të vitit 1999.
Të pandehurit, siç u tha në aktakuzë, morën pjesë në vrasjet dhe në shkatërrimin e pronave të civilëve.
Prokurorët thanë se Toplica Milladinoviq si komandant i detashmentit, kishte urdhëruar dëbimin e civilëve shqiptarë dhe se ai kishte njohuri për vrasjet dhe vjedhjet gjatë zhvendosjes së dhunshme.
Në aktakuzë u tha se vrasjet u kryen në mënyrë mizore dhe tinëzare, teksa në shumicën e rasteve viktimat u qëlluan pas shpine. Më pas, shumica e trupave të viktimave u dogjën, në mënyrë që ata të mos mund të identifikoheshin.
Vendimi i Gjykatës së Lartë të Beogradit mund të apelohet.
Natasha Kandiq nga organizata joqeveritare, Fondi për të Drejtën Humanitare, pas vendimit se jeta e njeriut nuk është e rëndësishme.
“Ndjenja ime, pas 14 vjetësh që nga nisja e gjykimit për vrasjen e civilëve në Qyshk, Zahaq, Lubeniq dhe Pavlan, është se jeta e njeriut nuk është e rëndësishme në procedurat gjyqësore”, tha ajo përmes një deklarate të lëshuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Gjykimi për këtë rast nisi më 2010. Vendimi i parë ishte marrë më 2014, por Gjykata e Apelit e Serbisë e kishte shfuqizuar atë më 2015.REL
Kalimi kufitar i Batrovcit ku policia serbe i mbajti të bllokuar për më shumë se 20 orë udhëtarët nga Kosova, më 17 prill 2024.
Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd është e informuar për arrestimin në Serbi të shtetasit të saj Sadik Duraku, me origjinë nga Kosova.
Siç thanë për Radion Evropa e Lirë në Ambasadën britanike, ata janë në dijeni për arrestimin dhe po ofrojnë ndihmë konsullore.
Sadik Duraku nga Gjakova, Kosovë, i cili u arrestua në Serbi më 17 prill nën dyshimin se ka kryer krime lufte, është në paraburgim prej 30 ditësh, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe anëtarët e familjes së tij.
Sipas saj, Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Beograd ka vendosur më 19 prill që Sadik Durakut t’ia caktojë masën paraburgim prej 30 ditësh.
Sadik Duraku nga Kosova, i cili ka nënshtetësi britanike, është ndaluar më 17 prill në pikën kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë në Batrovci, ka konfirmuar MJPD-ja.
Pas arrestimit të tij, autoritetet serbe e informuan atë se Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte po e akuzon atë me akuza se ka kryer krime lufte gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, tha MJPD-ja.
Bazuar në vendimin e arrestit të Policisë në Kikindë të datës 17 prill, Duraku dyshohet se ka kryer veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”, dhe se dyshohet se “së bashku me persona të panjohur gjatë vitit 1999, në zonën e komunave së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur, ngacmuar fizikisht dhe mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”.
Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për arrestimin e Durakut.
Sipas vëllait të Sadikut, Avdylit, këto akuza nuk qëndrojnë pasi para luftës në vitin 1999, Sadik Duraku jetonte me familjen e tij në Angli. Avdyli, po ashtu, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja shëndetësore e vëllait të tij, Sadikut, është “e rëndë”, pasi ai ka dy stenta në zemër.
Avokati i tij mbrojtës ka konfirmuar se administrata e burgut ia ka ofruar terapinë e duhur gjatë paraburgimit, njoftoi MPJD-a.
Ministria bëri të ditur se përfaqësuesi i zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, ka dërguar kërkesë zyrtare në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për të marrë informacione rreth arsyeve të arrestimit të Sadik Durakut, si dhe detaje tjera relevante.
“Ambasadori Jashari ka komunikuar edhe me përfaqësitë diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, të cilat i ka njoftuar për rastin”, thuhet në njoftim.
Jashari u ka dërguar një kërkesë zyrtare autoriteteve serbe që në ditët në vijim t’i lejohet që ta vizitojë Sadik Durakun në paraburgim.
Më 17 prill, sipas autoriteteve të Kosovës, Serbia ka ndaluar mbi 1.400 qytetarë të Kosovës për më shumë se 20 orë në pikat kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë.
Qeveria e Kosovës i cilësoi këto veprime si hakmarrje të Serbisë për mbështetjen e dhënë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Serbia i ka mohuar këto akuza, duke thënë se vonesat janë shkaktuar nga masat shtesë të sigurisë në kufi dhe se lëvizja e qytetarëve të Kosovës “nuk është e kufizuar”.
Më pas, Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili zhvillohet përmes Bashkimit Evropian. Radio Evropa e Lirë
Një grua shqiptare nga Komuna e Preshevës, ka vdekur gjatë lindjes në Qendrën Shëndetësore në Vranjë.
Ngjarja ka ndodhur më 17 prill, ndërsa foshnja ka mbijetuar dhe është në gjendje të mirë, raporton Luginalajmi.
Por sipas medias lokale, vdekja e 37-vjeçares shqiptare M.A. nuk është raportuar në polici apo në prokurori nga mjekët kujdestar, por Prokuroria e Lartë Publike në Vranjë, ka nisur hetimet në bazë të shkrimeve në rrjetet sociale, e cila ditën e shtunë ka urdhëruar policinë që të kontrollojë Qendrën Shëndetësore të Vranjës.
‘Pas hetimeve, policia ka konfirmuar në Prokurori se autopsia e gruas në lindje është kërkuar që të zhvillohet në Institutin për Mjekësi Ligjore në Nish’ – thuhet në deklaratën e kryeprokurores publike, Danijela Trajkoviq.
Megjithatë, sipas mediave nga Vranja tanimë po përcaktohen rrethanat në të cilat ka vdekur lehonia shqiptare, ndërsa kontrolli i brendshëm, autopsia klinike dhe mjeko-ligjore ka përfunduar në Qendrën Shëndetësore në Vranjë.
Siç ka paralajmëruar drejtori, Sasha Gjorgjeviq, të hënën pritet ardhja e inspektorit shëndetësor në ketë institucion shëndetësor.sn
Ish-presidenti slloven Borut Pahor, i cili po synon pozitën që do ta lërë emisari Miroslav Lajçak në gusht, ka treguar pikëpamjen e tij se dialogu “ka ngecur për shkak të mungesës së besimit” dhe tha se ai ofron planin e tij për ta rikthyer besimin e tij.
I pyetur nga Kosovo Online se çfarë do të ndryshojë në dialog në rast se merr pozitën e synuar dhe ku e sheh zgjidhjen, Pahor është përgjigjur se nuk mund ta thotë këtë tani, por se është i interesuar për postin e të dërguarit special të BE-së.
“Nuk mund ta them këtë tani, derisa të fillojë procesi. Unë kam vendosur të shkoj në atë proces dhe pastaj, nëse e pranojnë atë vendim, do të them dhe do të ofroj të gjitha referencat e mia, do të jap planin tim. Dialogu është në ngërç, ka mungesë besimi dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara me besim më të madh”, tha Pahor.
Ai theksoi se pa progres në dialog, as Kosova e as Serbia nuk mund të arrijnë asgjë për një të ardhme më të sigurt. I pyetur nëse është e mundur që i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë në BE në vitin 2030, ai pranon se ndoshta nuk është e mundur, por pa optimizëm as 2050 nuk do të jetë as një vit realist.
“Optimizmi ka ekzistuar në vitin 2004, nuk ekziston sot. Prezantimi im në takim, kur thashë për vitin 2030, nuk u prit me duartrokitje, sepse askush nuk beson se as BE-ja dhe as vendet e rajonit nuk do të jenë gati në 2030. Por, nëse vazhdojmë kështu, atëherë rajoni nuk do të jetë në BE as në vitin 2050. Dhe koha po ikën”, tha Pahor në Lubjanë, ku Instituti i tij “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” organizoi një konferencë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE.
Për shkak të të gjitha sfidave gjeopolitike, si lufta në Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme, paqja duhet të ruhet, tha ai.
“Le të mos bëjmë shaka. Ne jemi përgjigjka për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së njerëzve në këtë pjesë të Europës. Vetëm zgjerimi i Bashkimit Europian është një garanci e qëndrueshme e paqes dhe sigurisë”, përfundoi Pahor./Express/
Një prokurori për krimet në fushën e teknologjisë në Serbi, ka filluar hetimet lidhur me kërcënimet në internet drejtuar ambasadorit amerikan në Beograd Christopher Hill.
Kërcënimet pasuan një vizitë të ambasadorit amerikan me 15 prill në Fakultetin Filozofik në Novi Sad, ku u takua me profesorin e atij fakulteti dhe gazetarin Dinko Gruhonjiç, të cilin grupet e djathta në Serbi e akuzojnë për “përhapjen e urrejtjes” në paraqitjet e tij publike, në të cilat ai kritikon rritjen e nacionalizimit në Serbi.
Pas kësaj ambasadorit Hill dhe profesorit Gruhonjiç u janë drejtuar kërcënime, kryesisht përmes rrjetit Telegram. si “Plumb për të dy”, “Do ta vrisja këtë Hillin pa një grimë keqardhjeje”, “Vrite Hillin” etj., ndërsa u publikua edhe një fotografi e ambasadorit amerikan nën shënjestrën e një pushke snajper.
As ambasadori Hill, as ambasada amerikane në Beograd dhe as Departamenti i Shtetit, nuk kanë bërë ndonjë koment lidhur me kërcënimet.
Gjatë vizitës ambasadori Hill kishte qëndruar edhe në studion televizive multimediale, e cila është ndërtuar me ndihmën e ambasadës amerikane dhe ka biseduar me profesorët dhe studentët për gjendjen e lirisë së mediave në Serbi dhe kërcënimet ndaj tyre në Novi Sad.
Vizita e tij në Fakultetin Filozofik u bë dy javë pas bllokadës katërditëshe të këtij fakulteti, të organizuar nga grupet e djathta: “Eco Çetniks”, Rinia Mbretërore Serbe e Novi Sadit dhe Shoqata e Studentëve të Republikës Serbe.
Një ish diplomat serb, Zoran Milivojeviç i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se, duke pasur parasysh se këto janë kërcënime serioze, pret që autoritetet përgjegjëse “të identifikojnë kërcënimet, të parandalojnë pasojat e mundshme negative që lidhen me këto kërcënime dhe të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë e plotë të ambasadorit”.
Zoti Hill u emërua në postin e ambasadorit amerikan në Serbi në vjeshtën e vitit 2021. Një diplomat karriere, ai ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pas 45 vjetësh izolimi. Në tetor të vitit 2016, ish presidenti shqiptar, Bujar Nishani, e nderoi zotin Hill me titullin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Në vitet e 90-ta ai ishte anëtar i ekipit negociues që hartoi marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë.
Gjatë luftës në Kosovë, zoti Hill shërbeu si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, deri në konferencën e Rambouilletit, e cila i hapi rrugën ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë.
Në qershor të vitit 2013, ai së bashku me diplomatin austriak, Wolfgang Petrisch, u nderuan me titullin doktor “honoris causa” nga Universiteti i Prishtinës, “për rolin e tyre në sjelljen e paqes dhe lirisë për shtetin e Kosovës”.
Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë e ka miratuar të enjten një raport, i cili thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjës, nuk përbën gjenocid.
Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli gjenocid krimin në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.
Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, presidenti nacionalist i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha para ligjvënësve se “nuk ka ndodhur gjenocid, prandaj një cilësim i tillë duket të hidhet poshtë”.
“Serbët nuk kanë kryer gjenocid”, shtoi ai.
Ky vendim u mor në një kohë kur Serbia dhe Republika Sërpska janë duke bërë fushatë kundër një draft-rezolute, e cila është duke u diskutuar në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet ta votojë në fillim të majit këtë draft-rezolutë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët. Ai druhet se rezoluta mund të krijojë bazën për boshnjakët që të kërkojnë dëmshpërblim lufte nga Serbia, aleatja e serbëve të Bosnjës gjatë luftës.
Rezoluta është pjesërisht e ngjashme me rezolutën për gjenocidin e Ruandës, ku rreth 800.000 tutsi dhe hutu ishin vrarë. Drafti i saj është zhvilluar nga një grup vendesh, përfshirë Ruandën, Gjermaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara.
Deri tani, më shumë se 50 njerëz janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.
Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska [1992/1995], entitetit kryesisht serb i cili bashkë me federatën boshnjake dhe atë kroate e përbëjnë Bosnjën, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera, përfshirë në Srebrenicë.
Komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë, Ratlko Mlladiq, po e vuan një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid po ashtu. Radio Evropa e Lirë
Kryetare e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko ka folur për integrimin e serbëve të Kosovës. Gjatë fjalës së saj Biserko u shpreh se komuniteti serb në Kosovë po përballet me presion të ashpër nga Beogradi.
Sipas saj, ata po instrumentalizohen për interesat e Beogradit dhe jo për interesat e tyre. Biserko ka deklaruar se ideja për ndarje të Kosovës është ende në tavolinë kur flitet për qëllimet e Serbisë por jo edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
“Pas rastit të Banjskës dhe luftës në Ukrainë, konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar dhe siç e dini, është përfolur për një front të dytë në Ballkanin perëndimor, dhe që atëherë komuniteti perëndimor e ka rritur prezencën e tij”, tha ajo.
Biserko foli edhe në lidhje me sulmin eregjistruar para disa muajsh në Banjskë ku u shpreh se ka një qasje të re ndaj Serbisë.
“Ka një qasje të re anipse ata janë ende duke mbajtur derën hapur ndaj Serbisë për të iu bashkangjitur anës perëndimore në vend të lindjes. Janë disa ndryshime që diskutohen në Serbi dhe që përshkruhen si akte armiqësore nga perëndimi ndaj Serbisë”, ka thënë ajo për KTV.
Pas orësh të tëra të bllokuar, janë liruar udhëtarët nga Kosova që ishin ndaluar nga autoritetet kufitare serbe në vendkalimin Kroaci-Serbi.
Ata u ndaluan pak orë pasi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u dha drita e gjelbër për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Ndalimi i tyre ka nxitur reagime të shumta. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këto veprime, Serbia po hakmerret ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia shkeli Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë.
Ndërkohë ende nuk dihet për kosovarët e ndaluar në vendkalimin kufitar Serbi – Hungari.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka njoftuar edhe për ndalimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës te “Dheu i Bardhë”.
Ai tha se qytetarët atje po mbahen me orë të tëra nga autoritetet serbe.bw
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjendet në panairin ekonomik në Mostar, Bosnje-Hercegovinë.
Vuçiq ka shprehur nervozizëm gjatë ditëve të fundit për Rezolutën që do të miratohet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, ku një sërë vendesh me ndikim janë pro njohjes së gjenocidit në Srebrenicë.
Gazetarja tha se në Srebrenicë ka pasur gjenocid dhe se në Hagë është vërtetuar se Serbia është fajtore për mos parandalimin e gjenocidit.
Vuçiq e ndërpreu atë duke pohuar se “nuk është e vërtetë, mos e shpik. Është vërtetuar se Serbia nuk është në asnjë mënyrë përgjegjëse për gjenocidin, vetëm për ta mbajtur parasysh. Mos i mashtroni njerëzit si ju i mashtroni njerëzit në Sarajevë që kam bartur një snajper, se kam qëlluar dikë”.
“Problemi është se ju vazhdimisht shpikni, se nuk mund t’i përmbaheni fakteve, se ju në Sarajevë duhet të shpikni diçka,” vazhdoi ai. “Dhe ti duhet të më dëgjosh mua”, i preu përsëri ai fjalën.
Dodik iu bashkua duke thënë se më shumë serbë u vranë në Sarajevë gjatë rrethimit sesa u vranë në Srebrenicë.
Vuçiq dhe Dodik më pas, mjaft të revoltuar, u larguan nga panairi.
Është regjistruar biseda e tyre në të cilën ndër të tjera Dodik e quan gazetaren lopë.
Vuçiq dhe Dodik kritikojnë gazetaren për pyetjen në lidhje me Srebrenicën, dhe më pas i referohen deklaratës së mëparshme të Dodikut në panair, në të cilën ai la të kuptohet për daljen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina nëse rezoluta miratohet, për të cilën Vuçiq, para konflikti me gazetaren, ka reaguar para gazetarëve serbë me njëfarë indinjate ndaj deklaratës së Dodikut, ndonëse ka shtuar se në disa gjëra kishte të drejtë.sn
Transkripti i bisedës mes Dodik dhe Vuçiqit
Më poshtë transkripti i gjithë bisedës mes Dodik dhe Vuçiqit pas bashkëveprimit me gazetarie.
Dodik: Shikoni ato lopët e N1, si quhen. Ajo ka të vërtetën e saj, të thotë dhe largohet.
Vuçiq: Çfarë do të bësh…
Vuçiq: Dhe e keni parë ndërtimin? Fillimisht ju thotë se çfarë fajtore ka Serbia, por pastaj ju thotë se Serbia nuk përmendet.
Dodik: Po…
Vuçiq: E di, duhet të jesh i lumtur, mendoj…
Dodik: Epo, kjo është historia e tyre që ju nuk e përmendni, po, po. Dhe si “po, cili është problemi”.
Vuçiq: Po…
Vuçiq: Por e pashë, Mile, se gazetarët në Serbi janë të kënaqur me njoftimet e tua. Nuk më intereson çfarë u thashë…
Dodik: Hahaha
Dodik: Dhe çfarë tjetër, nuk ka të bëjë me vullnetin… Të lë me një zgjedhje, çfarë? Dëshiron të qëndrosh e të vuash…? Mendoni se netji do të ndalet këtu? Ata kurrë nuk do të…
Vuçiq: Të vizitojmë vëllezërit tanë hungarez këtu? (duke iu referuar pjesës së panairit ku ekspozojnë hungarezët)
Dodik: Që të mos ndihen vetëm…
Vuçiq: Ku jeni? Përderisa ka serbë, hungarezët nuk janë vetëm.
Ish-kryeprokurori special i Malit të Zi, Milivoje Katniç u arrestua së bashku me një ish-zyrtar të lartë policor, të quajtur Zoran Lazoviç.
Lajmi bëri shumë bujë në mbarë rajonin, ndërsa raportohet se hetimet ishin nxitur nga Bashkimi Europian. Edhe në këtë rast, zbërthimi i komunikimeve në rrjetin SKY duket se ka luajtur një rol vendimtar për hetimin e tyre.
Mediat e Malit të Zi raportojnë se ishte pikërisht zyrtari i lartë policor Zoran Lazoviç që kishte formuar një organizatë kriminale në vitin 2020.
Ai kishte rekrutuar në këtë organizatë të birin e tij, Petar, që vepronte si ‘agjent i maskuar’; kryeprokurorin special Katniç dhe prokurorin special Sasha Cadenovic, të arrestuar më herët.
Qëllimi i bandës ishte të bashkëvepronte me grupin kriminal famëkeq të Radoje Zvicer nga Kotori me qëllim përfitimesh të paligjshme.
Lazoviç dhe Katniç ndihmuan edhe kriminelët famëkeqë serbë Veljko Belivuk dhe Marko Miljkoviç që të futeshin në mënyrë të ligjshme në Mal të Zi, edhe pse ndaj tyre kishte një urdhër-ndalimi.
‘Vëllezërit’ Belivuk dhe Miljkoviç njihen si njerëz të ngushtë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Pasi i ndihmuan të futen në mënyrë të ligjshme në Mal të Zi, Lazoviç u dërgoi një mesazh në SKY.
“Tani jeni të sigurtë. Tani mund të udhëtoni. Ky është një vend i sigurt. Faleminderit që udhëtuat me SBPOK (sektori i luftës kundër krimit të organizuar)”.
Lazoviç i dërgonte mesazhe kryeprokurorit special dhe ky i fundit udhëzonte prokurorin special Cadenoviç se si duhej të vepronte. sn
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u ka dërguar letra të gjithë liderëve evropianë në lidhje me njoftimin se Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës, tha më 12 prill ministri i Financave Sinisha Mali.
“Serbia do të bëjë gjithçka që ai pranim të mos ndodhë… Sfida e parë për ne është pikërisht Këshilli i Evropës dhe ajo betejë që na pret,” tha Mali për Happy TV.
Sipas tij, Serbia është objekt i presionit më intensiv deri më tani.
Mali tha se problemet më të mëdha në rajon ishin çështja e marrëdhënieve midis Republikës Srpska dhe autoriteteve qendrore në Bosnje dhe Hercegovinë, situata në Kosovë dhe Metohi, çështja e vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë dhe mundësia e miratimit të një rezolute të OKB-së. për gjenocidin në Srebrenicë.
Vuçiç: Përgjigja e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë e fortë
Reagimi i Serbisë ndaj pranimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë i fortë dhe i përgjegjshëm, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiç në një fjalim më 29 mars. Vuçiç nuk pranoi të thotë saktësisht se cili do të jetë reagimi i Serbisë, por tha se Beogradi mbetet i gatshëm të negociojë.
“Ne do të vazhdojmë të flasim. Jam i gatshëm të dëgjoj mendimin e Kuvendit dhe të qeverisë. Do të përgatitemi dhe do të presim”, tha Vuçiç, shkruan RFERL.
Vuçiç më 28 mars hodhi poshtë vlerësimet se Serbia po e braktis rrugën e saj evropiane pasi shpalli një dalje të mundshme nga Këshilli i Evropës nëse kjo organizatë pranon Kosovën, një ish-krahinë e Serbisë, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh.
Ai në fjalën e tij vlerësoi se një iniciativë evropiane për ta futur Kosovën në Këshillin e Evropës vjen pa kushte për Prishtinën.
“Edhe pse sanksionet evropiane ndaj Kosovës janë zyrtarisht në fuqi për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Brukselit], në vitin e kaluar Prishtina ka marrë pjesë në të gjitha forumet ndërkombëtare perëndimore”, tha Vuçiç.
Vuçiç po i referohej një marrëveshjeje të arritur nga vendi në 2013 në Bruksel për të normalizuar marrëdhëniet rreth pesë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, veçanërisht një angazhim për të krijuar një Asociacion të Komunave Serbe për të përfaqësuar komunitetet me shumicë serbe.
Vuçiç shpalli më 22 mars se Serbia do të largohet nga Këshilli i Evropës pas më shumë se 20 vitesh anëtarësim nëse do të pranohej Kosova.
Ideja e tij u mbështet nga ish-kryeministrja Ana Brnabiç, e cila tani është kryetare e parlamentit.
“Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të shkelte statutin e atij institucioni dhe do të rrezikonte rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha Ana Brnabiç.
Këshilli i Evropës, një organizatë e pavarur evropiane, u themelua në Londër në vitin 1949 dhe merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Janë 46 vende anëtare, duke përfshirë 27 shtetet e Bashkimit Evropian. Anëtarët janë nënshkrues të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut./SYRI.NET
Zyrtarë të qeverisë serbe thanë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u ka nisur të premten letër presidentit francez Emanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Sholz dhe udhëheqësve të tjerë evropian për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithë thirrjet perëndimore për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Po të premten, presidenti serb takoi ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming, për t’i kërkuar mbështetjen e Kinës në përpjekjet e Serbisë kundër miratimit të mundshëm të një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi gjenocidin në Srebrenicë.
Presidenti Vuçiç, i ka cilësuar këto dy çështje si “sfida të rënda” para Serbisë. Javën e kaluar urdhëroi qeverinë e tij të themelojë një grup punues për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Asambleja Parlamentare e këtij mekanizmi pritet të votojë me 16 prill, dhe më pas çështja kalon në Këshillin e Ministrave.
Të enjten në mbrëmje presidenti serb i cili mblodhi në Beograd udhëheqësit e qeverisë së tij dhe ata të Republikës Serbe, sërish përvijoi mundësinë qe vendi i tij të tërhiqet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova bëhet anëtare e tij, ndërsa kritikoi ashpër vendet kryesore perëndimore që kritikuan Listën Serbe në Kosovë për shkak të thirrjeve të saj për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës.
“Ata duhet të turpërohen”, tha ai, duke i akuzuar perëndimorët se duan ta bëjnë Kosovën pjesë të Këshillit të Evropës “pa plotësimin e kushteve”, duke vënë theksin te Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Më 27 mars Komiteti për Politikë dhe Demokraci i dha dritën jeshile kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Serbia votoi kundër.
Komiteti tha pas votimit se mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës ndërsa nënvizoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.
Vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e shohin çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një levë për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, të hedhë hapa drejt themelimit të Asociacionit, që është edhe pika më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.
Presidenti serb Vuçiç, takoi të premten ambasadorin kinez në Beograd për t’i kërkuar mbështetjen e Kinës “në luftën për të vërtetën para Kombeve të Bashkuara”.
Me 17 prill në OKB pritet të prezantohet një projekt-rezolutë që shpall 11 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Ruanda dhe Gjermania po udhëheqin këtë përpjekje, por sipas informacioneve që ka siguruar Zëri i Amerikës, pjesë e kësaj nisme janë edhe Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Bosnja, Kili, Finlanda, Zelanda e Re, Turqia, Franca dhe vende të tjera.
Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë. Megjithë vendimin e gjykatave ndërkombëtare se në Srebrencië është kryer gjenocid, Beogradi e mohon një gjë të tillë.
Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe ai ushtarak Ratko Mladiç, janë dënuar më burgim të përjetshëm nga Gjykata e OKB-së për krime lufte në ish Jugosllavi, për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë.
Presidenti serb e cilësoi nismën për rezolutën në OKB, si “të pafytyrë” duke theksuar se Serbia “do t’u kundërvihet vendeve të NATO-s, nga Gjermania në Turqi”.
Presidenti pro rus i Republikës Serbe, Milorad Dodik, paralajmëroi se parlamenti i entitetit të tij do të ndërmarrë veprime për t’i braktisur institucionet vendimmarrëse në Bosnje, nëse kalon rezoluta, që sipas tij “synon t’i bëjë serbët kolektivisht fajtorë për gjenocid”, duke mohuar sërish që kjo të ketë ndodhur në Srebrenicë.
Milorad Dodiku është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkak të përpjekjeve për shkëputjen e entitetit të tij dhe bashkimin me Serbinë.
Qeveria e Republikës Serbe nisi në fund të marsit procesin e miratimit të ligjit të saj zgjedhor me të cilin synon të marrë kompetencat nga autoritetet qendrore të Bosnjës.
Të premten ambasada amerikane në Sarajevë tha se krijimi i një sistemi zgjedhor paralel nga qeveria e Republikës Serbe do të ishte antikushtetues dhe kundër marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë me 1995.
“Milorad Dodik gabon nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë ndërsa ai ndjek agjendën e tij ndarëse dhe e shtyn Bosnjën drejt konfliktit”, thuhet në një postim të ambasadës amerikane të shpërndarë në rrjetin X, duke nënvizuar se “çdo përpjekje e një entiteti apo ndonjë njësie tjetër nënshtetërore për t’u shkëputur është një veprim kundër Dejtonit që nuk do të tolerohet”.
Perëndimi është i shqetësuar se Rusia mund të përpiqet të nxisë destabilitet në Bosnje për të shmangur një pjesë të vëmendjes nga lufta në Ukrainë. Bosnja mbetet etnikisht e tensionuar dhe politikisht e brishtë pas luftës së viteve 1992-1995 që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur.
Presioni ndaj Serbisë nuk ka qenë kurrë më i madh. Kështu pretendon ministri i Financave në serbi Sinisha Mali, i cili konfirmoi se presidenti Aleksandër Vuçiç u ka dërguar letra liderëve europianë këtë mëngjes për çështjen e anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Europës.
Siç pretendon, Vuçiç u ka shkruar kancelarit të Gjermanisë Olaf Sholc, presidentit francez Emanuel Macron dhe liderëve të tjerë.
“Nuk e kam parë presidentin më të shqetësuar se këto ditë. Presionet dhe problemet nuk kanë qenë kurrë më të mëdha”, deklaroi ministri i Financave që përmendi si sfida, Kosovën, sanksionet ruse dhe rezolutën për Srebrenicën.
“Sfida e parë për ne është pikërisht Këshilli i Evropës dhe lufta që na pret”, tha Mali , duke shtuar se Serbia do të bëjë gjithçka që anëtarësimi i Kosovës të mos ndodhë. Ai theksoi se kushdo që e njeh Vuçiçin e di se dorëzimi për të nuk është një opsion dhe se ai gjithmonë. sn
Pas 102 vitesh në Selanik është hapur sot për herë të parë Xhamia e Re për kremtimin e Fitër Bajramit nga myslimanët e këtij qyteti. Monumenti historik, i cili përdoret si hapësirë ekspozite e Galerisë së Arteve Komunale, u është dhënë për herë të parë që nga viti 1922 myslimanëve për faljen e namazit, pas agjërimit të Ramazanit. Vendimi është marrë nga Sekretariati i Përgjithshëm i Feve dhe sipas ligjit, imami që kryen namazin është zgjedhur nga shteti grek. Namazi i parë në Xhaminë e re ka nisur herët në mëngjes në orën 7.30.
Prej orëve të para të mëngjesit ka pasur një prezencë të forcave policore dhe masa të rrepta sigurie, mes të cilave kontrolli në të gjithë zonën dhe brenda xhamisë para se të hapej.
Kujtojmë se pas një sërë pengesash burokratike, xhamia e parë në Athinë ku jetojnë mbi 300 mijë myslimanë, kryesisht emigrantë nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme, është hapur në vitin 2021.
Sipas të dhënave të Sekretariatit të Përgjithshëm të Feve, në Atikë, përveç xhamisë islame të Athinës, funksionojnë 15 xhami të licencuara, ndërsa ato jozyrtare llogariten nga 55 deri në 60. Në Thrakë ka rreth 300 xhami dhe një në Kos, Rodos, Thebë dhe Selanik.
Qytetarët myslimanë grekë janë afërsisht 125,000 dhe jetojnë kryesisht në Traki. Në Atikë, refugjatët dhe emigrantët myslimanë vlerësohen në 250,000 kryesuar nga pakistanezët.bw
Masakra e Tivarit e prillit të vitit 1945, nga studiuesit dhe historianët, cilësohet si njëri ndër krimet më të mëdha ndaj shqiptarëve nga Kosova.
Në këtë masakër brenda një dite u vranë dhe u masakruan gati 3000 të rinj të gjithë nga Kosova të rekrutuar si partizanë për të luftuar në territoret e ish-Jugosllavisë.
Kjo ngjarje tragjike nisi të shënohet shumë vonë nga subjektet politike shqiptare në Malin e Zi. Studiuesi Hajrullah Hajdari i tha Zërit të Amerikës se në vendin e ngjarjes duhet të ngritët një monument për të rikujtuar datën më të dhimbshme të historisë shqiptare.
Masakra e Tivarit ishte krimi më i madh ndaj shqiptarëve të rekrutuar nga Kosova nga partizanët jugosllavë në fundin në fillimin e prillit të vitit 1945, në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Llogaritet se numri i viktimave i kaloi mbi 4000 të vrarë dhe të zhdukur, dhe deri vonë kjo ngjarje ishte një temë që është mbajtur e fshehtë për dekada të tëra, ku ishte i implikuar edhe shteti komunist shqiptar.
Studiuesi Hajrullah Hajdari, vë në dukje, se kjo ngjarje la gjurmë të pashlyeshme në ndërdijen kolektive të popullit shqiptar.
“Masakra e Tivarit është një pikë e zezë në historinë tonë kombëtare. Në kasaphanën e pamëshirshme e ndodhur në Monopolin e Duhanit në Tivar pothuaj 80 vite më parë u masakruan afro 3 mijë shqiptarë nga Kosova”, tha ai.
Studiuesi Hajdari, vë në dukje, se ngjarja tragjike e Tivarit nisi të shënohet shumë vonë nga subjektet shqiptare në Malin e Zi, duke rikujtuar në forma të ndryshme këtë datë të dhimbshme të historisë shqiptare.
“Janë shkruar disa libra dhe madje është xhiruar edhe një film dokumentar dhe janë zhvilluar disa manifestime dhe përkujtime për këtë datë, kurse bjeshkatarët e shoqatës “Rumia” kanë organizuar një udhëtim në rrugën e Masakrës së Tivarit,” tha zoti Hajdari.
Zoti Hajdari tha se në Tivar duhet të ngritet një monument i shkruar në disa gjuhë kushtuar kësaj ngjarje tragjike. Një monument i tillë duhet të jetë monument i kujtesës, për të kaluarën.
“Duhet bërë çmos që faktori politik shqiptar dhe të tjerët, që së paku ato shpirtra që u masakruan në oborrin e Monopolit të pushojnë të qetë dhe t’iu ngritët një përkujtimore e shkruar jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në anglisht dhe në gjuhën serbe që ta kuptojnë të gjithë se çka ka ndodhur aty dhe çdoherë të përkujtohen”, tha zoti Hajdari.
Studiuesi Hajdari tha se në çështjen e masakrës së Tivarit të angazhohen institucionet e Kosovës dhe me përfaqësuesit malazezë të kërkojnë ndriçimin e kësaj ngjarje që do të ishte shumë e rëndësishme në rrethanat të reja shoqërore e politike në rajon.
Serbia ka nisur një ofensivë diplomatike për të ndaluar një rezolutë në Kombet e Bashkuara, që do ta shpallte atë një komb gjenocidal. Për këtë, presidenti Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se synon që në pak ditë të bisedojë me liderët e 50 vendeve, por që në fakt shumica prej tyre janë shtete të varfra të Afrikës.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të fitosh Egjiptin si një vend që ka një ndikim të madh”, deklaron Vuçiç.
Presidenti serb bëri me dije gjithashtu se bashkë me ekipin shtetëror do të udhëtojnë për në Nju Jork për të ndaluar rezolutën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Dokumenti, i cili kërkon që 11 korriku të jetë dita ndërkombëtare e përkujtimit të gjenocidit në Srebenicë, dënimin e të gjithë atyre që mohojnë gjenocidin dhe përfshirjen e kësaj teme në tekstet shkollore, është përpiluar nga Gjermania dhe Ruanda.
Raportohet se për miratimin e rezolutës janë angazhuar Britania, Shtetet e Bashkuara, Turqia, Shqipëria, Franca dhe shumë shtete të tjera me shumicë myslimane. Rezoluta mund të hidhet për votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në fund të këtij muaji.
Për miratimin e saj nevojitet një shumicë e thjeshtë. Rezoluta në fjalë nuk është e natyrës detyruese, por ka një peshë të madhe politike, dhe me gjasë do t’i vendosë emërtimin Serbisë, një komb gjenocidal./A2
Miro Kovaç, ish-ministër i Jashtëm i Kroacisë ka komentuar shënimin e 75-vjetorit të NATO-s dhe 15- vjetorit të anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë në Aleancën Veri-Atlantike.
Ai për RTK-në tha se presin që shumë shpejt edhe Kosova t’i bashkohet me të drejta të plota kësaj aleance.
“Kur bëhet fjalë për gjithë komunitetin shqiptar Kroacia është përkrahëse tejet e fuqishme e NATO-s dhe gjithsesi e gjithë aleancës transatlantike. Jemi shumë të gëzuar që i jemi bashkuar aleatëve tanë bashkë më Shqipërinë dhe gjithsesi presim që edhe Kosova shumë shpejt të jetë anëtare e NATO-s me të drejta të plota”, ka thënë Kovaç.
Duke folur për shqetësimet për një konflikt real në Ballkanin Perëndimor, Kovaç tha se është çështje e Bashkimit Evropian që të merret me sigurinë.
“E para, Ballkani Perëndimor është oborri i Bashkimit Evropian, prandaj BE gjithsesi duhet të merret me këtë punë. Dhe së dyti, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë anëtare të NATO-s dhe nuk kanë asnjë brengë sa i përket sigurisë në Ballkan”, tha Kovaç.
Ai tha se nëse ka ndonjë lloj agresioni brenda Ballkanit shtetet anëtare brenda NATO-s, do të ndërhyjnë menjëherë për të siguruar që rendi e siguria të ruhet dhe të mbahet si e tillë.
“Mund të ketë telashe të vogla, por nuk besoj që dikush guxon ta sfidojë këtë rend në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Kovaç ka komentuar edhe rastin e Bansjkës me 23 shtator të vitit të kaluar, duke thënë se ishte një përpjekje për të shkaktuar trazira.
“Mund të ketë përpjekje për trazira në Kosovë, porse po pati diçka të ngjashme më Banjskën gjithsesi do të ketë intervenim brenda Kosovës dhe se këto janë vetëm ide dhe nuk besoj që do të konkretizohen”, tha Kovaç.
Turqit dënuan presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe partinë e tij të dielën në zgjedhjet lokale mbarëkombëtare, të cilat rikonfirmuan opozitën si forcë politike dhe forcuan pozicionin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu si rivalin kryesor të presidentit në të ardhmen.
Me më shumë se gjysmën e votave të numëruara, zoti Imamoglu kryeson në garën për kryetar bashkie në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, ndërsa Partia e tij Popullore Republikane (CHP) ruajti pushtetin në Ankara dhe fitoi nëntë poste të kryebashkiakëve në qytetet e mëdha në mbarë vendin.
Analistët thanë se presidenti Erdogan dhe partia e tij AK (AKP), që kanë sunduar Turqinë për më shumë se dy dekada, dolën më keq se sa parashikonin anketat, për shkak të rritjes së inflacionit, votuesve të pakënaqur islamikë dhe në Stamboll, shtrirjes së ndikimit të zotit Imamoglu përtej bazës laike të CHP-së.
“Besimi që qytetarët tanë kanë ndaj nesh, u vërtetua”, tha zoti Imamoglu, 53 vjeç, një ish afarist që hyri në politikë në vitin 2008 dhe tani shihet nga analistët si një sfidues i mundshëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Në Ankara, kryeqytetin turk, mijëra mbështetës u mblodhën gjatë natës duke valëvitur flamujt e CHP-së për të ndjekur një fjalim të kryetarit të bashkisë Mansur Yavas, i cili mundi kundërshtarin e tij të AKP-së, në një tjetër goditje për presidentin Erdogan.
Presidenti bëri fushatë të fortë përpara zgjedhjeve komunale, të cilat analistët i përshkruan si një matës si për mbështetjen e tij ashtu edhe për qëndrueshmërinë e opozitës.
“Ne do të analizojmë me zemër të hapur rezultatet e zgjedhjeve të 31 marsit brenda partisë sonë dhe do të bëjmë autokritikën tonë me guxim”, u tha presidenti Erdogan mbështetësve të tij, duke theksuar se “rezultatet e zgjedhjeve na tregojnë se po përjetojmë një humbje të terrenit në administratat vendore në të gjithë vendin”.
Kur janë numëruar 79.77 për qind e kutive të votimit në Stamboll, qyteti më i madh i Evropës me më shumë se 16 milionë banorë, zoti Imamoglu kishte 50.53 për qind mbështetje krahasuar me 40.73 për qind për sfiduesin e AKP-së Murat Kurum, një ish ministër në qeverinë e presidentit Erdogan.
Anketat kishin parashikuar një garë të ngushtë në Stamboll dhe humbje të mundshme të CHP-së në të gjithë vendin. Por, rezultatet e pjesshme zyrtare të raportuara nga agjencia shtetërore Anadolu, treguan se AKP dhe aleati i saj kryesor humbën në garën për kryetarë bashkishë në 10 qytete të mëdha, duke përfshirë qytetet Bursa dhe Balikesir në veriperëndimin e industrializuar.
Mert Arslanalp, asistent profesor i shkencave politike në Universitetin Bogaziçi të Stambollit, tha se kjo është “humbja më e rëndë zgjedhore” e presidentit Erdogan që kur mori pushtetin në shkallë vendi në vitin 2002.
Forcat politike pro-ruse dhe pro-serbe kanë shtuar retorikën në mbështetje të Moskës dhe Beogradit, gjë që sipas analistëve do të bëhet pengesë e Malit të Zi drejt integrimit të shpejtë në BE. Analistët vlerësojnë se këto përpjekje të politikës pro-serbe dhe pro-ruse po e rrezikojnë seriozisht marrëdhëniet ndëretnike dhe qëndrueshmërinë në rajon.
Rusia prej kohësh në Mal të Zi po përdor lajmet e rreme për të riorientuar Podgoricën drejt ndikimit të saj. Së fundmi Moska ka fituar një aleat kyç në një pozicion të fuqishëm në qeveri, siç janë partitë pro-serbe dhe pro-ruse.
Analistët vlerësojnë se ndikimi rus dhe serb në Malin e Zi pritet të rritet edhe më shumë muajve në vazhdim.
Profesoresha e Universitetit të Malit të Zi dhe analistja Sabina Osmanoviç tha se ndikimi rus në vend ka qenë i vazhdueshëm, por i kontrolluar.
“Ndikimi rus në Malin e Zi ka qenë konstant, por i kontrolluar. Viteve të fundi ky ndikim është i kanalizuar përmes forcave politike serbe dhe Kishës Ortodokse Serbe ku është forcuar dhe dukshëm është bërë më i rrezikshëm”, tha zonja Osmanoviq.
Analisti dhe studiuesi Nail Draga po ashtu thekson rolin e forcave politike serbe në ringjalljen e nacionalizmit.
“Me dekompozimin e skenës politike në Malin e Zi, ku në pushtet janë forcat serbe dhe pro-ruse ndikimi i politikës ruse po vazhdon dhe çështja është se kjo politikë a do të vazhdojë me të njëjtin intensitet edhe në fazën kur Mali i Zi tenton të jetë pjesë e familje evropiane”, tha zoti Draga
Ndërsa retorika e qeverisë për politikën e jashtme të Malit të Zi dhe synimet drejt integrimit në BE shfaqen të palëkundura, në anën tjetër forcat pro-ruse dhe pro-serbe në Mal të Zi kanë shtuar retorikën e mbështetjes së Beogradit dhe pengesën e mundshme të Malit të Zi drejt Bashkimin Evropian.
Zonja Osmanoviç merr si shembull rastin e votimit të përfaqësuesit malazez kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Deputetja e Malit të Zi në Këshillin Evropian ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropian. Nëse i thërrasim kujtesës, këtu e 25 vite më parë, Mali i Zi i ka hapur dyert për më shumë se 100 mijë refugjatë kosovarë dhe një veprim i tillë është tërësisht në kundërshtim me politikat pro-evropiane dhe me interesat evroatlantike”, tha zonja Osmanoviç.
Kjo lëvizje e Malit të Zi, sipas analistit Draga është një përpjekje që ky shtet i vogël në Adriatik të bëhet pjesë e botës serbe, gjë që do të rrezikonte seriozisht qëndrueshmërinë në rajon.
“Politika ruse është e pranishme përmes partive pro-serbe që janë të dirigjuara nga Beogradi dhe nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila në fakt është filiale e Kishës së Beogradit. Duke marrë parasysh të kaluarën, këto forca, kanë pasur interesa strategjike që Mali i Zi të jetë pjesë integrale e Serbisë së Madhe”, thotë analisti Draga.
Në këtë kuadër zonja Osmanoviç kritikon forcat politike shqiptare, të cilat edhe përkundër shkeljes së marrëveshjes së bashkëqeverisjes po i legjitimon këto politika duke heshtur ndaj këtyre dukurive.
“Interesante është të shohim reagimin e partive politike shqiptare në Malin e Zi. Nëse ato nuk janë në gjendje të ndikojnë në proceset vendimmarrëse në qeveri, atëherë prania e tyre vetëm sa i legjitimon këto politike regresive”, thotë profesoresha e Universitetit të Malit të Zi dhe analistja Sabina Osmanoviç.
Serbia pranon humbjet e fundit politike lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Presidenti Aleksandër Vuçiç mbajti konferencën e shumëpritur duke theksuar se vendi i tij po paguan një çmim të lartë për shkak të marrëdhënies me Rusinë.
‘Vendet perëndimore ndjejnë shumë presion për shkak të avancimit të forcave ruse dhe pasigurisë se si do të përfundojë konflikti në Ukrainë, dhe janë nën presion nga mesazhet politike nga Moska bazuar në atë që quhet ‘precedenti Kosovë’.
Pikërisht për këtë arsye, bëhet fjalë për heqjen e Kosovës si një as të mundshëm nën mëngë të Vladimir Putinit dhe prandaj jemi në shënjestër të Prishtinës dhe atyre që i kanë përkrahur’, u shpreh Vuçiç.
Presidenti serb foli ashpër në drejtim të zyrtarit amerikan Gabriel Escobar, ndërmjetësuesit Lajçak dhe veçanërisht Dora Bakojanis, që rekomandoi pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa kushte shtesë.
‘Relatorja Dora Bakojanis u kujtua befas se nuk ka rëndësi as shpronësimi i tokës në veri të Kosovës dhe as Asociacioni për rekomandimin për pranim në Këshillin e Evropës për Prishtinën, por vetëm kthimi i tokës në manastirin e Deçanit’, tha Vuçiç.sn
Ish-drejtori i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë (BIA), Aleksandër Vulin ka thëne se më 27 prill Serbia do të shpallet shtet gjenocidal.
Vulin pretendon se është planifikuar të miratohet një rezolutë për gjenocidin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Ideja është që të votohet ajo rezolutë më 27 prill, e ne të shpallemi komb gjenocidal dhe 11 korriku të shpallet si Ditën Ndërkombëtare të Gjenocidit”, tha Vulin.
Sipas Vulin nga të gjitha vendet në botë, Gjermania është ajo që do t’i shpallë serbët një komb gjenocidal. Sipas tij, Gjermania flet në emër të Bashkimit Evropian, SHBA-të e mbështesin atë rezolutë, “plus vendet islamike”, dhe se kjo do të çonte në shfuqizimin e RS dhe kërkesën që Serbia t’i paguajë dëmet e luftës pothuajse gjithë Ballkanit.
Duke folur për presionet, Vulin pretendon se pak ditë më parë Amerika kërcënoi Serbinë për shkak se kishte marrë një sistem të fuqishëm anti-drone rus që rrëzon dronët “Bajraktar” në Ukrainë dhe shpjegoi se Turqia e ka pajisur Kosovën me dronë të tillë.
Themeluesi i Lëvizjes Socialiste, i sanskionuari nga Amerika, ish-shefi i BIA-s serbe dhe pro-rusi Aleksandar Vulin po ngjall panik dhe po përhap propagandë së fundmi në mediat serbe.
Ai këtë herë ka sulmuar BE-në e SHBA-në duke pretenduar se janë në “finalizim të komplotit kundër Republika Srpska dhe Serbisë dhe se ata që qëndrojnë pas tij duan të rrëmbejnë presidentin Milorad Dodik dhe të shkatërrojnë Serbinë”.
Vulin vuri në dukje se Schmidt nuk do të ndalet pas imponimit të ndryshimeve në Ligjin Zgjedhor në Bosnje dhe Hercegovinë, por do të vazhdojë të ndjekë penalisht këdo që nuk respekton vendimet e tij, “do të sajojë histori për prishjen e Dejtonit dhe akuza të rreme për korrupsion”.
“Së bashku me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, ata do të punojnë për të çmontuar plotësisht Srpska-n, tha Vulin.
Me herët ai ka thënë se CIA, shërbimi sekret amerikan kontrollon zyrë e Vuçiç./ euronews/
Udhëheqësja e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), Biljana Pantiq-Pilja, ka thënë se hapësira e Serbisë për manovrim është shumë e ngushtë para mbledhjes së nesërme (27.03) të Komisionit Politik të (APKiE) ku do të votohet raporti i Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të pranohet në këtë organizatë.
‘Bakoyannis do të prezantojë raportin dhe qëndrimin e saj, të cilin fatkeqësisht e ka ndryshuar në krahasim me dy javë më parë. Do të ketë një diskutim dhe pritet një votim dhe dy të tretat e votave do të jenë të mjaftueshme për të kaluar raportin. Duke pasur parasysh se në PSSE nuk ka më asnjë delegacion rus dhe që nga janari as delegacioni i Azerbajxhanit, hapësira e Serbisë për manovrim është ngushtuar mjaft për sa i përket numrit të miqve tanë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës’, thotë Pilja.
Siç transmetojnë mediat serbe, krahas rekomandimit që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës, raportuesja Bakoyannis shprehu mendimin e saj në media se anëtarësimi i saj do t’i sillte të drejtën komunitetit serb dhe të gjitha pakicave të tjera në Kosovë që t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila, sipas saj do t’u sillte mbrojtje më të mirë, për çfarë Pantiq-Pilja thotë se kjo është një deklaratë shumë hipokrite.
Shefja e delegacionit serb ka akuzuar raportuesen Bakoyannis se ‘vetëm dy javë më parë, ajo ka përsëritur me vendosmëri disa herë se do të jepte një mendim pozitiv vetëm kur Kosova t’i plotësojë tre kushtet: kthimin e tokës Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shpronësimin e tokave. Dhe e vetmja gjë që bëri Prishtina në ndërkohë ishte zbatimi përfundimisht i vendimit të Gjykatës Kushtetuese’.
Lidhur me letrën e dërguar raportueses Bakoyannis nga presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, në të cilën thuhet se marrin përsipër të respektojnë të gjitha nenet e marrëveshjes nga Brukseli dhe aneksin e saj nga Ohri, duke përfshirë edhe formimin e Unionit të Komunat serbe, shefja e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të KiE, thotë se nuk ka peshë, sepse është dashur të përmbushet 11 vjet më parë.
‘Është një letër falënderimi për Bakoyannisin, APKiE dhe gjithë të tjerët që sipas një procedure shumë të përshpejtuar dhe të çuditshme duan të pranojnë Kosovën e pavarur si anëtare e Këshillit të Evropës’, thotë Pantiq-Pilja.sn
Dhëndri i ish presidentit amerikan Donlad Trump Jared Kushner, ka prezantuar dy projekte sa i përket Ballkanit Perëndimor, një për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit dhe një në Serbi.
Qeveria e presidentit Aleksandër Vuçiç planifikon t’i japë për 99 vite, pa asnjë pagesë, dhëndrit të Trump një godinë e cila shihet si memorial i bombardimeve të NATO-s në 1999.
Banorët janë shprehur se një godinë e tillë shërbente për të kujtuar periudhën e vështirë të vendit ndërkohë që thonë se në rast se një gjë e tillë duhej “t’i falej” dikujt, pa dyshime që duhet të ishte Rusia, jo SHBA.
“Kujtimi i këtyre viteve 1990 është i pakëndshëm, por ne duhet t’i lëmë këto ndërtesa ashtu siç janë në mënyrë që të na kujtojnë këtë periudhë të pakëndshme. Ne nuk duhet të kujtojmë vetëm gjërat e bukura. Më shumë se një hotel luksoz, duhet të bëhet një vend kujtimi.
Këto ndërtesa duhet t’i ruajmë, t’i konservojmë dhe t’i bëjmë muze. Për të na kujtuar rëndësinë e paqes, dhe faktin se këto gjëra nuk duhet të ndodhin më”, shprehet Zoran Stosiç, 83 vjeç.bw
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë dhe zëvendëskryeministri Ivica Daçiç tha se të enjten ka biseduar me homologun e tij rus Sergei Lavrov për çështjet më të rëndësishme që janë me rëndësi jetike për Serbinë, siç është furnizimi me energji dhe gaz.
“Ju e dini që po luhet një ndeshje miqësore e futbollit ndërmjet Rusisë dhe Serbisë dhe në ato komunikime që kam pasur me ministrin Lavrov kur dëgjova njëri-tjetrin për seancën e Këshillit të Sigurimit kushtuar Kosovës, ai më ftoi ta shikonim ndeshjen së bashku dhe unë erdha (në Moskë) me ftesë të tij”, tha Daçiç për mediet.
Ai shtoi se me Lavrovin ka biseduar për çështje të shumta bilaterale dhe e ka falënderuar edhe një herë për qëndrimin e tij të prerë dhe parimor në lidhje me Kosovën.
“Është me rëndësi jetike për ne. Është me rëndësi jetike që ne të dimë se në Këshillin e Sigurimit kemi një votë të caktuar që gjithmonë do të jetë kundër pavarësisë së Kosovës dhe që gjithmonë do të mbështesë integritetin territorial të Serbisë”, tha Daçiç.
Daçiç theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë mbështeten në një nivel shumë të lartë të besimit të ndërsjellë dhe marrëdhënieve personale midis Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Presidentit të Rusisë Vladimir Putin.sn