Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harcenko, deklaroi se Perëndimi dëshiron të zëvendësojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me një politikan të dobët që kontrollohet nga Bashkimi Evropian (BE).
“Në fakt, dëshira është të hiqet Vuçiqi dhe të vendoset një nga ‘liderët’, i cili do të ishte i njëjtë ose i ngjashëm me ata që janë formalisht në pushtet në vendet e tjera, por janë plotësisht të nënshtruar ndaj BE-së”, tha ai për agjencinë ruse të lajmeve, RIA Novosti.
I pyetur për këto deklarata të ambasadorit rus, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference për media tha se e falënderon diplomatin rus për “korrektësinë”.
Vuçiç u takua me Harcenkon më 21 gusht dhe pas këtij takimi njoftoi se një takim i nivelit të lartë mes udhëheqjes së Serbisë dhe Rusisë do të zhvillohet së shpejti.
“Theksova se mbetemi të përkushtuar për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore me Rusinë, me një vendosmëri të qartë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë”, deklaroi pas atij takimi Vuçiq.
Reagimi i opozitës serbe
Partia opozitare Liria dhe Drejtësia (SSP) kritikoi ambasadorin rus për deklaratat, duke thënë se nuk është hera e parë që ai publikisht ndërhyn në çështjet e brendshme të Serbisë.
Zëvendëspresidenti i SSP-së, Borko Stefanoviq, shkroi në një letër të hapur drejtuar ambasadorit rus se ai prej kohësh “fyen vazhdimisht qytetarët e Serbisë, duke i etiketuar si mercenarë të huaj dhe instrumente të Perëndimit”.
“Me këtë veprim humbisni simpatinë e popullit tonë, sepse me të njëjtin këmbëngulje mbroni regjimin e një autokrati dhe veprimet e tij kriminale”, tha Stafanoviq.
Lidhjet e Beogradit zyrtar me Moskën
Nga Kremlini, Beogradi zyrtar mori mbështetje për protestat antiqeveritare, përmes së cilave demonstruesit po kërkojnë mbajtjen e zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme në Serbi.
Në një komunikatë të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme më 13 gusht, u tha se “disa forca në Serbi, nën petkun e sloganeve për ‘kërkimin e drejtësisë dhe demokracisë’, nuk hezitojnë të përdorin agresion të hapur, barbarizëm dhe dhunë”.
Protestat masive në Serbi, të udhëhequr nga studentët, po vazhdojnë prej më shumë se nëntë muajsh, pas rrëzimit të një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit në nëntor të vitit të kaluar, kur humbën jetën 16 persona.
Përmes këtyre protestave ata po kërkojnë llogaridhënie për tragjedinë në Novi Sad, që institucionet shtetërore të kryejnë detyrat e tyre, si dhe organizimin e zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme.
Beogradi ka vazhduar të mbajë marrëdhënie të ngushta me Moskën edhe pasi Rusia u vendos nën sanksione nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Vuçiq u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kremlin në maj gjatë shënimit të 80-vjetorit të fitores mbi fashizmin.
Edhe pse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, autoritetet refuzojnë të bashkohen me sanksionet kundër Rusisë.
Zyra e Bashkimit Evropian në Bosnje-Hercegovinë ka dënuar vendimin e Kuvendit të Republikës Srpska për mbajtjen e një referendumi, ku qytetarët e entitetit do të shprehen mbi aktgjykimin e gjykatës dhe KQZ-së kundër Millorad Dodikut, i cili iu hoq mandati i presidentit të RS-së.
Në një deklaratë, BE thekson se vendimi i Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës është përfundimtar dhe i detyrueshëm, dhe nënshtrimi i tij në votim publik shkel parimin e sundimit të ligjit dhe pavarësinë e organeve gjyqësore.
Delegacioni i BE-së gjithashtu i bëri thirrje autoriteteve të RS-së të shmangin provokime që mund të çojnë në kriza dhe destabilizim dhe të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Bosnjës dhe Hercegovinës. “Ne presim që autoritetet e RS-së të qetësojnë situatën dhe të respektojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues dhe ligjor të BiH-së,” thuhet në reagim.
Sipas vendimit të miratuar, referendumi do të mbahet më 25 tetor 2025. Ky vendim bie ndesh me Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila nuk parashikon mundësinë që entitetet të organizojnë referendume mbi vendimet e institucioneve shtetërore. bw
Millorad Dodik gjatë seancës plenare më 22 gusht 2025.
Radio Evropa e Lirë
Kuvendi Popullor i Republikës Sërpska (RS) miratoi të premten mbrëma një vendim antikushtetues për mbajtjen e një referendumi, në të cilin qytetarët e këtij entiteti do të duhet të shprehen mbi aktgjykimin e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës kundër Millorad Dodikut dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Bosnje e Hercegovinës me të cilin atij iu hoq mandati i presidentit të RS-së.
Referendumi do të mbahet, sipas vendimit të miratuar, më 25 tetor të këtij viti.
Vendimi për referendumin nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës, e cila nuk parashikon mundësinë që entitetet të shpallin në mënyrë të pavarur referendume mbi vendimet e institucioneve shtetërore.
Pyetja e referendumit, e cila u lexua në seancë nga shefi i Grupit Parlamentar të SNSD-së, Sërxhan Mazalica, është:
“A i pranoni vendimet e të huajit të pa zgjedhur Christian Schmidt [përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnje] dhe aktgjykimet e Gjykatës antikushtetuese të Bosnje e Hercegovinës të shqiptuara kundër presidentit të RS-së, si dhe vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit presidentit të RS-së, Millorad Dodik?”
Për vendimin votuan 50 nga 65 deputetët e pranishëm, ndërsa pjesa tjetër prej 15 deputetësh, që morën pjesë në votim, nuk votuan as për, as kundër.
Autoritetet e RS-së nuk e njohin përfaqësuesin e Lartë në Bosnje, Christian Schmidt, dhe ia kontestojnë legjitimitetin, duke pretenduar se emërimi i tij nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Koalicioni qeverisës në RS më herët kishte propozuar që referendumi të mbahej më 18 ose 25 tetor, por data u përcaktua vetëm gjatë vetë seancës, kur u precizua edhe pyetja e referendumit.
Vendimin për referendumin e shoqëroi edhe miratimi i ndryshimeve, me procedurë të përshpejtuar, në Ligjin për referendumin dhe nismën qytetare, të cilat do t’i mundësojnë Kuvendit të RS-së të formojë komisione të veçanta për referendumet.
Gjykata e Bosnje e Hercegovinë në fillim të gushtit shpalli një vendim të formës së prerë me të cilin Millorad Dodik u dënua me një vit burg, si dhe ndaj tij u shqiptua një ndalim prej gjashtëvjetësh i ushtrimit të funksioneve publike. Dënimi me burg u shlye me një pagesë monetare, ndërsa KQZ e Bosnjës, duke vepruar sipas aktgjykimit, ia hoqi Dodikut mandatin e presidentit të RS-së.
Që nga 18 gushti, Dodik zyrtarisht nuk është më president i RS-së, ndërsa KQZ e Bosnje është e detyruar që brenda 90 ditësh të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë.
Miratohen edhe konkluzione me të cilat “hidhet poshtë” aktgjykimi ndaj Dodikut
Përveç vendimit për referendumin, deputetët e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga SNSD miratuan edhe një sërë konkluzionesh me të cilat Kuvendi i RS-së “hedh poshtë” aktgjykimin e Gjykatës së Bosnjës dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me të cilat i përfundoi mandati i Dodikut në funksionin e presidentit të Republikës Sërpska.
Në konkluzione thuhet se Kuvendi Popullor kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, se “Dodik ftohet të vazhdojë ushtrimin e funksionit të presidentit të RS-së”, si dhe u kërkohet të gjitha institucioneve të entitetit të mos ndërmarrin aktivitete lidhur me shpalljen e zgjedhjeve.
Njëri nga përfundimet paralajmëron se “bashkëpunimi eventual me KQZ-në e Bosnje në lidhje me këtë çështje do të përbënte kryerje të veprës penale të mosrespektimit të vendimeve të institucioneve ose organeve të RS-së, të parashikuar në Kodin Penal të RS”.
Gjithashtu, u miratua edhe një përfundim sipas të cilit Kolegji i Kuvendit të RS duhet të përgatisë një draft-rezolutë mbi vetëvendosjen e popullit serb dhe të Republikës Sërpska, ndonëse Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës nuk parashikon të drejtën e entiteteve për vetëvendosje.
Opozita paralajmëron për veprim ‘antikushtetues’ dhe për rrezikun e radikalizimit
Deputetët opozitarë gjatë debatit theksuan se Kuvendi i entitetit nuk ka kompetenca të shprehet për vendimet e gjykatave.
Zagorka Grahovac, deputete e partisë Për Drejtësi dhe Rend, deklaroi se Kuvendi “mund të shprehë një qëndrim politik, por jo të vendosë për aktgjykimet gjyqësore”.
“Kuvendi i entitetit nuk mund të ndalojë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Kjo i takon pushtetit gjyqësor, i cili është i ndarë nga ai legjislativ dhe ekzekutiv”, theksoi Grahovac.
Ajo paralajmëroi se miratimi i konkluzioneve për mosmbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme do të nënkuptonte “hyrje në një vepër të re penale – pengimin e mbajtjes së zgjedhjeve”.
Nedelko Glamoçak nga Partia Demokratike Serbe (SDS) vlerësoi se nën petkun e mbrojtjes së RS-së po zhvillohet një politikë që rrezikon si institucionet, ashtu edhe qytetarët.
“Koha do të tregojë se e gjithë kjo është hyrje në një fushatë parazgjedhore. Por, kjo strategji është shumë e rrezikshme për Republikën Sërpska. Ne nuk mund të shkojmë kundër tërë botës”, tha Glamoçak.
Ai tha se SDS-ja “nuk do të ndjekë koalicionin qeverisës në aventura” dhe bëri thirrje për unitet rreth RS-së, e jo rreth individëve dhe aktgjykimeve të tyre.
Ramiz Sallkiç, deputet i pavarur në Kuvendin e RS-së, theksoi se debati mbi aktgjykimin ndaj Dodikut nënkupton hyrje në një fazë të re të shkeljes së Kushtetutës së Bosnjës.
“Imagjinoni sikur çdo parlament lokal të vendoste nëse do ta njohë apo jo një aktgjykim. Kjo të çon në një spiralë veprash penale. Aktgjykimi është i formës së prerë dhe duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, tha ai.
Ai bëri thirrje që Kuvendi të miratojë një përfundim me të cilin do t’i kërkohej KQZ-së që sa më shpejt të caktojë datën e zgjedhjeve për presidentin e RS.
Dorëheqja e Vishkoviqit dhe mandati teknik i Qeverisë
Në të njëjtën seancë, deputetët pranuan dorëheqjen e Radovan Vishkoviqit nga funksioni i kryeministrit të RS-së, me ç’rast Qeveria e entitetit kaloi në mandat teknik.
Sipas procedurave të parashikuara, presidenti i RS-së është ai që brenda rreth dhjetë ditësh duhet të propozojë mandatarin për kryeministër të ri të entitetit.
Meqenëse Dodikut i është hequr mandati, ndërsa Kushtetuta e Bosnjës dhe ajo e RS-së nuk e përcaktojnë se kush ushtron funksionin e presidentit të RS-së në rast të shkarkimit të tij, aktualisht nuk ka kush të propozojë kryeministrin e ri.
Megjithatë, Dodik vazhdon të paraqitet si president i RS-së, dhe ashtu u prezantua gjatë seancës edhe nga Nenad Stevandiq, kryetari i Parlamentit të entitetit.
Dodikut, të cilit i janë hequr kompetencat, iu mundësua edhe t’u drejtohej deputetëve në funksionin e presidentit të entitetit, megjithëse, formalisht, nuk e ka më atë post.
Tani është zyrtare: Milorad Dodik nuk është më president i Republika Srpska (RS), një nga dy entitetet e Bosnjë-Hercegovinës. Më 18 gusht 2025, Gjykata Supreme e B-H hodhi poshtë ankesën e tij kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për të revokuar mandatin e tij dhe për t’ia ndaluar atij aktivitetin politik për gjashtë vitet e ardhshme.
Kjo i jep fund një procesi dyvjeçar – por zbatimi i vendimit nuk do të jetë i lehtë, pasi Dodik nuk do të japë dorëheqjen pa luftuar. “Unë nuk do ta respektoj këtë. Do ta respektoj vullnetin e popullit serb. Ata ishin të paturpshëm dhe arrogantë, dhe presin që unë të nënshtrohem. Unë nuk do ta bëj këtë,” tha Dodik në një reagim.
Dodik theksoi gjithashtu se ai mbetet president i pjesës së dominuar nga serbet e Bosnjës. “Populli më zgjodhi, unë nuk do të zëvendësohem nga një qeveri e huaj! Ata bëjnë punën e tyre, ne bëjmë tonën. Shpresoj që rrugët tona të mos kryqëzohen përsëri,” deklaroi Dodik. Kjo e vë B-H në prag të një krize kushtetuese.
Në ditët në vijim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Sarajevë, do të shpallë zgjedhje të parakohshme për postin e presidentit të RS-së. Udhëheqja e RS-së në Banja Luka ka njoftuar tashmë se do ta parandalojë këtë votim, “nëse është e nevojshme me përdorimin e policisë”.
Kjo do të tensiononte marrëdhëniet midis përfaqësuesve politikë të tre popujve shtetformues të Bosnjës – boshnjakëve (myslimanëve boshnjakë), kroatëve dhe serbëve. Një luftë e përgjakshme shpërtheu në B-H nga viti 1992 dhe përfundoi në fund të vitit 1995 me Traktatin e Paqes së Dejtonit.
Dodikut duhet t’i merret pasaporta diplomatike
Qeveria boshnjake ka njoftuar tashmë se mosrespektimi i vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk do të tolerohet. Ministri i Jashtëm Elmedin Konakoviq – një boshnjak – nisi procedurat për revokimin e pasaportës diplomatike të Dodikut, pasi ai nuk është më në detyrë. Në RS, Asambleje Kombëtare pritet që të merret një vendim për të mbajtur një referendum.
Referendum mbi pavarësinë e RS?
Ndërkohë, Dodik – i cili nuk është më ligjërisht president i Republika Srpska – ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit të entitetit të dominuar nga serbet të Bosnjës dhe ka njoftuar emërimin e një kreu të ri të qeverisë. Meqenëse presidenti është i vetmi institucion në RS që mund të emërojë kreun e qeverisë, një veprim i tillë mund ta çojë të gjithë qeverinë e RS para Gjykatës Kushtetuese të B-H, pasi është emëruar në mënyrë të papërshtatshme ligjore.
Dodik ka njoftuar dhjetëra referendume mbi pavarësinë e RS gjatë njëzet viteve të fundit – por vetëm një u zhvillua dhe rezultatet u anuluan. Këtë herë, megjithatë, situata është më ndryshe, pasi politikani serb nuk është gjendur kurrë në një situatë kaq të keqe sa tani, pas largimit të tij nga detyra dhe ndalimit të aktivitetit politik. Shumë vëzhgues besojnë se Dodik nuk ka më asgjë për të humbur – dhe për këtë arsye do të vazhdojë me planin e tij këtë herë, por këtë do ta dëshmojnë ditët dhe javët e ardhshme.
Opozita e RS e ndarë
Ndërkohë, opozita në RS po përpiqet të bjerë dakord për një kandidat të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Por kjo do të jetë e vështirë: Kryetari aktual i Banja Lukës dhe kreu i Partisë Demokratike Progresive (PDP) të opozitës, Drashko Stanivukoviq, ashtu si Dodik, është kundër zgjedhjeve të reja.
Stanivukoviq akuzoi diplomatin më të rëndësishëm ndërkombëtar në Bosnjë, Përfaqësuesin e Lartë, i cili mbikëqyr edhe zbatimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, si përgjegjës për krizën në vend. Ai ka miratuar edhe ligjin sipas të cilit Dodik u dënua. Që nga gushti i vitit 2021, ish-ministri gjerman i Bujqësisë Christian Schmidt (CSU) është Përfaqësues i Lartë në B-H.
Për partitë e tjera opozitare të RS, kjo është një shenjë e qartë se Stanivukoviq është në anën e Dodikut. “Maskat kanë rënë. Stanivukoviq duhet të veprojë siç thonë [Aleksandar] Vuçiqi [presidenti i Serbisë] dhe Dodik. Ai po dirigjohet prej tyre, në mënyrë që t’i shkaktojë sa më shumë dëme opozitës. Për të parandaluar unitetin”, komentoi kreu i Listës për Rend dhe Ligj (LPR), Nebojsha Vukanoviq.
Serbia nënshkroi Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit për serbët e Bosnjës në vitin 1995. Fqinji lindor i B-H njoftoi, se vendimi kundër Dodikut është “goditja më e rëndë politike për popullin serb që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit” dhe populli serb “nuk do të heshtë për këtë”.
Hungaria dhe Rusia mbështesin Dodikun
Mbështetja për Dodikun erdhi nga Hungaria. Kryeministri Viktor Orban ka deklaruar se Dodik është dënuar vetëm pse “refuzon të luajë lojën e Brukselit”. Hungaria nuk do ta pranojë vendimin kundër Dodikut, tha ai. Mbështetje Dodikut i ka ardhur edhe nga ambasada ruse në Sarajevë.
Por Kroacia, si vend fqinj, ka një qëndrim krejt tjetër. Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq i bëri thirrje Dodikut të respektojë vendimin dhe të shmangë destabilizimin e Bosnjës. Kroacia nënshkroi po ashtu Marrëveshjet e Paqes të Dejtonit në vitin 1995 në emër të kroatëve të B-H.
Dodiku nuk është presidenti i parë i RS që i ndalohet aktiviteti politik. Në vitin 1999, Përfaqësuesi i Lartë i atëhershëm Carlos Westendorp shkarkoi Presidentin e RS-së, Nikola Poplashen. Kryeministri i atëhershëm e mbështeti shkarkimin. E kryeministër ishte: Milorad Dodik që tani është shkarkuar dhe dënuar.
Shërbimi Sekret i SHBA-së po përgatitet për samitin e Budapestit, në Hungarinë e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orbán, i cili ka qenë i afërt me Presidentin Donald Trump që nga mandati i parë i presidentit amerikan në detyrë..
Sipas Politico , Shërbimi Sekret shpesh vëzhgon vende të shumta dhe vendi përfundimtar mund të ndryshojë.
Budapesti po del si një zgjedhje e parë për Shtëpinë e Bardhë, thanë dy personat, të dy të cilëve iu dha anonimiteti për të diskutuar biseda private.
Shtëpia e Bardhë po planifikon një takim të mundshëm trepalësh midis presidentëve të SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës në kryeqytetin hungarez të Budapestit, si hapi tjetër në negociatat për t’i dhënë fund luftës shumëvjeçare, sipas një zyrtari të administratës Trump dhe një personi pranë administratës.
Presidenti rus Vladimir Putin i tha Trump se preferonte Moskën dhe Presidenti francez Emmanuel Macron shtyu Gjenevën si vende ideale takimi. Për të mos mbetur jashtë, ministri i jashtëm zviceran i premtoi Putinit “imunitet” për një urdhër arresti për krime lufte nëse kombi i njohur për neutralitet zgjidhej për bisedime paqeje.
Hungaria do të ishte një zgjedhje e pakëndshme për Ukrainën, pasi ajo i rikthehet Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, të cilin SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia premtuan të mbështesnin pavarësinë, sovranitetin dhe respektin për kufirin e Ukrainës në këmbim të heqjes dorë nga armët e saj bërthamore.
Sulmi i Putinit në vitin 2014 ndaj Ukrainës e vërtetoi marrëveshjen të pakuptimtë kur asnjë nga nënshkruesit nuk ofroi forca ushtarake për t’iu kundërvënë sulmeve. sn
Pas protestave të dhunshme, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka filluar të shohë haluçinacione duke aluduar për armiq të jashtëm, ai ka paralajmëruar se “vendi është në një rrezik të madh” dhe se sipas tij, është vetëm çështje kohe kur pjesëmarrësit e protestave “do të vrasin dikë”, gjë për të cilën ka theksuar se përgjigjja e shtetit do të jetë shumë më ndryshe nga ajo që është parë deri tani.
“Pas gjashtë ose shtatë ditësh do të shihni një veprim shumë vendimtar. Në tri ose katër ditët e ardhshme do t’ju duket sikur jemi tërhequr si shtet, sikur nuk ekzistojmë, sikur jemi të mundur. Por në një moment do të shihni gjithë vendosmërinë e shtetit serb,” u shpreh Vuçiç.
Ai shtoi se Serbia do të përdorë çdo mjet të mundshëm për të rikthyer rendin, paqen dhe qetësinë në vend.
“Do t’u kundërvihemi të gjitha presioneve të jashtme, atyre që na kërcënojnë dhe na tregojnë se çfarë na lejohet e çfarë jo, ndërsa deri tani nga ata kemi parë vetëm përpjekje për të futur kaos në vendin tonë. Ne do të fitojmë,” tha presidenti serb. sn
Një sasi prej gjysmë ton e substancës narkotike KHAT u gjet dhe u sekuestrua nga inspektorët e Autoritetit të Pavarur të të Ardhurave Publike në Aeroportin e Athinës “Eleftherios Venizelos”.
Mediat greke bëjnë të ditur se substanca e paligjshme ishte fshehur brenda katër faturave të ngarkesës me mallra të deklaruara si perde, çarçafë dhe pëlhura, që ishin nisur nga Izraeli me destinacion përfundimtar SHBA-në.
Në një kontroll të rastësishëm, të kryer nga inspektorët e Departamentit të Kontrabandës së Doganës së Aeroportit të Athinës, ata gjetën pakot e fshehura me gjethet e thata KHAT dhe sekuestruan një sasi totale prej gjysmë ton. Vlera e sasisë së sekuestruar shkon në 1,500,000 euro.
Kjo është sasia më e madhe e kësaj droge të veçantë e gjetur (e mëparshmja ishte përsëri në AIA, 458 kilogramë, më 4.12.2014). E fundit ishte në vitin 2022, në AIA, 34 kilogramë.
KHAT, koka natyrale, siç quhet ndryshe, është një substancë psikotrope që shkakton varësi, e nxjerrë nga bima Catha Edulis, e cila kultivohet në Bririn e Afrikës, në Gadishullin Arabik Jugor dhe përgjatë bregdetit të Afrikës Lindore. sn
Për të pestën natë me radhë, Serbia është përfshirë nga përleshje mes protestuesve dhe policisë në disa qytete. Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, njoftoi nga Beogradi se incidentet përbëjnë “shkelje drastike të rendit publik”.
Situata më e tensionuar u regjistrua në Valljevë, ku zyrat e Partisë Përparimtare të Serbisë, e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiç, u përfshinë nga flakët. Sulme janë regjistruar edhe ndaj ndërtesave të gjykatës, zyrës së prokurorit dhe administratës së qytetit.
Protestuesit dëmtuan rëndë edhe zyrat e Partisë Radikale Serbe, nën drejtimin e Vojisllav Sheshel, i njohur për krime lufte. Në disa pamje të shpërndara në media, policia shihet duke përdorur gaz lotsjellës dhe bomba zanore për të shpërndarë turmat, ndërsa protestuesit hedhin sende në drejtim të tyre.
Një skenar i ngjashëm ndodhi edhe në Beograd, ku turma u mblodh para selisë së partisë së Vuçiçit, por u shpërnda nga forcat e rendit. Tensionet u ndezën pas publikimit të disa fotografive në rrjetet sociale që tregojnë të rinj të ndaluar në Novi Sad, të gjunjëzuar me shpinën kah policia gjatë arrestimeve. sn
Pasagjerët në një aeroplan Condor përjetuan momente të tmerrshme të shtunën në mbrëmje, pasi motori i tij u përfshi nga flakët menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Korfuzit
Videot e postuara në TikTok dhe platforma të tjera të mediave sociale kapin shkëndijat e shpërthimeve nga motori i djathtë i Boeing 757-300 , i cili po operonte në linjën Korfuz-Dusseldorf, tymin e shkaktuar nga zjarri dhe shpërthimet e forta.
Defekti ndodhi pak pas orës 8 të mbrëmjes, në një lartësi prej rreth 1500 metrash , ndërsa avioni ishte në fazën e ngritjes pas nisjes. 250 pasagjerët dhe banorët e zonës dëgjuan një zhurmë shurdhuese që shkaktoi panik.
Pilotët ndoqën protokollin e sigurisë dhe e fikën motorin. Avioni më pas bëri një kthesë rrethore, pra u kthye djathtas dhe u zhvendos paralel me pistën. bw
Përleshje të reja shpërthyen midis protestuesve antiqeveritarë dhe policisë së trazirave në të gjithë Serbinë në natën e pestë radhazi të trazirave, pasi zyrave të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet iu vu zjarri.
Policia në Valjevo thuhet se përdori granata tymuese dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve pasi një grup i vogël personash të maskuar sulmuan objektet bosh të SNS-së, duke i vënë flakën. Policia reagoi me gaz lotsjellës dhe u kundërpërgjigj ndaj protestuesve.
Pati akuza të përhapura për dhunë dhe brutalitet policor në kryeqytet, Beograd, dhe Novi Sad. Ministria e brendshme e Serbisë i ka mohuar këto akuza.
Kjo vjen ndërsa Rusia u zotua të mbështeste presidentin pro-Moskës, Aleksandar Vuçiç, i cili drejton SNS-në, duke thënë se kjo nuk do të “mbetej pa u përgjigjur”.
Protestat u shkaktuan fillimisht nga shembja e një stacioni hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit të kaluar, me serbët që kërkuan zgjedhje të parakohshme dhe fundin e mbretërimit 12-vjeçar të Presidentit Aleksander Vuçiç.
Ndërsa demonstratat kundër korrupsionit kanë tërhequr qindra mijëra protestues , ato kishin qenë kryesisht paqësore deri në përplasjen e së mërkurës, kur besnikët pro-qeveritarë organizuan kundërdemonstrata.
Të shtunën në mbrëmje, policia e trazirave u vendos përsëri në një numër qytetesh, përfshirë Beogradin, ndërsa njerëzit morën pjesë në demonstrata për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Zyrat dhe flamujt që përfaqësonin partinë SNS të Vuçiçit kishin qenë në qendër të zemërimit të protestuesve.
Protestuesit thyen gjithashtu dritaret e selisë së Partisë Radikale Serbe, një partner i koalicionit të SNS-së në pushtet.
Javën e kaluar, janë raportuar të lënduar në protesta në të gjithë vendin dhe një video e paverifikuar ka qarkulluar në mediat sociale ku shihet policia duke rrahur një burrë në Valjevo.
Michael O’Flaherty, Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, shprehu shqetësim të premten në lidhje me “forcën joproporcionale të policisë” në Serbi, duke u kërkuar autoriteteve të “i japin fund arrestimeve arbitrare dhe të qetësojnë situatën”.
Protestat kanë përfshirë Serbinë pothuajse çdo ditë që nga nëntori, pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor të Novi Sadit që vrau 16 persona.
Tragjedia u bë simbol i korrupsionit të rrënjosur në vendin ballkanik, me thirrjet fillestare për hetime transparente që u shndërruan në kërkesa për zgjedhje të parakohshme.
Në kulmin e tyre, protestat tërhoqën qindra mijëra njerëz në rrugë.
Serbia po përjeton një valë protestash të paprecedenta në qytetet kryesore të vendit, të cilat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe mbështetësve të Partisë Progresive Serbe (SNS), që drejtohet nga presidenti Aleksandër Vuçiç.
Protestat, të organizuara nga lëvizja “Studentët në Bllokim”, janë përshkallëzuar sonte në Beograd, Novi Sad, Nish, Kragujevc, Suboticë, Shabac e Leskovc.
Tubimet nisën si reagim ndaj dhunës së përsëritur ndaj qytetarëve dhe akuzave ndaj qeverisë se po mbron huliganët në vend që të garantojë sigurinë publike.
Protestuesit janë mbledhur para zyrave të SNS-së dhe stacioneve policore, duke kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie. Në Novi Sad, situata doli jashtë kontrollit kur turma e protestuesve marshoi nga kampusi studentor drejt zyrave të SNS-së në Bulevardin e Çlirimit.
Sipas raportimeve nga mediat serbe në rrugën Stražilovska, persona të maskuar, të dyshuar si mbështetës të SNS-së, hodhën fishekzjarre dhe mjete piroteknike drejt protestuesve. Përplasja u ashpërsua kur qytetarët reaguan duke thyer dritaret e zyrave të partisë. Policia speciale ndërhyri me kordone sigurie, por tensionet vetëm u rritën.
Edhe në Beograd, protestuesit u mblodhën në lagjen Vraçar, ku u përballën me një prani të madhe policore para komitetit lokal të SNS. Incidenti më i rëndë u regjistrua kur një efektiv policie u filmua duke goditur me shuplakë një protestues, skenë që shkaktoi reagime të ashpra nga turma, e cila brohoriti: “Kë po mbroni?”.
Kolona u zhvendos më pas drejt Parkut Pionirski, të quajtur ndryshe ‘Ćaciland’, një vend simbolik për përkrahësit e presidentit Aleksandar Vuçiç, ku ndodhej edhe vëllai i tij, Andrej Vuçiç, i shoqëruar nga grupe të organizuara të mbështetësve të SNS-së. Tensionet atje bënë që turma e protestuesve të kthehej në drejtim të sheshit Slavia.
Në një deklaratë të dhënë pak para orës 22:00, Vuçiç reagoi për situatën duke thënë se “Serbia është ngritur si kurrë më parë”.
“Më shumë se kurrë, duhet të dëgjojmë dhe të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të mos urrejmë askënd. Kam ardhur për t’u bashkuar me një popull që nuk sulmon askënd”, u shpreh ai. sn
Në javët e ardhshme, Serbia do të zhvillojë ushtrime ushtarake me Kinën, hera e parë që një kandidat për anëtarësim në BE e bën këtë, dhe të dy vendet po bëjnë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit ushtarak.
Ministria kineze e mbrojtjes ka deklaruar se stërvitja “Paqësori 2025” do të zhvillohet nga njësi speciale të ushtrive kineze dhe serbe dhe do të zhvillohet gjatë gjysmës së dytë të korrikut në Provincën Hebei, në Kinën veriore.
Rajoni i Ballkanit është bërë strategjikisht i rëndësishëm për Kinën, e cila ka investuar shumë në të me projekte të mëdha infrastrukturore. Konkretisht, ajo nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Serbinë, ndërsa Beogradi bleu armë nga Pekini, duke u bërë vendi i parë evropian që bleu një sistem kinez të mbrojtjes ajrore.
Politikat miqësore të Serbisë ndaj Pekinit, si dhe Moskës, kanë ndezur kambanat e alarmit në Bruksel, i cili i ka dërguar paralajmërime të shumta Beogradit, i cili synon të bashkohet me bllokun. Lidhur me vlerësimin e BE-së për stërvitjen e planifikuar ushtarake me Kinën, Brukseli deklaroi se Serbia duhet të përmbahet nga “veprimet dhe deklaratat që bien ndesh me qëndrimet e politikës së jashtme të BE-së”.
Një zëdhënës deklaroi se BE dëshiron të jetë e sigurt se mund të mbështetet te Serbia si një partner i besueshëm evropian, i përkushtuar ndaj parimeve, vlerave dhe sigurisë së përbashkët. “Ne kemi nevojë që Serbia të na sigurojë për orientimin e saj strategjik”, shtoi zëdhënësi. bw
Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Kroacisë (SOA) vlerëson se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të paqëndrueshme dhe se, në këto rrethana, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë paraqet një rrezik të vazhdueshëm.
Në raportin e saj vjetor, SOA hedh dritë jo vetëm mbi situatën e sigurisë në Kroaci, por edhe mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor – një rajon që, sipas saj, vazhdon të përballet me sfida të thella politike dhe të sigurisë, të lidhura ngushtë me çështjet e pazgjidhura ndërshtetërore.
Edhe pse BE-ja dhe SHBA-ja mbeten të përfshira në përpjekjet për stabilizim, raporti nënvizon se zgjidhja e këtyre çështjeve vazhdon të jetë e vështirë.
Kjo klimë pasigurie, sipas SOA-s, ndikon drejtpërdrejt edhe në procesin e integrimit evropian të rajonit, i cili po ec me ritme të ngadalta.
Kroacia sheh kërcënime të vazhdueshme në veri
Në vlerësimin e saj për Kosovën, SOA thekson ekzistencën e grupeve që synojnë destabilizimin e situatës në veri të vendit, ku shumica e popullsisë është serbe.
Si shembull për këtë, raporti përmend sulmin e armatosur të formacioneve serbe ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, në të cilin mbeti i vrarë një polic.
Prishtina e ka akuzuar Beogradin për këtë sulm, ndërsa zyrtarët serbë kanë mohuar çdo përgjegjësi.
Raporti vëren se ende nuk është e qartë se si është organizuar ky formacion paraushtarak dhe si është armatosur me armë të rënda me origjinë ushtarake.
Për Millan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe ka qenë pjesëmarrës në të, raportohet se është larguar në Serbi, ku është marrë në pyetje, por ende pritet ngritja e procedurave penale kundër tij.
Raporti i SOA-s përmend edhe përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të shuar institucionet paralele serbe në veri, me qëllim forcimin e sovranitetit të shtetit dhe kufizimin e ndikimit të Beogradit në këtë zonë.
“Në rrethana të tilla, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë mbetet një rrezik i vazhdueshëm. Ndaj, rolin e garantuesit të sigurisë vazhdon ta luajë prania ushtarake e forcave ndërkombëtare”, përfundon SOA.
Balancimi strategjik i Serbisë
Për fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, SOA thekson vazhdimësinë e politikës së balancimit midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës.
Kjo strategji përfshin edhe promovimin e konceptit të “botës serbe”, i cili synon bashkimin e serbëve në vendet fqinje – sidomos në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë – nën ombrellën e unifikuar politike të Beogradit zyrtar.
Në nivelin e brendshëm, SOA vëren se Serbia ka përjetuar disa valë protestash antiqeveritare, të organizuara kryesisht nga studentët, të cilët kërkojnë demokratizim të shoqërisë, depolitizim të institucioneve shtetërore, forcim të lirisë së medias dhe luftë kundër korrupsionit.
Raporti thekson se – në një situatë të tillë të ndërlikuar, me polarizim shoqëror në rritje – mediat pranë strukturave qeverisëse përforcojnë një narrativ që identifikon armiq të jashtëm dhe të brendshëm.
Sipas raportit, kjo krijon një atmosferë të kërcënimit kombëtar dhe përdoret për të diskredituar protestat studentore.
Në këtë kontekst, Republika e Kroacisë përmendet si një “faktor i përhershëm antiserb”, thekson SOA.
Sfida të tjera
Agjencia kroate vëren se në Bosnje dhe Hercegovinë vazhdon paqëndrueshmëria politike, e shkaktuar nga mosmarrëveshjet midis entiteteve dhe komuniteteve për rregullimin kushtetues dhe politikën e jashtme.
Konflikti kryesor qëndron midis udhëheqjes së Republikës Sërpska dhe Përfaqësuesit të Lartë mbi juridiksionin.
SOA vlerëson se udhëheqja e Republikës Sërpska mbështet hapur shpërbërjen e Bosnje dhe Hercegovinës dhe kërkon mbështetje politike nga Rusia – gjë që do të vazhdojë të krijojë sfida serioze politike dhe të sigurisë.
Në Mal të Zi, sipas raportit, vazhdon po ashtu ndarja socio-politike mes opsionit proevropian dhe atij serb, i cili është njëkohësisht prorus dhe antiperëndimor.
Partitë radikale serbe janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës, dhe megjithëse Qeveria malazeze synon të demonstrojë angazhim evropian, ndikimi i politikave nacionaliste dhe antiperëndimore të opsionit serb mund të pengojë integrimin evropian dhe t’i ndikojë negativisht marrëdhëniet me BE-në, vlerëson raporti i SOA-s.
Ai përmend edhe Kishën Ortodokse Serbe, që përveç rolit fetar, thotë se ka edhe ndikim të fuqishëm politik – kombëtar dhe rajonal.
Udhëheqësit e Kishës promovojnë konceptin e “botës serbe”, duke përfshirë veçanërisht Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën si pjesë të kësaj hapësire, vë në dukje raporti.
I njëjti paralajmëron, gjithashtu, se organizatat kriminale të Ballkanit Perëndimor, sidomos ato serbo-malazeze, janë shumë aktive në trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Roli destabilizues i Rusisë
Në një pjesë të raportit, SOA thekson edhe ndikimin e vazhdueshëm dhe destabilizues të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Moska, sipas raportit, përdor një gamë mjetesh – sidomos lidhjet tradicionale me Serbinë – për të ruajtur dhe zgjeruar ndikimin e saj në rajon.
Agjencia vëren, gjithashtu, praninë aktive të shërbimeve ruse të inteligjencës në Serbi, të cilat, sipas SOA-s, përfshijnë edhe strehimin e agjentëve të larguar nga vendet perëndimore.
Raporti thekson se nga territori serb operojnë edhe mjete hibride ruse dhe përmend në mënyrë të veçantë RT-në dhe Sputnik-un.
Këto media “shërbejnë për të përhapur narrativë prorusë dhe antiperëndimorë në Ballkanin Perëndimor”, thekson raporti.
“Demokraci e sigurt”
Për vetë Kroacinë, SOA vlerëson se është një “demokraci e sigurt dhe e qëndrueshme në një mjedis sfidues të sigurisë”.
Ajo thekson se ndryshimet e shpejta globale, zhvillimet teknologjike dhe pasojat e luftës në Ukrainë kanë ndikuar në përkeqësimin e sigurisë në Evropë.
Por Kroacia, aktualisht, nuk përballet me kërcënime serioze të drejtpërdrejta ndaj sigurisë kombëtare apo rendit demokratik kushtetues, konstaton SOA.
Qipriotët grekë dhe turq shënuan të dielën 51-vjetorin e pushtimit të Qipros nga Turqia në vitin 1974, një ngjarje që ndau ishullin dhe mbetet një burim tensioni midis partnerëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë.
Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në pjesët jugore të Qipros, të populluara nga grekët qipriotë, në orën 5:30 të mëngjesit, koha e saktë kur trupat turke zbarkuan në bregdetin verior në një ndërhyrje ushtarake të shkaktuar nga një grusht shteti i shkurtër i frymëzuar nga Greqia.
Presidenti turk, Tayyip Erdogan, pritej të merrte pjesë në festimet në Qipron veriore, një shtet i shkëputur i njohur vetëm nga Ankaraja.
Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, mori pjesë në një shërbim përkujtimor në jug për të përkujtuar më shumë se 3,000 njerëzit që vdiqën në pushtimin turk, i cili gjithashtu dëboi dhjetëra mijëra qipriotë grekë nga shtëpitë e tyre.
“Pavarësisht atyre që duan që ne të harrojmë, ne nuk do të harrojmë kurrë dhe as nuk do të lëshojmë asnjë pëllëmbë tokë”, tha Christodoulides, duke i quajtur festimet në veri “të turpshme”.
Përpjekjet për të ribashkuar Qipron si një federatë bizonale dhe bikomunale kanë dështuar vazhdimisht për shkak të mosbesimit të thellë dhe vizioneve konkurruese për të ardhmen e ishullit.
Përpara pushtimit, përplasjet midis qipriotëve turq dhe grekë bënë që qipriotët turq të tërhiqeshin nga një qeveri me ndarje pushteti dhe nxitën vendosjen e paqeruajtësve të OKB-së në vitin 1964. Udhëheqësi turk qipriot, Ersin Tatar, tha se pushtimi kishte sjellë “paqe dhe qetësi” në ishull pas “viteve më të errëta” për turqit qipriotë.
“Qëllimi i tyre (i grekoqipriotëve) ishte të shkatërronin qipriotët turq”, tha ai në një video-adresim të postuar në X. Konflikti që po zien ndërlikon ambiciet e Turqisë për të nxitur lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian, anëtare të të cilit janë, si Qiproja, ashtu edhe Greqia. bw
Në frutat e ngrira të malit, me prejardhje nga Serbia dhe të destinuara për tregun gjerman, është zbuluar prania e virusit të hepatitit A, thuhet në faqen zyrtare të Sistemit Evropian për Alarme të Shpejta për Ushqimin (RASFF).
Paralajmërimi është lëshuar më 10 korrik, ndërsa mostrat janë marrë më 15 maj të këtij viti.
Rreziku është vlerësuar si “serioz”.
Hepatiti A është inflamacion i mëlçisë i shkaktuar nga virusi i hepatitit.
Ky virusi përhapet kryesisht kur një person i painfektuar (dhe i pavaksinuar) konsumon ushqim ose ujë të ndotur me jashtëqitje të një personi të infektuar. Sëmundja është ngushtësisht e lidhur me ujë ose ushqim të pasigurt, kushte të pamjaftueshme sanitare dhe higjienë të dobët personale, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ndryshe nga hepatiti B dhe C, hepatiti A nuk shkakton sëmundje kronike të mëlçisë, por mund të shkaktojë simptoma nga të lehta deri në të rënda dhe rrallëherë hepatit fulminant (dështim akut i mëlçisë), i cili shpesh është fatal.
Organizata “Gratë në të Zeza” zhvilloi në Sheshin e Republikës në Beograd një manifestim përkujtimor për 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, me moton “Asnjëherë nuk do të harrojmë gjenocidin në Srebrenicë”.
Në kuadër të aktivitetit u realizua edhe veprimi simbolik “Serbi, shikoje veten në pasqyrë: do të shohësh Srebrenicën – 30 vite – 30 pasqyra”.
Në podiumin e statujës së princit Mihailo qëndruan aktiviste duke mbajtur numrin 8372, si kujtesë për numrin e viktimave të vrara në gjenocid.
Megjithatë, afër tubimit u mblodhën tre kundërshtarë që, përmes megafonit, mohonin se ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë. Ata brohorisnin “Rroftë Republika Serbe” dhe shpalosnin emrat e serbëve të vrarë. Njëri nga burrat mbante në këmishë fotografinë e dënuarit për krime lufte, Ratko Mladiq, dhe një flamur me datën e shpalljes së Republikës Serbe. bw
“Ka ardhur koha për të vërtetën” – kështu i paralajmëruan mediat proqeveritare në Serbi filmat dhe “emisionet speciale” që mohuan gjenocidin në Srebrenicë.
Ato u transmetuan gjatë ditëve që shënuan 30-vjetorin e vrasjes së më shumë se 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë.
Për gjenocidin si “mashtrim” folën presidenti i entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe krimineli i dënuar i luftës, Vojisllav Sheshel.
Në televizionet “Informer” dhe “Prva” – me frekuencë kombëtare – u transmetua një serial që “zbulon manipulimin më të madh politik të drejtuar kundër popullit serb”.
Pas serialit qëndron organizata “Qendra për Stabilitet Shoqëror”, autore edhe e një filmi të mëhershëm që mohon krimin ndaj shqiptarëve të Kosovës në fshatin Reçak, më 1999.
“Ky narrativ tani është veçanërisht i theksuar. Përveç faktit që këtë vit bëhen 30 vjet nga gjenocidi, ai shfrytëzohet edhe për të goditur kundërshtarët politikë të pushtetit”, thotë për Radion Evropa e Lirë historiani dhe autori i një libri për gjenocidin në Srebrenicë, Dragan Popoviq.
Përvjetori i gjenocidit po zhvillohet në një atmosferë protestash studentore dhe qytetare në Serbi, që kanë tronditur Qeverinë e presidentit populist, Aleksandar Vuçiq.
Edhe pse nuk janë shprehur drejtpërdrejt për Srebrenicën, pushteti dhe mediat proqeveritare i akuzojnë protestuesit se duan ta shpallin popullin serb si gjenocidial.
Ky ishte edhe mesazhi kryesor i fushatës shtetërore kundër miratimit të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën në vitin 2024, edhe pse dokumenti nuk përmend asnjë popull apo shtet.
Një vit më vonë, me sulme u përballën edhe disa deputetë të opozitës që paraqitën në Kuvendin e Serbisë një tjetër propozim për rezolutë për dënimin e gjenocidit.
Kush bën thirrje për t’i dhënë fund politikës së mohimit?
“Përgjigje nga Parlamenti nuk ka ende”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ahmedin Shkrijel, anëtar i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) të Sanxhakut.
Një grup parlamentar, që përfshin këtë parti të pakicës boshnjake, Partinë Shqiptare për Veprim Demokratik dhe Lëvizjen opozitare të Qytetarëve të Lirë, dorëzoi më 3 korrik një propozim-rezolutë që kërkon ndërprerjen e politikës së mohimit të gjenocidit, të pandëshkueshmërisë dhe të madhërimit të krimeve dhe kriminelëve.
“Në propozim-rezolutë, në disa pika theksojmë se populli serb nuk është gjenocidial, por ata që nuk duan të përballen me pasojat e politikës së tyre shkatërruese – e ata janë regjimi aktual në pushtet,” thotë Shkrijel.
Ai kujton se që nga viti 2015, SDA-ja e Sanxhakut ka paraqitur në Kuvend propozime për rezoluta për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë, por thotë se ato kanë mbetur pa përgjigje.
Vendimi në duar të autoriteteve
Një propozim-rezolutë mund të paraqitet nga çdo deputet, por shumica qeverisëse vendos nëse ajo do të jetë në rend të ditës ose jo.
Shumica përbëhet nga Partia Përparimtare Serbe dhe Partia Socialiste e Serbisë.
Ato nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do ta përfshinin në rend dite projekt-rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë me procedurë urgjente, siç kërkuan propozuesit.
Qeveria e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq nuk e pranon që forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska, të udhëhequra nga Ratko Mlladiq, kanë kryer gjenocid kundër popullsisë boshnjake në korrik të vitit 1995.
Ai e cilëson masakrën si “krim të rëndë”.
Pasi Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm në Hagë, disa deputetë të pushtetit në Serbi e mbështetën publikisht atë, ndërsa një mural që e madhëronte, qëndroi për gati dy vjet në fasadën e një ndërtese në qendër të Beogradit.
“Politikat që çuan në Srebrenicë, sot janë në pushtet në Serbi. Kur ata e relativizojnë dhe mohojnë gjenocidin, ata mbrojnë veten. Jo nga përgjegjësia kriminale, por nga përgjegjësia politike dhe morale”, thotë historiani Popoviq.
Mesazhi i Vuçiqit, të cilin ai e dërgoi nga foltorja e Kuvendit si zyrtar i Partisë Radikale Serbe të Sheshelit në vitet 1990, mbetet i paharrueshëm: “Vritni një serb, ne do të vrasim njëqind myslimanë”.
Një pikë kthese në paraqitjet e tij publike ndodhi në vitin 2015, kur mori pjesë në shënimin e përvjetorit të gjenocidit në Potoçari.
Gjatë rrugës për në varreza, të mbledhurit e përcollën me fishkëllima, e disa hodhën edhe gurë në drejtim të tij.
Tabloidët në Serbi, edhe sot e kësaj dite, e përshkruajnë këtë ngjarje si një përpjekje “për të vrarë presidentin e Serbisë”.
Mediat proqeveritare në fushatë
Propozimin e rezolutës për Srebrenicën e dorëzuan gjashtë deputetë – aq sa numëron grupi i tyre parlamentar – dhe, në të njëjtën ditë, ata u bënë cak sulmesh nga mediat proqeveritare.
“Informer” e quajti propozimin “të turpshëm”, ndërsa mbështetësit i cilësoi si “bllokues antiserbë, të cilët kërkojnë që Serbia të shpallet shtet gjenocidial”.
Pika e propozimit, në të cilën thuhet se Kuvendi i Serbisë “shpreh ngushëllime dhe u kërkon falje familjeve të viktimave, për faktin që Serbia nuk e ka ndaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe nuk i ka dënuar kryesit”, u cilësua si veçanërisht “e turpshme”.
Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Serbia nuk ka ndërmarrë asgjë për të parandaluar vrasjen e më shumë se 8.000 boshnjakëve.
“Nuk ka asnjë argument që mund të përdorni për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë”, thotë deputeti i SDA-së së Sanxhakut, Shkrijel, për Radion Evropa e Lirë.
“Serbia dhe populli serb kanë nevojë që kjo rezolutë të dërgojë një mesazh, se kombet dhe shtetet e tjera nuk i shohin ata si kërcënim apo rrezik, por, përkundrazi, si ata që do të përqendrohen në ndërtimin e paqes dhe rivendosjen e besimit në ish-Jugosllavi”, shton ai.
Propozim-rezoluta bazohet në vendimet e Tribunalit të Hagës, si dhe në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës.
Në pano në të gjithë Serbinë, edhe sot mund të shihen mesazhe nga fushata shtetërore e vitit 2024, që thonë se “serbët nuk janë një popull gjenocidial”, edhe pse në dokumentin e miratuar nga Kombet e Bashkuara nuk përmendet as populli serb, as përgjegjësia kolektive.
Vuçiq me një flamur serb ndërsa dëgjon delegatët pas votimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për krijimin e një dite ndërkombëtare për të përkujtuar gjenocidin e Srebrenicës. Maj, 2024.
Çka thonë studentët protestues?
Këtë vit, në kontekstin e Srebrenicës u përfshinë edhe studentët në bllokadë, që organizojnë protesta antiqeveritare tash e sa muaj, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
“Bllokuesit duan ta shpallin Serbinë gjenocidiale, ndërsa Vuçiq luftoi si luan kundër miratimit të rezolutës së turpshme për Srebrenicën në OKB”, ishte ballina e “Informer”-it më 25 qershor.
Studentët në bllokadë, të cilët nuk kanë liderë, nuk kanë dhënë qëndrime për gjenocidin në Srebrenicë.
Ata nuk deshën të flasin për Radion Evropa e Lirë për këtë temë, ndërsa më herët kanë thënë se, për shkak të heterogjenitetit të lëvizjes studentore, nuk do të flasin për çështje që nuk janë pjesë e kërkesave të tyre.
“Besoj se shumica e tyre nuk kanë informacion të mjaftueshëm për atë që ndodhi në Srebrenicë. Por, gjithashtu, besoj se ky nuk është momenti kur kjo mund t’u shpjegohet të rinjve”, thotë historiani Popoviq.
Për shkak të qëndrimeve personale për gjenocidin, disa studentë u përballën me sulme nga mediat.
“Besoj se, së pari, duhet hapur një hapësirë në shoqëri për dialog, të largohen regjimi autokratik dhe kontrolli i tij mbi mediat… Vetëm pastaj mund të ndërmerren hapa të tjerë që nuk do të jenë të lehtë – t’u shpjegohet njerëzve se çfarë ka qenë Srebrenica dhe përse është e rëndësishme ta kujtojmë”, shton Popoviq.
Qëndrimet e opozitës në Serbi
Disa parti opozitare, të cilat – pas thirrjes së studentëve – janë duke bojkotuar punën e Kuvendit, bëjnë deklarata të ngjashme.
“Asgjë nuk do të ndryshojë në këtë përbërje të Kuvendit për aq kohë sa Aleksandar Vuçiq është në pushtet dhe ne e konsiderojmë atë të paligjshëm për momentin. Kur të ndryshojnë rrethanat, ne mund të diskutojmë edhe dokumentet e propozuara nga partitë e tjera politike”, thotë për Radion Evropa e Lirë kreu i Partisë Demokratike, Sërgjan Millivojeviq.
Ai kujton se, me iniciativën e kësaj partie, Kuvendi serb ka miratuar Deklaratën për Srebrenicën në vitin 2010, në përputhje me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Edhe pse ky dokument i referohet vendimit që vërtetoi se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, ky term nuk përmendet.
Propozim-rezoluta e re nuk u shqyrtua as nga Fronti i Majtë i Gjelbër në opozitë, pasi nuk merr pjesë në punën e Kuvendit.
“Ne kurrë nuk kemi hezituar të themi se ajo që ndodhi në Srebrenicë, ishte gjenocid, dhe kemi folur për këtë publikisht në Kuvend. Por, gjatë gjithë kohës kemi një situatë në të cilën regjimi na sulmon për pretendimet se serbët janë një popull gjenocidial – gjë që askush prej nesh nuk e thotë”, shprehet për Radion Evropa e Lirë Bilana Gjorgjeviq nga kjo parti.
Të pyetura nëse do ta mbështesnin rezolutën e propozuar për gjenocidin në Srebrenicë, Partia për Liri dhe Drejtësi, Lëvizja Popullore e Serbisë dhe Partia e Re Demokratike e Serbisë, të cilat morën pjesë në fushatën kundër miratimit të dokumentit të OKB-së në vitin 2024, nuk u përgjigjën.
Udhëheqësi i Lëvizjes Popullore, Mirosllav Alleksiq, ka deklaruar më herët se “në Srebrenicë ndodhi një krim, por jo gjenocid”.
“Edhe pse nuk do të ndodhë asgjë lidhur me këtë nismë të re, është e rëndësishme që ajo të jetë në Kuvend dhe të mbetet e shënuar se dikush, megjithatë, e ka kërkuar”, thotë historiani Popoviq.
A i ndëshkoi Serbia ata që ishin përgjegjës?
Propozim-rezoluta e detyron Serbinë të kryejë hetime dhe t’i ndëshkojë të gjithë ata që janë përgjegjës për gjenocidin.
Vetëm dhjetë ditë para 30-vjetorit të gjenocidit, një gjykatë në Beograd e liroi ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Sërpska, Millenko Zhivanoviq, nga akuzat për krime lufte kundër popullsisë civile në Srebrenicë.
Deri më sot, në Serbi janë dhënë edhe tri aktgjykime të tjera, pa përmendur gjenocidin.
Dy janë rezultat i marrëveshjeve për pranimin e fajësisë që prokuroria i arriti me të akuzuarit, menjëherë pasi Bosnje dhe Hercegovina ngriti aktakuza kundër tyre.
Një tjetër rast që lidhet me Srebrenicën, po zhvillohet në Gjykatën e Lartë në Beograd.
Gjyqi për vrasjen e më shumë se 1.300 civilëve boshnjakë në fshatin Kravicë, i cili filloi në fund të vitit 2016, është ende në fazën e provave.
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur të martën në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, ku disa pasagjerë shqiptarë të linjës Beograd–Tiranë janë mbajtur të mbyllur në një autobus në pistën e aeroportit, në kushte të papërshtatshme.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë pasagjerët duke bërtitur dhe kërkuar ndihmë nga autoritetet jashtë autobusit, ndërsa brenda mjetit kishte temperatura shumë të larta dhe mungonte ajrosja apo kondicioneri.
Deri në këtë moment, nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga autoritetet e aeroportit në Beograd lidhur me këtë incident, ndërsa nuk dihet ende nëse pasagjerët kanë marrë ndonjë trajtim mjekësor apo ndihmë nga autoritetet serbe.bw
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi tarifa prej 35 për qind për importet nga Serbia dhe 30 për qind për importet nga Bosnje dhe Hercegovina.
Tarifat e reja për dy vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe ato për një sërë vendesh të tjera do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.
Ato janë më të ulëta sesa ato që Trump i paralajmëroi në prill – 37% për mallrat nga Serbia dhe 35% për ato nga Bosnje dhe Hercegovina.
Megjithatë, zbatimi i këtyre të fundit u shty për 90 ditë.
Trump i paralajmëroi tarifat e reja në letrat drejtuar udhëheqësve të vendeve – në rastin e Serbisë, presidentit Aleksandar Vuçiq, ndërsa në rastin e Bosnje dhe Hercegovinës kryetares aktuale të presidencës, Zhelka Cvijanoviq.
Këto letra janë të njëjta, përveç ndryshimeve në normat doganore që i vendosen secilit shtet veç e veç.
Letra e Trumpit fillon duke thënë se është “nder i madh” për të që dërgon një letër, e cila tregon rëndësinë dhe përkushtimin e SHBA-së për marrëdhëniet tregtare me atë shtet.
Ai shton se SHBA-ja ka pranuar ta vazhdojë bashkëpunimin tregtar me vendin në fjalë, pavarësisht “deficitit të konsiderueshëm tregtar” që SHBA-ja ka me të.
Sipas tij, norma e deklaruar e tarifës – 30 për qind për Bosnje dhe Hercegovinën dhe 35 për qind për Serbinë – është shumë më e ulët se ajo që nevojitet për të eliminuar pabarazitë dhe deficitin tregtar.
Trump, gjithashtu, kërcënon se do t’i rrisë tarifat nëse vendet hakmerren, duke vendosur tarifa shtesë për importet nga SHBA-ja.
Trump njoftoi të hënën në rrjetin e tij social, Truth Social, vendosjen e tarifave të reja doganore për një sërë shtetesh.
Për Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë dhe Kazakistanin parashikohen tarifa prej 25%; për Afrikën e Jugut 30%; për Indonezinë 32%; për Bangladeshin 35%; për Kamboxhën dhe Tajlandën 36%, dhe për Laosin e Mianmarin 40%.
Në fillim të prillit, Trump vendosi tarifë 10% për importet nga Kosova.
Masë të ngjashme, atëkohë, vendosi edhe për importet nga Shqipëria, kurse për ato nga Serbia ishte 37%, nga Bosnje dhe Hercegovina 35% dhe nga Maqedonia e Veriut 33%.
Ekspertët vlerësuan se tarifat amerikane do të kenë shumë ndikim në Kosovë, për shkak të varësisë së madhe nga importet.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha atëkohë se zyra e saj ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10% ndaj mallrave të importuara nga SHBA-ja, por se për miratimin e kësaj mase duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri.
Automjetet e policisë serbe pengojnë bllokadat në një lagje të Beogradit, 7 korrik 2025.
Radio Evropa e Lirë
Në ditën e tetë të protestave në Serbi, mëngjesin e 7 korrikut, mbi dhjetë rrugë kryesore në Beograd u bllokuan nga protestuesit.
Me kërkesë të studentëve, grupe joformale të qytetarëve bllokuan rrugët dhe kryqëzimet në disa lagje që nga ora 7:00.
Midis tyre janë edhe rrugë kryesore në Beogradin e Ri.
Policia ndërhyri në disa raste, duke i penguar qytetarët t’i bllokonin rrugët kryesore në disa vende në Beograd.
Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë raporton për forca të shtuara policore në rrugët e qendrës së qytetit dhe në lagje të tjera.
Në disa nga vendet ku ka bllokada, raportohet se policia ka kërkuar dokumentet e identifikimit të qytetarëve.
Bllokadat në qytete anembanë Serbisë filluan pasi studentët bënë thirrje për “mosbindje civile” nga 28 qershori.
Organizata akademike “Studentët në bllokadë” organizon protesta qysh në fund të vitit të kaluar, duke kërkuar përgjegjësi për incidentin në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
Gjashtëmbëdhjetë persona humbën jetën nga shembja e një strehe betoni atje, më 1 nëntor.
Studentët, që kanë bllokuar edhe fakultete, kërkojnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor, identifikimin dhe ndjekjen penale të atyre që kanë sulmuar protestuesit gjatë tubimeve në të gjithë Serbinë, lirimin e aktivistëve të arrestuar në protesta dhe ndërprerjen e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Nga maji, kërkesë e tyre është bërë edhe thirrja e zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që qeveria e re të mund të punojë për përmbushjen e kërkesave të tyre të mëparshme.
Gjatë javës së kaluar, policia serbe, në disa raste, ndaloi persona që bllokuan rrugët.
Mes protestuesve dhe forcave të rendit pati edhe përleshje.
Kundërshtarët e tyre, që e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë”, kanë ngritur kampe përpara Presidencës së Serbisë që nga fillimi i marsit, duke u kërkuar autoriteteve që t’i lejojnë të kthehen në universitete.
Ata janë vizituar disa herë edhe nga vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Jo vetëm në tokë dhe ajër, tani Turqia kërkon të dominojë edhe në ujë, të paktën sa I përket anije luftarake. Agjensia për Industrinë e Mbrojtjes Turke ka projektuar një aeroplanmbajtëse të gjatë 300 metra dhe që do të ishte më e madhja në Evropë.
Duke pasur një dalje të konsiderueshme dhe pikë strategjike në Mesdhe, kjo aeroplanmbajtëse pritet të dominojë jo vetëm në Egje, por edhe më tutje.
Emri i saj pritet të jetë “Milli Uçak Gemisi” dhe do të tejkalojë ndjeshëm aeroplanmbajtësen për dronë TCG Anadolu, e cila është e gjatë rreth 232 metra. Kjo anije e re ka për qëllim të shërbejë si një qendër lundruese për aeroplanë me krahë fiks dhe helikopterë, duke zgjeruar ndjeshëm shtrirjen detare të Turqisë përtej brigjeve të saj.
Aeroplanmbajtese Turke
Ky projekt bazohet në bashkëpunimin e suksesshëm me Spanjën gjatë fazave të hershme të projektimit të anijes ushtarake TCG Anadolu, shkruajnë mediat. Aeroplanmbajtësja do të ndërtohet në kantieret detare vendase në Stamboll, duke forcuar konsorciumin turk të kompanive në fushën e ndërtimit të anijeve.
Aeroplanmbajtëset më të mëdha aktive evropiane, si “Charles de Gaulle” e Francës apo “Queen Elizabeth” e Britanisë, kanë një gjatësi rreth 280 deri në 284 metra. Dizajni i ri i aeroplanmbajtëses turke jo vetëm që i tejkalon ato, por gjithashtu sinjalizon edhe ambicien për të dalë përtej kufizimeve thjesht rajonale.bw
Studentët në Serbi kanë njoftuar një bllokadë të plotë të Beogradit dhe qyteteve të tjera të mëdha sot, në reagim ndaj “dhunës dhe arrestimeve policore”.
Protestat studentore thonë në një faqe interneti që kanë krijuar se bllokadat e kryqëzimeve rrugore në qytete do të fillojnë në orën 6:00 të mëngjesit, pa specifikuar se sa do të zgjasin.
Ata gjithashtu udhëzojnë ata që do të marrin pjesë në bllokada “të mos përdorin dhunë, të largohen nga bllokadat pa rezistencë kur të ndërhyjnë forcat e policisë dhe të zhvendosen në një pikë tjetër ku do të ngrenë një bllokadë të re”.
Studentët po u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në bllokadat rrugore.
Arsyeja për bllokadën e planifikuar të qyteteve ishte dhuna e përdorur në ditët e mëparshme nga policia kundër studentëve në bllokada dhe gjithashtu përpjekja e oficerëve të policisë, të mërkurën në mbrëmje, për të hyrë me forcë në Fakultetin e Drejtësisë.
Presidenti i Republikës, Aleksandar Vuçiç, reagoi ndaj njoftimit të bllokadave, në një video të ngarkuar në Instagram vonë mbrëmë, duke deklaruar se shteti nuk mund të lejojë veprime të paligjshme.
“Fatkeqësisht, ata që nuk e duan Serbinë, ekzistojnë jashtë kufijve dhe brenda vendit, kanë vendosur t’ua bëjnë jetën të gjithëve juve të vështirë. Ata kanë vendosur t’ju pengojnë të shkoni në punë, t’ju pengojnë të jetoni një jetë normale, t’ju pengojnë të ndiheni të lirë në vendin tuaj, në shtëpitë tuaja, në vendin tuaj të punës”, theksoi Presidenti Vuçiç.
Ai u bëri thirrje studentëve të “vijnë në vete dhe të mos e urrejnë aq shumë vendin e tyre”, duke paralajmëruar se bllokadat shkelin jo vetëm kodin penal, por edhe Kushtetutën.
Gjatë pesë ditëve të fundit, studentët dhe qytetarët kanë bllokuar rrugët në të gjitha qytetet kryesore, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare.
Bllokadat “shfaqen” pa paralajmërim në pjesë të ndryshme të qyteteve, shpesh njëkohësisht në 20-30 vende, gjë që e vështirëson punën e policisë. Çdo ditë bëhen dhjetëra arrestime dhe ndalime, por ato nuk duket se i dobësojnë reagimet e studentëve dhe qytetarëve.
Taktikat e përjashtimit të studentëve mbështeten nga të gjitha partitë opozitare, të cilat kanë vendosur të abstenojnë nga seancat parlamentare.bw
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë (MVEP) u ka rekomanduar shtetasve të saj që t’i shtyjnë të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme drejt Serbisë.
Në një njoftim të publikuar sot, Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve kroatë për “kujdes të shtuar, ndjekje të situatës aktuale dhe informim më të detajuar para udhëtimit, sidomos në dritën e sjelljeve të papërshtatshme dhe të pabazuara nga ana e autoriteteve të Republikës së Serbisë ndaj shtetasve kroatë”.
“Duke marrë parasysh që shpesh ndodhin bllokime të rastësishme të rrugëve si pasojë e protestave qytetare, është e rëndësishme të kihet parasysh se është e pamundur të parashikohet gjendja në komunikacion dhe vështirësitë eventuale që mund të ndikojnë ndjeshëm në qarkullimin në të gjithë vendin. Qytetarëve kroatë u rekomandohet veçanërisht t’i shmangin vendet ku grumbullohet numër i madh njerëzish”, thuhet në njoftimin e MVEP-it.
Në çdo moment, në rast të ndonjë situate të jashtëzakonshme apo urgjence jashtë orarit zyrtar, shtetasit kroatë kanë të drejtë të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Kroacisë në Republikën e Serbisë përmes numrit emergjent të telefonit: 0038163485757.
“Vendimi për të udhëtuar jashtë vendit është përgjegjësi personale e secilit individ. Rekomandimet dhe paralajmërimet për udhëtimet jashtë vendit, të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, janë të natyrës këshilluese”, thuhet në njoftim.
Në Serbi, ditëve të fundit janë organizuar bllokada rrugësh si përgjigje ndaj thirrjes së studentëve për “mosbindje civile”, pas protestës së madhe të mbajtur më 28 qershor, në të cilën u kërkua shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.
Policia ndërhyri duke larguar bllokadat dhe arrestuar pjesëmarrësit, pas së cilës gjë partitë opozitare dhe studentët akuzuan autoritetet për përdorim “brutal” të forcës.
Para përshkallëzimit të tensioneve në Serbi, autoritetet kishin dëbuar artistë dhe qytetarë nga vendet fqinje që kishin shprehur mbështetje për protestat në Serbi.
Ndërhyrja e policisë në Vraçar të Beogradit, gjatë natës mes 2 dhe 3 korrikut.
Radio Evropa e Lirë
Policia e Serbisë ka ndërhyrë gjatë natës mes 2 dhe 3 korrikut në disa lokacione në Beograd dhe Novi Sad, ku qytetarë dhe studentë ishin mbledhur për të bllokuar rrugët.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi në mëngjes se janë larguar të gjitha bllokadat.
Sipas MPB-së, gjatë natës janë kontrolluar gjithsej 1.297 persona, ndërsa 79 janë shoqëruar në stacione policore. Prej tyre, 72 për kundërvajtje dhe shtatë të tjerë për dyshim të shkeljes së Kodit Penal.
“Janë hequr të gjitha bllokadat në territorin e Serbisë dhe Beogradit dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme”, thuhet në njoftim.
Policia konfirmoi se në disa vende ka pasur incidente të izoluara, përfshirë në Beograd, Nish, Novi Pazar dhe Novi Sad. Në këto lokacione janë arrestuar disa persona për prishje të rendit dhe kryerje të veprave penale.
MPB-ja njoftoi se gjatë bllokadave janë lënduar katër policë dhe është dëmtuar një veturë zyrtare e policisë.
Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga veprimet e paligjshme dhe të mos bllokojnë rrugët, në mënyrë që të mos rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të të tjerëve.
Një njësi e xhandarmërisë ndërhyri para Fakultetit Juridik në Beograd, ku studentët protestues pretenduan se policia tentoi të hynte brenda objektit, duke shkelur kështu autonominë universitare.
Gazetari i së përjavshmes Radar, Vuk Cvijiq, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje, tha për televizionin N1 se studentët kishin bllokuar rrugën dhe se policia intervenoi me automjete dhe dhunë.
“Ata u tërhoqën brenda fakultetit, por policët arritën deri në derë, ndërkohë që komandantët u thërrisnin për të mos hyrë”, tha ai, duke shtuar se pati disa të arrestuar.
Policia dhe qytetarët në Vraçar të Beogradit, gjatë natës mes 2 dhe 3 korrikut 2025.
Policia mohoi që ka hyrë në objektin e fakultetit dhe deklaroi se ka vepruar vetëm ndaj atyre që kishin vendosur pengesa në rrugë, duke respektuar autonominë universitare.
Më herët, në bulevardin “Mbreti Aleksandër”, pati përplasje mes policisë dhe qytetarëve.
Sipas MPB-së, një polic u lëndua dhe një automjet policor u dëmtua gjatë përpjekjes për të arrestuar një person që kishte bllokuar rrugën me kontejnerë.
Intervenime ka pasur edhe para stacionit të policisë në lagjen Vraçar të Beogradit dhe rrugëve përreth, ku ishin mbledhur qytetarë dhe studentë që prisnin lirimin e të ndaluarve – përfshirë edhe të mitur – të arrestuar më herët në rrugën Njegosheva dhe para Fakultetit Juridik.
Pasi të miturit u liruan, personat e rritur u dërguan te gjykatësi kujdestar në Gjykatën për Kundërvajtje. Më pas, forcat e xhandarmërisë shpërndanë protestuesit, duke përdorur edhe shkopinj gome.
Situata të ngjashme u regjistruan edhe në pjesë të tjera të Beogradit.
Policia në Vraçar të Beogradit, gjatë natës mes 2 dhe 3 korrikut 2025.
Në Novi Sad, bllokadat nisën pas orës 18:00 dhe vazhduan gjatë gjithë natës. U bllokuan disa kryqëzime në Bulevardin e Çlirimit dhe rrugë të tjera kryesore. Edhe pse policia ndërhyri disa herë për të larguar protestuesit, ata u kthyen sërish pas largimit të policisë.
Organizata akademike “Studentët në bllokadë” kishte bërë thirrje për mosbindje civile pas një mitingu të mbajtur më 28 qershor në Beograd.
Studentët kërkojnë zgjedhje të reja që në maj.
Ata organizojnë protesta dhe bllokada nëpër fakultete tash e sa muaj, duke kërkuar përgjegjësi penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad më 1 nëntor.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi ka protestuar te fuqitë perëndimore, pasi Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër.
“Kanë bërë shumë gjëra dhe tani kemi parë që kanë vendosur gurë themele për dy ura, pa marrë pëlqimin e popullit serb dhe të njerëzve nga Mitrovica e Veriut, sepse kjo do të nënkuptonte eksod përfundimtar”, tha Vuçiq për televizionin Informer, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Më 1 korrik, Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, i cilin ndan Mitrovicën në pjesën jugore të banuar me shqiptarë dhe në pjesën veriore të banuar me serbë.
Njëra urë parashihet të jetë për këmbësorë dhe tjera për automjete.
Autoritetet kosovare thanë se projekti, me një vlerë prej rreth 3 milionë eurosh, ka për qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet banorëve nga të dyja anët e lumit.
Megjithatë, reagimet në terren janë të ndryshme – disa e përkrahin këtë iniciativë, ndërsa të tjerët e shohin si të panevojshme.
Urat e reja do të vendosen në anën e majtë dhe të djathtë të urës kryesore, e cila është pjesë e Marrëveshjes Kosovë-Serbi për Lirinë e Lëvizjes, të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel.
Megjithatë, nga BE-ja i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë të njoftuar për të.
Sipas BE-së, çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet që preken nga kjo çështje.
Aleksandar Dugin, një filozof nga qarqet e krahut të djathtë si në Rusi ashtu edhe në Serbi, sulmoi ashpër presidentin serb Aleksandar Vuçiq në një intervistë.
Dugin, i cili konsiderohet frymëzuesi ideologjik i politikës ekspansioniste të botës ruse, tha se beson që Vuçiq ka humbur legjitimitetin dhe se të gjithë në Serbi janë të pakënaqur me të.
“Serbët duan që Vuçiqi të largohet. Kjo është e sigurt. Dhe të gjithë serbët e duan. Për momentin, ai ka një shtet dhe zero mbështetje midis popullsisë së Serbisë. E vetmja gjë është se njerëzit që kanë frikë nga një tjetër revolucion me ngjyra nuk po marrin pjesë në protesta, nuk po dalin në sheshe, nuk po brohorasin. Por Vuçiqi ka mbaruar. Legjitimiteti i tij është zhdukur. Mendoj se qëllimi i këtyre protestave është që ai thjesht të zhduket. Asnjë kompromis, marrëveshje apo ndonjë qëllim më konkret dhe praktik nuk do ta zgjidhë këtë situatë. Vuçiqi duhet të largohet. Ky është mendimi i shoqërisë serbe. Në të njëjtën kohë, serbët e kuptojnë qartë se çfarë nuk duan, por janë plotësisht të paqartë për atë që duan. Sepse, në një farë mënyre, ata duan gjëra krejtësisht të kundërta, disa janë joreale, disa janë të pamundura, disa do t’u kthehen kundër dhe do të duhet të paguajnë një çmim edhe më të lartë për to”, tha Dugin.
Ky filozof, i cili konsiderohet filozofi i oborrit të Vladimir Putinit, duket se është veçanërisht i shqetësuar që Aleksandar Vulin nuk është më në qeveri.
Ai thotë hapur se ishte kundër protestave në Serbi dhe se madje e mbështeti Vuçiqin “në fjalimet e tij drejtuar serbëve”, midis të cilëve, thotë ai, ka autoritet të madh.
“Derisa Vulini ishte në qeveri, u bëja thirrje serbëve të mos shkonin në ato protesta, dhe tani nuk kam një qëndrim të prerë, sepse situata atje ndryshon çdo ditë. Nuk mendoj se varet shumë nga ne. Rusia nuk është në atë situatë dhe pozicion për të ndikuar vërtet në politikën në Evropën Lindore tani”, thotë Dugin.
Dugin beson se numri i njerëzve që ai i quan patriotë dhe rusofilë serbë është rritur në protesta, dhe se ata janë gjithashtu të pakënaqur me politikat e ndjekura nga presidenti serb.
“Këto protesta filluan të financohen dhe promovohen nga globalistët, sepse Vuçiqi nuk u përgjigjej atyre, ai ishte një figurë kalimtare. Ata donin të sillnin në pushtet një politikan pro-perëndimor të bindur plotësisht, i cili do të shkonte në atë anë edhe më shumë se Vuçiqi. Por në të njëjtën kohë, pjesa e patriotëve dhe rusofilëve që morën pjesë në këto protesta kundër Vuçiqit, veçanërisht pas largimit të Aleksandar Vulinit nga qeveria, u rrit. Dhe tani Vuçiqi nuk mund t’u thotë atyre – qëndroni në anën time, njerëz, sepse Vuçiqi bëri gjithçka për ta kthyer atë pjesë të shoqërisë serbe kundër vetes”, shtoi ai.
Lidhur me politikën e jashtme të lojës në fusha të shumëfishta dhe uljes në karrige të shumëfishta, Dugin thotë se ky është fati i vendeve të vogla dhe të dobëta, por ai kritikon ashpër metodat e presidentit serb.
Ai flet për këtë politikë si një luhatje të vazhdueshme midis Bashkimit Evropian, duke kënaqur nacionalistët serbë, Rusisë, Ukrainës, Amerikës.
“Midis këtyre katër poleve, Vuçiçi detyrohet të ngrihet në ajër. Për më tepër, meqenëse është edhe i ashpër edhe i dobët, edhe frikacak edhe agresiv, kjo krijon një problem shtesë estetik – ai është thjesht i neveritshëm. Ai është i neveritshëm edhe kur thotë dhe bën diçka saktë. Nuk i beson, shikimi i tij endet. Ai është një njeri që e diskrediton veten estetikisht. Serbët ndoshta e kanë këtë tipar midis popullit serb, kështu që ata nuk e shohin këtë tipar negativ të Vuçiçit, është e neveritshme për ta sikur të shikohen në pasqyrë. Nuk është i gjithë populli serb. Ka shumë faktorë të tillë negativë në figurën e tij, ndër të tjera, simbolika dhe psikologjia e tij u bashkuan në një në mënyrë që ai të mund të qëndronte në pushtet edhe për një kohë më të gjatë. Sepse ai tashmë ka dalë nga lëkura e tij, është përdredhur si një krimb, një krimb politik në krye të Serbisë, për të qëndruar në pushtet. Më duket se strategjia e tij është shteruar plotësisht”, tha Dugin.
Dugin e krahasoi gjithashtu situatën në Serbi me situatën në Ukrainë gjatë ngjarjeve të Maidanit të vitit 2014, kur presidenti i atëhershëm Viktor Janukoviq, pas muajsh protestash që kulmuan me të shtëna me municione luftarake ndaj demonstruesve, përfundimisht nënshkroi një marrëveshje me opozitën për një qeveri kalimtare, vetëm për t’u larguar nga vendi për në Rusi natën tjetër.
Kievi i quan protestat Revolucionin e Dinjitetit. Moska i konsideron ato një revolucion me ngjyra dhe një grushtshtet.sn
Milenko Zhivanoviq para Gjykatës Speciale në Beograd, pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, më 1 korrik 2025.
Radio Evropa e Lirë
Gjykata e Lartë në Beograd e ka shpallur të pafajshëm ish-komandantin e Korpusit të Drinës të Ushtrisë së Republikës Sërpska (VRS), Milenko Zhivanoviq, për akuzat për krime lufte kundër popullatës civile në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.
Gjykata e shpalli atë të pafajshëm në shkallën e parë në një aktgjykim të martën, duke e liruar nga akuza se kishte urdhëruar zhvendosjen e detyruar të popullsisë boshnjake nga zona e mbrojtur e Srebrenicës.
Prokuroria ka paralajmëruar se do të ankohet ndaj këtij vendimi.
Në arsyetimin e aktgjykimit, gjyqtarja deklaroi se Zhivanoviq, si komandant, u kishte dhënë detyra njësive të Korpusit të Drinës, por sipas saj, asnjë prej këtyre detyrave nuk lidhej me dëbimin e popullsisë civile boshnjake, por kishin të bënin me veprime luftarake kundër njësive të palës kundërshtare.
Prokuroria kishte kërkuar dënim me pesë vjet burgim për Zhivanoviqin – që është minimumi i paraparë me ligj.
Ndër të tjera, aktakuza e ngarkonte atë se, në mars të vitit 1995, kishte lëshuar një urdhër ku thuhej se “me veprime të përditshme të planifikuara dhe të menduara luftarake duhet të krijohen kushte të pasigurisë totale, të padurueshmërisë dhe të pashpresës për vazhdimin e jetës së banorëve në Srebrenicë dhe Zhepë”.
Aktakuza e ngarkonte atë gjithashtu se, më 12 korrik 1995, kishte urdhëruar sigurimin e autobusëve për evakuimin nga enklava e Srebrenicës, duke kërkuar nga Shtabi i Përgjithshëm i VRS-së miratimin për përdorimin e karburantit për 50 autobusë që do të angazhoheshin.
Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska, gjatë ofensivës kundër Srebrenicës – zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara – në korrik të vitit 1995 kryen gjenocid duke vrarë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
Gjatë gjithë procesit gjyqësor në Serbi, Milenko Zhivanoviq u mbrojt në liri.
Aktakuza edhe në Bosnje e Hercegovinë
Prokuroria për krime lufte në Serbi ngriti aktakuzën kundër Zhivanoviqit në dhjetor 2021, vetëm dy javë pasi ai ishte akuzuar edhe nga Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës për krime kundër njerëzimit në zonën e Srebrenicës dhe Zhepës.
Sipas aktakuzës në Bosnje, Zhivanoviq akuzohet se nga marsi deri në mesin e korrikut 1995 kishte bllokuar zonën e mbrojtur të Srebrenicës, kishte penguar furnizimin me ndihma, si dhe kishte urdhëruar sulme me artileri ndaj civilëve dhe objekteve civile në Srebrenicë, me qëllim krijimin e kushteve të padurueshme për jetesë dhe detyrimin e popullsisë për të braktisur shtëpitë e tyre.
Ai akuzohet gjithashtu për mobilizimin e mjeteve për dëbimin e detyruar të civilëve nga Srebrenica dhe për transportimin e burrave dhe djemve të kapur, të cilët ishin ndarë me forcë për t’u burgosur dhe më pas për t’u vrarë.
Megjithëse gjykatat ndërkombëtare dhe ato rajonale kanë cilësuar masakrën e Srebrenicës si gjenocid apo krim kundër njerëzimit, Prokuroria e Serbisë e ngarkoi Zhivanoviqin vetëm për krime lufte kundër popullatës civile, me arsyetimin se “është e vështirë të provohet qëllimi specifik që kërkohet për kualifikimin si gjenocid”.
Shteti serb vazhdon të mos e njohë gjenocidin e kryer në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, ndërsa Zhivanoviq është një nga të shumtët që kanë ikur nga Bosnja dhe qëndrojnë në Serbi.
Para Gjykatës së Lartë në Beograd po zhvillohet edhe një proces tjetër lidhur me Srebrenicën.
Bëhet fjalë për gjykimin lidhur me vrasjen e 1.313 civilëve boshnjakë në Kravicë, i cili ka nisur në fund të vitit 2016 dhe, edhe pas më shumë se tetë vjetësh, ndodhet ende në fazën e administrimit të provave.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër tetë pjesëtarëve të Brigadës Speciale të Policisë së RS-së për krime lufte kundër popullatës civile, edhe pse gjykatat në Bosnje dhe në Hagë kanë dhënë vendime që e cilësojnë këtë krim si gjenocid apo krim kundër njerëzimit.
Gjatë natës, policia serbe hoqi të gjitha bllokadat në rrugët e Beogradit pas përplasjeve me protestuesit. Një grup qytetarësh u mblodhën para Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të protestuar ndaj arrestimit të studentëve që morën pjesë në bllokada. Studentët, bashkë me mbështetësit e tyre, bllokuan disa rrugë dhe ura në Beograd, Novi Sad, Zemun dhe Nish, duke vendosur kontenierë.
Sipas urdhrit të Prokurorisë së Lartë, gjatë një operacioni të përbashkët me policinë dhe BIA-n janë arrestuar gjashtë persona për dyshimin e përgatitjes së veprës penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë. Ata dyshohet se kanë planifikuar sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe bllokada rrugore.
— Poljoprivredni blokada (@agrifblokira) June 29, 2025
Na blokadi na Autokomandi dopremljeni su šatori – znači ostaje se do daljnjeg.
Pozivam sve da postupite slično jer nemamo više na koga i šta čekati, sad je vreme za to! pic.twitter.com/IfjbGaAgqI
Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç njoftoi se gjatë përplasjeve janë plagosur 48 policë dhe 22 qytetarë, ndërsa janë ndaluar 77 persona, prej të cilëve 38 janë arrestuar. Protestuesit bllokuan kryqëzimet kryesore në Novi Sad dhe ura në Beograd, duke përdorur fence metalike dhe kontenierë.
Në Novi Sad, zyrat e Partisë Progresive Serbe u dëmtuan nga protestuesit që hodhën gurë. Ministria e Brendshme theksoi se policia veproi në mënyrë profesionale dhe se disa persona u ndaluan për sulm ndaj policisë dhe shqetësim të rendit publik.
Pas heqjes së bllokadave, transporti publik në Beograd po kthehet në normalitet dhe pritet të normalizohet plotësisht brenda një ore. Protestat dhe tensionet vazhdojnë edhe sot në disa qytete të Serbisë. bw
Protestuesit duke bllokuar një rrugë në Beograd të Serbisë më 29 qershor 2025.
Radio Evropa e Lirë
Në Serbi kanë nisur të hiqen barrikadat dhe të normalizohet trafiku, pasi mijëra protestues antiqeveritarë në orët e para të 30 qershorit bllokuan rrugët në disa qytete serbe dhe kërkuan lirimin e protestuesve të cilët u ndaluan nga policia, teksa protestat po rrisin presionin ndaj presidentit populist, Aleksandar Vuçiq.
Protestuesit, të udhëhequr nga studentët, vendosën barrikada metalike dhe kosha mbeturinash nëpër rrugët e Beogradit dhe bllokuan urën Gazela, që gjendet mbi lumin Sava.
Agjencitë e lajmeve raportuan se protestuesit në Novi Sad – ku nisi kjo valë protestash antiqeveritare tetë muaj më parë – rrethuan zyrat e Partisë Progresive Sebe (SNS) të Vuçiqit, duke goditur ndërtesën me vezë.
Një ueb-faqe është krijuar nga studentët organizatorë ku është bërë e ditur se në 30 pika në kryeqytetin serb ishin ngritur barrikada, duke shtuar se veprime të ngjashme po kryeheshin në të paktën 22 qytete të tjera serbe.
Protestat u intensifikuan pasi zyrtarët policorë nisën të ndalonin pjesëmarrësit në tubimin masiv që u mbajt në Beograd më 28 qershor.
Vuçiq deklaroi se agjencitë e zbatimit të ligjit pritet të kryejnë “shumë më tepër arrestime”.
Turmat antiqeveritare u rikthyen në rrugë mbrëmjen e 29 qershorit, duke kërkuar lirimin e dhjetëra personave të ndaluar në natën e parë të protestës.
“Ata duhet t’i lirojnë të ndaluarit. Është e shëmtuar se si Qeveria trajton të rinjtë. Ne duam të jetojmë në një shtet të lirë, siç kërkojnë studentët”, tha Gordana Atalanc për Radion Evropa e Lirë.
“Po u bëjmë thirrje institucioneve që të nisin të bëjnë punën e tyre. Të arrestojnë ata që janë me të vërtetë përgjegjës për dhunën. Mbrëmë rrahën njerëz, kapën këdo që u dilte përpara”, tha Millan Antonijeviq për Radion Evropa e Lirë.
Një gazetar i REL-it raportoi se qindra persona po bllokonin nyjën kryesore të komunikacionit në Autokomanda, në një aksion të organizuar nga banorët e komunës Vozdovac.
Sanja, studente në Fakultetin Juridik në Beograd, i tha Radios Evropa e Lirë se doli sërish në protestë për të “vazhduar luftën për një shtet ligjor”.
Prokurorët kanë deklaruar se të ndaluarit do të mbahen deri në 48 orë, nën dyshimet për akte dhune dhe sulm ndaj policisë në Beograd gjatë protestës masive të organizuar nga studentët, në të cilën vlerësohet se morën pjesë 140.000 persona.
Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, tha më 29 qershor se policia ka ndaluar 77 persona, dhe të paktën 38 nga ta ishin ende në paraburgim.
Në tetë muajt e fundit, mijëra serbë, shpesh të udhëhequr nga grupe studentore, të cilëve gjithnjë e më shumë po u bashkohen qytetarë të tjerë, kanë protestuar kundër Vuçiqit dhe Qeverisë së tij.
Protestat u nxitën pasi 16 persona vdiqën kur u shemb një strehë betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024.
Protestuesit thanë se tragjedia u shkaktua nga korrupsioni dhe paaftësia e autoriteteve dhe protestat shpejt u shpërndan shpejt, duke reflektuar një zemërim më të gjerë ndaj Vuçiqit, mandati pesëvjeçar i të cilit pritet të përfundojë më 2027.
Vuçiq është president i Serbisë që nga viti 2017 dhe paraprakisht për tre vjet kishte qenë kryeministër.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi pritet të mbahen në fund të vitit të ardhshëm.
Vuçiq dhe Qeveria e tij kanë mohuar akuzat për korrupsion dhe kanë deklaruar se janë duke hetuar tragjedinë në Novi Sad, ku dhjetëra zyrtarë janë arrestuar në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje.
Gjatë fundjavës, grupe më të vogla të mbështetësve të Qeverisë po ashtu kanë protestuar në Beograd.
Vuçiq, i cili po përpiqet të balancojë lidhjet me aleaten tradicionale Rusinë dhe Perëndimin – duke synuar që shteti i tij të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian – ka akuzuar “fuqitë e huaja” – duke mos treguar se për kë e ka fjalën – si nxitëse të protestave të fundit.
“Shteti do të mbrohet dhe banditët do të përballen me drejtësinë”, u tha ai gazetarëve pas natës së parë të protestave.
Përleshje në kryeqytetin Beograd, të paktën gjashtë oficerë policie të plagosur –
Vuçiç: në fund Serbia gjithmonë fiton
VOAL- Dhjetëra protestues antiqeveritarë u arrestuan të shtunën gjatë përleshjeve me policinë e trazirave në Beograd, pas një demonstrate masive kundër Presidentit Aleksandar Vuçiç që kërkonte zgjedhje të parakohshme. Policia prangosi protestuesit dhe një oficer u pa i plagosur në tokë gjatë përleshjeve në qendër të kryeqytetit, të cilat zgjatën disa orë.Gjashtë oficerë policie dhe një numër i papërcaktuar qytetarësh u plagosën, tha policia. Për gati tetë muaj, studentët e universitetit serb kanë qenë duke e tronditur pushtetin e Presidentit Aleksandar Vuçiç.Protesta e djeshme – në Ditën e Shën Vitusit, e cila përkujton humbjen epike në Fushë Kosovë (1389), një moment kyç në historinë serbe – ishte veçanërisht e rëndësishme. “Serbia gjithmonë fiton në fund”, shkroi Vuçiç në një postim në Instagram.RSI
Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Brnabiç, ka akuzuar protestuesit antiqeveritarë në Beograd se bëjnë thirrje për luftë civile, pasi një tubim i udhëhequr nga studentët u përshkallëzua në përleshje me policinë.
Trazirat e fundit shpërthyen të shtunën, pasi autoritetet hodhën poshtë një ultimatum nga demonstruesit që kërkonin shpërbërjen e parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme.
Në një postim në X, Brnabiç – e cila shërbeu si kryeministre nga viti 2017 deri në vitin 2024 – ndau një video nga momentet e mbylljes së protestës, në të cilën një organizator i thotë turmës “merrni lirinë në duart tuaja”.
“Ata nuk e përfunduan tubimin e tyre duke bërtitur ‘Rroftë Serbia’. Ata e përfunduan atë me një thirrje drithëruese për të vrarë Serbinë – një thirrje monstruoze dhe e hapur për luftë civile”, shkroi Brnabiç.
Në një postim të veçantë, ajo akuzoi Kroacinë fqinje për mbështetjen e trazirave në një përpjekje për të rrëzuar nga pushteti Presidentin Aleksandar Vuçiç.
Një valë protestash ka përfshirë Serbinë që nga shembja vdekjeprurëse e një tende betoni në një stacion hekurudhor në Novi Sad nëntorin e kaluar, e cila vrau 16 persona dhe shkaktoi zemërim të gjerë publik dhe thirrje për përgjegjësi.
Demonstrata e së shtunës filloi paqësisht, por u shndërrua në dhunë në mbrëmje kur disa protestues filluan të hidhnin vezë, shishe dhe sende të tjera drejt policisë pranë një parku në qendër të qytetit, ku mbështetësit e qeverisë po mbanin një protestë. Oficerët u përgjigjën me sprej me piper dhe mburoja kundër trazirave për të shpërndarë turmën.bw
Beogradi po përgatitet për një protestë të re të shtunën, e cila pritet të jetë ndër më të mëdhatë të udhëhequra nga studentët, pas gati tetë muajsh tubimesh që kanë sfiduar seriozisht autoritetin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Studentët kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe ndërprerjen e një demonstrate kundër-protestuesish në qendër të kryeqytetit.
Sipas mediave ndërkombëtare, tensionet janë rritur ndjeshëm përpara protestës së 28 qershorit, e cila organizohet nga studentët e universiteteve të Serbisë – një nga shtyllat kryesore të demonstratave të vazhdueshme kundër korrupsionit në vend. Protestat nisën pas tragjedisë së 1 nëntorit, kur një pjesë e çatisë së rinovuar të stacionit hekurudhor në Novi Sad u shemb, duke marrë jetën e 16 personave. Ngjarja nxiti zemërim të madh publik dhe akuzat ndaj qeverisë për korrupsion të përhapur dhe neglizhencë në projektet e infrastrukturës.
Përballë kërkesave të protestuesve, presidenti Vuçiç dhe partia e tij në pushtet, Partia Progresive Serbe, kanë refuzuar të shpallin zgjedhje të parakohshme, duke akuzuar organizatorët e protestave se “po planifikojnë të shkaktojnë dhunë me urdhër nga jashtë”.
Në një deklaratë për mediat, Vuçiç ka paralajmëruar se pret që mbrëmja e së shtunës të jetë e trazuar: “Nga ora 15:00 deri në 21:00, prisni fillimin e dhunës – por ne jemi gati,” është cituar të ketë thënë ai, duke shtuar se “shteti do të mbrohet dhe banditët do të nxirren para drejtësisë”.
Studentët që kanë bllokuar fakultete të ndryshme në Beograd kanë lëshuar një ultimatum: nëse deri më 28 qershor në orën 21:00 nuk plotësohen dy kërkesat kryesore – shpallja e zgjedhjeve të reja dhe ndërprerja e kundër-protestës në qendër të Beogradit – atëherë do të ftojnë qytetarët në “mosbindje civile në të gjitha format”. Ndërkohë, kundërshtarët e studentëve protestues, në sheshin qendror, e quajnë veten “studentët që duan të mësojnë” dhe janë shprehur kundër bllokadave në universitete.
Protestat e studentëve, që zgjasin prej më shumë se shtatë muajsh, kanë marrë përkrahje të gjerë dhe konsiderohen si një sfidë serioze ndaj pushtetit të presidentit Vuçiç, i cili është përballur me kritika të ashpra për mënyrën si po menaxhohet përgjegjësia politike dhe penale për tragjedinë e nëntorit në Novi Sad.bw
Ekzemplari – i cili u lirua – përfundoi në një rrjetë në brigjet e Malit të Zi 25 qershor
VOAL- Një peshkaqen i bardhë përfundoi së fundmi në rrjetat e një peshkatari në Detin Adriatik, në brigjet e Malit të Zi.Dhe u lirua menjëherë.Lajmi u njoftua nga Instituti i Biologjisë Detare i Universitetit të Malit të Zi, i cili publikoi një fotografi në faqen e tij në Facebook. Kapja e pazakontë u bë të hënën 12 kilometra larg bregdetit dhe në një thellësi prej 115 metrash.Ishte një ekzemplar i ri.“Edhe pse shpesh besohet ndryshe – shpjegon Instituti i Biologjisë Detare – kjo specie hyn natyrshëm në Detin Adriatik dhe është e pranishme në të gjithë Mesdheun”.Megjithatë, numri i ekzemplarëve është shumë më i ulët se në të kaluarën, aq sa popullata mesdhetare konsiderohet në rrezik zhdukjeje. Sipas të dhënave të institutit, në tridhjetë vitet e fundit janë regjistruar vetëm tre kapje të këtij lloji në Adriatik.I fundit daton në vitin 2023, në ujërat kroate. RSI
Zjarrfikësit grekë janë përballur me një vatër zjarri që ka prekur shtëpitë afër qytezës detare të Palaia Fokaias, 40 kilometra në jug të Athinës. Autoritetet kanë lëshuar urdhër për evakuimin e banorëve në katër vendbanimeve aty pranë.
Të ndihmuar nga tetë avionë, pesë helikopterë, 90 zjarrfikës u dislokuan në zonën Palaia Foakaia në tentim për të shuar zjarrin që u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të fuqishme, duke djegur shtëpi.
Ende është e paqartë sesa shtëpi janë djegur në këtë zonë.
Televizioni grek shfaqi një helikopter duke hedhur ujë, teksa shtëllunga të mëdha tymi shiheshin në mbarë zonën.
Greqia sot po përballet me temperatura të larta që kanë arritur deri në 38 gradë Celsius.
Në vitet e fundit, Greqia e ka ndierë ndikimin ekonomik dhe mjedisor pas shpërthimeve të shpeshta të vatrave të zjarrit dhe vërshimeve. Sipas shkencëtarëve, këto ngjarje janë shpeshtuar për shkak të ndryshimeve klimatike.
Greqia ka shpenzuar qindra miliona euro për të kompensuar qytetarët dhe fermerët për dëmet e shkaktuara nga ngjarjet që lidhen me motin ekstrem. Shteti po ashtu ka blerë pajisje të reja për zjarrfikësit në mënyrë që të përballen me zjarret, shuarja e të cilave bëhet më e vështirë për shkak të temperaturave të larta gjatë verës.
Greqia e ka rritur numrin e zjarrfikësve në një rekord prej 18.000 këtë vit, teksa pret që të përballet me një sezon të vështirë zjarresh.
Nëse Qeveria e Serbisë nuk i shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri në mbrëmjen e 28 qershorit, “qytetarët do të jenë të gatshëm t’i marrin të gjitha masat ekzistuese të mosbindjes civile”.
Kështu paralajmëruan studentët protestues serbë, përpara tubimit të paralajmëruar në Beograd, për datën 28 qershor – ditën kur festohet Vidovdani, i cili në histori lidhet me Betejën e Kosovës, më 1389.
Kërkesë e dytë e studentëve është ndërprerja e protestës në qendër të Beogradit, ku kundërshtarët e studentëve protestues, të cilët e cilësojnë veten si “studentë që duan të mësojnë”, kanë ngritur kampe tash e tre muaj.
Një grup i studentëve protestues, që nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar, ka bllokuar shumicën e universiteteve shtetërore në Serbi, duke shprehur pakënaqësi me situatën socio-politike në këtë vend, pas aksidentit në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
Nga shembja e një strehe prej betonit atje, 16 persona kanë humbur jetën.
Që nga maji, kërkesë kryesore e studentëve në bllokadë është thirrja e zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që qeveria e re të mund të punojë për përmbushjen e kërkesave të tyre të mëparshme.
Ato përfshijnë: publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, identifikimin dhe ndjekjen penale të atyre që kanë sulmuar protestuesit gjatë tubimeve në të gjithë Serbinë, lirimin e aktivistëve të arrestuar në protesta dhe ndërprerjen e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Në anën tjetër, “studentët që duan të mësojnë” kanë ngritur kampe përpara Presidencës së Serbisë që nga fillimi i marsit, duke u kërkuar autoriteteve që t’i lejojnë të kthehen në universitete.
Ata janë vizituar disa herë nga vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe janë mbështetur edhe nga serbë nga Kosova, përfshirë anëtarë të Listës Serbe.
Ultimatumi i studentëve në bllokadë
Studentët në bllokadë publikuan në mediat sociale një letër të hapur drejtuar Qeverisë së Serbisë, përmes së cilës i kërkuan që t’i dërgojë një propozim presidentit për të shpërndarë Parlamentin, me qëllim thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ata thanë se mandati që Qeveria mori nga Parlamenti, “nuk e pasqyron situatën aktuale politike në vend”.
“Regjimi ka treguar se nuk ka më kapacitet për ta udhëhequr vendin përmes krizës më të madhe socio-politike në dekadat e fundit”, vlerësuan studentët.
Ata i kërkuan gjithashtu Qeverisë që t’i bëjë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që ta ndalojë “tubimin e raportuar publik” – në vendndodhjen e kampit të “studentëve që duan të mësojnë” – deri në orën 21:00 të shtunën.
Çfarë pritet më 28 qershor?
Studentët protestues deklaruan në një letër të hapur se tubimi do të mbahet në Beograd më 28 qershor dhe se ata presin që të marrë pjesë një numër i madh i qytetarëve të pakënaqur.
Ata thanë se nuk mund t’i parashikojnë hapat e mëtejshëm të qytetarëve pas përfundimit zyrtar të tubimit.
Shtuan se bëjnë thirrje “për herë të fundit” që kërkesat e tyre të plotësohen, me qëllim “parandalimin e kulmimit të pakënaqësisë qytetare dhe studentore”.
Protesta e fundit e madhe, e organizuar nga këta studentë, u mbajt më 15 mars, kur në orët e vona të mbrëmjes, pas disa incidenteve të vogla, u shpall e përfunduar, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohej.
Organizata joformale Arkivi i Tubimeve Publike, e cila vlerëson madhësinë e tubimeve në Serbi, vlerësoi se në protestën në Beograd më 15 mars morën pjesë midis 275.000 dhe 325.000 njerëzve, duke vënë në dukje se numri mund të ketë qenë edhe më i lartë.
Në anën tjetër, “studentët që duan të mësojnë, në fillim të qershorit – pas thirrjes së Vuçiqit – e shtynë grevën e urisë deri më 28 qershor, nëse shteti nuk e zgjidh situatën në lidhje me bllokadat e fakulteteve.
Qeveria dhe opozita për zgjedhjet e parakohshme
Shumica e partive opozitare e mbështetën kërkesën e studentëve për zgjedhje të parakohshme, ndërsa Vuçiq tha se ai udhëhiqet nga nevojat e vendit dhe të popullit dhe se vlerësimet dhe vendimet do t’i marrë në përputhje me rrethanat.
Qeveria serbe, e udhëhequr nga kryeministri Millosh Vuçeviq, ra në fund të janarit të këtij viti, ndërsa Qeveria e re, e udhëhequr nga Gjuro Macut, u zgjodh në mes të prillit.
Gjatë prezantimit para Parlamentit, Macut tha se Serbia është lodhur nga përçarjet dhe bllokadat, se duhet të punohet për harmonizimin e shoqërisë, se harmonia mund të ndërtohet përmes dialogut, tolerancës, punës dhe ndërtimit të një sistemi vlerash, dhe se prioritet i tij do të jetë funksionimi normal i shkollave dhe fakulteteve.
Megjithatë, studentët protestues besojnë se Qeveria aktuale, e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe – e themeluar nga Vuçiqi – nuk ka kapacitet të udhëheqë vendin, se protestat e muajve të fundit “e kanë delegjitimuar Qeverinë” dhe se, për këtë arsye, bëjnë thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Për shkak të nivelit të mosbesimit ndaj institucioneve, sipas tyre, “zgjidhje alternative për këtë krizë nuk ka”.
Ministri qipriot i Mbrojtjes, Vassilis Palmas, ka konfirmuar se avionë ushtarakë amerikanë kanë mbërritur në bazën ajrore të Pafosit, në jugperëndim të vendit. Në një deklaratë për mediat, ai sqaroi se bëhet fjalë për avionë transporti, jo avionë luftarakë.
Mediat lokale dhe ndërkombëtare raportojnë gjithashtu për avionë cisternë që mundësojnë furnizimin me karburant të avionëve luftarakë në ajër, një lëvizje që lidhet me përgatitjet e mundshme logjistike të SHBA-së në rast të përshkallëzimit të konfliktit në rajon. Nuk është konfirmuar numri i saktë i avionëve të përfshirë deri tani.
Palmas i është përgjigjur edhe shqetësimeve të popullatës qipriote, që ndodhen shumë pranë zhvillimeve ushtarake izraelito-iraniane. Ai siguroi qytetarët se raketat dhe ndërhyrjet ajrore mund të jenë të dukshme nga bregu jugor, por janë “shumë larg për të përbërë rrezik të drejtpërdrejtë”.
Ministri theksoi se Qiproja mbetet jashtë konfliktit dhe kontribuon vetëm në aspekte humanitare, duke ndihmuar në operacionet e evakuimit dhe mbështetjen e civilëve.bw
Shoqëria Historike Ruse (RIO), e themeluar nga Akademia e Shkencave e Rusisë dhe disa media shtetërore në atë vend, njoftoi se do të hapë një zyrë në Serbi dhe se në krye të Këshillit të Përfaqësisë do të jetë Aleksandar Vullin, ish-shef i shërbimit sekret të Serbisë.
Organizata ruse udhëhiqet nga Sergei Naryshkin, drejtor i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse.
Vullin dhe Naryshkin janë takuar disa herë pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Ky veprim është pasuar me vendosjen e sanksioneve nga Bashkimi Evropian kundër zyrtarëve të Kremlinit, por Serbia – edhe pse kandidate për anëtarësim në BE – nuk u është bashkuar atyre sanksioneve.
Ajo i ka vazhduar marrëdhëniet me Moskën – për të cilën gjë shpesh ka qenë përgjegjës edhe vetë Vullini.
Dy përfaqësi të Shoqërisë Historike Ruse
Në një seancë të Shoqërisë Historike Ruse, të mbajtur më 10 qershor – një video e së cilës u publikua në faqen e internetit të shoqatës – u votua për hapjen e degëve në shtatë rajone të Federatës Ruse, si dhe të një zyre përfaqësimi në Beograd.
Shtatë muaj më parë, më 13 dhjetor të vitit 2024, në faqen e internetit të Shoqërisë u publikua informacioni se në Serbi është hapur një zyrë përfaqësimi dhe se ajo drejtohej nga Nebojsha Kuzmanoviq, drejtor i Arkivit të Vojvodinës, që është një institucion shtetëror me seli në Novi Sad.
Emri i Vullinit, atëkohë, nuk është përmendur.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kuzmanoviq thotë se ai kryeson Shoqërinë Historike Serbe-Ruse, e cila është gjithashtu degë e Shoqërisë Historike Ruse.
Ai thotë se anëtarë të kësaj zyre përfaqësuese janë historianë dhe arkivistë nga Serbia.
Vullin, siç shpjegon Kuzmanoviq, do të drejtojë degën e dytë të Shoqërisë Historike Ruse në Serbi, dhe të dyja shoqatat do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.
“Ne do të bashkëpunojmë me shoqatën e kryesuar nga z. Aleksandar Vullin. Ne kemi punuar në mënyrë autonome që nga dhjetori i vitit 2024. Meqenëse jemi vetëm shkencëtarë, besoj se me hyrjen e politikanëve, do të hapen mundësi për ta përmirësuar punën”, thotë Kuzmanoviq.
Radio Evropa e Lirë i dërgoi pyetje Shoqërisë Historike Ruse në lidhje me hapjen e zyrës së përfaqësimit në Serbi dhe emërimin e Vullinit në krye të saj, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Ngjashëm, pyetjeve të REL-it nuk iu përgjigj as Vullin.
Çfarë është Shoqëria Historike Ruse dhe çfarë bën ajo?
Shoqëria Historike Ruse është një organizatë që është themeluar nga institucione shtetërore ruse si Akademia e Shkencave e Rusisë, dhe media shtetërore si RIA Novosti dhe Interfax.
Ky institucion drejtohet nga Sergei Naryshkin, drejtor i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse.
Sergei Naryshkin
Naryshkin ka qenë në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2014 – si zyrtar i Qeverisë ruse – për “përfshirje në situatën në Ukrainë”.
Ndër aktivitetet e Shoqërisë Historike Ruse, siç ka deklaruar Naryshkin në një intervistë për gazetën “Komsomolskaya Pravda” në maj të vitit 2023, është restaurimi i një muzeu në territorin e “Novorossiya”-s, që është term i përdorur nga Kremlini për territorin e Ukrainës të pushtuar nga Rusia.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, mbi 12.600 civilë janë vrarë dhe afro 30.000 janë plagosur, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara të publikuara në shkurt të këtij viti.
Në këtë periudhë mbi trevjeçare, rreth 5.6 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, për shkak të luftës.
“Është e domosdoshme të paraqiten edhe dëshmi materiale për natyrën kriminale të regjimit të Kievit, i cili gëzon mbështetje të madhe nga një varg regjimesh totalitare-liberale të Perëndimit”, ka thënë Naryshkin në atë intervistë.
Jellica Kurjak, ish-ambasadore e Serbisë në Moskë, thotë se nuk është e qartë se me çfarë do të merret Shoqata Historike Ruse në Serbi, por si tregues mund të shërbejë fakti që në krye të saj është Naryshkin, drejtor i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse.
“Është e qartë se, përmes themelimit të kësaj shoqate, Rusia dëshiron të japë një mesazh se shërbimet e saj do të ndjekin nga afër se sa është e gatshme Serbia të lëvizë drejt Evropës”, thotë Kurjak.
Aleksandar Vullin gjatë një takimi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Kazan. Tetor, 2024.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse puna e Shoqërisë Historike Ruse do të jetë nën ndikim politik, Kuzmanoviq thotë se kjo nuk vjen në konsideratë.
“Ne do të merremi vetëm me shkencë dhe arkiv, jo me politikë. Arsye e bashkëpunimit tonë janë interesat e përbashkëta të historianëve dhe arkivistëve të vendeve tona për t’i zhvilluar lidhjet. Roli ynë është të gjejmë dokumente arkivore, mbi të cilat ndërtohen të vërtetat historike”, thotë Kuzmanoviq.
Ai shton se ideja është të botohen vepra të rëndësishme nga historianë rusë në serbisht, si dhe të përkthehen libra nga historianë serbë në rusisht.
Si e “paralajmëroi” Naryshkin Serbinë?
Shërbimi i Sigurisë, i kryesuar nga Naryshkin, lëshoi një deklaratë të ashpër në fund të majit, duke e akuzuar Serbinë se vazhdon ta furnizojë me municion Ukrainën, “pavarësisht neutralitetit të deklaruar zyrtarisht” në luftën ruso-ukrainase.
“Ky ishte një paralajmërim”, vlerëson Kurjak.
Në këtë kontekst, ajo interpreton edhe njoftimin për themelimin e Shoqërisë Historike Ruse në Serbi.
“Serbia është nën presion të fortë nga Perëndimi, kryesisht në lidhje me luftën në Ukrainë. Mendoj se në këtë moment, krijimi i asaj shoqërie është një lloj përpjekjeje për t’i dërguar mesazh Serbisë, se edhe Rusia ka interesat e saj këtu dhe për të bërë të ditur se Kremlini do të vazhdojë ta zgjerojë ndikimin e tij”, beson Kurjak.
Serbia, në disa raste, e ka mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës në Kombet e Bashkuara.
Në Samitin Ukrainë-Ballkani Perëndimor, të mbajtur së voni, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia do të ofrojë ndihmë në rindërtimin e Ukrainës, pas luftës.
Por, në të njëjtën kohë, Beogradi zyrtar refuzon t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Serbia është një nga vendet e pakta evropiane që i ka vazhduar lidhjet e ngushta me Rusinë, edhe pasi Kremlini ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, më shumë se tre vjet më parë.
Vullin, i cili ka qenë zëvendëskryeministër i Serbisë deri në prill të këtij viti, ndërsa më herët ka udhëhequr Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës – BIA, ka udhëtuar rregullisht në Rusi dhe është takuar me zyrtarët atje.
Disa herë është takuar edhe me Naryshkinin.
Takimi i fundit zyrtar është zhvilluar në shkurt të vitit 2025.
Me atë rast, Vullin, siç është njoftuar përmes një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, e ka informuar Naryshkinin se “është duke u zhvilluar një përpjekje për një revolucion me ngjyra dhe destabilizim të Republikës së Serbisë nga shërbimet perëndimore të inteligjencës”.
Naryshkin, në anën tjetër, ka shprehur kënaqësinë për takimin me Vullinin, të cilin e ka quajtur “mik të provuar të Rusisë”, dhe ka thënë se Rusia e mbështet stabilitetin në Ballkan dhe se populli serb mund të llogarisë gjithmonë në mbështetjen e Rusisë.
Sergei Naryshkin (djathtas), i ulur pranë Putinit, në festimin e Ditës së Agjencisë së Sigurisë së Rusisë. Dhjetor, 2019.
Vullin dhe Naryshkin janë takuar në Moskë edhe në tetor të vitit 2024.
Atëkohë, Naryshkin ka vënë në pah “ndikimin e Vullinit në zhvillimin e marrëdhënieve mes shërbimeve serbe dhe ruse” gjatë kohës sa ka qenë ministër i Mbrojtjes, i Punëve të Brendshme dhe drejtor i BIA-s.
Për këtë arsye, Kurjak thotë se nuk është e befasuar nga zgjedhja e Vullinit në krye të Këshillit të Përfaqësisë së Shoqërisë Historike Ruse në Serbi.
“Ai është një mik i provuar i establishmentit rus dhe njeriu i tyre i besuar”, thotë Kurjak për Radion Evropa e Lirë.
Konfirmim i këtij besimi janë edhe dekoratat që Vullinit i janë dhënë në Rusi.
Në janar të vitit 2024, ai ka marrë dekoratë nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe nga Shërbimi Federal i Sigurisë.
Departamenti amerikan i Shtetit e ka vendosur atë në listën e sanksioneve në vitin 2023, për shkak të lidhjeve me Rusinë dhe korrupsionit të dyshuar, derisa ka qenë në krye të BIA-s.
Ai ka dhënë dorëheqje nga ky post në nëntor të vitit 2023, pasi është përballur me presion nga Perëndimi.
Vullin është emëruar zëvendëskryeministër i Serbisë në fillim të majit të vitit 2024 dhe është larguar nga kjo pozitë pas zgjedhjes së Qeverisë aktuale serbe, në prill të këtij viti.
Vullin nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me aktivitetet që do t’i ndërmarrë Shoqëria Historike Ruse në Serbi dhe pse Serbia është zgjedhur si vendi nikoqir i degës së saj.
Fotografia e diskutueshme në ekspozitën e Shoqërisë Historike Ruse
Përveç restaurimit të muzeve në zonat e kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore, Shoqëria Historike Ruse boton shkrime dhe organizon konferenca historiografike.
Në gusht të vitit 2023, në selinë e Shoqërisë Historike Ruse është organizuar një ekspozitë fotografike me titull “Krimet e Luftës së NATO-s në ish-Jugosllavi”.
Në ekspozitë ka qenë edhe një fotografi e një bombe të NATO-s, mbi të cilën ishte shkruar mesazhi “Gëzuar Pashkët”.
Ajo është prezantuar si pjesë e armatimit të Aleancës gjatë bombardimeve të Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999.
Megjithatë, një hulumtim i Radios Evropa e Lirë ka zbuluar se fotografia e bombës është bërë në një bazë amerikane në Vietnamin jugor midis viteve 1967 dhe 1970 – shumë vite para sulmeve të NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999.
Pas një kërkese të REL-it, fotografia është hequr nga ekspozita.
Selia e Gjykatës dhe Prokurorisë për Krime Lufte në Beograd.
Iva Martinoviq
Ndryshe nga vitet e mëparshme, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka rritur ndjeshëm numrin e aktakuzave gjatë vitit 2024.
Shumica e tyre janë ngritur ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), ky është rezultat i presionit politik nga autoritetet dhe mediat proqeveritare në Serbi.
Ndonëse Serbia vazhdoi me arrestimin e shtetasve të Kosovës në pikat kufitare edhe në vitin 2024 , shumica e aktakuzave janë ngritur ndaj personave që nuk janë të arritshëm për sistemin gjyqësor serb.
Sipas Fondit, në vend të përmirësimit të bashkëpunimit me Kosovën, po vihet në praktikë gjykimi në mungesë.
Viti 2024 u karakterizua, gjithashtu, nga mungesa e bashkëpunimit me vendet fqinje, zvarritja e gjykimeve për krimet e luftës të viteve ’90, dënimet joproporcionale për të dënuarit, si dhe mosndjekja penale e pjesëtarëve të lartë të forcave serbe.
Përgjatë këtij viti vazhdoi glorifikimi publik i kriminelëve të dënuar të luftës dhe u lansua një fushatë shtetërore për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.
“Kushtet në të cilat zhvillohen gjykimet për krime lufte në Serbi janë shumë të pafavorshme. Edhe në vitin 2024 vazhdoi atmosfera e një politike revizioniste të kujtesës”, tha Jovana Kollariq nga Fondi për të Drejtën Humanitare gjatë prezantimit të raportit.
Prokuroria për Krime Lufte nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me raportin e ri të kësaj organizate joqeveritare, e cila monitoron të gjitha gjykimet për krime lufte në Serbi.
Sa aktakuza janë ngritur?
Gjatë vitit 2024, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka ngritur tetë aktakuza ndaj 10 personave.
Njëra prej tyre është transferuar nga Prokuroria e Bosnje-Hercegovinës, ndërsa shtatë janë ngritur kundër shqiptarëve të Kosovës për krime të kryera ndaj popullatës serbe në fund të viteve ’90.
Gjashtë nga të akuzuarit nuk janë në dispozicion të drejtësisë serbe dhe do të gjykohen në mungesë.
“Pa shkëmbim institucional të provave dhe informacioneve mes Serbisë dhe Kosovës, do të vazhdojë ngritja e aktakuzave të dobëta që do të jetë e vështirë të vërtetohen”, tha Mirjana Peshiq nga FDH-ja.
Ajo shtoi se një situatë e ngjashme po ndodh edhe në Kosovë, ku Prokuroria Speciale gjatë vitit 2024 ka ngritur gjashtë aktakuza ndaj 11 pjesëtarëve të forcave serbe për gjykime në mungesë.
Serbia dhe Kosova kanë arritur marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në vitin 2013, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, që parasheh shkëmbimin e kërkesave gjyqësore mes dy vendeve.
Megjithatë, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, Serbia nuk ka bashkëpunuar në asnjë rast që ka të bëjë me krimet e luftës.
Sa vendime gjyqësore janë shqiptuar?
Gjykata e Lartë në Beograd dënoi në shkurt të vitit 2024 Tefik Mustafën me një vit burg për “organizim dhe nxitje për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës”.
Mustafa ishte arrestuar në qershor 2024 në pikën kufitare në Merdar, ndërsa Prokuroria e akuzoi se kishte marrë pjesë në qershorin e vitit 1999, së bashku me rreth dhjetë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në rrëmbimin e tre civilëve pranë fshatit Llabjan.
“Sipas aktgjykimit, gjykata, pa prova të mjaftueshme, pranoi pretendimin e aktakuzës se grupi konkret i UÇK-së ishte i organizuar për kryerjen e veprave penale. Gjatë shpalljes së vendimit, gjykata nuk e arsyetoi para publikut pse e kishte hedhur poshtë në tërësi mbrojtjen e të akuzuarit”, thuhet në reagimin e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) pas shpalljes së dënimit.
Gjykimi ndaj Mustafës përfundoi në mënyrë të përshpejtuar, për vetëm dy ditë.
“Një proces i tillë nuk ndihmon në zbardhjen e rrethanave të zhdukjes së civilëve dhe as në arritjen e drejtësisë, por vetëm sa e minon më tej besimin e viktimave në institucionet”, theksoi FDH.
Ky ishte vetëm një nga një sërë arrestimesh të shqiptarëve të Kosovës në Serbi.
Hasan Dakaj, i arrestuar në janar 2024, u lirua pas një viti, pasi arriti marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë për një aktakuzë që e ngarkonte me krime kundër popullatës civile.
Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj, u dënua në dhjetor të vitit 2024 me gjashtë vjet burg për të njëjtën vepër. Ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe pesë vjet më parë dhe ka qëndruar gjithë kohën në paraburgim.
“Fakti që pjesa më e madhe e aktakuzës nuk u vërtetua, ndërsa i akuzuari u dënua vetëm për një pikë, krijon përshtypjen se aktakuza nuk ishte e bazuar në prova të forta, por u udhëhoq nga kërkesa politike”, thuhet në raportin e FDH-së.
Përveç vendimit ndaj Mehmetajt, Gjykata e Lartë në Beograd gjatë vitit 2024 ka bërë publike edhe tre aktgjykime të shkallës së parë për krime gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, si dhe dy vendime në procedura të përsëritura.
Në prill 2024, shtatë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë (UPJ) u dënuan me gjithsej 56 vjet burg për masakrën ndaj shqiptarëve të Kosovës në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Lubeniq, më 1999.
“Edhe pse aktakuza, përmes ndryshimeve e plotësimeve, përfshinte krime të shumta të kryera nga të akuzuarit, vendimi e ngushtoi ndjeshëm përgjegjësinë penale dhe reduktoi në mënyrë drastike numrin e viktimave”, thuhet në raportin e FDH-së.
Sipas të njëjtit raport, pjesëtarët e UPJ-së u dënuan vetëm për vrasjen e 57 civilëve në Qyshk, ndërsa për vrasjen e 42 civilëve në Lubeniq dhe 17 në Zahaq – krime të dokumentuara edhe nga Gjykata e Hagës – askush nuk u shpall fajtor.
FDH vlerëson se dënimet për shumicën e të akuzuarve ishin joproporcionale dhe disa madje më të ulëta se minimumi i paraparë me ligj.
“Shumë nga provat e paraqitura gjatë procesit zbuluan se përgjegjësia për këto krime nuk mbaron tek ekzekutorët e drejtpërdrejtë, por përfshin edhe zinxhirin komandues të Ushtrisë së Jugosllavisë, i cili nuk është përfshirë fare në aktakuzë”, thekson raporti.
Gjykimi për këtë rast zgjati 14 vjet. Aktgjykimi i parë u shpall në vitin 2014, por një vit më vonë u anulua nga Gjykata e Apelit e Serbisë.
Gjyqet që zgjasin pafund
Një nga shembujt më të qartë të zvarritjes së proceseve gjyqësore është rasti për rrëmbimin dhe vrasjen e udhëtarëve nga treni në fshatin Shtërpci në Bosnje e Hercegovinë më 1993, ku aktakuza kundër pjesëtarëve të njësisë “Hakmarrësit” u konfirmua vetëm në vitin 2018.
Procesi gjyqësor nisi në janar 2019, por Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktgjykimin e shkallës së parë në nëntor 2023 dhe lënda u kthye për rigjykim.
“Ky është një shembull drastik i mosveprimit dhe mungesës së efikasitetit të gjyqësorit, që tregon se sa shumë institucionet e drejtësisë kontribuojnë në vonesat gjyqësore dhe mohimin e drejtësisë për viktimat”, thuhet në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), duke shtuar se dy nga të akuzuarit kanë vdekur ndërkohë.
Edhe gjykimi për vrasjen e 1.313 civilëve boshnjakë në Kravicë pranë Srebrenicës, i cili ka nisur në fund të vitit 2016, ende vazhdon në fazën e administrimit të provave pas më shumë se tetë vjetësh.
Prokuroria në Serbi ka ngritur aktakuzë ndaj tetë pjesëtarëve të Brigadës Speciale të Policisë së Republikës Sërpska për krime lufte kundër popullatës civile, ndonëse gjykatat në Bosnje dhe në Hagë për të njëjtat vepra kanë dhënë dënime për gjenocid ose krime kundër njerëzimit.
“Prokuroria, në mënyrë të pasinqertë, e fsheh faktin se ndjekja penale për gjenocid është politikisht e papranueshme në Serbi, sepse përfaqësuesit më të lartë shtetërorë nuk e njohin vendimin se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid”, thekson raporti i FDH-së.
Të gjithë të akuzuarit në këtë rast mbrohen në liri. Gjatë vitit 2024, për shkak të mungesës së tyre, nuk janë mbajtur 15 seanca gjyqësore.
“Arsyetimi për gjendje të keqe shëndetësore është shndërruar në mjet për zvarritje të qëllimshme të proceseve dhe për të arritur shpalljen e paaftësisë procedurale të të akuzuarve”, thotë FDH.
Në raport përmendet se që në vitin 2010, FDH-ja ka dorëzuar kallëzim penal kundër disa pjesëtarëve të lartë të ushtrisë së Republikës Sërpska për dyshim të pjesëmarrjes në gjenocid në Srebrenicë, por deri në fund të vitit 2024, Prokuroria serbe nuk ka nisur asnjë hetim.
Nuk është zbatuar as aktgjykimi i Gjykatës së Bosnjës nga viti 2014, me të cilin Novak Gjukiq ishte dënuar me 20 vjet burg për vrasjen e mbi 70 personave në portin e Tuzllës. Ish-gjenerali i ushtrisë së Republikës Sërpska kishte ikur në Beograd para shpalljes së vendimit dhe jeton atje i lirë.
A ka bashkëpunim rajonal?
Pavarësisht ekzistencës së Protokollit për bashkëpunim në ndjekjen e kryerësve të krimeve të luftës, Prokuroria në Serbi refuzon t’ua dorëzojë rastet autoriteteve të drejtësisë në Bosnje.
Një shembull është ai i Miomir Jasikovacit, ish-komandant i njësisë së policisë ushtarake të Brigadës së Zvornikut të ushtrisë së RS-së, i cili u akuzua në Serbi për krime lufte vetëm disa ditë pasi Prokuroria e Bosnjës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për gjenocid në Srebrenicë.
Prokuroria serbe e zvogëloi ndjeshëm numrin e viktimave dhe arriti marrëveshje me të akuzuarin për pranimin e fajësisë, duke e dënuar me një dënim minimal prej pesë vitesh burg.
Deri më tani, drejtësisë së Bosnjës i është dorëzuar vetëm një rast – ai i Edin Vranjit, shtetas i Bosnjës, i cili u arrestua në shtator 2021 në kufi mes Serbisë dhe Bosnjës nën dyshimin për krime lufte. Ai u lirua nga paraburgimi pas një muaji.
“Edhe në këtë rast, dorëzimi ndodhi vetëm pas ndërhyrjes politike të presidentit të Serbisë”, thuhet në raportin e FDH-së.
Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit prej kur Gjykata e Hagës ia transferoi Serbisë gjykimin ndaj liderit të Partisë Radikale Serbe për mosrespektim të Tribunalit, procesi në Beograd ende nuk ka nisur.
Vojisllav Sheshel, sikurse shumë kriminelë të dënuar të luftës, shfaqet rregullisht në televizionet proqeveritare me frekuencë kombëtare, në rolin e analistit.
“Për shkak të miratimit të Rezolutës së OKB-së për Srebrenicën, përfaqësuesit e pushtetit në Serbi, mediat shtetërore dhe tabloidët udhëhoqën një fushatë të ashpër kundër shpalljes së 11 korrikut si Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Gjenocidit”, kujtoi Jovana Kollariq nga FDH.
Ajo shtoi se përfaqësuesit e shoqërisë civile që u bënë thirrje institucioneve të votojnë pro Rezolutës dhe të njohin gjenocidin, u sulmuan si “tradhtarë” nga politikanët dhe mediat proqeveritare.
Edhe Komisioni Evropian, në raportin më të fundit për progresin e Serbisë, ka paralajmëruar se “një numër politikanësh dhe mediash, pa asnjë pasojë, vazhdojnë t’i mohojnë krimet e luftës dhe gjenocidin, si dhe t’u ofrojnë mbështetje dhe hapësirë publike kriminelëve të dënuar të luftës”.
Komisioni përfundon se Serbia ende nuk ka dëshmuar përkushtim të vërtetë për hetimin dhe ndëshkimin e krimeve të luftës.