VOAL

VOAL

TENSIONE TË REJA NË REPUBLIKËN E MOLDAVISË

Në Veri të Republikës së Moldavisë është parashikuar të mbahet një referendum për më shumë autonomi. Kjo inisiativë simbolizon tendencat separatiste në rritje dhe tensionet e reja në raportin e Moldavisë me Rusinë.

Në 1 nëntor të këtij viti, qytetarët e Balti-t, qytetit të dytë për nga madhësia të Moldavisë do të marrin pjesë në një referendum për më shumë autonomi. Këtë e vendosi Këshilli i Qytetit, dy të tretat e të cilit përbëhen nga përfaqësues të Partisë komuniste proruse. Shumica e popullatës së qytetit e ka rusishten gjuhë amëtare.

Lajmërimi në dukje joproblematik i autoriteteve të qytetit ngërthen në vetvete lëndë shpërthyese politike. Presidenti i Parlamentit të Moldavisë, Andrian Candu e vlerësoi këtë projekt si “rrezik për unitetin shtetëror”. Ai i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shërbimit të Sigurisë që të ndërmarrin hapat e nevojshme, për të “ruajtur interesat” e vendit. “Kemi të bëjmë shumë qartë me një provokim kundër unitetit të shtetit”, mendon edhe politilogu Dionis Cenusa për inisiativën në Balti. Këto tendenca separatiste dëshmojnë dobësinë e qeverisë moldave, shtoi ai.

Simpati me separatistët

Ky konflikt ka ngjashmëri të pabesueshme me konflikte të mëparshme në Republikën e Moldavisë. Që në shkurt 2014 banorët e rajonit autonom të Gaugazisë votuan me shumicë të madhe (98,4 %) për bashkimin doganor me Rusinë. I ashtuquajturi referendum u dënua atëherë nga qeveria qendrore. Sepse në bazë të kushtetutës moldave, një referendum lokal mund të propozohet dhe kryhet vetëm nga autoritetet në Çisinau. Por Këshilli i Qytetit të Baltit e injoroi qeverinë qendrore moldave. Që në pranverë 2012 në qytet u zëvendësua flamuri i Republikës së Moldavisë (blu-i verdhë-i kuq) me një flamur vetjak – kuq e blu. Prokuroria nisi atëherë hetime, por të cilat deri sot nuk kanë përfunduar.

Premtime të vagullta nga Brukseli

Në një pozicionim të parë për referendumin e shpallur, kryeministri i Moldavisë Chiril Gaburici reagoi i shpenguar: “Njerëzit mund të bëjnë atë që duan!” tha ai. Më vonë ai megjithatë shtoi se drejtësia do ta verifikojë ligjshmërinë e kësaj inisiative lokale.

Paralelisht me këtë zhvillim ka tensione të reja në marrëdhëniet me Rusinë. Kështu Moska ua ndaloi në maj 20 shtetasve moldavë, kryesisht punëtorë migrantë, hyrje në Rusi, njëmbëdhjetë moldavas të tjerë u kthyen me detyrim në atdhe. NGO-të në Moldavi besojnë se Rusia dëshiron “ta ndëshkojë” Moldavinë për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit me BE. Në Rusi punojnë në bazë të shifrave zyrtare rreth 400.000 moldavë, në të gjithë Evropën janë mbi një milion vetë. Vetëm remitancat e moldavëve nga Federata Ruse vitin e kaluar ishin të barabarta me 60 përqind të të gjitha pagesave nga bota e jashtme – që kapën shumën 1,5 miliardë dollarë.

Në tregun mediatik, për shkak të “raportimit të njëanshëm” në konfliktin e Ukrainës, autoritetet mbikqyrëse mediatike në Çisinau i hoqën licensën e transmetimit kanalit televiziv rus Rossija 24. Stacione të tjera ruse u ndëshkuan me gjoba.

Presion nga Moska

Rusia është e zemëruar, sepse Moldavia ua ka refuzuar disa ushtarakëve rusë kalimin tranzit në rajonin separatist të Transnistrisë. Në Transnistri janë të stacionuar mbi 2000 ushtarë rusë.

Dhe në 29 maj në aeroportin e Çisinaut arrestuan një oficer nga Pellgu i Donjeckut, i cili në bazë të të dhënave të tij donte të rekrutonte në Transnistri luftëtarë vullnetarë. Këta do të shkaktonin pastaj në qytetin ukrainas Odesa “trazira të qëllimshme”, thuhet në një deklaratë të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës. Shefi i autoriteteve ukrainase të kufirit, Viktor Nazarenko konfirmoi se në kufirin lindor të Republikës së Moldavisë në pjesën midis Transnistrisë dhe Moldavisë duhet llogaritur rrezik i shtuar ushtarak.

Në këtë sfond, shumë moldavas pyesin nëse duhet të vazhdojnë t’u besojnë ende premtimeve të turbullta të BE. Sepse Brukseli e inkurajon Çisinaun të vazhdojë kursin proevropian, pa i bërë vendit një premtim konkret për anëtarësim. Dhe takimi i fundit i nivelit të lartë në Riga nuk i eleminoi dyshimet: konfrontimi në rritje midis BE dhe Rusisë duket se do ta spostojë gjithnjë e më në sfond “partneritetin lindor” të lëvduar kaq shumë. Për pakënaqësinë e madhe të atyre forcave politike dhe shoqërisë civile në Moldavi, të cilat duan t’i përmbahen edhe më tej kursit proevropian të vendit të tyre.. dw

GJERMANI – KËRKOHEN ME URGJENCË INFERMIERË TË HUAJ!

Ata vijnë nga Spanja, Polonia ose Kroacia, janë thuajse të gjithë të huaj dhe kërkohen me urgjencë në përkujdesjen shëndetësore. Por numri i tyre është i vogël. Fajin e mbajnë para së gjithash punëdhënësit gjermanë.

Sipërmarrjet gjermane e kanë të vështirë përshtatjen me tregun global të punës. Vërtet që ndalimi dikur i rreptë i kërkimit të punonjësve të huaj i përket së kaluarës, megjithatë migrimi në Gjermani i dëshiruar ndërkohë nga politika për punonjësit e kualifikuar ende nuk po manifestohet si dëshirohet. Problemi qendron në mungesën e kërkesës për fuqi punëtore të huaj nga punëdhënësit gjermanë. Një vështrim në degën ekonomike të përkujdesjes për të sëmurët e të moshuarit e vërteton këtë. Karakteristikë e kësaj dege është mungesa pjesërisht e madhe e punonjësve të specializuar. Gati dy të tretat e instituteve të përkujdesjes kanë vende pune bosh, mesatarisht në çdo sipërmarrje mungojnë 4,3 punonjës. Këtë e konstatoi tani në një studim Qendra për Kërkimet Ekonomike Evropiane (ZEW). U pyetën rreth 600 punëdhënës të degës ekonomike të përkujdesjes shëndetësore dhe tre të katërtat e tyre e karakterizuan plotësimin e vendeve të lira të punës si të vështirë. Megjithatë, vetëm 16 përqind e sipërmarrjeve e kanë shfrytëzuar botën e jashtme për rekrutimin e punonjësve të huaj. Ato preferojnë që të tërheqin më mirë personel nga sipërmarrjet konkurente.

Institucionet e vogla të përkujdesjes shëndetësore druhen ndaj të huajve

Kjo ka një shkak: shumë prej sipërmarrjeve të pyetura me përvojë rekrutimi të fuqisë punëtore në botën e jashtme e quajnë shumë të mundimshëm këtë opsion dhe shumë të shtrenjtë. Veç kësaj ekzistojnë edhe pengesa të mëdha juridike. 83 përqind të sipërmarrjeve kanë përvojë me njohjen nganjëherë të komplikuar të kualifikimeve dhe dëftesave. Edhe vështirësitë me leje e migrimit për shtete të treta ushtrojnë me sa duket efekt frikësues tek punëdhënësit gjermanë. Veçanërisht të vështirë e kanë sipërmarrje të vogla dhe të mesme. Studimi tregon: sa më e madhe të jetë sipërmarrja dhe sa më profesionist sektori i saj i burimeve njerëzore, aq më shumë punonjës të huaj arrin të fitojë.

61 përqind e personelit përkujdesës shëndetësor (infermierëve) vijnë nga Spanja. 19 përqind vijnë nga Polonia dhe 16 përqind nga Kroacia. Nga shtete jo anëtare të BE rrugën për në Gjermani e gjejnë para së gjithash fuqi punëtore nga Bosnjë-Hercegovina, Ukraina, Rusia, Kina dhe Filipinet. Pasi vijnë këtu, ato gjejnë kryesisht mbështetje si nga kolegët, ashtu edhe nga punëdhënësit. Para së gjithash lëvdohet angazhimi i tyre në punë. Gati gjysma e sipërmarrjeve të pyetura tha se angazhimi në punë i të huajve është madje më i lartë se i punonjësve gjermanë.

Migrantët e kualifikuar jo vetëm të lejohen, por të kërkohen

Për të zbutur mungesat në personel në institucionet gjermane të përkujdesjes shëndetësore dhe në azile, botuesit e studimit kërkojnë informime më të mira të sipërmarrjeve, që duan të rekrutojnë punonjës jashtë vendit. Më tej kërkohet që në të gjithë Gjermaninë të praktikohen procedura të njësuara për njohjen e profesionit të personelit të përkujdesjes shëndetësore, si dhe rregulla më të thjeshta dhe më transparente për migrimin.

Një studim i ZEW i vitit të kaluar arriti në përfundimin se migrimi është pozitiv jo vetëm për ekonominë, por edhe për shtetin social gjerman. Kontributi i migrantëve për arkat e sigurimeve për pensionet, për institutet e sigurimit shëndetësor dhe sigurimin për të papunët mund të jetë më i lartë, sikur qasja e migrantëve në tregun gjerman të punës të ishte më e lehtë. Por kjo duhet të nxitet në mënyrë aktive politikisht, rekomandojnë autorët e studimit të ZEW.

KTHIM I NJË REFORMATORI KOKË MË VETE – koment

Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Michail Saakashvili, pritet të kryejë si guvernator i Odesës reforma. Po është e diskutueshme, nëse modeli i provuar në Gjeorgji i një diktature modernizuese është i përshtatshëm për Ukrainë.

Ekspertët nga bota e jashtme janë të kërkuar në Ukrainë. Ata i presin poste këshilltarësh dhe pozicione kyçe në politikë dhe administratë. Meqenëse ata vijnë nga jashtë, konsiderohen të parënduar nga klanet dhe nepotizmi, të cilat prej dekadash pengojnë në Ukrainë çdo nismë reformuese politike. Tri ministri – për ekonominë, financat dhe shëndetin – tashmë drejtohen nga ekspertë nga bota e jashtme. Për këtë ata morën nënshtetësinë ukrainase. Dëshminë që janë në gjendje të bëjnë reforma, ministrat e rinj ende nuk e kanë paraqitur.

Se si mund të luftohet korrupsioni dhe shfaqjet e tij, këtë e tregoi një prurje e re në politikën e Ukrainës: në fundjavë, Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko emëroi ish-kryetarin e shtetit të Gjeorgjisë, Michail Saakashvili në postin e guvernatorit të Odesës. Si këshilltar, Saakashvili kishte kohë që ishte aktiv në Ukrainë. Edhe ai mori tani nënshtetësinë ukrainase dhe që prej këtij momenti është me siguri politikani më enigmatik dhe para së gjithash më i diskutueshëm që ka hyrë së fundi në skenën politike në Ukrainë.

Me përvojë në reforma, por autoritar

Dhjetë vjet me radhë ishte Saakashvili Präsident në Gjeorgji. Bilanci i tij është tepër kontradiktor. Deri sot gjeorgjianët janë të ndarë në mendimin për të. Edhe në Perëndim atë e shohin në mënyrë kritike. Me vendosmëri dhe në mënyrë radikale ai e modernizoi politikën dhe administratën e ish-Republikës sovjetike. Me sukses ai reformoi para së gjithash policinë dhe autoritetet tatimore, të cilat deri atëherë kishin qenë qendra të korrupsionit. Saakashvilin e zgjodhën në mënyrë demokratike. Në fillim ai ishte shumë i preferuar. Por gjithnjë e më tepër, ai e drejtoi vendin në mënyrë autoritare. Filloi të qarkullojë koncepti i diktaturës së modernizimit. Protestat presidenti i shtypi që në fillim në mënyrë rigoroze, opozitarët i nxorri para gjyqit. Në fund, Saakashvili u largua nga politika e Gjeorgjisë, sepse shumica e njerëzve nuk e donin më. Ndërkohë ai kërkohet me urdhër ndërkombëtar arresti për shpërdorim të postit dhe fshehje të dokumentave. Procesit penal të nisur kundër tij ai i bën bisht duke mos qenë i pranishëm në vend. Tani Ukraina bëhet si të thuash vend i migrimit për të, i pajisur me një post të rehatshëm guvernatori.

Bernd Johann Bernd Johann

Kthimi i Saakashvilit në Ukrainë zemëron jo vetëm Gjeorgjinë. Konflikte krijohen edhe me Rusinë. Saakashvili mban një bashkëpërgjegjësi për luftën midis Gjeorgjisë dhe Rusisë në vitin 2008. Duke përdorur në mënyrë provokuese armët në Abkazi dhe në Osetinë Jugore ai kontribuoi shumë në shkallëzimin e konfliktit. Me zgjuarsi atëherë ai nuk veproi, sepse i ofroi Rusisë pretekstin për një ndërhyrje të armatosur ushtarake në Gjeorgji.

Poroshenko ka pak personel që mund ta angazhojë

A është Saakashvili pra njeriu i duhur për Odesën? Rezultatet e tij si reformator radikal në Gjeorgji mund ta kualifikojnë atë për detyrën e re. Por Odesa nuk është Gjeorgjia. Si guvernator i një zone ai ka shumë më pak kompetenca se Presidenti i shtetit. Një politikan i pajtimit të interesave të ndryshme Saakashvili kokëmëvete nuk ka qenë kurrë. Qendrimi i tij ekstrem kritik ndaj Rusisë gjen simpatinë e shumë ukrainasve. Por ai mund t’i thellojë tensionet midis grupeve të popullatës proukrainase dhe proruse në Odesën multietnike.

Poroshenko e zgjodhi Saakashvilin me siguri sepse ka ndërmend të nisë luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Vendimi për një person nga jashtë vendit bën të qartë se pak personel ka në dispozicion ai në Ukrainë. Por nëse një person që ngjall debate si Saakashvili do të mund ta ndihmojë Poroshenkon të forcojë pushtetin e tij në Ukrainë, kjo është më se e diskutueshme.

SEKRETARI KERRY ANULON UDHËTIMET NË MADRID E PARIS

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka anuluar udhëtimet zyrtare në Madrid dhe Paris, pasi ka pësuar një aksident me biçikletë në Francë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se Kerry, 71 vjeç, ka lënduar këmbën dhe se është dërguar me helikopter në Gjenevë.

Zëdhënësi John Kirby ka thënë se Kerry do të udhëtojë në SHBA për trajtim dhe se ai pritet të shërohet plotësisht.

Aksidenti ka ndodhur në Scionzier të Francës.

Kerry është dashur të takojë në Paris kryeministrin e Irakut, Haider al-Abadi, për të biseduar për luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. rel

EVROPËS LISTË E ZEZË NGA MOSKA


Masa ndaj 89 politikanëve evropianë përkeqëson tensionet me Rusinë

Qeveria ruse ka publikuar një listë me emrat e 89 politikanëve nga BE-ja të cilëve u ndalon hyrjen në Rusi. Lista e zezë me emrat e atyre që janë të prekur nga kjo masë u është dërguar disa ambasadave të BE-së. Sipas informationeve të gazetës “Bild” dhe të “Frankfurter Allgemeinen Zeitung” në këtë listë bëjnë pjesë edhe tetë politikanë gjermanë.

Me “listën e zezë” qeveria e Moskës reagon me sa duket ndaj sanksioneve të Perëndimit për krizën në Ukrainë, të cilat përfshijnë edhe ndalime udhëtimi në vendet e BE-së për deputetë dhe sipërmarrës rusë.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier e quajti vendim rus “jo shumë të zgjuar”. Në një vizitë në qytetin ukrainas, Dnipropetrovsk, ai tha: “Në një kohë kur ne përpiqemi për të zbutur një konflikt të rrezikshëm e kokëfortë në zemër të Evropës, ky veprim nuk kontribuon për këtë.”

Përveç kësaj, Steinmeier u ankua se politikanët në fjalë nuk qenë informuar prej Rusisë. “Do të ishte më e pakta që personat në fjalë të njoftoheshin se cilat janë rezervat në lidhje personin e tyre, ose që lista të tilla të bëheshin të paktën publike,” tha ministri.

Reagime të ashpra

Kritika të ashpra erdhën edhe nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, nga Presidenti i Parlamentit të BE-së Martin Schulz dhe shumë qeveri evropiane.

Ndalimet janë “krejtësisht të pabaza dhe të pajustifikuara”, thuhet në një deklaratë të Shërbimit të Jashtëm të BE-së. Përveç nga listës së emrave Moska nuk ka dërguar “asnjë informacion tjetër në lidhje me bazën ligjore, kriteret dhe procesin e këtij vendimi”.

Këshilltari i ardhshëm i kancelares Angela Merkel për politikën evropiane, Uwe Corsepius, i cili gjendet gjithashtu në listë, tha me humor: “Ka gjëra më të këqia, se sa ndalimi për të shkruar në Rusi, aq më tepër që ky vend nuk është në qendër të shërbimeve të mia.” Megjithatë, është e patolerueshme përpjekja “për t’i bërë politikanët që në këtë mënyrë të heshtin”. 54-vjeçari Uwe Corsepius është aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të BE-së. Politikani i gjelbër gjerman Daniel Cohn-Bendit tha për gazetën “Bild” se e ndjen veten të nderuar që Rusia e konsideron si armik të totalitarizmit.

Në listën e zezë të Moskës bëjnë pjesë edhe politikania e gjelbër Rebecca Harms, polikani i CSU-së Bernd Posselt, poltikani i CDU-së Karl-Georg Wellmann, kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestag Michael Fuchs, sekretarja e shtetit në Ministrinë gjermane të Mbrojtjes, Katrin Suder, dhe inspektori i aviacionit ushtarak gjerman, Karl Müller. dw

ROJAT ITALIANE SHPËTUAN MBI 4200 REFUGJATË

Roja bregdetare italiane ka shpëtuar mbi 4200 refugjatë në ujërat e Mesdheut. Roja bregdetare ndërhyri dje me mbështetjen e marinës italiane si dhe të anijeve gjermane dhe irlandeze që veprojnë në kuadër të operacionit Triton të Bashkimit Evropian.

Roja bregdetare tha se kishte nxjerrë 17 trupa. Nuk është e qartë shkaku i vdekjes së viktimave, por zyrtarët italianë kanë rrëfyer kushte të rënda për refugjatët në anije. Shumë prej refugjatëve ishin tepër të lodhur, të ekspozuar ndaj kushteve të natyrës, naj etjes dhe dhunës gjatë udhëtimit me mjete të papërshtatshme për atë itinerar.

Kohët e fundit ka pasur një shtim të dyndjes së imigrantëve. Vëzhguesit thonë se situata kaotike në Libi, ku shumë nga imigrantët e fillojnë udhëtimin drejt Evropës, lejon për një trafik të tillë. Shumë nga refugjatët janë nga Siria, Nigeria, Mali dhe Eritrea dhe largohen për t’i shpëtuar dhunës, persekutimit politik dhe varfërisë ekstreme. za

KINËS – INTEGRIM NE VEND TË KUFIZIMIT

Kina kërkon të rikthehet në krye të botës. Përgjigja e Evropës dhe e Perëndimit duhet të jetë: Kina të integrohet – të paktën në sektorët, ku kjo është e mundur, mendon Philipp Bilsky.

Mesazhi ishte i qartë. “You go!”-“Mbathjani!”. Gjithsej tetë herë i kërkoi marina kineze javën e kaluar një avion spiunazhi të SHBA që të tërhiqet. Avioni ushtarak amerikan po fluturonte mbi një rajon në Detin e Kinës së Jugut, për të cilin Kina ka pretendim për vete. Një zonë detare, në të cilën Republika Popullore përpiqet që me ndërtimin e ishujve artificialë të krijojë fakte – më shumë se 1000 kilometra larg zonës kontinentale të Kinës dhe nën protestat e ashpra të disa shteteve fqinje dhe të SHBA.

Kina i përfaqëson interesat e saj në rajon në mënyrë shumë më intensive se sa disa vite më parë. Qendra Kërkimore kryesore në Gjermani për studimet për Kinën, Insituti Mercator për Studimet për Kinën në Berlin, sheh madje një fund të politikës kineze të hapjes. Kolonat bazë të politikës së njohur nga Ten Hsiaopini, në tri dekadat e gjysmë të kaluara, tani nën Xi Ping po eleminohen njëra pas tjetrës – midis tyre edhe politika e përmbajtur e jashtme.

Ndryshim thelbësor në politikën e jashtme të Kinës?

Shumëçka flet për një tezë të tillë. Veprimet e forcës në Detin e Kinës Jugore janë vetëm një shembull. Veç kësaj, Kina përpiqet që me projektin e saj për një Rrugë të re të mëndafshtë të depërtojë në Azi me një rrjet infrastrukturor, në qendër të të cilit të jetë Kina. Dhe Pekini po krijon institucione të reja ndërkombëtare, në të cilat Kina ka një peshë më të madhe. Këto veprime jashtë vendit shoqërohen në vend me një ndryshim rrënjësor të ekonomisë kineze. Deri në vitin 2049 Kina do të kthehet në një superfuqi industriale – të mos jetë vetëm tavolina e punës e botës, por një qendër inovacioni dhe efikasiteti.

Bilsky Philipp Philipp Bilsky

Kina do që të kthehet atje, ku Pekini mendon se e ka pasur historikisht vendin: në krye të shteteve të botës. Që kjo të arrihet, është gjithçka tjetër por jo vetëkuptueshme. Sepse lista e sfidave duket e pafundme. Sfida ndoshta më e madhe nga pikëpamja e qeverisë kineze: mbajtja e premtimit, që i ka dhënë partisë komuniste në dekadat e shkuara legjitimimin në popull – që kinezët të jetojnë sot ekonomikisht më mirë se dje. Dhe që nesër ata të jetojnë më mirë se sot. Mbajtja e këtij premtimi duket – përballë nevojës së rishpikjes së plotë të modelit ekonomik kinez – e parë nga jashtë nganjëherë gati e pamundur.

Kina kërkon ta zgjerojë edhe më ndikimin

Por këto janë çështjet e dekadave të ardhshme. Për momentin është e sigurtë: Kina po e zgjeron edhe më tej ndikimin e saj. Çfarë do të thotë kjo për Evropën? Çfarë do të thotë për Perëndimin? Ata duhet të përpiqen – sa herë të jetë e mundur – të bashkëpunojnë me Kinën dhe ta përfshijnë e integrojnë Kinën. Ajo që nuk funksionon, këtë e konfirmuan në mënyrë impresionuese SHBA para pak kohësh: të kufizohet ndikimi i Kinës dhe që Kinës t’i vendosen kufij. Kur Pekini ngriti Bankën Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë (AIIB), SHBA u përpoqën t’i bindin aleatët e tyre që t’i rrijnë larg këtij institucioni të ri. Për Uashingtonin ky ishte një superskandal diplomatik. Njëri vend pas tjetrit u bashkuan me inisiativën kineze, edhe me argumentin se fjalën e tij mund ta thotë vetëm ai që edhe ndodhet në tryezë.

Një hap i drejtë. Por e qartë megjithatë është edhe: atje ku interesat kundërvihen direkt, bashkëpunimi është thuajse i pamundur. Deti i Kinës Jugore është shembulli më i mirë. Kina do ta zgjerojë edhe më tej ndikimin e saj atje. Jo së fundi, sepse ky rajon edhe për zhvillimin ekonomik të Kinës, nga pikëpamja kineze ka një rëndësi strategjike. SHBA nga ana tjetër shohin se vendi i tyre i deritashëm në rajon është i rrezikuar. Ndërsa vendet fqinjë e shohin gjithashtu me shqetësim dominimin e parashikueshëm të Pekinit. Një zgjidhje e kësaj çështjeje nuk duket në horizont, konfliktet e ardhshme janë paraprogramuar që sot

JOSCHKA FISCHER – BALLKANI PERËNDIMOR KA RËNDËSI STRATEGJIKE PËR BE-në

Intervistë ekskluzive për DW e Joschka Fischer, ish-Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, që mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, zhvilluar ( 28.05.2015) në Tiranë.

DW: Z. Fischer, ju dhe politikanë të njohur të vendeve anëtare të BE- Francë, Itali, Gjermani, që në një mënyrë ose tjetër keni luajtur një rol në zhvillimet postkomuniste në Ballkan – bashkë me kryeministrat e gjithë vendeve të rajonit po merrni pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, që po zhvillohet në Tiranë. Po synohet të arrihet një konsensus për projektet strategjike, që rajoni si një i tërë do të paraqesë në Takimin e Vjenës, në kuadër të Nismës së re të BE-së për Ballkanin Perëndimor, lançuar gushtin e kaluar nga kancelarja Angela Merkel. Sa i rëndësishëm është për BE-në një Ballkan që po i thotë ”JO” konfliktit dhe “PO”bashkëpunimit?

Joschka Fischer: Ballkani dhe sidomos Ballkani Perëndimor është jashtëzakonsisht i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Europë. Kjo nuk është thjeshtë një ide por një fakt. Nëse shikoni historinë, për t’iu larguar traditave të konfliktit dhe ecur drejt një mënyre të re bashkëpunimi, që konsiston në të qenit bashkë në rrugëtimin drejt BE, kjo është shumë e rëndësishme për gjithë të Europën.

DW: Në këtë përpjekje të rajonit për të lënë pas të shkuarën e konfliktit, shkrirja e akujve në marrdhëniet mes Beogradit dhe Tiranës po shihet si një tregues ”par excellence” për hapjen e një faqeje të re në marrdhëniet mes vendeve fqinjë në Ballkanin Perëndimor. Cila është dobia rajonale madje europiane e kësaj që po ndodh në marrdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve?

Joschka Fischer: Shqiptarët dhe Serbët, para së gjithash, janë popuj fqinjë. Le t’i drejtohem përvojës sonë, të Gjermanisë me Francën. Franca ka qënë armikja e Gjermnanisë për gjyshin, stërgjyshin apo katragjyshin tim dhe ne kemi qënë armiku i Francës. Kësaj armiqësie i erdhi fundi kur burra shteti me kurajo, vendosën që jo konflikti por bashkëpunimi duhet të ishte faktori mbizotërues në marrdhënier me fqinjët, sepse fqinjësia nuk mund të ndryshohet, edhe nëse ti e urren vendin tënd fqinj, apo e do fort, je i intersuar për atë apo nuk do t’ia dish, ai mbetet fqinji yt. Prandaj, mendoj që bashkëpunimi është e vetmja përgjigje e arsyeshme, që Beogradi dhe Tirana të ecin përpara dhe të forcojnë marrdhëniet mes tyre. Mendoj që zhvillimi i marrdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë ështe shumë i rëndësishëm për gjithë rajonin. Ka ndikim pozitiv për Kosovën dhe shumë pika të tjera të nxehta. Dhe kjo është e rëndësishme për Europën gjithashtu. Europa duhet t’i japë një mbështetje të plotë dhe të fuqishme këtij zhvillimi.

DW: Z.Fischer, në mënyrë unanime të gjithë kryeministrat e vendeve të Ballkanit po i drejtojnë BE dhe Komisionit Europinan të njëjtin apel nga Tirana: mbështesni me financimin e projekteve rajonale strategjike paqen e shumëpritur por të brishtë në Ballkanin Perëndimor, që ajo të mos rrezikohet. A do ta dëgjojë BE këtë apel pa humbur?

Joschka Fischer: E kuptoj shumë mirë pozicionin e Ballkanit Perëndimor. Ky rajon po pyet: Çfarë po bën konkretisht BE? Ok, konferencat dhe seminaret e BE janë të mira për rajonin po ku është produkti, rezultati, substanca? Dhe për këto pyetje përgjigjen duhet ta japë Brukseli. Natyrisht, është një çështje e progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e tyre drejt anëtarësimit në BE, që lidhet ngushtë me financimin e projekteve të rëndësishme strategjike për rajonin. Lidhja mes vendeve të rajonit shumë e rëndësishme, nëse dëshiron të kesh bashkëpunim rajonal të duhet të kesh rrugë, autostrada, linja hekurudhore dhe kjo është e rëndësishme të kuptohet në Bruksel. Pastaj zbatimi bëhet këtu, në terren, në vendet e rajonit. Shpresoj që konferenca e ardhshme e Vjenës, që vijon konferencën e Berlinit , që u zhvullua në gusht të vitit të kaluar, do të sjellë progres në këtë drejtim, Nga perspektiva gjeo-politike kjo është shumë e rëndësishme. Europa është për momentin në një situatë jo shumë të mirë, kemi krizën në Europën Lindore, në Ukrainë , kemi krizën financiare që vijon në Greqi por nuk duhen lënë mënjanë sfida të tjera. Duhet kohë, duhet angazhim, nuk është një zbavitje afatshkurtër, nuk është një vrapim disa qindra metraah, por është një maratonë. Kjo nuk duhet harruar. Duhet një presion i vazhdueshëm ndaj Brukselit duke mbrojtur interesat e rajonit. Dhe prandaj konferenca e Vjenës do të jetë shumë e rëndësishme.

DW: Kanë mbetur rreth dy muaj nga zhvillim i kësaj konference. A do ta ketë rol drejtues Gjermania si lançuese e Nismës së re të BE për Ballkanin Perëndimor?

Joschka Fischer: Kjo nismë ishte inisiativë e kancelares Angela Merkel. Kjo nuk duhet harruar. Mendoj, që personalisht, vetë kancelarja është shumë e interesuat për këtë process. Edhe pse nuk kam votuar kurrë për atë, mendoj që me Nismën për Ballknain Perëndimor, kancelarja Merkel, bëri gjënë e duhur.

DW: Z. Fischer, BE ka “lodhje nga zgjerimi”, Ballkani Perëndimor po thotë me këmbëngulje se ka rrezik t’i mbarojë durimi i pritjes së gjatë për ditën kur do të bëhet pjesë e BE. Ku mund ta çojnë Europën dhe rajonin këto dy vektorë ?

Joschka Fischer: Nga njëra anë lodhja nga zgjerimi është fakt, nga ana tjetër, situata gjeopolitike në Europë nuk e lejon këtë lodhje. Në gjeo-politikë nuk ka vaakume. Europa ka interes, Ballkani Perëndimor është një rajon që i përket Europës. Nëse europianët nuk i kuptojnë interesat e tyre kjo do të krijojë problem për të gjithë ne, jo vetëm për rajonin e Ballkanit. Prandaj mendoj se është një mundësi e mirë që kriza gjeo-politike përqark Europës, të mprehë ndërgjegjësimin e liderëve europianë për rëndësinë gjeo-politike të rajonit, gjë që duhet të përdoret pa humbur kohë.

DW: Z. Fischer, ju keni qenë i lidhur me rajonin, më 1999 ju mbështetët pjesëmarrjen ushtarake gjermane në Luftën e Kosovës duke lënë mënjanë filozofinë pacifiste të të Gjelbërve, forcës politike ku ju bënit pjesë atëhere. Sot jeni në Tiranë mes gjithë kryeministrave të vendeve të rajonit. Çfarë ndjeni nëse meditoni për atëhere dhe tani?

Joschka Fischer: Jam sot në Tiranë shumë i emocionuar nga pjesëmarrja në Forumin Ekonomik të Vjenës e gjithë kryeministrave të rajonit, dhe nuk kam sesi të mos sjell ndërmend kur isha ministër i Jashtëm i Gjermanisë, në kohën e Luftës së Kosovës dhe pas përfunimit të saj. Tani rajoni ka ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme, ju përmendët në krye të kësaj interviste marrdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë. Këmbëngul ato janë faktori kyç për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kjo është fantastike dhe jam vërtet i emocionuar.

OPOZITA TURKE E KËRKON MBËSHTETJEN E BESIMTARËVE

 

Partia kryesore opozitare në Turqi, Partia Republikane Popullore, po kërkon të ndryshojë imazhin para zgjedhjeve të 7 qershorit. Përpjekja vjen pas një sërë humbjeve përballë partisë AK në pushtet me bazë islame, e cila e kishte protretizuar opozitën si armike të fesë. Siç na njeh materiali në vazhdim, opozita po përpiqet të fitojë mbështetjen e besimtarëve ndërsa pëpiqet të mbrojë bazën tadicionale laike.

Kandidatja për deputete Selin Sayek-Boke është një prej anëtarëve të Partisë Republikane Popullore, shkurtimisht CHP, me bazë laike, e cila ndryshe nga fushatat e tjera po përqëndrohet tek ekonomia.

“Mesazhi për ekonominë, premtimi dhe angazhimi për një administratë më të mirë publike prek jetën e të gjithëve.”  

Kandidatja po e përçon mesazhin tek pronarët e bizneseve të vogla, votues tradicionalë të partisë në pushtet AK. Opozita CHP po premton ulje taksash për naftën dhe politika të tjera që synojnë rigjallërimin e ekonomisë.

Kjo strategji duket se po funksionon tek disa tregtarë, që po ankohen rreth problemeve në biznes.

“Do të ndihmonte njerëzit të siguronin nevojat bazë me çmimet në rënie. Do të rigjallëronte tregjet,” thotë një tregtar.

((mandatory cg:  CHP campaign ad))

Reklamat tërheqëse, prodhim i një kompanie të njohur, janë pjesë e strategjisë së Partisë CHP, për t’i çliruar nga imazhi si parti laike.

Por trashgimia e CHP si parti e themeluesit të shtetit laik, Mustafa Kemal Ataturk dhe deri së fundmi mbështetëse e kufizimeve mbi praktikat fetare, si vënia e shamisë, mbeten një pengesë elektorale. Beul Durmaz është profesor sociologjie.

“CHP ka ndaluar disa praktika fetare dhe disa herë është shprehur kundër përdorimit të shamive të kokës. Për këtë arsye ende disa njerëz nuk i besojnë kësaj partie.” 

Shumë publikime partiake synojnë t’u kundërvihen thënive nga partia në pushtet me bazë fetare, se opozita është anti-myslimane.

Izmiri, me një popullsi të madhe dhe laike, është bazë e fortë e partisë CHP dhe politikat e vijës së ashpër gëzonin mbështetje mes votuesve në atë qytet. Por kandidatja Sayek-Boke këmbëngul se mesazhi i ri pluralist nuk do të thotë se partia po hedh poshtë themelet laike.

“Është një përpjekje e madhe për të treguar se jemi parti social demokrate. Parti që qëndronte për barazi, respekt për të gjitha besimet dhe etnitë. Turqia është ndarë në shumë pjesë përmes etnisë dhe fesë. Aktulishte ne duam pajtim.” 

Në Izmir, Sayek-Boke dhe kandidatët e tjerë të partisë së saj po mundohen të zgjerojnë mbështetjen mes popullsisë së devotshme turke, por njëkohësisht ata nuk duan të zemërojnë bazën e partisë. Suksesi partisë CHP për t’ia arritur qëllimit do të jetë kyç në përcaktimin nëse  ata arrijnë rezultatin elektoral që dëshirojnë. za

ULRICH KÜHN – NATO KA DEFICITE NË MBROJTJE

Manovër nga ajri e NATO-s në Lituani

Në Europën veriore kanë filluar manovrat e përbashkëta të gjashtë vendeve të NATO-s me shtete neutrale. Eksperti i sigurisë, Ulrich Kühn flet mbi efektin dhe rëndësinë e kësaj manovre ushtarake.

DW: Zoti Kühn manovrat perëndimore konsiderohen “si nga më të zgjeruarat e llojit”. Sa rëndësi kanë ato?

Ulrich Kühn: Për këtë manovër ekzistojnë tre argumenta: Së pari: NATO kërkon t’i dërgojë një sinjal Putinit se aleanca si në aspkeitn ushtarak edhe politik e ka vullnetin që të respektojë detyrimet e saj për anëtarët e aleancës, pra edhe për tre vendet balltike. Së dyti: Me të dërgohet një sinjal tek partnerët lindorë, që aleanca është e gatshme t’i mbrojë ata në çdo kohë, edhe kundër një agresioni të mundshëm rus. Së treti: Trupat duhen stërvitur për sfida të reja ushtarake, si për shembull për stilin “hibrid” të luftës që po përdor Rusia në Krime dhe Ukrainën lindore. Në këtë drejtim duhet vepruar. Në këtë kuptim manovra mund të konsiderohet si shumë e rëndësishme.

Çfarë nënvizimi të ri merr kjo manovër, kur në të marrin pjesë edhe vende neutrale, si Finlanda, Suedia, apo Zvicra?

Duhet thënë se Finlanda dhe Suedia ndjehen të rrezikuara nga manovrat e fundit ruse. Kështu herë pas here gati shkelet hapësira ajrore nga aviacioni rus. Kështu ka zëra tani në Finlandë dhe Suedi që kërkojnë futjen në NATO. Kjo i sinjalizon Rusisë që ajo nuk perceptohet më si një partner i besueshëm, por si kërcënim serioz. Në tërësi mund të thuhet se vihet re një militarizim i ri i sigurisë europiane.

A nuk është disi qesharake deklarata zyrtare se bëhet fjalë për një stërvitje për një mision të OKB-së, kur çdokush e di se arsyeja e vërtetë është kërcënimi rus?

Këto manovra i drejtohen qartë Rusisë. Sinjali është: “Rusia po mpreh shpatën, por ne jemi gati”. Arsyetimi me një ushtrim relevant për OKB-në është thjeshtë fasada. Me sa duket nuk do t’i japë më njeri Putinit raste të tjera për propagandë mediatike. Sinjali ushtarak është shumë i qartë.

Deutschland Ulrich Kühn Institut für Friedensforschung und Sicherheitspolitik Uni Hamburg Eksperti Ulrich Kühn

Rusia nga ana e saj ka reaguar me demonstrim ushtarak. Janë këto manovra rruga e duhur për të vepruar me rrezikun që vjen nga Rusia, nuk tensionohen kështu edhe më shumë marrëdhëniet me Rusinë?

Këto manovra janë të justifikuara për gjendjen aktuale. Madje vetë koha, gjendja e brishtë mes emergjencës ushtarake dhe përgjegjësisë policore, kur “uniformat e gjelbra”, pra njësi speciale të paidentifikuara kalojnë në kufi, kërkon masa të reja dhe të përshtatshme. Njëra nga manovrat e NATO-s në Letoni lidhet pikërisht me një skenar të tillë. Mendoj se është gjëja e duhur t’i tregosh Rusisë se nuk ka asnjë shans të veprojë në vendet baltike ashtu si në Ukrainë. Por në plan afatgjatë dhe të mesëm NATO duhet të ndërtojë ura komunikimi me Rusinë. Pra, si në kohën e Luftës së Ftohtë: Nga njëra anë oferta serio´ze bashëkpunimi, nga ana tjetër gatishmëri realiste për mbrojtje. Për fat të keq është Rusia që prej më shumë se një viti po e rrotullon spiralen drejt shkallëzimit.

Sa të rrezikuara janë vërtet vende si ato baltike, Estonia, Letonia, Lituania apo vendet jo anëtare, si Suedia apo Finlanda?

E parë në mënyrë realiste, Rusia nuk mund t’i rrezikojë seriozisht tre vendet baltike, Estoni, Letoni, Lituani. Në rastin më ekstrem- një shkëmbim nuklear – SHBA duhet të jetë gati të “këmbejë” Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin me Talinin, Rigën dhe Vilnën. Edhe pse ky qëndrim të duket shumë i ekzagjeruar, ai i përgjigjet logjikës së kërcënimit. Edhe Rusia e di këtë. Por në të njëjtën kohë ajo ia ka dalë me sukses të veprojë në një zonë gri, pa e kaluar pragun e një lufte të hapur. Në këtë pikë NATO ka deficite në mbrojtje, dhe tre vendet baltike e kanë vënë re me kujdes këtë mangësi në aleancën e përbashët. Këtu NATO duhet të përmirësohet.

A mendoni se Suedia dhe Finlanda do të bëhen pjesë e NATO-s?

Për Suedinë dhe Finlandën nuk shoh ndonjë kërcënim direkt rus. Por si në kohën e Luftës së Ftohtë të dyja vendet gjenden në hapësirën e influencës së Rusisë, gjë që i bën ato potencialisht objektiva të lojërave ushtarake. Por t’i bësh këto vende tani pjesë të NATO-s do të thotë të dërgosh një sinjal shumë të gabuar tek Moska. Edhe në këto vende nuk ka ndonjë shumicë që e kërkon këtë anëtarësim. Por opinionet politike mund të ndryshojnë shumë shpejt.

Ulrich Kühn është ekspert për marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë në Institutin për Studimet e Paqes dhe Politikën e Sigurisë në Universitetin e Hamburgut.

BRITANI-BE, MBRETËRESHA ELISABETË SHPALL PLANET PËR REFERENDUM

Mbretëresha Elizabeth ka thënë të mërkurën se Qeveria britanike do të kalojë ligjin që i hap rrugën referendumit për anëtarësinë e vendit në Bashkimin Evropian.

“Legjislacioni i ri do të sigurojë referendumin për anëtarësinë në BE deri në fund të vitit 2017”, ka thënë Mbretëresha në një fjalim para Parlamentit britanik.

“Qeveria ime do të rinegociojë marrëdhënien e Mbretërisë së Bashkuar me BE-në dhe do të ndjekë reformën e BE-së për të mirën e të gjitha vendeve anëtare”, ka shtuar ajo.

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, i cili është rizgjedhur më 7 maj, është zotuar se do të negociojë një “marrëveshje më të mirë” për Mbretërinë e Bashkuar dhe se do të mbajë referendum për anëtarësinë në BE më 2017. rel

FORBES – MERKEL, GRUAJA MË E FUQISHME E BOTËS

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, për të pestin vit me radhë, kryeson listën e grave më të fuqishme në botë të revistës Forbes.

Pas saj vjen ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ndërsa në vendin e tretë Melinda Gates, bashkëkryesuese e Fondit Bill dhe Melinda Gates.

Në top-dhjetëshen e parë bën pjesë edhe shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, në vendin e gjashtë, dhe presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, në vendin e shtatë.

Lista vjetore e 100 grave më të fuqishme të botës përfshin lideret në tetë kategori: politikë, teknologji, biznes, financa, media, sipërmarrje, filantropi dhe miliardere.

TIMOFTI – MOLDAVIA SYNON EVROPËN, JO RUSINË

VOAL – Presidenti i Moldavisë, Nicolae Timofti, ka thënë se vendi i tij preferon t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe jo të qëndrojë në orbitën ruse.

Ai i ka bërë këto komente për agjencinë The Associated Press në Tiranë, ku ka ndjekur një takim të vendeve të Evropës Juglindore.

“Ne nuk mund t’i mohojmë realitetet që ekzistojnë në Moldavi. Kemi qenë pjesë e një unioni, ku Rusia ka qenë dominuese. Por, ne jemi vend evropian dhe populli ynë ka aspirata evropiane”, ka thënë Timofti.

Ish-republika sovjetike ka fituar pavarësinë në vitin 1991, kur Bashkimi Sovjetik është shpërbërë.

Rreth 1,500 trupa ruse janë aktualisht të stacionuara në rajonin separatist të Moldavisë, Transdniester. rel


Send this to a friend