VOAL

VOAL

Të paktën katër të vdekur në një përplasje trenash në Gjermani

Policia gjermane tha se të paktën katër persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 100 të tjerë janë plagosur nga pasojat e përplasjes së dy trenave në Gjermaninë jugore.

Përplasja ka ndodhur afër qytetit Bad Aibling, rreth 60 kilometra në juglindje të Munihut.

Një zëdhënës i policisë federale u tha gazetarëve se përplasja ka ndodhur në një terren “të vështirë” dhe ekipet e shpëtimit ende janë në përpjekje për të nxjerrë udhëtarët nga trenat.

Të paktën dhjetë nga të plagosurit janë në gjendje shumë të rëndë.

Tash për tash nuk dihen hollësi rreth shkaqeve të përplasjes.

Çeki: Qendra e refugjatëve u sulmua pas protestave kundër myslimanëve

Pamje nga protesta e djeshme kundër emigrantëve dhe myslimanëve në Pragë

Policia e Çekisë thotë se një grup prej afro 20 sulmuesish të panjohur ia kanë vënë zjarrin një qendre të refugjatëve në kryeqytetin Pragë, vetëm disa orë pasi mijëra njerëz kanë protestuar kundër myslimanëve dhe emigrimit.

Sulmuesit e shkatërruar qendrën Klinika, që dikur ishte qendër mjekësore në lagjen Zhizhkov në Pragë, dhe kanë hedhur koktej Molotovi.

Autoritetet thanë se së paku një person është lënduar nga sulmi.

Aktivistët që punojnë në këtë qendër të refugjatëve thanë se sulmuesit ishin neo-nazistë.

Protesta kundër myslimanëve e organizuar para presidencës së Çekisë, ishte njëra nga shumë demonstratat e mbajtura dje në gjithë Evropën nga grupi PEDIGA, që është shkurtesë e lëvizjes Patriotët evropianë kundër islamizimit të perëndimit.

Ky grup është shumë tërheqës për personat me ndjenja të forta të së djathtës ekstreme dhe kundër emigrantëve, prej vitit 2014, kur ishte formuar në Drezden të Gjermanisë.

Spanja sfidon krijimin e ministrisë së Jashtme të Katalonias

Mbështetës të Katalonias së pavarur, foto arkivi

Qeveria spanjolle është duke u bërë gati të sfidojë ligjërisht, krijimin e ministrisë së punëve të jashtme nga ana e qeverisë rajonale në Kataloni, e cila për synim ka shkëputjen nga Spanja.

Ministri spanjoll i drejtësisë, Rafael Catala, u ka thënë gazetarëve të premten se avokatë të angazhuar nga qeveria do të kërkojnë Gjykata Kushtetuese që të urdhërojë pezullimin e kësaj ministrie, qëllimi i së cilës është të sigurojë mbështetje te komuniteti ndërkombëtar për pavarësinë e Katalonias nga Spanja.

Qeveria rajonale e Katalonias ka miratuar muajin që shkoi themelimin e kësaj ministrie dhe ka emëruar politikanin separatist, Raul Romeva, në krye të saj.

Kerry-Lavrovit: Ndalni sulmet në Siri

LONDËR – Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka kërkuar nga Moska që të ndalojë bombardimin e grupeve rebele siriane.

Komentet vijnë një ditë pasi bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara, për paqe midis qeverisë dhe opozitës siriane, janë ndërprerë në Gjenevë. Kerry, në një bisedë telefonike, ka kujtuar homologun rus, Sergei Lavrov, se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së bën thirrje për armëpushim të menjëherëshëm në Siri, në mënyrë që ndihmat humanitare të arrijnë në qytetet e rrethuara.

Kerry, duke folur në konferencën e donatorëve për Sirinë në Londër, po ashtu ka thënë se ai dhe Lavrov janë pajtuar për nevojën e diskutimit se si të zbatohet armëpushimi. Rusia ka nisur sulmet ajrore në Siri, në mbështetje të forcave të presidentit sirian, Bashar al-Assad, qysh në muajin shtator.

Gjermani: Një shqiptar dënohet për vrasjen e një izraeliti

Një shqiptar është dënuar me 8 vjet e gjysmë burg për vrasje të paparamenduar të një izraeliti, trupi i pajetë i të cilit ishte gjetur në një kishë të rrënuar në Berlin, vitin e kaluar.

Gjykata shtetërore në Berlin ka vendosur dje se i dyshuari e kishte vrarë shtetasin izraelit, Yosi Damari, 22 vjeçar, pasi këta të dy ishin takuar në një bujtinë dhe kishin pasur mospajtime për shkaqe që mbesin të paqarta, ka raportuar agjencia DPA.

I dyshuari, emri i të cilit nuk është publikuar në harmoni me ligjin për privatësinë në Gjermani, ishte arrestuar disa ditë më vonë në Çeki.

Shqiptari 28 vjeçar, i cili kishte arritur në GjerMANI për shkak të ofertës për punë, u tha gjyqtarëve se ishte sulmuar nga izraeliti dhe pastaj e kishte goditur duke e rrëzuar në tokë.

Trupi i pajetë i personit të vrarë ishte gjetur nga kalimtarët e rastit në muajin prill të vitit të kaluar. Ai kishte pësuar lëndime masive në kokë.

Suedi, shpërthim i fuqishëm në një shkollë të mesme

Gazeta “Expressen” në versionin elektronik të saj ka shkruar se shpërthimi është dëgjuar në të gjitha pjesët e qytetit

GOTEBORG – Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur sot qytetin Karlstad në Suedi, ndërkohë që njoftohet se ka ndodhur në një shkollë të mesme.

Gazeta “Expressen” në versionin elektronik të saj ka shkruar se shpërthimi është dëgjuar në të gjitha pjesët e qytetit. Burimet lokale thonë se pas shpërthimit ndërtesa është përfshirë nga zjarri.

Akoma nuk ka detaje për viktima të mundshme, ndërkohë që ekipet për shpëtim kanë shkuar në vendin e ngjarjes. “Gjendemi në vendin e ngjarjes dhe po përpiqemi të zbulojmë arsyet e shpërthimit” tha Ola Akesson nga ndihma e shpejtë.

Hyrja e xhihadistëve në Evropë

Sipas një studimi për terrorizmin ndërkombëtar, më shumë se 40 xhihadistë janë përpjekur të hyjnë ose kanë hyrë në Evropë në tetë muajt e fundit duke u paraqitur si refugjatë sirianë.

Zbulimi i operativëve terroristë të maskuar si azilkërkues, me sa duket do të vështirësohet, pasi numri i refugjatëve të fillojë të rritet me përmirësimin e motit në pranverë.

Në tri javët e para të janarit, në Evropë hynë 36.000 refugjatë lufte nga Lindja e Mesme dhe emigrantë kryesisht ekonomikë nga Afrika, sipas statistikave të Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit, një organizatë ndihmash humanitare.

Rastet e dokumentuara të xhihadistëve që përpiqen të hyjnë fshehurazi në Evropë, e kanë shtuar alarmin e shërbimeve evropiane të inteligjencës. Autoritetet belge konfirmuan javën e kaluar se kunati i radikalizuar i një xhihadisti që luftonte në Siri pritej të bëhej mbikqyrës në një central bërthamor të Belgjikës, para se të zbuloheshin lidhjet e tij radikale.

Parisi pret Kastron në një vizitë historike

Presidenti i Kubës Raul Kastro, i cili ndodhet në Paris që nga e shtuna, filloi sot një vizitë zyrtare shtetërore në Francë.

Ministrja franceze e energjisë Segolene Royal i uroi mirëseardhjen udhëheqësit kuban në Harkun e Triumfit.

Presidenti francez Francois Hollande do të presë 84-vjeçarin Kastro sonte me një darkë shtetërore në Pallatin Elize.

Hollande ishte udhëheqësi i parë evropian që vizitoi Kubën pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes saj dhe Shteteve të Bashkuara.

Zoti Hollande thotë se vizita e presidentit kuban në Francë shënon “një fazë të re në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.”

Europol: 10 mijë fëmijë emigrantë të zhdukur në Evropë

Agjencia evropiane për bashkëpunim në zbatimin e ligjit, thotë se së paku 10 mijë fëmijë emigrantë që kanë qenë të pashoqëruar, janë zhdukur pasi që janë regjistruar tek autoritetet evropiane gjatë dy viteve të fundit.

Gazeta britanike “The Observer” e ka cituar shefin e Europolit, Brian Donald, të ketë thënë se disa nga ta mund të kenë takuar anëtarët e familjes, por se ata thjeshtë nuk kanë informacione për fatin e tyre.

“Por ne thjeshtë nuk e dijmë se ku janë ata, apo çfarë bëjnë”, ka thënë ai.

Organizata bamirëse e fëmijëve, Save the Chlidren, thotë se rreth 26 mijë fëmijë emigrantë, të pashoqëruar nga familjet e tyre, kanë arritur në Evropë në vitin 2015.

Ekziston frika se fëmijët e pashoqëruar dhe të rinjtë mund të tërhiqen për tu bërë punëtorë seksi apo pjesë e aktiviteteve ilegale.

NATO reagon për shkeljen e hapësirës ajrore të Turqisë nga një avion rus

Stoltenberg, në një deklaratë në lidhje me shkeljen e hapësirës ajrore të Turqisë nga avioni rus, tha: “Ngjarjet e mëparshme treguan se sa i rrezikshëm është një veprim i tillë”

BRUKSEL – Sekretari i Përgjithshëm, NATO-s, Jens Stoltenberg, duke theksuar se edhe pse i kanë tërhequr me herë të tëra vëmendjen Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të Turqisë, e ftoi atë të respektojë hapësirën ajrore të NATO-s si dhe të bëjë lëvizje të përgjegjshme.

Stoltenberg, në një deklaratë në lidhje me shkeljen e hapësirës ajrore të Turqisë nga avioni rus tha se: “Ngjarjet e mëparshme treguan se sa i rrezikshëm është një veprim i tillë”. Duke bërë përgjegjës Rusinë Stoltenberg e ftoi atë të jetë më e përgjegjshme në veprimet e saj.

Në vazhdim të deklaratës se tij thuhet: “Në mënyrë që të mos përsëriten më raste të tilla Rusia duhet të marrë masat e nevojshme. Krijimi i një kontakti të drejtpërdrejtë mes Turqisë dhe Rusisë është një hap i mirëpritur. Bëj thirrje për gjakftohtësi. NATO mbështet tërësinë territoriale të aleatit të saj. Ndërkohë që vendet anëtare të NATO-s vazhdojnë të forcojnë kufirin e Turqisë është marrë vendimi për rritjen e pranisë së avionëve monitorues AWACS në dhjetor. Ky vendim është marrë përpara zhvillimit të kësaj ngjarjeje”. aa

Shitet në ankand për 82 mijë dollarë Fiat 500L i Papës

Në vizitën e Papa Francescos në Amerikë shtatorin e kaluar, për ta shoqëruar atë në Philadelfia ishte një Fiat 500L. Një zgjedhje tradicionale ajo e Papës, i cili nuk preferoi të lëvizte me një makinë të shtrenjtë dhe luksoze. Tani ekzemplari i Fiat 500L, me targë SCV1, është shitur për 82 mijë dollarë.

Gjermania e akuzon Rusinë për sulm kibernetik

Një sulm kibernetik gjashtëmujor kundër parlamentit të Gjermanisë në vitin 2015, ishte organizuar nga qeveria ruse, thuhet mes të tjerash në një raport të publikuar nga e përjavshmja gjermane Der Spiegel.

Revista ka njoftuar sot se autoritetet gjermane janë të sigurta se virusi Trojan kundër rrjetit kompjuterik të Bundestagut, në gjysmën e parë të vitit 2015, është kryer nga një grup i hakerëve të mbështetur nga qeveria ruse, të njohur si Sofacy dhe APT28.

Sulmi kibernetik e kishte ndërprerë për disa ditë rrjetin në faqen e parlamentit gjerman ndërsa i kishte komprometuar një numër të madh të të dhënave të qeverisë gjermane.

Një zyrtar i lartë i qeverisë gjermane i cili ka dashur të mbetet anonim, i ka thënë revistës me bazë në Berlin, se është “e qartë” se sulmi ka lidhje me “shërbimin e intelegjencës së ushtrisë ruse”.

Ai tha se sulmi kishte pasuar një metodë të ngjashme të sulmeve tjera kibernetike kundër Gjermanisë dhe vendeve të tjera të NATO-s.

OKB: Trupat evropiane abuzuan me fëmijët afrikanë

Bangui, Republika e Afrikës Qendrore

Kombet e Bashkuara kanë thënë se kanë akuza të reja për abuzimin seksual të fëmijëve nga trupat evropiane në Republikën e Afrikës Qendrore.

Një numër vajzash, nga mosha 14 deri në 16 vjeçe, kanë thënë se janë përdhunuar nga pjesëtarët gjeorgjianë të Eufor-it të BE-së, ka deklaruar OKB-ja.

Sipas burimit të njëjtë, një vajzë shtatë vjeçe dhe një djalë nëntë vjeç kanë thënë se janë abuzuar nga trupat franceze.

Trupat janë dërguar në Republikën e Afrikës Qendrore për të frenuar dhunën midis milicive të krishtera dhe rebelëve myslimanë.

Rebelët kanë marrë pushtetin në mars të vitit 2013. Në përgjigje, milicitë kanë kapur armët kundër tyre.

Abuzimet seksuale dyshohet se kanë ndodhur pranë një kampi për persona të zhvendosur, pranë aeroportit në Bangui, më 2014, por kanë dalë në dritë në javët e fundit, gjatë intervistave me një ekip të OKB-së.

 

Berlini: Përdhunimi i 13-vjeçares ruse është sajuar

BERLIN- Autoritetet gjermane kanë thënë se pretendimet për përdhunimin e një vajze 13 vjeçe, me origjinë ruse, në Berlin, janë sajuar. Vajza, e cila është zhdukur për disa orë më 11 janar, i ka thënë policisë se është rrëmbyer dhe përdhunuar nga, siç kanë thënë familjarët e saj, emigrantë nga Lindja e Mesme.

Një zëdhënës i Zyrës së Prokurorit në Berlin ka thënë se të dhënat nga telefoni mobil i vajzës kanë treguar se ajo ka kaluar natën në fjalë në shtëpinë e një shoku. Djali 19 vjeç ka pranuar se vajza ka qenë me të atë natë. Disa nga gjërat e saj janë gjetur në banesën e tij, por nuk ka prova për “lojë të pistë”, ka thënë zëdhënësi.

Ai po ashtu ka thënë se nuk është ngritur asnjë akuzë kundër 19-vjeçarit, i cili tani është duke vepruar si dëshmitar. Rasti ka shkaktuar tensione midis Rusisë dhe Gjermanisë. Berlini ka paralajmëruar Moskën që të mos e politizojë atë, pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se autoritetet gjermane mund ta fshehin realitetin për arsye të brendshme politike.

Linkevicius: Në Ukrainë më shumë tanke ruse se sa vëzhgues të OSBE-së

“Rusia po bën agresion ushtarak, ekonomik dhe politik ndaj Ukrainës. Pajisja ushtarake ruse ende gjendet në rrugët e qyteteve Donjeck dhe Lugansk”, tha Linkevicius

VILNIUS – Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë Linas Linkevicius, në lidhje me punimet në lindje të Ukrainës tha se “Rusia po bën agresion ushtarak, ekonomik dhe politik ndaj Ukrainës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Linkevicius shkroi një artikull për gazetën “The Wall Street Journal” me temën: “Siguri, para politikës në Ukrainën Lindore”.

Në këtë shkrim ai duke treguar se përleshjet në rajon ende vazhdojnë, vlerësoi se “tanket të cilat lirish mund të lëvizin në rajon (në lindje të Ukrainës), është më i madh se sa numri i vëzhguesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)”.

“Rusia po bën agresion ushtarak, ekonomik dhe politik ndaj Ukrainës. Si mund të zbatohet reformë politike dhe lokalizimi i qeverisjes në rajon, kur pajisja ushtarake ruse ende gjendet në rrugët e qyteteve Donjeck dhe Lugansk dhe kur vëzhguesit ndërkombëtar nuk kanë qasje në këto vende?”, thotë ministri i Jashtëm i Lituanisë.

Linkevisius thekson rëndësinë e sigurimit të kushteve të nevojshme në Ukrainë për qasjen e vëzhguesve të OSBE-së në rajon. Sipas tij, duhet të arrihet armëpushim dhe të bëhet tërheqja e armëve të rënda nga rajoni.

Disneyland Paris: Arrestohet një person me armë dhe Kuran

Policia franceze ka arrestuar një person që ka mbajtur dy armë, në hyrje të një hoteli në Disneyland të Parisit.

Personi, i moshës 28-vjeçare dhe jo i njohur për shërbimet e sigurisë, ka pasur edhe një kopje të Kuranit dhe një kuti me municion, ka thënë policia.

Çanta e tij thuhet se ka ndezur detektorët e metalit, derisa ka hyrë në hotelin Nju Jork në parkun Disneyland.

Franca mbetet në gjendje të jashtëzakonshme, pas sulmeve terroriste në Paris, në nëntor të vitit të kaluar.

I ashtuquajturi Shtet Islamik ka thënë se ka kryer sulmet e koordinuara, në të cilat kanë mbetur të vrarë 130 veta.

E dashura e personit të armatosur është arrestuar po ashtu, por ajo ka qenë e paarmatosur.

Disneyland Paris është në mesin e destinacioneve më të popullarizuara turistike në Evropë.

Rreth 10 milionë njerëz e kanë vizituar atë në vitin 2014.

Nuk ka pasur ende ndonjë koment zyrtar nga Disneyland-i, por parku mbetet i hapur.

Rohani bën marrëveshje 22 miliardë eurosh me Francën

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka nënshkruar një marrëveshje në vlerë prej 22 miliardë eurosh, për të blerë 118 avionë civilë nga firma franceze Airbus.

Marrëveshja është shpallur të enjten në Paris, në një ceremoni të ndjekur nga Rohani dhe presidenti i Francës, Francois Hollande.

Prodhuesi francez i makinave Peugeot-Citroen ka shpallur po ashtu një sipërmarrje të përbashkët me prodhuesin iranian të makinave, Khodro, për të prodhuar 200,000 makina në vit në Iran, nisur nga viti 2017.

Udhëtimi i Rohanit në Evropë vjen pas heqjes së sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit.

Sanksionet janë hequr në bazë të një marrëveshjeje, e cila fillimisht ka obliguar Republikën Islamike që të frenojë aktivitetin e saj bërthamor.

Vizita pesëditshe e Rohanit në Itali dhe Francë është e para e një presidenti iranian në gati dy dekada.

Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka thënë se vendet duhet të harrojnë inatet e kaluara.

“Franca është në dispozicion për Iranin dhe Irani mund të llogarisë te Franca”, ka thënë ai.

Mbyten 24 emigrantë pranë ishullit grek

Njëzetekatër emigrantë janë mbytur pranë ishullit grek Samos, pasi anija e tyre është fundosur.

Në mesin e viktimave janë raportuar edhe fëmijë.

Kjo është anija e dytë që është fundosur këtë javë në këtë rajon. Të mërkurën, shtatë njerëz janë mbytur në incidentin pranë ishullit Kos.

Nacionaliteti i viktimave të fundit nuk dihet ende.

Shumica e atyre që rrezikojnë jetët, në përpjekje për të arritur në Evropë nga Turqia, janë shtetas të Sirisë, Irakut dhe Afganistanit.

Vetëm vitin e kaluar, mbi 850,000 njerëz kanë arritur në ishujt grekë nga Turqia.

Gjatë këtij muaji, ndërkaq, 46,000 veta tashmë kanë arritur në Greqi.

Ja pse jep dorëheqjen Ministrja e Drejtësisë e Francës

Ministrja franceze e Drejtësisë u largua të mërkurën nga posti, pasi kundërshtoi një veprim të qeverisë për revokimin e shtetësisë për personat e dënuar si terroristë, të lindur në Francë, në se ata kanë një shtetësi të dytë.

Pallati “Elysee” njoftoi përmes një deklarate se Presidenti Francois Hollande e pranoi dorëheqjen e Christiane Taubiras, pak para mbledhjes së kabinetit dhe disa orë para një debati në komisionin parlamentar lidhur me ligjin e shtetësisë.

Në vendin e zonjës Taubiras vjen Jean-Jacques Urvoas, një ligjvënës i cili konsiderohet si specialist për çështje të sigurisë brenda Partisë Socialiste dhe njeri i afërt i kryeministrit Manuel Valls. Në të kaluarën zonja Taubira ka patur fërkime me kryeministrin Valls, i cili ka pikpëpamje të qendrës.

Christiane Taubira, politikane me origjinë nga Guinea Franceze, një vend në brigjet e Karaibeve, ka qenë mbrojtëse e grave dhe e pakicave në sferën politikën franceze.

Ligji për shtetësinë, i cili u hartua pas sulmeve të 13 nëntorit të vitit të kaluar në Paris, ku u vranë 130 vetë dhe u vranë mbi 350 të tjerë, gëzon popullaritet mes konservatorëve dhe politikanëve të ekstremit të djathtë, por ai është tepër përçarës për socialistët që janë në pushtet në Francë.

Anketat tregojnë se shumica e francezëve e mbështesin ligjin, por kundërshtarët e tij druhen se ai ve në shënjesëtr padrejtësisht myslimanët. Disa e kanë krahasuar atë me revokimin e shtetësisë për hebrejtë në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Christiane Taubira sot ishte në plan të udhëtonte për në SHBA, ku do të takohej me Prokuroren e Përgjithshme Loretta Lynch dhe me përfaqësues të lëvizjes për të drejtat civile “Black Lives Matter”. Asaj do t’i jepej gjithashtu një gradë honorifike nga Universiteti i Wisconsin-it.

Ministri i Jashtëm gjerman e kundërsulmon ministrin e Jashtëm rus

Qeveria gjermane e hedh poshtë kritikën nga Rusia. Është e palejueshme, që gjoja rrëmbimi dhe përdhunimi i një 13 vjeçareje gjermane të Rusisë në Berlin të shpërdorohet për qëllime politike, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefen Seifert në Berlin. Gjermania është shtet juridik, tha ai. Autoritetet kompetente të drejtësisë duhet të vazhdojnë hetimet “në qetësi dhe pa u shqetësuar nga jashtë.”

Steinmeieri sulmon Lavrovin

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme Frank-Walter Steinmeier e sulmoi në mënyrë të pazakonshme të ashpër verbalisht homologun e tij, Sergej Lavrov dhe e akuzoi për përzierje në punët e brendshme të Gjermanisë. Nuk ka asnjë justifikim që “ky rast të përdoret për propagandë politike dhe për të ushtruar ndikim në debatin gjithsesi të vështirë të migrantëve këtu dhe për ta acaruar atë.” Ministri i Jashtëm gjerman tha se autoritetet gjermane po bëjnë të gjitha përpjekjet, për ta sqaruar këtë rast. “Autoritetet ruse i këshilloj vetëm që t’i referohen gjendjes së hetimeve”. Ministria e Jashtme gjermane do ta pajisë ambasadorin rus në Berlin brenda ditës së mërkurë me informacionet e nevojshme, tha Steinmeieri, pa përmendur detaje.

Pyetjes se sa të vërtetë e vlerëson ai raportimin në mediet ruse për këtë rast, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Schäfer iu përgjigj: “Sa më shumë kalon koha, aq më e qartë bëhet: gënjeshtrat i kanë këmbët e shkurtra.”

Diskutimet u bënë në kuadër të zhdukjes së përkohshme në Berlin të një vajze 13 vjeçare gjermane të Rusisë. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov e akuzoi të martën për “fshehje të fakteve” policinë gjermane. Sipas medieve, vajza kishte thënë se në 11 janar e patën rrëmbyer tri burra me pamje “jugore” dhe që flisnin një gjermanishte të çalë. Sipas medieve, atë e patën futur në një banesë, ku e patën përdhunuar dhe keqtrajtuar. Por policia e Berlinit i kundërshtoi tregimet se vajzën e patën rrëmbyer dhe përdhunuar.

Por që nga largësia, ministri i Jashtëm rus duket se e ka më të qartë gjendjen. “Është e qartë se vajza nuk zhduket vullnetarisht për 30 orë”, tha Lavrovi.

Informacione të shtrembëruara

Autoritetet gjermane thonë se ky është rasti i fundit në vazhdën e një sërë informacionesh të shtrembëruara. Edhe Shërbimi i Jashtëm Evropian (EAD), krahu diplomatik i BE, arrin në të njëjtin përfundim në një informacion, të cilin e zotëron agjencia e lajmeve Reuters.

Pesha e rëndë e BE, Gjermania, që pas krizës së Ukrainës, po sidomos që prej krizës së refugjatëve përshkruhet sistematikisht në mediet ruse si një vend buzë greminës, thuhet në Bruksel. Prandaj akuza e përdhunimit prej disa migrantëve në Berlin përshtatet në këtë skemë. Një shkak tjetër i mundshëm: shumë refugjatë sirianë në Gjermani janë kundërshtarë të regjimit sirian të Bashar al-Assadit, të cilin Moska e përshëndet.

Eurostat: Pamja e hartës së Europës do të ndryshojë, ja si pozicionohet Shqipëria

Eurostat: Pamja e hartës së Europës do të ndryshojë, ja si pozicionohet Shqipëria

Migrimi mund të kompensojë popullsinë në plakje të BE-së, por për disa vende, rënia e popullsisë është ende e pashmangshme në dekadat e ardhshme…

Teksa të dhënat e raportit të Eurostat sugjerojnë se vendet kryesore të zhvilluara të Europës do të pësojnë rënie të numrit të popullsisë, ku në krye të listës qëndron Gjermania, vendet e Ballkanit si Shqipëria do të ofrojnë tjetër panoramë në vitet e ardhshme, ku rritja e popullsisë do të vazhdojë për shkak të arsyeve natyrore.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe të tjera vende të rajonit si Mali i Zi dhe Maqedonia do të vijojnë rritjen e popullsisë, ku si arsye e vetme e kësaj tendence citohen faktorët natyrorë.

Ndërsa vende si Serbia, Kroacia kategorizohen te grupi i vendeve që nga arsye natyrore si rënia e fertilitetit, përhapja e sëmundjeve etj. do të pësojnë rënie të popullsisë.

Një sërë vendesh të Bashkimit Europian, si Belgjika, Danimarka, Spanja,Luksemburgu Mbretëria e Madhe do të kenë një rritje të popullsisë, që ndryshe nga vendet e ballkanit nuk do të vijë për shkaqe natyrore, por si rrjedhojë e migracionit neto.

Projeksionet sugjerojnë se vende si Greqia, Portugalia, Bullgaria, Sllovakia dhe Letonia do të mund të shohin një rënie drastike të 1/3 së popullsisë deri në 2080, ndërsa Lituania do të pësojë rënien më të madhe proporcionale të popullsisë (37.4 për qind) në mesin e shteteve të BE-së.

Nga 2080, popullsia britanike mund të arrijë më shumë se 85 milion ndërsa Gjermanisë do t’i bjerë nga 80 milion në 65 milion, bazuar në të dhënat e raportit më të fundit të Eurostat.

Kölnerberg – 400 policë për të arrestuar bosin shqiptar të drogës në Gjermani

Mëngjesin e sotëm në pjesën e qytetit Kölnerberg të Gjermanisë, njësitet e policisë antidrogë kanë arrestuar 15 persona dhe kanë bastisur afër 50 banesa në një kompleks banimi (Hochhauskomplex “Auf dem Kölnberg”).

Gjatë këtij aksioni policor është konfiskuar një sasi e madhe e drogës, ndërsa është arrestuar edhe koka e këtij grupi kriminal, një 44-vjeçar nga Kosova, njofton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA.

Gjykata për 3 vite me radhë kishte filluar hetimin e këtij grupi kriminal, ku gjatë hetimeve është zbuluar se ata kanë shitur me qindra kilogram drogë, përcjell Panorama.

“Një sistem tejet i modernizuar i këtij grupi ku si shpërndarës të drogës u përdorën klientët e droguar. Kontrolli total i saj bëhej nga 44 vjeçari kosovar”, informon për media kryeprokurori i gjykatës në Köln.

Për të parandaluar komunikimin mes të arrestuarve, Gjykata po ashtu ka urdhëruar shpërndarjen e të arrestuarve nëpër burgje të ndryshme në rajon.

Sipas të dhënave, 4 nga të arrestuarit janë femra, dy nga to ende me nënshtetësi kosovare.

Banda e drogës nga Kosova kishte arritur me sukses të largonte të gjithë konkurrentët duke përfshirë këtu edhe mafian ruse, si dhe grupin e rokerëve ‘Hells Angels’.

Gjatë bastisjeve të banesave, policia ka gabuar duke hyrë në banesën e një personi, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë bandë, ku ka goditur 2 persona të cilët morën lëndime të lehta dhe ka vrarë një qen të tyre.

Gjykata ka shpjeguar se ndaj kësaj familje do bëhet dëmshpërblimi sa më i shpejtë.

Gjatë këtij aksioni morën pjesë rreth 400 policë. Mediat thonë se kjo familje trafikantësh dy vite më parë kishte rënë në konflikt me një grup kontrabandistësh nga Shqipëria ku gjatë përleshjeve mes këtyre dy grupeve mbetën të vdekur 2 persona.

Atëkohë policia nuk kishte arritur të arrestonte ndonjë nga familjarët e grupit kosovar pasi mungonin provat.

Gjykata ka ngritur akuzat ndaj kësaj familjeje për trafikim të narkotikëve të ndryshme, vrasje, plagosje, dhunë, presion, abuzim të të drejtave njerëzore, anashkalim financash, shpëlarje të parave, trafikim armësh etj etj. /INA/

Një grup rus terrorizon mijëra studentë në shumë shkolla në Angli dhe Francë

Një grup mbështetë rus kanë marrë përgjegjësitë e kërcënimeve me bomba në shkollat e Britanisë së Madhe dhe në Francë.

Një sërë kërcënimesh kanë terrorizuar mijëra studentë në shumë shkolla në Angli dhe Francë ndërsa gjatë ditës së sotme rreth 14 shkolla britanike kanë pezulluar mësimin.

Një llogari me emrin “Evacuators 2K16” në rrjetin social “Twitter” mori përgjegjësin e këtij kaosit të cilët detyruan policinë të evakuojë mijëra studentë.

Autoritetet po vijojnë punën për të zbuluar autorët e kësaj ngjarjeje.

evacuation_squad

Soldatovi: Spiunazhi rus në Britani në nivelin e atij të Luftës së Ftohtë

Gazeta britanike “The Times” shkruan se aktivitetet e spiunazhit rus në Britaninë e Madhe kanë arritur nivelin e periudhës së Luftës së Ftohtë

LONDËR – Gazeta britanike “The Times” shkruan se aktivitetet e spiunazhit rus në Britaninë e Madhe kanë arritur nivelin e periudhës së Luftës së Ftohtë.

Duke u thirrur edhe në deklaratën e gazetarit dhe eskpertit rus të sigurisë Andrej Soldatov, “The Times” pohon se në Britani të Madhe aktualisht veprojnë 30 agjentë rusë.

Soldatov thotë se në mesin e agjentëve rusë në Britani ka edhe diplomatë, por edhe ata të cilët posedojnë dokumente të rreme dhe jetojnë si shtetas britanikë.

“Shumica e këtyre agjentëve sillen si biznesmenë. Ata kryesisht i zgjedh dhe trajnon sistemi rus për grumbullimin e të dhënave sekrete. Objektiv i agjentëve janë Londra dhe qytetet në afërsi të marinës britanike. Ato janë Clyde ku ndodhet depoja bërthamore britanike dhe Devenport në të cilën është vendosur baza më e madhe detare në Evropën perëndimore”, ka thënë Soldatov.

Europoli: ISIS po planifikon sulme në Evropë

Agjencia e Policisë e Bashkimit Europian, Europoli, ka publikuar sot një raport të ri, ku thuhet se grupi Shteti Islamik dhe militantë të tjerë mund të kryejnë sulme në shkallë të gjerë në Europë, pas atyre të Parisit.

“Europa aktualisht po përballet me kërcënimin më të madh terrorist të këtyre 10 viteve të fundit”, thuhet në raportin e Europolit.

rejtori i Agjencisë, Rob Wainwright, tha në një konferencë shtypi se “Shteti Islamik ka krijuar një kapacitet të ri për sulme terroriste në shkallë të gjerë në botë, me fokus të veçantë në Europë.”

Në raport thuhet se “sulmet do të drejtohen fillimisht ndaj objektivave të butë” për shkak të pasojave që ato sjellin.

Raporti i Europolit vjen ndërsa kjo agjenci po krijon Qendrën Europiane Kundër Terrorizmit, me seli në Hagë.

Zoti Wainwright tha se në qendër do të punojnë 50 ekspertë kundër terrorizimit, të cilët do të merren me shkëmbimin e informacioneve, me zbulimin e luftëtarëve të huaj, të burimeve të financimeve, të armëve të paligjshme, si dhe për t’i ndihmuar vendet anëtare të BE-së në hetimet kundër terrorizmit.

Gjermani: Ish burgu kthehet në hotel

Të kalosh natën pas hekurave të një qelie burgu, ndoshta nuk është ideja më e mirë për një gjumë të rehatshëm.

Por një ish burg i rinovuar në Berlin, që është kthyer tani në hotel, premton pikërisht këtë gjë, një gjumë të ëmbël.

Hoteli quhet “The Other House VIII”, “Shtëpia Tjetër 8”. Pesë dhomat e tij të gjumit  kanë qënë dikur qeli për të burgosurit gjatë vitewve të komunizmit në Republikën Demokratike Gjermane.

Pesë qelitë e burgut në hotelin “Shtëpia Tjetër 8” janë tanë gati për turistët.

Ndërtesa ndodhet në gjirin piktorest pranë lumit Spree, vetëm pak kilometra nga qendra e Berlinit.

Hoteli është pjesë e një ndërtese më të madhe, të ndërtuar në vitin 1879 dhe që shërbente për strehim publik.

Më pas nazistët e përdorën atë për një kategori të burgosurish, të quajtur “anti-socialë”,  si prostitutat dhe homoseksualët.

Pas Luftës së Dutë Botërore ndërtesa sshërbeu si burg gjatë viteve të regjimit komunist në Gjermaninë Lindore nga 1949 – 1990.

Von Schencks, një familje me origjinë nga Gjermania Perendimore, e bleu ndërtesën në vitin 2006 dhe e rinovoi atë.

Ndërtesa dy katëshe u shndërrua në tre apartamente dhe një hotel me pesë dhoma, dikur qeli.

Koncepti i familjes von Schencks ishte që çdo gjë në dhoma të mund të lëvizej për të krijuar një atmosferë të lirë dhe individualiste, e kundërta e konceptit të qelive.

Kështu krevatët dhe garderoba janë me rrota, abazhurët kanë tela të gjatë që klientët mund t’i lëvizin nëpër dhomë.

Ata përdorën materiale si tulla, gurë dhe hekur si kujtesë të kohës kur ndërtesa ishte burg.

“Po mendonim si ta strukturonim këtë burg. Duhet të kishte banjë, ndriçim, lëvizje dhe hapësirë”, thotë pronarja 68 vjecare Huberta Bettex von Schenck.

“Prandaj morëm këta abazhurë dhe këta krevatë të ndërtuar me porosi. Dritaret u hoqën për të lejuar dritën të hynte brenda. Kjo ishte idea jonë e rinovimit që iu përputh konceptit të ndërtesës.”

Në katin e nëndheshëm, një dhomë i dedikohet kujtimit të të burgosurve dhe quhet “dhoma e heshtjes”.

Në njërën anë të dhomës ka një karrige në kujtim të të burgosurit të panjohur, e cila lihet gjithmonë bosh.

Në anën tjetër, telat me gjemba janë vendosur pranë një qiriu nën një kryq të hekurt në mur.

Dhoma përdoret ndonjëherë për mbrëmje apo gëzime familjare që e mbushin atë me jetë, pa harruar historinë.

“Dhoma e heshtjes ishte shumë e rëndësishme për ne pasi historia e ndërtesës peshon kaq shumë mbi ne saqë duhej një dhomë ku mund të shpjegonim historinë, në mënyrë që të ishim të lirë të mos mendonim për të në pjesën tjetër të shtëpisë”, thotë von Schnenck.

Shumica e klientëve vijnë nga pjesa perendimore e Gjermanisë, si 69 vjeçarja Wilmar Viethen.

Ish mësuesja e pa hotelin kur po shëtiste zonën ku jeton e bija.

Duke patur interes të madh tek historia, ajo ishte kurioze të qëndronte dy netë në një ndërtesë që kishte patur lidhje direkte me ngjarjet e së kaluarës.

“Ishin kohë të këqija. Tani ndërtesa ka një qëllim tjetër, kohët e këqija janë prezente, por jo më të frikshme. Ajo kohë është në mendje si kujtesë, dhe mendoj se ka një vlerë pozitive për historinë. Ndjihem e gëzuar tani këtu, pavarësisht të kaluarës,” thotë ajo.

Por nuk janë vetëm turistët e interesuar për historinë, që shkojnë atje. Ish të burgosurit shkojnë për të kujtuar të kaluarën.

Që nga viti 1999, 68-vjeçari Hartmut Richter ka qënë guidë turistike në Memorialin Berlin-Hohenschonhausen, një ish burg i Stasit, kur ai vetë ishte burgosur.

Richter u largua nga Gjermania Lindore në Berlinin Perendimor në gusht të vitit 1966, me not përmes kanalit Teltow.

Në fillim të viteve 1970 ai filloi të ndihmonte miqtë dhe të afërmit të largoheshin nga ai regjim duke i kaluar fshehurazi përmes kufirit me makinën e tij.

Deri në vitin 1975 ai ndihmoi 33 vetë të arratiseshin. Por më 4 mars të vitit 1975, ai u arrestua dhe u burgos me 15 vjet.

Fillimisht u dërgua në burgun e Stasit në Berlin dhe më pas u transferua në burgun Rummelsburg.

Ai nuk kreu të gjithë dënimin, pasi në tetor të vitit 1980, qeveria e Gjermanisë Federale pagoi për lirimin e tij.

Richter shpjegon se trajtimi në burgun e Stasit ishte më i rëndë nga ai në Rummelsburg.

“Kur më prunë në Rummelsburg dhe dola nga makina – ishte si parajsë. Nuk isha më në birucë. Çdo gjë ishte shumë e ngushtë në burgun e Stasit. Gjithashtu këtu mund të ecje, qelitë ishin më të mëdha. Mund të shihje nga dritarja, të shihje pak qiell.”

Pas rinovimit, familja von Schenck i shiti një apartament Sam Masichit, një instruktor joge dhe gruas së tij.

Ai është i kënaqur me sipërfaqen në këtë zonë të qetë të qytetit dhe nuk e ka problem historinë e ndërtesës.

“Në fakt mendoj për gjërat që kanë ndodhur këtu. Takova dy të burgosur që kanë jetuar këtu dhe dëgjova historitë e tyre. Ishin interesante por ndërtesa nuk është përgjegjëse për ato që bëjnë njerëzit. Njerëzit janë përgjegjës. Kështu që ndërtesa është e imja për ta shijuar.”

Dera origjinale e burgut mbahet tani në kopshtin e shtëpisë.

Të gjithë ftohen të hyjnë aty por tani ata mund të largohen kur të duan.

Një xhami ‘e gjelbër’ në Francë

Një xhami “e gjelbër” që po ndërtohet në periferi të Parisit është duke luajtur rol në përpjekjet kundër ndryshimeve klimatike. Ndërtesa është pajisur me mjete, të cilat kursejnë energjinë dhe do të pakësojnë koston e saj.

Në vështrim të parë, kjo xhami në Massy, në jug të Parisit, ngjan njëkohësisht tradicionale dhe bashkëkohore, por jo medoemos miqësore për mjedisin. Por ndërtesa përmban disa nga tiparet më të fundit të një arkitekture të qëndrueshme.

Komiteti Mysliman i qytezës Massy (CMM), thotë se kjo është xhamia e parë e këtij lloji në Francë.

Ajo është projektuar në mënyrë të tillë, që të respektohet mjedisi përreth dhe të pakësohet përdorimi i energjisë dhe i ujit, që gjithashtu pakëson koston e përdorimit.

Komiteti Mysliman bleu një copë tokë prej 3 mijë e 200 metrash katrore në vitin 2004 dhe filloi atje ndërtimin e xhamisë 7 vjet më pas. Tani pothuajse ka përfunduar ndërtimi i saj.

Anëtarët e komitetit thonë se u desh një kohë kaq e gjatë, ngaqë ata donin të ishte një ndërtesë miqësore për mjedisin, në ndërtimin e së cilës të përfshiheshin profesionistë lokalë.

Për t’u këshilluar për metodat ekologjike të ndërtimit u thirrën inxhinierë nga një shkollë e qytetit fqinj Sceaux.

Mahmoud Ismail, anëtar i komitetit, i cili është përfshirë në çdo fazë të ndërtimit të xhamisë, thotë se ajo është projektuar për të kombinuar stilet moderne dhe tradicionale, me tipare të qëndrueshme:

“Xhamia u ndërtua me një stil të matur të arkitekturës së shekullit 21, që përshtatet mirë me lagjen e re të Messy-it, por njëkohësisht me disa elemente që të kujtojnë xhamitë tradicionale, si minaret dhe kupola. Tani të dyja këto elemente kanë funksione të reja: minarja shërben si një kullë drite për korridorin e hyrjes dhe kupola prej xhami sjell të gjithë dritën në sallën e lutjeve.”

Kupola, në fakt është prej një xhami special, që lejon hyrjen e rreth 90 për qind të dritës natyrale; ajo largon 85 për qind të rrezeve infra të kuqe, gjë që nuk lejon që salla të bëjet shumë e nxehtë në verë, duke mos patur nevojë për ajër të kondicionuar.

Ndriçimi i xhamisë bëhet me llampa LED dhe lavamanët që përdoren gjatë marrjes së avdesit para faljeve mbyllen automatikisht pas përdorimit, për të shmangur harxhimin e kotë të ujit.

Kjo bën që të kursehet deri në 40 për qind e ujit. Veti të tjera që kursejnë energjinë janë një tubacion që rregullon nxehtësinë e ndërtesës, që mat dhe kontrollon temperaturën brenda ndërtesës, duke e ftohur atë kur bën shumë nxehtë dhe duke e ngrohur në ditët e ftohta.

Ismail thotë se mbrojtja e mjedisit është një koncept i vjetër i fesë islame:

“Që kur filluam konceptimin e këtij projekti me arkitektin, patëm si synim zbatimin e parimeve ekologjike, të cilat në fenë islame kanë ekzistuar që në shekullin e 14-të. Tani bota po i kthehet këtyre parimeve. Prandaj menduam që xhamia të ketë imazhin e civilizimit të shekullit 21, duke zbatuar njëkohësisht parimet ekologjike, – thotë ai.

Rezultati është një ndërtesë që inkorporon tipare të gjelbëra në të gjithë arkitekturën e saj.

Ismail thotë se disa nga këto tipare nuk shihen me lehtësi:

“Ka elementë ekologjikë të dukshëm dhe të padukshëm. Ata që nuk duken janë muret me izolim të dyfishtë, që ruajnë ngrohtësinë në dimër. Element i padukshëm është edhe rezervuari ku grumbullohet uji i shiut, i ndërtuar nën xhami. Atje grumbullohet uji i shiut që rrjeth nga toka dhe nga tarraca e xhamisë. Pastaj uji përpunohet në një tjetër rezervuar dhe me një sistem pompe ai shkon tek galexhanët e banjave të burrave dhe të grave.”

Por, medodat e gjelbra shpesh janë më të kushtueshme. Kostoja e ndërtimit të kësaj xhamie deri tani është 4,5 milionë Euro,  20 për qind më e lartë se një variant tjetër jo i gjelbër, thotë Ismaili.

Komiteti Mysliman pret ta kompensojë këtë kosto përmes kursimeve të përdorimit të energjisë dhe të ujit.

Me të përfunduar plotësisht ndërtimi këtë vit, xhamija do të mbajë 1 mijë burra dhe deri në 500 gra. Sallat e tjera do të përdoren për aktivitete të ndryshme kulturore dhe për mësimin arabishtes. Të gjitha fondet për ndërtimin e xhamisë vijnë nga donacionet dhe ato vazhdojnë të grumbullohen deri në përfundimin e saj. Tani mbetet për t’u ndërtuar një sistem ngrohjeje gjeotermik, që do të vendoset nën xhami.

Abdelkhaled Al Bouazzaoui jeton në qytezën fqinjë Plessis-Robinson dhe ai e viziton xhaminë. Ai thotë se ka dhuruar para për ndërtimin e xhamisë, sepse do që të shtohet ndërgjegjësimi për ndryshime klimatike:

“Mesazhi i kësaj xhamie është që t’i ndërgjegjësojë myslimanët për rëndësinë e luftës ndaj ngrohjes globale, prandaj kostoja më e lartë e saj është e jusifikueshme”, – thotë ai.

Një tjetër besimtar,  Abdelsalam Ajdiri, thotë se Islami i bën thirrje myslimanëve që të kujdesen për mjedisin.

Inaugurimi zyrtar i xhamisë pritet të bëhet nga mesi i këtij viti. Gjysmëhëna në minaren e xhamisë tradicionalisht është prej floriri, por struktura e saj është pa dyshim “e gjelbër”.

Një faqe interneti për të ndihmuar refugjatët në Gjermani

 

Të interesuarit mund të informohen në portalin e internetit për rreth 300 projekte të ndryshme. Ata që duan mund të japin edhe donacione. Ministri i Brendshëm gjerman pa dhe u informua për gjëra të mira.

Për krizën këtu nuk flet askush – ndonëse bëhet fjalë për refugjatë. Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière duket se po i shijonte këto momente të prezantimit të një portali në internet, këtu në Friedrichshain-Kreuzberg në Berlin. “Ky është një vend, ku me pak para mund të bëhen gjëra të mëdha”, tha ai. Ministria e Brendshme e Thomas de Maizière-t e ka mbështetur këtë projekt, që në një faqe interneti të jepen informacione dhe ndihma për integrimin e azilkërkuesve në Gjermani. 450.000 euro për dy vite i ka ndarë qeveria gjermane për mbështetjen e këtij projekti.

Projekti administrohet nga betterplace.org, një portal i cili konsiderohet si një prej platformave më të mëdha bamirëse në Gjermani. Të interesuarit mund të informohen këtu për rreth 300 projekte të ndryshme dhe mund të japin donacione. “German Doctors” kanë nevojë për shembull edhe për 142 euro për klinikën e tyre në Mynih. Donacionet realizohen shumë shpejt, me vetë dia klikime.

Aftësia e veprimit

Thomas de Maizière kishte mundësinë gjatë këtij prezantimi të falënderojë njerëzit që punojnë vullnetarisht. Pa ndihmën e tyre situata me siguri që do të shndërrohej në një katastrofë, mendon ai. Qeveria gjermane e di që pa angazhimin e këtyre njerzëve nuk do t’ia dilte të përballet me valën e fundit të refugjatëve. De Maizière nuk mund të gjejë asgjë të keqe në veprimin etyre. “Përfytyroni sikur të gjitha të kryheshin vetëm nga shteti. Unë nuk do të doja të jetoja në një shtet të tillë.”

Thomas de Maizière informohet për projektin e internetit
Thomas de Maizière informohet për projektin e internetit

Gjermania edhe më tej mund të mbështetet tek puna e vullnetarëve. Javët e kaluara është biseduar shumë për këtë çështje, sepse edhe disponimi i njerëzve ka ndryshuar shumë. Ndihmësit vullnetarë janë në fund të energjisë, por ende janë të gatshëm të ndihmojnë.

De Maizière shikon në anën e djathtë, ku është Ulrike Kostka, drejtore e Karistasit në Berlin. “Para dy vitesh gati askush nuk ka reaguar ndaj kërkesave tona për donacione. Ndërsa vitin e kaluar ka qenë interesimi më i madh prej themelimit të organizatës”, thotë Kostka. Më pas ministri shikon në anën e majtë. “Fakti që për çdo javë regjistrohen 20-30 projekte për refugjatë, tregon se këtu vërtet kemi nevoja të mëdha”, konstaton Christian Kraus, drejtues i betterplace.org. Gatishmëria për donacione po vazhdon, thotë ai.

Pyetjet e rënda

Por ministri u përball edhe me pyetje të rënda, për politikën e përditshme. Austria i ka futur kontrollet kufitare. Gazetarët duan të dinë se cili është qëndrimi i Gjermanisë. Ministri shikon në tokë dhe ngadalë jep një përgjigje.

“Vendimi i Austrisë është vendim i Austrisë. Por ende nuk është vendosur asgjë përfundimisht. Austriakët ende kanë mundësi të ndryshojnë mendimin”, thotë De Maizière, i cili shpreson se Evropa do të gjejë një përgjigje të përbashkët. “Koha po kalon”, konstaton ai. Por mbetet shpresa që në këtë portal do të lajmërohen njerëz të gatshëm për zgjidhjen e problemeve, të cilat politika nuk mund t’i zgjidhë./DW

Britania: Putini “duket të ketë miratuar” vrasjen e Litvinenkos

Në Londër publikohet raporti mbi helmimin e ish agjentit rus Aleksandër Litvinenko dhjetë vjet më parë

Një gjykatës britanik tha se ka mundësi që presidenti rus Vladimir Putin të ketë miratuar planin për helmimin e ish-agjentit të KBG-së, Alexander Litvinenko. Ish agjenti vdiq rreth 10 vjet më parë, pasi kishte pirë një filxhan çaj, që gjykatësi Robert Owen tha se përmbante izotopin e rrallë radioaktiv, polonium-210. Litvinenko akuzoi nga shtrati i vdekjes, zotin Putin se kishte dhënë urdhër për vrasjen e tij.

Duke folur sot përballë gjykatës në Londër, e veja e agjentit, Marina Litvinenko, e konfirmoi raportin e gjyqtarit dhe bëri thirrje që qeveria britanike të veprojë:

“Jam sigurisht shumë e kënaqur që fjalët e tim shoqi në shtratin e vdekjes, kur ai akuzoi zotin Putin për vrasjen e tij janë bërë realitet në një gjykatë angleze me një standard të lartë pavarësie dhe paanshmërie. Është koha që Kryeministri David Cameron të veprojë. Bëj thirrje për dëbimin menjëherë nga Britania të të gjithë operativëve të inteligjencës ruse, qoftë nga FSB-ja që vranë Sashën, apo nga agjencitë e tjera me qendër në ambasadën ruse në Londër.”

Në raportin e tij të shumëpritur, gjykatësi Owen thotë se vrasjen e kryen Dmitry Kovtun dhe Andrei Lugovoi, dy ish-agjentë rusë të KGB-së, dhe ndoshta e bënë këtë nën drejtimin e shërbimit rus të sigurimit, FSB.

Të dy personat konfirmuan se ishin takuar me Litvinenkon në Londër në disa raste, duke përfshirë edhe në kohën e helmimit të dyshuar, por mohojnë se kanë gisht në vdekjen e tij. Rusia ka refuzuar t’i ekstradojë ata.

Pas publikimit të raportit, agjencia ruse e lajmeve Interfax citon Lugovoin, i cili e quante hetimin britanik absurditet dhe të motivuar politikisht.

Litvinenko ishte kthyer në një kritik të hapur të zotit Putin para se të largohej nga Rusia në vitin 2000 dhe të vendosej përfundimisht në Londër.

Angela Merkel, kështu quhet refugjatja e vogël nga Siria (fotot)

Një çift refugjatësh nga Siria kanë vendosur që ta quajnë vajzën e tyre të porsalindur Angela Merkel, në shenjë falënderimi për pritjen dhe strehimin që i është bërë në Duisburg.

“Gjermania është si një nënë për ne”, tha për gazetën “Westdeutsche Allgemeine Zeitung” Al Hamza Mamon, babai i vogëlushes të quajtur Angela Merkel.

Fëmija u lind në 27 dhjetor, ndërsa prindërit mbërritën në Gjermani 3 muaj më parë.

Zyrtarët e Gjendjes Civile në Duisburg nuk e kanë pasur problem ta regjistrojnë vogëlushen me emrin e kancelares.

angm2angm3Refugee child named after Angela Merkel

Papa Françesku lutet për viktimat e sulmit terrorist në Stamboll

Papa Françesku gjatë audiencës së rregullt javore para 6.000 besimtarëve luti Zotin “të sjellë paqen e përhershme për të vdekurit, ngushëllim ndaj familjarëve, solidaritet të vendosur në mbarë shoqërinë dhe të ndryshojë zemrat e sulmuesve”

Kreu i Vtaikanit, Papa Françesku ftoi besimtarët që të luten për viktimat e sulmit të djeshëm vetëvrasës në Stamboll në të cilin humbën jetën 10 turistë, shumica prej të cilëve shtetas gjermanë.

Papa Françesku gjatë audiencës së rregullt javore para 6.000 besimtarëve luti Zotin “të sjellë paqen e përhershme për të vdekurit, ngushëllim ndaj familjarëve, solidaritet të vendosur në mbarë shoqërinë dhe të ndryshojë zemrat e sulmuesve”.

Dje në një sulm vetëvrasës terrorist në lagjen “Sulltanahmet” të Stambollit u vranë 10 persona, ndërsa 15 të tjerë u plagosën. Sulmin e kreu një sulmues vetëvrasës me prejardhje nga Siria, i lidhur me organizatën terroriste DAESH. aa

Barack Obama takon reperin e tij të preferuar Kendrick Lamar

Voal – Presidenti Obama ka ftuar në Zyren Ovale reperin e tij të preferuar, Kendrick Lamar. 2015-ta ishte një vit vërtetë i madh për reperin Kendrick Lamar. Ai ka dominuar vitin me suksesin me albumin e tij ‘To pimp a Butterfly’, për të cilin ka pranuar 11 nominime për çmimet Grammy.

Gjithashtu, në fund të vitit në një intervistë për People, presidenti Barack Obama ka treguar se kënga e tij e preferuar këtë vit ishte pikërisht nga ky album, ‘How much a dollar cost’ nga reperi Lamar.

Obama e ka ftuar reperin në një takim privat në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa ka thënë se është shumë i emocionuar që e ka përballë.

2016-01-13_08-53-31

Presidenti Hollande pi “çaj vëllazëror” në Xhaminë e Madhe të Parisit

PARIS – Presidenti francez François Hollande pas ceremonisë përkujtimore të organizuar për nder të personave të cilët humbën jetën në sulmet terroriste vitin e kaluar e vizitoi Xhaminë e Madhe të Parisit.

Në vizitën të cilën nuk e ka patur në axhendën zyrtare, Hollande ka biseduar me përfaqësuesit e xhamisë dhe me besimtarët ka pirë çaj.

Në përvjetorin e parë të sulmeve kundër revistës Charlie Hebdo, Këshilli Islamik i Francës (CFCM) pati vendosur që në 2 mijë e 500 xhamitë dhe mesxhidet (faltore) e vendit të organizohet aktiviteti “dyert e hapura” gjatë të shtunave dhe të dielave. aa

Xhamitë e Francës hapin dyert për jomyslimanët

Qindra xhami franceze po hapin dyert e tyre për publikun sot dhe nesër në një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin e jomyslimanëve për kulturën e tyre, në një kohë kur sulmet e ekstremistëve islamikë kanë krijuar përshtypje negative për fenë myslimane.

Jo të 2 mijë e 500 xhamitë e Francës po marrin pjesë në këtë aktivitet, por ato më me peshë, mes së cilave edhe Xhamia e Madhe e Parisit janë përfshirë. Përpjekja mbështetet nga organi kryesor mysliman i vendit, Këshilli Francez i Fesë Myslimane.

Presidenti i grupit, Anouar Kbibech u tha gazetarëve se xhamitë po ftojnë njerëzit që të takojnë “myslimanë të zakonshëm” dhe të shijojnë pije freskuese, të vizitojnë ambjentet me shpjegime të guidave, të marrin pjesë në seminare dhe diskutime apo edhe në ndonjë nga pesë faljet e ditës.

Aktiviteti i quajtur “një çaj mes vëllezërish” zhvillohet një vit pas sulmit ndaj revistës satirike Charlie Hebdo.

Largohet shefi i policisë së Këlnit

Shefi i policisë së Këlnit Wolfgang Albers

Shefi i policisë së Këlnit, Wolfgang Albers, është detyruar të tërhiqet sot nga posti i tij, pas kritikave për menaxhimin e situatës lidhur me sulmet seksuale në këtë qytet natën e Vitit të Ri, 2016.

Ralf Jaeger, ministër i brendshëm i shetit, Westfalia Veriore, ku bënë pjesë Këlni, tha se ka kërkuar nga Albersi që të largohet me qëllim që të “ripërtrihet besimi i publikut”.

Zoti Albers është kritikuar pasi u zbulua se oficerët e tij ishin pak në numër dhe pa pajisje të duhura për ta parandaluar krimin.

Në natën e Vitit të Ri në Këln ishin raportuar shumë raste të sulmeve seksuale kundër femrave dhe plaçkitje.

Autoritetet gjermane thanë se i kanë identifikuar 18 azilkërkues në mesin e 32 të dyshuarve, të lidhur me dhunën e Vitit të Ri në Këln.

Del në shitje botimi kritik i librit “Mein Kampf”

“Hitler, Mein Kampf: Botimi Kritik”

Një botim i ri i manifestit famëkeq të Adolf Hitlerit, Mein Kampf, ka dalë në libraritë në Gjermani për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Instituti i Historisë Bashkëkohore, me seli në Mynih, ka publikuar botimin e ri të Mein Kampf me fusnota, me shpresën se do të ndihmojnë për të demistifikuar librin dhe demaskuar ideologjinë e udhëheqësit nazist.

“Ky botim zbulon informacionet e rreme, të përhapura nga Hitleri, gënjeshtrat, gjysmë të vërtetat, të cilat synojnë një efekt të pastër të propagandës”, ka thënë drejtori i institutut në Mynih, Andreas Wirsching.

Kritikët, megjithatë, druajnë se botimi mund të ndihmojë në përhapjen e ideologjisë ekstremiste të krahut të djathtë.

“Hitler, Mein Kampf: Botimi Kritik” ka dalë disa ditë pasi e drejta e autorit e origjinalit në gjuhën gjermane ka skaduar në fund të vitit 2015 – 70 vjet pas vdekjes së Hitlerit.

I publikuar për herë të parë në vitin 1925, Mein Kampf tregon në detaje pikëpamjet politike të Hitlerit dhe planet për të ardhmen e Gjermanisë.

Ai përshkruan “superioritetin” e “racës ariane” dhe argumenton për shfarosjen e popullit hebre.

Ministri Alfano: Mëmësia surrogate të shpallet krim

“Duam që ‘dhënia e mitrës me qira’ të shpallet krim universal dhe të dënohet me burg, pikërisht siç është rasti me abuzuesit seksual”, tha ministri italian Alfano

ROMË – Ministri i Punëve të Brendshme i Italisë Angelino Alfano deklaroi se mëmësia surrogate duhet të shpallet krim i madh, duke barazuar këtë mënyrë të fekondimit me abuzuesit seksual.

Reagimi i Alfanos, siç shkruan “The Guardian”, është pjesë e fushatës kundër propozimit të kryeministrit të Italisë Mattea Renzi që për herë të parë në historinë e vendit, të aprovojë të drejtat e çifteve të gjinisë së njëjtë në këtë vend.

“Duam që ‘dhënia e mitrës me qira’ të shpallet krim universal dhe të dënohet me burg, pikërisht siç është rasti me abuzuesit seksual”, tha Alfano.

Suedi – rrëzohet një avion norvegjez që transportonte objekte postare

Kompania ajrore “West Atlantic”, informoi se dy pilotët që kanë drejtuar aeroplanin kanë qenë një 42 vjeçar nga Spanja dhe një 34 vjeçar nga Franca

STOKHOLM – Një aeroplan i cili mbarte objekte postare është rrëzuar të premten në rajonin e Suedisë veriore, thanë autoritetet e këtij vendi të cilat njoftuan se piloti paraprakisht kishte bërë një thirrje për rrezikun.

Aeroplani i tipit Canadair CRJ 200, ishte nisur nga Oslo dhe kishte pasur për destinacion qytetin Tromso në veri të Norvegjisë, por gjatë rrugës ishte zhdukur nga radari. Policia suedeze njoftoi se aeroplani është përplasur në malet në veri të Suedisë.

Këln, 18 azilkërkues të përfshirë në dhunë

Autoritetet gjermane thonë se kanë identifikuar 18 azilkërkues, në mesin e 32 të dyshuarve për dhunë, natën e Vitit të Ri, në qytetin Këln.

Në zëdhënës i Ministrisë së Brendshme ka thënë se të dyshuarit janë arrestuar nga policia federale.

Tobias Plate u ka thënë gazetarëve se policia ka identifikuar me emër 32 persona që kanë luajtur rol në dhunë dhe se 18 prej tyre kanë qenë në proces të kërkimit të azilit në Gjermani.

Ai ka thënë se shumica e 32 veprave penale të dokumentuara nga policia federale kanë të bëjnë me plaçkitje ose lëndime trupore.

Tri prej tyre lidhen me sulme seksuale, por policia nuk i ka emrat e personave të dyshuar për këto akte.

Dhuna ka shkakuar zemërim në Gjermani gjatë javës së kaluar.


Send this to a friend