Ju plehra që dekoroni kriminelët e luftës. E dini ju që Shqipëria ka: 914.000 vitet e burgut dhe 256.146 vitet e internimit, me 6027 të pushkatuar dhe 34135 të dënuar politikë në raport me popullsinë? Përsa i përket krimit shtetëror komunist, Shqipëria mund t’i heqë kapelën vetëm Kamboxhias së Pol Potit apo Koresë së Veriut të Kim-ëve. Ajo mban primatin e zi të vendit të vetëm ateist në botë, të të vetmit popull të cilit i ishte ndaluar me ligj të luste Perëndinë. Por, dhe në të ashtuquajtur demokraci ish të përndjekurit janë përsëri disidentë. Ju o monstra me kujtoni nje shprehje Shakespeariane: “Jeta është një përrallë e rrëfyer nga një idiot, e mbushur me zhurmë e stuhi e që nuk ka asnjë kuptim”. Politika në këtë kontekst, përbën një rast krejt sui generis. Është vetë politika që më këtë rast mohon vetveten, kur mohon pendesën në rastin e kryerjes së krimeve. Një situatë e tillë e çon jo vetëm njeriun, por dhe politikën drejt një çmendurie halucinacionesh, siç ndodh me Makbethin e Shekspirit.
Pas dekorimit të ish sigurimsave, u përpoqa të sillja ndërmend ndonjë personazh kriminal, qoftë nga historia, qoftë nga literatura artistike, për ta krahasuar me “të ashtuquajturit politikanë”. Mirëpo, vërtet ndodhesha në vështirësi, pasi të gjitha personazhet kriminale që më vinin në mendje, pendoheshin. Mendoja “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit apo “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” të Markezit, por personazhet që kishin kryer krime, pendoheshin. Isha në kërkim të një personazhi që nuk pendohej dhe megjithëse me disa ndryshime, mendja më shkoi tek Makbethi i Shekspirit, megjithëse ky i fundit në fillim të aventurës së krimeve të tij kishte tendenca pendese. Ndërkohë që “pendesa” është kusht bazik dhe i pazëvendësueshëm për pranimin e krimit dhe marrjen e përgjegjësisë për të, është një ndjenjë e fortë dhimbjeje për atë që ka ndodhur e që lidhet me përgjegjësinë direkte të personit që provon pendesën. Janë të ndryshme kategoritë e vuajtjeve të shqiptarëve në kalvarin komunist. Një pjesë u zhduk e u shfaros, u burgos e u përndoq, një pjesë tjetër rrojti një jetë me profil të ulët e pa rënë në sy. Të tjerë të lidhur me fitimtarët në pushtet, jetuan jetën e asaj kohe, me të mirat e të ligat, sipas periudhave ku e hidhte adrenalina e kryesatrapit komunist. Të tjerë akoma, u ngjitën shkallëve të diktaturës, duke u përpjekur të ngjiteshin sa më lart në të. Të ishe disident atë kohë, do të thotë të ishe i vdekur ose në burg. Zhgënjimi nga “epoka e re” makbethiane mori përmasa vërtetë shqetësuese.
Pra, përballë këtij vizioni, që mjerisht gjen hapësirë në disa gazeta, duhet të përballim atë të respektimit me çdo kusht të jetës së çdo njeriu, pasi rruga jonë drejt Evropës është çështje thellësisht vlerash, çështje shpirtërore dhe jo gjeografike. Dhe përballë këtij vizioni cinik të politikës makbethiane, duhet të kujtojmë shpirtrat e mijëra viktimave të pafajshme që thërrasin drejtësi dhe që më së miri e përfaqësojnë këto fjalë të Ledi Makdafit para se të vritej nga ushtarët e Makbethit: “Unë jam në këtë botë të poshtër e të ulët, ku e keqja lavdërohet dhe e mira shpesh konsiderohet si marrëzi e rrezikshme”.
Komentet