VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Policia ruse arreston rreth 100 vetë dhe kreun e opozitës, Navalni

By | June 12, 2019

Komentet

Universiteti i Oxfordit pranon 150 milionë dollarë donacion

Universiteti Oxford në Britani, ka pranuar donacionin më të madh ndonjëherë nga vetëm një person, për të themeluar një institut që do të studiojë etikën dhe inteligjencën artificiale.

Miliarderi amerikan, Stephen Schwarzman, që ka këshilluar disa presidentë amerikanë, përfshirë atë aktual, Donald Trump, i ka dhënë universitetit 150 milionë dollarë.

Ai ka thënë për BBC-në, se është duke dhënë këto të holla, për shkak se beson që inteligjenca artificale është çështje shumë e rëndësishmë për këtë periudhë.

“Në këtë moment, shumica e qeverive duket se janë të papërgatitura që të përballen me këtë çështje, mirëpo edhe nëse disa janë, atëherë ajo do të ishte një tjetër lloj teknologjie”, ka deklaruar Schwarzman.

Qeveria britanike ka thënë se ky është një investim “shumë i rëndësishëm për gjithë botën”.

Ky është një nga donacionet më të mëdha që i janë ofruar këtij universiteti, në kohën kur Britania po përballet me paqartësi, për shkak të procesit të largimit nga Bashkimi Evropian.

Kjo dhuratë për Oxfordin vjen vetëm disa muaj pasi miliarderi tjetër, David Harding ka dhënë donacion prej 100 milionë dollarëve për Univeristetin Cambridge.

Funerali i ish presidentit egjiptian Mohamed Morsi

Ish presidenti egjiptian Mohamed Morsi, udhëheqësi i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në vend, i cili u detyrua më pas të largohej nga pushteti, u varros të martën pas një vdekjeje dramatike në një gjykatë të Kajros.

Zyrtarët thanë se presidenti egjiptian 67-vjeçar, sapo kishte folur në gjyqin ndaj tij lidhur me akuzat për spiunazh kur ai u rrëzua. Ata thanë se Morsi vdiq, me sa duket nga infarkti, para se të mund të dërgohej në spital.
Mohamed Morsi, një figurë kryesore e Partisë Vëllazëria Myslimane, u detyrua të largohej ngaposti i presidentit në vitin 2013, nga ushtria e Egjiptit, pas protestave masive kundër sundimit të tij.

Partia Liri dhe Drejtësisë e Vëllazërisë Myslimane tha në një deklaratë të botuar në faqen e saj të internetit se autoritetet egjiptiane janë përgjegjëse për “vdekjen e ngadaltë dhe të qëllimshme” të zotit Morsi, sepse ata “nuk i kishin dhënë mjekimet e nvojshme dhe e ushqenin atë keq. Ata nuk i dhanë atij të drejtat më minimale të njeriut”, thuhej në deklaratë Organizata Amnesty International i ka bërë thirrje autoriteteve egjiptiane të zhvillojnë një hetim të pavarur mbi rrethanat e vdekjes së zotit Morsi.

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, i cili ishte një aleat i Mohamed Morsit, e quajti atë një “martir” dhe e cilësoi presidentin e tanishëm egjiptian Abdel-Fattah el-Sissi një njeri “mizor”. za

Lajmi i fundit: Ish-Presidenti i Egjiptit vdes në Gjykatë

Mediat shtetërore të Egjiptit kanë raportuar se ish-presidenti i këtij shteti, Mohamed Morsi, ka vdekur pasi është paraqitur në gjykatë. Sipas tyre, ai fillimisht është alivanosur, ndërsa më vonë ka vdekur.

Morsi ishte zgjedhur president i Egjiptit në mënyrë demokratike pas “Pranverës Arabe” në vitin 2011. Në atë kohë ishte rrëzuar ish-presidenti Hosni Mubarak, i cili kishte qëndruar për 30 vjet me radhë në pushtet.

Morsi u largua me forcë nga pushteti pas protestave masive dhe puçit ushtarak të korrikut të vitit 2013.

Ai shërbeu si presidenti i Egjiptit vetëm për një vit, ndërsa organizata “Vëllazëria Myslimane”, pjesë e së cilës ishte, u shpall organizatë ilegale nga pushteti i presidentit aktual, Abdel Fattah el-Sisi, shkruan “Al Jazeera”, transmeton Gazeta Express.

Vendbanimi hebre merr emrin “Lartësitë Trump”

Isabela Çoçoli

Emrin “Trump” e mbajnë hotele shumëkatëshe, kulla me zyra dhe vendpushime golfi.

Tani këtë emër e mban një vendbanim i vogël hebre, Bruchim, në lartësitë Golan. Në atë vendbanim jetojnë rreth 10 vetë.

Kabineti izraelit vendosi t’i verë venndbanimit emrin e zotit Trump, si falenderim ndaj Presidentit amerikan për njohjen e sovranitetit të Izraelit në lartësitë Golan, një territor që Izraeli ja mori Sirisë në luftën 6-ditore të vitit 1967 dhe e aneksoi atë në vitin 1981.

Kryeministri Benjamin Netanjahu tha se: “Lartësitë Golan kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë pjesë e pandashme e vendit tonë”.
Zyrtarët izraelitë shpresojnë që emri i ri i vendbanimit Trump do t’i sjellë zhvillim të ri lartësive Golan.

Presidenti Trump, i cili festoi të premten 73- vjetorin e lindjes, shkroi në Twitter: “Faleminderit Kryeministrit Netanjahu dhe Shtetit të Izraelit për këtë nder të madh”. Por ligjvënësi i opozitës Zvi Hauser e cilësoi vendimin e qeverisë izraelite si një marifet me pak vlerë, pjesë e politikave të marrëdhënieve me publikun. “Nuk ekzistojnë financime, plane dhe as vendndodhje”, tha ai.

Rusi: Rritja e popullaritetit të Stalinit, sfidë për historinë

Ndërtuar rrëzë maleve Urale, nën diktatorin sovjetik Josif Stalin në vitet 1940s, Perm-36 është i vetmi kamp pune të detyruar që ekziston akoma. Tani është kthyer në muze, me misionin për të kujtuar milionat që humbën jetën nën represionin politik sovjetik, Por në një kohë kur popullariteti i Stalinit është në rritje në Rusi dhe qeveria po përpiqet të rikthejë madhështinë historike të vendit, muzeu është sheshi i fundit i betejës ideologjike për zemrat dhe mendjet e rusëve të zakonshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Igor Tsikhanenka vizitoi muzeun.

Perm-36 është relikja e fundit e Gulagut, një sistem i gjerë kampesh pune të detyruar që për dekada të tëra i kishte tmerruar qytetarët sovjetikë. Miliona humbën jetën në kushte të ashpra në kampet e punë, përfshirë disidentët fetarë.

“Kolegët e mi dhe unë ende nuk e besojmë dot. Iamgjinoni: autoritetet qendrore të dërgojnë një listë me njerëzit që duhen ekzekutuar. Dhe udhëheqës lokalë të partisë dërgojnë një telegram në Moskë ku thuhet: ‘Jo, janë shumë pak. Rriteni numrin’”.

Kampet ishin vendosur në zona të largëta të Siberisë dhe Veriun e Largët. Perm-36 është 1,600 kilomtra në Lindje të Moskës dhe e merr emrin nga një qytet historik aty pranë.

Në kohën që u mbyll në vitin 1987, ishte një burg i sigurisë së lartë ku Rusia sovjetike mbante ata që i quante burgosurit më të rrekikshëm, disidentët politikë.

“Ky lloj kampi filloi të shfaqej në Bashkimin Sovjetik, kur aktivistët e parë të të drejtave të njeriut filluan të tërhiqnin vëmendjen për problemin e të burgosurve politikë në vend”, thotë Victor Shmyrov,

Në fillim të viteve ’90s, një grup aktivistësh lokalë nën drejtimin e historianit Victor Shmyrov dhe gruas së tij, Tatiana Kursina, rindërtuan kampin me fondet e tyre dhe dhurime publike.

Aktivistët e kthyen atë në Muzeumin e Historisë dhe Represionit Politik, ku aktivistët dhe ish-të burgosurit të mblidheshin për të folur për të kaluarën e errët.

“Ky muze është njëkohësisht një qendër kulturore, informuese dhe edukative”, thotë Tatiana Kursina, ish-drejtore e Muezut Perm-36.

Perm-36 është një subjekt delikat në një vend që i vë në piedestal udhëheqësit me grusht të fortë.

“Autoritetet duan figurat historike si Ivani i Tmerrshëm, Pjetri i Madh, dhe Stalini të jenë popullore mes rusëve”, thotë zoti Shmyrov.

Shmyrov dhe Kursina thonë se autoritetet ruse i detyruan të linin pozicionet e tyre, pasi u rrit popullariteti i muzeut.

“Nuk u pëlqente që ishim të pacensuruar, që ishte drejtuar nga aktivistët e komunitetit”, thotë zonja Kursina.

Tani Perm-36 drejtohet nga menaxherë shtetërorë dhe ata thonë se misioni fillestar vazhdon.

“Misioni ynë është të tregojmë historinë e vërtetë. Ashtu ua themi vizitorëve. Ne nuk krijojmë mite”, thotë zëvendës drejtori Sergey Ponomarev.

Por aktivistët dhe vëzhguesit e pavarur thonë se kjo nuk është e vërtetë.

“Ata hapën një ekspozitë që nuk përmbante asnjë fjalë për shtypjen, apo të burgosurit politikë. Në turet e tyre, ata flasin për punën e madhe, të përkushtuar të zyrtarëve të burgut. Shkaktoi reagimin e publikut dhe iu desh ta mbyllnin”, thotë zoti Shmyrov.

Sipas një ankete nga Qendra e pavarur Levada në prill të vitit të kaluar, një numër rekord rusësh, 51 për qind e shohin në mënyrë të favorshme Stalinin.

Zoti Shmyrov fajëson autoritetet ruse për këtë prirje.

“Nuk është sekret që vetëdija e publikut varet gjerësisht nga media, veçanërisht në një vend kur ka mungesë larmie të medias”.

Vëzhguesit vënë në dukje se vizitorët e muzeut sot mund të mësojnë oër Terrorin e Madh të Stalinit, por se ka edhe tema të ndaluara.

“Nuk flitet për faktin që ishte një vrasje masive nga shteti të popullit të vet. Flasin sikur të ishte ndonjë katastrofë natyrore, një murtajë”, thotë Robert Latypov, Kryetar i Muzeut Perm-36.

Ai thotë se injorimi dhe lënia në harresë e së kaluarës traumatike, nuk do të thotë tjetër veçse që është e destinuar të përsëritet.

Indonezia goditet nga një tërmet 6.4 ballë

Xhakartë

Krahina Maluku i Indonezisë është goditur nga një tërmet me magnitudë prej 6,4 ballësh.

Qendra nacionale për meteorologji, klimë dhe gjeofizikë (BMKG) bëri të ditur se epiqendra e tërmetit është regjistruar 216 kilometra në juglindje të rajonit Maluku jugor të provincës, në thellësi prej 144 kilometrave.

BMKG dhe Qendra Paqësore e Cunamit nuk dha alarm për rrezik nga cunami. Sipas informacioneve të para tërmeti nuk ka shkaktuar viktima dhe dëme materiale.

Në tërmetin me fuqi 7,5 ballë që goditi gjirin Palu dhe ishullin Sulawesi më 28 shtator 2018 dhe cunami që pasoi, humbën jetën rreth 4.340 persona.

Sekretari britanik nënshkruan urdhërin për ekstradimin e Julian Assange

Sekretari i Brendshëm britanik, Sajid Javid

Sekretari i Brendshëm britanik, Sajid Javid i ka thënë BBC-së se e ka nënshkruar një urdhër ekstradimi në Shtetet e Bashkuara, për themeluesin e Wikileaks, Julian Assange.

Javid, tha se vendimi përfundimtar për ekstradimin e Assange, do të merret më 14 qershor, në një gjykatë britanike.

Assange, përballet me një aktakuzë me 18 pika nga Shtetet e Bashkuara, për publikim të informacionit të klasifikuar dhe komplot me ish-ushtaren amerikane, Chelsea Manning, për të ndërhyhë në kompjuterët e departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së.

Aktakuza, e lëshuar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në maj, është ngritur në bazë të Aktit të Spiunazhit.

Assange, 47-vjeçar, u dëbua më 11 prill nga ambasada ekuadoriane në Londër, ku ai ishte strehuar që nga viti 2012, pasi Ekuadori i pati dhënë atij azil politik.

Ai u arrestua nga policia britanike, dhe aktualisht po vuan dënimin prej 50 javësh, për shkeljen e lirimit me kusht. Organet e drejtësisë në Suedi gjithashtu kanë kërkuar të marrin në pyetje Julian Assange, për një rast përdhunimi të supozuar, të cilin Assange e ka mohuar.

Kryeministri japonez synon përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Iran

Kryeministri japonez, Shinzo Abe dhe presidenti iranian, Hasan Rohani.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe ka arritur në Teheran në një vizitë, që ai shpreson se do të ndihmojë në uljen e tensioneve në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Abe pritet të takohet me presidentin iranian, Hasan Rohani dhe liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei, gjatë një vizite në Iran, njëherësh e para e një kryeministri japonez në detyrë, në më shumë se katër dekada.

Teherani ke tensionuar marrëdhëniet me Uashigtonin, prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 në mes të Iranit dhe fuqive botërore.

Prej asaj kohe, Uashingtoni ka rivendosur sanksione ndaj Iranit, ka ashpërsuar retorikën dhe ka rritur prezencën në Lindje të Mesme, duke rritur shqetësime për ndonjë konflikt të armatosur.

Para se të nisej nga Tokio, Abe ka cituar “shqetësime për rritje të tensioneve në rajonin e Lindjes së Mesme”.

“Japonia dëshiron të bëjë sa më shumë që është e mundshme për të arritur paqe dhe stabilitet në rajon”, ka thënë ai.

Tokio është një nga aleatët më të ngushtë të SHBA-së në Azi, si dhe ka marrëdhënië të mira me Teheranin.

Mirëpo vëzhguesit kanë shprehur shqetësim rreth rezultatit që mund të arrijë Abe, duke thënë se vizita e tij vetëm mund t’ia rrisë imazhin kryeministrit japonez pak para mbajtjes së zgjedhjeve në parlamentin e Japonisë.

Zyrtarët iranianë janë cituar të kenë thënë se Teherani planifikon t’i kërkojë Japonisë që të jetë ndërmjetësuese në mes të Teheranit dhe Uashingtonit, për të hequr sanksionet amerikane ndaj naftës iraniane.

Zyrtarët amerikanë në anën tjetër kanë thënë se Uashingtoni është i hapur për dialog me udhëheqësinë iraniane, mirëpo kanë thënë se edhe forca mbetet mundësi.

Policia ruse arreston rreth 100 vetë dhe kreun e opozitës, Navalni

Policia ruse ka arrestuar kreun e opozitës Aleksei Navalny dhe rreth 100 njerëz të tjerë gjatë një proteste në Moskë, ku u bënë thirrje për ndëshkime ndaj policisë, e cila thuhet se sajoi akuza të rreme kundër një gazetari të njohur.

Grupi OVD-Info, i cili monitoron arrestimet politike, tha se policia arrestoi të paktën 94 vetë të martën, disa prej tyre me forcë.

Protesta e paautorizuar vjen pas një vendimi të papritur të policisë për të ngritur akuza ndaj gazetarit Ivan Golunov. Javën e kaluar Golunov u akuzua për trafik narkotikësh pas pretendimeve të policisë se kishte gjetur drogë në banesën e tij. Gazetari, i cili u bë i njohur për ekspozimin e zyrtarëve të korruptuar të Moskës, i ka mohuar akuzat.

Autoritetet thanë se çështja u pezullua të hënën për shkak të mungesës së provave dhe kundravajtjeve nga ana e gazetarit Golunov.

Akuzat u hoqën pas zemërimit të shprehur nga mbështetësit e tij, duke përfshirë tre ndër gazetat më të respektuara të Rusisë.

“The Guardian” për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës: Largimi i KFOR-it çmenduri – NATO ende është e nevojshme!

Foto: Kur NATO hynte në Kosovë si sot 20 vjet më parë

 

Kosova sot po shënon 20-vjetorin e çlirimit. Për këtë ngjarje, po raportojnë edhe mediat ndërkombëtare.

Kështu britanikja “The Guardian”, në një shkrim të titulluar: “Ende është i nevojshëm”: NATO shënon 20 vjet në Kosovë”, përshkruan se si u çlirua Kosova me ndihmën e NATO-s nga forcat serbe.

“20 vjet pasi trupat e NATO-së hynë në Kosovë ku bombardimet e ajrore zgjaten 78 ditë, 3.500 trupa nga aleanca ushtarake mbeten në terrenet e këtij vendi të ri, ku konflikti ende nuk është zgjidhur përfundimisht”, shkruan gazeta britanike.

Sot, trupat e 28 vendeve të KFOR-it veprojnë kryesisht si një “rezervë e tretë” pas policisë dhe BE, edhe pse ekziston një përjashtim kur trupat e NATO-s ruajnë manastirin ortodoks serb në Deçan.

“SHBA, e cila kontribuon me kontigjentin më të madh të trupave – rreth 600 – kuptohet se ka konsideruar seriozisht zvogëlimin e pranisë së saj”, shkruan më tej The Guardian.

“Tërheqja e trupave do të ishte e çmenduri. Ky është një vend prej 1.8 milion myslimanëve të moderuar. Pas Afganistanit dhe Irakut, na duhet një rezultat. Kjo mund të jetë një fitore e vërtetë strategjike për ne. Duke u përballur me argumente të tilla, SHBA ka vendosur të lërë numrat e trupave të pandryshuar – tani për tani”, ka thënë një zyrtar i lartë perëndimor.

Britania e Madhe kontribuon me 30 trupa – pavarësisht angazhimit historik në një vend ku disa fëmijë quhen Tonibler pasi kryeministri britanik, Tony Blair, i cili me presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton, udhëhoqi atë që u pa në atë kohë si një ndërhyrje popullore ushtarake. Franca nuk dërgon asnjë.

Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 filloi me një fushatë ajrore kundër Serbisë, vetëm herën e dytë që aleanca ishte angazhuar në veprime ushtarake që nga fillimi i saj në vitin 1949 – e para ishte në Bosnje, gjithashtu kundër forcave serbe.

Ajo ndoqi një periudhë rritjeje dhune midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që përfaqësonte shumicën e popullsisë lokale dhe forcave serbe.

Fuqia e bombardimeve perëndimore detyroi tërheqjen e forcave serbe në qershor të vitit 1999. Pesëdhjetëmijë trupa, të udhëhequr nga Sir Mike Jackson, ngazëllyen shqiptarët e Kosovës.

Image

Sir Mike Jackson në Prishtinë në vitin 2000. Fotografia: Hazir Reka / Reuters

 

Pothuajse 10 vjet më vonë, u shpall pavarësia, megjithëse Serbia dhe Rusia ende nuk e njohin vendin dhe kohët e fundit ndihmuan në parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Gjithsej 13,517 njerëz u vranë ose u zhdukën gjatë luftës kosovare, në mes të janarit të vitit 1998 dhe fundit të vitit 2000. Prej tyre, 10,415 ishin shqiptarë etnikë; 2,197 ishin serbë.

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i OJQ-së, argumenton se një rekord i duhur historik është i nevojshëm për të kundërshtuar “narrativat kombëtare” që po dalin. “Ne po përpiqemi të krijojmë një kujtesë kolektive për luftën”, ka thënë ai.

 

“Pala serbe po përpiqet të mohojë krimet e kryera prej tyre, dhe e njëjta gjë po ndodh këtu. Në Kosovë, ju mund të dëgjoni vetëm për viktimat shqiptare, jo për jo shqiptarët “.

Asnjë marrëveshje përfundimtare e paqes nuk është arritur midis Serbisë dhe Kosovës, presidenti i së cilës, Hashim Thaçi, është një ish-komandant në UÇK. Tentimet për bisedime të paqes që përfshijnë një shkëmbim të mundshëm të tokës – ku Kosova do të kishte hequr dorë nga territori në veri me shumicë serbe në kthim për tokat gjetkë – nuk çuan askund vitin e kaluar, sepse ideja ishte jopopullore në të dy vendet.

Ndarja mes dy komuniteteve sot është në pjesën më të madhe të Mitrovicës, në veri të Kosovës, ku ato ndahen nga një urë që përfshin lumin Ibër, me shqiptarët kryesisht në jug dhe serbët në veri. Megjithë rinovimin e financuar nga BE, ajo mbetet e mbyllur për trafikun, e bllokuar nga administrata e pakicës serbe në veri, edhe pse e hapur për këmbësorët.

Image

Ura në Mitrovicë. Fotografia: Pierre From / Getty Images

Egjipti kërkon skulpturën e artë të Tutankhamunit nga Britania

Kajro

Autoritetet e Egjiptit kanë kërkuar nga Britania e Madhe që t’ua kthejë skulpturën e artë të faraonit Tutankhamun, një nga sundimtarët më të njohur të Egjiptit të lashtë i cili ka sunduar nga viti 1334 deri në vitin 1323 para erës sonë.

Para do kohe mediat egjiptiane dhe britanike paralajmëruan se më 4 korrik në Londër do të organizohet shitja e ankandit të një skulpture të veshur me ar të kreut të faraonit Tutankhamun.

Ministria e Jashtme e Egjiptit reagoi ndaj këtij njoftimi dhe kërkoi nga autoritetet britanike të ndalojnë menjëherë shitjen.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se Egjipti kërkon kthimin e skulpturës së vlefshme dhe pret përgjigjen e Londrës zyrtare.

Autoritetet egjiptiane për ndihmë iu drejtuan edhe Shtëpisë së ankandit e cila paralajmëroi shitjen si dhe Zyrës së UNESCO-s. aa

Rrëzohet helikopteri në lumin Hudson të New Yorkut, policia shpëton pilotin – kalimtari i rastit filmon gjithçka (Video)

Piloti është nxjerrë nga lumi Hudson, pasi helikopteri në të cilin ishte u rrëzua në ujë në afërsi të tunelit Lincoln në Manhattan.

Ai ishte personi i vetëm brenda helikopterit dhe është shpëtuar nga departamenti i policisë së New York-ut, transmeton Telegrafi.

Siç raporton CNN, gjendja shëndetësore e pilotit është e mirë pasi edhe ka refuzuar të shtrihet në spital për tretman.

Kurse Ashton Byrd që po shëtiste me një mik ishte dëshmitar i asaj, kur piloti humbi kontrollin mbi helikopterin që sillej dhe në një moment ra në ujë.

Ai këtë moment e filmoi me telefon të mençur dhe më pas pamjet u bën virale, duke u transmetuar pothuajse në të gjitha mediat amerikane.

“Ishte gjëja më e çmendur që kam parë ndonjëherë”, ka deklaruar autori i videos.

Piloti ishte paraparë të aterroj në pistë për ta marrë një pasagjer VIP, ka njoftuar një zyrtar i policisë së New Yorkut.

Helikopter është rrëzuar mbi çatinë e një ndërtese 54 katëshe në Manhattan të New York-ut.

Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se incidenti ndodhi rreth orës 14:00 në “AXA Equitable Center” që ndodhet në mes të Manhattan-it, shkruan Nbcnewyork.

Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka bllokuar rrugët dhe i ka paralajmëruar qytetarët që t’u shmangen rrugëve ku u përplas helikopteri në fjalë.

Departamenti i zjarrfikëses në Nju Jork ka konfirmuar se një helikopter u rrëzua nga një gradaçelë në Manhattan.

Përplasja ka ndodhur në zonë 51st Street dhe në 7 Avenue, pranë sheshit të njohur Times Square.

Departamenti i Zjarrëfikësve të New Yorkut e quan alarm të nivelit të dytë aksidentin e helikopterit me gradaçelën.