Si po shuhet kështu pulsi i Botës
siç shuhet edhe pulsi i atij që
pritet të vdesë…
Hej njerëz, ku jeni, si u mbyllët kështu
në shtëpi, të trembur e t’alarmuar,
duke harruar, fundi i fundit,
se jeni qytetarë ?
Si u zhdukët nga rruga, nga uzinat,
nga zyrat, stadiumet, koncertet,
bibliotekat, arat që duan
punuar, mbjellë e plehëruar ?
Si kështu, nuk do të vazhdojë më jeta ?
Si u zbrazën shkollat, o njerëz, kopshtet,
si u boshatisën sheshet e lodrave, pishinat,
pistat e skive ?
si u braktisën deri edhe shtëpitë e Zotit,
kishat, xhamitë, sinagogat edhe në
ditët e ceremonive të Festave të
Mëdha ?
Po kortezhet mortore, si u zhbënë,
e të ikurit nga kjo botë s’i ndjek kush pas
në banesën e fundit ?
Në katedralet e akullta priftërinjtë
kanë përpara veçse një arkivol
dhe, fotografinë me shiritin e zi,
diagonalisht mbi ballin e të
ndjerit të vrarë nga Covid-i.
Eh, njerëzimi është fshehur si në sekuencat
e atyre filmave fantastiko – shkencorë,
që, me të cilët, më shumë
argëtohemi, sesa i marrim
seriozisht për aluzionin që
na ofrojnë.
Eh, veç zogjtë e bukur këndojnë
Jashtë ;
Falëminderit zogj
Që na ndiqni ende !
Makinat s’lëvizin, trenat supersonikë
gjithashtu, shinat e tyre s’janë më
rreze shndritëse, ato janë
ndryshkur sakaq …
Avionët mbi pista, qullen nën pikëllimin
e shirave si t’ishin shpendë të plakur
që e kanë humbur aftësinë e fluturimit.
Zbrazëti dhe palëvizshmëri, a thua se
njerëzimi e ka braktisur nderkohë
Tokën e tij dhe, po shtegton
drejt planeteve të rinj,
ku do ta presin Zanafilla
të tjera e Perëndi të tjera…
Ngrirë në palëvizshmëri gjithçka,
një stopkamera pa kohë pa zhvillim
e pa histori…
Hej, njerëz, ku jeni ? Ju, prindër që
keni sjellë fëmijë në këtë botë
ç’bëni, si u gjunjëzuat kështu
pa pritur e pa kujtuar
një e nga një.
Nga Europa n’Australi, nga Amerika
n’Azi , e kudo gjetkë…
Hej , njerëz, të strukur si minjtë, kurrë
më parë s’i keni ngjarë kaq shumë
njeri – tjetrit !
Ah, veç zogjtë e bukur këndojnë jashtë;
Falëminderit zogj
Që ende vazhdoni të na ndiqni…
Covid 19
Covid 19
As atomi vetë s’do t’ju trembte ndoshta kështu
Njerëz,
Madje, as asteroidet që do të mund t’i turreshin
Tokës me energji kibernetike të skëterrshme,
Sepse, sa për ngrohjen globale,
asqë doni t’ia dini …
I mbushët frigoriferët dhe qoshet e shtëpisë
me gjithfarlloj ushqimesh
madje edhe me t’atillë
që s’rezistojnë e prishem shpejt;
I mbushët shtëpitë mu si ato kafshët e egra,
kur përgatiten t’ibernojnë.
U zutë e u rrahët nëpër supermarketet,
qoftë edhe për ca rulota
letre higjenike ju, ju qytetarët
e megapoleve europiane dhe
amerikane, me shoqëri konsumi.
Letra higjenike
Letra higjenike
Por, kaq teknologji t ‘jashtëzakonshme
kërkuaka prodhimi i letrës
higjenike, që s’plotësohen dot
kërkesat e domosdoshme të familjarëve ?
Por, po ta kërkonte superteknologjinë,
ju do të mund ta prodhonit,
ju që keni avionë, nëndetëse, raketa, celularë,
automobilë luksozë, e çfarë
jo ?
Ju që keni në dispozicion t’ekonomisë
tuaj tërë krahun e lirë të
botës anekënd, ju që keni robotë
skllevër n’uzina e fabrika.
Ah, por u trembët të gjithë, e thamë këtë,
E prapë do ta themi !
Deri aq pra, sa në varrin e nënës, apo babait,
s’i venë as kalamajtë e tyre,
as nipër e mbesa, pale miq e shokë !
U kyçët të gjithë n’ato mjedise klaustrofobikë
dhe ruani njeri – tjetrin
se mos teshtijë a kollitet, skuqet
nga temperatura e lartë dhe,
shpërndan Covid-in, duke ju
përlarë të gjithëve ç’jeni…
Tek zdërhalleni në divanë e kolltukë konfortë
e ndiqni të trembur lajmet pa ndërprerje ;
kyçur dyert, puthitur dritaret, fikur kondicionerët,
sepse nga s’mund të futet tinëzisht
Vdekja Covid 19, e padukshme
si personazhi i Herbert Uellsit…
Ndiqni lajmet, veçse fund e krye t’hidhur,
por ja n’iPad –et, ju shfaqen
pornostaret, modelet, aktoret,
vetë Kim Kardashian, që s’di kujt marifetçiu
i ka vajtur ndër mend të thotë se Kimi
me vështrimin e saj ,
buzëqeshjen e përmbajtur
dhe të sofistikuar
Të kujton mrekullisht Xhokondën…
Por ju, sigurisht vështroni
gjithë përqëndrim bythët tonike,
gjinjtë e shpërthyer që
ju dhurojnë në
videot virale
bujaret.
Dhe, ah dhe oh për bythët e Demi Rose,
për gjoksin e Pamelas
e gjithfarësoj pornostaresh mikluese
të cilat gjithashtu janë, si të gjithë
n’karantinë…
Dhe, në shtëpi, në shtëpi
nga miliarderi më i çmendur
gjer te morracaku më i humbur…
Covid19,
Ti e paske seriozisht
Barazinë,
Jo siç e patën komunistët me pallavrat e tyre
Demagogjike.
Të gjithë ndryrë në vrima.
Vetëm zogjtë e bukur këndojnë jashtë
Falëminderit zogj,
Që guxoni të na ndiqni ende !
Ku jeni ju, shkencëtarë ju të lauruarit
me Çmimin Nobel në mjekësi
kimi, fizikë, gjenetikë ?
Ku janë shpikjet tuaja me efekt epokal,
që do të shtojnë jetëgjatësinë
gjer më 150 vite a më shumë ?
Ku jeni ? Apo jeni fshehur edhe ju si gjithkush ?
Si s’rendët në Kinë, të përfitonit përvojën e vyer
të kolegëve e të nguteshit për vaksinën anti – Covid19 ?
Kujt do t’i duhet pas një viti, kur të kenë vdekur
( qoftë larg ! ) kushedi sesa njerëz ?
Ç’prisnit, apo edhe ju, jeni burokratizuar e shkëputur nga përditshmëria ?
Pas një viti, pas një viti…
U marrosën të gjithë nga teoritë
konspirative gjithfarësoj,
që, mesa duket çorjentojnë qëllimisht publikun
e fshehin të vërtetën, atë të vërtetë që,
pale kur do ta mësojmë e si do ta mësojmë…
Përsëri na përmendnib profecitë e Nostradamusit,
e të ca plakave nga Ballkan ?!
Turp, një mijë herë turp,
Që pritët t’ju gjejë pandemia
Duarkryq !
Kur vinë Krishtlindjet astronautët,
me një shkencëtare në mes,
na urojnë që nga platforma
n’hapësirën e kthyer
në një park teknologjik,
siç mburreni ta konsideroni ju :
Sondat, pas muajsh të tërë udhëtimi,
sjellin fotografi mbresëlënëse
nga Marsi e Jupiteri, sjellin
materie kozmike e harta
gjithë mister…
Por në Tokë, njerëzimi i pataksur,
kacafytet dhe Letrën Higjenike,
nëpër supermarketet bosh
njeri – tjetrit ia rrëmbejnë !
Ah, por zogjtë e bukur këndojnë
Jashtë !
Falëminderit zogj,
Që guxoni ende të na ndiqni
Ne njerëzit, që për të parë
Diellin ,
Hapim një cep të perdes së dritares, si ai aktori
i paaftë që hap në prapaskenë paksa
perden, tek tundohet të dalë
në skenën e madhe të luajë rolin
që i kanë caktuar …
Shkencëtarë, gjithë ç’jeni,
Veçse një lajm prirem t’ju besoj :
Atë që thoni se, Covid19
Vetëm fëmijët si prekërka !
Lavdi Zotit,
Kështu qoftë !
Botën këta fëmijë, le ta bëjnë
Më të mirë se ç’e bëmë ne !
Ah, sa bukur këndojnë zogjtë
Jashtë !
Zogjtë dhe Femijët plot thirrma gëzimi,
Ah, falëminderit
Zogjve …
24 / 03 / 2020
Poeme qe percjell thirrje,proteste,zgjim ndergjegjje intelektuale,shprese qe kjo shoqeri te ndryshoje sjellje ndaj mjedisi te cilin e kane masakruar per interesat e pakices… Zogjte ne fluturim dhe femijet jane simboli i ndryshimit…