Mbeti “E VE” poema ime. Nuk gjeti dot as kokën e një BURRI për t’i vendosur kororën e Skënderbeut, as një konkurs letrar në trojet shqiptare ku mund të prezantonte linjat e saj femërore.
POEMA E VE
Tё lindi me lule mitra lashtёsi,
petalet e tyre, aromë e lavdi.
Fustanin në blu, bluzёn ngjyrё bari,
vellon re të bardhë, si dёborё janari.
Malet si një trup, fushat trёndelinё,
Armët mbirë në sup, frmosën lirinë.
Forcёn prej titani, bukurinё si zanё,
Ngjyrat e ylberit ndezur anembanё.
Me varka, anije, e qëndise detin,
Fronit i dhe hije dhe stoli për mbretin.
Shpellat i braktise, ndёrtove me gurё,
mbolle nёpёr vise, qytete, kulturë.
Lashtёsia vetë, tё ndriçonte shtati,
pёr liri u tretë, Ilirì të quajti!…
* * *
Rreth e rrotull teje ziliqarё xhelozё,
thurnin errёsirё ngjyrosur në blozë.
Mbushёn re tё zeza me tufan e shi,
nёpёr mugёtirё tё veshёn nё gri.
Stinёt keq u mpleksёn, hiret ti shёmtonin
me acar e ngrica, ngjyrat t’i ndёrronin.
Trupin – lis i thatё, krahёt – mrete e thekur,
t’i sulmuan gjatё, as gjallё e as vdekur.
Era gri e vjeshtёs, s’tu nda asnjёherё,
maskonte në mjegull shigjeta me vrerё.
Gjethet i rrёzoi, trungun plasariti,
rrudhat t’i shumoi, dhimbja ulёriti.
Ta printe dikush nё udhёn me dritё
t’ia kthjellonte sytё, nga mjegull’ e hirtё.
* * *
Njё kreshnik i zjarrtё nё mesin e jetёs,
i dha ngjyrё tё artё, erёs gri tё vjeshtёs.
Kish ikur i vogёl peng pёr Arbërinë
Me mallin e zjarrtë ushqeu dashurinё.
I dha krahё e jetё trimërsë së rrallё,
kur mbushi dyzetё, tha: “mё ke gjallё!”
Thanё ish ngritur Muji qё tokёn e tundi
me trokun e kalit, fusha, male, shkundi.
Errësirë e mjegull me dritë i kish larë,
Fundvjeshta ndriçoi AGIMIN E PARË.
Stolitё u rikthyen, bukuria ndriu,
njё simbol bashkmi, jugu dhe veriu.
Nё mes vigjëlonte njё shqiponjё e zezё
qё burrat e dheut i lidhi me besё!
Kёshtu, Arbëria, emёr tjetёr merr
nga një shpend i lirё, mbret me dy krerё.
Qё tё vigjёlojё nё furtunё, nё shi,
E t’i rezistojë dhe akullit gri.
Bota ndali frymёn njёzetё e pesё vjet,
mbreti i Arbёrisё kreshnik i vёrtetё.
Me çelik e zjarr dhe mendim tё ri
e dёrgoi nё varr, njё perandori…
I pat hije mjekra, shenjë fisnikërie.
Koha hodhi firmën: “Burr Shqipërie”.
Kurora pat gjetur kokën e vërtetë,
forcën, mençurinë, madhështinë për mbret.
* * *
Xhelozia ndizej rreth e rrotull saj
Ndërsa dielli ndrinte, si ar, nё çdo skaj.
Moti, prap u mbyll, re tё zeza nxinё,
s’dukej asnjё yll t’i ndrijё bukurinё.
Njё tufan i tmerrshёm nё dimrin e gjatё,
goditi rrufeshёm, Shqipen pendёartё.
Kreshnikёt i ikёn dhe zanat u zbehёn,
shkёlqimin e fikёn, u tretёn me erёn.
Shqipja e mbuluar me njё shall tё zi,
kёrkon e trishtuar njё prijёs tё ri.
Kokёn e mban ulur nga pesha e zisё
qё kur e pёrgjaku Sulltani i Azisё.
* * *
Sytё të mjegulluar, thinjur gjer nё zemёr,
Rend duke rёnkuar për një tjetёr emёr…
Njё pasha me mjekёr dhe me llullё tё gjatё,
zjarrё e tym rrёzon nga kala e lartё.
Dhe guxon tё ndalё njё perandori.
Nё tre popuj fqinjё, i vuri kufi.
Veç njё ditё u thye kockё e tij e vjetёr;
pabesisht ia hoqёn, kokёn me gjithё mjekёr.
Pёr ta ndjekur pas njё çudi e madhe,
kujtesa t’i flasё: Pasha me dy varre!
Nga sundimi i tij edhe pse i ashpёr,
nё krahёt e Shqipes e shtoi dhe njё flatёr.
Ajo ia besoi një kurorë të nderit,
por se mbajti dot peshën e Skënderit.
Ndaj e pikëlluar ngrihet fluturim
të gjente një tjetër, të mençur e trim.
* * *
Si njё gjethe vjeshte forcat e kanё lёnё,
lёkundet e dehur gati pёr tё rёnё.
Sulltani i Azisё kёcёnon e qesh:
“Nga rrobat e zisё kurrё s’do tё tё zhvesh!
Tё rrish buzё varrit, si kufomё e verdhё
qё tё mbillet frikё edhe ndёr tё tjerё”.
* * *
Nёpёr erёn gri me fener nё dorё,
ndesh diku njё çift prijёsash popullorё.
Kur e panë të zbehur e tretur urie,
gjer nё palcё ndjenë dhimbje Shqipёrie.
E morën pёr dore dhe me lotë në sy,
t’i shёrojnё plagёt betohen tё dy.
Dhe ushtoi njё thirrje sa u tundёn malet:
Si “meze nё pjatё”, Shqipja s’mund tё hahet.
Fukareshё e gjorё qё nuk ka pёr vete
s’mund ti japё Sulltanit, “nizam e xhelepe”.
Pa shkёlqeu guximi, shkrepёtimё nё mal,
mbushur lule trimi, Poçem – Kuç – Hekal*.
* * *
Kur perandoria mori njё tё çarё,
Rrapos* pёrmbi rrap, ia hodhi litarё…
Shqipes dhe mё shumё krahёt ia shkurtoi,
me guxim tё marrё tё mos fluturoj.
E la tё zvarritet nёpёr errёsirё,
mos t’a gjente udhёn pёr tё qenё e lirё.
Sytё ju errёsuan, s’dinte nga tё shkonte,
panorama gri më shumë e verbonte.
* * *
Prinë Prizereni, odë mençurie,
lidhur në një besë vatra trimërie.
Lidhja* zgjidhi armët, i ngjeshi në sup
e gjithë Shqipëria u ngrit si një trup.
Gjithë burrat e zgjedhur, me guxim të rrallë
Lirinë, shqiponjës, ja shkruan në ballë.
Ta lexoj Evropa mbledhur në Berlin*
mos ta ndaj në copa, si tortë, Shqipërinë.
Por Evropa heshti, mbylli njërin sy
dhe më vonë akoma, i mbylli të dy…
* * *
Kur mbeti pa krahë e mbahej me thonj,
humbjet e mëdha gjakun ja hollojnë.
Nёpёr muzg ju shfaq njё poet i ri,
nё udhёn pa dritë i ndezi qiri.
Ashtu, lehtё e zbehtё, qiriri ndriçoi,
për të dalë në dritё, dhjamin e mbaroi.
Me shkronja e veshi Shqipen, skaj mё skaj,
e mёsoi tё shkruaj historinё e saj.
Por prijёs nuk gjeti ta çonte mё tej,
krahё e kthetra thyer betejё mё betejё.
Nёpёr udhёn gri, s’gjeti zgjidhje tjetёr
qё t’i jepte jetё dёshirёs sё vjetёr.
Tё jetoj e lirё, si njё shpend malesh,
me bija e bijё, e shkarkuar hallesh.
* * *
Buza nuk i qeshi pёr shekuj me rradhё
qё kur Kastrioti, i dha nur tё bardhё.
Skajuar nё Lindje, skaj nё Perёndim,
njё e madhe grindje, rindezi lakminё.
Ta ndajnё nё copa, o ta zhdukin fare
shpendin me dy koka e zemёr tё madhe.
Tani bukuria, krejtë, i qe shuar.
Fytyrёn me vija, sytё mjegulluar.
Flamuri i Skёnderit pa emёr e nder.
Dergjet lotshelguar Shqipja me dy krerё.
Lotin sa njё mal, brengёn sa njё det.
As vdekur, as gjallё, nё shkretinё e vetё.
* * *
Uikonjё nёpёr netё, era ulёriti.
Nё vjeshtёn e tretё e munduar mbёrriti.
Fundi i asaj vjeshte, fshiu tymin gri
me njё frymë tё bardhё, diell, kaltёrsi.
Dritën e artuan thinjat e njё plaku,
qiellit valëzoi simboli si gjaku.
Mjegullёn e treti, motit diell i dha.
Njё pranverё e vogёl lulesh tё mёdha.
Me ngjyra gëzimi iu qëndisën sytë.
Fundvjeshta agoi AGIMIN I DYTË.
Shqipёria rronte, mbesё nё Ilirì
rilindjen festonte veshur kuq e zi.
Si Skënderi Krujën, e stolisi Vlorën
plaku mjekërbardhë, kokë për kurorën.
* * *
I rrudhёn sy e vёshtrim, tё mёdhenjtё,
kur e panё qё rridhnin tё kthjellёt lumenjtё.
U ndjenё mё ngushtё, mё tё zvogёluar,
shpendi hidhte valle duke fluturuar.
Nuk kishte ndodhur, e as kishte ngjarё
tё ngrihej nga varri si shpend legjendar.
Kur e panё tё veshur me dritё kaltёrsie,
sytё i perёnduan nёn rrudha zilie.
Shkёlqimi i fortё dikё e verboi
me dritёn e ndezur, qё vjeshtёn ndriçoi.
Nuk dihet nga zbriti xhelozia gri
dhe krejt e veniti sfondin kuq e zi.
Plaku mbylli sytё i prerë në besë
dhe agimi i dytë ra në gri të zezë.
* * *
Por beu i bardhë, sojli i nderuar,
hijes i dha diell dhe i perënduar.
Për vete u dergj muzgjeve të shkretë,
gri-hijen ta çelë me dritën e vetë.
Nuk ishte dëgjuar, dhe as ishte parë
të zbriste një bej, i varfër, në varrë.
Shqipja e kuptoi kur nisi ta qaj.
Pasuria e tij, rilindja e saj.
Prandaj dhe u shua, ta shihte të lirë.
Nuk zgjodhi vetevehten të ngrysej vezir*.
Kurorës së rëndë i dha peshë e nder,
ndërsa diplomatit, mençuri e vlerë.
* * *
Fama e kaloi, detin, dhe me tej.
Skënderbeu “strateg”, ndërsa plaku “bej”.
U pat hije mjekra, u dha dritë e nur,
Dy diva që Shqipen e bënë me flamur.
Kur fryma ju ndal dhe sytë ju rrëzuan,
pat mbetur lavdia, por shpresat u shuan.
Shqipja kurorën me kthetra e ngriti,
Gjithëkund, ku flitet shqip, e shëtiti.
Endet akoma mbi kombin e vjetër,
Për një burr të lartë, për një kokë tjetër.
Të jetë fisnk me vlerë e me mend,
T’i qëndroj besnik kurorës së rëndë…
Iku një shekull, filloi një i dytë,
I lodhur vështrmi, zvogëluar sytë.
Kërkonë një prijës, një burr… Skënderbe,
Siç e ka dëshirën kjo poemë e ve…
Komentet