I nëmun, të ndjej mungesën tënde, ajrin e rralluar mëngjeseve vuaj
Ndërsa ngjitem skaj bjeshkës, ku hapat e tua janë skajuar në gurë
Fosilizuar në fragmente kujtimesh të idhta, por sa të shtrenjta sot
Si fëmijë naiv kërkoj të të gjej në çdo çast, të përqafoj sadopak
Dhe të vdes pastaj, s’kam dert , as pengje tjetër, u ndamë pafaj
Ti shkove aq herët, tash si mjegull vese rri ballit të agut zgjuar…
Shkove një mëngjes të dielë kur korriku mbante aromë mjedre
Të sapopjekur shpatit të livadheve mbi Markaj, fryma tu mek
Si klithma e zogut vetmitar majë çetine, dikush e trembi befas
Në çastin e mbramë të syve silueta ime mbet’ në retinë, shembur
Statujë malli dhe pamundësie, kush mundet të kapet me zotin
Në zgjedhjet e çuditshme kur rrëmben dashuritë e tij të lakmuara…
Gjashtëdhjetëetre ditënetë ju lutem shpresës mes nesh të mbetet
Të ngrejë kampin e saj, ndërsa kapluar dhimbjesh dhe mundimesh
Me thonj mbanim jetën tënde shtërnguar me litarë gjaku dhe malli
Buzëqeshjet veniteshin minutë pas minute si zogjtë fundvjeshte vonë
Dhe terri sfidonte shkulmet e dritës në betejën e humbur me fatin
Honeve të askundit humbën yjet, mbrëmja lotonte si grua e trishtë…
E gruaja jote, nana ime e mirë ti shtroi flokët e zinj mbi ballë
E vajza jote, motra ime e bukur ti mbylli lehtë sytë e tu të butë
E nusja ime, vajza jote e dytë ti vendosi duart pranë gjoksit tënd
Kur erdha unë ndjeheshe si atherë në gjumin e ëmbël të pasdites
Veç një lot i tharë në cepin e syve dhe në shtegun e mjekrës poshtë
Më ka thyer iluzionin e të qënit gjallë,që të rrëfej rrugën e kthimit
Të shoh edhe njëherë veten në pellgjet e syve tu, ishte shuar dielli…
Bie shi i imtë mbi dheun e kuq , stërkala lotësh kullojnë mbi dru
Trokasin ëmbël si kokrrat e breshërit të rrallë fundvere në stane
Nanuriteshim ne fëmijët e lazdruar prej barit të bjeshkës e gjyshja
Nana jote me dhimbsurinë prej nëne na mbulonte krahët e shpluar
Baba jot fishkëllente prag muzgu, krye gryke ti largonte ujqit e natës
Ti shfaqesh një çast krye kujtimi dhe ma përkujton betimin e fshehtë
Të pranoj trillin e pabesë të fatit e të bëhem burrë i fortë, ashtu si ti…
Netve vonë kur ndihem vetëm ndjej siluetën tënde si frymë e vakët
Depërton mes dyerve dhe zbut trishtimin e valë të mendimeve të rënda
Ma prek ballin dhe ja shton dritën dhomës kredhur në terrin e thiktë
Pëshpërit fjalë të çuditshme agu në prekje me xhamin e mëngjesit
Dhe përthith frymën tënde, shkrirë në klithje zogjsh dhe tone ngjyrash
Jam krejt i lagur malli, shprese dhe venitje ëndrre, thahem me diellin…
Poema jote babë, vargjet dalin krejt natyrshëm prej gjoksit tim
Si trajtat nga dalta e skulptorit që punon statujën e tij në ngrehinë
E jotja po ngrihet nga çasti në çast përplot fragmente jete, shkëlqen
Duke u zbuluar dita ditës konturet e mrekullueshme, përulem para saj
Dhe kuptoj sesa vështirë është të sfidosh kohërat dhe prapë të mbetesh
I adhuruar për mënyrën sesi u ndjeve në jetë, si triumfove para fundit…
Mbështetem mbi shtretni fjalësh të thjeshta mbetur gjallë prej dialogut
Mbi shikime të avullta nga syni yt i shkruem, e ruajta brenda një letre
Ku kam shkruar fragmentet e paharrueme të dashnisë, rri ngrohtë aty
Sa herë e shploj mëngjeseve guf malli si zog i zanun gishtash të dorës
Pastaj fluturon horizontit të çelun të mëngjesit, për tu kthyer sërisht
Në folenë time të zemrës, sa të kam dashtë, veç zoti e di, ani se fajtor…
Ta shkruaj emrin në faqen e gurtë të bjeshkës, me ngjyra ylberi e ngjyej
Ta thërras me jehona mbi shkrepat ku bora shkrin dhe dhitë e egra ikin
Turravrap në lojën marrëmëndëse me të vegjlit e tyre, ka çelur trumza
Avionët lënë pas gjurmët e bardha, vizatojnë forma absurde mbi qiell
Pasditeve shirat shqyejnë mjegullën e varun halorësh, pikin rrëshinë
Në kujtesën time ngjitur përjetë portreti yt, medaljon i artë, ruan kohën…
01 Korrik 2025