Berlin, mars 2017
Një plumb gjysëmqorr i dha pak ngjyrë të amullt kohës. Po a s’kjenë plumbat politikë një kumt i perëndimit apo agut të një epoke ndër vite e qindvjeçarë?
Natyrisht, kësaj here, përmasa e tij, s’do të ketë rreze historie assesi. Megjithatë, hirësia e tij solli një fat të madh. Jo pse vajti huq, por sepse Shmangësi i shkathtë, Azem Vllasi, mori dhuratë, gati si dikur, arenën e Fjalës.
Epiqendër e vëmendjes, keqardhje në shkallë përuljeje të pushtetit për plagën e shkretë, letra e telegrame dithirambike për këndellje sa më të shpejt nga kolegë e veprimtarë të drejtash të njeriut, pastaj gjithë pezm revanshist hidhen prej tij në tregtizën e ngucjeve dhe ndërdyshjeve: retorikë, aluzion, shfajsim, përbuzje, shplarje duarsh, rivlerësim i moteve të ikura sllave që ai u shërbente si ikonë, madje përbuzje të përndjekurish e justifikim tiranie dhe pushtimi të gjatë…
Veçse i gjithë rrëfimi në mediat ku ai, rëndom, do të gëzojë një afrimitet subtil, humbet fillin, tashmë jo vetëm moral si reflektim i vonë katarsist, por dhe, thjeshtë, logjik.
1. Thotë t’ketë qenë shenjë e armiqëve të Kosovës dhe popullit shqiptar. Por si? Si është e mundur kjo pandehmë kur po ky popull, populli tij, e kishte cilësuar vetë të tillë në përplasjet e zjarrta të dekadës së 80-të në shekullin e shkuar? Tani, po rrjedhoi kështu, aherë peshorja idhnake do ta nxjerrë atë armik të rrallë në botë: armik të dyfishtë. Ç’dhimbsuri!
2. Mandej kujton atë që dijnë të gjithë njerëzit e mirë: se shqiptarët kjenë detyruar të jetonin në Serbi e Jugosllavi. Por, si? Më poshtëvjen sërish shqyrtesa kundërshtimore. Shihni çudinë: në Kryengritjen pranverore, kur ky kishte zënë pritë e fërkonte duart për gjahun që i vinte, rinia shqiptare paskësh milituar vetëm stalinizëm. Si ndodh të mbahet një nacion i tërë me dhunë në një sajesë burgu kolektiv, e të mos demonstrojë vullnetin për të këputur zinxhirët e egër të saj? Alfabeti i lirisë nuk e ka njohur akoma këtë ekzemplar të pamundur. As sot dhe askurrë. Shqiptarët kërkuan Republikë. Jo si formë regjimi. Kjo s’ishte realiste në mesnatën e hemisferës së tërbuar bolshevike. Ata do të ngriheshin, prandaj, për njësinë federale të barabartë me kombet e tjerë.
3. Akti atentues s’mund të ketë asnjë kohezion shkakësor me Gjykatën speciale. Unë nuk jam dëshmitar, sepse isha prorë larg ngjarjeve të luftës e shkatrrimeve, flet ai. Së fundmi, s’mund t’mos pyesim prapë, si? Si u bë, pra, që i kadifenjti i mirëkujdesur, pasivisti indiferent për epilogun e përgjakjes a largqëndruesi i ftohtë nga drama e luftës, të shpallej e, më pas, të pranonte statusin e veteranit krenar të saj?
Ç’logjikë e errtë. Fatkeqe dhe, gati, rrezikzezë. Por kur njeriu ka zemrën plot helm, aherë, sado përpjekëse, dhe logjika e trathton.
Çdo gjë ka një kohë. E pati dhe Vllasi të tijën. Si do t’i zbërthente prurjet dhe kodet e saj dihet kristalisht qartë, pa nëvojën që këtë ta bëjnë arkivat dhe brezat që vijnë. Dhe ai kohë tjetër të dytë nuk do të ketë më.
Komentet