Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 11 janar 2023.
Mimoza Sadiku
Procesi i dialogut, plani evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishin ndër temat e diskutimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Kështu thuhet në njoftimin për media të 11 janarit të Zyrës së Kryeministrit.
“U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.
Para Kurtit, Chollet, i cili më 11 janar nisi vizitën në Kosovë, takoi presidenten Vjosa Osmani.
Në takim, presidentja Osmani, sipas një njoftimi për media, tha se angazhimi i shtuar i SHBA-së në dialogun me Serbinë është “vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Kosovës”.
Ajo përsëriti qëndrimin se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.
“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Osmani.
Chollet dhe Osmani, sipas Presidencës kosovare, biseduan edhe për zhvillimet në rajon dhe botë dhe ajo tha se me mbështetjen e Rusisë, “Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon”.
Zyrtari amerikan takoi edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Në rrjetin social në Facebook, nënkryetar i kësaj partie, Dalibor Jevtiq, tha se në takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe atë të sigurisë.
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, me përfaqësuesit e Listës Serbe.
Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan vjen në kohën e përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Këshilltari i DASH-it, në takimin me Osmanin dhe Kurtin, ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Chollet më herët gjatë 11 janarit qëndroi edhe në Shkup, teksa pas Prishtinës do të niset drejt Beogradi.
Para nisjes së vizitës në Kosovë, DASH tha se ai do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.
Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se vizita e zyrtarit të lartë amerikan është e rëndësishme, sa i përket dinamizimit të procesit të dialogut.
“Është e qartë se kërkesa kryesore e Chollet do të jetë angazhimi më i madh, më energjik, më i mirëfilltë, më kualitativ i Qeverisë së Kosovës në dialog sepse edhe investimet madhore amerikane në Ballkan janë të drejtuar në arritjen e marrëveshjes finale dhe gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e një etape të re historike”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Sa i përket Serbisë, Muhaxhiri thotë se ky shtet ka presione të mëdha, si nga SHBA-ja, po ashtu edhe nga BE-ja, mirëpo sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po tenton që fokusin ta vendosë te “mospajtimet dhe refuzimet e Kosovës ndaj kërkesave amerikane”.
“Por, është absolutisht e qartë që edhe Serbia do të duhet të bëjë kompromise shumë të mëdha nëse dëshiron që të mos stigmatizohet si bllokuese e procesit dhe nëse dëshiron që të ketë të ardhme normale evropiane”, thotë ai.
Fokusi te plani franko-gjerman
Vizita e Chollet në Kosovë dhe Serbi vjen disa javë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që kulmoi me vendosjen e barrikadave nga grupe të serbëve lokalë në veri të shtetit, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.
Vetë Chollet deklaroi se u shpenzuan kohë në përpjekjet diplomatike në uljen e tensioneve, në vend se palët të përqendroheshin në dialog.
Në këtë drejtim, ai ka përmendur planin franko-gjerman, apo siç po quhet së fundi edhe si plani i BE-së, që synon çuarjen përpara të dialogut drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
“Mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajë nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre”, ka deklaruar Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës të dhënë më 6 janar.
Muhaxhiri pret që pikërisht plani franko-gjerman të jetë në fokus të vizitës së Chollet në Prishtinë dhe Beograd. Sipas tij, ky plan, që nuk është bërë publik, por u është dorëzuar palëve vitin e kaluar, po konsiderohet si baza më realiste për dialog, andaj ai thotë se palët janë të interesuara që të dialogojnë mbi këtë bazë.
“Mirëpo, natyrisht që edhe çështja e Asociacionit është pjesë e planit franko-gjerman dhe zoti Chollet do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të gjendet një zgjidhje kreative për angazhimin e Qeverisë kosovare në këtë aspekt, sepse me bllokadën aktuale të kësaj teme rrjedhimisht bllokohet edhe dialogu”, thotë Muhaxhiri.
Zyrtarët në SHBA janë shprehur se prioritet për ta është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje, më 2013 dhe më 2015.
Edhe evropianët kanë kërkuar që Kosova të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, teksa Muhaxhiri thotë se pa nisur së trajtuari këtë temë, “nuk mund të ketë ndonjë avancim kuptimplotë në dialog”.
SHBA-ja madje ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk do të krijojë Asociacionin, për të do të gjenden “partnerë alternativë”. Sipas Muhaxhirit, kjo formë është presion indirekt që kjo çështje të zgjidhet, nëse presioni direkt ndaj Qeverisë nuk rezulton i suksesshëm.
“Prandaj, kjo ideja e kërkimit të bashkëpunëtorëve alternativë ka ardhur pas refuzimeve të Qeverisë së Kosovës që të bisedohet për Asociacionin, për çfarëdolloj formati të Asociacionit, edhe pse SHBA-ja e ka bërë të qartë 100 herë se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të lejohet bosnjëzimi i Kosovë”, thotë ai.
Pavarësisht kërkesave të SHBA-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një Asociacioni njëetnik.
Por, Muhaxhiri thotë se Kosova nuk ka shumë alternativa dhe se duhet të pranojë një zgjidhje edhe nëse përfshin Asociacionin në të.
“Gjithsesi edhe Kosova duhet të bëjë kompromise në mënyrë që të shkohet përpara”, thotë ai.
Radio Evropa e Lirë siguroi propozimin e BE-së, që njihet si plani franko-gjerman, që synon të çojë përpara procesin e dialogut.
Në të parashihen të drejta të barabarta të Kosovës dhe Serbisë, respektim të integritetit territorial, mosprekjen e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Muhaxhiri thotë se Kosova do të përfitonte njohjen e pesë shteteve mosnjohëse të BE-së dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Sipas dokumentit të siguruar nga REL-i, aty nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në OKB, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
“Nisma diplomatike ka për qëllim që Serbia ‘të detyrohet’ që të diskutojë për planin franko-gjerman”
Pas Prishtinës, Chollet do të qëndrojë në Beograd më 12 janar. Sipas kryetarit të Komisionit për Kosovën në Parlamentin serb, Millovan Drecun, Serbia nuk do të refuzojë kurrë bisedimet me faktorin ndërkombëtar.
“Por, është plotësisht e qartë se biseda do të jetë shumë e shkurtër. Prandaj, ne refuzojmë çdo ide për ta trajtuar Kosovën si shtet”, tha për REL-in Drecun, i cili është pjesë e Partisë Progresive Serbe, të presidentit Vuçiq.
Millovan Drecun tha se nisma e ardhshme diplomatike ka për qëllim që Serbia “të detyrohet” që të diskutojë për planin franko-gjerman.
Në janar, në Kosovë dhe Serbi po ashtu pritet të qëndrojnë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ata pritet të shoqërohen nga të dërguarit e presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Emmanuel Bonne dhe Jens Pletner.
Emisarë evropianë dhe amerikanë po ashtu kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë muajve të fundit. Fushatat diplomatike, sipas Muhaxhirit, janë treguar të suksesshme në të kaluarën.
“Është një privilegj për Kosovën që ekziston një interesim kaq i madh për arritjen e marrëveshjes finale nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, pasi që edhe në Rambuje dhe Vjenë është dëshmuar se kjo është qasja e vetme e cila mund të dërgojë deri në suksesin e marrëveshjeve”.
“E njëjta po ndodh edhe tash, prandaj edhe Kosova duhet të jetë bashkëpunuese me ndërkombëtarët në mënyrë që të përfitojë nga interesimi i tyre dhe që përfundimisht dialogu me Serbinë ta marrë një epilog dhe kjo të shndërrohet në një etapë historike për Kosovën, dhe Ballkanin në përgjithësi”, thotë ai.
“Vijat e kuqe” të Serbisë
Përderisa propozimi i BE-së, në Kosovë është pranuar dhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është parë si “bazë e mirëpër diskutime të mëtejme”, zyrtarët në Serbi janë shprehur më të rezervuar.
Madje Kurti ka deklaruar se Serbia e ka refuzuar këtë plan, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Nacional të Sigurisë të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, duke iu referuar një deklarate të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, që atëbotë deklaroi se Serbia nuk do të mund të pranonte një plan ku njihet pavarësia e Kosovës.
Daçiq më 10 janar tha se Serbia ka tri vija të kuqe sa i përket Kosovës: çdo marrëveshje e arritur duhet të zbatohet, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe garantimi i sigurisë së serbëve që jetojnë në Kosovë.
Interesimi i ndërkombëtarëve për marrëveshjen finale
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se viti 2023 mund të jetë vit vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme.
Ai ka deklaruar se “dritarja e vetme e mundësive” që të arrihet një marrëveshje është nga marsi i këtij viti deri në dhjetor apo në fillim të vitit të vitit 2024.
Loic Tregoures, profesor i shkencave politike dhe ekspert për Ballkanin, i tha Shërbimit të Ballkanit të REL-it, se Uashingtoni dhe Brukseli, me këto përpjekje po dëshirojnë të shmangin shpërthimin e një konflikti të ri.
Sipas tij, 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, është koha që palët të arrijnë një marrëveshje dhe se është në interesin e Prishtinës që të përshpejtohet ky proces për të normalizuar situatën e saj ndërkombëtare.
“Megjithatë, nga pikëpamja e Serbisë nuk ka nguti, status quo-ja është e mirë për presidentin Vuçiq”, tha ai.
Tregoures shtoi se sa më shpejt që mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, BE-ja mund t’ia kujtojë Vuçiqit se të qenët kandidat për BE nënkupton se duhet të jesh serioz për disa çështje “që aktualisht po mbahen të heshtura”. Në këtë drejtim ai përmendi reformat në sundimin e ligjit, gjyqësor, lirinë e medias, legjislacionet për mjedisin si dhe luftën kundër korrupsionit.
Kosova dhe Serbia dialogojnë me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.
Prishtina kërkon që marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar saktësisht se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Kushtetuesja vendosi që ta rikthente në detyrë Ballukun deri në shqyrtimin e kërkesës më 22 janar, një seancë e cila do të jetë publike.
Por çfarë mund të bëjë SPAK? Gazetarja Klodiana Lala tha se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk e prek hetimin e Prokurorisë së Posaçme. Megjithatë pritet të shihet lëvizja që mund të ndërmarrë Prokuroria, nëse do të shkojë më tej me një masë më të ashpër si ajo e arrestit shtëpiak apo të arrestit në burg, për të cilën do të duhet që të kërkojë autorizimin nga Kuvendi.
“Mund t’i drejtohet komisionit të Mandateve dhe të kërkojë autorizim për masa të tjera ndaj Ballukut. Por për arrest shtëpiak, me burg apo kontroll banese do të duhet të merret autorizim nga Kuvendi. Mbetet në fuqi ndalimi i daljes jashtë vendit. Gjykata Kushtetuese nuk mund të shprehet për këtë se kryeministri nuk ka ngritur asnjë pretendim në lidhje me këtë pjesë.”, tha Lala. gsh
Çmimet e larta janë çështja më shqetësuese ekonomike e shqiptarëve sipas rezultateve të Barometrit të Ballkanit 2025 të publikuar së fundmit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.
Për 72 për qind të shqiptarëve rritja e çmimeve janë problemi më madhor, niveli më i lartë në Rajon, pas Kosovës ku për 77 % të qytetarëve atje çmimet janë një problem shqetësues.
Sipas KRB në vitin 2025, rritja e çmimeve dhe inflacioni vazhdojnë të kryesojnë listën e shqetësimeve publike, të përmendura nga 66% e të anketuarve, një rritje e lehtë nga 64% në vitin 20241. Situata e përgjithshme ekonomike mbetet çështja e dytë më e përmendur me 44%, duke shënuar një rënie graduale nga 45% në vitin 2024 dhe 47% në vitin 2023. Korrupsioni shihet ende si një sfidë kryesore, e identifikuar nga 35% e qytetarëve në vitin 2025, krahasuar me 36% në vitin 2024 dhe 27% në vitin 2023.
Qytetarët në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor (ËB6) vazhdojnë ta shohin bashkëpunimin rajonal si një nxitës të fuqishëm të progresit.
Barometri më i fundit tregon se pothuajse gjysma e të anketuarve në të gjithë ËB6 tani i kushtojnë më shumë rëndësi asaj që e bashkon rajonin sesa asaj që e dallon atë, ndërsa vetëm rreth 14% përqendrohen më shumë te përçarjet dhe afërsisht një e treta mbeten neutralë.
Në vitin 2025, mosbesimi historik dhe politika nacionaliste vazhdojnë të shihen si pengesat kryesore për bashkëpunimin rajonal midis 6 vendeve të Rajonit.
Mbështetja për anëtarësimin në BE është rritur në të gjithë BP6-ën, duke arritur në 64% në përgjithësi krahasuar me 54% në vitin 2024. Shqipëria (86%) dhe Kosova* (78%) tregojnë mbështetjen më të fortë. Edhe vendet e tjera të BP6-ës shënojnë rritje të dukshme, duke reflektuar një optimizëm në rritje rreth integrimit në BE në rajon.
Mbështetja për anëtarësimin në BE në BP6 është në nivelin më të lartë në një dekadë, duke u rritur nga 39% në vitin 2016 në 64% në vitin 2025. Gjatë së njëjtës periudhë, pjesa e atyre që e konsiderojnë anëtarësimin në BE ”të keq” ka rënë nga 20% në vetëm 9%, duke sinjalizuar një optimizëm në rritje dhe një rënie të skepticizmit ndaj integrimit evropian.
Pritjet për anëtarësimin në BE në BP janë bërë pak më optimiste në vitin 2025. Një pjesë gjithnjë e në rritje e të anketuarve tani perceptojnë se anëtarësimi mund të ndodhë deri në vitin 2030 (26%, nga 20% në vitin 2024) ose deri në vitin 2035 (25%, nga 23%).
Në të njëjtën kohë, më pak njerëz presin që kjo të ndodhë pas vitit 2040 (9%, nga 11%) ose besojnë se nuk do të ndodhë kurrë (17%, nga 18%), ndërsa pikëpamjet se anëtarësimi do të ndodhë rreth vitit 2040 mbeten përgjithësisht të qëndrueshme (13% kundrejt 14%).
Qytetarët n e 6 vendeve e lidhin gjithnjë e më shumë anëtarësimin në BE me përfitime, veçanërisht fitimet ekonomike dhe lëvizshmërinë. Prosperiteti ekonomik mbetet pritja kryesore, e përmendur nga 47% e të anketuarve (nga 43% në vitin 2024), e ndjekur nga liria për të udhëtuar, e cila është rritur në 36% (nga 27% në vitin 2024). Liria për të studiuar dhe punuar në BE, si dhe paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm, përmenden secila nga 28% e të anketuarve (krahasuar me 35% dhe 27% përkatësisht në vitin 2024).
Në vitin 2025, qytetarët në 6 vendet e Perëndimit raportojnë një rritje në përdorimin e shërbimeve digjitale krahasuar me vitin 2024. Sipas perceptimeve publike, blerjet online (44% kundrejt 36%) dhe shërbimet bankare online (37% kundrejt 31%) mbeten shërbimet më të përdorura, duke nënvizuar rolin në rritje të mjeteve digjiitale në jetën e përditshme.
Përqindja e të anketuarve që thonë se përdorin inteligjencën artificiale është pothuajse trefishuar (29% kundrejt 10%), ndërsa ata që raportojnë përdorimin e transmetimit të videos janë rritur gjithashtu (26% kundrejt 21%), duke treguar një ppanoramë digjital që po diversifikohet me shpejtësi. Në të kundërt, përdorimi i perceptuar i shërbimeve të qeverisjes elektronike ka mbetur përgjithësisht i qëndrueshëm (19% kundrejt 20%).
Perceptimet publike për rreziqet e lidhura me krimet në internet kanë rënë (40% kundrejt 46%). Shqetësimi për sigurinë e pagesave online ka rënë gjithashtu (26% kundrejt 30%).
Në vitin 2025, qytetarët në ËB6 tregojnë një ndërgjegjësim më të lartë për sfidat mjedisore në komunitetet e tyre lokale, veçanërisht ato që lidhen me ndotjen. Ndotja e ajrit përmendet më shpesh (61%, nga 57% në vitin 2024), ndërsa shqetësimi për ndotjen e ujit është rritur gjithashtu (52% kundrejt 43%), e ndjekur nga ndotja e tokës (44% kundrejt 38%).
Në të gjithë BP6-ën, qytetarët shprehin nivele relativisht më të larta besimi në disa institucione kyçe. Organizatat fetare shihen më pozitivisht, me 69% të të anketuarve që raportojnë ‘mjaft’ ose ‘shumë’ besim, të ndjekura nga forcat e armatosura (62%) dhe Bashkimi Evropian (60%).
Në të njëjtën kohë, opinioni publik mbetet kritik ndaj institucioneve kryesore politike vendase. Partitë politike tërheqin nivelet më të larta të mosbesimit, me 77% që shprehin pak ose aspak besim, të ndjekura nga parlamentet (70%) dhe mediat sociale (69%).
Në vitin 2025, të rinjtë në BP6 (mosha 18-24 vjeç) shprehin besim të përtërirë në përfitimet e anëtarësimit në BE. Pas një rënieje graduale nga 70% në vitin 2021 në 59% në vitin 2024, pjesa e të rinjve që e shohin anëtarësimin në BE si të mirë për ekonominë është rritur në 71%, duke arritur nivelin më të lartë në pesë vjet dhe duke sinjalizuar një ringjallje të fortë të optimizmit në lidhje me integrimin.
Të rinjtë i shohin çmimet në rritje/inflacionin (58%), situatën ekonomike (37%) dhe korrupsionin (36%) si sfidat kryesore ekonomike, ndërsa i japin më shumë peshë se popullsia e përgjithshme ikjes së trurit/emigrimit (28%) dhe cilësisë së arsimit (20%). Papunësia (27%) mbetet një shqetësim kryesor, ngjashëm me popullsinë e përgjithshme (25%)./Monitor
U zgjodh Avokat i Popullit me firmat dhe bojkotin e PD dhe votat e PS, Endri Shabani: I befasuar me opozitën, në fillim më inkurajuan dhe më pas më braktisën – Shqiptarja.com
Endri Shabani do të jetë Avokati i ri i Popullit dhe do të zëvendësojë Erinda Ballancën, e cila 3 vitet e fundit ishte me mandat të mbaruar.
Pasi u zgjodh pas një seance maratonë (11 dhjetor) me 85 vota pro, të ardhura nga socialistët dhe socialdemokratët, Shabani ka reaguar për herë të parë në rrjetet sociale.
Teksa falenderon mazhorancën për votat që i dhanë, nga ana tjetër Shabani nuk lë pa përmendur opozitën, e cila fillimisht i dha votat për kandidaturë, por që më pas u tërhoq nga kandidatura e tij.
Shabani shprehet i befasuar lidhur me ndryshimin e qëndrimit të opozitës karshi kandidaturës së tij. Sakaq ai falenderon 35 deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre i dhanë mundësinë të kandidojë për postin e Avokatit të Popullit.
“Mbrëmë mora kandidaturën time si Avokat i Popullit një votëbesim sa të rëndësishëm dhe personalisht prekës, aq edhe surprizues për nga dinamika e zhvillimit në sallën e Kuvendit. Mbetem akoma i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me dashamirësi, më dhanë firmat e tyre sipas ligjit dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time a thua se nuk ishte e tyrja.
Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës, fillimisht refuzuan të më jepnin qoftë edhe një firmë, megjithëse disa prej tyre i kam miq, me argumentin se PS nuk do të hynte në këtë punë të opozitës, por në momentin final më votuan që të gjithë, madje me votë të fshehtë, duke më besuar detyrën e Avokatit të Popullit. E gjithë kjo dinamikë ishte diçka që s’do ta besoja dot po të ma tregonin më parë dhe nuk e lija dot pa e shënuar.
Megjithatë, me keqardhje për vijën e pakuptueshme të partisë së tyre, dua t’i falënderoj sinqerisht 35 deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre më dhanë mundësi të kandidoj për këtë funksion kushtetues. I siguroj se nuk do t’u jap arsye për të menduar ndonjëherë se bënë gabim që më mbështetën në fillim apo se bënë gjënë e duhur që nuk më votuan në fund”, shkruan Shabani.
Ndër të tjera ai thekson se vota e mazhorancës ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave.
“Gjithashtu, nuk mund të mos i falënderoj po aq sinqerisht deputetët e mazhorancës, pavarësisht se jam i vetëdijshëm që, më shumë se për mua, vota e tyre ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave, ku ky ngërç shënohej si detyrë e pakryer shtëpie.
Dua të vlerësoj në veçanti faktin që duke më dhënë votën, deputetët e mazhorancës i dhanë përparësi si skuadër funksionimit të shtetit, dhe kapërcyen njerëzisht faktin që unë, si aktivist i angazhuar në radhët e opozitës, kam bërë dhe thënë gjëra për të cilat me siguri nuk iu ka ardhur mirë. U shpreh respekt për nivelin dallueshëm më të lartë politik dhe i siguroj se në kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme do të bëj më të mirën për të gëzuar respektin e të gjithëve. Faleminderit!”, përfundon ai.
Demokratët që kishin mbështetur me firma 6 kandidatë, por më pas deklaruan tërheqjen nga nënshkrimet, që në fillim të seancës në mëngjesin e djeshëm kërkuan heqjen nga rendi i ditës të zgjedhjes së Avokatit të të Popullit.
Ekonomia e vendit u zgjerua me 3.5 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, por të dhënat e fundit nga anketa e INSTAT tregojnë se në qershor-shtator numri i të punësuarve në grup-moshën 15-64 vjeç ra me 19,561 persona në krahasim me të njëjtën periudhe të 2024.
Teksa punësimi ra, papunësia mbeti në vend-numëro e pandryshuar në krahasim me një vit më parë, duke sinjalizuar se, problemet kryesore lidhen jo me rritjen e personave që kërkojnë punë, por me tkurrjen e vetë forcës së punës.
Rënia e shpejtë e popullsisë po e bën të palexueshëm faktin se sa vende pune po hapen realisht nga zhvillimi ekonomik.
Duke analizuar të dhënat sipas grup-moshave shihet tkurrja më e fortë e numrit të të punësuarve është tek të rinjtë 15–29 vjeç mbi 11 mijë persona më pak të punësuar se një vit më parë.
Ky grup është ai që kontribuon më shumë në uljen e përgjithshme të punësimit dhe pasqyron se emigracioni i të rinjve vazhdon me ritme të larta. Edhe grup-mosha 30–64 vjeç ka pësuar rënie me mbi 8,500 persona, çka sugjeron se jo vetëm të rinjtë, por edhe punonjësit me eksperiencë po largohen nga tregu i punës, shpesh drejt emigracionit.
Krahas efektit demografik punësimi po ndikohet nga kriza që ka përfshirë sektorët me intensitet të lartë pune të tilla si industria dhe bujqësia. Shumë biznese, veçanërisht në sektorët që punësojnë numër të madh punonjësish si prodhimi fason po shkurton punonjës për shkak të falimenteve që po vijnë nga rënia e kërkesës në tregjet ndërkombëtare dhe humbjet e kursit të këmbimit.
Nga ana tjetër nën-sektorët e ndërtimit, shërbimet dhe aktivitetet sezonale kanë ulur ritmet e rekrutimeve për shkak të kostove në rritje dhe presionit të pagave.
Zhvillimet demografike mbeten problematike. Popullsia në moshë pune po zvogëlohet, numri i të rinjve që hyjnë në treg vazhdon të bjerë, ndërsa emigracioni mbetet i lartë.
Në një treg pune me më pak ofertë punonjësish, ulja e punësimit reflekton tkurrje të fuqisë punëtore. Në tremujorin e tretë 2025 forca e punës në moshën 15-64 vjeç ishte 1,150,656 persona ose 20,344 persona më pak se në të njëjtën periudhe të një viti më parë, me tkurrje -1.7%.
Në vendet e zhvilluara ulja e punësimit sjell automatikisht rritje të papunësisë, por në Shqipëri një pjesë e atyre që humbin vendin e punës nuk regjistrohen si të papunë sepse janë të gatshëm të largohen jashtë vendit, ose zgjedhin të mos jenë aktivë në treg deri sa të gjejnë kushte më të favorshme./ Monitor
Adriatik Lapaj vazhdon te protestoje tek kryeministria.Nga rrjeti coacial shkruan:
“Me Edona Haklaj ditë natë përballë të pangopurit Edi Rama!
Na duhet 1 gjenerator i vogël pasi Bashkia Tiranë nuk po na jep korent. Ata duan të dorëzohemi nga i ftohti. Nuk do ndodh!
Shënim: MOS HARRONI, Kryeministri Bullgarisë dha sot dorëheqjen pas protestave disa javore.
Çdo ditë ora 17.00 takohemi te Kryeministria!”
Kreu i “Shqipëria Bëhet” komentoi edhe kandidaturen e Endrit Shabanit per kreun e Avokatit te Popollit:
“Personalisht për mua është një ditë krenarie e madhe, pse do të thoni ju? Sepse tërë këto muaj, më është dashur që të mbaj mbi supe tradhtinë e një njeriu 5 lekësh, që sot po dëshmohet në Parlament se ishte shërbëtor i Edi Ramës.
Sot në Parlament po luhet një akt i turpshëm, po garantohet që të shpërblehet tradhtari i kauzës, i cili ka qenë në në fillim me atë qëllim”, tha Lapaj.
Kujtojmë që Lapaj dhe Shabani ishin aleatë në zgjedhjet e 11 majit, por dyshja pësoi një krisje të fortë në shtator, pasi daja i Shabanit, tentoi të marrë mandatin e Lapajt.
Me zjarr diskutimesh, deputetët e PD-së kërkuan që të hiqej nga lista emri i Endri Shabanit, i cili bashkë me pesë të tjerë, është propozuar për tu zgjedhur në krye të institucionit të Avokatit të Popullit. Çdo fjalë e thënë opozitare ishte një shfaqje tallëse, jo në raport me kundërshtarin politik, por me mbështetësit e saj.
Opozita minimalisht sot në Parlament kohën e diskutimeve duhet ta kishte shfrytëzuar për të kërkuar një ndjesë të madhe publike, sesi me ndërgjegje të plotë, u bë pjesë e kësaj skeme të cilën publikisht tentojnë ta zhbëjnë.
Fakti është që Endri Shabani, deri pak javë më parë drejtues i Partisë Nisma Thurje, një kritik i madh i opozinës dhe mbrojtës i butë i mazhorancës, mblodhi plot 35 firma mbështetesë pikërisht nga deputetët e PD-së, që sot thonë se tërhiqen nga mbështetja. Asnjë vlerë juridike, e mbi të gjitha një hendek i madh të moralit politik të opozitës, e cila tashmë noton në ujërat e ndotura që e mbushi vetë në kazanin e pushtetit.
“…ne tërhoqëm firmat. Dhe ju vazhdoni tani, sepse ju e dini se Lepuri i Surrelit (shënim: i referohet Endri Shabanit), nuk merr dot asnjë firmë. Jo, nuk i merr dot”, tha kryetari i PD-së Sali Berisha.
Po çfarë vlere ka tërheqja në një kohë kur gjithë kjo skemë e rëndë zhbëri një proces normal, ku opozita mund të dilte me një emër të saj?! Ajo u tall keq edhe me pesë kandidatët e tjerë të cilët u “përzgjodhën” bashkë me “xholin” Shabani. Tashmë pesë të përzgjedhurit e tjerë; Ardiana Kalaja, Aranita Brahja, Besim Ndregjoni, Skënder Haluca dhe Tartar Bazaj, për turpin e opozitës parlamentare janë thjesht dekor i emrit Endri Shabani. Në të vërtetë “Lepuri i Surrelit”, fjeti me jo pak, por 35 deputetë të PD-së. Tani zoti Berisha êshtë koha të hapni krahun nëse sju dëgjojnë dhe ju kanë dalë nga kontrrolli ose të kërkoni falje i pari nëse ju kanë dalë nga kontrrolli pa leje. Zakonisht stë dalin nga kontrrolli pa leje as Gaz Bardhi as Flamuri, as Alimehmeti dhe as Saliani, thjesht bëjnë sikur.
Në ditën kur Kuvendi pritet të shqyrtojë paketën e re fiskale, Dhoma Amerikane, organizata që përfaqëson interesat e komunitetit të investitorëve amerikanë dhe shqiptarë, ka dalë me një deklaratë të fortë kundër projektligjit “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”.
Sipas vlerësimit professional të Dhomës, evidentohen një sërë problematikash me ndikim të gjerë juridik, ekonomik dhe të qeverisjes fiskale, që lidhen me faktorë të tillë si rrezik i lartë për cënimin e konkurrencës së ndershme; Mundësi reale për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë dhe pastrim parash; Ulje të cilësisë së administrimit tatimor; Pasoja serioze ekonomike dhe fiskale në buxhetin e shtetit dhe nxitje të skemave të zhvendosjes së bizneseve drejt normave më të ulëta. Dhoma thotë gjithashtu se drafti ka probleme ligjore dhe cënim të parimeve themelore të taksimit si dhe ka pasur mungesë transparence dhe konsultimi publik të pamjaftueshëm.
Më herët, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh kundër kësaj nisme. Shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Anke Weber u shpreh së fundmi se “kemi shqetësimin se disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale”.
Në deklaratën e sotme Dhoma Amerikane i ka detajuar shqetësimet e saj:
Rrezik i lartë për cënimin e konkurrencës së ndershme
Projektligji propozon një skemë në të cilën bizneset që kanë deklaruar me korrektësi fitimet ndër vite vendosen në një pozicion të pafavorshëm, ndërsa subjektet që kanë shmangur detyrimet tatimore përfitojnë drejtpërdrejt.
Parashikimi i një rritjeje të detyrueshme prej 18% të fitimit të vitit paraardhës, pavarësisht sektorit apo performancës reale të tatimpaguesit, zëvendëson procesin e vetëdeklarimit me një formulë arbitrare që nuk reflekton performancën reale financiare të subjektit dhe krijon një barrë të padrejtë për tatimpaguesit e rregullt.
Në të kundërt, bizneset me deklarime fitimesh historikisht të ulëta përfitojnë nga baza e ulët e llogaritjes, duke shkaktuar shtrembërim të ndjeshëm të konkurrencës. Kjo situatë dëmton bizneset serioze dhe bie ndesh me parimin kushtetues të barazisë para ligjit.
Mundësi reale për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë
Projektligji lejon rideklarimin e pasqyrave financiare të pesë viteve të fundit, përfshirë deklarimin e mjeteve monetare të paraportuara më parë, fshirjen e detyrimeve apo deklarimin e aktiveve të tjera të paregjistruara, pa qenë e nevojshme të justifikohen si gabime kontabël/tatimore apo mosdeklarime të qëllimshme. Në çdo rast, diferencat tatohen me një normë të reduktuar prej vetëm 5%. Ky ndryshim i pasqyrave financiare historike lejohet pa dokumentacion mbështetës ose justifikime të qarta, duke rrezikuar kështu edhe parimet themelore të Standardeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Kontabilitetit që kërkojnë qëndrueshmëri dhe besueshmëri të informacionit financiar.
Mungesa e detyrimit për të verifikuar origjinën e fondeve krijon rrezikun që përmes kësaj skeme të legalizohen kapitalet me burim të paqartë ose potencialisht kriminal.
Mospërfshirja e mekanizmave të fortë të kontrollit në përputhje me legjislacionin kundër pastrimit të parave dhe përjashtimi i audituesve nga përgjegjësitë për diferencat e krijuara e shtojnë rrezikun që kjo nismë të perceptohet si një formë e tërthortë e amnistisë fiskale.
Një zhvillim i tillë cënon besimin e tatimpaguesve në sistemin fiskal dhe dëmton reputacionin ndërkombëtar të vendit, veçanërisht në kuadër të vlerësimeve nga BE dhe Moneyval.
Gjithashtu, projektligji mund të rrezikojë përpjekjet e vendit për të përmbushur rekomandimet e task-forcës BEPS (Base Erosion and Profit Shifting) të OECD-së, të cilat synojnë luftën kundër evazionit fiskal ndërkombëtar.
Ulje e cilësisë së administrimit tatimor
Projektligji kufizon ndjeshëm kontrollin tatimor mbi tatimin mbi të ardhurat gjatë periudhës së marrëveshjes, duke u bazuar vetëm në verifikime administrative “nga zyra”. Kjo qasje dobëson aftësinë e administratës tatimore për të identifikuar shmangiet dhe krijon një terren të favorshëm për abuzime.
Projektligji nuk ofron kritere të qarta dhe objektive për përzgjedhjen e tatimpaguesve që mund të përfitojnë nga marrëveshja e paqes fiskale (siç mund të ishin vlerësimi i riskut tatimor, performanca historike e deklarimeve etj., për të shmangur përfshirjen e tatimpaguesve, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë shmangur taksat). Gjithashtu, projektligji nuk përmban afate të detyrueshme brenda të cilave administrata tatimore duhet të shqyrtojë kërkesën e tatimpaguesit dhe të hartojë e dërgojë propozimin e marrëveshjes.
Për më tepër, mundësia për rinovimin e marrëveshjes deri në dy vite të tjera krijon një varësi midis administratës dhe tatimpaguesve, duke e kthyer këtë instrument në një mekanizëm potencial presioni apo favorizimi me rrezik të lartë për korrupsion.
Pasoja serioze ekonomike dhe fiskale
Norma tatimore e aplikuar prej vetëm 5% mbi rritjen fitimit mbi 18% dhe për rideklarimet e zërave financiarë, krijon një hendek të konsiderueshëm ndërmjet normave tatimore të rregullta (15% për të ardhurat e korporatave dhe 23% për kategori të caktuara biznesesh) dhe normës preferenciale të skemës. Ky dallim i madh nuk ka justifikim ekonomik dhe krijon një nxitje të fortë për të gjitha bizneset të lëvizin drejt skemës së “paqes fiskale”, duke reduktuar ndjeshëm të ardhurat potenciale të buxhetit të shtetit. Në një periudhë ku kërkohet stabilitet fiskal dhe parashikueshmëri, kjo skemë nxit shmangien tatimore dhe tkurr bazën ekzistuese tatimore.
Për më tepër, duke pasur parasysh se mbi 90% e tatimpaguesve aktualisht përfitojnë përjashtime tatimore, baza tatimore ngushtohet edhe më tej, duke rritur pabarazinë dhe duke ulur efikasitetin fiskal.
Probleme ligjore dhe cënim i parimeve themelore të taksimit
Projektligji prek disa parime bazë të së drejtës tatimore dhe kushtetuese, duke përfshirë:
parimin e barazisë para ligjit;
parimin e sigurisë juridike;
parimin e proporcionalitetit;
parimin e trajtimit të barabartë të tatimpaguesve.
Projektligji nuk shoqërohet me aktet nënligjore që do të mundësonin zbatimin e tij, ndërkohë që parashikohet që këto akte të miratohen tre muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit – një afat që krijon pasiguri të lartë ligjore dhe operacionale.
Projektligji dërgon një mesazh të gabuar për komunitetin e biznesit, duke krijuar perceptimin se përputhshmëria vullnetare me ligjet tatimore nuk shpërblehet, ndërsa shmangiet tatimore mund të përfitojnë nga mekanizma të përkohshëm amnistie. Studimet ndërkombëtare kanë treguar qartë se skemat e tilla dëmtojnë rëndë kulturën e përputhshmërisë tatimore në periudhën afatgjatë.
Mungesë transparence dhe konsultimi publik të pamjaftueshëm
AmCham shpreh shqetësim për mungesën e transparencës dhe konsultimit të gjerë publik gjatë hartimit të këtij projektligji (dhe nismave të tjera të paketës fiskale 2026). Afati i kufizuar për shqyrtimin dhe dhënia e sugjerimeve të një nisme me ndikim kaq të rëndësishëm fiskal, ekonomik dhe juridik nuk përputhet me praktikat e mira të legjislacionit.
Procesi i përshpejtuar kufizon aftësinë e bizneseve dhe ekspertëve për të dhënë komente cilësore, duke minuar besimin në procesin ligjvënës dhe duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë dhe legjitimitetin e kësaj reforme.
Projektigji të rishikohet
Dhoma Amerikane ka kërkuar kërkon kthimin dhe rishikimin e plotë të projektligjit. Shqipëria ka nevojë për politika fiskale që:
nxisin formalizimin dhe sjelljen e ndershme fiskale;
garantojnë konkurrencë të drejtë;
forcojnë integritetin e administratës tatimore;
ruajnë besimin e biznesit dhe reputacionin ndërkombëtar të vendit.
Reformat fiskale duhet të mbështeten në parime të qarta të transparencës, barazisë dhe sundimit të ligjit, standarde që ky projektligj, në formën aktuale, nuk i përmbush plotësisht, përfundon deklarata e Dhomës.
Drafti për paqen fiskale
Projektligji “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” përcakton se bizneset me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë që do të hyjnë vullnetarisht në marrëveshje me administratën tatimore për të parapaguar tatim fitimin për 1 vit me të drejtë rinovimi edhe 2 herë do t’u llogaritet mbi një bazë të tatueshme të rritur e përbërë nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm plus 18% rritje. Nëse fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon kufirin (duke llogaritur fitimin e vitit të mëparshëm plus një marzh shtesë prej 18%), mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.
Përveç parapagimit të tatimit kundrejt mos kontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që do të lidhin marrëveshjen e Paqes Fiskale me administratën tatimore, gjithashtu do të mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%./Monitor
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tha të mërkurën se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre serbët e akuzuar për shpërthimin në kanalin jetik të ujit, Ibër-Lepenc, kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë.
Një ditë më parë, prokurorët e Kosovës ngritën aktakuzë ndaj Jovan Viqentijeviq, Dragisha Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq për shpërthimin e vitit të kaluar në kanalin e ujit që furnizon dy termocentralet kryesore të vendit.
Ata akuzohen se shpërthyen 20 kilogramë të llojit TNT në kanal, duke dëmtuar strukturën e tij prej betoni, ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm dhe duke penguar sistemin e ftohjes për termocentralet me qymyr, gjë që ngriti shqetësime për ndërprerje të rrymës.
Që të tre janë arrestuar pas sulmit.
Në një shkrim në Facebook të mërkurën mbrëma, Kurti i përsëriti deklaratat e mëparshme se “sulmi ka ardhur nga Serbia, fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”.
“Tashmë është në rrugë të mbarë hetimi i këtij rasti, ku janë siguruar prova se pikërisht tre serbët e akuzuar ishin në vendin e ngjarjes natën kritike, për ç’gjë falënderoj institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punën profesionale të kryer në këtë rast”, tha Kurti.
Ai nguli këmbë se gjykimi në këtë rast “do ta dëshmojë se të akuzuarit ishin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhur ngushtë me mikun e [presidentit të Serbisë Aleksandar] Vuçiqit, terroristin Millan Radoiçiq, dhe strukturat tjera shtetërore të Serbisë që planifikuan dhe urdhëruan sulmin terrorist”.
Kurti po i referohej ish-nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në vend, Millan Radoiçiq, të cilin autoritetet kosovare e kërkojnë me fletarrestim për vepra të ndryshme penale, përfshirë për një sulm vdekjeprurës kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 2023.
Radoiçiqit e mori përgjegjësinë për atë sulm ku u vra një rreshter kosovar dhe tre sulmues serbë.
Kosova e cilëson si “akt terrorist” shpërthimin në kanalin e ujit në Varragë të Zubin Potokut dhe e akuzon Serbinë se qëndron pas tij, por Beogradi e ka mohuar vazhdimisht se ka gisht.
“Përkundër faktit se Beogradi zyrtar mohonte përgjegjësinë dhe u angazhua fuqishëm përmes veprimeve hibride në dezinformimin e opinionit, duke ngritur dyshime nga më të ndryshmet për përgjegjësit apo motivet e aktit terrorist, aktakuza e ngritur dhe epilogu i rastit, pa fije dyshimi, do të konfirmojnë të dhënat dhe vlerësimet e institucioneve të Kosovës”, tha Kurti.
Çfarë është Ibër-Lepenci?
Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc, me seli në Prishtinë, është një ndërmarrje që furnizon me ujë të papërpunuar industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë, si dhe prodhon energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit.
Sipas faqes zyrtare të kësaj ndërmarrjeje, kompania është themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës më 28 shkurt, 1967.
Ndërtimi i këtij sistemi u bë në dy faza: Faza e Ibrit, e cila përfundoi më 1986, dhe faza e Lepencit, e cila nuk u realizua.
Kjo ndërmarrje sot është shoqëri aksionare, 100% në pronësi të Qeverisë së Kosovës.
Nga muaji i ardhshëm paga minimale pritet të bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro.
Nga muaji janar 2026, Kosova do të ketë një pagë minimale prej 425 euro bruto, duke shënuar kështu rritjen e parë të ndjeshme pas disa vitesh.
Aktualisht, paga minimale është 350 euro, ndërsa faza e dytë e vendimit parashikon që nga 1 korriku 2026 ajo të rritet më tej në 500 euro bruto.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka rikujtuar këtë vendim të Qeverisë pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se përfitues të drejtpërdrejtë do të jenë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat në vend.
“Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, siç edhe e kemi paraparë me vendimin që kemi marrë si Qeveri”, ka deklaruar Kurti.
Vendimi për rritjen e pagës minimale është marrë nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor, me arsyetimin se rritja e kostos së jetesës dhe inflacioni i viteve të fundit e kanë bërë të domosdoshme përshtatjen e saj me realitetin ekonomik.
Sipas ekzekutivit, rritja e pagës minimale do të ketë ndikim pozitiv në fuqinë blerëse, në standardin e jetesës së punëtorëve, si dhe në formalizimin e tregut të punës.
Rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje.
“Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë”, ka thënë Kurti.
Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.
Kosova, deri më tani e ka pasur pagën minimale më të ulët në Evropë, 170 euro, ndërsa Luksemburgu më të lartën, 2.571 euro. bw
Kreu i “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj ka ndërmarrë një nismë ndryshe. Ai ka zgjedhur të protestojë përpara Kryeministrisë, por ndryshe nga herët e tjera Lapaj ka qëndruar gjatë gjithë natës, i vetëm.
Ai tha se protesta do të vazhdojë dhe se qytetarët po i bashkohen iniciativës së tij.
Lapaj proteston që prej mbrëmjes së djeshme, ndërsa shprehet se protesta është e vazhdueshme. Ai i bën thirrje qytetarëve të ndërgjegjëson dhe të bashkohen.
“Është një protestë e vazhdueshme, 24 orë. Sot nuk jam vetëm, do jemi 10 veta që do rrinë 24 orët e ardhshme, 48 orët e ardhshme . Nesër ju ftoj prapë”, tha ai.
Lajmin e ben me dije Donika Gërvalla ne rrjetin social se:
Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, bazuar në raportin më të fundit “Global Safety” të Gallup-it (2025).
Sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar 2025, Kosova është përmirësuar me 34 vende në krahasim me vitin 2021 dhe vlerësohet si shteti me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë, sipas Transparency International, Kosova është ngritur me 31 vende në krahasim me vitin 2020 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke arritur renditjen dhe vlerësimin më të mirë deri më tani për vendin tonë në këtë indeks.
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Republika e Kosovës paraqitet para qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë me rezultate të matshme në fushën e sundimit të ligjit, sigurisë dhe luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Këto vlerësime ndërkombëtare janë dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta të institucioneve shtetërore, organeve të zbatimit të ligjit, shoqërisë civile, mediave që ushtrojnë gazetari të pavarur e të përgjegjshme dhe qytetarëve që nuk pajtohen me korrupsionin, por njëkohësisht kujtesë se lufta kundër korrupsionit nuk përfundon me një raport apo indeks. Integriteti, transparenca dhe llogaridhënia duhet të jenë standard i përditshëm në çdo institucion publik dhe në çdo vendimmarrje që prek interesin e qytetarëve.
Në vitin 2021 kemi premtuar një luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rezultatet e arritura në indekset ndërkombëtare të sigurisë, sundimit të ligjit dhe perceptimit të korrupsionit dëshmojnë se kjo betejë po jep efekt, çdo ditë dhe në çdo nivel të qeverisjes, duke forcuar mekanizmat e parandalimit, hetimit dhe ndëshkimit të tij, duke garantuar se askush nuk qëndron mbi ligjin në Republikën e Kosovës.
Ministri Blendi Gonxhja ka dhënë lajmin e mirë se Lahuta është përfshirë zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s në listën për nevojë urgjente mbrojtje.
Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan Shqipëria mbetet e angazhuar për të ruajtur, promovuar dhe fuqizuar këtë pasuri të rrallë kulturore, duke mbajtur të hapur edhe bashkëpunimin e ardhshëm me Kosovën!
Postimi i plotë:
Një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës, është përfshirë zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s në listën për nevojë urgente mbrojtje.
Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërja e lahutës përfaqësojnë një element thelbësore të identitetit në hapësirën shqiptare rurale të kultivuar ndër shekuj në krahinat veriore dhe përtej që nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia. Eposi i Kreshnikëve dhe balada të traditës shqiptare veriore, në duart e lahutarit kanë shprehur në shekuj virtytet e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes.
Ky sukses është rezultat i një procesi të gjatë, kërkimor të udhëhequr nga grupi i studiuesve: Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge.
Puna e tyre, së bashku me sesionet komunitare dhe kërkimet në terren, finalizoi një dosje të standardeve më të larta të UNESCO-s, e dorëzuar në mars 2024.
Procesi u mbështet nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në kuadër të marrëveshjes për përgatitjen e dosjeve të trashëgimisë jomateriale shqiptare.
Shqipëria mbetet e angazhuar për të ruajtur, promovuar dhe fuqizuar këtë pasuri të rrallë kulturore, duke mbajtur të hapur edhe bashkëpunimin e ardhshëm me Kosovën! bw
Komentet