Vitet 1915 – 1918, për një sërë rrethanash e ndodhish të jetës vetiake, shënojnë një periudhë “pushimi” të veprimtarisë aktive në jetën politike të kombit. Shkurtimisht do të përshkruhen me pak fjalë të pabotuara, por të sjellura nga një “rrëfim” i vetë atij para familjes, në një natë dimri të vitit 1943, kur i dorëhequr prej gati një viti nga përgjegjësia njëvjeçare e qeverisë dhe nga ajo, pothuajse tridhjetëvjeçare e politikës, ndoshta ndiente nevojën të shpaloste para familjes çastet më të vështira të jetës së tij. Ai “rrëfim” u shkruajt në një fletore të thjeshtë nga babai im, si trashëgim historik që i linte nipit të tij, Besandrit. E kam sjellë në këtë libër ashtu siç e kam gjetur. Ndoshta mund të ketë ndonjë mospërputhje mes kujtesës së babait tim dhe jetëshkrimit të studjuesit Kurti, por që nuk cënon thelbin e së vërtetës, por mund të jetë çështje hollësirash jo shumë të rëndësishme.
“Më kishin veshun këmishën e bardhë, me të cilën vareshin të dënuemit me vdekje. Të nesërmen herët erdhi roja me më marrë. Kisha duert të lidhun përpara. Kur dola jashtë gjeta dy xhandarë me pushkë në krah. Për habinë time, në vênd qi me më drejtue në vêndin e ekzekutimit xhandarët u kthyen ke ish pallati i Princ Wiedit ku qëndronte Esat Pasha. Mbasi hypa disa shkallë më ndalën përpara nji dere të madhe qi e njofta menjiherë. Ishte dera e dhomës ku punonte Princ Wiedi, në të cilën kisha hŷmë nja dy herë, i pritun nga Princi. Tashti aty punonte Esat Pasha.
Para asaj dere qëndrojshin dy xhandarë të tjerë. Mbasi xhandarët folën pak fjalë ndërmjet tyne, dera u hap dhe u gjinda në dhomën e madhe. Para meje, në kâmbë, qindronte Esat Pasha! Ishte veshun me uniformën e gjeneralit turk dhe gjoksi i tij ishte mbushun me dekorata. Mbi kokë mbante tonuzin e kuq turk. Me duer mbrapa më shikoi drejt në sy. Para shikimit të tij shumë kush u dridhte, por un nuk u ligshtova. Edhe un e shikova drejt në sy. Nuk ishte hera e parë qi gjindesha pranë tij, dhe isha mësue me ndejtun pranë atij burri autoritar e politikan dinak, i njohun në gjithë Evropën.
Mbasi pa se un nuk i ula sytë përpara tij, ai vuni pak buzën në gaz.
-E dij se je edhe trim, më tha, por jo deri kaq.
Un nuk i u përgjigja.
-Të dhashë vêndin e nënprefektit, kur mbarove shkollën dhe shkallë shkallë të mbërrîjshe në vêndin e valiut, por ti zgjodhe vêndin e mësuesit të matematikës. Megjithatê nuk ndejte urtë. Fillove të luejsh bishtin sa andej këndej. Mâ vonë të thirra me të dhânë vênde me rândsí n’administratën teme, por nuk pranove. A nuk âsht kështu? Por pse mor qen – vazhdoi me inat, ndërsa fytyra e tij u vrâjt – pse mbërrîne deri këtu. Un të kam rritun e të kam dhânë shkollë. Kam dashtë të bâhesh njeri me pozitë, të bâhesh i madh.
-Kështu âsht – i u përgjigja.
-Po atëherë pse u vûne kundër meje – shfryu Esat Pasha, siç e kishte zakon kur inatosej.
U mêndova pak, mandej i thashë:
-Pashë, un e due Shqipnín, prandej lashë mësimet e mora pushkën. Bashkë me Avdi Beun shkuem deri në Vlonë për këtê Shqipní, me ngrejtë flamurin tonë e jo të Turqís.
-Po pse un nuk e due Shqipnín?, – më ndërpreu me zâ të fortë.
– Po, Pashë, por ju e doni për vehte, ndërsa un e due për shqiptarët – i u përgjigja aty për aty shumë i qetë, dhe vazhdova:
-Ju u morët vesh me Serbinë e Greqinë, për me i u dhânë atyne pjesë të tokave shqiptare, për me sundue ju vetë n’at pjesë qi caktuen Fuqitë e Mëdhá – Këtê, na nacionalistët e quejmë tradhtí!
E dijsha mirë qi kjo fjalë e fundit do të më kushtonte jetën por nuk munda mos me i a thânë.
Esat Pasha u bâ zi në fytyrë. Bâni disa hapa mbrapa në dhomë, mandej përplasi duert. Menjiherë u hap dera dhe hŷnë mbrênda dy xhandarët.
-Merreni këtê qen – u tha atyne me inat – dhe futeni n’anije.
Më shikoi si i tërbuem deri sa dola jashtë. Kuptova aty për aty se Esat Pasha m’a kishte falë jetën e do të m’internonte diku. Isha i kënaqun jo vetëm pse kisha shpëtue nga litari, por sidomos pse pata guximin me i a thânë në fytyrë Esat Pashës tradhtinë e tij kundër Atdheut.
Më mbajti disa muej n’anije, mandej më dërgoi në burgun e Barit (Italí). Prej andej autoritetet italiane më trasferuen në nji ishull të vogël të quejtun Favignana. Ishte vjeti 1916. Aty gjeta edhe shqiptarë të tjerë nacionalistë qi mbaheshin t’internuem.
Në fillim të vjetit 1917, nji mik i emi, Sotir Gjika, ndërmjetësoi pranë qeverisë italiane për me më lirue dhe un u lirova. Sotiri më shoqnoi deri në Romë. Në kryeqytetin e Italís ai ishte funksionar në Ministrinë e Jashtme. Atë vit ai u martue dhe un qeshë dëshmitar martese. Në fillim të 1918-s Sotir Gjika filloi me botue gazetën “Kuvêndi” në gjuhën shqipe dhe un u bâna kryeredaktori i saj.
Shumë vjet mâ vonë Petriti u martue me Elenën, vajzën e mikut tonë të vjetër, të cilën e gëzojmë sot në shtëpinë tonë.
Asim Xhenani heshti. Ulun siç ishte në nji kolltuk, bashkoi të dy duert përpara dhe mbështeti kryet mbi to. Ndoshta kujtimet e kishin mundue. Asnji prej nesh nuk foli.”
“ Deri në mbarim të luftës botore mbet në Itali. Ky mërgim i dha rasë me nxânë italishten, me njohun Italín, bukurít e saja natyrore e artistike, karakterin fisnik të popullit të saj, kulturën e saj. Zhvilloi nji veprimtarí gazetarije në bashkpunim me Sotir Gjikën në faqen shqip të gazetës së Barit Corriere delle Puglie e mandej në të përjavëshmen Kuvêndi të Romës. N’artikujt qi ka shkrue në këto dý fletore ndrisin me nji qartí nga mâ të kulluetat ndjenjat e tij patriotike, stili i tij i rrjedhshëm, logjika e fortë, urtija e mêndimevet.”, vazhdon tregimin e tij At Donat Kurti.
Mustafai kthehet në atdhe mbas një mungese të gjatë prej gati katër vitesh, në të cilët kishte provuar ndarjen nga familja, duke lënë djalin e parë foshnjë e duke e gjetur gati katër vjeç e duke mos gjetur më në jetë nënën që kishte ndërruar jetë në moshën e re dyzetepesë vjeçe, e plasur nga dëshpërimi i arrestimit e dënimit të birit të madh. Ishte vërtetuar plotësisht profecia e mamisë gjatë lindjes, por nuk kishte kohë as për t’a qarë sepse një telegram nga Durrësi e ftonte atje ku do të mblidhej kongresi. “Thirrej me organizue, bashkë me Luigj Gurakuqin, Fejzi bej Alizotin, Myfid bej libohovën e Mehmet be Konicën, Kuvêndin e Durrsit qi do të shqyrtonte gjêndjen e re të krijueme në Shqipní mbas luftës botore.” Shkruan At Donati.
Në kongres ai u zgjodh ministër i post – telegrafave e antar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, së bashku me Luigj Gurakuqin, Imzot Luigj Bumçin, At Gjergj Fishtën, Mithat Frashërin, Mehmet Konicën e Mihal Turtullin, e natyrisht Kryetar kryeministrin Turhan Pasha. Në fillim të shkurtit 1919 filloi nga puna si sekretar i Dërgatës. Pesë muajt e qëndrimit në kryeqytetin francez qenë kohë pune tepër të rrasun për sekretarin e Dërgatës. Të gjithë dokumentat që i paraqiteshin konferencës: mendore, përkujtesa, letra personaliteteve të ndryshme, statistika popullsish të krahinave të ndryshme shqiptare, protesta, padira, hartoheshin prej tij dhe Luigj Gurakuqit, me të cilin e lidhte jo vetëm përkatësia e bindjeve politike, por edhe një miqësi e ngushtë. Të gjithë ata dokumenta u botuan mbas largimit të tij nga Parisi e kthimit të tij në Durrës. Gjatë rrugëtimit ai u ndalua në Romë ku në një “tipografi të një koperative shoqërore” mundi të botojë librin: ”Shqipnia përpara Konferencës së Paqës”, “Popullit Shqiptar”, “Kërkesat e Shqipnís”, “Parashtruemja e Kërkesave Shqiptare në Këshillin e të Dhetvet”, “Mendore mbi Shqipnín e Sipërme”, të pasuara nga pesë faqe statistikash popullsie që banonte në trevat shqiptare, të lëna jashtë kufijve shqiptarë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913, janë pjesa më e rëndësishme e veprimtarisë të asaj Dërgate në muajt e parë. Ato statistika ishin marrë nga dokumentacionet e llojit të tyre, jo nga shqiptarë, por nga ekspertë të autoriteteve statistikore turke í1908 – 1909), nga autoritetet ushtarake austriake, gjatë luftës së Parë botërore, nga Instituti hartografik i Sofies në Bullgari dhe nga një përmbledhje krahasuese e të tre hartave.
Argumentat e trajtuara flasin për kompetencë profesionale e rigorozitet shkencor në shpalosjen para komisioneve të Konferencës. Janë të vërteta që paraqiten në të gjitha përmasat e tyre faktike deri në detaje, një platformë mbrojtëse e një cilësie të lartë në mënyrë të pakundërshtueshme. Ajo platformë është e bazuar më shumë në opinione të shprehur publikisht nga të tjerë përfaqësues të diplomacisë evropiane, dëshmitarë të zhvillimeve historike të Ballkanit, kryesisht të Shqipërisë. Shifrat e statistikave të popullsisë së qyteteve të ndryshme të Shqipërisë së grabitur, janë të pamëshirshme në padinë e një sulmi ushtarak banditesk kundrejt trevave shqiptare, sa që një gjykatë e vërtetë nuk do të kishte patur as mëdyshjen më të vogël për t’i kthyer ato njësi territoriale në zanafillën e tyre etnike, por fatkeqësisht Konferenca e Versajës nuk qe një gjykatore e tillë. Ajo u tregua një burim paragjykimesh historike e politike, që kishin patur fillesën në shprehjen famëkeqe të kancelarit prusian Bismark, “Shqipëria është vetëm një shprehje gjeografike”, në Kongresin e Berlinit, e arrin deri tek opinionet kundërshqiptare të Klemansoit e Llojd Xhorxhit e parapëlqimet e tyre në dobi të Sërbís e të Greqís. Përballë atyre bindjeve 14 pikat e presidentit amerikan Wilson mbetën vetëm si një rreze shprese morale në shpalosjen e tyre demagogjike, por nuk arritën të ndikonin në vendimet kryesore.
Më duket e udhës që të përzgjedh nga ai grumbull dokumentesh, dy prej tyre, të cilët përgënjeshtrojnë hapur opinionin e historiografisë komuniste mbi Mustafa Krujën që prej tre të katërtash shekulli. “Çâshtja e Vlonës”, është një notë proteste nga Dërgata Kryetarit të SHBA Wilson. Ka stilin karakteristik të Mustafa Krujës, i hapur, pa doreza e që godet në thelb të problemit. Dërgata e Qeverisë së Durrësit që, në gjuhën e historiografisë komuniste, quhet “tradhëtare” e “proitaliane”, proteston pranë Presidentit amerikan për mendoren që ai i paska dërguar Dërgatës italiane më 14 prill 1919, në të cilën “këshillon që Italia të mbajë limanin e Vlonës për vete”:
Çâshtja e Vlonës
Shkëlqesës së Tij, Z. Wodrow Wilson,
Kryetar i Shtetënvet të Bashkueme t’Amerikës.
Zoti Kryetar,
Dërgata e Qeverís së Përkohëshme Shqiptare e këndoi në gazetat, me mâ të madhen dhimë të zêmrës, mêndoren qi Shkëlqesa e Juej i paska drejtuem Dërgatës Italiane më 14 Prill 1919, në të cilën këshillon qi Italia t’a mbajë limanin e Vlonës për vete.
Çudia e jonë qe aqë mâ e madhe e e therëshme tue qênë se populli i vogël shqiptar e kishte mbështetun të tânë shpresën e vet mbi parimet e nalta të Shkëlqesës s’Uej qi me mos damun vêndet pa u marrë para sŷsh të drejtat kombtare të popujvet qi rrijnë më to. Shqipnija âsht vêndi mâ i vogli e ma i sakrifikuemi i Ballkanavet. Të gjithë fqîjt e saj i kanë këputun, me traktatin e Berlinit e me konferencën e Londrës më 1913, copat ma të bukurat qi s’kanë mbrênda veçse Shqiptarë e po kanë shpresë me i marrë prap edhe tjera. Me të vërtetë në rrethet greke qi marrin lajme të sakta thuhet se Z. Venizelos ka mërrimun me siguruem ndihmën e Amerikës për me i dhânë Greqiës nji pjesë të madhe të Shqipnis së Poshtme.
Na duket e padrejtë, z. Kryetar, qi, në vênd me u marrë para sŷsh kërkesat t’ona kombtare, po mêndohet me u falun tjera copa të tokës shqiptare a për me u rregulluem nji ngatërresë qi s’i përket n’asnji mënyrë Shqipnis.
Besojmë me gjithë shpirt se Dërgata e Shtetënvet të Bashkuem ka rânë në nji gabim të padashun për sa u përket punvet të Shqipnís e mêndja na thotë se Apostulli i nderuem i së drejtës së popujvet nuk do të dojë me u larguem prej parimevet fisnike qi ka proklamuem aqë bujarisht.
I lutem Shkëlqesës s’Uej me pritun sigurimet e nderimit t’êm fort të naltë.
Paris, 8 maj 1919 Kryetar i Dërgatës Shqiptare
(Nênsh.) TURHAN
Kjo ishte letra që Dërgata i dërgoi Presidentit të SHBA. Mbas tri javësh, një tjetër letër i u dërgua Kryetarit të Konferencës së Paqës, Kryeministrit të Francës Clemenceau, ku trajtohet i njëjti argument i letrës së parë, ai i mandatit italian mbi Shqipërinë:
Protestë kundra mandatës italiane
Shkëlqesës së Tij, Z. G. Clemenceau,
Kryetar i konferencës së Paqës.
Shkëlqesë,
Pas lajmeve qi po sillen pa reshtun mbi zgjidhjen e ngatërresës italo-jugosllave, Dërgata shqiptare e sheh veten të detyrueme, edhe nji herë, me ardh’ e me protestuem me ponië kundra mënyrës me të cilën Konferenca po e vështron çâshtjen shqiptare.
Duke u mbështetun mbi të drejtat q’i janë njohun Shqipnís në Konferencën e Londrës më 1913 e mbi parimet qi Fuqit e Mëdhaja të Lidhuna e të shoqnueme kanë proklamuem vetë bujenisht, Dërgata Shqiptare i ka paraqitun Konferencës së Naltë kërkesat e drejta të vêndit të vet e ka pritun pa dobi deri tashti qi t’i merren parasŷsh. Mirë po ajo po sheh, me mâ të madhin idhnim, se çâshtja shqiptare s’âsht shikuem as njiherë në mënyrë të posatshme, por, për kundras, qi Shqipnia âsht shikuem si nji fushë shpërblimesh për me lehtuem rregullimin e ngatërresave, me të cilat populli i ynë s’ka asnji punë; ose edhe për me mênduem për njimend të bashkuemen e nji pjese të madhe të Shqipnís së Poshtër me Greqín; përkundras, po ky komision i ngarkuem edhe me punët e Shqipnís, s’âsht mbledhun asnjiherë për me biseduem.
Dërgata Shqiptare beson se nuk mund të jenë dy pesha e dy masa për të vêndosun organizimin e ri të botës, themeluem mbi drejtësín. Edhe në këtê ças, kur Konferenca e Paqës po rreket me caktuem pozitën e Italisë mbi bregun lindor t’Adriatikut, paska bâmun fjalë për Shqipnín, gjithnji me t’ardhun e vetëm për me lehtuem zgjidhjen e ngatërresës italo-jugosllave.
Për me zgjidhun këtê çâshtje pra Konferenca paska mênduem me i dhânë Italís mandatën mbi Shqipnín edhe limanin e Vlonës.
E pranojmë qi kujdesimi i njânës prej Fuqivet të Lidhuna a të Shoqnueme, natyrisht përveç Shtetënvet ballkanikë, mund të jetë i dobishëm për Shqipnín për me i prîmun në hapat e para të mëvetësís së saj. Por megjithë këtê nuk mundemi kurrsesi me pranuem qi të kenë si me i u aplikuem Shqipnís urdhënat e artikullit 22 të paktit të Lidhjes së Kombevet qi janë vûmun kështjellas veç për koloni e vênde afrikane e aziatike “qi, nga shkaku i luftës, u kanë dalë duersh atyne q’i i kishin”. S’mundemi me pranuem as qi të mund i vêhet Shqipnís nji ç’do farë kujdesimi pa e pyetun parandej për të zgjedhunit e Pushtetit qi do t’i epet për kujdestar e për mënyrën se si do të zbatohet ky kujdesim në Shqipní.
Populli shqiptar s’do të mundet me pranuem vêndime q’i vênë kundra tânsís toksore e mëvetësis së tij, dhe aqë mâ pak me u shtruem.
Dërgata Shqiptare u sillet edhe njiherë ndîesivet të nalta të përfaqsuesvet të Fuqivet të Mëdhaja në Konferencë, qi çâshtja kombtare e saj të rregullohet me të drejtë për me i u kursyem popullit shqiptar të tjera të liga, duke i shpërblyem edhe padrejtësit q’i kanë pasë bâmun traktatet e përparshme.
Pritni, Shkëlqesë, sigurimin e nderimit t’êm të naltë.
Paris, 1 Qershor 1919 Kryetari i Dërgatës Shqiptare
(nensh.) TURHAN
Këto qenë dy dokumentat, të hartuara prej Krujës dhe Gurakuqit, që mezi u firmosën nga Turhan Pasha, sepse ai nuk donte n’asnji mënyrë të fërkohej me Italinë. Paragrafi i parafundit i kësaj note është një paralajmërim konferencës e në këtë drejtim, i shëmbëllen shpalljeve të Lidhjes së Prizrenit, është një vazhdim i asaj tradite.
Ato dy protesta pasqyronin jo vetëm prirjen për të mbrojtur, me të gjitha mënyrat e mundëshme interesin e Shqipërisë n’atë Konferencë, por edhe objektivitetin e gjykimit n’atë çast historik, që kërkonte vendime të pjekura e të sakta nga ana shqiptare.