VOAL

VOAL

Komentet

Aforizmi i ditës- 6 nëntor 2026

There are times when the assertion of great principles is the best service a man can render society.

William Ellery Channing

Ka raste kur pohimi i parimeve të mëdha është shërbimi më i mirë që një njeri mund t’i bëjë shoqërisë.

William Ellery Channing

HOROSKOPI E PREMTE 6 NËNTOR 2026

DASHI*** Të shqetësuar nga thashethemet, rrezikoni të braktisni, pikërisht në momentin më të mirë, një aventurë që e keni ndërtuar me durim. Fati favorizon të guximshmit: ende nuk është humbur gjithçka, riorganizoni planet tuaja! Një ngjarje e papritur e favorshme do ta bëjë gjithçka më të lehtë për ju.

DEMI*** Shpirti juaj është ngritur lehtë dhe do të bënit mirë t’i ndiqni ato: harroni, të paktën sot, nevojat e përditshme dhe lëreni imagjinatën tuaj të fluturojë. Në punë, investoni shumë energji dhe vëmendje në atë që bëni. Një pasion i ri do të ringjallë marrëdhënie afatgjata.

BINJAKËT*** Nëse keni një projekt për të cilin jeni të apasionuar, filloni të hidhni themelet për ta realizuar atë: yjet janë të favorshëm! Më në fund, mund të ketë një mënyrë për të sqaruar një çështje të vjetër, të pazgjidhur. Një mesazh i butë do ta bëjë pasditen tuaj të mrekullueshme.

GAFORRJA* Reflektimi më i madh dhe shumë kujdes do t’ju mbrojnë nga pengesat e mundshme. Ka të ngjarë të duhet të diskutoni diçka të ndjeshme me dikë me të cilin nuk jeni në të njëjtën gjatësi vale dhe përballja mund të përshkallëzohet në një argument.

LUANI* Do të ndiheni të pakënaqur gjatë gjithë ditës; përpiquni të mos bëheni bezdi për ata përreth jush dhe bëni një përpjekje për të shmangur mposhtjen nga melankolia dhe akuzat. Në mbrëmje, më në fund do të jeni në gjendje të shijoni disa momente të këndshme pasioni.

VIRGJËRESHA** Do të ndiheni të lodhur. Përpiquni të ngadalësoni ose të paktën të organizoheni për të pushuar pak. Në dashuri, yjet janë të favorshëm: do të kaloni momente të lidhjes së shkëlqyer emocionale me partnerin tuaj.

PESHORJA*** Sot, falë Hënës së favorshme, do ta përballoni ditën me vendosmëri dhe do të ndiheni të kënaqur në të gjitha aspektet. Në marrëdhënie, do të tregoni figurën tuaj të përsosur dhe do ta mahnisni të dashurin tuaj me një dozë të pabesueshme joshjeje.

AKREPI*** Përkushtohuni me shumë energji dhe vëmendje të veçantë biznesit: kjo është një kohë e mirë për të rritur në mënyrë efektive të ardhurat tuaja. Në marrëdhëniet tuaja romantike, do të jeni paksa kapriçioz dhe të paqëndrueshëm, por prapëseprapë do të jeni në gjendje të arrini kënaqësi të madhe.

SHIGJETARI** Në punë, gjithçka shënohet nga ndryshimi: shumë situata që kanë qenë të ndenjura për një farë kohe do të fillojnë papritmas të lëvizin pozitivisht. Në dashuri, megjithatë, gjithçka do të ndërlikohet: vendosni nëse do ta përqendroni vëmendjen tuaj te partneri juaj afatgjatë apo do të hapeni ndaj gjërave të reja.

BRICJAPI*** Vetëkontrolli i tepërt mund t’ju bëjë të dukeni të ftohtë dhe të shkëputur: jini më spontanë në shprehjen e ndjenjave tuaja. Në punë, dikush do t’ju ndihmojë të merrni vendimet më të mira, duke ju treguar një plan afatgjatë.

UJORI*** Mirëkuptimi dhe mirësia me partnerin tuaj mund t’ju ndihmojnë të rivendosni një dialog më paqësor. Lëreni mënjanë ashpërsinë tuaj të tepërt. Do të keni mundësinë të bëni një njohje interesante që do t’ju lejojë të zgjeroni biznesin tuaj.

PESHQIT** Kini kujdes: me axhendën tuaj të ngjeshur, puna ka të ngjarë të lihet pas dore më shumë sesa duhet. Sekstili premtues i Venusit duket sikur mund të jetë pikërisht ajo që ju nevojitet për të rigjallëruar një marrëdhënie në vështirësi.

Kjo është Demokracia Amerikane Nga Harry Bajraktari

🇺🇸 🇺🇸 Kjo është Demokracia Amerikane🇺🇸 🇺🇸

Historikisht populli amerikan nuk lejon që një parti ta ketë gjithë pushtetin

Dje, amerikanët bënë atë që e kanë bërë shumë herë gjatë historisë. Dy vite pasi zgjodhën bindshëm Presidentin republikan Donald Trump, dolën në votime dhe ia dhanë kontrollin e Kongresit Partisë Demokrate.

Ky është një nga shembujt më të mirë se si funksionon demokracia amerikane.

Amerikanët nuk duan që një parti të kontrollojë gjithçka: Shtëpinë e Bardhë, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Ata duan që pushteti të ndahet dhe të dyja partitë të marrin pjesë në vendimet që merren për vendin e tyre.

Gjatë mbi 40 viteve të fundit, pothuajse çdo president amerikan, republikan apo demokrat, ka përjetuar humbje të partisë së tij në Kongres gjatë zgjedhjeve të mesmandatit. Ja disa shembuj:

– Në vitin 1986, gjatë mandatit të dytë të Presidentit republikan Ronald Reagan, demokratët ruajtën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe morën kontrollin e Senatit.

– Në vitin 1994, dy vite pasi Bill Clinton u bë president, demokratët humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

– Në vitin 2014, gjatë presidencës së Barack Obamës, demokratët humbën kontrollin e Senatit, pasi kishin humbur Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2010.

– Në vitin 2018, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, republikanët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

– Në vitin 2022, gjatë presidencës së Joe Biden, demokratët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

– Këtë vit, në 2026, gjatë mandatit të dytë të Donald Trump, republikanët humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

Presidentët dhe partitë ndryshojnë. Por mesazhi i popullit amerikan mbetet i njëjtë: Asnjëra parti nuk duhet ta ketë gjithë pushtetin në dorë.

Zgjedhjet për Kongres janë edhe një mundësi që amerikanët t’i kërkojnë llogari presidentit dhe partisë së tij. Në fushata zgjedhore zakonisht premtohet ekonomi më e fortë, çmime më të ulëta, paga më të larta dhe jetë më e mirë për familjet amerikane.

Por pas dy vitesh, nëse qytetarët mendojnë se jeta nuk u është përmirësuar, ata kanë mundësinë të reagojnë me votën e tyre. Për 250 vite, populli amerikan ka luftuar dhe punuar për të mbrojtur këto liri dhe demokracinë e tij.

Komuniteti ynë shqiptaro-amerikan 🇦🇱 🇺🇸 kurrë nuk është shqetësuar nga ndryshimet në Kongres. Kjo sepse ne gjithmonë kemi punuar me të dyja palët, demokratë e republikanë, dhe do të vazhdojmë të punojmë me të dyja partitë.

I përgëzoj të gjithë miqtë tanë, demokratë dhe republikanë, që u rizgjodhën ose siguruan për herë të parë një vend në Kongresin amerikan. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të ardhmen e Amerikës dhe për forcimin edhe më tej të miqësisë mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë amerikanët, kudo që janë!

🔗 – For English click here https://x.com/HarryBajraktari/status/2118072150284198172

#HarryBajraktari

UGSHPD: PROGRES RAPORTI-PASQYRAT DHE “VEZA E KUQE” (BE-ja dhe tirani)

Në qoftë se ka një pritshmëri më negative për mënyrën se si u paraqit Progres Raporti i KE-së në media, ky ishte vetë pozicionimi i kryeministrit përkundrejt Ambasadores së BE-së Sofia Moreira de Sousa.

Në asnjë rast afërsie personale dhe konfidence zyrtare mbi se çfarë përmban ai raport ku një kopje e tij i është dorëzuar, presidentit, Kuvendit të Shqipërisë dhe që do të dalë i detajuar nga diskutimet dhe analizat e publikut, partive politike dhe të medias, paragjykimi i ekzekutivi shqiptar për ta kapitalizuar si sukses atë nuk mund të motivohet as me urimin se ambasadorja ka filluar me këmbën e mbarë dhe as me mungesën e etikës kur që në fillim të paraqitjes së Progres-Raportit kryeministri (dhënien dorazi të dokumentit), i tërhoqi vemendjen nga pozita e pritësit ambasadores Sofia Moreira de Sousa pasi u shpreh:- “Thank you so much…Mirëdita të gjithëve… you want to listen what I’m saying or not?”.*

Vetëm në më pak se 30 sekonda lidhje me transmetim direkt, shpërtheu arroganca dhe mos përmbajtja e kryeministrit.

Interesante është se fraza e kapur u digjitalizua dhe u bë trend në “motorët e kërkimit” të internetit dhe u pasua me fjalët “pas një shakaje”, ose “humori” gjë të cilën as gjuha e trupit dhe as mënyra se si e priti bashkëbiseduesja nuk u ndie e tillë me atë çka u pa përmes ekranit ndoshta ndryshe përballë të ftuarve në sallë si zyrtarë, diplomatë, vëzhgues dhe gazetarë.

Janë tema interesante dhe teknike ato çka u dëgjuan përmes parashtrimeve, çështjet e zgjedhura ku u vu theksi, por kryesorja se kur mendohet për dialog dhe për të kuptuar më mirë situatën drejtimi i vetëm katër pyetjeve me dy gazetarë mes disave të tjerë të pranishëm është një tjetër shkallë e moskuptimit të nevojës së qartësisë jo për hir të transparencës, por për shkak të zhvillimeve më pas të temës në formën e censurës dhe propagandës.

Jo proporcionaliteti tek kjo qeverisje vjen nga frika e dorëheqjes. Ai shihet si mos dorëzim i pushtetit pikërisht për shkak të kritikës që i bëhet korrupsionit dhe mpirjes së institucioneve të drejtësisë. Kurse qeveria sheh prej pasqyrave si mjete mbrojtëse demoralizimin e protestës me mjete si algoritmi, dhuna policore, mohimi i bojkotit të mësimit nga studentët dhe pedagogët, nxënësit e shkollave dhe prindërit e tyre, si dhe nuk pranon mbështetjen e gjerë qytetare e cila po vijon që prej 31 Majit, 2026 ose plot 158 ditë. Nga paqësorja në ushtrim force dhe përplasje dy-tre javët e fundit çdo ditë protesta ka shtruar kërkesat, i ka përforcuar ato edhe pse nuk është dëgjuar dhe tallur, është goditur, lagur dhe mbytur me gaz, po ashtu është shoqëruar, përndjekur nga persona edhe të paidentifikuar për t’i hapur procese penale dhe dhënien e gjobave administrative çdo pjesëmarrësi në protestë çka ka humbur besueshmërinë e dialogut dhe bashkëpunimit me këtë qeverisje sepse nuk mund të kërkosh një gjë të tillë prej dhunuesit dhe frymëzuesit të një sistemi të korrupsionit.

Ka mjaft vend për analiza të veçanta mbi këtë ceremoni dhe konferencë të pjesshme për shtyp që u zhvillua për 45 minuta.

Simbolikisht dy fraza që goditën këtë ceremoni ishin njëra mbi “fragmentimin e kilometrit të fundit” si nën shkallë që mund të shkojnë edhe në të qindtat e të mijtat e njësisë matëse dhe tjetra jo e hequr nga përmbajtja (jashtë kontekstit) me “vezën e kuqe”*.

Duhet kujtuar se koncepti i “kilometrit të fundit” u ngrit nga opozita dhe Berisha gjatë foltoreve të nisura në fillim të vitit si për t’i përcaktuar fundin kësaj mënyre qeverisëse dhe veç Kuvendit të Shqipërisë lufta politike u adresua dhe në Parlamentin Evropian, pikërisht për shuarjen e zërit të opozitës. Të gjithëve ju kujtohet se çdo platformë mediatike dhe media qeveritare e zbërthyen “kilometrin e fundit” me të gjitha ngjyrat dhe nuancat vetëm e vetëm që opozita të etiketohej e pafuqishme, bashkëpunuese me korrupsionin dhe e përçarë deri sa pas pak muajsh, ndërgjegjësimi qytetar ringjalli qëndresën dhe në mënyrën më të emancipuar dhe qytetare zhvilloi protesta të pa ndalura të njohura si Revolucioni i Flamingove në 136 Ditë.

Kur sondazhet tregojnë se nga 91%-96% e shqiptarëve e duan BE-në, çfarë kërkon kryeministri t’u tregojë shqiptarëve me qindra platforma Pasqyre, kur nuk lexon dot pesë kërkesa.

Pesë kërkesa që e vërtetojnë se ai është pengesa dhe nuk ka më kilometër të fundit.

Ose thjeshtë, dorëhiqu (!) dhe hapi rrugë një procesi zgjedhor ku shoqëria shqiptare dhe e reja (studentët-rinia) të kenë gjithëpërfshirje.

Dikush do të thoshte po “vezën e kuqe” ku e latë?

Ajo u la për në fund sepse ishte një togfjalësh që kryeministri e tha nga prapamendimi i përmbajtjes së Progres Raportit.

Ju këshilloj ta rishihni ceremoninë zyrtare të dorëzimit të dosjes blu (Progres-Raportin) ose dëftesën siç u mundua kryeministri të përshkruante arritjet vetjake, të ndara nga administrata shtetërore që e përdor me butona të inteligjencës artificiale.

E thënë shkurt dhe në përmbajtjen historike ndoshta edhe ambasadorja nuk do ta pëlqente krahasimin, por dorëzimi i dosjes blu i ngjante historisë së shportës me vezë që Maria Magdalena i dha tiranit Tiberius* në ishullin e izoluar. Aty brenda në atë Projekt Progres ndodhet ajo që kryeministri nuk sheh nga sa pasqyrat i bllokojë realitetin.

Nuk sheh dhe nuk kupton atë çfarë shohin dhe duan studentët dhe rinia, qytetarët shqiptarë.

Lirinë dhe prosperitetin e tyre në një Shqipëri evropiane, pa politikën e vjetër dhe përçarjet që e bëjnë të largohen nga foleja e tyre.

__________

* Çelja e ceremonisë “Mirdita… Mr. PM,  I have the honour to formally present to you Albania’s Progress Report, prepared by the European Commission”

* “Thank you so much…Mirëdita të gjithëve… you want to listen what I’m saying or not?”.

*veza e kuqe-“Nuk e bën e majta dhe e djathta vezën e kuqe, por vetëm ekonomia që na jep sot mundësitë. Ekonomia jonë rritet, ndryshe nga çfarë mund të thuhet, dhe rritja e saj na ka dhënë mundësinë të shpërndajmë masivisht me një paketë të re. Ky është realiteti i fakteve, të tjerat janë si zhurmat e makinave.”

5 Nëntor, 2026

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

 

Zgjedhjet – Prokuroria në Serbi hap hetim kundër shefit të BIA-s dhe ministrit të Drejtësisë – Mbi 60 persona të kallëzuar për korrupsion dhe manipulim votash

Prokuroria Publike për Krim të Organizuar e Serbisë njoftoi të enjten, më 5 nëntor, se ka hapur lëndë kundër drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Vlladimir Orlliq, si dhe kundër ministrit të Drejtësisë, Nenad Vujiq, lidhur me cenimin e të drejtës së votës në zgjedhje.

Të dyja lëndët janë hapur pas kallëzimeve penale të paraqitura nga avokati Ivan Niniq.

Kundër Orliqit dhe zyrtarëve të tjerë të BIA-s është dorëzuar kallëzim për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe cenimit të së drejtës së votës.

Rasti ka të bëjë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare që Serbia mbajti më 25 tetor. Zgjedhjet i fitoi Lista Studentore – konfigurimi politik që doli nga protestat antiqeveritare të udhëhequra nga studentët në Serbi – duke rrëzuar nga pushteti pas 14 vjetësh ish-presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Avokati Niniq shkroi në X se ka paraqitur kallëzim penal kundër Orlliqit dhe drejtuesve të Qendrës së Katërt Rajonale të BIA-s në Kragujevc, “për shkak të imponimit të detyrimit të punës për punonjësit e BIA-s që të mbledhin vota për Partinë Përparimtare Serbe, përmes formularëve të kësaj partie, si detyrim pune”.

Prokuroria serbe për Krim të Organizuar tha se të mërkurën i ka dërguar një kërkesë Shërbimit për Luftimin e Krimit të Organizuar, që është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, për të verifikuar pretendimet e paraqitura në kallëzimin penal, si dhe për të zhvilluar intervista me personat ndaj të cilëve është paraqitur kallëzim.

Një kallëzim tjetër penal është dorëzuar kundër ministrit të Drejtësisë, Vlladimir Vujiq, drejtorit të Administratës për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Mille Jandriq, këshilltares së posaçme të ministrit të Drejtësisë, Millica Radonjiq, si dhe 60 personave të tjerë.

Në mesin e tyre e 60 personave ka drejtues të disa institucioneve korrektuese dhe burgjeve në territorin e Serbisë, zyrtarë të këtyre institucioneve, si dhe funksionarë të lartë, përfaqësues si dhe aktivistë të paidentifikuar të Partisë Progresive Serbe (SNS).

Në kallëzim pretendohet se ata kanë kryer veprat penale të bashkimit me qëllim të kryerjes së veprave penale, keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, dhënies dhe marrjes së ryshfetit në lidhje me votimin, mbledhjes së paautorizuar të të dhënave personale, punës së pakujdesshme në detyrë, si dhe diskriminimit racor dhe formave të tjera të diskriminimit.

Avokati Niniq publikoi fotografi për të cilat pretendon se përbëjnë “prova të pakundërshtueshme materiale në mbështetje të kallëzimit penal dhe të veprimtarisë së grupit të ministrit Nenad Vujiq” lidhur me votimin në burgje.

Prokuroria Publike për Krim të Organizuar tha se edhe për këtë rast i ka dërguar kërkesë Shërbimit për Luftimin e Krimit të Organizuar që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore për verifikimin e pretendimeve të paraqitura në kallëzimin penal.

Këtu përfshihet edhe mbledhja e informatave nga të gjithë personat e kallëzuar dhe disa persona të tjerë që mund të kenë njohuri për ngjarjet e përshkruara në kallëzimin penal./ REL.

Progresraporti i KE-së: SPAK vlerësohet, por korrupsioni mbetet sfidë – Shqetësime për imunitetin e Ballukut, drejtësinë dhe lirinë e medias

Komisioni Europian ka publikuar Progresraportin për Shqipërinë për vitin 2026, ku vlerëson përparimin e vendit në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, por njëkohësisht evidenton një sërë problematikash që kërkojnë ndërhyrje dhe rezultate konkrete.

Në fokus të raportit janë reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma zgjedhore, liria e medias, funksionimi i institucioneve dhe respektimi i balancës mes pushteteve.

Në dokumentin prej 127 faqesh, Komisioni Europian e konsideron të arritshëm objektivin për mbylljen e negociatave të anëtarësimit në vitin 2027.

Megjithatë, Brukseli nënvizon se ky proces duhet të shoqërohet me përmbushjen e reformave dhe adresimin e mangësive që vijojnë të pengojnë funksionimin e institucioneve dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Një vlerësim i rëndësishëm në raport i kushtohet punës së Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Komisioni Europian evidenton rezultatet e arritura nga kjo strukturë, duke vlerësuar pavarësinë e treguar në hetimin dhe ndjekjen e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, pavarësisht këtyre rezultateve, korrupsioni mbetet një sfidë reale për Shqipërinë dhe kërkon përpjekje të vazhdueshme.

Raporti ngre gjithashtu shqetësime për ndërhyrjet e papërshtatshme politike në sistemin e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj magjistratëve. Sipas Komisionit Europian, gjatë periudhës së raportimit kanë vijuar përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve për të ushtruar ndikim mbi sistemin gjyqësor, përfshirë edhe SPAK-un.

Në dokument theksohet se, ndonëse përfundimi i procesit të vettingut ka ndihmuar në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, problemet me burimet njerëzore dhe numrin e magjistratëve vijojnë të ndikojnë në cilësinë e shërbimit gjyqësor.

“Mungesa e burimeve njerëzore, përfshirë magjistratët dhe stafin mbështetës ligjor e administrativ, vijon të ndikojë në cilësinë e drejtësisë. Gjatë periudhës së raportimit vijuan përpjekjet e zyrtarëve publikë apo politikanëve për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve. Megjithëse numri i çështjeve të prapambetura është ulur pjesërisht, mbeten për t’u adresuar probleme urgjente që lidhen me efikasitetin, cilësinë dhe integritetin e gjyqësorit, përfshirë infrastrukturën e gjykatave, sigurinë dhe vonesat në ngritjen e një sistemi elektronik për menaxhimin e çështjeve”, thuhet në raport.

Për këtë arsye, Komisioni Europian kërkon forcimin e mëtejshëm të llogaridhënies dhe reduktimin e ndërhyrjeve politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë. Një tjetër rekomandim lidhet me garantimin e emërimeve, ngritjeve në detyrë, vlerësimeve dhe inspektimeve transparente, të bazuara në meritë dhe në standardet e vendosura nga procesi i vettingut.

KE kërkon gjithashtu plotësimin e vendeve vakante në gjykata, rritjen e numrit të magjistratëve dhe këshilltarëve ligjorë, përmirësimin e infrastrukturës dhe përshpejtimin e krijimit të një sistemi të integruar elektronik për menaxhimin e çështjeve gjyqësore.

Shqetësimi për mosheqjen e imunitetit të Belinda Ballukut

Një prej çështjeve që merr vëmendje në raport është edhe mosheqja e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Komisioni Europian e lidh këtë zhvillim me funksionimin e mekanizmave të kontrollit institucional dhe ruajtjen e balancës mes pushteteve.

Në raport shprehet shqetësimi se mosveprimi në këtë drejtim ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionojnë mekanizmat që duhet të garantojnë kontrollin dhe përgjegjshmërinë e institucioneve.

Çështja përmendet në një kontekst më të gjerë, ku Komisioni Europian kërkon që institucionet shqiptare të respektojnë pavarësinë e organeve të drejtësisë dhe të mos pengojnë ushtrimin e kompetencave të tyre.

Reforma zgjedhore, një nga urgjencat përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027

Një tjetër rekomandim i fortë i Progresraportit lidhet me reformën zgjedhore. Komisioni Europian e konsideron atë urgjente, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

“Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, theksohet në dokument.

Brukseli kërkon që procesi të mos mbetet vetëm në nivel deklaratash politike, por të shoqërohet me angazhim konkret të palëve për adresimin e problematikave të evidentuara në proceset zgjedhore. Në raport përmendet gjithashtu se Kuvendi ka refuzuar ngritjen e disa komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita dhe nuk ka zbatuar disa vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Këto problematika, sipas vlerësimit të Komisionit Europian, lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e institucioneve demokratike, kontrollin parlamentar dhe respektimin e ndarjes së pushteteve.

Protestat në Tiranë, KE kërkon dialog konstruktiv

Progresraporti ndalet edhe te protestat e zhvilluara në Tiranë, të cilat, sipas dokumentit, nisën nga shqetësimet mjedisore lidhur me një investim të huaj në Zvërnec, por më pas morën përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një lëvizje për transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë.

Komisioni Europian e përshkruan mobilizimin qytetar si një nga më të mëdhenjtë që prej tranzicionit demokratik të vendit.

“Ky është mobilizimi më i madh qytetar në Shqipëri që nga tranzicioni demokratik i vendit, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës që iu bashkuan protestës në kulmin e saj”, thuhet në raport.

Dokumenti evidenton se, pavarësisht përmasave të protestave dhe kërkesave të ngritura nga qytetarët, deri në periudhën e raportimit nuk ishte zhvilluar një dialog mes palëve për adresimin e shqetësimeve.

Për këtë arsye, Komisioni Europian u bën thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në një proces komunikimi dhe dialogu.

“Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv”, thekson Komisioni Europian, duke e vendosur zgjidhjen e tensioneve përmes dialogut në një nga kërkesat e tij për institucionet dhe aktorët politikë.

KE kritikon përdorimin e tepruar të paraburgimit

Një tjetër çështje e ngritur në Progresraport është përdorimi i paraburgimit në Shqipëri. Komisioni Europian vëren se masa e arrestit në burg vazhdon të përdoret gjerësisht gjatë fazës së hetimit dhe në pritje të gjykimit, ndërsa kërkon që institucionet të përdorin më shumë masat alternative.

“Paraburgimi vazhdon të mbetet masa kryesore shtrënguese e vendosur gjatë fazës së hetimit dhe në pritje të gjykimit. Institucionet përkatëse duhet të marrin masa për të garantuar përdorimin më të gjerë dhe më efektiv të masave alternative ndaj paraburgimit”, thuhet në raport.

Komisioni Europian evidenton gjithashtu problematika që lidhen me respektimin e të drejtave procedurale të personave të dyshuar dhe të akuzuar. Mes tyre përmenden e drejta për t’u informuar gjatë procedimeve penale, respektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë, e drejta për të pasur akses te një avokat që në fazat e para të hetimit dhe sigurimi në kohë i ndihmës juridike.

“Problemet që lidhen me të drejtat procedurale të personave të dyshuar dhe të akuzuar vazhdojnë të jenë të pranishme dhe duhet të adresohen, përfshirë çështje serioze që kanë të bëjnë me të drejtën për informim gjatë procedimeve penale, mbrojtjen e parimit të prezumimit të pafajësisë, të drejtën për të pasur akses te një avokat që në fazat më të hershme të hetimit, si dhe aksesin në ndihmë juridike në kohën e duhur”, theksohet në dokument.

Një prej rekomandimeve konkrete është rifillimi urgjent i monitorimit elektronik, i cili sipas raportit është pezulluar që prej vitit 2019. Ky mekanizëm shihet si i nevojshëm për të mbikëqyrur zbatimin e masave të arrestit në shtëpi dhe shërbimit të provës.

Liria e medias mbetet sfidë, KE kërkon transparencë dhe mbrojtje për gazetarët

Progresraporti i vitit 2026 ndalet edhe te gjendja e lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri. Komisioni Europian vlerëson se vendi ka shënuar njëfarë progresi në përafrimin e kuadrit ligjor me standardet europiane, por thekson se ende nuk ekzistojnë garanci të mjaftueshme ligjore për ushtrimin e lirë dhe të pavarur të veprimtarisë mediatike.

Sipas raportit, pavarësia dhe pluralizmi i medias vijojnë të ndikohen nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike, përqendrimi i pronësisë së mediave dhe mungesa e transparencës mbi burimet e financimit.

“Shqipëria nuk ofron garanci të mjaftueshme ligjore për lirinë e shprehjes, ndërsa mjedisi në të cilin operojnë mediat duhet të përmirësohet, në mënyrë që ato të mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre lirisht, në mënyrë të pavarur dhe profesionale”, thuhet në Progresraport.

Komisioni Europian nënvizon se depërtimi ekonomik në tregun mediatik i grupeve të biznesit me lidhje politike dhe ndërthurja e interesave të ndryshme ndikojnë negativisht në pavarësinë editoriale. Në të njëjtën kohë, raporti përmend përqendrimin e lartë të pronësisë së mediave, mungesën e transparencës së financimit, frikësimet, fushatat denigruese dhe paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike, të njohura si SLAPP.

“Pavarësia dhe pluralizmi i medias vazhdojnë të ndikohen nga depërtimi ekonomik në tregun mediatik i grupeve të biznesit me lidhje politike dhe nga ndërthurja e interesave politike, ekonomike dhe interesave të tjera”, vëren Komisioni Europian.

Një tjetër shqetësim lidhet me kushtet e pasigurta të punës së gazetarëve dhe ndikimin e mundshëm politik në emërimet në autoritetin rregullator të medias dhe në transmetuesin publik.

Raporti evidenton se Shqipëria ka përjashtuar gazetarët e regjistruar nga dispozitat penale për shpifjen në kushte të caktuara, por dekriminalizimi i plotë i shpifjes ende nuk është realizuar.

Për vitin e ardhshëm, Komisioni Europian kërkon reforma të mëtejshme të kuadrit ligjor dhe rregullator të medias, me synim garantimin e transparencës së pronësisë, forcimin e pluralizmit mediatik dhe pavarësisë editoriale.

Në rekomandime përfshihet edhe transparenca e financimit të mediave nga burimet private dhe shtetërore, forcimi i autonomisë së autoritetit rregullator dhe pavarësisë së transmetuesit publik, si dhe shfuqizimi i plotë i dispozitave penale për fyerjen dhe shpifjen.

KE kërkon gjithashtu shpërndarje të drejtë dhe transparente të reklamave shtetërore dhe përmirësim të aksesit të gazetarëve në informacionin publik.

Mbrojtje më e madhe për gazetarët dhe kushte më të mira pune

Në një pjesë të veçantë, Komisioni Europian kërkon që Shqipëria të garantojë mbrojtje efektive për gazetarët nga kërcënimet, sulmet, frikësimet dhe fushatat denigruese. Raporti nënvizon nevojën për zbatimin e ligjit në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe ndjekjen e tyre nga organet gjyqësore.

“Të garantojë më tej tolerancë zero ndaj frikësimeve, kërcënimeve dhe fushatave denigruese, si dhe të sigurojë mbrojtje efektive kundër padive strategjike ndaj pjesëmarrjes publike (SLAPP)”, është një prej rekomandimeve të Komisionit Europian.

Gjithashtu, kërkohet forcimi i kapaciteteve të organeve ligjzbatuese për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj gazetarëve, përfshirë incidentet gjatë protestave. KE kërkon udhëzime të qarta për institucionet, procedura disiplinore, administrative dhe gjyqësore, si dhe mbledhje e administrim më të mirë të të dhënave për këto raste.

Një tjetër pikë e rëndësishme është përmirësimi i kushteve të punës së gazetarëve shqiptarë, përmes forcimit të të drejtave të punësimit dhe të drejtave sociale, si dhe zbatimit të njëtrajtshëm të Kodit të Punës.

Në përfundim, Progresraporti i vitit 2026 paraqet një panoramë me dy anë të ecurisë së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian: nga njëra anë, vlerëson rezultatet e SPAK-ut, përparimin në reformën në drejtësi dhe mundësinë për mbylljen e negociatave në vitin 2027; nga ana tjetër, evidenton korrupsionin, ndërhyrjet politike në drejtësi, problematikat e procesit zgjedhor, përdorimin e paraburgimit dhe mangësitë në lirinë e medias si çështje që kërkojnë zgjidhje konkrete./Hashtag.al

LEXO KËTU RAPORTIN E PLOTË – Albania-report-2026

Rama tentoi fshirjen e “paragrafit Balluku” nga raporti i BE-së

 

Hashtag

Deri në mbrëmjen e djeshme të 3 nëntorit Edi Rama po shpresonte.
Prej dy javësh ai personalisht, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe miq të huaj të kryeministrit shqiptar, po përpiqeshin të bindnin Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionin Evropian, që të shmangnin nga Raporti i përvitshëm rastin e Belinda Ballukut.

Një burim diplomatik i tha Hashtag.al se dy qeveri evropiane janë në dijeni të përpjekjeve të Ramës dhe rrjetit të tij të lobistëve, ndërsa mbrëmjen e së martës disa prej tyre janë kontaktuar dhe u është dhënë mesazhi se mund të hynin në shtigje të gabuara duke favorizuar Edi Ramën.

I njëjti burim diplomatik informoi Hashtag.al se prej disa javësh Edi Rama ka ftohur marrëdhëniet si dhe ka pakësuar kontaktet me Marta Kos; kjo e fundit mund të ketë qenë më herët objekt i kritikave nga qeveritë evropiane për favorizim të Edi Ramës.

Nga ana e tij ministri i Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha ka kuptuar në takime me përfaqësues së disa shteteve evropiane se qeveria shqiptare është në survejim konstant sidomos për 3 çështje:

a) Implikimet e anëtarëve të qeverisë (dhe familjarëve të tyre) me narkotrafikun
b) Implikimet e anëtarëve të qeverisë (dhe familjarëve të tyre) me dosjen AKSHI- Agasi
c) Dosja Balluku

Flamuri kuqezi në Madison Square Garden- Marko Kepi njofton mbrëmjen e trashëgimisë shqiptare në New York

Një mbrëmje e veçantë kushtuar trashëgimisë dhe kulturës shqiptare do të organizohet më 7 dhjetor në arenën e famshme Madison Square Garden në New York, gjatë ndeshjes së hokejit mes New York Rangers dhe New Jersey Devils.

Lajmi është bërë i ditur nga Marko Kepi, president i organizatës Albanian Roots, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar organizimin e aktivitetit “Albanian American Heritage Night” (Nata e Trashëgimisë Shqiptaro-Amerikane).

Sipas njoftimit, Madison Square Garden dhe Albanian Roots do të bashkëpunojnë për organizimin e kësaj mbrëmjeje, e cila synon të promovojë trashëgiminë shqiptare dhe të bashkojë komunitetin shqiptaro-amerikan përmes sportit.

Aktiviteti do të zhvillohet të hënën, më 7 dhjetor, në orën 19:00 me orën lokale të New York-ut, gjatë përballjes së New York Rangers me New Jersey Devils.

Një element i veçantë i kësaj mbrëmjeje do të jetë edhe kapelja ekskluzive e New York Rangers me flamurin shqiptar, e cila do të përfshihet në çdo paketë bilete të aktivitetit.

Gjithashtu, një pjesë e të ardhurave nga çdo biletë e blerë do të shkojë për mbështetjen e nismave të organizatës Albanian Roots, e njohur për aktivitetet e saj në promovimin e identitetit dhe trashëgimisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Panorama

Raporti i Progresit/ KE: Shqiptarët paguajnë nga xhepi 48.27% të shpenzimeve shëndetësore, mbi 3 herë më shumë se mesatarja e BE-së! Mungojnë barnat në spitale

Komisioni Europian evidenton probleme serioze në sistemin shëndetësor shqiptar, duke nisur nga niveli kritikisht i lartë i shpenzimeve që qytetarët përballojnë drejtpërdrejt nga xhepi, te nënfinancimi i kujdesit shëndetësor parësor, mungesa e barnave thelbësore dhe pajisjeve mjekësore në spitale.

RAporti i progresit shendetesia

Në Progres-Raportin për Shqipërinë për vitin 2026, Brukseli konstaton se shpenzimet shëndetësore që paguhen drejtpërdrejt nga qytetarët mbeten në nivele kritikisht të larta, duke arritur në 48.27%, sipas të dhënave të vitit 2023, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 15%.

Kjo do të thotë se pesha e pagesave nga xhepi në shpenzimet shëndetësore në Shqipëri është mbi tri herë më e lartë se mesatarja europiane, duke evidentuar një hendek të konsiderueshëm në mbrojtjen financiare të qytetarëve.

“Sa i përket mbrojtjes financiare, shpenzimet shëndetësore të paguara drejtpërdrejt nga qytetarët mbetën në një nivel kritikisht të lartë prej 48.27% (2023), krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian prej rreth 15%”, thuhet në raportin e Komisionit Europian. Raporti evidenton gjithashtu nivelin e financimit publik për sektorin e shëndetësisë.

Sipas Komisionit Europian, në vitin 2025, shpenzimet publike për shëndetësinë përbënin rreth 2.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe 9.6% të shpenzimeve publike.

Shendetesia progres raporti
Raporti i 2026 për shëndetësinë në Shqipëri

“Në vitin 2025, shpenzimet publike për shëndetësinë ishin rreth 2.7% e PBB-së dhe 9.6% e shpenzimeve publike. Megjithëse shpenzimet u rritën në terma absolutë, pesha relative e shpenzimeve për shëndetësinë ra”, thekson raporti.

Kujdesi shëndetësor parësor i nënfinancuar, shpenzimet 28% më pak se plani

Një tjetër problem i evidentuar nga Komisioni Europian lidhet me financimin e kujdesit shëndetësor parësor, ku përfshihen shërbimet bazë shëndetësore për qytetarët.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025, shpenzimet për këtë sektor rezultuan afërsisht 28% më të ulëta se niveli i planifikuar.

Komisioni vlerëson se kjo situatë ka zgjeruar më tej hendekun ndërmjet nevojave të popullsisë për kujdes shëndetësor dhe burimeve financiare të disponueshme.

“Kujdesi shëndetësor parësor mbetet i nënfinancuar. Në vitin 2025, shpenzimet ishin afërsisht 28% më të ulëta se sa ishte planifikuar, duke zgjeruar më tej hendekun ndërmjet nevojave të popullsisë dhe burimeve të disponueshme”, thuhet në dokument.

KE evidenton mungesën e barnave 

Përtej problemeve të financimit, Komisioni Europian evidenton si një sfidë kritike mungesën e barnave thelbësore dhe pajisjeve mjekësore në spitalet shqiptare.

Raporti thekson se Shqipëria duhet të zhvillojë dhe zbatojë politika e modele të reja për çmimet e barnave, rimbursimin dhe mbulimin e tyre.

“Mungesa e barnave thelbësore në spitale dhe e pajisjeve mjekësore mbetet një sfidë kritike. Vendi duhet të zhvillojë dhe të zbatojë politika dhe modele të reja për çmimet, rimbursimin dhe mbulimin me barna”, konstaton Komisioni Europian.

Ky është një nga vlerësimet më të rëndësishme të raportit për funksionimin e shërbimeve spitalore, pasi mungesa e barnave dhe pajisjeve mjekësore lidhet drejtpërdrejt me mundësinë e pacientëve për të marrë trajtimin e nevojshëm.

Plakja e popullsisë

Në analizën e tij, Komisioni Europian ndalet edhe te ndryshimet demografike që po përjeton Shqipëria.

Raporti konstaton se popullsia shqiptare po plaket si rezultat i tri faktorëve kryesorë: uljes së lindshmërisë, rritjes së jetëgjatësisë dhe emigracionit.

Këto zhvillime përbëjnë një sfidë shtesë për planifikimin dhe financimin e shërbimeve shëndetësore, në një kohë kur raporti evidenton mungesë burimesh dhe nënfinancim të kujdesit parësor.

Kartelat elektronike

Një tjetër problem i identifikuar lidhet me digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore dhe administrimin e të dhënave të pacientëve.

Komisioni Europian konstaton se në Shqipëri është ngritur një sistem elektronik për mbledhjen dhe raportimin e informacionit shëndetësor nga kartelat mjekësore.

Megjithatë, raporti evidenton se ende mungon një kuadër ligjor i posaçëm për administrimin e kartelave elektronike shëndetësore, ndërsa shërbimet elektronike në këtë sektor vazhdojnë të jenë të fragmentuara.

“Është ngritur një sistem elektronik për mbledhjen dhe raportimin e informacionit shëndetësor nga kartelat mjekësore, megjithëse nuk ekziston një kuadër ligjor i posaçëm që rregullon administrimin e kartelave elektronike shëndetësore, ndërsa shërbimet e shëndetësisë elektronike vazhdojnë të jenë të fragmentuara”, thuhet në raport. Panorama

Protesta nis takimet me diplomatët, aktivistët priten nga përfaqësuesja e OSBE-së në Tiranë: Kërkojmë hetimin e arrestimeve dhe pasqyrimin e abuzimeve në raport

Një grup protestuesish ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Tiranë, ku në fokus ka qenë situata e protestës dhe pretendimet për shkelje gjatë ndërhyrjeve të policisë. Në takim kanë marrë pjesë aktivistët Ilir Xhemalaj, Erjon Murataj, Laura Kërtalli dhe Asim Prengezaj.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga protestuesit, takimi u zhvillua me shefen e zyrës së politikave në OSBE. Gjatë tij, ata kanë ngritur shqetësimet për arrestimet dhe atë që e cilësojnë si dhunë të ushtruar nga Policia e Shtetit.

Protestuesit i kanë kërkuar OSBE-së që në raportet e saj të pasqyrojë pretendimet për abuzime, si dhe kërkesat e tyre për ndryshime në ligjin zgjedhor dhe shfuqizimin e reformës territoriale.

Në njoftimin e tyre bëhet me dije se ky takim shënon nisjen e një serie takimesh me përfaqësitë diplomatike në Tiranë, të cilat synojnë të informojnë ndërkombëtarët për situatën dhe kërkesat e protestës.

Ata deklarojnë se takimet do të vijojnë deri në përmbushjen e misionit të protestës.

 

Reagimi i plotë:

Ditën e sotme zhvilluam një takim me karakter informues mbi situatën e protestës me përfaqësinë e OSBE në Tiranë.
Vendosëm theksin tek arrestimet dhe dhuna barbare ushtruar nga e ashtuquajtura e policia e shtetit.
Kërkuam nga OSBE të pasqyroj në raportin e saj abuzimet dhe kërkesat për ndryshime ligjore në ligjin elektoral dhe abrogimin e pseudo reformës teritorial.
Me këtë takim protesta cel siparin e një sërë takimesh me përfaqësitë diplomatike në Tiranë der në përmbushjen e misionit të saj. gsh

“Shefen e Shërbimit Sekret e kam shoqe të ngushtë!” – Ergys Agasi fliste me dy shtetas izraelitë për Vlora Hysenin, zbardhen mesazhet

Detaje janë zbardhur nga vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, e cila akuzohet se ka ndihmuar me informacione sekrete Ergys Agasin teksa ndodhej në arrati. Një ditë më parë, Apeli i GJKKO vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj saj.

Sipas dokumenteve gjyqësore që citon News24, në dosje përfshihen edhe komunikimet telefonike të Agasit me dy shtetas izraelitë, të identifikuar si Shalev I. dhe Srulik E.K., ku ai përmend njohjen e afërt me Hysenin dhe ndikimin që ajo mund të kishte.

Në një prej mesazheve, Agasi shprehet se e kishte shoqe të ngushtë drejtuesen e shërbimit sekret, ndërsa në një tjetër pretendon se ajo do të ndërhynte personalisht në një situatë në favor të tij.

“E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”, thotë Ergys Agasi në një prej komunikimeve me shtetasin  Shalev I.

Ndërsa në komunikimin me shtetasin tjetër, Srulik E.K., Agasi i shkruan: “Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e Shërbimit Sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera”.

Gjykata vlerëson se këto komunikime tregojnë ekzistencën e mundshme të një rrjeti ndërkombëtar në shërbim të interesave të grupit kriminal, duke rritur rrezikun që Vlora Hyseni, nëse do të ishte e lirë, të mund të përdorte kontakte dhe kanale jashtë kontrollit të autoriteteve.

“Komunikimet e ndërmjetësuara nga Agasit me shtetasit me pseudonimet Shalev I., dhe Srulik E., të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e Shërbimit Sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, rrjet ky që rrit shkallën konkrete të rrezikut se Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtë kontrollit efektiv të organeve proceduese.”, thuhet në dokument.

Më herët, në dosjen e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) janë zbardhur edhe komunikime të drejtpërdrejta mes Agasit dhe Hysenit, ku flitej për persona që sipas tyre u donin të keqen.

Një ditë më parë, Hyseni u la në masën e arrestit në shtëpi nga Apeli i GJKKO. Ndaj saj, janë vendosur dy masa sigurie  “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike” pasi dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasin me informacione shtetërore teksa ndodhej në arrati. Vlora Hyseni dyshohet se ka kryer dy vepra penale, përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve sekrete. Panorama

Studentët çojnë në ‘Kushtetuese’ 3 VKM që i ndalojnë të protestojnë, të rinjtë: Të pezullohet zbatimi! Të protestosh nuk është faj, s’mund të trajtohemi si armiq

Një grup të rinjsh, përfaqësues të studentëve protestues kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese ankimin e tyre për 3 VKM të qeverisë, që i pengon ata të grumbullohen dhe të protestojnë.

Në një komunikim për mediat, ata thanë se kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të pezullohet zbatimi i dispozitës.

Sipas tyre këto tre akte të ndryshme kanë një mesazh të përbashkët, kush ngre zërin kundër pushtetit duhet të ketë frikë.

“Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat. Qeveria thotë se me këtë paketë “protesta paqësore mbrohet” dhe se “përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, paketa “antidhunë” ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë”, tha njëri prej studentëve.

Ndërsa një studente tjetër argumentoi se të protestosh nuk është faj dhe se ata që protestojnë nuk mund të trajtohen si armiq.

“Për këtë arsye, kërkojmë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi. I kërkojmë gjithashtu që, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim. Edhe nëse Kuvendi i miraton aktet normative, ankimet nuk mbeten pa objekt, i kemi kërkuar Gjykatës ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues. Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik”. Panorama