Një ndër arsyet pse Peter Handke i ka hipur kalit mbrapsht dhe kalëron në drejtim të gabuar qe gati 25 vjet sa i përket Ballkanit, është edhe gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Kjo gazetë, si asnjë tjetër në botën perëndimore, e ka kritikuar ashpër ultrancionalizmin pushtues të Beogradit. Njëri nga editorët e gazetës, Johann-Georg Reissmüller, në vitet 60-të ka qenë korrespondent në Beograd. Ai ka shkruar libra për rajonin, ka qenë njohë si madh i historisë së Ballkanit dhe eksperimentit jugosllav, të cilin e shihte me skepticizëm dhe të destinuar për të dështuar. Në librin e tij të parë për konfliktet në Ballkan të titulluar «Drejtësi për Serbinë» (botuar më 1996 në Prishtinë) Handke e quan «Frankfurter Allgemeine Zeitung-un» – një gazetë prijetare serbëngrënëse.
Jo vetëm Peter Handke, por edhe shkrimtarë të tjerë gjermanë, austriakë e zviceranë e shihnin Jugosllavinë si ideal të një parajse socialiste. Ata nuk jetonin në Jugosllavi. Ata e njihnin Jugosllavinë nga propaganda e regjimit të Josip Broz Titos, e njihnin nga fotografitë e takimeve që zhvillonte Tito me Willy Brandtin, kancelarin socialdemokrat gjerman – në një fotografi shihet se si Brandt ia ndez cigaren puro Titos gjatë një takimi në ishujt Brione, atje ku Tito tërhiqej sidomos gjatë verës dhe shijonte jetën, herë duke pritur politikanë si Brandti, herë duke zier pasta me aktore të bukura si Sophia Loren. E njihnin Jugosllavinë këta shkrimtarë dhe intelektualë gjermanë, austriakë e zviceranë edhe nga Shkolla Verore Ndërkombëtare në ishullin e Korçullës, aty ku çdo vit mblidheshin filozofë nga Perëndimi e Jugosllavia për të folur për marksizmin e socializmin me fytyrë njeriu. Që pak më tutje ishte ishulli Goli Otok, ku regjimi i Titos i kishte degdisur e terrorizuar mijëra njerëz – kush bëhej merak për këtë. Tito shihej si lider i një bote të tretë, që kundërshton Moskën dhe Washingtonin, bile te një pjesë e intelektualëve të lëvizjes së vitit 1968 Amerika urrehej edhe më shumë se Bashkimi Sovjetik stalinist. Handke i përket kësaj mendësie. Andaj ai ishte i tronditur kur publicistë gjuhëmprehtë si Johann-Georg Reissmüller e quanin Jugosllavinë projekt të dështuar.
Handke, ndërkaq, e shihte Jugosllavinë si utopi të tij personale. Së pari ai i mallkoi sllovenët që kërkuan pavarësi (nëna e Handkes ishte sllovene), pastaj Handke iu vërsul «Frankfurter Allgemeine Zeitung-ut» dhe Johann-Georg Reissmüller. Kishte gazetarë të tjerë në Gjermani që ose mbanin qëndrime proserbe ose thoshin: nëse popujt e Ballkanit bash kanë qejf të kënaqen me urrejtjen e tyre, atëherë nuk duhet t’i pengojmë (kështu ka thënë, për shembull, Marion Gräfin Dönhoff, botuesja aristokrate e «Die Zeit» të Hamburgut). Botuesi i «Der Spiegel» Rudolf Augstein ishte kundërshtar i çdo përzierje të Gjermanisë në Ballkan. Në gusht të vitit 1992 ai tallej me Reissmüllerin duke shkruar se pa «kolumnen» e tij të rregullt gjermanëve as që do t’u binte ndërmend të ndërhynin në Ballkan. Augstein e akuzonte Reissmüllerin si luftënxitës. Cinizmi i Augsteinit shkonte deri aty, saqë thoshte se pa komentet e «Frankfurter Allgemeine Zeitung-ut» dhe pa pamjet televizive që synonin të kenë efekt të shikuesit, nuk do të kishte ndodhur njohja e Sllovenisë dhe Kroacisë nga Gjermania. Domethënë: për Augstenin nuk ishte problem shkatërrimi i Vukovarit nga ushtria, policia dhe paramilitarët e Beogradit, por pamjet televizive. Më 1999 Augstein ishte kundër ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës – tani ai përkrahej edhe nga e bija e tij Franziska Augstein, e cila edhe sot, sa herë që e gjen rastin, kujdeset të përkujtojë publikun se çfarë gabimi ka bërë NATO më 1999 duke ndërhyrë kundër Serbisë.
Thuhet se në kuzhinën e Johann-Georg Reissmüllerit ishin vendosur xhama antiplumb për të evituar sulmet eventuale të kriminelëve nacionalistë serbë. Por kishte gjermanë të tjerë nga jeta publike që nuk kishin arsye të frikësoheshin nga plumbat serbë, madje disa tregonin mirëkuptim për plumbat serbë – kundër Kroacisë, Kosovës, Bosnjës. Peter Glotz, politikan prominent socialdemokrat, ka qenë njëri nga propagandistët më të egër promillosheviqian në Gjermani. Atij i mungonte vetëm kokarda e çetnikut. Pëshpëritësja e tij e afërt ishte Mira Beham, një publiciste çetnike që me vite të tëra ka bërë zhurmë në hapësirën gjermane. Horst Grabert, në vitet ’70 këshilltar i kancelarit Brandt dhe ambasador i Gjermanisë Perëndimore në Beograd (1979-1984), tregonte hapur simpati për serbët. Ai kërkonte sanksione për të gjithë, kërkonte që e drejta e vetëvendosjes të mos jetë maksimë e vetme, insistonte që nëse kroatët duan të jenë të pavarur, atëherë serbët e Kroacisë kanë të drejtë të kundërshtojnë këtë shtet. E kështu me radhë.
Peter Handke është vetëm zëri më i lartë dhe më i çjerrë i një grupi që Sllobodan Millosheviqin e shihte si shpëtimtar të Jugosllavisë së Titos. Që Millosheviqi ishte shkatërruesi i trashëgimisë së Titos – me këtë nuk pajtohen të verbrit. Gjermania është me gjasë vendi ku shërbimi sekret jugosllav ka vrarë më së shumti emigrantë – dhe qeveritë gjermane këtë në një mënyrë e kanë toleruar, sepse përveç protestave rutinore nuk kanë ndërmarrë asgjë kundër regjimit të Titos dhe udbashit të tij Stane Dollanc. Prandaj, nuk është shumë e habitshme që edhe tani, jo rrallë, bën vaki që Gjermania të heshtë kur duhet të protestojë. Më 2018 kryeministrja serbe Ana Bërnabiq në zemër të Berlinit tha se Srebrenica nuk ka qenë gjenocid. Asnjë gazetë gjermane nuk e regjistroi këtë skandal. Politika heshti. Tani Aleksandar Vuçiqi tha se Reçaku ka qenë një ngjarje e fabrikuar, jo masakër, dhe nga Berlini nuk dëgjohet asgjë. Kohërat, për fat të keq, kanë ndryshuar.
Në fund të viteve ’90 në shumë vende perëndimore qeverisnin idealistë me orientim multilateral (Bill Clintoni, Tony Blairi, Jacques Chiracu, Joschka Fischeri, më pak Gerhard Schröderi). Tani duket se koha e idealizmit, e mbrojtjes së të drejtave të njeriut e luftës për barazi nuk gëzon prioritet si më 1999. Tani nga qarqet e ekstremit të djathtë dhe të majtë Peter Handke shikohet si vizionar që kritikon Perëndimin që ka sulmuar serbët, të cilët s’paskan bërë gjë tjetër veçse luftuar disa myslimanë atje poshtë në Ballkan. Bota nganjëherë di të jetë cinike.
Komentet