Tridhjetëvjetori i themelimit të gazetës “Bota Sot” (26 qershor 1995) është një përvjetor i shënuar për të gjithë lexuesit e saj në mbarë trojet tona etnike dhe në Diasporë. Roli i saj është i jashtëzakonshëm në pasqyrimin e ngjarjeve tepër të zulmshme në historinë e popullit dardan që prej mesit të viteve ’90, kur bisha fashiste serbe po përgatitej ta shpopullonte krejtësisht territorin e Dardanisë.
Duke parë nga largësia 30-vjeçare interesimin e jashtëzakonshëm që pati ngjallur kjo gazetë për publikun e gjerë, sapo numri i parë i saj doli në qarkullim, të krijohej bindja e patundur se në Redaksinë e saj punonin gazetarë me autoritet të lartë profesional, të cilët, paraprakisht, kishin sanksionuar parimet themelore të gazetarisë.
Ku konsistonin ato parime themelore, të cilat patën shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si yll karvani gjatë komunikimit me masën e gjerë të lexuesve?
Së-pari, në respektimin e së vërtetës dhe në të drejtat e opinionit shoqëror për informacion. Shpeshherë thuhet se gazetaria është një kopje e dorës së parë, një kopje e pakorrigjuar e historisë, sepse gazetarët mbajnë shënim ngjarjet e rëndësishme.
Së-dyti, në informimin e opinionit shoqëror për ngjarjet e ditës dhe për ato të ardhshme, të cilat ushtrojnë ndikim mbi të gjithë planetin tonë, duke filluar nga ngrohja globale, lufta ose kërcënimi nga sunami, deri te rënia ekonomike dhe terrorizmi.
Së-treti, në shpërndarjen e informacioneve edhe për rutinën e përditshme, si, fjala vjen, ndyshimin e orarit të qarkullimit të autobusëve, rritjen e çmimeve, shtimin e taksave, suksesin ose disfatën e një skuadre sportive apo largimin për në amshim të një qytetari të shquar.
Së-katërti, në ushtrimin e profesionit të gazetarit jashtë varësisë nga ata, për të cilët jep informacion dhe në kryerjen e detyrës, duke u mbështetur vendosmërisht në sistemin e vlerave dhe në kodin e etikës.
Ky tridhjetëvjetor i gazetës “Bota Sot” na kujton atë periudhë, kur Serbia fashiste, stekën e terrorit që ushtronte kundër popullit dardan, e kishte ngritur shumë lart. Në ato kushte, puna e drejtuesve të saj dhe e të gjithë gazetarëve bëhej jashtëzakonisht e vështirë. Pikërisht trimëria e secilit prej tyre asokohe ka qenë njëri nga tiparet më madhështore të karakterit të tyre, që qe shfaqur jo vetëm gjatë kryerjes së akteve të guximshme para rrezikut që u kanosej, por edhe në vendosmërinë e karakterit, në aftësinë për të marrë vendime të vështira dhe për të vepruar për arritjen e qëllimeve që i kishin vënë vetes, duke mposhtur frikën. Guximi ka qenë jo thjesht trimëri, por edhe gatishmëri për të mbrojtur bindjet e veta, qoftë edhe atëherë kur patën hasur në rezistencën e të tjerëve. Ai është, gjithashtu, aftësi për të marrë përsipër përgjegjësinë për qëndrimet e veta dhe pasojat vendimeve të veta.
Në kushtet kur filloi botimi i gazetës ”Bota Sot”, kuptohet vetvetiu që Redaksia e saj do të ndodhej nën krcënime të përhershme jo vetëm nga ana e shërbimeve të fshehta të Serbisë fashiste, por edhe nga ana e informatorëve tradhtarë, të infiltruar prej tyre në radhët e popullit dardan. Aq më tepër që interesimi i lexuesve për këtë gazetë qe shtuar jashtë mase, saqë në kohën kur në krye të saj ishin dy personalitete të publicistikës dhe përgjithësisht të botës së letrave, si Skënder dhe Elida Buçpapaj, tirazhi i saj pati arritur deri në dyqind mijë kopje. Shtimi i interesimit të jashtëzakonshëm të masës së gjerë të lexuesve për këtë gazetë me orientim të spikatur kombëtar, domosdo që do ta tërbonte Serbinë fashiste, e cila ndërmori akte kriminale kundër gazetarëve të saj. Si rezultat i atij tërbimi, qenë vrarë gazetarët Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, qe kërcënuar krejt Redaksia me një atentat me bombë në shtator të vitit 2002.
Redaksia dhe gazetarët e gazetës “Bota Sot” kan qenë dhe vazhdojnë të jenë gardianë në mbrojtje të së vërtetës dhe demaskues të pamëshirshëm të shovinizmit serbomadh, të ngrehinës kriminale serbofashiste. Misionin e tyre të pazëvendësueshëm e gjejmë të mishëruar në një aforizëm të shklqyer të Napoleon Bonapartit (Napoléon Bonaparte – 1769-1821), në të cilin thuhet:
“Gazetari është një pastrues rrugësh, që punon me penë”.
Pra, gazetari bën sakrifica të jashtëzakonshme për pastrimin e jetës së njerëzve të ndershëm nga lloj-lloj pisllëqesh që hedhin mbi të jo vetëm pushtuesit e huaj, por edhe mercenarët, tradhtarët, hajdutët, oligargët e pangopur, politikanët e degjeneruar dhe karrieristë, të cilët, për pushtet dhe para, nuk ndalen para çdo krimi dhe marrëzie.
Qëndrimi burrëror i gazetarëve të gazetës “Bota Sot”, më sjell ndër mend disa gazetarë amerikanë me dinjitet tepër të lartë profesional, të cilët kanë bërë epokë në historinë e Shteteve të Bashkuara, çka dëshiroj ta ndaj me lexuesit e saj të nderuar.
Së-pari, gazetari i njohur Eduard Marrou (Edward Murrow – 1908-1965), të cilin e patën vlerësuar edhe si mbretin e gazetarisë politike, ka thënë:
“Gjithçka që kam pasë rrëfyer në efir, është vetëm një pjesë e asaj që kam parë dhe kam dëgjuar”.
Ai ka qenë i pari që pati përgatitur një reportazh në kampin nazist të pëqendrimit Bukenvald dhe pati ngulur këmbë vazhdimisht që materiali i gazetarisë duhet të jetë jo vetëm objektiv, por duhet që edhe lexuesin ta bjë të bjerë në mendime. Prej vitit 1935 ka punuar në teleradiorrjetin amerikan CBS, kurse në vitin 1937 u nis për në Londër, me detyrën e drejtorit të seksionit europian të kompanisë. Gjatë kohës që ndodhej në kryeqytetin britanik, filloi të formonte skuadrën e vet të punës, të cilën më vonë e patën quajtur “çunat e Marrout”. Kjo skuadër punoi në Europë deri në mbarim të Luftës II botërore dhe pati dhënë një kontribut të konsiderueshëm në luftë kundër fashizmit. Në vitin 1953, Eduard Marrou filloi “luftën” kundër senatorit republikan Xhozef Makarti (Joseph McCarthy – 1908-1957), i cili e pati akuzuar gazetarin padrejtësisht për simpati ndaj komunistëve. Por në saje të veprimtarisë këmbëngulëse të Marrout, senatori Makarti dha dorëheqjen.
Së-dyti, gazetaren Ida Tarbell (Ida Minerva Tarbell – 1857-1944) e kanë pasë karakterizuar si “gërmuese të pisllëkut”. Kjo nofkë u qe vënë njerëzve të penës në Shtetet e Bashkuara, të cilët qenë specializuar në fushën e gazetarisë demaskuese. Çështje e krejt jetës së saj qe bërë lufta kundër perandorisë së Xhon Rokfelerit (John Rockefeller – 1839-1937) “Standard Oil”. Babai i Idës kishte punuar në biznesin e naftës dhe kompaninë e tij e kishte gëlltitur perandoria e industrialistit amerikan. Gazetarja pati filluar një luftë të pashpallur, gjatë së cilës, në kompaninë e Rokfelerit, ajo kishte gjetur informatorin e vet – zëvendëspresidentin e kompanisë Henri Roxhers (Henry Rogers – 1840-1909). Ai i pati vënë në dispozicion dokumente të rëndësishme dhe i pati rrëfyer për të fshehtat e kompanisë “Standard Oil”. Në vitin 1905 qe botuar libri i kësaj gazetareje, me titull “Historia e Standard Oil”, në të cilin qenë publikuar jo vetëm intervista me Roxhersin, por edhe dokumente konfidenciale të kompanisë. Kompaninë e Rokfelerit e shpërbënë me akuzën për shkeljen e legjislacionit antimonopol, kurse libri i gazetares rezultoi si vepra më e shitur se çdo libër tjetër (bestseller) në Amerikë, dhe deri tani zë vendin e pestë në listën e veprave më të mira dokumentare.
Së-treti, dy gazetarët, Karl Bernstain (Carl Bernstein – 1944) dhe Bob Vudvord (Bob Woodward – 1943), ishin ata që “e ndihmuan” Riçard Niksonin (Richard Nixon – 1913-1994) të largohej para afatit nga posti i presidentit. Ky ishte rasti i vetëm në historinë e Shteteve të Bashkuara. Gjithçka pati filluar nga historia e përgjimit të paligjshëm të shtabit të Partisë Demokrate para zgjedhjeve të vitit 1972. Ishte fjala për “Skandalin e Uotergeitit” (Watergate scandal). Vudvordi dhe Bernstaini, dy vjet më parë, kishin rënë në gjurmët e ekzekutorëve dhe të organizatorëve të përgjimit dhe, përmes tyre, patën zbuluar porositësit e përgjimit. Për realizimin e zbulimit të atij përgjimi, gazetarët i pati ndihmuar një burim qeveritar, i cili fshihej prapa pseudonimit “Gryka e Thellë” (Deep Throat). Për një kohë të gjatë, Niksoni nuk pati pranuar t’ia dorëzonte videoregjistrimin prokurorisë. Në të ishte regjistruar biseda e presidentit me shefin e aparatit presidencial Harri Holdeman (Harry Holdeman – 1926-1993). Gatë asaj bisede qenë diskutuar hollësitë e përgjimit dhe pengesa për hetimin nga ana e CIA-s dhe FBI-së. Si rezultat i hetimit që zhvilluan të dy gazetarët, Riçard Niksoni dha dorëheqjen më 09 gusht të vitit 974.
Kaliforni, 27 qershor 2025