Muzikantit, pianistit të talentuar dhe pedagogut të shumë muzikantëve të rinj
Vladimir Kapo (1942- 26 korrik 2024)
.
Iku pa buzëqeshur
Dhe s’u kthye më,
Malli na ka tretur
Shqetësimi s’na lë.
.
Na vështron së larti
Mirësia dhe arti,
Prejardhja dhe fati
Nga Mëma dhe Ati.
.
Vladi është muzikë,
Në pianon e tij,
Kush tha që ka ikë
Prapë do të na vijë.
.
Nuk lindin dy herë
Njerëz – mjaltë e nder,
Do të ketë të tjerë
S’besoj me kaq vlerë.
.
Qeshur në kujtesë
Ditë vere e bukur,
Sytë e tij – një shpresë
Shpirt i pakëputur…
.
Pa buzëqeshur iku
Meteor korriku,
Cigaren s’e fiku
Kafen sa e ciku…
.
Ndritshmërisht me ne
Me yjet, shpërndan re.
.
Vlorë, e shtunë 26.07.2025