Prezenca e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, përkatësisht Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR) paraqiti një Raport final më shumë se të mjegullt për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në Shqipëri. Kjo tregon se OSBE/ODIHR ose i njeh problemet dhe nuk ka interes t’i hapë në dritë të diellit, ose nuk don t’i njoh fare. Në të dyja rastet nuk është në misionin e saj, përderisa çdo herë shtron pothuajse të njëjtat rekomandime, ndërkohë që zgjedhjet në Shqipëri po degradojnë gjithnjë e më shumë.
Raporti final për këto zgjedhje u paraqit pas afro gjashtë muaj. Në këtë Raport, midis të tjerash, Prezenca konkludon se “fushata ishte përgjithësisht e qetë”, se “dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë” dhe se “mjedisi pas-zgjedhor mbeti i qetë”. Atëherë, në këto kushte, Raporti, normalisht, do të duhej paraqitur pas afro 6-8 javësh pas përfundimit të procesit zgjedhor, e shumta deri në dy muaj, sado “por” që shton ky Raport pas konstatimeve “të qeta”. Por jo 6 muaj! Sepse pas 6 muajsh është shuar interesi, janë zbehur problemet dhe janë krijuar të reja: praktikisht Shqipëria tani është në fushatë për zgjedhje të pjesëshme në 6 bashki.
Për të mos thënë më shumë, le të themi se që këtu fillon zvarritja e misionit të OSBE/ODIHR që ka nisur 29 vjet më parë. Ajo është i ngarkuar të vëzhgojë zgjedhjet për të vlerësuar në çfarë mase proceset zgjedhore respektojnë liritë themelore dhe karakterizohen nga barazia, universaliteti, pluralizmi politik, besimi, transparenca dhe përgjegjshmëria, si të mbështesë autoritetet në përpjekjet e tyre për të përmirësuar proceset zgjedhore dhe për të ndjekur rekomandimet e misioneve të vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR-it, duke rishikuar legjislacionin që lidhet me zgjedhjet.
Raporti, në një formë rutinë, i përshkruan mbi 10 herë listat e mbyllura, por asnjëherë nuk jep verdikt nëse kjo formë përzgjedhjeje kandidatësh është demokratike apo antidemokratike. Thjesht konstaton se “disa parti të vogla e kundërshtuan sistemin e ri në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se ai favorizon dy partitë dominuese, minon mundësinë reale që kandidatët nga listat e hapura të fitojnë një mandat dhe nuk respekton kërkesat kushtetuese për votimin preferencial. Ndërsa Gjykata Kushtetuese e konsideroi sistemin në përputhje me kushtetutën, pasi ligji nuk shkel kërkesën që lidhet me listat e kandidatëve, ai gjithsesi mund të çojë në një kontroll ose ndikim të konsiderueshëm të drejtuesve të partive mbi përfaqësimin parlamentar, pjesërisht për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme partiake, pasi shumica e mandateve, në çdo rast, u shpërndahen kandidatëve nga listat e mbyllura, pavarësisht nga numri i votave që marrin kandidatët në listat e hapura.”
Ky është roli i Prezencës së OSBE/ODIHR, thjesht të përshkruajë labirinthet antidemokratike që vijojnë të mbahen me thonj në Shqipëri, apo t’i ndriçojë ato dhe të shtrojë rekomandime sipas standarteve demokratike?
Njera nga ato “partitë e vogla” (edhe ky një term antidemokratik!) që përmend Raporti, është “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, e cila, në platformën e saj për zgjedhjet politike të vitit 2025 ka këmbëngulur disa herë që reforma zgjedhore nuk duhet të bëhet për të ushqyer pazaret politike të dy partive kryesore sikurse i ka ushqyer në të gjitha zgjedhjet e kaluara., por vetëm mbi shtylla demokratike siç është barazia e votës, me një sistem proporcional kombëtar, çka siguron përfaqësim real të subjekteve në Kuvend në raport me votën; lista të hapura, ku renditjen ta përcaktojë votuesi, jo orekset, parapëlqimet dhe pazaret e politikanëve.
Nuk është e rastit që PS dhe PD, pa asnjë analizë, u deklaruan solidarë me Raportin që ditën që u shpall dhe u dakordësuan për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili do të ketë për detyrë hartimin e ndryshimeve ligjore dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Të gjitha këto i kemi bërë të ditura dhe të qarta në Parlament e jashtë tij, te institucionet shtetërore që janë të ngarkuara ligjërisht për zgjedhjet, te ndërkombëtarët e në veçanti te OSBE, si problem madhor për demokracinë.
Raporti i OSBE/ODIHR, në thelb, është pothuajse i shkëputur nga realiteti i zhvilluar përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve në Shqipëri. Raporti nuk shkruan gjë për brutalitetin e pushtetit dhe gjithë shtetit; nuk shkruan se vota është kaparuar para zgjedhjeve dhe janë intimiduar zgjedhësit; nuk e përmend dyfishimin e administratës para votimeve; kalon në mënyrë sipërfaqësore infrastrukturën qeveritare të patronazhimit, përdorimin e paligjshëm të të dhënave personale nga pushteti, angazhimin e grupeve kriminale në zgjedhje; anashkalon problemin që vota diktohet, manipulohet, blihet, deformohet e tjetërsohet nga partia shtet.
OSBE/ODIHR është në Shqipëri që të bëjë një analizë të paanëshme dhe me kritere: zgjedhjet në Shqipëri kanë shkuar dhe po shkojnë drejt “marifeteve” antidemokratike, pra drejt lustrës demokratike, apo drejt standarteve demokratike?
Në fund të fundit, misioni i Prezencës së OSBE/ODIHR është që të japë këtë vlerësim, jo të përshkruajë marifetet dhe labirinthet ku po ecin zgjedhjet në Shqipëri. Nëse e bën mirë këtë, atëherë do të gjejë se edhe këto zgjedhje nuk ishin as të lira, as të ndershme, as të besueshme dhe as të pranuara nga konkuruesit.
Nga Raporti i OSBE/ODIHR, të fituar si gjithmonë dolën dy partitë kryesore, pikërisht ato të cilat kanë përgjegjësinë e plotë për regresin që ka pësuar procesi zgjedhor në Shqipëri nga zgjedhja në zgjedhje. Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të mbetet vend krize, se nga mosrespektimi i votës burojnë të gjitha krizat e tjera në vend.
Atëherë, përse është Prezenca e OSBE/ODIHR në Shqipëri?