Në të njëjtën ditë, të Dielën më 13 Prill, kur dy partitë kryesore u zhvendosën në Italinë fqinje për takime me zgjedhësit për votën e diasporës, disa Komisariate të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranës nisën monitorimet dhe matjet e nivelit të zhurmave në mjediset që prodhojnë muzikë të lartë. Duket si e rastësishme që ndotja akustike të merret tani si një masë që garanton qetësi për qytetarët në një kohë kur sheshet dhe çdo rrugicë e qytetit dhe jo vetëm lokalet që janë pushtuar nga ekranet e politikës ndodhen në muajin elektoral që padyshim edhe tejkalon interesin e kampionateve të FIFA-s edhe UEFA-s bashkë. Prodhuesit e muzikës ose sipas njoftimit:-“… zbatimin e një plani të posaçëm për monitorimin dhe matjen e nivelit të zhurmës në lokale apo ambiente që gjenerojnë muzikë të lartë”, është një masë e pjesshme dhe e orientuar kryesisht mbi njerëzit, në një kohë kur arteriet kryesore me trafik të rënduar të Tiranës, boritë dhe sirenat, industria e ndërtimit dhe betonizimi që punon edhe në orët pasmesnate, punishtet e kateve përdhese në çdo pallat përbëjnë ndoshta një spektër më të gjerë që monitorues mjedisor të kenë më tepër përparësi se uniformat e policisë në një qytet. Prania e shtuar e uniformave të policisë ose monitorimi vetëm prej tyre në një muaj zgjedhor dhe kur kjo kërkesë siç jepet nga njoftimi nuk ka dalë si bashkërendim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Bashkinë të cilat janë institucione që kanë inspektorët e tyre, por hedhja direkt si një plan masash i ndërmarrë me iniciativë nga Policia e Tiranës dhe i ndjekur i vetëm sipas njoftimit, tregon se kemi me një njëanshmëri.
I mbetur tek kureshtja se çfarë solli monitorimi u kuptua se një lokal që kishte shënuar 85.5 Db nivelin e zhurmës u gjobit me 300.000 lekë. Përkundrejt asaj që parashtron ligji në fjalë Nr.9774, datë 12.7.2007 -i ndryshuar “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, ose dh) fillimi i punës ose i veprimtarisë, pa zbatuar masat e mbrojtjes nga zhurma, që kërkohen për zhvillimin e veprimtarisë që lëshon zhurmë nga 100 000 lekë deri në 300 000 lekë. Ligji Nr.9774, datë 12.7.2007 i përket Presidentit Moisiu* ku flitet për inspektoratin mjedisor pa policinë, ndërsa i ndryshuari është i 11.7.2023 i Presidentit Begaj*, ku për shkak të përparësisë mbi mjedisin turizmi gjen mbështetjen e policisë. Ndërsa Arkëtimi sipas Nenit 34, pika 2, të ardhurat nga gjobat i kalojnë Buxhetit të Shtetit kur ato janë vendosur nga inspektoratet e përmendura në nenin 29 të këtij ligji dhe bashkisë/komunës kur ato janë vendosur nga struktura përgjegjëse për kontrollin e mjedisit në bashki/komunë.
Interesante është se inspektorët mjedisorë lihen jashtë monitorimit dhe uniforma e policisë bëhet më e pranishme në jetën publike. Por megjithëse këto gjysmë masash shtohen si për të treguar rregullin, jepen edhe në njoftimet zyrtare të ATSH-s e cila së fundmi ndodhet në gjendje të vështirë për hapësirat dhe vendin në pasqyrimin e subjekteve politike gjatë fushatës.
Partitë e vogla zënë fare pak vend ose mjaftohen me një titull apo një foto plus, ndërsa ndonjë tek tuk zgjatet si pa interes dhe nuk e gjen përputhjen dhe interesanten tek publiku.
Të tilla u renditen për të Dielën 13 Prill, partitë e vogla që çelën zyrtarisht fushatën dhe tabela e “klasifikimit” sipas ATSH-s, ju dha atyre si “lajmi sportiv” me nga një gol të shënuar. Një kronikë lajmi nga kryetarët si p.sh Qorri në Fier me Lëvizjen “Bashkë”, Lapaj në Vlorë me “Nisma Bëhet” një ditë më parë, Shehaj me Partinë “Mundësia” në Tiranë në Pallatin e Kongreseve, ndërsa Basha me Koalicionin Euroatlantik në Selanik.
Standardi i monitorimit të lajmit zgjedhor, sikur të ishim vërtetë në një rezultat me shumë gola në futboll shkon edhe për opozitën ku PD zhvilloi takime në Breshia të Italisë ku u evidentuan në katër lajme Berisha dhe Mediu, ndërsa për PS standardi ndërrohet, ndërrohet fusha edhe loja kur bie fjala për mbulim mediatik. Mbulimi me lajmeve bëhet sikur shënohet në basketboll me dy dhe tre shifra. Një propagandë e papërsëritshme në llojin e vet megjithëse pa mesazh dhe pa program politik nga një qeverisje dhe personazh që e mbajnë pushtetin prej 12 vitesh. Për të shtuar jo thjeshtë kuriozitetin, por për ta treguar se sa e pamëshirshme është propaganda zyrtare e ATSH ndaj opozitës, monitoruesit vendas dhe të huaj mund të shikojnë faqen në gjuhën angleze. Rezultati do të jetë jo vetëm befasues në shikim, por tërësisht i fshirë për opozitën pasi në rubrikat “General Election” dhe “Latest News” jeton, mesazhon dhe flirton me imazhin vetëm kreu i elitës së Rilindjes Socialiste Rama.
AMMA, KQZ dhe OSBE-ODIHR janë në terren dhe shpresojmë që shkeljet të evidentohen.
Në betejën e imazhit të së Dielës ku padyshim vërehen mbështetësit emigrantë të Italisë që tashmë kanë dy rrugë postën ose udhëtimin drejt Shqipërisë për të votuar me prani fizike dhe dokumentacion identifikues, janë rreth 150 mijë votues të regjistruar në KQZ, vetëm në Itali ata ndikojnë kryesisht në rezultatin e qarqeve Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Vlorë. Dhe pavarësisht sa strategjike dhe e mprehtë po zhvillohet beteja përtej Adriatikut nga dy partitë kryesore vihet re se drejtimet janë tërësisht të kundërta në çështjen e demografisë. Pra kur flitet për ndalimin e hemorragjisë së shpopullimit prej emigracionit.
Në qoftë se nga Breshia, demokratët ofrojnë, prodhimin, punësimin, zbutjen e taksave për kthimin emigrantëve në vendin e tyre për ta ndërtuar mirëqenien dhe sigurinë e Shqipërisë, Partia Socialiste nga Milano mbetet tërësisht në një format demagogjie dhe propagande. Ajo tregon se është subjekti politik që mendon vetëm për vjeljen e votave nën premtimin e pasaportës së BE-së që është dyfishuar në numrin e mesazheve që përcjell Drejtuesi Politik i PS për Diasporën Taulant Balla. Duke tundur dy njëherësh atë shqiptaren e lëvizjes së lirë tani dhe atë italianen që i takonin një qytetari shqiptaro-italian, Balla në dëshirën për ta thjeshtëzuar rastin se vota për mandatin e katërt të PS i fut shqiptarët në BE, të lë pamend në arsyetim. Siç pohonte ai, se ka një jetë që merret me numrat në parlament, ish Ministri i Brendshëm Balla e kërkon votën duke ironizuar sa opozitën po aq edhe partitë e vogla pasi objektivi i qartë i PS në Kuvendin e Shqipërisë është sundimi njëpartiak, kapja e të gjitha pushteteve, ndryshimi i kushtetutës, pasja e një pluralizmi si fasadë dhe përjetësimi i pushtetit. E gjithë kjo qendron jo thjeshtë në fjalët “zgjidhni vetëm Ramën”, por në një pjesë të fjalimit të tij ku u shpreh:-“… por ka ende ndonjë që mendon: -‘Po e çoj votën këtu, po e çoj votën atje’. As atje, as aty, as tek ata që gjoja shiten për të rinj, por janë më të vjetër se vetë bufi në qasje. Do të kuptoni se atyre nuk u bëni dot asgjë. Maksimumi, njërin prej tyre do t’i jepni një vend pune në parlament. Maksimumi, njëri prej tyre do të zgjidhet deputet tani. Më keni mua këtu që jam marrë gjithë jetën me numrat e parlamentit, dhe një numër në parlament nuk bën dot asgjë. Duhen 84 vota në parlament, jo 71 për të bërë punë. Dhe 84 vota do të ketë vetëm PS falë votës së diasporës”.
Por le t’i kthehemi mashtrimit të Ballës që frymëzohet nga një marrëzi ose mbushje mendje prej Ramës se pasaporta e BE, u hodh poshtë nga zyrtarë të BE në mënyrën se si ky argument tani po përdoret dhe abuzohet.
Megjithatë pasi dëgjon argumentin e Ballës se: –“Me pasaportën Evropiane vajzat dhe djemtë e Shqipërisë do të mund të studiojnë në çdo universitet të Evropës pa u dashur që të konsiderohen më si studentë ndërkombëtarë, por studentë evropianë. Me pasaportën evropiane çdo shqiptar dhe shqiptare do të mund të ketë leje pune pa u dashur më histori e pafund 30 e ca vjeçare me radhë nëpër questura duke pritur për të marrë permesso di soggiorno, apo si quhen ato lejet e tjera të punës”.
I pabesueshëm zhargoni politik pa kurrfarë kulture ligjore dhe administrative që duket se është niveli kulturor shumëvjeçar i këtyre politikanëve që populli i zgjedh si përfaqësues për t’ia zgjidhur problemet. Zgjedhin deputetë që sot me argumentin politik i tregojnë shqiptarëve rrugët e botës.
Një nivel politike i rënë në dekadencë prej korrupsionit dhe në injorancë prej mbulimit të krimeve ekonomike dhe se pikërisht se Shqipërisë po mungojnë shkollat dhe Universitetet, po mungojnë frontet e prodhimit për shkak të korrupsionit 12 vjeçar të PS.
Më e dhimbshmja e asaj pasaporte të BE-së që tund më fort se Rama, Taulant Balla që i njeh mirë numrat më parë duhet t’u tregojë zgjedhësve se; – me çfarë parash të kursyera shqiptarët do të udhëtojnë në Evropë. Mos vallë dhe pensionistët do të shkojnë të kryejnë vizita mjekësore, kurime, ndërhyrje kirurgjikale dhe të marrin ilaçe apo të riaftësojnë shëndetin në shërbimet mjekësore të Evropës me bonuset e kryeministrit Rama?
Dita e tretë e fushatës dhe Socialistët pa program, por me shumë para prej pushtetit kujdesen, për imazhin dhe pa kontroll ose pa u ballafaquar dallon se vazhdojnë të lëshojnë teza politike të parealizueshme dhe mashtrime puro për elektoratin.
Është në dorën e këtyre të fundit, pra popullit shqiptar që t’u besojë apo t’u japë votën.
E nëse kjo ndodh, ai ligj i monitorimit të zhurmave, sërish me gjasa do të ndryshohet.
Do të jetë kryeministri ai që propozon prapë VKM dhe ligje, në mënyrë që shqiptarët e mbetur ta hedhin vallen e ta gjenerojnë muzikën deri në atë nivel u tolerohet, por edhe kursejnë pasi nuk nuk prishin më punë dhe do të duhen gjobitur.
_______________
* LIGJ Nr.9774, datë 12.7.2007 -PËR VLERËSIMIN DHE ADMINISTRIMIN E ZHURMËS NË MJEDIS
*LIGJ Nr. 50/2023 -PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9774, DATË 12.7.2007, “PËR VLERËSIMIN DHE ADMINISTRIMIN E ZHURMËS NË MJEDIS”, TË NDRYSHUAR1
13 Prill, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Komentet