Me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje, njoftojmë për përfundimin e edicionit të 8-të të MIK Festival, i cili u zhvillua nga 10 deri më 13 Korrik 2025, në qytetin e Korçës dhe në disa nga zonat më piktoreske dhe historike përreth tij.

10 KORRIK | Ceremonia e Hapjes – Hani i Pazarit, ora
Festivali u hap në ambientin simbolik të Hanit të Pazarit, në zemër të Korçës, me koncertin ndërkulturor “Miqësia Shqipëri – Kinë nën tingujt e muzikës klasike dhe tradicionale”. Ky koncert i veçantë solli një bashkëdyzim të dy kulturave muzikore me rrënjë të thella.
Guo Gan, mjeshtri i instrumentit tradicional kinez erhu, solli një emocion të rrallë për publikun shqiptar, ndërsa sopranoja e njohur Xia Wang interpretoi pjesë nga repertori operistik kinez, shqiptar por edhe botëror. Pianisti i mirënjohur
Genc Tukiçi ndërtoi ura përmes interpretimit të shkëlqyer dhe ndërlidhjes artistike të këtyre dy botëve. Një koncert që përçoi mesazhe miqësie, bashkëpunimi dhe universaliteti përmes muzikës.

11 KORRIK | Gala Homazh për Gaqo Çakon – Teatri A.Z. Çajupi
Kjo natë do të mbetet në kujtesën e publikut si një nga më të ndjerat dhe më madhështoret në historinë e MIK Festival. Në nder të 90-vjetorit të lindjes së Gaqo Çakos, lirikut më të shquar të muzikës shqiptare, u mbajt një homazh artistik dhe emocional, ku për herë të parë u prezantuan materiale filmike dhe fotografi nga arkivat të papublikuara më parë.
Nën prezantimin emocionues të Inva Mulës, artistë të lidhur shpirtërisht dhe profesionalisht me Gaqo Çakon interpretuan pjesë të repertorit të tij të dashur. Një moment magjik ishte kur, përmes teknologjisë, vetë zëri i Gaqo Çakos u bashkua në skenë me artistët pjesëmarrës në një duet të rrallë nga opera Turandot e Puccinit, duke krijuar një ndjesi të papërsëritshme për publikun.
Të ftuar ishin:
Tatjana Elmazi, ish-solistja e TKOB dhe studentja e Gaqos, që performoi pas 33 vitesh para publikut duke lenë bresa të veçanta në Korçë.
Kastriot Tusha një nga tenorët më të njohur shqiptarë, ish-student i Çakos.
Anthony Tchako, nipi i Gaqo Çakos, i cili performoi për herë të parë në skenën e Korçës, duke emocionuar publikun.
Nën drejtimin e mjeshtrit Eno Koço, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura shoqëroi koncertin Gala, ku salla e teatrit ishte e mbushur përtej kapacitetit.

12 KORRIK | Gala “Vienna Style” – Fusha e Drenovës
Në ambientin madhështor të natyrës në Drenovë, mbi fushën që MIK Festival e ka kthyer tashmë në një skenë traditë, u mbajt koncerti Gala me temë “Vienna Style”, që për të tretin vit me radhë mblodhi një publik të jashtëzakonshëm.
Koncerti ishte një simfoni elegante që ndërthurte balet, muzikë klasike dhe prezencë skenike të jashtëzakonshme:
Të ftuar special:
balerinë me emër ndërkombëtar që sollën koreografi me nivel të lartë teknik e artistik.
•
Ana Naqe soprano që kryen karierë në skenat ndërkombëtare.
Gjergji Mani dhe Xhoiden Dervishi, tenorët që ndezën skenën me emocion.
• Norma Sereni, soprano italiane me një repertor të zgjedhur.
Nën dirigjimin e Christoph Huber, Orkestra Simfonike e FA performoi një program të frymëzuar nga doktrina vjeneze. Trupa e baletit të
Ansambli ”Skenderbeu” Korca-Albania nën koreografinë e
Bardhi Pojani shtoi ngjyrë, gjallëri dhe krenari lokale.

13 KORRIK | Koncerti në Kishën e Shën Mehillit – Vithkuq,
Në këtë mëngjes të veçantë, muzika, shpirti dhe natyra u bashkuan në një harmoni perfekte në oborrin e Kishës së Shën Mehillit në Vithkuq, me koncertin “Ku bashkohet shpirti, muzika dhe kulinaria”.
Norma Sereni interpretoi muzikë mesjetare të shoqëruar në piano nga
Adelina Mula, ndërsa një panair lokal me produkte tradicionale nga
Bajana Isaku Cevelil e pasuroi përvojën e pjesëmarrësve . Edhe pse fshati është larg qytetit, pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme
Surpriza e ditës ishte Ansambli i të rinjve të Vithkuqit, që bashkë me artistët e MIK Festivalit dhe turistët, krijuan një festë të vërtetë popullore me valle tradicionale, duke përmbushur një nga misionet kryesore të MIK – zhvillimin dhe promovimin e zonave rurale shqiptare.

13 KORRIK | Mbyllja e Festivalit – Lulishtja “Themistokli Gërmenji”
Nën tingujt nostalgjikë të rinisë, koncerti “Retro Passion” solli emocion dhe kujtime në një nga hapësirat më simbolike të qytetit, kupola e Lulishtes Themistokli Gërmenji – aty ku dikur interpretoheshin serenatat e para.
Artistët e rikthyer pas dekadash:
Roberta Panariti, u rikthye nga SHBA pas 30 vitesh.
Zhani Sulioti u ngjit në skenën e madhe pas 36 vitesh bashkë me një grup serenatistësh Korçarë.
Dhe
Gjeta Lalazi me grupin e Hanit të Pazarit një simbol të vërtetë në serenatën korçare.
Që interpretuan serenata të reja, serenata të vjetra dhe të pa dëgjuara më pare duke i dhenë një frymë të re muzikës korçare.
Spektatorët ishin ulur në stola të vendosura në lulishten përballë kupolës, ndërsa dhjetëra të tjerë qëndronin në këmbë deri tek busti i Themistokliut.
Ky edicion u vlerësua si më i suksesshmi në historinë e MIK Festival, duke bashkuar shqiptarë dhe të huaj nga SHBA, Kanada, Australi, Greqi, Itali, Kosovë, Gjermani, Francë e më gjerë, dhe duke forcuar rolin e tij si një platformë kulturore e rëndësishme në rajon.