OSBE-ODIHR ka fundosur procesin zgjedhor të 11 majit. Në raportin paraprak pas votimit, OSBE-ODIHR raporton se nga qeveria u përdor pushteti me falje gjobash, bonuse dhe presion mbi administratën për të votuar Partinë Socialiste. OSBE-ja kishte kritika ndaj Policisë, pasi, edhe pse u evidentua prania e krimit dhe bandave në zgjedhje, nuk pati ndërhyrje, dhe për këtë duhen sqarime. Ndërkohë, përfaqësuesi i Parlamentit Europian në këtë mision vëzhgimi ishte i prerë, duke deklaruar se me këto zgjedhje dhe në këto kushte ku ndodhet vendi, nuk mund të ketë integrim në Bashkimin Europian.
Raporti/ OSBE-ODIHR
Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe institucionale, duke përfshirë heqjen e një numri të madh gjobash shtetërore të shpallura pak para ditës së zgjedhjeve, dhe zyrtarë të lartë qeveritarë u angazhuan në një numër të madh ngjarjesh zyrtare që shpesh përputheshin me mesazhet e fushatës, duke zbehur vijën ndarëse midis shtetit dhe partisë.
Rrjeti i Patronazhistëve, i denoncuar gjerësisht në këtë fushatë është një nga shqetësimet kryesore, evidentohet dhe dënohet edhe nga Misioni i OSBE-ODIHR si një rrjet i ndërtuar nga Partia Socialiste në shkelje të standardeve ndërkombëtare.
Shumë bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ngritën shqetësime rreth ndikimit të rrjeteve të patronazhit në të gjithë vendin, duke pretenduar se premtimet për punësim publik në të ardhmen, favore administrative dhe leje u përdorën si një mjet për të siguruar vota. U vunë re akuza për presion mbi punonjësit publikë, raste të frikësimit të mbështetësve të opozitës dhe keqpërdorim të rrjeteve të patronazhit, gjë që është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. Akuza dhe raportime të dorës së parë për punonjës bashkiakë të ushtruar presion nga eprorët e tyre për të marrë pjesë në aktivitete fushate nga PS-ja u bënë në Durrës, Fier, Has, Korçë, Peshkopi, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë. Akuza për presion mbi punonjësit e bashkisë për të marrë pjesë në fushatën e PS-së, ose për ta mbështetur atë, përfshirë financiarisht, u bënë në Devoll, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Pukë, Shkodër dhe Tropojë. Akuza për presion mbi punonjësit e sektorit publik për të përcjellë informacione rreth familjes ose miqve të tyre që jetojnë jashtë vendit u bënë në Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë.
Por jo vetëm nga Patronazhistët dhe vartësit direkt të Edi Ramës, sipas OSBE-ODIHR, raportohet edhe për presione ndaj votuesve nga Policia. sn