Përçarjet brenda të majtës në SHBA po thellohen. Një grup i financuar nga Soros po kërkon rrëzimin e liderit të demokratëve në Senat, Chuck Schumer. Vendimi vjen pasi e djathta arriti një fitore duke shkuar pranë fundit të mbylljes së qeverisë
Nga Ryan King, NY POST
Një grup i majtë radikal po promovon “programin e tij më të madh parazgjedhor ndonjëherë” për të rrëzuar udhëheqësin e pakicës në Senat, Chuck Schumer, ndërsa partia po përballet me fundin e afërt të mbylljes së qeverisë.
‘Indivisible’, një qendër aktivistësh progresistë “bazë”, e financuar pjesërisht nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të miliarderit George Soros, po kërkon që përkrahësit e saj të kundërshtojnë Schumer-in si udhëheqës të konferencës demokrate në Senat.
“Chuck Schumer, dhe një masë vendimtare e senatorëve demokratë, u dorëzuan,” – tha i irrituar Ezra Levin, bashkëthemelues dhe bashkëdrejtor ekzekutiv i ‘Indivisible’, në një deklaratë të hënën. – “Në këto gjashtë javë të mbylljes së qeverisë, demokratët patën natën e tyre më të mirë zgjedhore në më shumë se një dekadë”.
“Në vend që të qëndronin me atë energji, senatorët demokratë u dorëzuan – përsëri. Prandaj ‘Indivisible’ po nis programin tonë parazgjedhor më të madh deri më tani,” – shtoi Levin. – “Kjo nuk ka të bëjë më me ta – por me ne.”
Schumer kishte kundërshtuar marrëveshjen dypartiake për t’i dhënë fund ndërprerjes 42-ditore të financimeve, por progresistët e kanë fajësuar atë që nuk arriti t’i mbante në një linjë shtatë demokratë dhe një të pavarur të lidhur me demokratët – dhe për pasojë, të mbante “dritat e qeverisë të fikura”.
Një burim i nivelit të lartë nga Partia Demokrate e hodhi poshtë deklaratën e Levin, duke thënë se grupi “ka kërcënuar [udhëheqësin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem] Jeffries, Schumer-in dhe çdo tjetër demokrat të zgjedhur — por për elektoratin e gjerë që dëshiron që qeveria të funksionojë, ‘Indivisible’ thjesht nuk ka rëndësi”.
“Ata kanë një imazh toksik, të cilin republikanët e shfrytëzojnë,” – i tha ky burim gazetës.
‘Indivisible’ e kritikoi ashpër Jeffries në mars, sepse nuk bëri më shumë për të mbrojtur përfaqësuesin Al Green nga qortimi në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila drejtohej nga republikanët, pasi ai kishte ndërprerë fjalimin e presidentit Trump para një seance të përbashkët të Kongresit.
Po atë muaj, Schumer u përball me zemërimin e grupit pasi votoi personalisht për t’u lejuar republikanëve të vazhdonin me një plan gjashtëmujor financimi, për të shmangur një tjetër mbyllje të qeverisë.
Grupi ‘Indivisible’, i cili ka përfituar më shumë se 7.6 milionë dollarë nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur që nga viti 2017, kishte bërë thirrje që Schumer të dorëhiqej nga posti i udhëheqësit të demokratëve në Senat në atë kohë. Tani, ajo kërkesë do të shërbejë si një provë besnikërie për çdo kandidat për Senat që grupi do të mbështesë.
Ndërkohë që asnjë senator aktual nuk ka kërkuar publikisht që Schumer të tërhiqet nga drejtimi, disa demokratë që shpresojnë të fitojnë ulëse në Senat vitin e ardhshëm janë shprehur kundër që ai të vazhdojë në detyrë — përfshirë përfaqësuesin Seth Moulton, senatorin Zach Wahls, kandidatin Nathan Sage dhe Graham Platner nga Maine.
Thirrjet pasqyrojnë protesta të ngjashme të aktivistëve kundër ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, gjatë ciklit zgjedhor afatmesëm të vitit 2018. Në fund, kaliforniania e rimori çekiçin e drejtimit për herë të dytë, pasi demokratët fituan 41 vende dhe rikthyen kontrollin e dhomës së ulët të Kongresit.
“Demokracia jonë po përballet me një kërcënim ekzistencial. Na duhen udhëheqës me shtyllë kurrizore dhe me bindje – jo me frikë dhe justifikime,” – shtoi Leah Greenberg, bashkëthemeluese dhe bashkëdrejtore ekzekutive e ‘Indivisible’.
“Demokratët nuk mund të mposhtin autoritarizmin duke ikur nga beteja. Është në duart tona të sigurohemi që ata që nuk mund të luftojnë t’i hapin rrugë atyre që mund ta bëjnë. ‘Indivisible’ është gati të pastrojë radhët dhe të ndërtojë një parti që ka me të vërtetë energjinë për të vepruar si opozitë”.