përpëlitje fjalësh gjatë një ore të mpirë
prej karficave të hipokrizisë
me stërkëmbsha resh me brirë
vizatoj me fjalë naive ato që shikojmë
si fëmijët në kopsht
fjalët kapen dorë për dorë
në fjali të shkurta plot kureshtje
unë në pritje
palos me gishta një copë heshtje
me vetulla e qerpikë artificialë
në dritën e syrit më sheh
atë që mendon e fsheh
nën fjalë të zvarritura prej bezdisë
kasnece të hipokrizisë
qerpiku më dridhet prej ftohtësisë
në shtat më shkon korrent rrëqethje
me gishta përdredh e spërdredh
një copë heshtje
sa thjeshtë ta shihnim botën
me sy të ndryshëm
pa kurrfarë ndërlikimi
se të na shtrëngojë dara
me sytë e vëngërt të hipokrizisë
prej mosbesimi
me vetulla e qerpikë artificiale
në dritën e syrit më sheh
hipokrizia një korse e ngushtë tinzare
të mbyt pa pikë droje
unë me gishta pa pikë kureshtje
palos në katërsh një copë heshtje
Marre nga libri poetik i autores Skaterr, Onufri 2024