Nga: Agon Maliqi
Politolog nga Kosova dhe bashkëpunëtor i lartë në Atlantic Council
Washington Post/ Kryeministri socialist i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po përballet me një lëvizje proteste kundër qeverisjes së tij, që ka tërhequr vëmendje globale kryesisht sepse përfshin interesa biznesi të familjes Trump, është ndoshta lideri më i orientuar nga estetika dhe më i ndërgjegjshëm për imazhin në botë.
Qoftë duke veshur atlete sportive në samitet e NATO-s apo duke i kthyer panelet e konferencave në skena për skeçe humoristike virale, Rama, 61 vjeç, dinte si të tërhiqte vëmendjen e mediave shumë kohë përpara se të ekzistonin influencerët dhe si të fitonte pushtet përmes aftësisë së tij si komunikues efektiv, ndonëse shpesh imponues.
Prandaj duket krejt e përshtatshme që sfida më e madhe ndaj 13 viteve të tij në pushtet të ketë ardhur nga protestues të zgjuar dhe të sigurt të Gjeneratës Z, të cilët, duke përdorur meme të krijuara dhe të përpunuara nga inteligjenca artificiale si armë estetike, kanë arritur të neutralizojnë talentet e shumta të kryeministrit.
Artist dhe piktor me formim, Rama u ngjit në pushtet në fillim të viteve 2000 si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke kultivuar imazhin e një “anti-politikani” ekscentrik. Ai bërtiste ndaj burokratëve dembelë para kamerave televizive dhe rikonstruktonte fasadat e zymta komuniste të qytetit me ngjyra të ndezura. Ai promovonte filozofinë se arti në hapësirat publike mund të nxisë transformimin e komunitetit.
Si kryeministër, Rama i ka kushtuar një pjesë të madhe të vëmendjes transformimit jo vetëm të Tiranës dikur gri, por edhe të bregdetit mesdhetar të Shqipërisë. Rrokaqiejt modernë, resortet luksoze dhe hapësirat publike të rinovuara e kanë shndërruar një nga vendet më të varfra të Europës në një destinacion tërheqës turistik, duke tërhequr njëkohësisht vëmendjen e arkitektëve dhe artistëve më të njohur në botë.
Të rinjtë shqiptarë kanë qenë më pak të impresionuar nga politikani i kthyer nga piktor në lider shteti. Por pakënaqësia e tyre është shfaqur më shumë në statistikat e emigrimit sesa në protestat në rrugë. Deri tani.
Ashtu si Pranvera Arabe u nxit nga një video virale e një shitësi ambulant tunizian që i vuri flakën vetes, një incident i vetëm bëri që frustrimet e akumuluara prej kohësh të të rinjve shqiptarë të shpërthenin.
Kur banorë vendas dhe ambientalistë në fshatin bregdetar të Zvërnecit, vendi ku planifikohet ndërtimi i një resorti të ri turistik të lidhur me Jared Kushnerin, një fond me bazë në Katar dhe oligarkë vendas, protestuan kundër rrethimit të një plazhi publik pranë një zone të mbrojtur natyrore, dy punonjës të sigurisë private tërhoqën zvarrë në rërë një prej banorëve lokalë, ndërsa policia shikonte pa ndërhyrë. Reagimi publik ishte i menjëhershëm.
Ajo që nisi si një protestë e izoluar në një fshat të largët u zhvendos shpejt në kryeqytet dhe u rrit aq shpejt sa mediat kryesore, të cilat shpesh vetëcensurohen, nuk mundën më ta injoronin. Kanë kaluar pothuajse katër javë dhe demonstratat zhvillohen tashmë çdo ditë, me flamengon, një shpend karakteristik i Shqipërisë dhe i rrezikuar nga ndërtimi i resortit, si simbol bashkues.
Protestat janë njëkohësisht të zemëruara, duke kërkuar rrëzimin e të gjithë establishmentit politik. Ashtu si në shumë kryengritje të tjera të Gjeneratës Z, solidariteti politik është përhapur përmes humorit dhe memeve. Një brez shqiptarësh që deri tani kishte qëndruar i heshtur po përjeton një ndjenjë të re dinjiteti dhe fuqizimi politik.
Mbulimi mediatik në Perëndim i ka paraqitur protestat kryesisht si një kundërshtim ndaj projektit të Kushnerit, një këndvështrim më i lehtë për publikun e tyre.
Por ankesat reale lidhen tërësisht me qeverisjen e brendshme. Dhjetëra mijëra shqiptarë të të gjitha bindjeve ideologjike- liberalë, nacionalistë, ambientalistë, marksistë, influencues mode dhe madje edhe teoricienë të skajeve konspirative mblidhen çdo mbrëmje sepse ndihen të përjashtuar dhe të braktisur nga një elitë që mendon vetëm për interesat e saj, përfshirë edhe opozitën formale parlamentare, Partinë Demokratike, e cila sipas tyre ka lejuar prej vitesh tjetërsimin e pasurive publike përmes marrëveshjeve të errëta me grupe interesi. Resorti i Kushnerit ishte vetëm shembulli më i fundit dhe më i dukshëm.
Rama është përpjekur të argumentojë se projektet e turizmit luksoz si ai i Kushnerit përfaqësojnë të ardhmen e ekonomisë shqiptare. Demonstruesit nuk e pranojnë këtë. Shqipëria mbetet një vend i varfër dhe një model zhvillimi i mbështetur kryesisht te ndërtimi dhe turizmi ka pasuruar vetëm njerëzit e lidhur me pushtetin, ndërsa qytetarët e zakonshëm po e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë edhe një pushim veror në bregdet.
Më keq akoma, sektori i turizmit po përdor punëtorë migrantë me paga të ulëta për të ulur kostot, ndërkohë që vetë shqiptarët vazhdojnë të emigrojnë drejt Perëndimit në kërkim të punës.
Korrupsioni i përhapur në qeverinë e Ramës është bërë gjithashtu i papërballueshëm për qytetarët. Refuzimi i tij i fundit për të hequr imunitetin parlamentar të ish-zëvendëskryeministres së tij, i cili përballet me një aktakuzë, po krijon një pengesë serioze në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai shihet gjithashtu si një kërcënim më i gjerë ndaj reformave për shtetin e së drejtës, të kërkuara nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat Rama deri vonë i kishte përqafuar si të vetat.
Bilanci i protestave të Gjeneratës Z në mbarë botën ka qenë i përzier dhe Shqipëria nuk do të zhvillojë zgjedhje deri në vitin 2029. Megjithatë, këto protesta kanë arritur një gjë të rëndësishme: kanë goditur reputacionin e kryeministrit karizmatik si një njeri që gjithmonë arrin të dalë nga situatat e vështira përmes aftësive të tij komunikative.
Përpjekjet e tij për të tallur protestuesit si influencues të shkëputur nga realiteti dhe për të përvetësuar simbolin e tyre duke veshur një bluzë me flamingo kanë dështuar, në rastin më të mirë.
Një brez i ri po mëson si ta shndërrojë pakënaqësinë publike në forcë elektorale. Dhe për herë të parë në karrierën e tij të gjatë, Rama duket se nuk është në gjendje të ketë fjalën e fundit.
Kjo mund t’i kushtojë më shumë.