Para ca ditësh mësuam që kryeministri ynë shijon verë 33 mijë euro një shishe. Dhe e pi me miq e shokë bash në zyrë, në orarin e punës. Me paratë e buxhetit, tha ndihmësi i tij në një intervistë. Dje, pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, u mësua që zonja e tij ka blerë online plot e plot veshje. Një mal me rroba. Dhe një fustan i saj rezultoi 35 mijë euro. Pra, ia paska kaluar kryeministrit në çmim. Kushdo që endet mes këtyre shifrave, mendon se bëhet fjalë për Luksemburgun a Monakon. Jo, jo. Këto ndodhin në vendin më të varfër të Evropës. Ku gjysma e popullsisë nuk siguron dot asnjë javë pushime në vit, ku gjysma e shtëpive janë pa ngrohje, ku gjysma e popullsisë ka emigruar në vendet fqinjë për mbijetesë. Dhe ku paga mesatare e një pensionisti është 130 euro. Pra, një shishe verë e Ramës mban brenda 230 pensionistë, dhe fustani i zonjës së kryebashkiakut, mbulon 270 pensionistë.
Tani jemi në fushatë. Partitë po na flasin për programet. Mes pikave emergjente është dhe rritja e pensioneve. Përveç Partisë Socialiste që nuk e ka fare në refene. Vetë kryetari Rama e tha që FMN na ka kërkuar të ulim pensionet, por ne i thamë jo. Pra, rritje mos prisni. Ulje, mbase, nëse i votoni.
Në këtë situatë, armata e pensionistëve mund ta nxjerrë në pension Ramën. Janë mbi 700 mijë. Vota e tyre cakton kush do të jetë nesër kryeministër i Shqipërisë. Ndaj bashkohuni dhe i thoni jo shpërdoruesit të parave publike. Ia zini në fyt atë verën dhe mos ia furnizoni me karburant avionin që ai fle dhe shëtit. Votoni atë parti që premton rritjen e pensioneve. Mos u nisni nga bindjet, shihni interesin tuaj. Jo veç PD, por edhe parti të tjera, e quajnë lëmoshë atë sasi lekësh që merrni. Ndaj hiqni dorë nga Rama, vini interesin tuaj mbi atë të verës e fustaneve të shtrenjta, të abuzimeve pa fund. Thirrja:
-Pensionistë të gjitha partive, bashkohuni, është rrugëzgjidhja. Tregoni që keni vlerë, që keni forcë, që nuk jeni në shërbim të Ramës. Se ai, deputetët, presidenti i kanë trefishuar rrogat e tyre. Kërkoni dyfishim edhe ju! Kërkoni dhe ndëshkoni mashtruesit që për 12 vite kaluan nga vjedhja në vjedhje dhe për të moshuarit nuk menduan kurrë. Boll ju gënjyen! Boll, u thoni.
-Pensionistë, bashkohuni!