VOAL

Please Wait...

Përbindëshat e kuq ! Nga Agustin M. Mirakaj

By | January 27, 2021
2 Comments

Komentet

[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/Pastrimi-i-parave-ne-Shqiperi-566x400-1.jpg" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/gjithcka-shnderrohet-ne-ndertesa-beteja-e-humbur-e-shqiperise-me-parate-e-pista/"]

‘Gjithçka shndërrohet në ndërtesa’, beteja e humbur e Shqipërisë me paratë e pista

Kur Skënder Methasani mori në duar drejtimin e kompanisë së sekuestruar “Rens 2015” në Shkodër, borxhet ishin kapicë, punëtorët të stresuar dhe pulat ishin aq të vjetra, sa nuk prodhonin më vezë.

Methasani nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara u caktua si administrator nga gjykata në nëntor 2019. Thuajse një vit më pas, ai vendosi që ta jepte biznesin me qira, pasi siç i tha BIRN në një intervistë, ishte e vetmja mënyrë që shteti të arkëtonte para prej saj.

“Shuma e qirasë është 3 milionë lekë të vjetra në muaj, përfshirë edhe detyrimet,” tha Methasani, duke shtuar se kompania drejtohet tashmë nga një ish-menaxher i saj.

E ndërtuar rreth 600 metra larg Harkut të Bërdicës në qytetin verior të Shkodrës, pularia njohu vite të arta financiare përpara se të sekuestrohej nga Prokuroria si produkt i parave të gjeneruara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës.

Dokumentet gjyqësore të siguruara nga BIRN tregojnë se qindra milionë lekë u investuan në blerje dhe sisteme toke, ndërtime kapanonesh e rrugësh si dhe blerje zogjsh, përpara se biznesi të vendosej nën radarët e autoriteteve shqiptare.

Investime të tilla të financuara nga paratë e aktiviteteve kriminale nuk janë të rralla në Shqipëri -një ndër vendet me rrezikun më të lartë të pastrimit të parave në Europë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, trafiku i drogës është burimi më i madh i ‘parave të pista’ të identifikuara në ekonominë shqiptare, ndërsa metodat e pastrimit të tyre janë nga më të thjeshtat deri tek ato më komplekset.

Metodat më të zakonshme janë përdorimi i personave të tretë pa një lidhje të dukshme me veprimtarinë kriminale për investime e blerje si dhe investimet në pasuri të paluajtshme në emër të një shoqërie tregtare ekzistuese. Megjithatë, njësia e inteligjencës financiare rendit edhe depozitimin cash nëpër banka apo përdorimin e kredive bankare si një mënyrë për të justifikuar investimet që burojnë nga pastrimi i parave.

Për ekspertët e ekonomisë, paratë e “pista” qarkullojnë pothuajse në të gjitha arteriet e ekonomisë së brishtë shqiptare dhe financojnë deri edhe korrupsionin politik.

“Asnjë individ, famije, biznes dhe shtet nuk mund të pasurohet ekonomikisht dhe në mënyrë të qëndrueshme, duke toleruar paranë kriminale në ekonomi dhe politikë,” thotë Arben Malaj, ish-ministër i Financave dhe pedagog i Ekonomisë.

“Ndikimi i tyre kriminal në ekonomi ecën ose ndalet në raport me aksesin e tyre në korrupsionin politik dhe në disa raste, deri në kapjen e shtetit,” shtoi ai.

 

Departamenti amerikan i Shtetit vlerësoi se qeveria e Shqipërisë nuk ka bërë asnjë përparim të dukshëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimeve financiare gjatë vitit 2020.

Në raportin e Strategjisë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve të publikuar më 3 mars, DASH thekson se rrjetet shqiptare të krimit të organizuar në Europën Perëndimore dhe Amerikën Latine targetojnë tregun e pasurive të patundshme dhe projektet e biznesit në Shqipëri.

Tregu i lojërave të fatit vazhdon gjithashtu të mbetet shqetësues, sa kohë që ndryshimet ligjore të vitit 2019 e lanë hapur shtegun për kazinotë në hotelet me 5 yje si dhe në destinacionet turistike.

“Shqipëria mbetet e dobët ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare,” thuhet në raport.

Të dhënat statistikore të siguruara nga BIRN tregojnë një përkeqësim të treguesve të luftës kundër pastrimit të parave në vitet e fundit, pavarësisht rrezikut të lartë dhe rritjes së sinjalizimeve nga institucionet e inteligjencës.

Kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Elvis Koçi i tha BIRN se institucioni që ai drejton i kishte referuar Policisë 1426 raste të dyshuara gjatë viteve 2015-2019, por vetëm 429 raste ose 30% e totalit ishin dërguar më pas në Prokurori.

Bashkë me referimet në Prokurori, institucioni i inteligjencës financiare numëron 1855 raste të raportuara në 5 vjet.

“Nga këto raste rezulton se kemi një dominim të veprës penale ‘trafikim/prodhimit të lëndëve narkotike” me 28% të rasteve [ndërsa] 13% lidhen me veprën penale të ‘evazionit fiskal,” tha Koçi.

Ndërsa rrjedhja e parave të identifikuara me burim nga shpërdorimi i detyrës dhe korrupsioni, mashtrimi apo trafikimi i qënieve njerëzore është në nivele më të vogla.

Beteja kundër pastrimit të parave ka shënuar humbje të tjera në rrugëtimin nga Prokuroria në Gjykatë.

Numri i procedimeve të regjistruara nga Prokuroritë për pastrim të produkteve penale u përgjysmuan nga 269 raste në vitin 2018 në 131 raste në vitin 2020. Numri i të dënuarve nga gjykatat është rrudhur gjithashtu nga viti në vit dhe arriti nivelin më të ulët në vitin 2020 me vetëm 3 të dënuar për pastrim parash, sipas raportit të DASH.

Efektet e një sistemi të dobët të drejtësisë vërehen edhe në stokun e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, që administrohen aktualisht nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK.

Në fund të vitit 2020, AAPSK kishte nën administrim 466 pasuri me vlerë të llogaritur në 6 miliardë lekë [rreth 50 milionë euro]. Megjithatë, numri i pasurive të konfiskuara me vendim gjykate është në nivelin e 15 përqindëshit, ndërsa për pjesën tjetër vazhdojnë procedurat ligjore.

Kreu i AAPSK, Artur Kala e konsideron zvarritjen e proceseve gjyqësore një ndër problemet kryesore për institucionin që ai drejton.

“Zgjatja e proceseve nga 2-5 vite është një problem për Agjencinë, pasi ka dhe prona që administrimi është i vështirë ose që nuk sjellin të ardhura, por kërkojnë shpenzime,” tha Kala, duke iu referuar shpenzimeve për ruajtjen dhe sigurimin, taksat apo ujin dhe energjinë.

Më 14 dhjetor 2018, autoritetet daneze po ndiqnin një grup shqiptarësh të përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të kokainës, kur përgjuan një bisedë interesante mbi lehtësinë e pastrimit të parave në Shqipëri.

Objekti i përgjimit ishte Jetmir Kastrati, një 42-vjeçar nga Shkodra, që në Danimarkë njihej me emrin e rremë Sokol Krasnici, i identifikuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si pronari i vërtetë i kompanisë “Rens 2015”.

Në bisedën me një tjetër të dyshuar, Kastrati mburrej se kishte blerë tre apartamente në zonën turistike të Velipojës dhe pasi kishte ndërtuar nga një kat shtesë mbi to, i kishte legalizuar pa problem objektet dhe i kishte pajisur ato me hipotekë.

Përballë habisë së bashkëbiseduesit për legalizimin e objekteve, Kastrati përgjigjet se e gjitha zona ishte në ndërtim e sipër.

“Përsa kohë që lejohet, gjithçka shndërrohet në ndërtesa, ndërtesa…,” thotë Kastrati në përgjimin ambiental. “Është vërtet bukur. Mund të ndodhë që unë e blej të gjithin [kompleksin]”!

Jetmir Kastrati u arrestua në Danimarkë gjatë operacionit të koduar “Goldfinger” më 26 qershor 2019 së bashku me 30 persona të tjerë, të cilët akuzohen për trafikimin e së paku 1650 kilogramëve kokainë nga Holanda në Danimarkë dhe më pas në Suedi.

Në Shqipëri, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas SPAK nisën në të njëjtën kohë një procedim penal për pastrimit të produkteve të veprës penale ndaj kunatit të tij, Astrit Beqiri si dhe Dhimitër Shkodranit – i përfshirë kryesisht në transportin e parave.

Sipas dokumenteve gjyqësore, Jetmir Kastrati kontrabandoi në Shqipëri së paku 4 milionë euro të dokumentuara nga viti 2013 deri në vitin 2019, duke përdorur një linjë të transportit të pasagjerëve që udhëtonte çdo javë nga Kopenhageni deri në Tetovë në Maqedoninë e Veriut.

Paratë u investuan në blerjen e pronave të patundshme në Velipojë, në ndërtime dhe legalizime si dhe në ngritjen e biznesit të kushtueshëm të pularisë “Rens 2015” në Bërdicë nga kunati i Kastratit, Astrit Beqiri, nëna pensioniste dhe motra në skemën e ndihmës ekonomike.

Në përgjimin ambiental të 14 dhjetorit 2018, Kastrati thotë se kishte shpenzuar shumë para për ngritjen e kompanisë dhe se e kishte bërë këtë për të fituar reputacion. Ai po planifikonte gjithashtu të siguronte subvencionim nga shteti, por për ta realizuar këtë duhej të ndante një pjesë ‘të tortës’.

“Ka një gjë që është e mirë me mua: unë dua publicitet të mirë,” citohet Kastrati në dokumentet gjyqësore.

“Ju nuk mund të merrni asgjë nëse ata nuk marrin pjesën e tyre të tortës dhe nuk mund të bëni asgjë në lidhje me të. Unë vetëm u jap atyre një 50-tëshe dhe i marr 150 deri në 200 [milionë] vetë,” shton ai.

Pasuritë e sekuestruara nga krimi i organizuar vlerësohen në dhjetra milionë euro, por Shqipëria e ka të vështirë të nxjerrë përfitime të konsiderueshme prej tyre.

Në shtatë vitet e fundit, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka derdhur në buxhetin e shtetit rreth 866 milionë lekë në total [rreth 7 milionë euro] si dhe ka hapur një fond të veçantë prej 93 milionë lekësh në vitin 2019 për të financuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe organizatat që trajtojnë viktimat e këtyre krimeve.

Në stokun e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, peshën kryesore e mbajnë pasuritë e paluajtshme, por AAPSK përballet me vështirësi për shitjen e tyre.

“Pasuritë e paluajtshme si apartamente, toka, ndërtesa dhe njësi tregtare të konfiskuara kanë dalë për shitje dhe në 3 ankandet e zhvilluara nuk ka pasur blerës,” tha Artur Kala në një përgjigje me shkrim.

Një valë e re arrestimesh nga Antimafia italiane në mesin e janarit zbuloi se një klan i organizatës mafioze “Ndragheta” i kishte hedhur sytë nga tregu i ndërtimeve në Tiranë për pastrimin e parave, ndërsa ishin në kërkim të lidhjeve politike dhe garancisë. Në njërën prej bisedave të përgjuara, dy prej të arrestuarve diskutonin mbi një ndërtues që kishte tre licensa në duar për ndërtime me vlerë 180 milionë euro, por që kishte në dispozicion vetëm 10 milionë.

“Në grataçelat e reja shiten 3800-4000 euro për metër katror. Kosto e di sa është kosto e vërtetë? 510 euro,” thuhej në përgjime.

Mes të dhënave të institucioneve dhe studiuesve të ekonomisë ekziston një konsensus se sektori i ndërtimit është lavatriçja më e madhe e parave të pista në Shqipëri.

“Shihni tregun e pasurive të patundshme: që nga 2015 raportohet për rritje me 40% të çmimeve, edhe pse shitjet janë me pikatore dhe vetem në zona të caktuara. Shihni lejet e ndërtimit për kullat qiellgërvishtëse në Tiranë,” tërheq vëmendjen Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

“Nuk kanë asnjë lidhje me zhvillimin urban, nuk hapin vende pune, por korruptojnë nivelet më të larta të vendim-marrjes shtetërore,” shtoi ai.

Preçi mendon gjithashtu se burimet financiare kolosale të gjeneruara nga ndërtimi po zhvendosen drejt tregjeve të tjera, duke ushtruar presion mbi tenderat e infrastrukturës publike dhe koncesionet. Ai sheh me shqetësim se këto para po ndikojnë gjithnjë e më shumë edhe mbi mjedisin politik.

“Vitet e fundit janë shtuar rastet kur biznese të dyshuara gjerësisht si të përfshira në pastrim parash gëzojnë mbrojtje politike, janë në ortakëri me politikanë të rëndësishëm të shtetit dhe këto para po ndikojnë përherë e me shumë edhe në deformimin e vullnetit te zgjedhësve,” tha Preçi.

Arben Malaj i tha BIRN se ekonomia kriminale jo vetëm që ka një ndikim të dëmshëm mbi konkurrencën në ekonomi, por i shtrin efektet deri te shtesat me të ardhura të mesme ose të vogla.

“[Paratë e pista] deformojnë çmimet në tregjet e tyre, p.sh. çmimet e shtëpive dhe qiratë, tarifat e pastrimit të qyteteve, ndërtimi, lojërat e fatit…,” tha Malaj.

Në kushtet e mungesës së vullnetit politik, ekspertët e shohin të dobët rolin e institucioneve të drejtësisë në luftën kundër fenomenit të pastrimit të parave.

“Eficenca e këtyre insitucioneve kushtëzohet nga (mos) mbështetja apo keqpërdorimi politik i agjencive të specializuara në luftë kundër pastrimit të parave për përfitime ekonomike apo përfitime në luftën kundër konkurrentëve politikë”, përfundoi Malaj. /Reporter.al

[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/ermal-meta-639x450-1.png" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/renditet-si-me-e-pelqyera-ja-kenga-e-ermal-metes-ne-festivalin-e-sanremos/"]

Renditet si më e pëlqyera- Ja kënga e Ermal Metës në festivalin e Sanremos

ITALI

“Un milione di cose da dirti” është kënga me të cilën Ermal Meta u ngjit në skenën e Festivalit të Sanremo 2021 dhe që tani e përcaktuar si kënga me tekstin më poetik të këtij edicioni.

“I aftë të prekë telat e shpirtit dhe të kontaktit që Meta gjithmonë i ka treguar në diskografinë e tij me hir dhe elegancë, duke përkëdhelur me delikatesë ekstreme vorbullën e emocioneve njerëzore dhe dashuritë e papritura, të mbetura kushedi për sa kohë në pritje”, -shkruan Vanity Fair Italia.

Kthimi i tij në Sanremo, tre vjet pas fitores me Fabrizio Moro dhe në vendin e pestë në Eurovision fillon pikërisht me këtë këngë dashurie shumë intime të kompozuar nga Ermal Meta tre vjet më parë.

Kjo është pjesëmarrja e tij e katërt në Festivalin e Snremos. Kënga deri tani është renditur e para pas klasifikimit të përgjithshëm të dy netëve të para.

[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/parlamenti-europian-640x390_1543473725-9886570.jpg" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/miratohet-rezoluta-per-shqiperine-komisioni-i-jashtem-i-pe-ndjekja-penale-per-blerjen-e-votes-kusht-per-negociatat-amendimet/"]

Miratohet rezoluta për Shqipërinë, Komisioni i Jashtëm i PE: Ndjekja penale për blerjen e votës, kusht për negociatat (Amendimet)

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi sot raportin për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian duke u fokusuar në përmbushjen e 15 kushteve për çeljen e negociatave.

Raporti fillestar i raporteres Santos (S&D) iu nënshtrua amendimeve nga bashkëraporteri David Lega (PPE) e kolege te tjerë.

Sot u miratuan amendimet e mëposhtme të propozuara nga Grupi PPE:
“…shpreh shqetësimin për akuzat e blerjes së votës dhe thekson se ndjekja penale për këtë çështje është ndër kushtet e vendosura nga Këshilli në 25 Mars 2020”.

“Mirëpret rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, i cili zbatoi disa nga rekomandimet e OSBE/ODIHR, por vë në dukje dështimin për t’u mbështetur më tej në të dhe faktin se pavarësisht thirrjeve të përsëritura ndërkombëtare për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias, hapat e mëtejshëm u morën pa një konsensus të gjerë ndërpartiak që rezulton në miratimin e ndryshimeve të diskutueshme të Kodit Zgjedhor në tetor 2020 nga Parlamenti Shqiptar”.

“…Nënvizon problemet në lidhje me pastrimin e parave, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme (AM 125)”;

“Inkurajon zbatimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias të 19 Qershorit 2020 për të paketën anti shpifje (AM 199, 201);

“Shpreh në mënyrë të përsëritur shqetësimin rreth masave të propozuara fillimisht nën të ashtuquajturën ‘paketë anti-shpifje’ (AM 197) dhe vëren se çdo rishikim i ligjeve të medias dhe Kodit Penal duhet të bëhet në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke garantuar se zërat dhe mendimet e shoqërisë civile, medias dhe gazetarëve të dëgjohen (AM 198, 202) me qëllim të përmirësimit të lirisë së medias dhe mjedisit të punës së gazetarëve të pavarur (AM 198, 202)”.

[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/albin-kurti-2-600x360-1.jpg" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/rezultati-perfundimtar-i-zgjedhjeve-ne-kosove-lvv-e-albin-kurtit-kryeson-me-rreth-50-te-votave/"]

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve në Kosovë, LVV e Albin Kurtit kryeson me rreth 50% të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje prin me 49.95 për qind, Partia Demokratike me 16.9 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.64 për qind dhe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.07 për qind.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në konferencën për media tha se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ka qenë 48.78% nga 1 milionë e 851 mijë e 927 qytetarë me të drejtë vote.

“Numri i votuesve që kanë votuar brenda vendvotimeve ka qenë 814 mijë e 122 votues, numri i votuesve të cilët kanë votuar jashtë vendvotimit me kusht dhe me postë ka qenë 89 mijë e 257”, tha Daka.

Daka shtoi se LVV do t’i ketë 58 deputetë, PDK do t’i ketë 19 deputetë, LDK do t’i ketë 15 deputetë, AAK do t’i ketë 8 dhe Lista Serbe 10 deputetë.

[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/usdsv.jpg" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/dash-raport-kritik-per-luften-ndaj-narkotrafikut-e-pastrimit-te-parave-ne-shqiperi/"]

DASH, raport kritik për luftën ndaj narkotrafikut e pastrimit të parave në Shqipëri

VOA

“Sundimi i dobët i ligjit, korrupsioni dhe një shkallë e lartë e papunësisë janë faktorët kryesorë të problemit të kontrollit të drogës në Shqipëri. Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat në Shqipëri dhe të kontribuojnë në korrupsionin në vend”, vlerëson Raporti vjetor i Strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të drogave, i publikuar nga Departameti amerikan i Shtetit.

Në raport Shqipëria konsiderohet ende si “një vendburim i kanabisit dhe një bazë për grupet e krimit të organizuar që lëvizin lëndët narkotike nga vendet e burimit në tregjet evropiane. Shtetasit shqiptarë janë shumë të përfshirë në trafikimin e lënëdëve narkotike në të gjithë Evropën”. Kështu sipas raportit, vlerësohet se “kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe shkëmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët shqiptarë. Organizatat e trafikut të drogës të drejtuara nga shtetas shqiptarë ose kryesisht të përbëra nga shtetas shqiptarë, janë aktive në nivel ndërkombëtar dhe fitimet e tyre të paligjshme pastrohen në Shqipëri”.

Në Raport vlerësohet se “autoritetet shqiptare kanë rritur përpjekjet për çrrënjosjen e kanabisit, duke i detyruar trafikantët të spostojnë operacionet e tyre të paligjshme në vendet fqinje, kryesisht në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut. Këto organizata po zgjerojnë gjurmët e tyre globalisht”, theksohet në dokument ndërsa vihet në dukje se “ka patur një rritje të konfiskimeve të kokainës në Evropën Perëndimore të lidhura me shtetas shqiptarë që trafikojnë kokainë dhe heroinë në tregjet evropiane direkt nga Turqia dhe vendet në Amerikën e Jugut dhe Azinë”. Sipas Raportit “hetimet e SHBA-ve kanë çuar në shpërbërjen e organizatave të trafikut të drogës të përbërë nga shtetas shqiptarë në të gjithë Ballkanin, Evropën Perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Qendrore dhe Jugore. Autoritetet greke vazhdojnë të arrestojnë shumë shtetas shqiptarë të angazhuar në kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit në Greqi”.

Raporti vë në dukje gjithashtu dhe ngritjen në fillim të vitit të kaluar të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si dhe të gjykatës speciale.”SPAK shënoi disa suksese të menjëhershme, përfshirë dënimin e Arbër Çekajt për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë afërsisht 2 milion Euro të Klement Balilit, i quajtur “Escobar i Ballkanit”. Balili është i burgosur në Shqipëri për trafik ndërkombëtar droge pas dënimit të tij në 2019”.

Raporti thekson se “reformat e drejtësisë penale në Shqipëri synojnë të ndjekin penalisht dhe të dënojnë kriminelët e përfshirë në trafikun e drogës. Tani prokurorët ndërthurin akuzat e lidhura me drogën me akuzat për krim të organizuar. Shqipëria – nënvizohet më tejë – duhet të vazhdojë përpjekjet e reformës në drejtësi dhe të punojë për të gërryer ndikimin e krimit të organizuar”.

Pastrimi i parave

“Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm për të penguar pastrimin e parave dhe krimet financiare në vitin 2020”, thekson Raporti në kapitullin kushtuar luftës ndaj pastrimit të parave. “Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Vendi ka një ekonomi të madhe të parasë në cash dhe sektor informal të gjerë, me flukse të konsiderueshme parash nga jashtë në formën e kontributeve nga emigrantët dhe investimeve të ndryshme”. Trafiku i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda konsiderohen si aktivitetet e paligjshme që krijojnë më shumë të ardhura

Shqipëria, sipas Raportit, regjistroi disa përparime duke vënë në zbatim ligjin Antimafia, për konfiskimin e 40 përqind të pasurive që i përkisnin mbretit famëkeq të drogës Klement Balili, i quajtur “Escobar i Ballkanit” dhe sekuestrimin e bizneseve të shumta të Ylli Ndroqit, përfshirë Ora News Media. Ndroqi, i cili ka lidhje të forta politike në Shqipëri, dyshohet për organizim të një trafiku narkotikësh në Turqi dhe Itali.

Raporti vë në dukje se “në Janar 2020, parlamenti miratoi një ligj kundër pasurimit të paligjshëm që i jep SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, aftësinë për të shënjestruar pasuritë e paligjshme përmes sekuestrimit dhe konfiskimit, si dhe kufizon veprimtarinë ekonomike dhe lëvizjen e lirë të kriminelëve. Ndërsa është efektiv në sekuestrimin fillestar të pasurisë, sigurimi i provave për sekuestrimin përfundimtar të aseteve mbetet sfidues”, nënvizon Raporti duke shtuar se “ndryshimet e fundit ligjore dhe të politikave kanë përmirësuar aftësinë e Shqipërisë për të luftuar pastrimin e parave dhe krimet financiare, megjithëse zbatimi ka qenë i paqëndrueshëm”.

Sipas dokumentit “reformat e vazhdueshme gjyqësore, duke përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të çrrënjosur korrupsionin nga sektori i drejtësisë dhe krijimin e njësive të shumta policore të specializuara që synojnë krimet financiare dhe ekonomike, kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për të trajtuar çështjen e pastrimit të parave. Sidoqoftë, këto përpjekje – thekson Raporti – pengohen nga sfidat që lidhen me kapacitetet e institucionet të drejtësisë të krijuara së fundmi dhe korrupsioni i përhapur që minon sundimin e ligjit”.

“Shqipëria – vlerësohet më tej – duhet të zbatojë në mënyrë efektive ligjet ekzistuese dhe të vazhdojë të zhvillojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve të saj për t’u përqëndruar në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimeve ekonomike. Personeli i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili është krahu hetimor i SPAK, ka patur vonesa, por po vazhdon. Reformat thelbësore të kodit penal në 2016 dhe 2017 kishin për qëllim të ndërtonin një sistem më efektiv, por zbatimi i këtyre reformave është ende një sfidë”, thuhet në Raport.

[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/genc-burimi4-770x450-1.jpg" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/genc-burimi-denimi-i-sarkozy-shokon-mediat-ne-france-drejtesia-ne-shqiperi-duhet-te-guxoje-njerezit-duan-peshq-te-medhenj/"]

Genc Burimi: Dënimi i Sarkozy shokon mediat në Francë. Drejtësia në Shqipëri duhet të guxojë, njerëzit duan “peshq të mëdhenj”

Analisti Genc Burimi, në një intervistë në “News 24”, duke folur për dënimin me burg të ish-presidentit francez Nikolas Sarkozy, dekaroi se lajmi ka shokuar mediat në Francë.

Lajmi ka krijuar valë shoku në media dhe më pak shokim në opinionin publik. Në qarqet mediatike është një tronditje e madhe. Situatën dua ta komentoj me reformën në drejtësi në Shqipëri. Në më pak se 5 vite, Franca ka gjykuar dhe dënuar ish-ministër, ish-kryeministër dhe ish-president të Republikës. Kur drejtësia do ajo vepron.

Në rastin e Sarkozy, mediat shprehen se dënimi ishte më fort se duhet, sepse kishte vetëm indicie për korrupsion. Sarkozy i ka premtuar një gjykatësi mik, një vend në Gjykatën e Monakos. Prandaj, ka valë shokimi në mediat franceze, sepse drejtësia dënoi rreptë pa prova materiale. Sarkozy ka shumë dosje, ka dosje “Gadafi”, ka shumë dosje. Dënimi është në gjykatën e parë. Edhe avokati është dënuar. Shumë thonë se është dënim politik”, tha Burimi.

Genc Burimi theksoi se Sarkozy që tani ka filluar që të sfidojë drejtësinë franceze.

Sarkozy nuk do të shkojë në burg, pasi do ta apelojë vendimin. Ish-presidenti ka të drejtë që të apelojë. Sipas ligjit francez, Sarkozy ende nuk ka marrë dënim me burg. Ai vetë dhe klani i afërt janë shokuar, por popullata nuk ka ndonjë shokim. Sarkozy ka nisur të sfidojë drejtësinë. Ata thanë se në Francë, drejtësia po merr kot. Këta thonë se prokurori dënon në emër të popullit dhe ky është problem. Do dalim në debatin, nëse edhe prokurori të votohet nga populli. Dikur, njerëzit me pushtet nuk dënoheshin. Ndërsa, sot po dënohen politikanët. Klasa politike duhet të dridhet, ama nga drejtësi e paanshme. Nëse drejtësia na dënon pa prova, i bie që drejtësia të bëhet problem për demokracinë”, u shpreh Burimi.

Në fund,  Burimi kishte edhe një mesazh për Shqipërinë, duke thënë se drejtësia në Shqipëri duhet të guxojë më shumë, pasi njerëzit duan “peshq të mëdhenj”.

Drejtësia duhet që të veprojë në Shqipëri. Njerëzit duan peshq të mëdhenj. Ta hapë hetim për Edi Ramën, të japë mesazhin si të paprekshëm. Rama bëri ironi me gazetaren Erisa Zykën. Pse mos hapë drejtësia për Gjiknurin një procedim, por e bën edhe kryenegociator të Reformës Zgjedhore. Basha flet për drejtësi dhe ka gjetur gjithmonë justifikim për të mos hapur dosje si Gërdeci. I vetmi që është arrestuar ka qenë Fatos Nano, që atëherë asgjë. Ndërsa, rumunët, bullgarët, edhe në Maqedoninë e Veriut janë dënuar shumë politikanë. Drejtësia tallet me qytetarët”, përmbylli Burimi. bw

[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/krtlzh.jpg" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/kurti-ne-lezhe-per-bashkimin-kombetar-na-e-ndalon-kushtetuta-nuk-e-ndryshojme-ate/"]

Kurti në Lezhë për bashkimin kombëtar: Na e ndalon kushtetuta, nuk e ndryshojmë atë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është parë sot në Lezhë në përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës bashkë me përfaqësuesit e Shkupit, Preshevës e Tuzit, raporton Gazeta Express

Kreu i LVV-së është parë sot në Lezhë bashkë me Ilaz Shehun që është kandidat për deputet nga Vetëvendosje në Shqipëri, Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Shaip Kamberin deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë dhe kryetarin e komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.

 

Kurti ka folur para gazetarëve duke thënë se në këtë vend është origjina e bashkimit shqiptar.

“Jemi në këtë vend ku u mblodh Kuvendi I Lezhës e ku u varros heroi ynë kombëtar, e kemi këtu origjinën e bashkimit shqiptar. Politikëbërja duhet t’i kthehet patjetër Lezhës e besëlidhjes, në mënyrë që të dalim nga vështirësitë që i kanë shqiptarët kudo. Por, edhe të vendosemi në binarët e demokracisë e drejtësisë që nuk e lënë asnjëri mbrapa”, ka thënë ai.

Lideri i LVV-së ka bërë thirrje që Kosova dhe Shqipëria të bashkërendohen drejt afrimit.

“Pa dyshim që Shqipëria e Kosova si shtete si institucione duhet të bashkërendohen drejt afrimit, integrimit e bashkimit e do të thosha mbi të gjitha në fusha kryesore, në siguri, në energji dhe burime natyrore dhe politikës së jashtme”, tha tutje Kurti, teksa është pyetur nga mediat edhe për cështjen e bashkimit kombëtar.

“Fatkeqësisht kushtetua e Kosovës e ka një kundërthënie, neni 1.1 thotë se Kosova është shtet I pavarur, ndërsa, neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë Kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, por njëkohësisht paraqet pengesë për integrime siç është ai Evropian. Në Kosovë nuk kemi ligj për referendum dhe nuk e ndryshojmë Kushtetutën, por pa dyshim se kjo është intenca historike dhe dëshira e shqiptarëve”, ka thënë ai.

[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/zgjksv.jpg" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/zgjedhjet-ne-kosove-kerkese-ne-rritje-per-hetimin-e-votave-te-serbeve-per-nismen-boshnjake-dhe-ate-rome/"]

Zgjedhjet në Kosovë: Kërkesë në rritje për hetimin e votave të serbëve për nismën boshnjake dhe atë rome

Prishtinë

ZULFIJA JAKUPI / AGIM SULAJ

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 14 shkurt, u vu re një votim masiv i serbëve për një nismë politike boshnjake dhe një rome.

Këto nisma, “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq” (UZ-AH) e udhëhequr nga Adrijana Hoxhiq dhe subjekti rom Iniciativa Rome (Romani Iniciativa) me kandidatin Gazmend Salijevic, megjithëse u formuan pak para zgjedhjeve, fituan më së shumti vota midis subjekteve tjera politike boshnjake dhe rome.

Përfaqësues të tjerë politikë të këtyre komuniteteve si dhe disa nga organizatat joqeveritare kanë reaguar ndaj të ashtuquajturit “plan i Listës Serbe” duke i kërkuar organeve të drejtësisë hetimin e votave të dyshimta për këto dy nisma, meqë Lista Serbe në këto zgjedhje mori rreth 43 mijë vota, apo 10 mijë më pak se në zgjedhjet e parafundit të vitit 2019.

Rrjedhimisht, janë ngritur dyshime se vota e qytetarëve serbë është shpërndarë tek këto dy nisma “me qëllim forcimin politik të Listës Serbe” edhe me përfaqësuesit në ardhje të këtyre komuniteteve.

Sipas Kushtetutës së Kosovës nga 120 vende në Kuvendin e Kosovës, 20 prej tyre janë të rezervuara për përfaqësuesit e komuniteteve jo-shqiptare që jetojnë në Kosovë. Nga ato 20 vende, 10 i përkasin komunitetit serb dhe 10 komuniteteve të tjera të pakicave, më saktësisht 3 vende janë të rezervuara për boshnjakët, 2 për turqit, 4 për (romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët) dhe 1 për goranët.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet, çdo subjekt politik që kandidon për vende të rezervuara duhet të deklarojë se cilin komunitet përfaqëson dhe vetëm kandidatët nga një komunitet i caktuar mund të jenë në listën e tyre.

Eugen Cakolli nga organizata Demokracia në Veprim (DnV), tha për Anadolu Agency (AA) se ajo që kanë vënë re gjithashtu pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve, që dy subjekte politike; njëri “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq” dhe subjekti rom “Iniciativa Rome” kanë fituar një numër të madh të votave në zonat e banuara me shumicë serbe ku në fakt nuk ka përqendrim apo ka fare pak përqendrim të këtyre dy komuniteteve.

“Në bazë të analizave tona fillestare, del se subjekti politik i Hoxhiq, ka fituar 87 për qind të votave vetëm në zonat e banuara me shumicë serbe. Ndërsa, subjekti tjetër nga komuniteti rom ka fituar mbi 70 për qind të votave në zonat e banuara me shumicë serbe ku në fakt jetojnë vetëm 10 për qind e numrit të përgjithshëm të romëve në Kosovë. Për më tepër, ky subjekt (i komunitetit rom) ka fituar gati gjysmën e votave vetëm në Komunën e Graçanicës me rreth 1.600 vota edhe pse sipas statistikave zyrtare në këtë komunë nuk jetojnë mbi 800 banorë të komunitetit rom”, theksoi Cakolli, sipas të cilit kjo tregon mundësinë e ndikimit të Listës Serbe e cila si subjekt dominon në këto komuna, për t’i orientuar një pjesë të votuesve.

Cakolli tha se këtë problematikë e kanë paralajmëruar disa subjekte politike të komuniteteve joshumicë në vend edhe para procesit zgjedhor, por nuk ka indikacione që dikush është duke u marrë seriozisht me këtë.

“Unë besoj që në radhë të parë ne e respektojmë idenë dhe parimin e barazisë së votës dhe duke qenë se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore, nuk përjashtohet mundësia që dikush të votojë edhe për subjekte të komuniteteve. Problematike për ne mbetet fakti i një numri kaq të madh të votave dhe një dalje e tillë kaq e madhe që e pakta në teori lë hapësirë për dyshime të shumta për një lloj manipulimi të procesit zgjedhor pikërisht nga ana e Listës Serbe në bashkëpunim me këto dy subjekte politike”, thekson ai.

Komuniteti rom, siç thonë nga DnV, do të fitojë në Kuvendin e Kosovës dy ulëse, edhe pse krahasuar me komunitetet tjera, përkatësisht atë ashkali dhe egjiptian, është komuniteti me numrin më të vogël të banorëve në nivel vendi.

Sipas kësaj organizate, votat e fituara nga Hoxhiq dhe Iniciativa Rome nuk janë të kontestueshme nga Kushtetuta sepse Kushtetuta e njeh parimin se “çdo qytetar ka të drejtë të votojë cilindo subjekt politik”. Por problematike, sipas DnV-së, do të jetë përfaqësimi i duhur i komunitetit boshnjak dhe rom në Kuvend, ngase këto dy parti kanë marrë fare pak vota nga pjesëtarë të komuniteteve të tyre.

“Askush nuk mund të sfidojë të drejtën e votës së lirë për ndonjë subjekt apo kandidat”

Behgjet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në një deklaratë për AA tha se askush nuk mund të sfidojë të drejtën e votës së lirë për ndonjë subjekt apo kandidat.

Por, ai thotë se është e qartë që iniciativa e Adrijana Hoxhiqit nuk ka marrë as edhe 1 për qind të votave të saj në Prizren ku komuniteti boshnjak ka përqendrim të lartë në numër, por është votuar më shumë në zonat ku jetojnë vetëm serbët, gjë që, sipas tij, i bën këto vota të dyshimta.

Sipas Shalës, me këtë, qëllimi i Listës Serbe është shumë i qartë se, përveç 10 deputetëve që ka në Kuvend, synon të forcohet politikisht edhe me 3 ose 4 deputetë nga komunitetet tjera.

“Kjo duhet të provohet, dhe ne i kemi kërkuar Zyrës së Prokurorit të hetojë dhe të shohë se si ndodhi që kaq shumë votues serbë nuk votuan për serbët, por për boshnjakët dhe romët në Graçanicë. Ne kishim disa informacione një muaj para zgjedhjeve që Lista Serbe, me urdhër të Aleksandër Vuçiçit, po përpiqet të marrë sa më shumë deputetë në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të marrë një numër të dy të tretave të deputetëve të pakicave, për të penguar në votimin e ligjeve të ndryshme”, thotë Shala.

Ai thekson se subjektet dhe kandidatët të cilët konsiderojnë se janë dëmtuar me votat e tilla, duhet të përdorin të drejtën e tyre për t’u ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe në Gjykatën Supreme dhe vetëm pas tyre të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Ai shton se është skeptik që Gjykata Kushtetuese mund të marrë një vendim shpejt dhe thotë se kur Adrijana Hoxhiq dhe Gazmend Salijevic të bëjnë betimet si deputetë në Kuvend, “do të jetë shumë më e vështirë”.

Të dyja subjektet politike mohojnë bashkëpunim me Listën Serbe

Adrijana Hoxhiq e cila në vitin 2019 ka qenë ministre e Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës ndërsa aktualisht është nënkryetare e Mitrovicës së Veriut, ka mohuar se ekziston ndonjë marrëveshje midis iniciativës së saj politike dhe subjektit politik Lista Serbe.

Hoxhiq në deklarimet e saj për media ka thënë se akuzat për bashkëpunimin e saj me Listën Serbe janë të pabaza ndërsa ka theksuar se përkrahja për subjektin që ajo udhëheq ka ardhur nga të gjitha komunitetet.

Por, për rreth 6.379 votat që shkuan për Hoxhiq më 14 shkurt kanë reaguar ish-deputetet e Kuvendit nga komuniteti boshnjak, Duda Balje dhe Emilja Rexhepi, të cilat kanë thënë se subjekti i bashkëkombases së tyre “është përkrahur nga Lista Serbe”.

Bashkëpunimin me Listën Serbe e kanë mohuar edhe nga Iniciativa Rome.

Gazmen Salijevic, zëdhënës i kësaj partie si dhe kandidat për deputet, ka thënë se kanë marrë vota nga 36 prej 38 komunave gjithsej në Kosovë pasi tha se e kanë “promovuar iniciativën tek qytetarët” dhe vota tek ta ka shkuar me vullnet qytetar.

Sipas votave të numëruara deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), lista e Adrijana Hoxhiqit ka fituar 6.379 vota. E dyta në numër nga subjektet politike të komunitetit boshnjak është Koalicioni Vakat (KV) me 5.672 vota, ndjekur nga Partia e Re Demokratike (NDS) me 2.763 vota, Bashkimi Social Demokrat (SDU) me 2.434 dhe Iniciativa Jonë (NAŠA) me 1.295 vota.

Midis subjekteve rome, Iniciativa Rome doli e para me 3.827 vota. Ndërsa nga subjektet tjera politike nga ky komunitet Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK) ka marrë 1.171 vota, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) ka 946 vota dhe Partia e Re Rome e Kosovës (PRRK) me 607 vota.

Sipas të dhënave të regjistrimit (të fundit) të popullsisë të vitit 2011, në Kosovë jetojnë 35.784 romë, ashkali dhe egjiptianë (8.824 romë, 15.436 ashkali dhe 11.524 egjiptianë) ndërsa pjesëtarë të komunitetit boshnjak në vend llogaritet të jenë rreth 27 mijë.

[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/dmkrdsht.webp" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/proteste-kunder-uzurpimit-te-vendeve-te-garantuara-ne-kuvendin-e-kosoves/"]

Protestë kundër “uzurpimit të vendeve të garantuara” në Kuvendin e Kosovës

Përfaqësues të komuniteteve joserbe gjatë protestës në Prishtinë, më 2 mars, 2021.

Nën moton “Demokracia ka dështuar”, përfaqësuesit e komuniteteve joserbe në Kosovë kanë marshuar të martën në qendër të Prishtinës, për të kundërshtuar, siç kanë thënë, “uzurpimin e vendeve të garantuara” në Kuvendin e Kosovës.

Kjo protestë është thirrur nga ‘Nasha Iniciativa’ (Iniciativa jonë), parti e komunitetit boshnjak, e cila ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Osman Xhuxheviq, zëdhënës i kësaj iniciative, ka thënë se uzurpimi i vendeve të garantuara vjen si pasojë e një “procesi të mashtrimit elektoral”, që, sipas tij, e pamundëson “përfaqësimin efektiv të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

“Komunitetet joshumicë kanë marrë pjesë në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe shoqërisë së lirë të Kosovës. Për këtë arsye, Kushtetuta e Kosovës u siguron të drejta atyre për t’ua mbrojtur identitetin dhe për t’ua garantuar mbijetesën, me qëllim të ruajtjes së diversitetit dhe multietnicitetit. Ajo që po ndodh tani, është një shkelje e dukshme e këtyre parimeve, ku të drejtat kushtetuese të komuniteteve joshumicë sfidohen drejtpërdrejt dhe mbijetesa e tyre vihet në pikëpyetje”, ka thënë Xhuxheviq.

Ai ka paralajmëruar se komunitetet joshumicë do t’i përdorin të gjithë mekanizmat ligjorë për ta adresuar këtë çështje, por ka kërkuar që edhe institucionet e Kosovës t’iu ndihmojnë.

“Ftojmë institucionet relevante dhe komunitetin ndërkombëtar të reagojnë dhe të përkujdesen që parimet dhe fryma kushtetuese të mirëmbahen dhe të respektohen”, ka thënë Xhuxheviq.

Partitë boshnjake në Kosovë që kanë garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit – por shumica prej tyre kanë mbetur jashtë Kuvendit – kanë thënë se në zgjedhje, dy parti të reja, një nga komuniteti boshnjak dhe një nga rom, kanë fituar vota me ndihmën e Listës Serbe, përkatësisht të votuesve në komunat me shumicë serbe.

Sipas tyre, partia Komuniteti i Bashkuar i Adrijana Hoxhiqit, nga komuniteti boshnjak, dhe Iniciativa Rome e Gazmend Salijeviqit kanë fituar vota në vende ku nuk ka banorë të këtyre komuniteteve.

Partitë boshnjake kanë paralajmëruar se për këtë çështje, pasi të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, do t’i drejtohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, por edhe Gjykatës Supreme të Kosovës.

Nëse këto dy nivele nuk e adresojnë këtë çështje, ato kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti boshnjak i ka të garantuara tri ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ende nuk dihet nëse Hoxhiq ka fituar një apo dy nga këto ulëse, pasi numërimi i votave nga zgjedhjet e 14 shkurtit po vazhdon.

Komuniteti rom, ndërkaq, e ka të garantuar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Hoxhiq, ndonëse ka pranuar se ka marrë vota nga mjediset me shumicë serbe, ka hedhur poshtë akuzat se ato i janë siguruar nga Lista Serbe.

[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/pppsss.jpg" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/557-vjetori-i-beselidhjes-albin-kurti-marshim-ne-lezhe/"]

557 vjetori i Besëlidhjes, Albin Kurti marshim në Lezhë

Njëra prej datave më thelbësore të historisë së popullit shqiptar, që konsiderohet edhe pikënisja e idesë për një shtet të bashkuar shqiptar, pa dyshim që është Besëlidhja e Lezhës e 2 marsit 1444.

557-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Albin Kurti, Ziadin Sela dhe politikanë të tjerë marshim në Lezhë.

Të pranishëm në marshim edhe përfaqësues të shqiptarëve nga Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

Politikanët shqiptarë kanë kryer homazhe dhe kanë vendosur kurora në Obeliskun e Besëlidhjes.

[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/mzk.jpeg" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/muzika-ne-zi-ndahet-nga-jeta-ne-moshen-83-vjecare-kompozitori-i-njohur-agim-krajka/"]

Muzika në zi! Ndahet nga jeta në moshën 83-vjeçare kompozitori i njohur Agim Krajka

Një lajm i trishtë dhe i dhimbshëm për muzikën shqiptare. Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare kompozitori i njohur Agim Krajka. Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Ulis Krajka, i cili shkruan: “Uroj që shpirti yt të pushojë në qiell babai ynë i dashur”.

Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati.

Në vitin 1963 Krajka fillon studimet për teori e kompozicion dhe i përfundon ato në vitin 1968. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1960 filloi punë në Ansamblin e Ushtrisë ku punoi 2 vjet. Në vitet 1962-1964 kalon në Radio Tirana si fizarmonicist dhe drejtues i kompleksit të vogël instrumental.

Viti 1964 e gjen pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime.

Agim Krajka ka shkruar një cikël me përpunime këngësh popullore për kanto e piano, uverturë rinore, romancë për violinë e orkestër simfonike , suitë me valle popullore për orkestër simfonike etj.
Muzikën e filmave “Çifti i lumtur”, Zonja nga qyteti”, “Zonja nga fsahti”, Njësiti Gueril” etj.
Muzikë skenike të baletit me një akt “Duarartët vigjëlentë” ekzekutuar nga TKOB në vitin 1981
Përveç këtyre punimeve të mësipërme ka lëvruar mjaft motive vallesh të cilat janë nderuar edhe me çmime të para si: vallja e Librazhdit, vallja e Tiranës, vallja çame etj.
Për aktivitetin dhe kontributin e tij artistik është vlerësuar me çmime, urdhra e medalje dhe mban titullin: Mjeshtër i Madh”.

[easy-share buttons="facebook,google,twitter" image="https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2021/03/auto_eri1614626098.jpg" counters=0 native="no" url="https://www.voal.ch/videoedi-rama-arrogant-ndaj-gazetares-erisa-zykaj-shuplaka-e-brukselit-per-ramen-gazetarja-rralle-here-eshte-folur-kaq-shkoqur-per-zgjedhjet/"]

(Video)Edi Rama arrogant ndaj gazetares Erisa Zykaj – Shuplaka e Brukselit për Ramën/ Gazetarja: Rrallë herë është folur kaq shkoqur për zgjedhjet

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell deklaroi mesditën e sotme gjatë konferencës me Edi Ramën në Bruksel, se disa vende skeptike duan më shumë prova nga Shqipëria në drejtim të zbatimit të reformave përpara se të japin “OK” për konferencë e parë ndërqeveritare. Por si ishte takimi i sotëm në Bruksel për Shqipërinë dhe a kishte hapa përpara?

Gazetarja e ABC në Bruksel, Erisa Zykaj në një bisedë me gazetaren Jonida Shehu në Radarin Informativ tha se zyrtarët e lartë të BE-së folën hapur.

“Mund ta vlerësoj si hap përpara përsa i përket sinqeritetit që është përgjigjur edhe vetë Borrell dhe Oliver Varley. Si rrallë herë kemi dëgjuar të flasin një gjuhë kaq të shkoqur për procesin zgjedhor, për kandidatë pa rekorde kriminale dhe një proces të denjë për t’u konsideruar si zgjedhje të lira dhe demokratike, ku duhet të luftohet shit-blerja e votës dhe se duhet të vijohet me reformën e drejtësisë.

Zgjedhjet janë një provë për pjekurinë e demokracisë në Shqipëri. Ky është edhe mesazhi i shteteve anëtare. 25 prilli do të jetë provimi i radhës. Ka një shqetësim për faktin që rastet që pritet që të jenë, që akuzohen për shit-blerje nuk kanë arritur në gjykatë dhe nuk ka dënime” tha ajo. Gjithashtu ajo theksoi se Brukseli kërkon që “t’i jepet fund kontestimit të proceseve zgjedhore në Shqipëri”, referuar 25 prillit.

Por cilat janë shtetet anëtare që vijojnë që të jenë skeptike për Shqipërinë? “Pesë shtetet anëtarë që sipas të cilave nuk janë përmbushur kushtet janë Gjermania, Holanda, Danimarka, Franca dhe Spanja. Kanë argumente të forta se sipas tyre pritej zbatimi i reformës zgjedhore, nuk mund të konsiderohet kusht i plotësuar pa parë zbatimin në terren. Duan që BKH të plotësohet deri në fund. Ligji për median dhe goditja e aseteve kriminale” tha Erisa Zykaj.

“Nëse na thoni prisni Maqedoninë, nuk ka problem” tha Edi Rama sot në Bruksel. Por gazetarja e ABC-së sqaroi se “Maqedonia nuk na ka penalizuar deri tani, Shqipëria për 5 shtete anëtare që konsiderohen më realistë se KE thotë se Shqipëria nuk ka përmbushur kushtet”