Ka pak kohë që në skakirën politike të PD-së, kanë filluar të evidentohen, mbase në mënyrë të turbullt dhe jo fort të kristalizuara, shfaqje të turbulencave me natyra të ndryshme, që lidhen me statusin qenësisht dhe ekzistencialisht të lëkundur të autoritetit publik dhe peshës elektorale të politikave të saj. Ka pafund testime profesionale, sociologjike dhe empirike, që flasin qartë për këtë status të PD-së, që me gjithë përpjekjet dhe stratagjemat për të mbuluar realitetin, duken qartë dhe sintetizohen në testimet e herë pas hershme paraelektorale (edhe pse zgjedhjet politike janë akoma larg), me dështimet gati të determinuara, deri tani pa rrugëdalje në përballjet e saj me pozitën, pushtetin afatgjatë të socialistëve, me sfidën dhe mundësinë e deklaruara publikisht se me këtë performancë të opozitës aktuale, ata mund të qëndrojnë gjatë në pushtet.
Një realitet politik, elektoral e social, i cili u afirmua bujshëm edhe në zgjedhjet e 9 majit të vitit 2025. Të gjitha këto realitete, të shoqëruara me ndjesi emocionale dhe analiza të gjendjes politike të opozitës, e kanë vënë PD-në në dilemën e pasigurive për të sotmen dhe të ardhmen, bashkë me problemet ekzistenciale të luhatjeve të autoritetit të lidershipit të saj aktual. Në këto kushte, me sa duket opozita është ekzistencialisht përballë me dy dilema imediate.
E para ka të bëjë me disa lëvizje partikulariste e anticentriste të disa figurave të saj, të cilat pavarësisht argumenteve të sforcuara, duken si shenja të mundësisë për një “shizmë” të re brenda lidershipit dhe trupës politike të PDsë. Qëndrimet kontestuese, herë timide e herë të alambikuara me sintagma qesharake si “takime miqësore”, “seanca kafeje” e bisedime shokësh, nuk janë të mjaftueshme për të krijuar përshtypjen e jashtme dhe për të mbajtur në nivel formal unitetin e lidershipit aktual të PD-së. Nuk është e pamundur nëse rezistenca e status kuosë aktuale do vazhdojë të sfidojë nga jashtë, pa llogaritur lëvizjen e forcave brenda lidershipit të saj, atëherë kjo është një miopi e diagnostikimit të gabuar politik, që bën sikur nuk e shikon një lëvizje latante sot, por me efekte “materiale” nesër, kur grupi oponentëve të forcohet dhe të shkëputet nga “trupi” dikur i madh i PD-së.
Sepse nëse ndodh një shizmë, ajo doemos që do të sjellë ndarjen, veçimin, përçarjen dhe rrjedhimisht, shkëputjen e një pjese të trupit të saj. Megjithatë, akoma situata nuk është në pragun e ndarjes apo e “shizmës fatale”, sepse akoma nuk është konturuar ajo pjesë e lidershipit të kësaj partie, që të ketë kurajën të dalë hapur, të dëshmojë “temat e mosmarrëveshjeve” dhe t’i thotë lidershipit aktual “mjaft më”. Me gjithë teatralitetet e brendshme, shpeshherë foshnjarake dhe inatçore, ky rrezik nuk është i afërt. Por po bëhen përditë më të qarta arsyet e brendshme dhe argumentet e jashtme, që mund ta shtyjë PD-në drejt një zgjidhje “shizmatike”, nëse vazhdon kjo gjendje stanjative dhe nuk do ketë ndryshime, reflektime në statusin e ngurtë statutori dhe lidershpin tradicional, të ngushtë e të kalcifikuar nga koha e gjatë e zotërimin nominal të pushtetit në këtë parti.
Nuk ka dyshim që brenda radhëve të saj, ka shumë individë që përtej ambicies politike personale dhe synimeve të personalizuara për karrierë politike, mendojnë se situata është e tillë që ose shizma, copëtimi i trupës politike ose rinovimi sa më shpejtë i lidershipit të saj, janë rrugët, terapitë e shërimit të sëmundjeve evidente të PD-së.
Situata aktuale dhe lëvizjet e sforcuara politike e populiste, po tregojnë qartë uljen e peshës elektorale dhe pushtetit dhe autoritetit të lidershipit aktual, të cilët për fat të keq, këmbëngulin me “logjikë struci” duke mbyllur sytë përballë realiteteve të dukshme dhe “abstragimit” nga disa realitete të disfavorshme që vijnë nga jashtë. Kjo po e zbeh raportin e militantëve të vjetër dhe të rinj me këtë parti. PD-ja po përjeton dhe zgjeron shfaqjen e një lloj “eremitizmi politik” të lidershipit, që gjithnjë e më shumë është i vetmuar dhe duke ligjëruar nga selia e tyre në situata në një gjendje evidente të “eremitizmit politik”.
Të duket e pabesueshme, se si është e mundur që lideri historik i kësaj partie me histori të gjatë dhe përvojë politike intensive, të mos kuptojë apo akoma më keq të bëjë sikur nuk e kupton këtë situatë ku ndodhet partia dhe pozita personale bashkë me përgjegjësitë politike të tij lidhur me këtë situatë. Janë bërë disa testime për të parë nivelin e angazhimit dhe atraksionin politik të saj në raport me qytetarët.
Treguesit, pavarësisht alambikimeve dhe interpretimeve të sforcuara që ata i bëjnë argumentimit të realitetit pesimist të “hollimit” të “trupës” politike dhe elektorale janë evident. Lidhja e dikurshme elektorale, gjatë dhe konsistente duket se po brehet nga dilemat, skepticizmi dhe “pse”-të e shumta, që kërkojnë shpjegim për këtë situatë, të shkaqeve pse është në rënie autoriteti PD-së dhe lidershipit të saj aktual. Lidhja e verbër apo ideja gati fetare e utopike, se lidhja me militantët dhe simpatizantët do të ishte lidhje e fortë apo gati e “përjetshme”, duket se ka marrë fund. Betimet e dikurshme elektorale apriori, besnikëritë e ushqyera dhe mbajtur gjallë me “karburantin antikomunist”, nuk funksionojnë më. Me sa duket tani kanë “heshtur” dhe nuk funksionojnë më këta “motorë” të këtij lloj indoktrinimi, që pati dhe solli produktin e vet tri dekada më parë.
Por PD-ja është përballë edhe me një rrezik të dytë, përsëri të brendshëm. Gjithnjë e më shumë duket qartë kohët e fundit, edhe pse në “surdinë”, që po bëhet kritike situata e udhëheqësisë e shoqëruar me një prirje shumë të gjatë gerontakratike të lidershipit të vjetër të PD-së. Me sa duket, akoma kjo parti nuk e ka kuptuar se është tejkaluar koha e idolatrizimit të pushtetit të pakufizuar individual. Ky është një problem madhor dhe në PD është koha kur duhet folur për atë gjendje, për të cilën nuk duhet heshtur më. Një situatë që lidhet me nevojën e ndryshimit të liderit të saj historik dhe krijimin e një situate të re për një frymëmarrje të re moshore. Jo aq në kuptimin e kufijve moshorë, se sa në aspektin e sjelljes së mentalitetit të ri politik, që të jetë koherent me kohën dhe përballues i sfidave dhe problemeve të brendshme të PD-së.
Sado që disa nga besnikët e lidershipit aktual, i nënvleftësojnë apo bëjnë sikur nuk i shikojnë këto dy probleme substnciale, apo duke dashur t’i hedhin “hi syve” opinionit publik, duke i mbuluar me “pelerinën” e unitetit brenda radhëve të saj, lëvizja për të kapërcyer këto ngërçe ka filluar dhe solidariteti i dikurshëm mekanik, tani është përballë një lëvizjeje të “kriticizmit” të brendshëm dhe të jashtëm individual, politik dhe social. Është një situate kontestimi, akoma me konture të paqarta dhe synime të papërcaktuara, midis ekzistencës së padyshimtë të solidaritetit të atyre që duan të ruajnë staus quonë politike, skaierën aktuale të lidershipi dhe shfaqjeve të veprimeve të pastrukturuara qartë, eksentrike e sporadike, të shfaqura në formën e kriticizmit individual.
Grupi i parë është nën efektet “narkotizuese” dhe qëndrimeve idolatrizuese të nevojës për “figurën garantuese” njeriut, i cili në këtë parti ka krijuar idenë iluzive e militanteske, se vetëm ai është i aftë që edhe në të ardhmen të bëjë “mrekulli politike”. Të tjerët edhe pse akoma nuk janë artikuluar publikisht kundër situatës gerontokratike në PD, duket se e kanë këtë objektiv rinovues të lidershipit, të nisur nga sintagma merkeljane se “në betejat e reja të ardhshme nuk mund të futesh me “kuaj të vjetër” politikë. Sado të përpiqen për të dëshmuar unitete të sforcuara, duket se PD-ja është në situatën e rreziqeve dhe përballë “dy të vërtetave” që duhen njohur dhe vlerësuar. Njëra është linja gerontokratike, tjetra ajo e rinovimit të lidershipit aktual. Por jo me veprime arriviste e karrieriste kuturu, por duke zgjedhur në krye një “njeri politik”, të ditur, ambicioz e karizmatik dhe jo një anonim të “shquar” dhe me karizmë të kufizuar.
Në PD kjo situatë absurde duhet të marrë fund sa më shpejt. Sepse kjo gjendje paradoksale mund të bëhet acaruese, me efekte kolaterale politike. Duhet vepruar pa vonesë nëse nuk duan që degradimi, shizma dhe disfatat të bëhen gjendje permanente për këtë parti, duke e kthyer atë në një arenë konfliktualiteti midis “besnikëve radikalë” dhe të “moderuarve relativë”, që synojnë të rivendosin një politikë që të jetë më simetrike me besimin politik dhe interesat e qytetarit. Kjo do të thotë se autoriteti gerontokratik, duhet të pasohet nga njerëz, autoriteti i të cilëve duhet të jetë i sinkronizuar midis ndërthurjes së dinjitetit personal me forcën politike.